• E premte, 5 Qershor, 2026

Emin AZEMI: LETËRSIA NË MES TË INTERPRETIMIT DHE KRIJIMIT

EA
Qershor05/ 2026

Botues: AGORAPRINT
Për botuesen: Shqipe AZEMI

Redaktor
Demush BAJRAMI


Recensent
Bardhyl ZAIMI

Përgatitja kompjuterike

Biser MEHMETI

Shtypi: GrafoDen
Tirazhi: 200
ISBN: 978-608-4936-17-6

Librin e ndihmoi financiarisht Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Maqedonisë së Veriut

Emin AZEMI

LETËRSIA NË MES TË INTERPRETIMIT DHE KRIJIMIT

2025


Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Maqe së Veriut

HYRJE

    Struktura përmbajtësore e tematike e librit “Letërsia në mes të krijimit dhe intepretimit”ngrihet mbi një hark kohor më shumë se 40 vite, ku kam marrë në shqyrtim, në formë recensionesh, esesh e vështrimesh kritike, autorë dhe libra të zhanreve të ndryshme.  Ky liber duhet kuptuar edhe si kronikë autetnike e një vëzhgimi të kujdesshëm teoriko-letrar mbi letërsinë e krijuar në vitet 80-të, 90-të deri në vitet e sotme. Shikuar nga këndvështrimi i tanishëm kohor, këto shkrime arrijnë të përçojnë jehonën e një formimi intelektual e letrar edhe të vet autorit të librit.

Letërsia si art i të shkruarit zbërthen botën e ndjenjave, mendimeve dhe përvojave njerëzore, ndërsa interpretimi i saj sjell këndvështrime të reja përmes leximit, analizës dhe qasjes kritike. Marrëdhënia midis krijimit dhe interpretimit shfaqet si një dialog i pandërprerë mes autorit, tekstit dhe lexuesit. Në këtë dialog, letërsia fiton jetë të shumëfishtë.

Qasjet bashkëkohore të interpretimit (hermeneutika, dekons-truksioni, semiotika, narratologjia etj.) na mundësojnë që tekstin ta shohim jo vetëm si vepër estetike, por edhe si strukturë men-dimi, si hapësirë ku ndërthuren diskurset kulturore, identitare dhe historike.

Përmes këtij libri jam munduar të argumentoj se krijimi letrar, në thelb, mbetet akt lirie – i autorit që zgjedh fjalën, figurën, metaforën – ndërsa interpretimi është akti i lexuesit që i jep kuptim këtij universi të hapur. Asnjëri prej tyre nuk mund të përjashtojë tjetrin: një tekst pa interpretim mbetet i heshtur, ndërsa interpretimi pa tekst është i pamundur.

Përtej kësaj, jam përpjekur të ndërtoj një urë midis këtyre dy botëve: botës së autorit dhe botës së lexuesit, të krijoj hapësirë dialogu midis teorisë dhe praktikës, midis estetikës dhe kritikës. Letërsia si art dhe interpretimi si proces mendimi janë të ndërvarura – dhe kjo ndërvarësi e bën tekstin letrar të pavde-kshëm.

Ky libër synon të sjellë qasje të reja në leximin e letërsisë moderne, duke analizuar mekanizmat e brendshëm të tekstit, rolin e lexuesit, procesin krijues dhe transformimet që pëson vepra në kontakt me kohën, kulturën dhe teoritë interpretuese.

Interpretimet e mëdha të letërsisë botërore (Homerit, Dante Aligerit, Servantesit, Balzakut, Tolstoit, Prustit, Xhojsit, Kafkës etj.) na dëshmojnë se ikja e artit nga një epokë në tjetrën është po aq e natyrshme sa edhe ndryshimi i vetë njeriut. Letërsia mbetet hapësirë ku identitetet formohen e ringrihen, ku interpretimi mbetet i hapur dhe i pafund.

Në këtë univers të pasur dhe të ndërlikuar të letërsisë shqipe, çdo poezi, rrëfim dhe studim kritik bëhet një urë midis së kaluarës dhe së ardhmes, një thirrje për reflektim dhe ripërtëritje të kujtesës kolektive.

Ky libër synon të ofrojë një spektër të gjerë të kontributeve të autorëve dhe veprave që, në kohë dhe hapësira të ndryshme, kanë afirmuar identitetin, kulturën dhe vetëdijen kombëtare të shqiptarëve, ndërkaq leximi bëhet akt qytetar, ku vlerat morale dhe estetikë ndërthuren dhe ku përmes artit letrar, historia dhe kultura shqiptare rifitojnë dritën e tyre të plotë.

Për rrjedhojë, të gjitha veprat e mara në shqyrtim nuk janë thjesht dokumente letrare të së kaluarës, ato janë instrumente reflektimi, laboratore estetike dhe intelektuale, ku lexuesi ftohet të depërtojë në rrjedhën komplekse të historisë, të humanizmit dhe të artit, duke kuptuar se trashëgimia shpirtërore, kulturore dhe intelektuale e shqiptarëve është jo vetëm pasuri e së shkuarës, por edhe udhërrëfyes për të ardhmen.

Përveç si informacion dhe burim referencash mbi autër dhe vepra të cakltuara, ky libër synon të rindërtojë copëzat e shpëndara të gjeografisë kulturore shqiptare, nga Hasi në Kalabri e Sicili, nga Shkodra në Shkup, nga Vlora në Prizren etj. Në këtë kontekst, tradita e hershme letrare shqipe, siç rezulton edhe nga faqet e këtij libri, pasqyrohet tek Pjetër Bogdani, ku “Çeta e profetëve” dhe cikli poetik i sibilave shfaqin ndërthurjen mes traditës biblike dhe shpirtit poetik shqiptar, duke afirmuar identitetin kulturor dhe lidhjen mes besimit, artit dhe dijes. Ndërkaq, në rrjedhën e letërsisë arbëreshe, ku tradita dhe miti bashkudhëtojnë me vetëdijen e përkatësisë kulturore, poema “Kënga e sprasme e Ballës” e Gavril Darës së Ri mbetet një monument poetik që shënon kalimin nga rrëfimi epik te ndërgjegjja kombëtare e shkruar në varg. Kjo vepër, e konsideruar ndër kryeveprat e romantizmit arbëresh, mbart në vetvete një mistifikim të vetëdijshëm, i cili nuk synon ta fshehë autorin, por ta ringjallë zanafillën historike të rrëfimit, aty ku “historia” e shkruar nga të tjerët përzihet me idealin poetik të vetë-krijimit.

Një libër që merr në shqyrtim vepra të shkruara para disa dekadave, çka mund t’i flet kohës së sotme? Kjo pyetje është e ndërlidhur edhe me gjendjen e kritikës letrare dhe studimeve letrare përgjithësisht. Kjo pyetje është edhe  reflektim i gjendjes së mendimit letrar dhe intelektual në mjedisin tonë kulturor, ku mendimi kritik shpesh hesht, ose reduktohet në recensione infor-mative pa metodologji të qartë dhe pa kriteret etike që e fuqizojnë vlerësimin estetik. Ndërkohë që shkrimtarët shpesh e shohin kritikën si një instruktor ose tutor personal, pavarësia dhe objektiviteti i saj mbeten të pamundura, duke e lënë atë të hetero-gjenizuar dhe të paintegruar në një sistem të vlerave letrare të qëndrueshme. Mungesa e vëmendjes mediatike, deficit i minutazhit në radio dhe televizion, si dhe mungesa e strategjive profesionale për stimulimin e diskursit kritik, e shtojnë këtë krizë, duke shfaqur nevojën urgjente për debate të organizuara, konku-rse letrare dhe inkorporimin e teorisë dhe stilistikës letrare në kurrikulat akademike. Vetëm duke ngritur një kritikë të pavarur, metodologjike dhe të vëmendshme ndaj prodhimtarisë letrare, siç pretendon edhe ky librër,  mund të sigurojmë që letërsia jonë të ketë shtyllën e saj të fortë, të qëndrueshme dhe të besueshme, e cila jo vetëm vlerëson veprën, por edhe udhëheq zhvillimin e mendimit estetik dhe kulturor të brezave të rinj.

                                                                                                 Emin AZEMI

POETIKA E LEXIMIT

Fragmentet e jetës krijuese të shkrimtarëve të mëdhenjë (Tolstoi, Balzaku, Borhesi, Xhojsi, Kafka etj.) na mësojnë pashkëputshmërinë e ikjes artistike nga trivialiteti i formave të zbrazëta të përditshmërisë. Ta kuptosh botën me plotninë e saj, nuk e kupton a priori procesin krijues. Kjo parasegjitash nën-kupton regjistrimin dhe rirpodhimin e disa fakteve konkrete, kurse qëndrimi simbolik ndaj këtyre fakteve ndyrshe do të mund të definohet përmes poetikës së leximit. Fundja, edhe krijuesi lind si lexues i paemër, ndërkaq procesi krijues u zhvillua si reka-pitulim i leximit retrospektiv. Mbase, kultura e leximit është faktor determinues për formatin estetik e shpirtëror të një shoqë-rie, që nënkupton edhe deshifrimin e të kaluarës dhe perpsketivën e të ardhmes.

Tendencat anticivilizuese në shoqëritë e kontrolluara nga kulturofagët jo rrallë kanë sjellur edhe dogmatizimin e fenomenit LIBËR, ku leximi ka pësuar përmbysje. Për rrjedhojë, koha në vend se të lëviz, të rrjedh, ajo është bërë punctum temporis (një pikë kohe). Në shoqëritë totalitare nuk ka vetëdije kolektive mbi artin, por ka vetëdije të ferementuar në laboratoritë për prodhimin e një gjeniu-krijues si reprezent i shtetit dhe shefit që e udhëheq tërë jetën artistike të shtetit – duke filluar nga garderobat e teatrove dhe operave e deri te verifikimi paraprak i tezave të gjentiut krijues.

Leximi me komandë të udhëhequr nga brigadieri i kooperativës apo nga kryepunëtori i uzinës e ka përjashtuar receptimin inventiv nga kokat e atyre që për detyrë shtëpie kishin të mësojnë përmendësh klasikët e marksizmit dhe udhëheqësit e shpifur të popullit.

Lexuesi i vërtetë është vetvrasës, testamenti i të cilit është shkruar duke ecur mbi fijen e hollë të litarit. Ai është tekst i palexueshëm por edhe ditar i artij që dashuron dhe pastaj vetë-vritet duke lexuar. Kjo dashuri mund të definohet sikur dy të rinjë që dashurojnë një vashë, por që njëri vazhdimisht paraqitet pengesë e tjetrit.

Poetika e leximit është tekst të cilin mund ta prekësh me dorë. Është dramatikë në vend të dialektikës. Mirëpo lexuesi mund edhe të përjashtohet nga faktura letrare-artstike. Dëbimi i tillë i lexuesit shpesh përcillet me privimin e tij nga e drejta të rrëfejë mbi atë që lexon, sepse e di që ai nuk është i implikuar në atë fakturë. Pra, ai është vetëm jashtë tekstit, por jo edhe jashtë marrëdhënieve receptive të tekstit. Në pamundësi që të imponojë në vijën e fatit të heronjëve, lexuesi jo rrallë këtë intervenim e bën në margjinat e librit, si “qërim fizik i hesapeve” me autorin. Kjo perigrafi e lexuesit ka gjurmë të pashlyeshme në historinë e krijimit të vetëdijes mbi ekzistimin e artit të amshuar. Megjithatë, një marrëveshje e heshtur midis lexuesit dhe krijuesit ekziston. Fshehtësia magjike e kësaj marrëveshjeje qëndron në atë që krijuesi vetbindet për atë që e rrëfen, kurse lexuesi të harrojë se gjithçka është e trilluar dhe t’i duket sikur ka të bëjë me ndonjë dokument apo biografi të përjetuar. Për shkak të asaj që i ndodhë në jetë, autori beson në atë që rrëfen. Ndërkaq nga historia e letërsisë botërore kemi shembuj të shumtë që thonë se autorët jo rrallë dashuroheshin në heronjtë e tyre. Në të tilla raste mund të na paraqitet edhe xhelozia e lexuesit, sikur i ndodhi një lexuesi të veprës “Historia e Gjuljetës” të Markis de Sade. Ky detaj zbulon edhe një fshehtësi që lidhet me autorin e përmendur, i cili sipas dëshmive autentike, ishte dashuruar në gruan e quajtur Am Prosper d’Lone, heroinë kjo kryesore e veprës së tij. Lexuesi xheloz emrin e  kësaj gruaje e lidhë me një ngjarje të vërtetë që i ndodhi De Sados gjatë arratisjes së tij në Itali dhe një grua që e dashuronte. Në protagonisten e përmendur fshihet çdo gjë që De Sade dëshironte t’ia kumtojë lexuesit të panjohur, që ta njoftonte me aventurat e tij si dhe me kodoshllëqet e shumta.

Si duhet të duket lexuesi modern? A duhet të jetë besnik i verbër i aventurave të autorit, e me këtë të shndërrohet në xheloz të sëmurë, apo duhet të jetë përpunues i vetëdijshëm i mesazheve sublime që dalin nga thellësia e veprës artstike. Kjo, parase-gjithash, mendojmë, varet nga qëndrimi i vet autorëve ndaj letërsisë dhe veprave të tyre. Nëse në një mjedsi shkrimtarët nuk kanë respekt minimal ndaj veprave të kolegëve të tyre, e logjikshme është një kompensim të tillë të mos e gjejmë edhe te lexuesi. Për dallim nga librat e shenjtë ku autoriteti i gjithfuqishmit shuan nevojën e ekzistimit të autorit, te letërsia artistike (imagjinative), megjithatë, ka nevojë të kultivohet miti mbi shkrimtarin. Nevoja e identifikimit me këtë mit do t’i shtonte kulturës së leximit identitetin e krijimit të imazhit autentik për vlerat artistike të veprës së lexuar. Vetëm një identitet i tillë do ta demistifikonte rolin e dikurshëm të lexuesit i cili në pamundësi që të dilte nga labirinthi i veprës letrare, krijonte mite të panevojshme dhe të paqena mbi autorët dhe veprat e caktuara. Rasti i tillë ndodhi edhe me lexuesit caktuar shqiptarë, të cilët krijuan njëfarë kulti të pavetëdijshëm mbi romanin “Pse” dhe autorin Sterio Spasse. Mbase kjo ndodhi atëherë kur mungonte kritika analitike letrare si dhe instrumentet për definimin e kierarkisë së vlerave estetike.

Në rrafshin e rezonimit të sotëm mbi leximin do të krijojmë përshtypjen sikur kultura që del nga leximi është e dirigjuar prej një far raporti abstrakt midis faktorëve që e përbëjnë jetën letrare në përgjithësi. Poqese përjashtohet ky dimension i rezonimit, e kemi të qartë një bindje që determinohet nga ekzistimi i hartës së relievit shpirtëror e material të një mjedisi. Në radhë të pare është i domosdoshëm funksionimi institucional i jetës kulturore, kurse si faktorë përcjellës do të paraqitej edhe kondicioni krijues i atij mjedisi. Në rastin tonë konkret, që të dy faktorët kanë nevojë të ripozicionohen, duke e institucionalizuar veprimtarinë shkencore e krijuese, në njërën anë, dhe duke e ngritur në shkallë më të lartë çështjen e organizimit të jetës krijuese si dhe atmosferën artisitike, në anën tjetër.

