Nëse nuk të lë filozofia e regjimit të shprehesh, përpiqu dhe guxo me artin! Jean Paul Sartre nënvizonte se: “Atje ku nuk shkon dot filozofia, shkon arti.” Ndaj, si duhet të sillemi me vuajtjen tonë? Mua më pëlqen të them se në filozofinë e tij krijuese, Vath Koreshi, edhe nën influencën e filozofisë Budiste, është marrë artistikisht me vuajtjen, frymëzuar nga parimi: “Mos e përbuz vuajtjen tënde dhe përpiqu të nxjerrësh mësime prej saj.”
Nga Prof.dr. Përparim KABO
Dua të ndërtoj sot një Vath Koreshi ndryshe, deri më tani, të fshehur për lexuesin, pasi vepra e tij letrare dhe ajo filmike, njihen. Po e nis me një pyetje, që mund të tingëllojë si provokim, por, edhe nëse vjen si e tillë, nuk po ndalem dhe po kërkoj mirëkuptimin tuaj njëherësh: A ka filozofi në romancizmin koreshian?
Nëse doni të zbresim në derivatin e parë të ekuacionit, le të fillojmë me pyetjen e dytë: Përse shkrimtarët që ushqehen nga filozofia, antropologjia, psikologjia apo nga mitologjia, e sjellin njeriun më të mirë në veprën e tyre, më të besueshëm dhe më jetësor, më të vërtetë historinë dhe shoqërinë njerëzore?
Vath Koreshi është një shkrimtar i tillë, ndoshta krejt ndryshe nga të tjerët, dhe nuk e teproj kur them se ai, në vështrimin tim, ishte i vetmi i përkorë. Përgjigjja shkencore, por edhe antropo-estetike, është e tillë:
“Shkrimtarët përfitojnë nga përfshirja e filozofisë, antropologjisë, psikologjisë dhe mitologjisë, sepse këto disiplina ofrojnë korniza më të thella, për të kuptuar natyrën njerëzore, strukturat shoqërore dhe modelet historike, duke çuar në portretizime më të nuancuara, më të besueshme dhe më jetësore të njerëzve dhe qytetërimeve, duke ndriçuar përpjekjet e përjetshme njerëzore, kontekstet kulturore dhe arketipet universale.
Këto fusha ofrojnë mjete për të eksploruar motivimet, për të analizuar dinamikat shoqërore, për të interpretuar fenomenet kulturore dhe për të lidhur rrëfimet individuale me përvoja më të gjera njerëzore.”
Arti, qoftë ai letrar, qoftë ai filmik, begatohet, kur krijuesi i tyre i zotëron të gjitha këto lloj ndërgjegjesh, në nivelet e një njohjeje të thellë dhe të argumentuar. Vath Koreshi ishte kryemjeshtër për të gërmuar dhe për të zbuluar të fshehtat, si dhe për të shprehur artistikisht natyrën njerëzore. Ai nuk ka laborator profilesh të gatshme, as ditar politik ngjarjesh, madje, ai shpërfilli hapur bojatisjet propagandistike.
Kur referon kohën, si sistem politik, asgjë nuk të lodh në rrëfenjën e tij, sepse, edhe me një ngjarje apo episod, vizatimin antropologjik, ti, si lexues romani apo si shikues filmi, ndihesh mirë.
Vath Koreshi, me letërsinë dhe skenarët e tij, ashtu, butë, pa sforco, të njeh, falë përjetimeve emocionale dhe ideore-estetike, me strukturat antroposociale dhe fizionominë e sistemit. Filozofia e tij krijuese shprehet hapur: “Njeriu në qendër dhe jo sistemi në qendër.” Njeriu e ndërton dhe e prish sistemin, dhe jo sistemi e realizon këtë skajeve. Nuk ka kuptim një sistem, një epokë dhe civilizimi i saj, një identitet kulturor dhe mekanizmat pushtetore, pa praninë e gjallë të njerëzores. Ndryshe, gjithçka do të ishte si ai qyteti pa jetë, në filmin me aktorin e famshëm, Denzel Washington.
Modelet historike janë një tjetër kolonë mbajtëse në artin e Vath Koreshit, por edhe këtë lloj referimi, ai e ka realizuar, jo përmes historicizmit bezdisës, as me anën e tregimtarisë perfide. Pavërtetësia nuk sjell ngjizje arti, por sajimin e historive që harrohen shumë shpejt.
