Kapja e Maduros nuk është fundi i “Doktrinës Monroe”. Është rifillimi i saj modern. Një version i shekullit XXI, ku kërcënimet nuk vijnë me flamuj kolonialë, por me kontrata, baza, dronë dhe luftë hibride. Në një botë ku rendi liberal është nën presion, Amerika po bën atë që ka bërë gjithmonë kur ka qenë në anën e duhur të historisë: po merr përgjegjësi.
Nga Rafael FLOQI
Sot nuk po flasim vetëm për një president të arrestuar. Se çfarë tha ai në gjyq, nuk po flasim as vetëm për Venezuelën, po do të flasim për rikthimin e doktrinës që ka përcaktuar fatin e hemisferës perëndimore për më shumë se dy shekuj.
Kapja e Presidentit venezuelian Nicolás Maduro nga Shtetet e Bashkuara, e shpallur publikisht nga Presidenti Donald Trump është një moment historik. Jo sepse Amerika ka ndërhyrë, këtë e ka bërë edhe më parë, por sepse Amerika e ka bërë këtë duke e emërtuar hapur arsyen: “Doktrina Monroe”. Dhe kjo ndryshon gjithçka.
“DOKTRINA MONROE” NUK ËSHTË NJË SLOGAN
Nuk është as një frazë muzeale për libra historie. Ajo është arkitektura themelore e sigurisë amerikane. Është linja që ndan stabilitetin nga kaosi, ndikimin legjitim nga infiltrimi armiqësor. E shpallur në vitin 1823 nga Presidenti James Monroe, “Doktrina Monroe” kishte një ide themelore dhe të thjeshtë: Asnjë fuqi e huaj nuk ka të drejtë të ndërhyjë politikisht, ushtarakisht apo strategjikisht në hemisferën perëndimore. Në këmbim, Shtetet e Bashkuara nuk ndërhyjnë në punët e Evropës.
Ky ishte një pakt gjeopolitik. Një marrëveshje e heshtur që garantoi paqe relative për dy shekuj. Por çdo doktrinë jeton vetëm nëse zbatohet. Dhe për vite me radhë, “Doktrina Monroe” u dobësua, u relativizua, u harrua.
Sot, ajo është rikthyer. Jo si metaforë, por si politikë aktive. Venezuela e Maduros nuk ishte më një problem i brendshëm. Ajo ishte shndërruar në laborator të fuqive. Një territor ku Rusia, Kina dhe Irani testonin kufijtë e durimit amerikan. Prani ushtarake ruse. Marrëveshje energjetike dhe borxhi me Kinën. Rrjete financiare dhe logjistike iraniane. Narkotrafik, migracion i instrumentalizuar, destabilizim rajonal.
Ky nuk ishte më sovranitet. Kjo ishte shkelje e drejtpërdrejtë e “Doktrinës Monroe”. Dhe për herë të parë pas dekadash, Uashingtoni tha: Mjaft!
Kur Trump deklaroi se Amerika nuk përjashton “edhe çizme në tokë”, ai nuk po kërcënonte. Ai po rikthente besueshmërinë e një doktrine që pa forcë zbatuese nuk vlen asgjë. Le ta kuptojmë këtë qartë: “Doktrina Monroe” nuk është antidemokratike. Ajo është antikaos. Ajo është antiinfiltrim armiqësor. Ajo është pro stabilitetit.
RUSIA, KINA DHE IRANI, REZIKU I SHFRYTËZIMIT
Rusia do ta përdorë këtë veprim për propagandë. Do të flasë për imperializëm amerikan. Por Rusia e di shumë mirë se çfarë po humbet: një pikë strategjike ndikimi në oborrin amerikan. Venezuela ishte për Moskën një simbol sfide – një mënyrë për të thënë se Amerika nuk kontrollon më hemisferën e saj.
Ky iluzion ka marrë fund. Mesazhi për Rusinë është i thjeshtë dhe brutal: Hemisfera perëndimore nuk është zonë gri. Nuk është Ukrainë. Nuk është Evropë Lindore. Është territor strategjik amerikan. Dhe kjo nuk është ambicie, është doktrinë dyqindvjeçare.
Për Kinën, situata është edhe më komplekse. Pekini ka investuar miliarda në Venezuelë, duke menduar se ekonomia mund të blihet pa pasoja gjeopolitike. Por “Doktrina Monroe” i kujton Kinës një realitet të vjetër: nuk ka investime neutrale kur preket siguria strategjike.
Amerika nuk po i mbyll dyert tregtisë, por po vendos kufij. Dhe kufijtë në hemisferën perëndimore i vendos Uashingtoni. Irani, nga ana tjetër, e ka përdorur Venezuelën si korridor të fshehtë. Naftë për ar, rrjete për sanksione, ndikim ideologjik dhe kriminal. Kapja e Maduros e mbyll këtë derë. Dhe kjo është goditje strategjike për Teheranin, shumë më e rëndë se çdo deklaratë diplomatike.