(“Flaka e vëllazërimit”, 4 shtator 1992)

AUTORË DHE VEPRA

MODERNITETI LETRAR NË TREGIMET E HIVZI SULEJMANIT

Duke mos patur për qëllim që të bëjmë krahasime si dhe të nënvleftësojmë ndonjë (as të vetmen) vepër letrare të bashkë-kohanikëve të tij, mund të konstatojmë se vepra letrare e Hivzi Sulejmanit, pos me vlerat e saj stilistike e gjuhësore, provohet edhe  me fuqinë e saj ta dëshmojë kohën për të cilën flet, dhe antagonizmin shoqëror që krijon koha. Dihet: këto janë shenjat dalluese që e bëjnë një vepër letrare të jetë moderne.

Edhe dy dekada më vonë kur paraqitet në letrat tona ( proza tregimtare e Hivzi Sulejmanit), tregimi ynë nuk do të lirohet krejtësisht nga bagazhi i konvencave që ia krijoi vetvetes, pikë-sëpari duke u ngushtuar në kërkesën që të jetë ekskluzivisht gjuhësor dhe anekdotik. Këtë fakt nuk e përmendim rastësisht, sepse ai është e vetmja arsye që nisur prej pamundësisë së kritikës recensioniste që kishim atëherë, të mos e  verifikojmë dhe të mos e cilësojmë me karakterisitikën e tij elementare: TREGIM MODERN. Këtë karakteristikë, gati me një droe, dhe asnjëherë me gojën plot, e hasim të shpallur kohët e fundit, ndonëse për vlerën dhe nivelin letrar të krijimtarisë së Hivzi Sulejmanit (pos një rasti të vetëm), asnjë nga kritikët nuk ka kursyer vlerësime të larta, të atilla çfarë edhe e meriton ky shkrimtar.

Individualiteti krijues i Hivzi Sulejmanit, sa kompleks aq edhe i formuar me një kulturë të përgjithshme (jo vetëm letrare dhe arsimore), shpallet me shenjat e para të krijimtarisë së tij si një “stabiliment” i fortë, i cili nuk do t’i nënshtrohet ndërrimit të procedurave letrare, që nganjëherë imponon zhvillimi normal brendapërbrenda krijimtarisë letrare të autorit. Kjo imanencë, shpeshherë e domosdoshme që shkrimtarit ia mëson intenca dhe përvoja, dallohet sidomos te krijuesit që rriten bashkë me veprën e tyre letrare, që mësojnë më shumë nga përvoja e punës së vet, se sa që i hyjnë krijimtrarisë me një përgatitje minimale, apo maksimale.

Brenda katër dekadave të kaluara në punën e gjithmbarshme letrare të shkrimtarëve tanë bashkëkohorë, rrallë kemi hasur ndonjë emër që “nga hapat e parë” paraqitet me krijime kulmore, të cilat i qëndrojnë kohërave dhe bëhen objekt i denjë i analizave kritike si dhe shkollë e përvojë për brezat e rinj krijues. Këtu natyrisht se do të bënim një përjashtim kur do ta përmendnim emrin e Hivzi Sulejmanit, qoftë si autor i tregimeve, qoftë i romaneve.

“Stabilimenti” që përmendëm më lart (e që vërehet me para-qitjen e parë të këtij shkrimtari në letërsinë tonë bashkëkohore) është faktura e qartë e nivelizimit autorial: kërkesa dhe mundësia krijuese që barazohet brenda tërësisë së kërkuar me ngulm. Siç do ta shohim edhe nga kredoja e tij krijuese nuk del jashta idesë, gjuhës, protestës, porosisë, frymëzimit si dhe ndjenjës për masë dhe perfeksionit imagjinar të autorit brenda këtyre kërkesave që ia shtron vetvetes. 

Vlera e modernitetit të këtillë të prozës së Hivzi Sulejmanit nuk mbështetet asnjëherë në ndonjë procedurë letrare eksperi-mentale si laborator i ushtrimeve të rastit stilistike e gjuhësore, si një provë nga sinteza e së cilës duhet të formohet dorëshkrimi individualist dhe me emëruesin e saj të përbashkët, si një përpjekje që nganjëherë shpie deri te estetizimet shterpe dhe perfeksionizmi figurativ, e që, si domosdoshmëri do të projektojë shumënduarshmërinë dhe hermetizmin e formës, madje edhe të kompoziconit (të romanit ose tregimit).

Proza e Hivzi Sulejmanit nuk rrjedh si përvojë e mësuar nga ndonjë autor (në modë), ose nga ndonjë drejtim letrar që dominon në një kohë, duke u imponuar me vlerat e veta ekskluzive, sepse në këtë mënyrë proza e tij edhe do të “demodohej”.

Nga u mësua dhe u arrit pra  moderniteti i prozës së Hivzi Sulejmanit? Që t’i përgjigjemi drejt kësaj pyetjeje, duhet t’i kthehemi asaj që nënvizuam më lart: Hivzi Sulejmani është krijues me kulturë të formuar jo vetëm letrare dhe arsimore, por edhe njerëzore, intelektuale, shoqërore, me një fjalë humaniste. As angazhimin e tij krijues, as letërsinë përgjithësisht, nuk e kuptoi “si lojë”, si mundësi të fiskulturizmit shpirtëror. Ai nuk i studioi me krijimtarinë e tij mundësitë “shprehëse” të letërsisë, por në letërsi deshi të shpreh vizionin e tij të qartë të humanizmit, si porosi dhe si protestë.

Pyetjes së shtruar më lartë, pra mund t’i përgjigjemi me sa vijon: moderniteti i prozës së Hivzi Sulejmanit nuk u mësua ad litteram, si rrjedhojë e leximit letrar, por u mësua nga përvoja e individualitetit të fuqishëm, i cili nuk është skeptik ndaj shpre-hjeve të reja letrare, që asnjëherë nuk i jep përparësi formës, por idesë, natyrisht duke e mjeshtëruar (me gjeturinë e prirjes dhe punës së paepur) procedeun që do të shprehte idenë. Ky mbase është edhe shkaku pse forma (dhe teknika) e tregimeve të Hivzi Sulejmanit nuk shkojnë deri te nuancimet e “rjedhës së bren-dshme të vetëdijes xhojsiane”, por as nuk mbesin deri në kornizat e ngushta të shprehjes anekdotike.

Përvojën e madhe jetësore dhe kulturën që e kishte akumuluar  Hivziu edhe para se të shkruante tregimin e parë me të cilin i prezentohej lexuesit të vet, bën që ai të mos iu ik ekstremeve, skajeve që rrezikojnë me aktualitetin e ditës. Ai nuk ”përzgjodhi” (me fjalor) gjuhën që do të shkëlqente si mjeshtrim i stilistit, por atë e zgjodhi me sensin e masës. Hivziu nuk insistonte për një gjuhë që shkëlqente, por ai ishte për një gjuhë që thotë shumë, dhe që nuk do ta humbte aktualitetin e saj, asnjëherë dhe në asnjë kohë.

Prandaj edhe sot, kur në letrat shqipe kemi disa tregimtarë të rinjë, të cilët me plot të drejt e pasuruan këtë lloj letrar me vlera fort të dukshme, tregimet e Hivzi Sulejmanit “ulen në një sofër” me krijimet më të suksesshme që dalin këtyre viteve të fundit nga krijuesit, të cilëve u ka prirë përvoja e Hivziut.

Pikërisht “rrjedha melodioze” gjuhësore (që në natyrshmërinë dhe spontanitetin kompozicional të tregimit (ose romanit) krijohet me intonimin gati lirik), rrëfimin e Hivzi Sulejmanit e bën të rrjedhë në kufijtë e tregimit modern. Në protestën e saj ky intonim përjashton patetikën, shprehjen bombastike të frazës me emfazë, përmbajtjen me tezë. As gjuha, as idea, as përmbajtja, as motivet e tregimit të Hivziut nuk imponohen me megalomani krijuese. Sërish duhet të përsërisim se kultura komplekse  intele-ktuale e njerëzore e mësoi Hivziun se temat e mëdha (të ashtuquajtura) nuk garantojnë a priori realizime letrare “të mëdha”.

Hijet në kuvertë”, “Miku im Xho”, “Re e mllefosur”etj. dëshmojnë më së miri se pikërisht intima e shoqërorizuar dhe e humanizuar ngërthen në vete përmbajtjen e përditshmërisë dhe përsëritjen (borhesiane) të fatit historik dhe jetësor të njeriut.

Sensi me të cilin shkrimtrai i futet këtyre thellësive të etikës dhe psikologjisë njerëzore, nuk dallohet përmes “përshkrimeve” operistike-patetike, përmes tipizimeve monumentale. Njerëzit e tij janë herojë që në antagonizmin e tyre jetësor portretizohen  me ngjyra më të qarta dhe më të thjeshta, duke krijuar kështu të bukurit dhe pasqyrën e jetës, të cilën si çdo shkrimtar i vërtetë, edhe Hivzi Sulejmani “deshi ta ndryshojë”

Për të vërtetuar modernitetin e qëndrueshëm të prozës së Hivziut, me këtë rast ndoshta do të duhej të përdorim një argument gati shkollor, por mjaft konkret: jo vetëm në letërsinë e përbotshme, por nëse i hedhim një sy edhe letërisë sonë të Rilindjes,do të bindemi se veprat më të arrira mbeten ato që pos vlerave thjesht stilistike-gjuhësore, patën edhe atributin pasqyrë e jetës. Në bazë të kësaj ne e shohim qartë të kaluarën, dhe me aktualitetin e saj ajo na mëson të bëjmë krahasime.

Në ç’konteskt na del këtu proza e Hivzi Sulejmanit? Përkufizimin e këtij problemi mund ta zgjidhim duke shtruar edhe një pyetje: nga cila vepër e shkruar letrare brenda këtyre dekadave mund të mësojmë për kohën tonë, më shumë se sa nga opusi krijues (por edhe njerëzore) i Hivzi Sulejmanit. Duke mos patur për qëllim që të bëjmë krahasime si dhe të nënvleftësojmë ndonjë (as të vetmen) vepër letrare të bashkëkohanikëve të tij, mund të konstatojmë se vepra letrare e Hivzi Sulejmanit, pos me vlerat e saj (që i përmendëm) stilistike e gjuhësore, provohet edhe  me fuqinë e saj ta dëshmojë kohën për të cilën flet, dhe antagonizmin shoqëror që krijon koha. Dihet: këto janë shenjat dalluese që e bëjnë një vepër letrare të jetë moderne.

Duke provuar në një shkrim kaq të shkurtër t’i shquajmë disa nga karakteristikat që e dëshmojnë modernitetin e prozës së Hizi Sulejmanit, me këtë rast  nuk mund të mos e përmendim edh një nga veçoritë më karakteristike për këtë shkrimtar: respektin dhe përgjegjësinë morale të Hivziut ndaj veprës së tij letrare.

Ç’do të thotë kjo? Vetëm shkrimtarët e mëdhenjë në mënyrë fanatike  mundohen që veprës së tyre t’ia sigurojnë ardhmërinë, e jo ditën dhe çastin aktual. Rigoroziteti i kriterit individual, shkrimtarin e vërtetë e dallon nga ai shkrimtar që veprën e bën pamflet të ideve që dalin jashtë postulatit të filozofisë  letrare, ose parimit humanist. Te krijimtaria  letrare e Hivzi Sulejmanit nuk mund të hasim përmbajtje që del jashtë tekstit dhe kontekstit të angazhimit  të tij elementar: ekzistojnë tema me të cilat shkrimtari krijon alibi të ditës  dhe struket në një heshtje  të zëshme, duke i ikur kështu  anatemimit të kritikës, e cila kërkon shëndetshmërinë në bazë të parametrave që proklamon dita.

Këmbëngultësia e Hivzi Sulejmanit do të flasë për t’u dëgjuar gjithmonë dhe të heshtë si protestë. Këto mvetësi e plotësojnë karakterin dhe individualitetin e fuqishëm prej shkrimtari dhe njëherit e bëjnë  veprën e tij të gjithëkohshme brenda atyre sferave  dhe rrjedhave të një gjuhe dhe të një njeriu dhe heroi, të cilit krijimtaria e tij letrare ia ngriti përmendoren e pavdekshme.

(“Bota e re”, 1 prill 1987)

POETIKA E METADHEMBJES

Fenomeni libër i parë jo rrallë përcillet me vlerësime që i dedikohen specifikës së këtij fenomeni. Në të tilla raste, libri i parë zakonisht vështrohet nga një kënd utilitarist dhe krejtësisht me mjete të një gjuhe pak a shumë përkëdhelëse. Diskursi i një vlerësimi të tillë fare pak merret me imanencën estetike të veprës  për arsye se a priori ka zgjedhur metodtën pozitiviste të gjykimit. Edhe sikur të tejkalohet kjo dioptri e vlerësimit, libri i parë megjithatë tek ne ka statusin e pameriuteshëm  dhe shpesh herë të padefinuar në kierarkinë e standardeeve krijuese.

Duke e lexuar librin e parë “Mjedra dhe bluz” të Lindita Ahmetit, na u imponuan të gjitha këto sekuenca medituese, por edhe një konstatim: niveli artistik s’është e domosdoshme të ma-tet me moshën apo me numrin e veprave të botuara të shkrimtarëve. 
Libri i Lindita Ahmetit s’është as libër i parë, as i fundit. Ky libër vjen bashkë me pjekurinë krijuese të autores, pjekuri kjo që s’të lë indiferent sa i përket botës së pasur shpirtërore dhe refle-ksioneve poetike-emocionale, por edhe strukturës  polivalente të shprehjes poetike.

Brenda këtij vëllimi poetik ndeshim në një kulturë të rafinuar komunikimi me objektin poetik të trajtuar me dispilinë ndjenjash dhe shprehjesh të zgjedhura.

 Libri “Mjedra dhe bluz” është i organizuar në tre cikle: Në krahun e pëllumbit, Vaje nën ylber dhe Vargu i bardhë dhe ka një kohezion të brendshëm përmbajtësor. 

Koncepti i kësaj vepre përmban një shtrirje të gjerë të hapësirës poetike me kufijtë e tejdukshëm të  kuptimësimit gjuhësor e figurativ. Objekti artstik në këto poezi ballafaqohet me dimensionimin  e ndjenjës së kërkimit pas identitetit personal dhe atij kolektiv. Gjeometria tekstore e këtij dimensioni sajohet me gjetje inventive të shprehjeve  poetike që sugjerojnë situata të caktuara (Vetëm jam në dhomën time me një dritare me kornizë të vjetër/ një tryezë ngjyrë hiri një filxhan ca letra të verdha).

Poezia e Lindita Ahmetit sa është poezi e vetmisë, po aq është edhe poezi e mendjes së qetë. “Uni” i kësaj poezie kalon nëpër shqetësime të shumta, mirëpo procesi i vetëdijësimit është aq i fortë sa i bën sfidë edhe reminishencave të një stresi eventual rinor. Pahetueshmëria e kombinimit të konteksteve poetologjike paraqitet si mjet i përshtatshëm i shqiptimit të raporteve në mes të subjektit lirik dhe botës së jashtme që e rrethon atë subjekt. Te poezia e një karakterizimi të tillë tipik (Ç’më mbetet përveç këngës/ Ku më mbetën çelësat/ Kush do të ma sjell fjalën... ) identiteti personal i subjektit lirik projektohet në formë të lavjerrësit magjik që troket në dy muret e kundërt të disponimit (… s’ta jep nëna rrugën e këngës/ motër poeteshë/ s’ta falë nana tamblin/ për këtë rrugë me ferra).

