Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin do të vazhdojë dëshminë në Gjykatën Speciale edh sot, më 17 shtator. Gjatë ditës së dytë të dëshmisë, Rubin tha se “Christopher Hill përshkruante UÇK-në sikur të ishin rrugaçë”, teksa foli edhe për nënshkrimin e marrëveshjes në Paris dhe se Hill nuk ishte sipas tij, miqësor me Thaçin.
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin foli gjatë dëshmisë së tij edhe për një telefonatë të presidentit amerikan, Bill Clinton me Hashim Thaçin, në cilësinë e udhëheqësit.
Genël: Presidenti Clinton në fund të telefonatës thotë që e adhuronte udhëheqjen e zotëri Thaçit.
Rubin: Po, kjo ishte normalisht diçka që e thoshte presidenti Clinton.
Genël: Udhëheqës i kujt sipas jush?
Rubin: Udhëheqje është një term që përdoret për një person që merr një vendim të vështirë, nuk kishte asnjë kuptim nga pikëpamje juridike”, tha ai.
Gjatë pyetjeve të gjyqtarit Christoph Barthe, Rubin është pyetur për fletëarrestin e lëshuar prej serbëve kundër Thaçit në vitin 1999, dhe se si ai udhëtonte përmes bjeshkëve.
Amerikani James Rubin tha se ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Chritopher Hill nuk ishte miqësor ndaj Thaçit dhe se i njëjti “do të jepte shpjegime negative për sjelljen e tij dhe do të bënte komente negative”, teksa shtoi se ideja ishte që të shkonin në Paris për nënshkrim të marrëveshjes.
“Sekretarja e shtetit sipas këtij paragrafi, Albright nuk donte që të ndodhnin gabime, prandaj të dërguan ty bashkë me Thaçin në Paris që të siguroheshe që të nënshkruante sepse ata ishin të shqetësuar, ju kujtohet ta keni thënë zotëri Rubin?
Rubin: Po.
Barthe: A mund të më thoni se cili ishte problemi, pse ishit të shqetësuar, kishit merak se mos i kishte ndodhur diçka zotëri Thaçit ndërkohë, apo se mos ndryshonte mendje gjatë rrugës për në Paris?
Rubin: Unë e di që Chris Hill nuk ishte shumë miqësor ndaj zotëri Thaçit, e dija që Chris Hill do të jepte disa shpjegime negative për sjelljen e tij dhe do të bënte komente pezhorative, negative për zotëri Thaçin dhe delegacioni amerikan dhe gazetarët dhe mund të bënte këto komente edhe për senatorin Doll. Qëndrimi nuk duhet të ishte që i shkreti zotëri Thaçi ishte fshehur, por ‘pse nuk është këtu, kur kemi senatorin Doll këtu, pse bën ai sikur është kreu i një shteti, pse bën sikur është ndonjë person i rëndësishëm’. Unë isha në dijeni që Chris Hill kishte një influencë të madhe në këtë situatë dhe unë do të përpiqesha të thoja që ka arsyeje pse nuk është këtu, mbase po vjen, mbase ka mbetur diku në bjeshkë, mbase është në rrezik, unë nuk e di pse nuk është këtu. Ideja ishte që të shkoja në Paris me të, sepse ma kërkoi ajo dhe më tha që ajo më tha në qoftë se nuk do të jem unë, të paktën do të jesh ti ta inkurajosh të bëjë atë që më premtoi mua se do ta bënte, se ai mua më ka thënë që nëse i japim pak kohë shtesë, mes Rambujesë dhe Parisit, ai do të bënte të pamundurën që të merrte pëlqimin dhe të vinte të nënshkruante. Ky ishte një premtim që ma kishte bërë mua personalisht, dhe ajo mendoi se mënyra më e mirë për tu siguruar që do të nënshkruante ishte të shkonte me një person të cilit ia kishte premtuar këtë gjë dhe unë shkova, ai ishte gati të nënshkruante”, u përgjigj Rubin.
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, Rubin në përgjigjen e pyetjes së gjyqtarit Genël Metro tha se “Hill përdorte formulime nga të papranueshmet”.
“Përshkrimi që bënte zotëri Chris për UÇK-në ishte sikur ata të ishin rrugaçë. Dhe përdorte fjalë të tilla për t’i përshkruar në këtë lloj forme UÇK-në. Unë kur kam udhëtuar me persona të tjerë, me zotëri Hill me personalitete të tjera të larta, kam dëgjuar formulime të tilla dhe për shembull kam dëgjuar komente që reflektonin sic duhet zhvillimet e UÇK-së por ndërkohë që Christopher Hill përdorte formulime nga më të papranueshmet e mundshme”, deklaroi Rubin.
