Prof. Ramiz Abdyli edhe para se të bëhej një historian i shquar, historinë e kishte bërë pjesë të rrugëtimit të tij jetësor, që nga fëmijëria e deri në vitete fundit të jetës.Data e 9 shtatorit 1944, kur trupat e Lidhjes së Dytë të Prizrenit kaluan përmes Llojanit drejt Shkupit, mbeti “ngjarja zanafillë”. Ky moment dramatik ku vullnetarët shqiptarë mbronin kufijtë etnikë, shërbeu si busull morale që përcaktoi rrugëtimin e tij profesional. Ai arriti të kthejë në shkencë atë që dikur ishte vetëm kujtesë kolektive e rrezikuar nga harresa.

Nga Emin AZEMI
Prof. Dr. Ramiz Abdyli (1944–2026) ishte një nga korifenjtë e historiografisë shqiptare, i cili u nda nga jeta në shkurt të vitit 2026, duke lënë pas një trashëgimi të pasur shkencore dhe akademike. Profili i tij si intelektual dhe shkencëtar u kalit përmes një angazhimi të palodhshëm në rrafshin e emancipimit kombëtar dhe kërkimit shkencor.
Ai përfaqësonte një brez studiuesish, të cilët i dhanë dimension të ri zhvillimit intelektual shqiptar në Maqedoni dhe Kosovë, duke u përballur me sfidat e kohës përmes argumentimit dhe dokumentimit. .
Vepra e tij voluminoze është e lidhur ngushtë me “radiografinë e gjallimit shqiptar”, duke u fokusuar veçanërisht në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Monografia e tij “Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1908–1912” konsiderohet një arritje e madhe metodologjike dhe kërkimore për historiografinë tonë.
Puna kërkimore në Prishtinë (Instituti i Historisë “Ali Hadri”) i dhanë formatin e një historiani që metodologjinë e shihte si mjet për të çmontuar mitet e rreme dhe për të ndërtuar një narrativë solide kombëtare. Si rektor i Universitetit të Tetovës dhe drejtues i ITSHKSH, ai refuzoi të bëhet vegël e konjukturave politike, por përdori autoritetin e tij për të riformatuar standardet akademike, duke e parë universitetin si kështjellë të dijës, kurse Institutin si fermentues i mendimit shkencor.
Prof. Ramiz Abdyli u dallua për disa cilësi që e bënë atë një model për brezat e rinj. I paisur me një integritet të lartë shkencor ai i refuzoi kategorikisht “përrallat pa fusnota” duke insistuar në një historiografi të bazuar në fakte dhe dokumente arkivore. Për rrjdhojë, puna e tij kapërceu kufijtë rajonalë, dhe u bër një zë autoritiv në të gjithë hapësirën shqiptare.
Si Rektor i Universitetit të Tetovës dhe kontribuues në ITSHKSH, ai nuk u bë vegël e partive, por përdori autoritetin e tij për të riformatuar standardet akademike, duke e parë universitetin si kështjellë të dijës, jo si strehë politike.
Trashëgimia e tij shkencore e përfshirë në 29 titujsh librash dhe në qindra pumimesh shkencore, përqendrohet në periudhën më kritike dhe më domethënëse të shqiptarëve: Lëvizja Kombëtare (Fundi i shek. XIX – fillimi i shek. XX): Veprat e tij janë gurë themeli për të kuptuar formimin e vetëdijes politike shqiptare. Ai shpjegoi me saktësi se si lindi ideja e shtetndërtimit në dallgët e trazuara të historisë ballkanike.