Poetja Lindita Ahmeti e dëshmuar me këtë vëllim si krijuese që e ka tejkaluar fazën fillestare të kërkimeve, operon me një instrumentrium të pasur gjuhësor-poetik. Kuptimësia e vargut del spontane, kurse kuptimësia  e objektti artstik ka për platformë një fushë të gjerë të motiveve dhe preokupimeve krijuese. Si poezi që ka tendencë të jetë ndërdije e zgjeruar artistike, ajo është në vijën e pare të njohjes me fenomenet e jetës së përditshme, duke resemantizuar përvojën e mikrokosmosit përmes konkretizimit të idesë poetike ( Im atë diku larg në botën e brengave/ mbi tavolinë një gotë me ujë/ gaca e cigares e shpon natën/.

Gjakimi për ta kërkuar vetveten del si një sprovë serioze e poezisë së Lindita Ahmetit. Në të shumtën e rasteve ky gjakim bëhet objekt i tipit të vjershës së ballafaqimit imagjinativ. Tek-nika e eksplkimit poetik zakonisht këtu udhëhiqet me prirjen për narracion lirik që në trupin e vjershës ndërthuret me shtresat e thënis poetike. Te poezia “Peri i zi” kjo ndërthurje sjell refle-ksionet e toneve të një lufte të brendshme me forcat dezintegruese të njeriut. Subjekti lirik ballafaqohet me filozofinë mitike të pritjes së ankthit dhe kobit, kurse senzibilizimi i gjësendeve bëhet në funksion të një inhibicioni instinktiv. Modusi tematik i poezisë së tipit të tillë zakonisht përshkohet me një fon të pasur sensibil, ku si më dendur nxjerr krye lajtmotivi në formë të vargut: Bjondi im ti do më vish/ rri ti bjondi im/ bjondi më pret diku/.
Me një modus të tillë tematik karakterizohet edhe poezia “Krijimi i luleve”. Reagimi emocional që përcjell me timbër të zhvilluar lirik transfiguron hapësirën e një disponimi të gjerë dhe raporti esencial midis “unit” të poezisë dhe konturave të saja shprehëse bëhet duke huazuar diçka nga lirika e peisazhit: / Tej malit dëgjohet troku i kalit/ dikush pranë dritares/ troket nga ëndrra e keqe/.

Procesi asociativ i ndërthurjes së gjuhës metaforike, në këtë vëllim poetik del mjaft i arrirë. Dekonvencioni i shprehjes poetike, jo vetëm që është i natyrshëm, por sjell edhe një rigje-nerim të strukturës së figuracionit. Prandaj, leximi  intensiv i kësaj poezie në dukje të pare ballafaqohet me mundësinë e inter-pretimit të gjuhës figurative, ku zakonisht të folurit poetik i ngjan një litote globale. Thjeshtësia e transponimit të një gjuhe të tillë shoqërohet me një të folur substancial me ç’rast kufiri i konkretes dhe abstraktes shkrihet ashtu siç kombinohen edhe pasazhet e pasura lirike, si te vjershat: Rilindja e zonjës plakë, Pejsazh para shtëpisë sime të vjetër, Oda e burrave, Libri realist, Vjersha e natë së parë etj.

Te këto dhe vjershat e tipit të ngjashëm, gjuha poetike nxjerr në syprinë dimensionet e metadhembjes me të gjitha nuansat e dipsonimit lirik. Shiu, hiri, kënga, dielli, nata, janë simbolet e përdorura më dendur, kurse konteksti poetologjik i aplkimit të tyre zakonisht vendoset në trajtën e tingullit elegjiak: / Pastaj bie nata. Qetësi/ Kaluron  një heshtje që pret/ si kamë e ushtarit, / të strukur në pritë/ që lufton për mbret/, ose te poezia “Pejsazh nate”: / Nata rënkon thellë/ babi a po të duket se ushton lumi… babi a mos dënes nata/. 

Në rrafshin e kërkimit të shprehjes poetike, vëllimi “Mjedra dhe bluz” ndërton edhe një arktekturë të pasur të gjetjeve gjuhësore e stilistike të tipit, por me një konotacion kontrastiv: qyteti i trendafilt, hëna e gurt, shpresa e plagosur, perëndesha e vyshkjes, mirësia satanike etj.

Vlera esenciale e këtij libri të Lindita Ahmetit mbetet ajo që ka gjakuar vet poetja. Ndërkaq ajo që shquan këtë vlerë është insistimi për të përsosur kontemplacionin lirik me të gjitha nivelet e mundshme të kërkimit pas modelit sa më original të këngëtimit. Duke i ikur rrezikut të e pigonizmit dhe shablonizmit, që ka filluar të shndërrohet në epidemi moderne te një numër  konsiderueshëm i krijuesve të rij, Lindita Ahmeti megjithatë, me këtë vëllim poetik premton se nervi i reagimit ndaj motivevev dhe temave do të zhvillohet me tempon e një krijuese që në letërinë tonë s’ka hyrë ratësisht.
                          (“Flaka e vëllazërimit”, 18 prill 1993)

NAIM FETAJ MOTIVOHET NGA REALITETI I FSHATIT, POR NUK BIE NË KALLËPET E  POEZISË PASTORALE

(Naim Fetaj, “Yjet bëjnë roje”, “Rilindja”, Prishtinë, 1987)

Një kohë bukur të gjatë, në periodikun tonë letrar, kemi hasur një emër dhe një poezi që pulsonte plot vitalitet gjuhësor për t’i kapur ato rrafshe të brezit  dhe gjeneratës krijuese (të autorëve që krijojnë më me sukses). Ndonëse botimi i krijimeve të shkapërderdhura, bën të pamundur të krijohet një përshtypje reale për autorët e tyre, tek rasti i Naim Fetajt bëhet një përjashtim i arsyeshëm dhe i cili lehtë do të argumentohet, në të vërtetë, do të argumentojë vet botimi i librit të tij të parë “Yjet bëjnë roje”, këtë vëllim poezish që lexohet me një frymë, menjëherë do të mund të konstatojmë se, para veti kemi një krijues të ri, që me librin e parë, do t’ia tërheqë vëmendjen lexuesit dhe kritikës letrare. Me një fjalë, Naim Fetaj, i takon atyre krijuesve të rinjë që pak kohë nuk e mbajnë epitetin e imagjinuar të krijuesit fillestar.

Si krijues i përgatitur me një kulturë të domosdoshme letrare dhe me një njohuri të thukt të traditës, trashëgimisë dhe bashkëkohësisë sonë, Naim Fetaj me qëllim dhe orientim të qartë i përcakton vetes një model shkrimi (që mund të merret edhe si metodë fillestare krijuese e cila natyrisht zhvillohet, ndërtohet dhe pasurohet me përvojën e ardhshme të autorit), duke dashur kështu të futet në rrjedhat dhe nivelin e poezisë sonë më të preferuar dhe më të pranuar, me një fjalë duke i vënë para ligjërimit të tij poetik ato vepra që sot merren  dhe konsiderohen si kulminante (së paku nga pjesa  më e madhe kritikës sonë letrare dhe shumicës së lexuesve). Kjo që thamë, megjithatë, nuk sugjeron dhe nuk pretendon të dëshmojë se Naim Fetaj krijon nën ndikimin e ndonjë autori konkret. Përkundrazi, sado që do të jetë mendim komlpementar ky që do ta konstatojmë këtu, nuk mund të mohohet fakti se  ky poet nga një (dy a tre) autorë, por krijimtaria e tij bazohet dhe shtrihet në përvojën sa të rilindasve tanë, po aq edhe të autorëve më të mirë bashkëkohorë. Nga kjo që thamë del se, Naim Fetaj që në librin e tij të parë me poezi, vjen si krijues bukur origjinal, ndonëse motivet që e preokupojnë atë, janë motive të përmotshme, janë motive tradicionale të poezisë sonë të djeshme dhe të sotme. Mirëpo dhe gjuha e seleksionuar, këndvështrimi dhe perceptimi poetik  që i bën ky krijues këtyre “motiveve” të përmotshme, del mjaft i mvetësishëm, intim, i ngrohtë dhe i thellë.

Orientimi i poetit që të ndjekë rrugën e trasuar të pozisë sonë, më së miri dëshmon çiltërsinë e krijuesit fillestar, i cili nuk do të eksperimentojë në atë shkallë të spekulimit krijues, duke dashur që përmes formës ekskluzive (e edhe teknikës) të vargnimit, të kërkojë të dallohet midis brezit të tij.

Cytjet e krijimit të kësaj poezie e kanë bazamentin ekskluzivisht në nevojën humane dhe në sensibilitetin e poetit që të thotë dhe të flasë me gjuhën e artit për të gjitha ato preokupime e ndjesi që dalin nga mendja dhe shpirti i krijuesit të vërtetë.

Prandaj, duhet të konfirmojmë se poezia e Naim Fetajt botuar brenda kopertinave të vëllimit “Yjet bëjnë roje”, është një krijimtari sa e angazhuar gjuhësisht, aq edhe përmbajtësisht. Mirëpo, angazhimi këtu si term tejkalon kuptimin që ngando-njëherë përpiqemi t’ia bashkangjesim avangardizmit, ose krimitarisë me tezë, me program. Përkundrazi, angazhimi i kësaj poezie në tendencën (jo të sforcuar) e poetit që “zgjedhë” me kujdes të veçantë “temat” dhe “motivet”, të cilat i mishëron në poezinë e tij. Ky angazhim do të qëndrojë në aktualitetin historik dhe bashkëkohor të qenmes së vetë, të realitetit, të botës që na rrethon me vërtetësinë e saj. Në këtë vërtetësi, poeti inkuadrohet shpirtërisht dhe qinqerisht, duke i ngjallur ato përfytyrime, të cilat na bëjnë ta ndiejmë bukurinë, gëzimin dhe hidhësinë e këtij realiteti (historik dhe bashkëkohor).

Se kemi në duar një libër që vërtetë me shumë çka tejkalon epitetin “libër i parë” është fakt fort i qartë se, poezia e Naim Fetajt, edhe pse botohet në këtë vëllim si e përmbledhur nga “copat” e krjuara (dhe të botuara) gjatë një kohe relativisht të gjatë, ajo del me një autoreduksion mjaft serioz, e çiltërt dhe me një pastërti stilistikore (gjuha, rrjedha e motiveve, përkufizimi i temave etj.).

Ndonëse prej ciklit poetik të këtij libri në ciklin tjetër, mund të dallohen shkallëzimet e disponimit krijues si dhe rastet kur struktura gjuhësore e shenjave dhe simboleve nuk rri vazhdimisht në një baraspeshë të nivelit konstant, poezia e Naim Fetajt e mban nivelin, të cilin krijuesi e organizon me mjeshtrinë dhe kulturën e tij të shkrimit, si dhe krijon atmesferën, e cila e arsyeton vetveten, gjuhën dhe qëndrimin e poetit.

Mund të themi se ndoshta është herët të flasim për një individualitet të veçant krijues, por megjithatë vetë insistimi i Naim Fetajt që poezia e tij të jetë e diferencuar prej kallëpeve që sot po i hasim te disa krijues të rinjë, dëshmon se në të ardhmen do të lexojmë poezi nga ky autor, e cila do të na pasurojë edhe me ato nuanca të domosdoshme të një mvetësie më të madhe dhe më konkrete.

Edhe pse e përmendëm disa herë më lartë, se gjuhën e poezisë së Naim Fetajt  e karakterizon një punë krijuese me përkushtim, do shtuar se pikërisht kultura dhe sensi gjuhësor-figurativ i kësaj poezie, e bënë që kjo të dallohet për të mirë nga një pjesë bukur e madhe e krijuesve të brezit të tij, sidomos të atyre që janë paraqitur me librin e parë. Një analizë e thukt gjuhësore e stilistike që do t’i bëhet në të ardhmen kësaj poezie, do të na ballafaqonte me një krijues, i cili gjuhën nuk e ka vetëm “mjet” elementar për ta gdhendur vargun e tij, por ajo është edhe një mundësi (e pasuri e autorit), që poezia e tij të merr atë thellësi qartësie dhe të shprehjes (ligjeratës) poetike, e cila arrin me lehtësi ta krijojë “radiografinë” poetike-letrare.

Një veçori tjetër, që pa mëdyshje kërkon një diskutim më të gjerë, është edhe ngjyra shumë origjinale e poezisë së Naim Fetajt që, gati në të shumtën e herës motivohet nga jeta dhe realiteti i fshatit tonë, asnjëherë të mos bjerë në ujërat e frazës me emfazë të poezisë pastorale, të një romantizmi që ngandonjëherë e imponon vetë natyra e çdo poezie realiste. Mendojmë se shkak kryesor pse poezia e këtij poeti nuk shndërrohet në një pastorale, është fakti se ajo nuk i “fotografon” pamjet nga jeta dhe realiteti i fshatit, por ia del që me një njohuri dhe sensibilitet të thellë poetik të futet në esencën dhe përmbajtjne e realitetit, duke mos e  “përshkruar” atë me indiferencën e fjalëve të bukura. Kjo është edhe një dëshmi se motivi nuk e përcakton modernitetin e poezisë, me një fjalë nuk don të thotë se të shkruash vetëm me gjuhën e temave urbane, poezia del moderne, e kohës. Fundja, poezia që kemi në shqyrtim, del moderne aq sa është moderne poezia jonë më e mirë që kultivohet viteve të fundit.

Në fund të shtojmë se poezinë e Naim Fetajt, në vëllimin “Yjet bëjnë roje” nuk do ta lexojmë (siç lexojmë nganjëherë krijime fillestare) vetëm për t’u vërtetuar nëse kanë ardhmrë krijuese ato, apo jo. Kjo poezi e bën efektin e saj, për të cilën shkruhet edhe çdo poezi: ajo na kënaq dhe mbetet në kujtesën tonë shumë kohë. /“Bota e re”, 1 maj 1987

KUR AVENTURA SHPIRTËRORE DËSHMOHET  PËRMES NJË VROJTIMI ORIGJINAL


(Abdullah Konushevci, “Loja e strucit”, “Rilindja, Prishtinë, 1987)

Vëllimi i katërt poetik i Abdullah Konushevcit është një përpjekje që brenda opusit modest të vet autorit të bëhet një sintezë, pikësëpari e përkujdesit “gjuhësor”, përkujdes ky që shpreh deri te ligjerat e rafinuar, deri te format miniaturale të poezisë që reduktohen dhe “pastrohen” deri në minimumin e mundur. Kështu, poezia e këtij poeti shpall më shumë “pastër-tinë” e saj stilistike se sa atë përmbajtësore, më shumë i kushtohet kujdes teknikës së vargut se sa refleksionit dhe meditacionit, e kështu vështirë diferencon individualitetin e autorit.

Megjithatë, do të gabonim po themi se ana përmbajtësore e poezisë së Abdullah Konushevcit nuk është bukur e pasur. Përkundrazi, ajo shpalos një refleksion të botës aktuale dhe historike, njeriu i saj është qenie që frymon dhe jeton me dilemat, gjakimet, ëndrrat, shpresat, frikën, dashurinë dhe synimet gjithënjerëzore e kombëtare.Problematika e kësaj laryshie motivesh që preokupojnë dhe frymëzojnë poetin, janë ato tema të njohura e të shtruara në poezinë tonë bashkëkohore, ndonëse ka se çka të flitet edhe për specifikën e tyre në poezinë e Konushevcit.

