• E mërkurë, 21 Janar, 2026

Trump shqyrton mundësitë për ndërhyrje ushtarake në Iran

EA
Janar12/ 2026

Kriza politike në Iran po thellohet, ndërsa protestat antiqeveritare vijojnë me intensitet të lartë për javën e tretë radhazi, pavarësisht represionit të ashpër, bllokimit të gjerë të internetit dhe kërcënimeve nga regjimi.

protesta iran

Në këtë sfond, presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton një sërë opsionesh të mundshme, përfshirë edhe ndërhyrje ushtarake, pas përshkallëzimit të dhunës në Iran, kanë deklaruar dy zyrtarë amerikanë për CNN.

Sipas një raportimi të “Wall Street Journal”, Trump pritet të marrë të martën një informim të detajuar mbi skenarët e reagimit të SHBA-së ndaj krizës në Iran. Në takimin me zyrtarë të lartë amerikanë do të diskutohen mundësi si sulme ushtarake, përdorimi i armëve kibernetike kundër objekteve ushtarake dhe politike iraniane, vendosja e sanksioneve të reja ndaj Teheranit dhe forcimi i mbështetjes për burime antiqeveritare në internet. Reuters bën me dije se nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë raportim.

Opsionet që po shqyrton Trump

Burime të CNN raportojnë se Trump është informuar ditët e fundit për disa plane ndërhyrjeje, përfshirë edhe alternativa që nuk përfshijnë përdorimin e drejtpërdrejtë të forcës ushtarake amerikane. Disa nga këto opsione synojnë drejtpërdrejt shërbimet e sigurisë iraniane që përdoren për shtypjen e protestave.

Megjithatë, brenda administratës amerikane ekzistojnë shqetësime se një ndërhyrje ushtarake mund të ketë efekt të kundërt, duke bashkuar popullin iranian rreth regjimit ose duke nxitur një kundërpërgjigje ushtarake nga Teherani.

Zyrtarët theksojnë se Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, por po e shqyrton seriozisht ndërhyrjen, ndërsa numri i viktimave vazhdon të rritet. Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë ka sqaruar se planet nuk përfshijnë dërgimin e trupave amerikane në Iran.

Mbi 500 të vdekur nga protestat

Sipas organizatës për të drejtat e njeriut HRANA, me seli në SHBA, numri i të vdekurve gjatë dy javëve të protestave ka kaluar shifrën 500. Bilanci paraprak flet për 490 protestues dhe 48 anëtarë të forcave të sigurisë të vrarë, si dhe rreth 10 mijë persona të arrestuar.

Reuters thekson se këto shifra nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura, ndërsa autoritetet iraniane nuk kanë publikuar të dhëna zyrtare për viktimat, duke i cilësuar protestuesit si “traziraxhinj të nxitur nga forca të huaja”.

Paralajmërim për masa të rënda ligjore

Prokurori i Përgjithshëm i Iranit, Mohammad Movahedi Azad, ka paralajmëruar masa ligjore “të pamëshirshme, pa tolerancë dhe pa kompromis” ndaj protestuesve. Sipas agjencisë iraniane Tasnim, ai deklaroi se të gjithë të përfshirët në trazira do të trajtohen si armiq të rendit publik, pavarësisht rolit të tyre.

Situata në Iran mbetet tejet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet dhe pasojat e mundshme rajonale të krizës.

Spread the love