Më pëlqen ta shpreh: “Vath Koreshi krijoi një art që as iu fsheh historisë, as e lëvdoi atë me urdhër nga ‘kulla’ e censurës. Ai nuk e krijoi atë si një fiksion që nuk mban përgjegjësi ndaj faktologjisë historike, sjellje kjo që e kemi takuar te shkrimtarë të tjerë, jo pa emër dhe vepra të njohura, as nuk iu vodh korrektesës dhe përgjegjësisë ndaj ngjarjeve.”
Rrëfenja e tij kalon në mënyrë organike, nga e veçanta, te shoqërorja, por falë një shkallëzimi që krijon mozaikun antropo-estetik, ku portretet e individualizuara të mbeten në mendje, ndërsa larmishmëria e tipologjisë njerëzore krijon kohën, dimensionon epokën, vizaton realitetin, ndërton sjelljet, relievizon ulje-ngritjet e ngjarjeve dhe hedh shtat ajo që duhet të mbetet në fund: Respekti për universalen.
A ishte i kodifikuar arti i Vath Koreshit dhe për pasojë do duhej të lodheshim, për të gjetur gurkyçin, që të hapnim dyert apo “kasafortat” e të fshehtave?
Mendoj se Vath Koreshi, në mënyrë të veçantë me krijimet pas viteve ’90 — gjë shumë pozitive kjo, të krijosh në dy sisteme diametralisht të kundërta dhe të mos kesh humbje rruge — me artin e tij, si një ithtar i strukturalizmit logjik, ka ditur të na përthithë, si pa u vënë re.
Madje, me një kënaqësi tonën, si kurrë më parë, duke na bërë pelegrinë të çkodimeve, duke na ushqyer me ndjesinë se çfarë do të thotë të dalësh nga misteri ose të dëshirosh të mbetesh atje.
Nëse lexon romanin e tij, me titull: “Një grua me të verdha”, e provon këtë kënaqësi. Misteri në art është një pyetje e pazgjidhur dhe përpjekja për t’iu përgjigjur asaj. Në letërsi, ky mister është shpesh një krim, por çdo gjë e pashpjegueshme mund të frymëzojë një roman të shkëlqyer misteri.
Ashtu si të gjitha letërsitë e zhanrit, misteri ndjek një formulë, një formulë që lexuesit e presin, për të dalë nga gjendja e pezull-emocionit. Në rastin e romanit që sapo përmenda, misteri ishte dhe mbetet se cila qe gruaja e veshur me të verdha.
A ka lidhje fati njerëzor me kodet simbolike? Gjithkush mund të shprehë mendimin e tij, lirshëm dhe të shoqëruar me argumenta.
Por magjia krijuese e shkrimtarit ka tjetër teknologji dhe përdor materiale antropoartistike, të cilët e bëjnë atë që të jetë i tillë — krijues dhe jo njeri i zakonshëm, qoftë ky edhe më kuriozi që ekziston.
Arti koreshian na bind se po, fati njerëzor shpesh lidhet me kode simbolike, pasi simbolet përdoren për të koduar dhe përfaqësuar koncepte abstrakte të fatit, përmes shndërrimit të tyre në ngjarje të besueshme, në realitete tronditëse dhe në histori njerëzore, që sjellin në vëmendje pikërëndesat e jetës dhe raportet e saj, si ato të përditshme, dhe ato delikate.
Ndaj, emocioni që na ka dhuruar vepra krijuese e shkrimtarit dhe skenaristit Vath Koreshi, lundron nga humori, te grotesku, nga dhimbja, te tragjedia, nga e thjeshta, te sublimja…
Këtë mënyrë të krijimit dhe të komunikimit me artin e tij, e sjell edhe sot Vath Koreshi, si një shërbyes i zellshëm në ushqimin tonë, estetikisht dhe psikologjikisht, si në perceptimet dhe kuptimet personale, ashtu edhe në parashijimin e të ardhmes sonë kolektive, përmes rrëfenjave kulturore dhe lidhjeve të nëndërgjegjshme.
Nëse do të udhëtonim në rrugët, kthinat dhe shtigjet e dekoduara, herë vetëm me dritën e syve, herë me një llambëz apo me një pishtar, kjo varet nga rrethanat; itinerari më ndjenjandjellës dhe më misterioz, është ai brenda njeriut.
Letërsia që krijoi dhe na ka lënë Vath Koreshi, dallohet për këtë lloj profili.