Si edhe në tri vëllimet e mëparshme poetike të këtij autori me sensibilitet e prirje, që imponohet me potencë serioze krijuese midis brezit të tij, edhe libri i katërt “Loja e strucit” dëshmon se Abdullah Konushevci është krijues me ardhmëri, poet intelektual, vetëdija e krijeuse e të cilit lëviz në ato sfera të botës krijuese ku receptohen “pamjet” dramatike të jetës së brendshme, shpirtërore.

Poezia konceptuale, poezia e idesë, poezia e mjeshtrimit, përmes reduksionit që bie deri në formën e trioletit ose miniatures, poezia që seleksionon leksikun e zgjedhur si me qëndisma, megjithatë më tepër dëshmon përpiluesin si mjeshtër retorike, se sa si mjeshtër që frymëzohet nga aventurat ( qofshin edhe fiktive) shpirtërore dhe meditative.

Në kontekstin e përmbajtjes duhet të dallohet edhe dorëshkrimi personal i individualitetit, e kjo në poezi arrihet vetëm kur poeti është i mvetësishëm, kur aventura shpirtërore dëshmohet  përmes një vrojtimi origjinal. Fjalët e bukura që zgjidhen dhe vihen në kontekst të një formulimi, rezultojnë edhe në shterrje, e pastaj poezisë i mbetet të thotë diçka. Çka? Dhe a është e rrugës që poeti ose lexuesi i poezisë të kërkojë prej artit të poezisë  ndonjë ndjeshmëri a bukuri konkrete, të emëruar? Mirëpo, kur një krijues boton librin e katërt, medoemos duhet të emërojë shenjën e botës së tij poetike, kurse peozia duhet të ketë vulën e frymës së poetit, vulën e shenjës e jo gjuhë së tij të zgjedhur.

Kështu, del se Konushevci edhe me librin e katërt dëshmohet  si poet që di e mundet, që ka ardhmëri krijuese, po që ende mbetet në rrafshet e njohura e të rrahura të poezisë sonë bashkëkohore. Një mendim i këtillë imponohet pikërisht për shkak se kemi të bëjmë me një krijues që nuk është “autsajder” që ekzagjerohet me përpilime vargjesh “mesatare”, pra nuk inkuadrohet në atë “brigadë” poetësh që shkruajnë  me të njejtin emërues të përbashkët dhe poezia e të cilëve dallohet prej “të përgjithshmes” vetëm në saje të firmave që e nënshkruajnë.

Nëse nuk përsëritemi, vlen edhe njëherë të konkludojmë: poezia e Abdullah Konushevcit (dhe jo vetëm kjo e librit të katërt) do të duhej t’i shtrohet një kriteri më të ashpër vlerësimi, sepse tash më nuk kemi të bëjmë me fillestar që duke krijuar më tepër përpëlitet të gejë “modus vivendin” e ”dorëshkrimit” të tij. Pra poezisë së vëllimit “Loja e strucit” nuk mund t’i kontestosh prirjen gjuhësore, figurshmërinë as sensibilietin e krijuesit, gjë që nuk do të mund të themi edhe për “emëruesin e saj të përbashkët”, shenjën, që do të bënte identifikimin e saj të përgjithshëm, që do të eliminonte fragmentaritetin e saj, mjeshtrimin e ftohtë të bukurezës që si tingëllimë dhe si kuptim brenda vetes  (si fragment i shkëputur) e bën vetëm efektin e leximit të rastit.

Vepra e një autori të caktuar krijon shenjat e veta të njoftimit, por këto shenja nuk mund të ngushtohen brenda leksikut të zgjedhur, por në figurshmëri të zgjedhur, me ligjeratën karakte-risike, me vargun, strofën ose vargënimin si tërësi e rrumbullakuar, si botë e të perceptuarit dhe të të menduarit origjinal, botë e shprehur dhe e pikturuar me shikimin dhe venerimin vetanak. Ndoshta këto janë kërkesa pretencioze për një krijues të ri si Abdullah Konushevci, por prirja dhe mjeshtrimi i tij si artist na jep të drejtë që këto kërkesa t’ia shtrojmë poezisë së tij, jo si kriter që duhet t’ia plotësoj kritikës, por si kërkesë që nxit debat teoriko-letrar rreth kësaj poezie dhe si dëshirë që nga pena e këtij autori  të krijohen vepra  të cilat më në fund i paralajmëron poezia e tij botuar në këto katër vëllime poetike  që tani lexuesi i ka në dorë. Bashkë me Ramadan Musliun, Milazim Krasniqin, Ibrahim Berishën, Basri Çapriqin etj. Abdullah Konushevci i përket një plejade që sa me seriozitetin e paraqitjes, po aq edhe me prirjen për të sintetizuar ligjerimin poetik, dallohen për të mire dhe jo vetëm nga brezi brenda të cilit paraqiten./ Bota e re”, 1987

DRAMATURGJIA E KARAKTEREVE NË GRAMA-TIKËN SKENIKE

Teksti i dramës, për dallim nga komedia ose tragjedia klasike, privohet nga mënyra karakteristike e tipizimit të heronjve që bëhet sipas disa normave elementare e të “standardizuara”që nga “Poetika” e Aristotetil, dhe çlirohet duke krijuar modelin e kara-kterit të ri të heroit në bazë të koncepcioneve morale-etike të njeriut bashkëkohor, por edhe në bazë të pikëpamjeve dhe idealeve vetanake ideo-estetike që ka secili autor drame në veçanti.
Tri gradacionet e zhvillimit të karakterit të tipit (përmes trekëndshit të zhvillimit gradual të “ngjarjes” dramatike) në tekstin e dramës bashkëkohore në të shumtën e rasteve thyhen, kështu që drama bashkëkohore, ose ajo e ashtuquajtura avan-garde, si dhe drama e laboratorive eksperimentale, siç është ajo e Grotovskit, privohet nga kërkesa elementare e zhvillimit të ngjarjes në tri punkte: momenti shqetësues, momenti tragjik (ose komik) dhe momenti i ndehjes përfundimtare. Gjeturia normale që karakterizon veprimin e tipit në bazë të situatës së dhënë dramatike në këtë lloj drame konsiderohet si anakroni e shablloneve. Kjo për faktin se situatës i mvishet absurdi, kurse brenda situatës absurde personazhi nuk mund të veprojë në mënyrë normale brenda koncepcioneve botëkuptimore e etike të autorit, kohës dhe shoqërisë.

Portetizimi i karaktereve edhe në këtë lloj dramaturgjie na del i mësuar nga përditshmëria, nga situatat që absurde duken vetëm kur të vihen në korelacion me tipin klasik të heroit dhe manireve të tij karakteristike, gati të shabllonizuara. Që të jemi më të qartë: derisa vetitë e trimërisë tipin klasik e karakterizojnë përmes situatave heroike, tipi modern i këtij karakteri, në vrashmëri me situatën e dhënë dramatike, mund të bëjë veprime të një qyqari dhe vetëm brenda tërësisë së tipizimit të tij, del fytyra e tij e trimit, të cilën nuk e kemi njohur në bazë të veprimeve të tij, por në bazë të përfundimit të rrjedhës së dramës si dhe në bazë të pasojës dhe pësimeve të personazhit (katarsisi dramatik). Teksti modern i dramës, as me procedure teknike të kompozicionit, as me gjuhën letrare të seleksionuar nuk ngushtohet brenda ndonjë norme si konvencë, dhe si gjithmonë në këto raste krijon konvencën e re.

Derisa tekstet e dramave, të cilat kushtimisht mund t’i quajmë dramë e poezisë (ku dëshmohet vitalieti dhe pjekuria e letërsisë sonë përgjithësisht) i karakterizon struktura letrare e dendësisë përmbajtësore dhe gjuhësore të romanit, poezisë dhe eseut, dramën qytetare-intelektuale (tekstet e dramave të  Rexhep Qosjes, Teki Dërvishit,  Beqir Musliut, Ymer Shkrelit, Resul Shabanit, Mehmet Krajës, Musa Ramadanit) e karakterizon shumëllojshmëria dhe spontaniteti koncepcional letrar që nuk shtrihet në shumëdimensionalitetin kuptimor të saj. Mund të thuhet madje se vlerë thelbësore e këtyre dramave është rrjedhmëria, zhvillimi i tyre kompozicional, teknika dramaturgjike, e cila bukur i përshtatet skenës. “Varfëria” gjuhësore e këtij grupi dramash kërkon koncizitetin që perfeksionon gramatikën skenike.

Për ndryshim nga tipi i dramës së poezisë, në tipin e dramës qytetare-intelektuale, gjuha e seleksionuar (njëdimensionale, njëkuptimore, ligjërata si përmbajtje totale) bëhet alibi për qartësinë e dramës. Për rrjedhojë, gjuha nuk analizon problematikën (idenë problematizuese, konfliktin) e dramës, por këtë punë e bën vetë zhvillimi i ngjarjeve, marrëdhëniet e protagonistëve dhe antagonistëve, rrjedha e veprimit deri te pasoja. Te kjo gramatikë skenike, autorët kanë një synim: përmbajtja tekstuale e dramës të bëhet sa më e qartë dhe spektatori të mund ta perceptojë këtë përmbajtje sa më lehtë. Ky njëherit ishte edhe koncepti i Stanisllavskit për gjuhën e dramës.

Pra, “varfëria” apo “mangësia” gjuhësore e këtyre dramave konsiderohet si mjeshtrim i koncizitetit të ligjerimit skenik, gjuhë që i dedikohet mundësisë së deklamimit skenik dhe lehtësisë për t’u perceptuar. Këta autorë, dramën nuk e shkruajnë që të lexohet, por që të interpretohet në skenë. Prandaj ky orientim krijues është shumë më i vështirë se se sa tipi i dramës poetike, për arsye se këtu kërkohet të përfillen deri në minimum të imagjinuar të gjitha ligjet kompozicionale të teknikës dramaturgjike.

Jashta analizës gjuhësore nga aspekti i thjeshtë gramatikor (ku gjuha si vlerë do të na dilte e niveleve të ndryshme tek secili autor veç e veç) faktura dramaturgjike e gjuhës së këtyre dramave del e një niveli fort të lamueshëm, pilërisht për arsye të “përshtatjes” së saj ligjeve dhe normave të kompozicionit dramaurgjik. Mjeshtrimi i dramës si gjini letrare mbështetet pikërisht në koncizitetin e gjuhës që kërkon natyra e saj. Dhe ndonëse për këto tekste drama ende nuk është shkruar aq sa do të duhej dhe aq sa e meritojnë ato, megjithatë kritika ka dhënë vlerësime mjaft të favorshme, duke argumentuar vlerën e tyre letrare. Kjo vlerë në njëfarë mënyre është dëshmuar edhe në inskenimet e tyre të herëpashershme  nga ana e teatrove tona profesioniste dhe amatore.

(“Bota e re”, 15 shtator 1986)    

RELIKTET E NJË SHQETËSIMI POETIK

(Milazim Krasniqi, “Pirg vegimi”, ‘Rilindja’, Prishtinë, 1985)

Teksti poetik si finalizim i kërkesave imanente të autorit shpesh mund të kundrohet edhe në kontekst të raporteve ekzistuese që janë të pranishme si në gjakimin krijues të atij autori, por edhe në vetë klimën krijuese në të cilën vepron ai. Sipas një përshtypjeje të tillë, del se përsosshmëria krijuese nuk është asgjë tjetër pos një disonancë e kërkesave të brendshme dhe të jashtme si dhe prirja që këto kërkesa më në fund të kenë edhe një rreth observimi, rreth ky që për kohën mund të mos jetë edhe gjithaq i kodifikuar. Por, sidoqoftë, mesazhet e një teksti poetik vijnë shpesh të përcjella me paradokse, burimi i të cilëve është pikërisht në disonancën që e thamë pak më lart.

Edhe vëllimi më ri poetik “Pirg vegimi” i poetit Milazim Krasniqi për shumëçka të imponohet si një qëndrim estetik kundruall raporteve intuitive, të cilat shqiptimin e idealit krijues e intonojnë brenda rrafshit semantik dhe kërkesave jashtëtekstore. Mbase edhe suksesi i këtij vëllimi varet pikërisht prej një fondi të tillë informativo-gjuhësor, i cili nuk mungon me këtë rast.

Poezitë e këtij libri mund t’i marrim edhe si pretekst kohor, si kontinuitet historiko-letrar, i cili për shumëçka është formësuar. Koha e këtyre poezive nuk i ka ato dimensionet dhe konturat e poezisë, ta zëmë të fillimit të viteve gjashtëdhjetë, ku gjithçka e ka biomorfologjinë e vet normale, ku gjithçka që lind duhet edhe të vdesë, ku gjithçka që e ka fillimin duhet ta ketë edhe mbarimin. Ndërkaq, në vëllimi “Pirg vegimi” mund të shkëputet diçka edhe pa u formësuar ende, mund të përfundoj diçka edhe pa filluar ende, diçka që:

“Tek hidhja hapat e parë
Kuptova edhe fshehtësinë e mbramë
Lumi lumë kishte mbetur
Në tokën e premtuar…”
                         (‘Mbresa udhëtimi’)

Vargje këto të cilat më së miri eksplikojnë gjendjen dhe rezonimin intelektual e krijues të poetit Milazim Krasniqi.

Nëse i referohemi parimeve “të pashkruara” sipas të cilave për klasicizmin poezia ësht gjuhë e perëndive, për romantizmin – gjuhë e zemrës, atëherë për poezinë e Milazim Krasniqit mund të thuhet se është gjuhë-relikt i shqetësimit historik, brengë për paanësinë e groteskës, por njëkohësisht edhe artikulim i momenteve sociale, urbane, intime etj.

Koncepti poetik, çfarë është ky i librit më të ri të këtij autori, dendur mund të kuptohet si përgjegjësi krijuese që funksionin e vet e përmbush brenda vet rrafsheve semantike, duke i kushtuar jo vetëm kujdesin për një këngëtim sa më të artikuluar poetik, por njëkohësisht duke shtuar edhe vetëdijen për kontinuitet dhe strategji krijuese.

Informacioni artistik brenda kopertinave të librit “Pirg vegimi” nuk do ta kishte spontanitetin e vet rrezatues sikur të mos përcillej prej një elasticiteti të mëvetësishëm gjuhësor-stilistik, i cili diku diku i afrohet forcës së lajtmotivit. Kjo njëherësh e bën lexim-interpetimin e këtij libri sa më ekstensiv dhe sa më polidimensional. Për rjedhojë, mund të thuhet se ndër poetët e viteve tetëdhjetë, Milazim Krasniqi shquhet për entropi të theksuar gjuhësore, e cila është plotësisht autoktone, e kultivuar në bazë të përvojës gjuhësore të poezisë sonë të traditës dhe asaj bashkëkohore, por njëkohësisht edhe të asaj gojore (folklorike). Kjo, mbase, na jep të drejtë se kemi të bëjmë me një profil krijuesi, i cili kompletimin teoriko-estetik e sheh edhe në gjerësinë e harkut leksikor.

