• E mërkurë, 22 Prill, 2026

Dashuria për kinemanë triumfoi

EA
Korrik27/ 2025

Dashuria dhe këmbëngulja e tij për filmin artistik i dha rezultatet e para për regjisorin e talentuar nga Kumanova e Maqedonisë. Ibra, siç i thërrasin miqtë e tij,  është i papërkulshëm  para barrierave për të vazhduar rrugën e kineastit, edhe nëse do ti duhen vite të tëra për të siguruar mjete për të realizuar filmat e tij.
Nga Merita ÇOÇOLI

Iber Deari është regjisor i ri nga Kumanova, i cili para disa muajsh debutoi me filmin e tij të parë artistik me metrazh të gjatë, “Krejt e thërrasin Rexhën”.  Ai është një nga regjisorët e paktë që ka arritur të realizojë një film të tillë në një moshë kaq të re.
Filmi trajton një temë aktuale, braktisjen e fshatrave dhe ikjen masive të të rinjve jashtë vendit. Por ngjarjen e trishtë në film, regjisori e sjell nëpërmjet një këndvështrimi satirik dhe me plot ngjyra njerëzore, që të bëjnë të qeshësh dhe të qash njëkohësisht. 

Në bisedë me Ibër Dearin, për përvojën e tij gjatë realizimit të filmit, me kujdesin për të qënë sa më modest ai tregoi: Përvoja ime më e mire në të bërit film ishte fakti se, nuk duhet të dorëzohesh nga qëllimi dhe ëndrra, sado e vështirë që të jetë rruga. I rrethuar nga pesimizmi i përhershëm i të mospasurit publik dhe mentalitetit tonë se, filmat janë një humbje kohe dhe se nuk ja vlen  të merresh me to, unë nuk u tërhoqa para sfidave. Dhe siç duket dashuria për kinemanë triumfoi.

Premiera e filmit  artistik “Krejt e thrrasin Rexhën” me regji të Ibër Dearit , nuk ishte një premiere e zakonshme filmi, por një fenomen më vete që nuk kishte ndodhur më pare në kompleksin e salllave moderrne Cineplexx të  Shkupit.  Nga interesi i madh i publikut organizatorët u detyruan të hapin njëkohësisht 5 sallatë cilat u  stërmbushën me publik, artistë dhe qytetarë të zakonshëm, shumë prej të cilëve hynin për herë të parë në kinematë e Shkupit për të parë një film shqiptar.                      
 Impakti në publik ishte i jashtëzakonshëm. Pas premierës, filmi vazhdoi të qëndrojë në repertorin e Cineplexx mbinjë muaj, gjë e rrallë për filmat e prodhuar në Maqedoni.  Filmi vazhdoi udhëtimin e tij në kryeqytetet e Shqipërisë dhe Kosovës, në Tiranë dhe Prishtinë, ku pati një interes të shtuar veçanërisht nga komuniteti artistik dhe publiku i zakonshëm.  Por odisea e filmit “Krejt e thrrasin Rexhon” nuk mbaron këtu. Ai qysh në pjesmarrjen e pare në Festivalin e Barit në Itali, Bari International Film Festival, fitoi  çmimin e pare si Filmi më i Mirë në seksionin ku konkurronte. 


Filmi është shfaqur gjithashtu në projeksione speciale në Bruksel, Copenhagen dhe pritet të vazhdojë rrugëtimin edhe në qytete dhe festivale të tjera evropiane. Filmi vazhdon të përfaqësojë me sukses prodhimtarinë filmike të shqiptarëve në Maqedoni nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare.

Ibër Deari: Mësimimi më madh që mora kur filmi u shfaq ndërkombëtarisht ishte se, pavarësisht gjuhës që flasin personazhet, nëse filmi arrin të ketë një gjuhë të qartë vizuale dhe emocionale, ai do të kuptohet nga çdo publik. U befasova dhe u gëzova kur  pashë që filmi im  u kuptua, u ndje nga shikues që nuk e flasin gjuhën tonë , sepse komunikoi në gjuhën universale të kinemasë.

Ibër Deari me filmin e tij ku trajton një temë sociale arriti të marrë fuqishëm vemendjen e publikut në kinema, në një kohë të vështirë kur audenca është e urritur për sensasione boshe telenovelash rozë që shpërndahen në të gjitha formatet e komunikimit me publikun. Dashuria dhe këmbëngulja e tij për filmin artistik i dha rezultatet e para për regjisorin e talentuar nga Kumanova e Maqedonisë. Ibra, siç i thërrasin miqtë e tij,  është i papërkulshëm  para barrierave për të vazhduar rrugën e kineastit, edhe nëse do ti duhen vite të tëra për të siguruar mjete për të realizuar filmat e tij. Në pritje ai ka disa skenare të shkruara që duhet të bëhen film për të përciellë emocione tek  publiku, që duartroket artistët e suksesshëm me sinqeritetin dhe kënaqësinë që ta dhuron vetëm arti.

Spread the love