Nga sot, hyn në fuqi vendimi që ndalon hedhjen e mbeturinave në Shkup nga ora 22:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit.
Inspektorët, siç njoftuan autoritetet e qytetit, do të jenë në terren pas mesnatës për të kapur këdo që shkel ndalimin e ri të hedhjes së mbeturinave. Kundërvajtja do t’u kushtojë banorëve të Shkupit 50 euro, ndërsa për personat juridikë gjobat variojnë nga 1.300 deri në 1.800 euro, dhe mund të jenë më të larta në varësi të llojit të mbeturinave.
Në kontrolle do të përfshihen të gjithë inspektorët e qytetit dhe rojet komunale, të cilët do të patrullojnë rrugët e Shkupit, së pari me paralajmërime, pastaj me gjoba për hedhjen e mbeturinave.
NP “Higjiena Komunale” thotë se masa është drejtuar kryesisht ndaj personave juridikë të cilët, siç pretendojnë ata, më shpesh i hedhin mbeturinat në mënyrë të papërshtatshme dhe në orët e vona.
Qyteti i Shkupit ka gjithsej 40 inspektorë, 11 inspektorë komunalë dhe 10 roje komunale. Shkeljet do të përcaktohen në vend, dhe nëse gjejnë sasi të mëdha mbeturinash që janë hedhur tashmë dhe janë të një lloji të ndryshëm nga mbeturinat e zakonshme shtëpiake, do të kryhet një kontroll më i detajuar i personave juridikë.