Kur e lexojmë këtë libër, sidomos ciklin  e parë, na bëhet se po dëgjojmë një trok, i cili vjen me rrapllimë në përfytyrimin tonë. Njëkohësisht në këtë trok përzihen edhe do zëra gjysmëzëra, të cilët sa vinë e shtojnë një si rrëqethje, një si shqetësim:

“As ndihet as shihet ajo dorë orë rëë

Portën e stanit tek hapekrah lë”

(“Ndihet as shihet”)

Sikur edhe në librin e parë “Imazhi gri”, ku projektimi i të kaluarës së lashtë kalon nëpër një valëzim-përfytyrim, nëpër një horizont imazhesh me korniza të thyera diku-diku, edhe në librin e dytë që kemi në duar (“Pirg vegimi”) thellohet kjo prirje, duke intensifikuar më tepër përsosjen e sensibilitetit të shprehjes.
Sa i përket motiveve historike-mitike, Milazim Krasniqi përmes subjekteve të tij poetike sjell informacion të ri, sjell këndvështrim të ri. Historinë ai nuk e observon si ngjarje, por ajo detajizohet dhe jepen më tepër konturat e së kalurës (pësim-mësimet). Kështu, në poezinë “Nyjë” priten diagonalet e një tërësie të pa tërësi. Me një gradacion të brendshëm lirik, autori ngrit në rrafsh resemantik ato imazhe dhe reminishenca të cilat burimin e kanë në një ndërdije të bartur nga tendosjet shpirtërore e kolektive.Vdekja si nocion metaforik është pasojë, është obsesion i kushtëzuar prej pasigurisë, sulm prej diçkasë fërfëritëse:

“Tjetri mollën në shenjë merr
       Po ajo fshehtësi vetëtin”

                                                                              (Nyjë)

Në këtë poezi janë simptomatike edhe dy linja koherente: magjia mitike, baladike dhe pamundësia reale, historike:

“Si të kaptoj pllajat e tëndes magji
       E ti majën time pamundësinë
        Konstantin”

                                                    (Nyjë)

Poezia e Krasniqit përveç që është kredhje kah luciditeti poetik, ajo njëkohësisht mbart në vete edhe lajtmotivin e së keqes historike dhe ndërskamsave të saj. Sipas poetit nuk mbetet asgjë pa u hetuar, pa u gjykuar, siç ndodhë edhe në poezinë “Herët a vonë”:

      Imzot nuk kemi pse të mos besojmë
       Si e bëjmë punën e ardhmja na gjykon
      Herët a vonë
      qoftë edhe atëherë
:

                   Kur mësynin Dheun hordëbërzanat”

Me një nuancim pak a shumë më të çiltër, mund të shquhet edhe peozia “Plaku dhe Malet”, dedikuar Bajram Currit, ku atmosfera e “erërave të serta” përzihet në një përjetësim, me ç’rast:

   “Si një bucë dheu do të peshohet pastaj e vërteta
          Një emër kanë plaku e bjeshka”

Autori ka prirje të aktualizojë-kontekstualizojë edhe nostalgjinë për ambientin arkaik-shtëpiak, siç është, ta zëmë, poezia “Sergjenët”. Në strukturimin  e lëndës artistike të kësaj poezie, të folurit poetik del me një timber të thellë ku herë -herë shpjegohet edhe tejdukshmëria e përjetimit:


           “Muze malli qenë përherë
             Sall shpirti mund t’i mbante ashtu në erë”


E një afiniteti të tillë mimetik është edhe poezia “Sofra”, ku vegimi për jetën “me mungesa“sillet në një rreth më të ngusht se sa,ta zëmë, te poezia e Enver Gjergjekut me të njejtin titull, por që këtu mënyra se si na shfaqet ky vegim është me një nëntekst më të pasur poetik. Poeti nuk bën vetëm shtresimin e kuptimit mbi nocionin “sofër”, si objekt konkret-shtëpiak, por gjakimin e tij krijues e orienton edhe kah një dramë e brendshme, herë-herë e padukshme:

“Buka u thehej të gjithëve
       Edhe atyre që mungonin ngahera”

ose edhe kur:


         “Miku ndore e merrte
          Edhe mik po të mos ishte”
                                       
(“Sofra”)

Poezitë e cituara të përmbledhura në ciklin e parë “Monument në erë” sinjalizojnë gati të gjitha preokupimet në poezitë e cikleve pasuese. Mirëpo, diçka më tepër në to hetohet intonimi kah motivi urban, ai social, i kurbetit, intime etj. Pra, të gjitha këto afinitete që i përmendëm janë të pranishme brenda cikleve: “Kryeblana”, “Arrëza”, “Fije kujtimi”, “Shteg i hapur”.

Në poezinë “Zilet” spontaniteti i rrëfimit të përvetëson dhe njëherësh të shton dhembjen për fatin e subjektit lirik “Pa të ëndërraurën strehë”. Mund të thuhet se kjo është edhe poezia më tipike e këtij vëllimi, e cila shpalon  në mënyrë shumë bindëse kokëçarjet për strehim të njeriut të sotëm. Edhe këtu shquhet vegimi i autorit, i cili përcillet nga cikli në cikël, prej poezisë në poezi, e që varësisht prej karakterit të problemit konkretizohet apo edhe abstrahohet. Në rastin konktret, ky vegim është vazhdimisht i zgjuar, është gjakim që:

      “Edhe nëse jetoj njëqind vjet
             Me sy me mendje do t’i kërkoj
             Zilet e shtëpive aprtamenteve të huaja…”

                                                                                 (“Zilet”) 

Fati i subjektit lirik në këto poezi përcillet vazhdimisht me shqetësim urban. Edhe kur aty-këtu selitet ndonjë fije e intimitetit, subjektit lirik i kanoset tëhuajësimi, i kanoset befasia përpara një realiteti të vrazhdë:

        “E ç’thua tash kur nuk njihemi
              Tek hyjmë e dalim nëpër një portë”
                                                                                    (“Porta”)

Cikli i parafundit “Fije kujtimi” në mënyrë shumë origjinale komunikon me lexuesin për shkak se autori e sheh të arsyeshme të shqiptojë edhe disponimin e njeriut, i cili  e ka ndërtuar vatrën. Nuk është rastësi nëse themi se poezitë e këtij cikli janë të një konteksti tematik e ideor me ato të cikleve të tjera. Nostalgjia, kompensimi i intimitetit vetëm me kujtime, shqetësimi për vendlindjen, janë disa nga fijet e eksplikimit në këtë cikël. Këto fije mund t’i gjejmë në poezitë, si: “Letrat e tua”, “Kllapi”, “Fije kujtimi”, “Motiv kurbeti”, “Ëndërrimi kubetçar”, “Udhë do të marr” etj.

Kurbeti për poetin është një sedimentim përvojash, një dëshmi kohe, por edhe shtyllë ekzistence. Leximi i vargjeve me këtë motiv shoqërohet me rrëqethje, me dhembje, por edhe me optimizëm:

“Uturimë zhurmërimë qyteti të huaj
       Sall si jehonë e largët e një ankthi më vinte
       Më rridhnin lot gëzimi apo shi binte”

                                                    (“Jehonë e largët”)

Me të njejtin spontanitet vazhdon poeti të këngëtojë edhe në cikli e fundit.Afinitetet, preokupimet, gjakimet këtu sikur e kanë një emërues të përbashkët, një disponim, një “fashitje të zgjuar”. Autori në mënyrë miniauturale e shëtit “kamerën” e tij poetike andej ku kompensimet për një kërkesë të brendshme janë më të theksuara. E tillë mund të jetë edhe poezia “Anës detit” apo “Ajo”. Me këto poezi të këtij cikli, por edhe libri në përgjithësi, autori sikur kalon krejtësisht në anën e lexuesit për të parë dhe përjetuar një vegim, i cili në pirgun e secilit gjendet. Le të jetë edhe ky libër pirg për vegime të reja….

 (“Bota e re”, 29 nëntor, 1985) 

POEZI INTELEKTUALE DHE E DILEMËS SË SIN-QERTË KRIJUESE

(Ramadan Musliu, “Pasqyra e të rrëfyerit”, botoi “Rilindja”, Prishtinë, 1987)


 
Libri më i ri i poetit Ramadan Musliu, “Pasqyra e të rrëfyerit”, vërteton dhe përforcon “statusin” krijues të poetit dhe vjen si rrjedhojë normale krijuese pas një rruge të trasuar me stabilitetin e pjekurisë që rrallë e hasim te poetët e brezit të tij.
Përditshmëria dhe civilizimi, përmbajtja esenciale, marradhëniet midis gjendjes dhe ndodhjes, drama e intelektit dhe emocionit – kjo është koordinata e preokupimeve poetike të Ramadan Musliut. Është kjo një poezi intelektuale, poezi e dilemës së sinqertë krijuese. Por, si  e tillë nuk shfaqet nëpërmjet ‘termit’ që nxjerr esenca përmbajtësore e fjalës, por pikërisht përmes ‘gjuhës’ që del e rrjedh spontanisht, më tepër e imponuar si mendim, se sa e kërkuar si shprehje poetike.

Serioziteti i qasjes poetike, rrethi i përcaktuar me vëmendje dhe zgjuarsi i sferave të interesimit intelektual të autorit, bota e rrethuar me kornizën e përkufizuar qartë, emocioni që kontrollohet me dhembje dhe nuk del i shfrenuar – të gjitha këto veçori origjinale (për poezinë tonë të Kosovës) e karakterizojnë edhe librin e tretë të Ramadan Musliut “Pasqyra e të rrëfyerit”. Njëherësh është e rëndësishme të theksohet se ky libër poezish plotëson përvojën krijuese të poetit, duke thelluar kështu një kontinuitet të zhvillimit  të sensit të tij krijues, krahasuar me dy librat e tij të mëprashëm (“Parodia e trupit”-1981 dhe “Shqisa e gjashtë”- 1985). Për rrjedhojë, kjo përvojë krijuese po e zhvillon  rrjedhën normale të krijimtarisë së “vetëdijes” së lartë e cila nuk del të shkapërderdhet e imponuar as nga koha, as nga çasti e momenti i frymëzimit.

Poezia serioze krijohet për të sotmën, por flet për të djeshmën dhe të nesërmen. Ramadan Musliu me një çiltërsi të paparë krijuese nuanson tematikën që lehtë emërtohet: përditshmëria, e mbështetur  në përvojën dhe traditën si dhe në ardhmërinë dhe qëllimin.Janë këto rrathët e njohur ciklik: rrathët e vetëdijësimit, rrathët e rrënimit dhe rrathët e krijimit, rrathët e intimës dhe jetës së shpluar, rrathët e entitetti rajonal dhe gjithëhapësinor. Është ky një kompozicion i gjatë i observimeve poetike intelektuale, pasqyrimi letrar i të cilëve imponon  individualitetin krijues të autorit, i cili në origjinalitetin dhe specificitetin e të rrëfyerit poetik e krijon shenjën e vet përforcuese individuale. Në këtë vorbull të thellë të brendisë filozofike të librit në fjalë ne e gjejmë veten me lehtësi duke u njësuar me fatin e krijuesit dhe poezisë së tij. Ky, zatën, është edhe qëllimi i parë i poetit: përditshmëria të flasë me gjuhën e subjektit dhe në këtë subjekt të dalë në dritë ajo mvetësi e perceptimit individual. Ky qëllim krijues arrihet duke e konte- kstualizuar shenjën e përgjithshme të verbit poetik, duke e nxjerrë si sintezë brendapërbrenda ironizimeve dhe metaforizimit mjeshtëror. Si e tillë, kjo pezi del e lehtë për t’u perceptuar, e cila që në komunkimin e parë me të  të përvetëson dhe të rrëfen me një gjuhë të paimponueshme, të pastër dhe të çiltër si vet përmbajtja të cilën e shpreh kjo gjuhë poetike. Dhe ajo gjuhë “… del nga pylli i errët, i pesë shqisave…nëpër shekuj…pas njëmijë vjetëve, në Gur të Hasit, te Shtëpia e Bogdanit… me ninulla… këngën… për çdo ditë fëmijëve tanë…faqet ua lanim… në një krua të gjallë… ndiçojnë dheun tonë”.

Kështu e copëzuar, kjo poezi shpreh botëkuptimin krijues e intelektual të poetit Ramadan Musliu. Poezia në vëllimin “Pasqyra e të rrëfyerit”, përjashton veten nga betonimet e strukturave të “forta gjuhësore”, nga intonacionet recitative të tingëllimave që në ritimin e mjeshtruar ndrydhin mendimin, emocionin, përmbajtjen, preokupimin e sinqertë të poetit. Në poezinë e këtij autori fusha simbolike krijohet me rrumbullaksimin e tërësisë përmbajtësore. Ajo nuk mbaron pa shprehur esencën e preokupimit krijues, por as nuk zvarritet përmes ligjëratës shpirtdhënse.

Poezia e Ramadan Musliut përvetëson dhe zgjeron kërshërinë e e artdashësit duke rrëfyer nga “ana e errët” e pyllit dhe kroit, nga intimja që bëhet e përgjithshme, nga brenga që ndihet sinqerisht dhe nga madhështia që fshihet dhe vazhdimisht krijon botën e vet që rritet, si psh. poezitë: “Trupi” (fq. 17), “Kënga e trupit”, (fq. 19), “Shëmtia” (fq. 20), “Ëndërra” (fq. 22), “Mërzia” (fq. 23) etj.

Duke mos tentuar që të bëjmë ndarje të vlerave brenda kope-tinave të librit “Pasqyra e të rrëfyerit”, do të përmendim ciklin  e pozive “Memorja e gjallë”, cikël ky me katër poezi përkushtuese. Në ndonjë shkrim më të gjatë se ky ndoshta do të ishte interesante të flitet për katër personalitetet të cilëve poeti iu kushton poezi, duke kërkuar ngjashmërinë e tyre në sakrificën e krijimit, angazhimit të tyre, në radhë të pare human, si dhe fatit të tyre krijues e njerëzor përgjithësisht. Kjo zgjedhje “vetanake” e poetit, së pari flet mjaft për botën krijuese të tij, dhe kjo botë pastaj dëshmohet me vetë mënyrën se me çfarë tensioni del në pah pasqyrimi i botëkuptimti të poeti për “të zgjedhurit e tij”. Në “Pastrimi e shpirtit” (kushtuar Hivzi Sulejmanit ) poeti nxjerr në pah krejt esencën e sakrificës krijuese e cila pastaj tejkalon fatin individual të njeriut dhe i ngjan fatit historik:


         “Gjithë ditën e lume
          të ndryrë në bibliotekë
          pastrojmë librat nga gjaku
         njollat e frikës
         nga faqet e baladave”
                                              (Fq.33)

Dhe pak më poshtë vargjet antologjike:

         “Në zemër në faqe libri
          me njërën mushkëri në pyll
          me tjetërn
          në një vjershë”

Kjo stërhollësi e sensit poetik, pos individualitetit  njerëzor të poetit, dëshmon edhe intelektin e tij, estetikën dhe etikën e tij njerëzore, që komponohen kaq rrjedhshëm, pa sforcime të dhunshme dhe pa pretendime që me çdo kusht të marrin intonime megalomane.

Të një tensioni ndjenjor e inventiv janë edhe poezitë kushtuar Eqrem Çabejt, Nënës Terezë dhe Aleksandër Mojsiut. Festën e poezisë që na e ofron vëllimi poetik “Pasqyra e të rrëfyerit” (por edhe dy librat e mëparshëm), është përjetim i rrallë, një bindje më tepër se poezisë sonë po i thellohet bota e pasur me nuancimet dhe koloritin e jetës sonë të përditshme, të historisë dhe ardhmërisë.

Poezia e Ramadan Mulsiut, veç tjerash, përforcon bindjen se letërsia jonë kaherë ka shpërthyer nga kornizat e vegimit romantik, pastoral e rustikal, në njërën anë, dhe nga modernizmi i aktruar dhe hermetizmi formal e gjuhësor, në anën tjetër.