Prof. Ramiz Abdyli edhe para se të bëhej një historian i shquar, historinë e kishte bërë pjesë të rrugëtimit të tij jetësor, që nga fëmijëria e deri në vitete fundit të jetës.Data e 9 shtatorit 1944, kur trupat e Lidhjes së Dytë të Prizrenit kaluan përmes Llojanit drejt Shkupit, mbeti “ngjarja zanafillë”. Ky moment dramatik ku vullnetarët shqiptarë mbronin kufijtë etnikë, shërbeu si busull morale që përcaktoi rrugëtimin e tij profesional. Rritja në një zonë kufitare si Llojani, ku përplaseshin ushtritë dhe synimet pushtuese ballkanike, e pajisi atë me një intuitë të mprehtë për të dalluar të vërtetën nga propaganda zyrtare e kohës. Prandaj, për Prof. Abdylin, dokumenti nuk ishte thjesht letër, por mburojë kundër erozionit moral. Ai nuk u mjaftua me tregimet e dëgjuara në rini, por i përpunoi ato në “algoritmin e faktografisë”. Kjo e bëri atë një historian të ftohtë në analizë, por të zjarrtë në mbrojtjen e argumentit. Duke njohur çmimin e lartë të vërtetës, ai refuzoi t’i shërbente politikës ditore apo lavdisë boshe, duke insistuar se vetëm distanca kohore dhe burimi arkivor i japin jetëgjatësi veprës shkencore.
Ai arriti të kthejë në shkencë atë që dikur ishte vetëm kujtesë kolektive e rrezikuar nga harresa. Veprat e tij për periudhën 1908–1912 dhe kontributi në ndriçimin e rolit të shqiptarëve nkë Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë janë pasuria e tij më e madhe. Ai la pas një shkollë mendimi ku historiani shihet si roje e kujtesës kombëtare, i cili nuk guxon të tjetërsojë faktin për hir të pragmatizmit politik.
Prof. Ramiz Abdyli ishte personifikimi i urtësisë së odave të vendlindjes të gërshetuara me rreptësinë akademike. Ai mbeti deri në fund “kandili i pashuar” sepse drita e tij nuk buronte nga dëshira për famë, por nga përgjegjësia ndaj atyre ushtarëve dhe atdhetarëve që i pa të marshonin në fëmijërinë e tij.
Fakti që gjyshi i tij ishte pjesë e forcave mbrojtëse kundër brigadave pushtuese, e bëri historinë për Ramizin e vogël jo si një lëndë shkollore, por një amanet familjar. Për rrjedhojë,rrëfimet për luftimet 75-ditore në linjën Kumanovë-Bujanoc, të cilat ai i dëgjonte i strukur në odë, u bënë më vonë objekt i studimeve të tij shkencore. Ai arriti të kthejë kujtimin fëmijëror në argument historiografik, duke dokumentuar se si vullnetarët nga Gjilani e Mulla Idrizi mbrojtën hapësirën etnike. Kjo periudhë e LDB-së mbolli tek ai ndjenjën e pietetit për dëshmorët dhe urrejtjen për “gërshërët” e konferencave ndërkombëtare që sakatuan trojet shqiptare.
Por, ky sfond biografik nuk kaloi pa u vënë re. Për sistemin e kohës, një i ri që mbartte kujtesën e Lidhjes së Dytë të Prizrenit ishte apriori i rrezikshëm. “Njerëzit e hijeve” e ndoqën hap pas hapi, duke arkivuar çdo aktivitet të tij, që nga hapja e paraleleve shqipe në Kumanovë e deri te kërkimet e tij arkivore. Pavarësisht vëzhgimit, Prof. Abdyli nuk u thye. Ai e përdori shkencën si formën më të lartë të rezistencës, duke e ditur se fakti i shkruar është më i fuqishëm se aparati i dhunës.
Prof. Ramiz Abdyli ishte njeriu i ekuilibrave njerëzorë etikë : i qetë në dukje, por i palëkundur në parime. Ai jetoi me rrezikun e të qenit “i dyshimtë” për pushtetin, por vdiq si “kandil i pashuar” për kombin. Ai provoi se historiani i vërtetë është ai që e jeton dramën e popullit të tij përpara se ta shkruajë atë.
