Gjykata e Parisit ka shpallur fajtor ish-presidentin francez Nikolas Sarkozi për akuzën e komplotit kriminal, në një proces ku ai u përball me pretendimet se kishte marrë miliona euro nga diktatori libian Muamar Gadafi për financimin e paligjshëm të fushatës së tij elektorale në vitin 2007.
Megjithatë, Sarkozi u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat e tjera, përfshirë korrupsionin pasiv dhe financimin e paligjshëm të fushatës me dhjetëra miliona euro.
Sarkozi, që ka mohuar gjithmonë akuzat, dyshohet se në vitin 2005, kur ishte ministër i Brendshëm i Francës, kishte arritur një marrëveshje me Gadafin për të marrë fonde për fushatën e tij në këmbim të mbështetjes për qeverinë libiane, e cila atëkohë ishte e izoluar ndërkombëtarisht.
Ish-presidenti 70-vjeçar është në gjyq që nga janari me akuza për fshehje të keqpërdorimit të fondeve publike, korrupsion pasiv, financim të paligjshëm të fushatës dhe komplot kriminal.