                                               (“Bota e re”, 15 qershor, 1987)

DIALOGU LIRIK FLET ME GJUHËN E KONDENSU-AR TË IRONISË DHE GROTESKËS


(Milazim Krasniqi, “Qeshja sardonike”, botoi “Rilindja”, Prishtinë, 1987)


Brenda një “pesëvjeçari” krijues, poeti Milazim Krasniqi (merret intensivisht edhe me kritikë dhe eseistikë letrare dhe ka botuar një dramë në revistën “Fjala”), imponohet si një ndër emrat më serioz në brezin e vet krijues, bashkë me Ramadan Musliun, Basri Çapriçin, Adem Gashin, Ibrahim Berishën, Abdullah Konushevcin, Skender Sherifin, Tahir Deskun etj. Si karakteristikë thelbësore e poezisë së tij, i atribuohet përkushtimi gjuhësor-stilistik ndaj tekstit letrar. Ndonëse ky ideal (ideali për perfeksionimin e shenjës poetike përmes gjuhës së kultivuar me kujdes ) është karakteristikë edhe e disa autorëve të brezit të tij, për Milazim Krasniqin mund të themi lirisht se latimi i gjuhës së kultivuar te ai nuk del e dhunshme, por përkundrazi e përjetuar thellë dhe spontanisht. Kjo dëshmon se poezia jonë bashkëkohore po e trason rrugën e vet të zhvillimit kah kulmet e vlerave letrare-estetike, duke u shtrirë në përvojën e poetëve të viteve tetëdhjetë që herë-herë edhe i tejkalojnë pararadhësit bashkëkohës. Milazim Krasniqi edhe në vëllimin më të ri poetik përpiqet që me fleksibilitetin krijues të futet  në atë vorbull të jetës së subjektit lirik, në të cilin del në pah rezonanca e medititim poetik. Me vlerat letrare që i ofron brenda kopertinave të librit  “Qeshja sardonike” Milazim Krasniqi dëshmon se dy librat e botuar më parë nuk ishin të rastit dhe se kemi të bëjmë me një poet që procesin krijues e sprovon me kriteret e tij vetanake serioze, duke krijuar kështu botëkuptimin e tij origjinal – të mëvetësishëm.

E shmangur me mjeshtri nga nuancimet e lirikës me patos retorik që mbushet me foljet “kuptimthënëse”dhe duke dashur të largohet nga kjo përvojë e sprovuar dhe e përsorur nga disa poetë pararendës, poezia e Milazim Krasnqit projekton një observim krejt individual: ky projektim fillon nga historia dhe përfundon në ditët e sotme (që sipas idealit letrar të Borhesit përsëritet në mënyrë ciklike). Dialogu lirik që përdoret me kaq subtilitet nga poeti, flet me gjuhën e kondensuar të ironisë dhe groteskës, duke kaluar nga ato tema që “lëmojnë hënën” tek lavirintet e alegorisë metaforike. Kjo na bën të mendojmë për një ligjeratë, thënë kushtimisht, realiste në vargun e kultivuar dhe rafinuar estetikisht të këtij poeti. Kjo qartësi e ligjeratës, me gjithë vitalitetin e saj, imponohet nga kërkesa këmbëngulëse e autorit që të futet në rrjedhat e poezisë bashkëkohore, karakteristikë e së cilës është prirja që të flasë, të shpreh, të transmetoj mesazhin e krijuesit, por njëkohësisht të mos jetë indiferent ndaj  qenësisë dhe fatit të njeriut në kohë dhe në shoqëri.

Për rrjedhojë, poezia e Milazim Krasniqit privohet nga ekstaza e deklamimit patetik të mesazhit dhe sforcimit të dhunshëm të idesë. Madje lirizmi dhe imazhet (shpesh herë edhe mjaft vizuele) e poezisë së këtij poeti dëshmojnë se kemi të bëjmë me një krijues letrar që botën e tij të brendshme e shfaq ashtu si i fle atij, e jo duke përfytyruar (para)pëlqimin e recepientit (lexuesit), siç veprojnë zakonisht jo pak autorë. Si e tillë, kjo poezi lexohet  lehtë dhe me të mund të (bashkë)jetosh duke u futur në botën e saj magjike, e cila të rrëmben dhe të prin sferave të mendimit dhe përjetimit. Kjo ka bërë që të shumëdimensionohet edhe kuptimësia e figuracionit gjuhësor-stilistik, duke u shtrirë në problematikën e nduarndurshme të jetës urbane dhe ndeshjes së saj të pashmangshme me të kaluarën e heroit lirik.

Vëllimi poetik “Qeshja sardonike”, me tre cikle “Monedha e Gentit”, “Elegji për veten” dhe “Teatër eksperimental”,  hapet me një medalon poezie e emërtuar me titullin e librit të dytë “Pirg vegimi” (një poezi kjo programatike në të cilën projektohet vizioni i poetit rreth mundësisë së krijimit):

           “Shumë herë kur s’mund të shkruash

       Asnjë varg për be

            Je poet i madh

           Pirg vegimi je”

Që të tre ciklet-bazë ndahen pastaj (secili në vete) në tri njësi të tjera (jo vetëm tematike), duke krijuar kështu një parabolë  të “rrugëtimit”  poetik  të ndarë në nëntë “harqe” brenda narracionit lirik. Një konceptim i tillë i librit “Qeshja sardonike” imponon bindjen se poeti e ka projektuar punën e tij krijuese në bazë të një harmonie të brendshme të imagjinuar, duke dashur kështu t’i mbajë “pengjet” e të rrëfyerit lirik brenda kornizave që i (para) cakton struktura përmbajtësore-tematike e këtij libri. Kjo ndarje e llogaritur mjaft mirë nga autori , dëshmon se ai nuk i nënshtrohet inercisë së spontanitetit krijues dhe nuk lejon që libri i tij t’i ngjajë një “magazine” impresionesh me laryshi të ligjërimit poetik, duke dashur kështu të shquaj vetëm ato njësi poetike të cilat në varshmërinë që krijojnë, rrumbullaksojnë edhe “pikëpamjen” thjeshtë estetike në laboratorin krijues të autorit. Edhe pse jo vetëm ciklet më vete, por edhe poezia si njësi paraqitet me një mvetësi të konkretësisë. Prandaj  kur lexohet në tërësi ky libër zbulohet lidhja që më tepër nxjerr në dritë orientimin estetik të poetit. Kujdesi i tillë vihet në funksionin joformal të disiplinës së fjalës, është ky kriteri me të cilin shqiptohet ajo dhe autoritetit që ia imponon krijuesit të saj, folësit të parë.     

Poezia e mirë nuk shkruhet për një çast, por ajo e dëshmon lindjen e saj të përditshme në kohë (madje edhe “shumëherë kur nuk mund të shkruash asnjë varg për be”) dhe kështu e forcon moshën e pjekurisë.

Në kontekstin aktual të prodhimit letrar, ku peozia zë vend qendror, libri i Milazi Krasniqit “Qeshje sardonike” ( bashkë me nja dy –tre libra të poetëve të moshes dhe kohës së tij që u botuan  sivjet nga “Rilindja”), dëshmon koherencën e krijuesit të koordinatave që do të bashkohen në një pike të qartë: në modernitetin dhe origjinalitetin e poezisë shqipe të Kosovës, e cila ka një një mbështetje në bazën e fortë të traditës së saj paraprake (vitet gjashtëdhjetë – shtatëdhjetë: Martin Camaj, Din Mehmeti, Enver Gjergjeku, Azem Shkreli, Besim Bokshi, Ali Podrimja, Beqir Musliu, Eqrem Basha, Sabri Hamiti etj.)   Rruga e lëruar dhe e trasuar nga brezat e krijuesve pararendës dhe inovacionet e shumta për të cilët është shkruar, ka bërë që poeti Milazim Krasniqi me gjeturinë e krijuesit të talentuar t’iu ikë formave shabllonike të verbit poetik, duke mos rënë në grackat e epigonizmit lakuriq, siç kanë vepruar disa emra të brezit të tij, por dhe më herët.

Ndonëse ky poet paraqitet me librin e tij të tretë, në një hark të shkurtër kohor prej pesë vjetëve, vetvetiu na imponohet konstatimi se kemi të bëjmë me një autor që vjen me opus poetik të pashterrur. Për rrjedhojë, edhe libri i fundit “Qeshje sardonike” e konfirmon Milazim Krasnqin si poet me të ardhme të sukesshme krijuese, mbase edhe në zhanret tjera letrare.

                                                (“Bota e re”, 15 qershor 1987)

MUSA RAMADANI, KRIJUES I NJË SHKOLLE VETANAKE TË PERSONAZHEVE DHE  KARAKTEREVE 

(Musa Ramadani, “Satana ma vodhi gurin e urtisë”, botoi “Rlindja”, Prishtinë, 1987)

Tregimet e përmbledhura në librin “Satana ma hodhi gurin e urtisë” e shkrimtarit Musa Ramadani janë vazhdimësi e një konsolidimi autorial në lërimin e zhanrit të prozës (tregimtare dhe romaneske). Në plejadën e autorëve tanë bashkëkohor që kanë sjellur disa vlera të theksuara letrare, Musa Ramadani zë një vend të merituar, duke qenë madje edhe pjesë e një shkolle të mvetësishme krijuese (bashkë me Beqir Musliun, Teki Dërvishin, Ymer Shkrelin e ndonjë tjetër).

Kërkesa dhe interesimi i këtij shkrimtari për ta rinovuar procedun modern të prozës, nuk konsiston vetëm në trajtat ekperimentale të lërimit të këtij zhanri, por edhe në shkrirjen e përvojave krijuese, duke marrë për bazë edhe modelet më të arrira të prozës botërore, përfshi edhe F. Kafkën, H.L. Borhesin, G. Markezin, D, Buxatin, S. Hedayatin, H. Kortazarin, E. A. Po etj. Ndonëse shihet se Musa Ramadani parreshtur meson nga këta autorë, megjithatë shihet qartë se në prozën e tij ai di të ruaj autenticitetin dhe origjinalitein e procedeut narrativ.

Edhe në librin e fundit me tregime “Satana ma hodhi gurin e urtisë”, lehtë hetohet ajo vija karakteristike e figuracionit gjuhësor dhe e shenjave, që e bëjnë të dallueshme prozën e autorit në fjalë. Konceptimi i përvojës krijuese te ky shkrimtar shkon bashkë me thellimin e observimit të tij filozofik e kulturologjik.
Konciziteti i ligjeratës, qartësia e temës, shtrirja e komponuar me sens të duhur e lëndës letrare, elokuenca dhe pedantëria gati estetizuese, janë disa nga veçoritë dalluese teorike – estetike të këtyre tregimeve të Musa Ramadanit, që ruajnë frymën dhe vazhdimësinë e prozës së gjatë të tij (romanet “Romani pa Kornize” – 1975, “Fluroma” – 1978, “Zezona” – 1978, “Ligatina” -1983).

Lehtësia me të cilën rrëfehet dhe transponohet bota tregimtare, shoqërohet me prirjen e autorit që të adaptojë gjuhën e personazheve sipas moshes dhe stausit të tyre shoqëror, moral e etik, shkallë kjo e parë e tipizimit të karakterit të personazhit. Në tregimet e Musa Ramadanit, bie fjala, nuk ndodhë që një plakë në moshë të shtyrë të flet me gjuhën e një gruaje në moshë të mesme, ose një zejtar me përgatitje të ulët shkollore të flet me gjuhën e një intelektuali me përgatitje dhe emancipim superior.  Ligjerata karakterizuese e heroit të tregimit nuk është mjeshtruar nga autori duke i zgjedhur fjalët e rralla të demoduara, ose ato “aktuale” (tipi i demoduar dhe aktual i heroit), por kjo ligjeratë është vënë në gojën e personazheve, varësisht nga statusi i tyre shoqëror e intelektual. Në vend të autorit, flasin vet personazhet me botëkuptimet e tyre filozofike e morale, dhe kjo e bën tregimin e tij një “laborator aktiv” ku ndërthurren karakteret dhe sensibilietet, jo mbi teknikalitetet autoriale të ndërtimit të narracionit, por mbi vet ligjshmëritë e brendshme të formimit të karaktereve veç e veç.

Pikërisht në tregimet e librit “Satana ma hodhi gurin e urtisë” e vërejm praktikisht këtë “laborator aktiv”, ku karakteret lëvizin sipas dinamikës që ata vet e (para)caktojnë, e jo sipas ndonjë deus ex machina nga ana e autorit. Atmosfera frymëzuese që imponohet në tërësinë e rrëfimit, inkuadrimi indiskret i autorit në botën që  e krijon sipas një modeli të etikës altruiste, katarsiset e dramave individuale, janë këto disa nga pistat që të shpeijnë më lehtë në modalitetet e interpretimit të këtyre tregimeve. Fytyrat dhe tipet që i hasim në tregimet e Musa Ramadanit, janë për shumë çka të veçanta, por hasim aty këtu edhe trajta gogoliane, çehoviane e borhesiane të tipizimit karakterologjik të personazheve. Por, ajo që bi në sy te ky libër është se  në të ndeshim personazhe që më tepër u gjasojnë karaktereve të përditshmërisë se sa atyre nëpër libra të autorëve të ndryshëm. Kjo tregon për fuqinë krijuese të Musa Ramadanit që të krijojë shkollën e tij të personazheve dhe karaktereve, por duke mos u liruar plotësisht nga ndikimet inventive të autorëve të tjerë botërorë.

Në përmbyllje të vlerësimit mbi këtë libër me tregime të Musa Ramadanit mund të konstatojmë se rruga krijuese e këtij shkrimtari edhe me këtë vepër, që tejkalon njëtrajtshmërinë e të rrëfyerit konvencional, po rikonfirmon nivelin e kënaqshëm të pjekurisë së tij si autor, që tash më po dëshmohet se është i suksseshëm, paralelisht edhe në prozë, edhe në poezi.

                                                 (“Bota e re”, 15 shtator 1987)

PËRJETËSIMI POETIK I KOHËS


(Qerim Arifi, “Mbyllur në urnë”, botoi “Rilindja”, 1987)

Poezia e Qerim Arifit përbën një botë komplekse të intimes që gjatë procedeut lirik bëhet kolektive. Në poezinë shqipe të viteve tetëdhjetë, që karakterizohet për njëfarë uniformimi gjuhësor e stilistikor, krijimtari poetike e Qerim Arifit përjetohet si një freski e vërtetë, si një libër që duhet vënë në një vend të posaçëm në dhomën e leximit. Mund ta lexosh këtë libër poezish ditë e natë, dhe sërish do të ndjesh nevojë ta rimarrësh në dorë, ashtu siç i ndodhi autorit të këtij shkrimi që kur doli në shitje vëllimi poetik “Mbyllur në urnë” të poetit Qerim Arifi. Ato tridhjetë e tri poezi që përbën ky libër, mbushullojnë me thellësinë e një suptiliteti lirik, i cili karakterizon zërin e disa poetëve botërorë, që mund t’i numërojmë me gishtërinjtë e njerës dorë.

Poezia e Qerim Arifit brenda kopertinave të librit “Mbyllur në urnë”, është poezi e jashtëzakonshme. Këtë konstatim tonin, që dikujt mund t’i duket pretencioz ose i pamatur, kritika jonë letrare mund ta konfirmojë, nëse jo sot, nesër me siguri. Madje edhe poeti, përmes vargjeve të tij flet për një të ardhme  që ai e projekton me ngjyra si të një “behari të humbur”:


          “Një ditë do të vijë behari i humbur,
           në mos i tëri atëherë vet
          Një pjesë e tij si burim i vonuar në shpirtin e tharë”

Freskia dhe shlirërisa e ligjeratës, jepet me qartësinë maksimale të shprehjes poetike, por edhe si nevojë e poetit të komunikoj me lexuesin (në fund të librit), me një çast që si fiksion dhe si opsesion del nga tabllot reale të jetës së përditshme, si dëshmi jetësore para akëcilit anonim se ekziston jeta, kurse për poetin – poezia.