Diplomimi me temën për Pavarësinë e Shqipërisë në vitin e madh të kthesës (1968) në Universitetin e Shkupit, ishte një paralajmërim për rrugëtimin e tij. Ai nuk zgjodhi tema periferike, por bërthamën e shtetndërtimit shqiptar. Jemi në kohën kur ndodhë edhe përplasja e pare me sistemin përmes mentorit, prof. Polanskit, i cili vdiq në rrethana misterioze si pasojë e një helmimi. Çdo i ri në atë kohë do të thyhej, por prof. Ramizi vendosi të qëndrojë vetikalusht. Helmimi i Poljanskit, i cili guxoi të planifikonte ligjërimin e Historisë së Shqipërisë me asistent Ramiz Abdylin, ishte një mesazh i qartë nga “njerëzit e hijeve”. Sistemi nuk e donte një historian që mund të afronte popujt përmes njohjes së ndërsjellë, por dikë që heshtte. Ky akt e bëri Prof. Ramizin një person të survejuar. Për pushtetin, ai nuk ishte thjesht një emër i shkencës, por një “turbullues i ujërave” që po ushqente proceset emancipuese dhe po prishte qetësinë artificiale të socializmit vetëqeverisës. Përjetimi i eliminimit të mentorit të tij e mësoi atë se shkenca kërkon guxim moral po aq sa kërkon dije.
Prof. Ramiz Abdyli ishte njeriu që e kuptoi herët se algoritmi i faktografisë është arma më e mirë kundër diktaturave. Ai ishte i matur, por i prerë; i survejuar, por i lirë në mendim. Ai ishte “kandari” ku rëndonte e vërteta, pavarësisht çmimit që duhej paguar.
Duke futur gjuhën shqipe në arsimin e mesëm në Kumanovë, ai ndaloi hemorragjinë e degdisjes dhe nisi fazën e zgjimit kombëtar në këtë rajon verilindor. Ai dëshmoi se historiani i vërtetë duhet të jetë i pari që mbron të drejtën për arsimim, si parakusht për të pasur një histori nesër.
Prandaj, nuk ishte rastësi që studentët e tij ishin pjesë e kryengritjes së vitit 2001. Prof. Ramizi nuk u mësoi atyre vetëm datat, por rëndësinë e dinjitetit dhe të drejtës, duke u bërë kështu “rreziku” më i madh për sistemet që bazoheshin në shtypje.
Pavarësisht hijeve të sistemeve që e shihnin si nxitës të rebelimit, ai vazhdoi betejën me
në krijimin i pasuesve. Shumë nga historianët dhe intelektualët e sotëm janë produkt i “shkollës” së tij të mendimit, ku rigoroziteti shkencor binte ndesh me servilizmin politik.
Për Prof. Ramiz Abdylin, vitet ’60 dhe ’70 nuk ishin thjesht kujtime rinore, por laboratori jetësor ku ai testoi teoritë që më vonë do t’i kthente në shtylla të historiografisë sonë. Reflektimi i kësaj periudhe të “izolimit” dhe “zgjimit” vërehet qartë në tri rrafshe kryesore të veprave të tij shkencore:
Ashtu siç ai e shihte hapjen e paraleleve në Kumanovë si mjetin më të fuqishëm se parullat, edhe në librat e tij ai argumentonte se klubet kulturore dhe shkollat shqipe të fillimshekullit XX ishin “artileria” e vërtetë që përgatiti pavarësinë.
Ai trajtonte me pasion periudhën e pas-Hyrrietit (1908), duke e parë atë si një dritare mundësie për emancipim, ngjashëm me dritaren që ai vetë hapi në arsimin e mesëm në vitet ’70.
Në studimet e tij për Klubin “Bashkimi” të Shkupit dhe Shkupin e Lidhjes së Prizrenit, Abdyli projektoi përvojën e tij të rinisë:Ai dokumentoi se si elita intelektuale e Shkupit dhe rrethinës shërbente si “arterie” që furnizonte me gjak gjithë trungun shqiptar. Duke shkruar për këto institucione, ai në fakt po shkruante për rëndësinë e institucionalizimit të dijes. Për të, një klub apo një paralele shkollore ishte “kështjella” ku mbrohej dinjiteti i nëpërkëmbur nga sistemet autoritare (si ato osmane, ashtu edhe ato pasuese).
