Bujar Osmani theksoi se qëllimi i fushatës kundër BDI-së është të ndërpresë çdo lidhje midis shqiptarëve dhe trashëgimisë së UÇK-së dhe Marrëveshjes së Ohrit, të cilat, sipas tij, përfaqësojnë krenarinë e popullit shqiptar dhe bazën e barazisë në vend.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe kandidati aktual për kryetar komune të Çairit, Bujar Osmani, gjatë intervistës së tij për televizionin “Top Channel”, adresoi akuza të rënda kundër qeverisë aktuale. Osmani deklaroi se Marrëveshja e Ohrit është anuluar plotësisht, ndërsa sipas tij, qeveria Mickoski po kryen agresion të hapur kundër barazisë dhe statusit të shtetësisë së shqiptarëve.
“Nëse e keni dëgjuar kryeministrin, ai vetë tha se roli i këtyre zgjedhjeve është të eliminojë BDI-në nga skena politike. Që nga dita e parë, ata filluan luftën kundër Maqedonisë së Ohrit – ata po luftojnë kundër gjithçkaje që ka të bëjë me trashëgiminë e Marrëveshjes së Ohrit”, tha Osmani.
Sipas tij, qeveria aktuale ka anuluar tre shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, duke përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe, përfaqësimin e drejtë në institucione dhe balancuesin etnik.
“Sot, gjuha shqipe nuk është më në institucione. Ata e kanë instrumentalizuar Gjykatën Kushtetuese për të anuluar ligjet që rezultuan nga Marrëveshja e Ohrit. Ata i kanë përjashtuar shqiptarët nga institucionet dhe po presin që të mbarojnë zgjedhjet për të anuluar edhe gjuhën shqipe”, shtoi Osmani.
Ai theksoi se qëllimi i fushatës kundër BDI-së është të ndërpresë çdo lidhje midis shqiptarëve dhe trashëgimisë së UÇK-së dhe Marrëveshjes së Ohrit, të cilat, sipas tij, përfaqësojnë krenarinë e popullit shqiptar dhe bazën e barazisë në vend.
“Një agresion total po zhvillohet kundër Maqedonisë së Ohrit, kundër konceptit të barazisë dhe kundër statusit shtetformues të shqiptarëve”, përfundoi Osmani./GazetaFAKTI