       “Radioja këndon një këngë: vetëm kënga ime dëgjohet…
              Për mua kjo jetë tash e tutje është dënim”
    

Prej nga pra gjithë kjo fuqi vullkanike e faktit “jetë”në tabllon e një universi aq të përvetshëm, vetiak, karakeristik? Me kë e “kolektivizon” intimën e vet poeti? Me kë bisedon Qerim Arifi? – duhet pyetur, sidomos kur na mbushet mendja se drejtpërdrejtshmëria e ligjeratës në rrëfimin e tij poetik, thua se me këmbëngulje të paepur kërkon nivelin e gjuhës së kuptueshme, si një frikë se mbetet e pathënë esenca dhe porosia e fjalës. Kësaj radhe si duket poezia është një atmosferë e “zgjedhur” e faktit të dhënë jetësor, është ajo që tregohet duke u dëshmuar me vetveten si ad acta, më shumë me paraqitjen e saj, se sa me stolitë e petkave që “vesh”, më shumë sesa me fjalë të zgjedhura, më shumë se me përpjekjen  e mjeshtrit që t’i perfeksionojë këto fjalë si stoli të mendimit.

Çka bën muzika pa fjalë? Çka bën ngjyra pa muzikë? Çka bën mermeri e bronzi me argjilën, pa ngjyrë e muzikë? Çka bën poezia pa muzikë? Ekziston arti i vërtetë: mjeshtri! Fakti se ai dëshmohet i tillë me vërtetësinë e fuqisë të ngrihet mbi ata që s’mund t’i vejnë në harmoni kakofonitë e prozaikës. Poeti i vërtetë tregon një “ngjarje” thuja “efemere”, me fjalët e ditës që t’i kuptoj secili njeri i bukës, por tregimi i tij është i mbushur plot shqetësim  deti me rremti, ulurimë malesh netëve me shi e stuhi, famfare e fishekjzarre, festash parajsore, që të gjalla i bën vetëm imagjinata e bezdisur, kroje që nuk shterren as viteve të thatësisë… dhe njomin kështu “shpirtërat e tharë”.

Drejtpërdrejtshmëria e rrëfimit lirik të Qerim Arifit është një shpërthim spontan, që përjashton çdo pozë dhe çdo formë, që si petk i retorikës do të stoliste mangësinë e sublimatit të pasur poetik. Pikërisht thellësia dhe njomësia shpirtërore dhe sinqeriteti i rrëfimit bëjnë që të ngrihet mbi ato normat që si konvenca mbizotërojnë ndjenjën dhe mendimin, të veneruarit dhe të përjetuarit. Vëri vesh pipërimës së gjethit kur dridhet në pikën e vapës, në mes të ditës,  atëherë kur asnjë puhizë më e vogël nuk e lëkund paksa perden e dritares, në dhomën ku mjeshtri “jetën nuk e jeton por e këndon”.

Qerim Arifi është individualitet krjues që poezisë së sotme shqipe i jep frymën e vet karakteristike duke përjetësuar në thesarin e saj tipin e krijuesit si ata që në letërsitë e pasura me jetë të shkruar dalin me ekskluzivitetin e paraqitjes, në kuptimin më të mire të këtij fakti..Si ekzistonte Poe, Malarme, Pushkini dhe Leopardi edhe kjo “radhitje” nuk e vë rëndësinë sipas volumit kuantitativ të paraqitjes së tyre, por ekzistimit të tyre mbijetësimti që arrin qenia poetike.

Në librin e fundit të Qerim Arifit paraqitet sublimati i poezisë në “fiksmin” e një çasti, një jetë si regulativë e fakteve të thëna, të dëshmuara, si një konkretësi dhe realitet që tejkalon qartësinë e shprehjes së kësaj poezie. Sepse kur jeta pushon të bëhet “fakt” i kalueshmërisë, i evolucionit dhe ndryshueshmërisë, ajo bëhet konstruktive si ad acta, i mbështetjes në normë, ligjit të prozës dhe marrëdhënieve shoqërore, etike dhe morale. Si Poe, si Malarme, si Migjeni, si Prenushi, si Hedajati. Sublimi i poezisë është përjetësimi i këtij çasti. Ky çast dhe kjo poezi nuk do të pushojnë të na rrëfejnë me gjuhën e drejtpërdrejt të Orfeut, që ka marrë rrugën në këmbë nga Presheva në Prishtinë, dhe nga …rrugët më të ndritshme të “sihariqit” që ia lë në dorë lexuesit, sot e nesër si gjithmonë.

Në përputhje me ato që u thane më lartë, poezia “Jeta si denim” (fq. 13) përjashton edhe dromcën më të mundshme të pesimizmit: drita në zemër të poetit, me fjalën e freskët e shpall dashurinë ndaj V-së (kjo Vashë nganjëherë në këtë poezi paraqitet si lule mali e pranverës, me ngjyrën e saj të syve Vjollcë) dhe jeta shndërrohet në dashuri. Ngrohtësia optimiste e poetit shprehet me personifikimet e luleve dhe ujit. Dhe kthehemi në fjalën që na mbetet në kujtesë, si fuqi e vërtetë: “do të vijë behari i humbur”.

/”Bota e re”, 1987

HARMONIA E SISTEMIT POETIK

(Selman Jusufi, “Ura me litar”, botoi “Rilindja”, Prishtinë, 1986)


Posa të lexosh opusin krijues të Selman Jusufit, do të fitosh bindjen se ke të bësh me një poet kërkimtar, me një poet i cili brenda kopertinave të librit shtron idetë me zhvillim të arsyeshëm poetik. Një zhvillim kësisoji ndoshta duhet kërkuar edhe në vet natyrën dhe seleksionimin e verbit poetik, në insistimin që vazhdimisht pozitën e këndvështrimit ta vë mbi preokupimet intelektuale e njerëzore të unit lirik.

Në të tri vëllimet poetike të Selman Jusufit (“Pa orë”, “Akti i heshtjes”, “Ura me litar”), siç vumë në dukje pak më lartë, zhvillohet ideja, konstituohet ajo mbi një të folur të motivuar poetik e që si e tillë krijon një efekt kontrapunktues brendapërbrenda qarkut tematik e vëllimor. Ky efekt gradualisht ngre probleme  të cilat autori i seleksionon dhe i vë në një kontekst mjaft funksional. Në shikim të parë, vëllimet e përmendura ndoshta paraqesin botë të ndara poetike, mirëpo kjo përshtypje do të ndryshoj posa ta kemi lexuar vëllimin e fundit “Ura me litar”.

Jo rastësisht këtë vëllim po e vështrojmë në kontekst të një përbërje më të gjerë. Lënda si dhe mesazhet që ofron ky vëllim vërteton thënien e pashkruar se një libër mund të shkruhet disa herë. Selman Jusufi një vetëdije të tillë krijuese e zbaton  jo pse ndien nevojë që ta perfesksionojë të folurit poetik dhe elokuencën e të shprehurit, por për arsye se imanencën krijuese e vështron si një sistem poetik, si një poetikë që mbështetjen e ka në të vërejturit alkimik të botës dhe sendeve. Derisa te vëllimi i parë, e më tepër te i dyti, vërehet një ligjërim poetik që përdor mjete ekstra letrare, por që aspak nuk e lëndon spontanitetin e kuptimit dhe vrojtimit, në vëllimin e tretë sikur gjejmë një përmbyllje të një faze krijuese ku si nevojë e eksplikimit krijues del figurativiteti i shprehjes poetike. Në këtë vëllim kemi një konsolidim të theksuar të atmosferës krijuese, e cila sillet brenda këtyre konturave: insistimi për t’i ikur vetmisë, vetëdijësimi intelektual dhe gjakimi i nevojave hymnizuese të artit në funksion të flijimit dhe kërkimit (Cikli “Ringjalla e feniksit”), revolta ndaj një  disharmonie të sistemit të vlerave shoqërore, evokimi i ambientit rural etj.
Distanca e vrojtimit të problemeve dhe sendeve në këto poezi na jep të kuptojmë se poeti ka arritur të sublimojë eksplikimin deri në atë shkallë, sa figurativiteti i shprehjes krijohet në bazë të copëzave evokuese por edhe të vizionit. Si e tillë kjo distancë del mjaft e natyrshme dhe nuk krijon kurrfarë prishje të raportit midis objektit poetik dhe kohës.

Libri “Ura me litar” sajohet prej shtatë njësive ciklike (“Lumi që ndriçon”, “Yjet që s’bien, “Ringjallja e feniksit”, “Uji i përkushtuar”, “Pastorale”, “Idilë”, “Mjeshtria e harrimit”). Përfytyrimi që krijohet pas leximit të këtyre njësive ciklike konsiston në një sistem të paramenduar të poetit. Shkalla e emocionalitetit, këtu vjen duke osciluar, me rënie dhe ngritje. Por kjo nuk është ajo e qenësishmja. E qenësishme për një sistem të tillë është se problemet që ngriten aty kanë zhvillim të brendshëm zinxhiror. Derisa në ciklin e parë plasohen disa nga idetë kryesore, në ciklin e fundit këto ide sikur predimensionohen dhe marrin një rrafsh të ri komunikues – eksplikues. Ideja teksti poetik del si sintezë e problemeve, apo si ide -sintezë reprodukon mikrokosmosin në makroplan. Ç’do të thotë kjo?

Unin e tij, poeti e identifikon me gjakimin e qenies e cila me çdo kusht don t’i ikë vetmisë, insiston për hapësira të reja ekzistenciale dhe të gjitha këto duke i përcjellur me modusin njerëzor e intelektual të qëndresës:

                 “Çka po doni?
                       të rrëzohem i pavlefshëm?
                        prej pragut tim dikur
                        keni marrë rrugën e gëzimit
                        e dijeni:
                       guri nuk kalbet
                       uji nuk soset”

                                          (Mulliri, fq. 21)


Si çdo art tjetër, edhe arti i poezisë ofron mundësi të shumta të interpretimit – leximit, por edhe të përjetimit. Duke u nisur nga këto aspekte, mund të thuhet se edhe poezia e këtij libri çel shtigje prej nga mund të dalësh atje ku dëshiron. Në këtë kontekst mund ta vështrojmë, bie fjala, edhe poezinë “Katarakti” të  ciklit të parë e cila është e ndërtuar mbi një ide të fortë: zhvendosja hapësinore si mundësi për kreacione të reja. Katarakti këtu pyet, po edhe proteston. Ai megjithëse e di se kush e mban varë këtë pyetje, sërish e kthen në monolog eksplikues:


                 “e s’dua të rri shtrirë
                  si në hole”
                                       (Katarakti, fq. 18  

Një shkallë më e lartë sa i përket evidentimit të nuancave mikrokosmike, të vështruara këto në plan intelektual e njerëzor, gjendet cikli dytë “Ringjallja e feniksit”. Në fokusin e karakterit mitologjik të tekstit të poezive të këtij cikli, poeti nxjerr dimensione që degëzohen dhe që grupëzohen  në disa “punkte” fabulative-poetike. Përmes Homerit, Orfeut,  Narcisit, Sizifit, Herkulit, Penelopës etj. ndërtohen tekste resemantizuese. Të shpeshta janë rastet kur në këto poezi shfaqen edhe sintagmat semantike versifikative, si:


“po del të folurit e urtë
……………………………………..
urtinë e përkund liria
……………………………………….
lirinë po e përkund urtia”


Problamtizimi i rrafsheve resemantizuese në këtë poezi del të jetë nevojë imanente-krijuese e poetit, me çka synon të dëshmojë një shkallë të caktuar të pjekurisë kolektive, por edhe një ngritje graduale kah intelektualizimi i jetës. Sentencat për urtësinë, për mendimin e kultivuar popullor shkon në pajtim me “Fotografinë” e botës mitike.

Poeti Selman Jusufi në poezitë e këtij vëllimi ofron edhe tabllo nga ambienti rural. E rëndësishme për një qasje të tillë është se këto tabllo nuk paraqiten në mënyrë të sforcuar, por ato sillen në formë të kujtimeve të largëta. Ciklet “Pastoralia” dhe “Idilë” ndërtohen mbi këtë ide dhe si e tillë ajo vjen si freski e brendisë së librit. Kjo është vënë në funksion konceptual dhe aspak nuk ia ulë vlerën librit.

                                                (“Bota e re”, 15 dhjetor 1987)


MAGJIA CIKLIKE E ANTIEPOPESË SHQIPTARE



Romani modern shqiptar zhvillimin e vet si art dhe si zhanër arriti ta realizojë në saje të dekanonizimit të përvojës së rrëfimtarisë së trashëguar. Trajta gjenerike e një zhvillimi të tillë para së gjithash korrespondon me ligjërimin si tip i kodit kulturor brendapërbrenda eposit nacional. Kjo tendencë tipologjike manifestohet jo vetëm si kërkim këmbëngulës i modelit kritik të romanit, por gjithsesi edhe si empiri estetike në kuadër të unitetit të varianteve tekniko – narrative.

Përkufizimi i rrëfimtarisë moderne ontogjenezën e vet nuk do ta ndriçonte nëse në të njëjtën kohë nuk bën diferencimin në mes të standardeve strukturore letrare. Romani modern shqiptar i shikuar nën prizmin e kërkesave ekskluzivisht estetike, përjashton dilemën e shtruar në formë të kufijve përkufizues që prekin pyetjen esenciale: Në ç’shkallë gjendet origjinaliteti i artit të romanit modern shqiptar?

Rrathët e kësaj dileme do të shprishen posa ta kemi lexuar romanin më të ri të “Udhëtimi arbdhetar” të Zejnullah Rrahmanit, projekt ky që mbështetet mbi finesat e shkrimit autentik të anti-epopesë shqiptare. Atraksioni stilistik e estetik që solli Zejnullah Rrahmani (sidomos me romanin “Sheshi i unazës”)  kësaj radhe jo vetëm se do të plotësohet me një imazheri narrative emblematike, por njëkohësisht në brendinë kompozicionale të rrëfimtarisë lë hapësirë për një frymë  të re të ligjërimit.


1. Utopia negative

Cikli i kërkimit të përditësuar të temave që prekin çështje të identitetit nacional, në romanin “Udhëtimi arbdhetar” të Zejnu-llah Rrahmanit locohet në një hapësirë të hapur, në një rrafsh me progresivitet gjemometrik të thyer. Me një shprehje totale të sin-tezës ligjërimore, ky roman shpalos variantet e mundshme të vulës lëvizëse nëpër hartën e kërkimit diksursiv. Format rudimentare të tekstit  (përmes krahinarizmave stilistike, shprehjeve kanunore, frazeologjisë popullore etj.) që ndërthuren mbi baza të shumllojshmërisë stilistike, funksionalo-narrative, etnogjuhësore, simbolike sajojnë ekstrapolacionin e utopisë negative e përthyer  nën prizmin e konkludimit të artistit i cili njohuritë e veta nuk i mbështet vetëm në vrojtim por edhe në gjurmim konkret.