Edhe në kohë trazirash, ai nuk hoqi dorë nga puna hulumtuese. Ai solli në historiografinë shqiptare të dhëna rifreskuese arkivore, duke dëshmuar se dokumenti është mburoja më e mirë kundër tjetërsimit të historisë.
Në një bashkëbisedim që kishim me prof. Ramiz Abdylin para pak vitesh, kuptova se ai kishte refuzuar të jetë bashkautor i një historie “të cunguar” që mbaronte në kufijtë shtetërorë të Shqipërisë, por kërkoi një narrativë që rrah si një zemër e vetme nga Shkupi dardan e deri në Jon. Në atë bashkëbisedim Prof. Abdyli guxoi të thoshte se projektet ekzistuese akademike shpesh i linin shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë së Jugut si “shtojca” ose jashtë kopertinave. Prandaj, ai me ngulm kërkonte një histori ku studiuesit nga të gjitha trevat etnike të vjelin materialin e tyre arkeologjik e dokumentar. Ky nuk ishte thjesht pasion, por një kërkesë për vazhdimësinë e pandërprerë të qenies shqiptare në Evropën Juglindore. Ai ishte historiani që e shihte kombin si një tërësi organike, ku çdo gur arkeologjik në Kumanovë peshonte njëlloj si një dokument në arkivat e Vjenës apo Stambollit. Prof. Ramiz Abdyli u nda nga jeta duke lënë pas një amanet: shkrimin e Historisë të Përbashkët që nuk njeh kufij politikë, por vetëm kufij shpirtërorë e shkencërisht të dokumentuar. Prandaj, institucionet arsimore e akademike në Tiranë, Prishtinë. Tetovë e Shkup duhet të integrojnë plotësisht në narrativën kombëtare trevat e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë së Jugut, ashtu siç insistonte Prof. Abdyli. Historia e shqiptarëve duhet të shkruhet si një radiografi unike, ku kontributi i Klubit “Bashkimi” të Shkupit apo Lidhjes së Prizrenit në këto treva, të trajtohet me të njëjtën peshë shkencore si ngjarjet në qendrat e tjera vitale.
Nëse odat e Llojanit i dhanë “copëzat e historisë”, Shkupi i rinisë (si nxënës i Normales dhe student) i dha mjetet shkencore për t’i lidhur ato. Për të, Shkupi nuk ishte thjesht një qytet, por arteria kryesore që lidh Dardaninë me pjesën tjetër të trungu etnik. Përmes botimeve të tij në ITSHKSH për “Shkupin e Lidhjes së Prizrenit” dhe Klubin “Bashkimi”, ai e ktheu këtë qytet në qendër të gravitetit historiografik, duke dëshmuar se pa Shkupin, historia shqiptare mbetet e paplotë.
Për ta nderuar figurën e prof.dr. Ramiz Abdylit, nuk mjafton që atë ta kujtojmë vetëm nëpër konferenca dhe akademi rasti. Emri dhe vepra etij do të duhej t’i nënshtrohet një kujtimi më substancial duke themeluar ndonjë Çmim apo Fondi Shkencor me emrin “Ramiz Abdyli”: Ky fond duhet të mbështesë hulumtuesit e rinj që fokusohen në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe lëvizjeve emancipuese, duke mbajtur gjallë etikën e tij të punës dhe guximin intelektual. Gjithashtu edhe ndonjë amfiteatër i Universiteti të Tetovës, apo ndonjë sallë e ITSHKSH, duhet të mbajë emri e prof. Ramiz Abdylit, si një dëshmi se fryma dhe kauza e tij shkencore do të gjej reinkarnim adekuat në kujtesën e studiesve dhe hulumtuesve të ardhshëm.
(Fjalë e mbajtur në mbledhjen komemorative kushtuar Prof.dr. Ramiz Abdylit, në ITSHKSH më 09 prill 2026)