Në ditën e dytë të dëshmisë, ai u pyet edhe për Adem Demaçin, ku dëshmitari i mbrojtjes, James Rubin tha se nuk është takuar asnjëherë me të dhe se nuk është në dijeni për ndonjë vendimi apo urdhëri të marrë për UÇK-në nga ai.
Nga të gjitha takimet që ka pasur në Kosovë edhe me udhëheqës, Rubin tha i ishte krijuar përshtypje se Demaçi ishte “një burrë ideologjikisht i rëndësishëm për shumë vite”.
Paraprakisht, ish-ndihëmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin tha se Hashim Thaçi asnjëherë nuk i ka thënë se më kë saktësisht duhet të konsultohej për të marrë miratimin dhe se ishte e qartë se ai kishte epror.
Barthe: Pse nuk folët ju si përfaqësues i shtetit amerikan dhe sekretarja e Albright, pse nuk folët drejtpërdrejt me zotëri Demaçin por dolët me zotëri Thaçin, që ishte një vartës i tij dhe nuk kishte kompetenca dhe autoritetin për të nënshkruar marrëveshje?
Rubin: Mendoj që ka pasur arsye të fortë, e cila ishte se ne jemi takuar në Rambuje me delegacionin zyrtar të shqiptarëve të Kosovës, ata do të ishin personat që do të nënshkruanin marrëveshjen. Zotëri Thaçi ishte përzgjedhur, zgjedhur prej grupit në Rambuje si personi që do i drejtonte apo pika e kontaktit, ai do të ishte personi që do të nënshkruante dhe Madeleine Albright vendosi ta thërriste zotëri Demaçin në fund të bisedimeve duke menduar që do të ndihmonte kauzën. Por zotëri Hill që ishte një prej personave që duhej të na këshillonte lidhur me temën, ai nuk e konsideronte fare zotëri Thaçin, ishte shumë i pasjellshëm ‘mos e merrni atë person, pse e çoni kohën dëm me të’, nuk donte që sekretarja të bisedonte fare me këtë person”., u përgjigj ai në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gjatë pyetjeve të trupit gjykues, Rubin tha se “unë nuk kam parë asgjë në Kosovë që i përngjante shtabit të përgjithshëm”. Diplomati amerikan tha se nuk kishte as qeveri të përkohshme për çka u shpreh “ishte thjesht një aspiratë, jo realitet”.
Kështu u përgjigj Rubin, derisa në gjykatore u përmend Agim Çeku dhe se kujt i raportonte ai.
Trupi gjykues ka shfaqur një video, ku Çeku dëgjohet duke thënë se “Çdo vendim i qeverisë së përkohshme është urdhër për UÇK-në”.
Rubin: Kjo thjesht për mua ishte propagandë.
Genël: Ndërkohë që ai po flet me anëtarë të lartë me grada të UÇK-së, sipas jush zotëri Çeku thjesht po bën propogandë.
Rubin: Jo ai po flet publikisht, kjo është një intervistë. Unë e vlerësoj këtë si një deklaratë publike dhe kam dëgjuar shpesh përfaqësues të UÇK-së, nga komunikata të ndryshme që silleshin sikur të kishte ndonjë qeveri të përkohshme. Dhe unë ua shpjegova palëve nuk ka pasur qeveri të përkohshme, ne nuk takoheshim me qeveri të përkohshme, s’mund të kishte qeveri të përkohshme kur nuk kishte shtet që s’kishte kontroll në territorin e vet, s’mund të kishte qeveri në këtë kontekst, aspironin të kishin një qeveri të përkohshme. Por ai [Agim Çeku) po përshkruan atë që do ta dëgjojë bota, që ne jemi një shtet ushtarak dhe ne i raportojmë një qeverie civile, sepse pikërisht kështu komunikohen vlerat demokratike… 17:03:59…Ata bëheshin sikur ishin më të organizuar se që ishin në realitet, dhe përpiqeshin t’i komunikonin aktorëve perëndimorë dhe të tjerëve se në fakt ata po operonin në bazë të parimeve demokratik edhe se kishin kontroll civil”, tha ai në Dhomat e Specializuara në Hagë.
James Rubin kthehet edhe të mërkurën për të vazhduar dëshminë në Speciale, ku trupi gjykues e ka njoftuar se do t’i vazhdojnë pyetjet.
Dëshmia mbrojtëse e James Rubin në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur të hënën, më 15 shtator.
Ai ka deklaruar se UÇK-ja nuk ka pasur kontroll dhe komandë efektive. Rubin gjithashtu ka theksuar se Thaçi ka pasur më shumë rol politik dhe jo ndonjë autoritet mbi UÇK-në.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për krime të pretenduara të luftës dhe ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm. /Kosovapress/