Unë nuk di, nëse në studimet e tij, shkrimtari ynë, që e sjellim në këtë requiem filozofik, e ka studiuar Bergsonin, por edhe pa këtë përgjigje të tij, jam bindjeplot se me ndjeshmëritë që ai ka krijuar në artin e tij, të cilat të drithërojnë dhe sot e gjithë ditën, në mënyrë të pavarur, përroi psikologjik bergsonian është shumë familjar në artin koreshian.
Letërsia përdor filozofinë e Henri Bergsonit, duke përfshirë konceptet e tij të kohëzgjatjes (kohës së jetuar), intuitës dhe kreativitetit, për të eksploruar temat e vetëdijes individuale, natyrën fluide të realitetit dhe kontrastin midis pikëpamjeve statike dhe atyre dinamike, shpirtërorja që udhëton dhe nuk shteret.
Kjo shihet në ripërfytyrimin e kohës nga arti avangard i fillimit të shekullit 20, në një vlerësim filozofik për aftësinë e poezisë, letërsisë, filmit, teatrit, për të kapur kuptimin e drejtpërdrejtë emocional dhe në filozofinë e procesit që thekson risinë e paparashikueshme.
Kështu, fjala vjen, shkrimtari që e refuzon (edhe duke rrezikuar) ideologjinë politike, kjo ndodh kur ai gjen kurajon dhe vepron me të, duke pranuar të sfidojë, por edhe të sfidohet. Ndodh që edhe nuk e ka këtë guxim. Thyhet nga frika, presioni, torturat, dëshpërimi, paranoja, dhe ai, nën këto pesha të rënda, e bashkon artin e tij me propagandën politike të regjimit.
Si kurajoz sfidues, do dëshiroja t’u sillja në vëmendje Bertolt Brecht. Ai ishte poet, dramaturg dhe regjisor teatri.
Dramat e tij më të famshme: “Jeta e Galileos”, “Nëna Kurajo dhe fëmijët e saj”, “Rrethi i shkumësit kaukazian”, “Arturo Ui”, janë sfidime të totalitarizmit dhe deformimit të njeriut.
Stili inovativ i artit të tij krijues dhe regjisorial, ka pasur një ndikim të madh tek shumë regjisorë dhe krijues, përgjatë dekadave. Ka edhe nga ata shkrimtarë që, edhe pa qenë komunistë, për motive nga më të ndryshmet — nuk është mundësia t’i përmendim — kanë qenë “miratues zyrtarë” të regjimit.
Thjesht sepse pozicionet e tyre estetike dhe shoqërore ishin, pak a shumë, në përputhje me ato të shtetit (gjë që mund të mos jetë e mjaftueshme për t’i shpëtuar nga shtypja ose keqkuptimi zyrtar, të paktën në disa momente të jetës së tyre).
P.sh. në Rusinë staliniste, mund të përmendim shkrimtarët: Maksim Gorki, Nikolai Ostrovsky, Yevgeny Petrov, Mikhail Sholokhov, Aleksey Nikolayevich Tolstoy, Konstantin Simonov, Aleksandër Fedeyev, Aleksandër Tvardovsky, Valentin Kataev, Arkady Gaidar, etj.
Në Shqipëri duhet të përmendim, si sfidues të sistemit komunist, poetin e shquar Lasgush Poradeci, dramaturgun Kasëm Trebeshina, disa vepra të Dhimitër Xhuvanit, poezitë e Frederik Rreshpës, poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, etj.
A mund të përballojë arti, politikën zyrtare dhe, tek e fundit, a mund ta sfidojë atë? Qasjet janë të ndryshme, por nuk jemi sot në këtë lektorium për këtë analizë. Mund ta thjeshtojmë arsyetimin, që të mos e humbim qendërzimin e ligjërimit. Arti i Vath Koreshit, ishte art mirëfilli, pa zbukurime dekorative dhe pa teprime eklektike. Tingëllonte me muzikë të besueshme ndjesore.
Ndaj, fillimisht të shpjegojmë përmbledhtazi filozofikisht, sesi arti i mirëfilltë arrin të tejkalojë këtë gjendje dhe të jetë shpërfaqja e një entiteti të padoktrinuar, të jetë një ndërgjegje ndryshe, duke dhuruar liri edhe në këto rrethana, jo pak të rrezikshme.
