• E enjte, 12 Mars, 2026

Plagoset Dr. Zekirja Shahini, jashtë rrezikut për jetën

EA
Tetor07/ 2025

Nga të shtënat me armë zjarri sot në Kumanovë është plagosur Dr. Zekirija Shaini, funksionar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe bartës i listës së këshilltarëve të koalicionit të Aleancës në komunën e Likovës, përcjell INA.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Brendshme (MPB) ,ngjarja ka ndodhur para ndërtesës së Komunës së Kumanovës, ku sipas informacioneve fillestare, persona të panjohur kanë shtënë me kallashnikov në drejtim të veturës së Shainit. Si pasojë, ai ka pësuar plagë në këmbë, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

“Rreth orës 13:54 minuta në Kumanovë, dy persona të panjohur kanë shtënë me armë në veturën e personit Z.Sh nga fshati Sllupçan, i punësuar në Klinikën e Pulmologjisë. Me ndihmën e parë është dërguar në Spitalin e Qytetit”, njoftuan nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Kumanovë.

Sipas Prokurorisë përjashtohen motivet politike të incidentit

Policia ka nisur hetimet dhe po punon për zbardhjen e plotë të rastit. Ndërkohë, Prokuroria Publike e Kumanovës ka konfirmuar se dy prokurorë publikë ndodhen në vendngjarje për të mbledhur gjurmë dhe prova materiale.

“Lidhur me incidentin në Kumanovë, dy prokurorë publikë nga Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës kanë shkuar në vendngjarje dhe po ndërmarrin veprime hetimore. Indikacionet fillestare nuk tregojnë motive politike pas incidentit të armatosur, por po verifikohen të gjitha rrethanat”, thuhet në reagimin e prokurorisë.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa autorët e sulmit janë ende në arrati.

Zekirija Shanini jashtë rrezikut për jetë

Me dy plagë, në krahun e majtë dhe të djathtë, por jashtë rrezikut për jetë – kjo është gjendja e mjekut Zekirija Shahinit, i cili këtë pasdite u plagos me armë zjarri në Kumanovë, njofton TV21

Detajet për gjendjen e tij shëndetësore për TV21 i ka bërë të ditura drejtori i Klinikës për traumatologji, ortopedi, anestezion, reanimin, mjekim intensiv dhe qendrës urgjente, Igor Merxhanovski.

“Pacienti i moshës 43-vjeçare është sjell në Klinikën për TOARMIQU me plagë në krahun e majtë dhe në krahun e djathtë. Është jashtë rrezikut për jetë. Janë bërë të gjitha përndjekjet e nevojshme dhe pacienti është transferuar në Klinikën për kirurgji plastike dhe rikonstruktim për trajtim të mëtejm”, tha Merxhanovski.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar pas sulmit të armatosur ndaj kandidatit të saj dhe bartësit të listës në komunën e Likovës, dr. Zekirija, i cili u qëllua nga persona të maskuar para ndërtesës së Komunës së Kumanovës dhe mbeti i plagosur.

Sipas njoftimit të BDI-së, fatmirësisht jeta e tij është jashtë rrezikut dhe ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.

“Ne dënojmë ashpër këtë akt barbar dhune dhe kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike të reagojnë menjëherë, me transparencë të plotë dhe me vendosmëri, për të identifikuar, arrestuar dhe sjellë para drejtësisë autorët e këtij atentati,” thuhet në reagimin e BDI-së.

Partia u ka bërë thirrje mbështetësve dhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve.

Në shenjë solidariteti me të plagosurin dhe për të theksuar seriozitetin e ngjarjes, BDI ka vendosur të pezullojë aktivitetet e ditës së sotme, derisa institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për garantimin e sigurisë publike dhe rendit.

VLEN shpreh keqardhje

Nga koalcioni VLEN kanë shprehur keqardhje pas plagosjes së Zekirija Shainit në Kumanovë, bartësin e listës së AKI-së për komunën e Likovës, përcjell TV21. Nga VLEN apelojnë deri tek organet e rendit që ta zbardhin sa më[ shpejtë rastin.

“Shprehim keqardhje të thellë për ngjarjen që ka ndodhur në Kumanovë, ku është plagosur dr. Zekirja Shaini. Ne si koalicion dënojmë çdo formë të dhunës dhe apelojmë për qetësi, maturi dhe respektim të institucioneve kompetente për hetimin e rastit. Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë dhe asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë aktet që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Apelojmë që organet e rendit të zbardhin sa më shpejt motivet dhe autorët e këtij akti, ndërsa bëjmë thirrje që raste të tilla të mos përdoren për qëllime politike”, thuhet në reagimin e VLEN.

Edhe Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Kumanovë, ku u plagos bashkëvendasi i tij, Zekirja Shaini.

Në reagimin e tij, Fetai shpreh shqetësim të thellë për incidentin dhe përcjell solidaritet të sinqertë me familjen e të plagosurit, duke dënuar me forcë çdo formë dhune.

“Në këto momente të vështira, shpreh solidaritetin tim të sinqertë me familjen e tij dhe dënoj me forcë çdo formë dhune”, – theksoi Fetai.

Ai u bëri thirrje qytetarëve për qetësi dhe maturi, duke kërkuar respekt të plotë ndaj institucioneve kompetente që po hetojnë rastin.

“U bëj apel organeve të rendit që sa më shpejt të zbardhin motivet dhe autorët e këtij akti kriminal, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend dhe qytetarët të ndihen të sigurt”, – shtoi zëvendëskryeministri Fetai.

Spread the love