• E mërkurë, 10 Qershor, 2026

Belinda Balluku thirret nga SPAK, ja si reagon Rama

EA
Tetor25/ 2025

Pas lajmit të bërë publik dje se zv.kryeministrja Belinda Balluku është thirrur në SPAK ditën e hënë, reagimi i Edi Ramës nuk vonoi shumë, edhe pse ndoshta pa dëshirën e tij. Ishte Deutsche Welle që ia bëri këtë pyetje në margjinat e një samiti jashtë vendit.

Hetimi i saj lidhet me një akuzë të drejtpërdrejtë, që e bën situatën më të tensionuar për të dhe për qeverinë. Dyshimet për korrupsionin e ish-vartësit të saj, Ervis Berberi, kanë zgjeruar hetimin. Prokuroria ka sekuestruar telefonin e tij si provë, dhe ka ushtruar kontrolle në banesat e bashkëpunëtoreve të Ballukut. Kjo tregon se hetimi është në një fazë të avancuar dhe se prokuroria po kërkon të zbulojë të vërtetat e fshehura, shkruajnë mediat e Tiranës.

Por, çfarë e ka shtyrë SPAK-un të veprojë kështu? Dërgimi i fletë-thirrjes dhe kërkesa për avokat sugjerojnë se prokuroria ka prova të forta.

Megjithatë, përmbajtja e dosjes mbetet e paqartë, duke lënë hapësirë për spekulime dhe interpretime nga mediat dhe opinioni publik.

Si ministre e Infrastrukturës, Balluku ka qenë në qendër të disa projekteve të mëdha, shumë prej të cilave janë kritikuar për abuzime financiare.

Skandali i tunelit të Llogarasë, ku akuzohet për rritjen e kostove, është vetëm një nga shumë rastet që kanë ngritur dyshime mbi menaxhimin e saj.

Reagimi i kryeministrit Edi Rama ndaj thirrjes së Ballukut është gjithashtu i rëndësishëm. Ai ka telefonuar prokurorin Prençi, sipas disa burimeve, duke kërkuar të anulohet thirrja.

Kjo tregon se tensionet brenda qeverisë janë të larta dhe se Rama është i shqetësuar për pasojat që mund të ketë ky hetim për reputacionin e tij.

Me Ballukun nën hetim, pyetja e madhe mbetet: sa të tjerë do të përballen me pasojat e korrupsionit në qeverinë e Ramës? Nëse Balluku do të akuzohet, kjo do të shënonte një tjetër goditje për administratën aktuale, duke e çuar atë në një situatë edhe më të vështirë.

Mbi këtë çështje Rama dha përgjigjen standarde në raport njerëzit e tij që kanë probleme me drejtësinë.

Nuk kam asnjë koment për asnjë rast, sepse siç e kam thënë ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet.

Dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe të padënueshëm nga gjykata popullore e politikës dhe e mediave që i shërbejnë politikës” u shpreh Rama përgjatë një interviste për DW.

Në fletëthirrje zonjës Balluku i bëhet me dije se në momentin e paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme duhet të jetë e shoqëruar nga një avokat, çka në raste të tilla lajmëron se mund t’i komunikohet akuzë penale. Kjo nënkupton ndërkohë që me gjasë SPAK do ta ushtrojë ndjekjen penale ndaj numrit dy të mazhorancës pa masë sigurie e në këtë mënyrë prokurorët e posaçëm shmangin edhe kërkesën për autorizim në Kuvendin e Shqipërisë.

Belinda Balluku e ushtron detyrën e Zv.Kryeministres që prej korrikut 2022. Ndërsa atë të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, që prej janarit të vitit 2019. Balluku ishte drejtuese politike e qarkut Fier ku ne zgjedhjet e 11 majit fitoi 12 mandate.

Spread the love