• E mërkurë, 18 Shkurt, 2026

Në Shqipëri po shtohen kredimarrësit, ja arsyet

EA
Gusht06/ 2025

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, qytetarët dhe bizneset shqiptare kanë shtuar ndjeshëm kërkesën për kredi, duke marrë rreth 203 miliardë lekë (afërsisht 2 miliardë euro) hua – një rritje prej 213 milionë eurosh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja ka ardhur kryesisht për shkak të interesave të ulëta të huave në valutë të huaj dhe zhvlerësimit të euros dhe dollarit ndaj lekut, që i kanë bërë kreditë në valutë më të lira dhe më tërheqëse, shkruan gazeta Sot.

Vetëm kreditë në monedhë të huaj zënë gati 40% të totalit, duke arritur në 806 milionë euro, nga 747 milionë që ishin në të njëjtën periudhë të 2024-ës. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se një rritje e shpejtë e kredive në valutë i ekspozon qytetarët ndaj rreziqeve të kursit të këmbimit në të ardhmen.

Kërkesa për kredi është nxitur nga bizneset, që kanë marrë hua për kapital qarkullues dhe investime, ndërsa qytetarët kanë dominuar me kredi për blerje banese dhe më pas për konsum.

Në total, gjatë kësaj periudhe janë marrë 362 milionë euro kredi për blerje shtëpie, një rritje prej 87 milionë eurosh krahasuar me 2024-ën.

Kjo rritje ka ardhur jo vetëm si pasojë e rritjes së çmimeve të pronave, por edhe për shkak të një vendimi të ri që kufizon kreditë për banesa duke filluar nga 1 korriku 2025. Qytetarët janë nxituar të aplikojnë për kredi përpara se të hyjnë në fuqi kufizimet, të cilat prekin si vlerën e kredisë, ashtu edhe këstin mujor të pagesës.

Spread the love