• E diel, 15 Mars, 2026

Prokuroria e Kumanovës hapi procedurë ndaj tifozëve që brohoritën slogane antishqiptare

EA
Gusht04/ 2025

Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë hapi procedurë dhe lëshoi udhëzime për SPB – Kumanovë që të hetojë elementët e veprës penale që lidhet me thirrjet me gjuhë urrejtjeje nga persona të panjohur. Incidenti ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit midis ekipeve kombëtare të Maqedonisë dhe Rumanisë, të luajtur më 2 gusht në Kumanovë.

Prokuroria thotë se është lëshuar edhe një urdhër për të siguruar pamjet e kamerave të mbikëqyrjes me qëllim identifikimin e autorëve.

Ndeshja ishte e para e ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2027, dhe ekipi kombëtar maqedonas humbi ndaj Rumanisë me rezultatin 72:80. Me këtë ngjarje sportive, u vu zyrtarisht në përdorim salla e rindërtuar sportive në Kumanovë.

Në ndeshje mori pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili pas përfundimit të ndeshjes në profilin e të tij në Facebook u dha mbështetje basketbollistëve.

“Në sallën e rinovuar të sporteve në Kumanovë, nën dritat e një fillimi të ri, Maqedonia pa luftë, zemër dhe lojë të ndershme! Maqedonia është me ty jo vetëm kur fiton, por edhe kur bie me kokën lart! Kjo ndeshje ishte më shumë se një rezultat, ishte një luftë për ngjyrat që mban, për emrin që mbron dhe për njerëzit që të mbështesin me dashuri dhe respekt”, shkroi Mickoski, duke shtuar se pavarësisht humbjes, lojtarët fituan me shpirt dhe treguan se si të luajnë për vendin.

Spread the love