Të mos harrojmë që regjimi i djeshëm në Shqipëri, shpuri në burg, por edhe në pushkatim, edhe artistë, duke e nisur nga priftërinjtë françeskanë.
Arti i vërtetë sfidon ideologjinë, duke krijuar një “ankth” te shikuesi apo lexuesi, që e bën atë të vërë në pikëpyetje rrëfenjat dhe strukturat mbizotëruese, shoqërore dhe politike. Arti e arrin këtë, duke zbuluar se si funksionon pushteti, duke prodhuar një “ndjenjë zhvendosjeje” nga normat mbizotëruese vizuale dhe konceptuale ideo-politike dhe propagandistike, dhe duke ofruar një perspektivë që nuk kufizohet nga kornizat ekzistuese ideologjike të imponuara. Me pak fjalë, t’i tregojë rrugën drejt lirisë.
Në fund të fundit, arti ofron një mjet për të dekonstruktuar simbolikën lavdëruese të regjimeve për të parë dhe kuptuar ndryshe njeriun dhe botën. Në regjimet totalitare të gjithë vuajnë, si ata që përdoren ose vetofrohen për t’u përdorur, edhe ata që guxojnë, pavarësisht nga forma e kundërshtimit apo qëndrimeve. Më të papranueshëm dhe indinjues janë ata që heshtin, duke u përqafuar me sistemin ose duke u zvarritur këmbë-dorës me një vetëmohim konformist me gjendjen.
Ndryshe, këta krijues të heshtjes, mund t’i quajmë ata që presin që historia të kthejë kapitull. Dhe, kur të ngrihet dielli pas rrebeshit, të shpërthejnë dhe ata, si kërpudha të viktimizuara dje.
Nëse nuk të lë filozofia e regjimit të shprehesh, përpiqu dhe guxo me artin! Jean Paul Sartre nënvizonte se: “Atje ku nuk shkon dot filozofia, shkon arti.” Ndaj, si duhet të sillemi me vuajtjen tonë? Mua më pëlqen të them se në filozofinë e tij krijuese, Vath Koreshi, edhe nën influencën e filozofisë Budiste, është marrë artistikisht me vuajtjen, frymëzuar nga parimi: “Mos e përbuz vuajtjen tënde dhe përpiqu të nxjerrësh mësime prej saj.”
Si do të duhet ta kuptojmë këtë parim filozofik dhe krijuesin e tij? Koreshi citon Budizmin, kur shkruan se “vuajtja është kalimtare”. Këtë lloj ndjeshmërie ai e sjell jo si ngushëllim apo shpresë, qoftë kjo e fortë apo e vobektë. Ai na shtyn të dalim nga kuptimi pagan apo klasor i vuajtjes, ku ngre krye shpagimi dhe urrejtja. Sipas filozofisë së kulturës, Pali: Nuk është çdo gjë vuajtje kalimtare, por koncepti budist i anica-s (përkohshmërisë) sugjeron që, lidhja me gjërat kalimtare shkakton vuajtje, kur ato ndryshojnë ose zhduken në mënyrë të pashmangshme. Kur kapemi pas përvojave, njerëzve ose pasurive të përkohshme, vuajmë, kur ato kalojnë ose transformohen, sepse lumturia jonë bëhet e varur prej tyre. Qëllimi nuk është të shmangim ndjenjën ose kujdesin, por të angazhohemi plotësisht me jetën, pa zhvilluar lidhje të pashëndetshme që çojnë në dhimbje, kur përballemi me ndryshime të pashmangshme.
Në vepra si “Haxhiu i Frakullës”, “Dasma e Sakos”, “Një grua veshur me të verdha”, apo në skenarët e filmave “Syri magjik”, “Gjeneral Gramafoni”, “Rrugë të bardha”, etj., dhimbja njerëzore është e pranishme thelbësisht. Mësimet që nxirren prej saj, përmes artit të fjalës dhe imazhit, janë: durimi, përulësia, hiri, besimi në mirësinë e Zotit edhe kur nuk e shohim atë, varësia nga Zoti, dhembshuria për të tjerët, perspektiva, mirënjohja, dashuria, ndjeshmëria, mosbraktisja e njeriut në nevojë.
