Zonja e parë e Francës, Brigitte Macron, ishte regjistruar nën emrin mashkullor “Jean-Michel” në sistemin zyrtar tatimor të Francës. Incidenti u zbulua në një dokumentar në BFMTV.
Shefi i stafit të Zonjës së Parë, Tristan Baume, shpjegoi se gabimi ndodhi në shtator të vitit të kaluar gjatë një kontrolli rutinë të të dhënave tatimore të Brigitte. Në vend të emrit të saj zyrtar, në sistem u shfaq një identitet mashkullor, i cili, sipas dokumentarit, nuk ishte një gabim teknik, por rezultat i manipulimit të jashtëm, shkruajnë mediat franceze.
Pallati Élysée menjëherë paraqiti një ankesë dhe policia franceze identifikoi dy persona të lidhur me këtë hyrje të paligjshme në bazën e të dhënave shtetërore.
Teoritë konspirative se Brigitte Macron kishte lindur mashkull kanë qarkulluar që nga viti 2022. Zonja e Parë ka luftuar në mënyrë aktive këto të pavërteta dhe ka ngritur disa padi për shpifje. Në vitin 2024, figura të medias u dënuan dhe u gjobitën për përhapjen e këtyre pretendimeve.
Për t’i dhënë fund të gjitha teorive të konspiracionit, Brigitte Macron planifikon t’i nënshtrohet një testi gjenetik që do të konfirmojë identitetin e saj biologjik femëror.