Tani, le të flasim për kritikët. Ata që thonë se kjo bie ndesh me “America First”. Se Amerika po hyn në një luftë tjetër të pafund. Këta kritikë gabojnë në thelb. “America First” nuk do të thotë Amerika e verbër. Do të thotë Amerika që parandalon kërcënimet para se ato të mbërrijnë në kufijtë e saj.
Stabiliteti në hemisferën perëndimore do të thotë:– më pak migracion të pakontrolluar, më pak narkotrafik, më pak hapësirë për armiqtë, më shumë siguri energjetike, më pak kosto në të ardhmen.
“Doktrina Monroe” është në thelb një doktrinë parandalimi. Ajo nuk kërkon pushtime të përhershme. Kërkon mesazhe të qarta. Dhe mesazhi i Venezuelës është më i qarti në dekada. Po, Rusia, Kina dhe Irani do ta shfrytëzojnë këtë për narrativë. Por narrativat fitojnë vetëm kur realiteti dështon. Nëse Amerika stabilizon Venezuelën, rikthen institucionet dhe largohet me përgjegjësi, propaganda do të mbetet bosh. Sepse faktet flasin më fort se sloganet.
Kapja e Maduros nuk është fundi i “Doktrinës Monroe”. Është rifillimi i saj modern. Një version i shekullit XXI, ku kërcënimet nuk vijnë me flamuj kolonialë, por me kontrata, baza, dronë dhe luftë hibride.
Në një botë ku rendi liberal është nën presion, Amerika po bën atë që ka bërë gjithmonë kur ka qenë në anën e duhur të historisë: po merr përgjegjësi.
VENEZUELA, KUBA, KOLUMBIA DHE EFEKTI DOMINO
Por le të mos e idealizojmë realitetin. Çdo zbatim i “Doktrinës Monroe” ka edhe kosto njerëzore dhe kjo duhet thënë hapur. Brenda vetë Venezuelës, komunitete të tëra janë përfshirë në kaos, frikë dhe përplasje. Raportet nga terreni flasin për rreth 30 persona të vrarë gjatë përplasjesh të armatosura dhe represionit të forcave besnike ndaj regjimit të rrëzuar – një regjim, që deri në fund u mbështet jo vetëm nga struktura të brendshme, por edhe nga Kuba.
Përkrahja kubane ndaj Madurës nuk ishte simbolike. Ishte operative: këshilltarë sigurie, struktura kontrolli, metoda represive të importuara nga një model i vjetër autoritar. Kuba e pa Venezuelën si oksigjen ekonomik dhe politik për mbijetesën e vet, dhe për këtë arsye do të përpiqet ta përdorë krizën aktuale si narrativë antiamerikane, duke e portretizuar ndërhyrjen si agresion imperialist. Por e vërteta është se ajo që po shembet nuk është sovraniteti venezuelian, por një bosht autoritar Karakas–Havana, i ndërtuar mbi represion dhe varfëri.
Rreziku i vërtetë tani është efekti domino rajonal. Në Kolumbi, një destabilizim i zgjatur i Venezuelës mund të rrisë flukset e refugjatëve, të fuqizojë grupet kriminale dhe të krijojë hapësira për guerilë dhe trafik. Duhet theksuar se kjo situatë ka rritur ndjeshëm edhe kërcënimet direkte ndaj presidentit kolumbian Gustavo Petro, një sinjal alarmi se destabilizimi i Venezuelës dhe rrjetet e lidhura me të nuk prodhojnë vetëm refugjatë dhe krim, por edhe rrezik real për lidershipin politik të vendeve aleate të SHBA në rajon.
Ndërkohë, në Kubë, regjimi e sheh rënien e Maduros si kërcënim ekzistencial. Humbja e mbështetjes venezueliane do të thellojë krizën ekonomike, do të rrisë pakënaqësinë sociale dhe mund të provokojë trazira të brendshme. Kjo është arsyeja pse Havana do të përpiqet të eksportojë krizën përmes propagandës, përmes destabilizimit rajonal dhe përmes përpjekjeve për ta paraqitur “Doktrinën Monroe” si armik të popujve, jo të diktatorëve. Pikërisht këtu “Doktrina Monroe” merr kuptimin e saj modern: jo si instrument ndëshkimi kolektiv, por si mjet për të parandaluar që kaosi i një regjimi të rrëzuar të përhapet në gjithë hemisferën. Mbështetja për komunitetin venezuelian, stabilizimi i kufijve me Kolumbinë dhe izolimi i boshtit autoritar kuban janë prova reale se Amerika nuk po vepron për pushtet, por për kontroll dëmesh dhe stabilitet afatgjatë. Dhe kjo nuk është vetëm për Venezuelën. Është paralajmërim global. Është rikujtesë historike. Është “Doktrina Monroe” jo si teori, por si veprim. Në fund të fundit, bota nuk ka nevojë për një Amerikë që heziton. Ka nevojë për një Amerikë që di ku qëndron. Dhe sonte, pas shumë vitesh paqartësie, një gjë është sërish e qartë: Hemisfera perëndimore ka një doktrinë. Dhe Amerika ka vendosur ta zbatojë. /Gazeta Panorama
Janar, Michigan, SHBA