Në filozofinë mbi dhimbjen te arti koreshian takohemi me mësimet e përgjithshme, dhe konkretisht: Dhimbja na kujton se jemi krijesa të papërsosura. Pa dhimbje, do të ishte më e vështirë të ndjenim empati. Bota do të popullohej nga njerëz të pandjeshëm, si të thuash, nga qenie të drunjta. Pa dhimbje, nuk do të ndienim mirënjohje. Por, gjëja më e rëndësishme për t’u mbajtur mend, është se dhimbja është e pashmangshme, por vuajtja është opsionale.
Në gjykimin tim, krejt personal, personazhi më i arrirë i dhimbjes njerëzore te krijimet e Vath Koreshit, është Parandili, te filmi “Gjeneral Gramafoni”. E lidhur me dhimbjen është filozofia e ribërjes te njeriu. Personazhet e Vathit e kalojnë “këtë qafë Golgote”, edhe kur nuk ia dalin mbanë, ata përpiqen dhe nuk e lënë udhën në mes. Ribërja mund të sjellë gëzim dhe triumf, por mund të sjellë dhe dështim e dëshpërim. Këtu nuk është fjala për kuptimin fetar të ribërjes, që lidhet me një ringjallje shpirtërore, pasi vdes trupi.
Jemi duke folur për një rigjallëri morale. Shkrimtarit i lypset kjo materie, sepse pa të, njerëzit në artin e tij janë pa hartën e rrugës. Vath Koreshi, mjeshtërisht, pa as edhe një sforco, ndërton personazhe të tillë. Sjell këtu në vëmendje fillrojtësin, te filmi: “Rrugë të Bardha”.
Arti shërben si një komunikues i fuqishëm, duke transmetuar ide dhe emocione që lidhen drejtpërdrejt me vlerat tona morale.
Arti nuk paraqet thjesht dhe vetëm ide morale. Nëse do të ndodhte kështu, ai nuk do të ishte art, nuk do ishte letërsi, film, teatër apo pikturë. Shumë-shumë do ta quanim një pamflet morali. Arti formëson, në mënyrë aktive, perceptimin dhe gjykimin tonë moral, përmes mjeteve shprehëse dhe ndjeshmërive që na krijon.
Ai vepron mbi emocionet tona, intelektin tonë dhe, madje, edhe në nënndërgjegjen tonë, duke e bërë ndikimin e tij të thellë dhe të qëndrueshëm. Kjo është veçanërisht e vërtetë, kur merret në konsideratë roli i artit në ndryshimet shoqërore dhe në zhvillimin e standardeve etike. Kjo qasje filozofike është aq bukur e krijuar në artin e Vath Koreshit!
Parime të tjera filozofike, që duhet t’i qëmtojmë në artin e Vath Koreshit, janë, p.sh.: Përse universi femëror frymëzon fantazinë pa kufij dhe si e përdor këtë gjë shkrimtari? Shtegu për të shpëtuar nga vuajtja, cili është? Trupi-shpirti-ndjenjat-mendimi, apo të gjitha bashkë? Kujtojmë këtu Alush Beun e Ndriçim Xhepës, që i kalon të gjitha këto gjendje pa dalë dot nga dhimbja, e cila në fund konvertohet në një dëshpërim të gjithë qenies dhe personalitetit.
Pse akoma besimi apo adhurimi i sinqertë të shpie në zhgënjim? Fati i Sakos? Çfarë do të thotë të jetosh në kohën e padurimit? Sa herë që Vath Koreshi e fut ngjarjen në këtë lloj tuneli, me shumë të papritura, përgjigjet që ai ndërton me personazhet e tij na vjen ndër mendje se: Të jetosh në një “kohë padurimi”, do të thotë një tendencë kulturore dhe individuale, për të mos qenë i gatshëm të presësh, për t’u frustruar lehtë nga vonesat dhe për t’u përqendruar në arritjen e qëllimeve të ardhshme shpejt, shpesh në kurriz të përjetimit të plotë të momentit të tanishëm.
Kjo mund të manifestohet si një ndjenjë e shtuar urgjence, nervozizëm dhe mungesë tolerance për ritmin natyror të proceseve, duke çuar në ankth, mundësi të humbura dhe pasoja potencialisht negative për marrëdhëniet ndërnjerëzore. Kjo është klima e përgjithshme te “Dasma e Sakos”.
Më pëlqen ta mbyll këtë parashtresë për shkrimtarin Vath Koreshi, me një postulat filozofik të tij: “Nuk jemi në gjendje ta ndalojmë atë që ndodh!”
Të faleminderit, miku ynë, Vath Koreshi!/ Botuar në gazetën “Dita”
