• E premte, 1 Maj, 2026

Ali Ahmeti: Çairi, zemra e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

EA
Tetor16/ 2025

Në fjalimin e tij në Çair, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka theksuar rëndësinë e Çairit si zemra e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke u bërë thirrje qytetarëve për unitet dhe përgjegjësi kombëtare.

“Jo të tjerët të na zgjedhin ne se kush do të jetë përfaqësuesi ynë këtu, në Shkupin e Vjetër — ju jeni ata,” tha Ahmeti para të pranishmëve, duke nisur nga strukturat lokale e deri te ato qendrore.

Ai kërkoi nga të gjithë aktivistët dhe qytetarët që të angazhohen me vetëdije morale dhe kombëtare për të forcuar bashkimin e shqiptarëve në çdo cep të vendit.

“Ngado që kam shkuar, më kanë pyetur për Çairin. Të gjithë flasin për Çairin! Prandaj, të gjithë ju që jeni këtu, me përkushtim dhe bashkim, jeni vula e fitores, jeni krenaria e shqiptarëve. Ju jeni ata që do të vendosni kush do ta drejtojë Çairin,” – deklaroi Ahmeti.

Sipas tij, Çairi nuk është thjesht një komunë, por simbol i historisë, krenarisë dhe identitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Osmani: Qytetarët meritojnë një komunë me shpirt evropian

“Besoj se ekziston ndershmëria dhe se me ndershmëri mund të ndërtojmë një Çair me pamje evropiane, por me shpirt të ngrohtë – një Çair që u shërben njerëzve, që i përgjigjet nevojave të tyre dhe që do t’u kthehet qytetarëve, nga duart e një klike që e ka përdorur vetëm për interesat e pak vetave”. Kështu deklaroi kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në fjalimin e tij të mbajtur mbrëmë në tubimin e madh në Çair, duke theksuar se ndryshimi i vërtetë në komunë fillon me ndershmëri, rend dhe përkushtim.

“E di se nga unë nuk prisni fjalë të mëdha – prisni vepra. Por çdo vepër mbështetet në një plan, në një vizion, në një besim”, tha Osmani, duke theksuar se vlera e tij më e madhe politike dhe profesionale është ndershmëria dhe se pikërisht mbi të do të ndërtohet Çairi i ri, dinjitoz.

Osmani shtoi se qytetarët meritojnë një komunë me shpirt evropian dhe fytyrë njerëzore, që nuk u shërben qendrave partiake të pushtetit, por nevojave të çdo banori. Ai shprehu bindjen se çdo sistem mund të funksionojë nëse ka rend, përkushtim dhe ndershmëri.

“Do të vazhdoj të besoj, edhe nëse mbetem i vetëm në këtë rrugë – derisa ky besim të bëhet i përbashkët dhe të shndërrohet në një lëvizje kolektive për një Çair më të mirë: evropian, dinjitoz, të ndershëm dhe të rregullt”, theksoi Osmani.

Spread the love