Kritikat që vijnë nga mediat dhe nga qytetarët, që shprehin brengosje për këtë ngushtim të ngadalshëm por të rrezikshëm të hapësirës për shqiptarët, nuk duhet të anatemohen dhe të kualifikohen, a priori, si kauza politike opozitare. Me, apo pa vetëdije, një anatemim i tillë do të binte në kurthin e një politike nacionaliste maqedonase, e cila ka vite që angazhohet për kthimin e pozitës së shqiptarëve para Marrëveshjes së Ohrit.
Nga Emin AZEMI
Në betejat identitare që patën maqedonasit me fqinjët, shqiptarët i patën jo vetëm aleat, por edhe kalorës të vijave të para të frontit. Për pasojë, shumë çështje që duhej të hapeshin në favor të avancimit të statusit juridik e kushtetues të shqiptarëve, u prolonguan dhe u futën nën rrogoz, në favor të një procesi me karakter identitar që maqedonasit kishin nevojë ta fitojnë ndaj fqinjëve. Dhe çka ndodhi pastaj?
Pasoi ndodhi ajo që historikisht iu kishte ndodhur shqiptarëve – të tradhëtohen, sa nga të tjerët, po aq nga naiviteti i tyre.
Aktualisht – a po ndjehen të tradhëtuar shqiptarët nga estabilishmenti politik maqedonas pas gjithë atij kontributi që dhanë ata në zhvillimin e betejave të përbashkëta identitare me maqedonasit?
A ka një bashkërendim të heshtur, por mirë të menduar, në mes të subjekteve politike maqedonase (pushtet-opozitë) për rikthimin e proceseve politike para Marrëveshjes së Ohrit, ku shqiptarët sërish do të trajtoheshin si qytetarët të rendit të dytë, pa kurrfarë mekanizmi mbrojtës politik e kushtetues?
A ka një tendencë që Maqedonia e Veriut të rreshtohet në kuadër të një aleance të re ballkanike, në kuadër të “botës serbe” dhe jashtë proceseve euro-atlantike përmes së cilës do të katapultohej politika e përjashtimit të vendimarrjes së shqiptarëve nga proceset e rëndësishme. Pyetja më e logjikshme që shtrohet tani është: Çka ndodhi që prej prioriteteve ekonomike, zhvillimore e sociale, Maqedonia e Veriut të rrëshqet në axhenda të dyshimta që prodhojnë tensione dhe animozitetete të natyrës ndëretnike, ku si palë më e dëmtuar dalin të jenë shqiptarët?!
Çka ndodhi që më të qenësishme për politikën e ditës, po listohen çështjet që hapin probleme të reja, siç është tendenca për degradimin e statusit politik e juridik të shqiptarëve, që filloi me shkërmoqjen e gjuhës shqipe, tendenca për pastrimin e institucioneve nga drejtuesit shqiptarë, se sa çështjet për të cilat qytetarët kanë më shumë nevojë dhe për të cilat, fundja, kanë votuar: paga më të dinjitetshme, çmime të përballueshme, vende të reja të punës dhe heqjen dorë nga shpërngulja për një jetë më të mirë në Perëndim?!
Tendenca politike e cila u nis si narrativ parazgjedhor që në thelb kishte sloganin “Ta kthejmë shtetin”, ka rrezik të shndërrohet në një narrativ tjetër i cili, siç po shihet, ka për synim të prodhojë një slogan tjetër “Ta mbajmë shtetin vetëm për vete!”. Sepse ishte krijuar bindja se shqiptarët fituan të drejta më shumë se sa u takon, prandaj gjithçka që asocon me sloganin “Ta kthejmë shtetin”, nënkupton një derivat masash retrograde që na i kujton vitet 90-të, të shekullit të kaluar, atëherë kur edhe inisiativa për hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe, kualifikohej hiq më pak se “tendencë atikushteteuse që ka për qëlllim prishjen e shtetit të Maqedonisë”.
Ngushtimi i hapësirës për shqiptarët ka filluar të jep frytet e para, dhe për këtë mjafton të vizitohen disa institucione shtetërore e piublike ku përveç gjuhës shqipe, e cila po pëson për çdo ditë degradim, po ndodhë edhe një zbrazje e heshtur e pozitave drejtuese të shqiptarëve, si kundërvënie ndaj frymës që ishte propaguar se “shqiptarët na e morën shtetin”.
Kritikat që vijnë nga mediat dhe nga qytetarët, që shprehin brengosje për këtë ngushtim të ngadalshëm por të rrezikshëm të hapësirës për shqiptarët, nuk duhet të anatemohen dhe të kualifikohen a priori si kauza politike opozitare. Me, apo pa vetëdije, një anatemim i tillë do të binte në kurthin e një politike nacionaliste maqedonase, e cila ka vite që angazhohet për (ri)kthimin e pozitës së shqiptarëve para Marrëveshjes së Ohrit.
Shkup, 28 shtator 2025