Magjia e këtij udhëtimi reflekton nuancat filozofike të së vërtetës deduktive, reagens që vepron brenda fushës së emancipimit të autonomisë së artit të shkrimit. E panjohura nuk shikohet si kategori absolute e dyshimit dhe skepsës, ashtu sikundër nuk mbyllet edhe horizonti i gjakimit për ta zbuluar të bukurën brenda sistemit të vlerave standarde. Aveniri i krijuesit identifikohet me horizontin shumëdimensional të pritjes në kuadër të trinisë emëruese: “Njih, duaj dhe ndërto atdheun”. Dhe ky avenir nuk projektohet si diçka që zbehet, korozohet, por vetëm shëmbëllehet në fytyrën objektive estetike të modeluar në formë të pejsazhit dekorativ, bukurisë së femrës, identitetit të gjakut dhe gjuhës, inspirimit antik për gjenelaogjinë kolektive-kombëtare etj.

Ballafaqimi i dy botërave paralele, i botës së njëmendësisë  dhe botës së librave, lëviz në kontekst të porosisë fragmentare të tekstit. Zhvillimi i porosisë nuk ka ecuri fine sepse raporti në mes të etosit dhe etnosit nuk shikohet si raport normal por si diçka që vazhdimisht është brejtur nga brenda. Ideja themelore e ekzistencës, e shkëndijuar fillim e mbarim romanit, brumoset bashkë me vështirësitë e ndërtimit të tërësisë së shpirtit kombëtar të shqiptarëve. (“Disa kohë nuk mund të kuptohej plotësisht a thua çështja e syrit të lig a po ringjallej për të kthyer besimin e vjetër që qe shndërruar në kujtime dhe rituale të zbehta, apo kështu krijoheshin rrethanat sërish nëpër djegie, për turra drush, ose për diçka të re të ngjashme e cila do të linte pas vetes shkrumb shtëpish dhe njerëzish”, fq. 64)

Epizodizmi historik shumënivelësimin e vet e arrin atëherë kur kuptimi përmbajtësor zbret në rrafshin real të njohjes dhe vetënjohjes. Rezultatet negative të njohjes dhe vetënjohjes determinohen brenda kornizave të sinopsisit mbi mashtrimin shekullor të shqiptarëve, me zhgënjimin që sjell e vërteta për mosrealizimi e ideve themelore të kombit.

Zejnullah Rrahmani edhe pse ngrihet në ginshtërinjtë e këmbëve për ta kapur gjysmëvetullën e hënës së ngrysur prapa  bjeshkës që ndan klithmat e arteriereve të gjakut, ai megjithatë është i vetëdijshëm për pasojat që sjell pozicioni joadekuat i sintezës historike, sepse, siç do të thotë ai  “ një formë kryesore gjithëkombëtare s’mund të vazhdonte në cilëndo gjysmëtokë shqiptare, as në Shtet, as në Robni” (fq. 103).

Mospranimi i idesë së ndarjes dhe përpjekjet për të vendosur lidhjet e këputura që do të ndihmonin në kapërcimin e greminës së hapur nëpër qiell e nëpër tokën e viseve të atdheut, në roman dalin në formë të reminishencave të një jehohe që kthehet posa të jetë goditur në kodrën përballë. Episodi i tillë funksionalizohet në saje të idesë komplementare të përngjtjes së horiziontit të copëzuar të pritjes.

2.Palimsesti i humbur ose piktakimi i kohëve


Shkalla e krijimit të kodit vlerësues brenda etnospsikologjisë së gjurmimit të nënshtresave historike-filozofike pritet nga diagonalja e kohës konkrete. Bartës të kësaj lëvizjeje strukturore janë linjat fabulative paralele të romanit, të zbërthyra brenda trinisë emëruese: njih, duaj dhe ndërto atdheun . Bashkë me udhëtimin e subjektit tregimtar, në këtë mënyrë zhvillohet edhe procesi i shkallëzimit të përvojës, qoftë edhe në raste spontane, sikundër janë pasazhet e eksplikimit të botës intime të personazhit-ide. Situatat dialogjike në këto pasazhe funksionalizojnë shprehjen ligjërimore si dhe lëndën e eksplikimit të një materieje të vjetruar në terrenin e memories gjuhësore dhe arkeologjike. Monumentalizimi i memories gjuhsëore ngrihet mbi sfondin e arketipeve etnospkilogjike që nga koha parakanunore e deri në ditët e sotme.    

Udhëjeta e idesë për piktakimin e kohëve rudimentohet në formë të palimsestit të humbur dhe gjakimit për të krijuar një vizion më të plotë mbi mbushjen e hapësirës shpirtërore kombëtare me kuptimin e shenjtë të shkrimeve dhe toposeve. (“Në rrugë e sipër duke hetuar nevojat, sidomos materiale, të cilat mund të ishin si një hyrje në mundësinë e afrimit dhe të konstruksionit të qenies së përbashkët shpirtërore, në mundësinë për të lidhur lidhëzat e zgjidhura, për të rivënë në jetë veprimin e përbashkët të shkëputur. Për këtë qëllim u caktuan pikat që u shënuan si pika me interes të jashtëzakonshëm pelegrinazhi, p.sh. Dodona, Shtëpia e vogël në Liqenin e Janinës ku pabesisht u  vra Ali Pasha, Shkambi i vajzave të Sulit, Ujdhesa Hidra etj”.(fq. 193). Dhe kështu, përderisa në romani “Zanoret e humbura” takojmë idenë e kërkimit të pjesëve të zëshme të  qenies kombëtare, në romanin  më  të ri, “Udhëtimi arbedhetar”, të Zejnullah Rrahmanit, kjo ide zhvillohet në drejtim shumëkahësh që do të rezultonte me gjakimin për ta penguar çthurrjen e dhunshme shpirtërore e materiale të kombit përmes homogjenitetit hapësinor të koloritit të të folurit, ose siç do të thoshte etnospikologu amerikan Del Hajmz “etnografia e të folurit”, pastaj të rezonuarit sipas mbamendjes etj.

3. Alkimia e figurshmërisë narrative

Tipologjia e funksioneve ligjërimore e brumosur me një kulturë sensibile dhe e shoqëruar me kontekste simbolike, në romanin “Udhëtimi arbedhetar” e zhvillon gradacionin ciklik të njësive syzheore. Këndi i eksplikimit të njësive syzheore ka pozicion specifik. “Rrëfimi pa ndërmjetësim” që zhvillohet në kuadër të këtyre njësive realizohet duke zbatuar me përpikmëri triadën aristoteliane (ethos – logos-  pathos).

Zejnullah Rrahmani fatumin historik dhe aktual e bart bashkë me metatezën mbi romani si “histori e trilluar”. Fuqia vepruese e kësaj metateze nuk shkon gjithmonë në lakuriqësimin e aktualitetit, ndonëse diskursi që integron fushat e caktuara semantike të tekstit ka prirje të anojë kah ironizimi i aktualitetit. Toni i funksionit kritik-vlerësues tani shndërrohet në mimetikë mbi tragjizmin e jetës. Në këtë kontekst, ky roman mund të lexohet njëkohësisht edhe si letërsi, por edhe si manifest i përmbysjes së shikimit të dëshpëruar, qoftë edhe atëherë kur në strukturën narrative të tekstit bëhen prerje që simplifikojnë ngrysjen shpirtërore dhe letargjinë kombëtare.

Parabola fabulative e romanit “Udhëtimi arbdhetar” ndërtohet mbi një ekuivalencë të paramenduar estetike ku rrafshi i zgjerimit, thellimit dhe problematizimit të temës së ekzistencës shtrihet  deri atje ku si feniks lindin shkëndijat e një mekanizmi mbrojtës nga zhbërja dhe zhdukja. Krahas përvojës tragjike që procedohet në thelb të fabulës, paralelisht e shohim të nxjerr krye edhe një përvojë e re e rindërtimit të strukturës së brendshme të perceptimit të historisë dhe aktualitetit. Vëzhgimi aktiv i fenomeneve aktuale në jetën e shqiptarëve i jep të drejtë shkrimtarit të nxjerr edhe konkluzione artistike, duke mos e lënduar spontanitetin e shprehjes dhe alkiminë e figurativitetit gjuhësor.

I gërshetuar si shprehje e një modeli shumdimensional, romani më i ri i Zejnullah Rrahmanit nuk mëton të jetë rob i një kanoni teoriko-estetik. Përkundrazi, në strukturën e tij hasim shtresa kompozicionale dhe karaktere personazhesh që mund të lëvizin shlirshëm brenda tipeve të shumta të eksplikimit të natyrës narrative. Totaliteti i sintezës ligjërimore aspak nuk e çrregullon linjën e dendur fabulative e cila sajohet përmes poetiksë së hapësirës dhe shumtrajtshmërisë së kohës. Për rrjedhojë, e gjithë kjo duke qenë në korrelacion të ngushtë me marrëdhëniet dialogjike e monologjike të personazhit-ide.

“Flaka e vëllazërimit”, 30 prill 1993

ROMAN I SFIDËS SË MADHE MORALE

Cilësia e “pikturimit” të jetës në veprën letrare të Murat Isakut ka qenë dhe është objektiv  i fiksuar në dorën e gjurmuesit të pasionuar.Vija e këtij gjurmimi përshkohet edhe në romanin më të ri “Rrengu”, roman ky që plotëson me sukses tabllon tematike–stilistike të këtij shkrimtari. Për dallim nga romanet e mëparshme të Murat Isakut ku dimensionimi i dhembjes dhe krajatës së njeriut të këtij ambienti kapte nivelet e antropologjisë sociale e etike, në romanin më të ri ky dimensionim zbret në nivele edhe më të thella, atje ku takohet e mundshmja me të pamundshmen, vdekja me jetën, mëkati me pendimin, e vërteta me mashtrimin etj. I vrojtuar nga ky aspekt, ky roman do të thoshim se nuk është paraqitje e rastësishme në qarkun e preokupimeve krijuese të autorit, dhe si i tillë manifeston gjeturinë për të begatuar diagramin e tipeve dhe modaliteteve tematike-motivore.

Nevoja për të zbuluar parantezën psikologjike të njeriut të këtij nënqielli, nënkupton edhe kërkesën imanente të shkrimtarit Murat Isakut që ta shpie deri në fund thurjen artstike të rapsodisë epike të etnikumit. Për rrjedhojë, “Rrengu” është vazhdim i eksplorimit të penës së etur, por edhe piktakim gjakimesh mbi përvojën jetësore të sedimentuar në formë të objektit artistik. 

1.Vdekja pa dëshmi

Tërësia strukturore e romanit  “Rrengu” ndërtohet mbi idenë e kërkimit të identitetit të prejardhjes gjenalogjike. Përmes fytyrës së Afshës, romani tematizon kronikën e fëmijërisë së grabitur në emër të vizionit  të një bote të çthurrur. Pikënisja e zbërthimit të kësaj kronike kufizohet me rikonstruimin e rrethanave të vdekjes së Ajshës, të bijës së mulla Ibrahim Efendiut.

Rrafshet narrative shtrihen në disa vatra rrëfimore prej nga shndërrit gjakimi për të vërtetën e maskuar. Memecllëku i Xhelal Prejës, i dënuar 30 vite burgim të rëndë dhe me tortura morbide, qëndron zvarrë si shpatë mbi qafen e atyre, të cilët të vërtetës i frikësohen më tepër se vdekjes. Në këtë kontekst fajësia e shpifur dhe fshehja e krimit do të mbledhin nyjë penjtë e lëmshit të madh të quajtur: vdekja pa dëshmi. Prej këtu shkrimtari ndërton edhe vizionin në formë të tezës filozofike që thotë se njeriu në fillim duhet të humbë gjithçka për të gjetur vetveten. Afsha, e  bija e Ajshës së mulla Ibrahim efendiut, duke e kërkuar pjesën e humbur të identitetit të saj, zbulon mekanizmin e madh të bluarjes së fateve njerëzore, të fateve të atyre që ishin në anën e  kundërt të vdekjeve të mistershme.

Hija e identiteti të Afshës prek edhe muret e trasha të burgut “Gryka e Gjarpërit” që ndodhej në Shkretëtirën pa Emër. Me burgosjen e Xhelal Prejës burgoset edhe kjo hije. Edhe pse Xhelal Preja është i privuar fizikisht të flasë (atij ia kanë prerë gjuhën), tek ai forca e ndjenjave të pastra korrespondon me një të folur që rrënjët i ka thellë në pamundësinë për të luftuar demonin-shkak: të vdekjes së Ajshës dhe të burgosjes së saj. Diku në eterin e kësaj korrespodence paraqitet silueta e Afshës, absolvente e Orientalistikës, e cila duke gërmuar në themelet e identitetit të saj prek në fortësinë e një fakti që lidhet me pafajësinë e Xhelal Prejës (ai akuzohet për vrasjen e Ajshës, të bijën e mulla Ibrahim efendiut). Hamendjet, dyshimet, rezignimet e saj në argumentimin e  këtij fakti  do ta detyrojë atë të thellohet edhe më tepër në historinë e krimit të kryer mbi nënën e saj. Ajo në fillim është e vetme dhe me vete ka vetëm rininë dhe entuziasmin e vajzës që do të jepte gjithçka për të zbuluar rrënjët e saj. Udhë paralele e këtij deshifrimi paraqitet edhe barra e mistershme që rëndon mbi dosjen e zbrazur të atësisë. Afsha nuk e di se kë e ka baba, ashtu sikundër nuk e di shkakun dhe rrethanat e vdekjes së nënës së saj. Fëmijëria e saj bonjake dhe rinia e kapluar me temën e madhe të kërkimit të identitetit, mbyllin harkun e një horizonti paradigmatik prej nga shihet simetria e përmbajtjes jetësore të njeriut që bën luftë të vazhdueshme brenda forcave të refuzimit etiko-moral.

2.Alegoria e katarsës

 
Elementet estetiko-poetike të romanit “Rrengu” implikojnë instrumentumin e kërkimit të anës së dytë, të fshehur, të jetës. Struktura e këtij koncepti sa është fizike, aq edhe shpirtërore, madje edhe psikologjike. Skenari i krimit që kaplon nën rrjet një ambient të tërë dhe disa gjenerata njerëzish, zbulon aspiratën e errët të njerëzve mbi monopolin e frabrikimit të iluzioneve satanike. Disonanca që manifestohet në formë të plasaritjeve morale të iluzionistëve satanikë, sikundër janë: Kasum Sahiti, drejtori i burgut “Gryka e Gjarpërit”, Kara Hasani, xhelat i të njejtit burg, sheh Sadiu, kalander në tyrben “Xhan Insan mybarek Baba”, major Rrahman Mevludi, dezertor lufte, në njërën anë, dhe Xhelal Preja, Afsha, baba Qamë, Metë Prokshi, muftiu i kasabasë, në anën tjetër, projektohet në bazë të idesë mbi haraçin shpirtëror të flijimit dhe pendimit. Kështu në faqen 166 të romanit shohim se si Kasum Sahiti pëson një thyerje shpirtërore duke kërkuar nga ish i dënuari, Xhelal Preja shpëtim prej vdekjes. Ai madje shkon aq larg sa kërkon të mësojë “se si nuk vdiset”, ose si iket nga vdekja. Ngjashmëri me këtë gjendje shpirtërore kemi edhe atë të Kara Hasanit, të cilit i është mërzitur mjeshtria e fikjes së jetërave të njerëzve, ndaj kërkon që të bëhet çaush në varrezat e Bazhdarhanës.

Çlirimi nga ndjenja e fajësisë kriminale udhëhiqet me mekanizmin e katarsës së vonuar. Mesazhi përfundimtar i romanit zbulon pikërisht falsitetin e kësaj katarse, sepse pasioni shtazarak për të mbijetuar me çdo kusht në dëm të tjetrit, jo vetëm që konfirmon fajësinë por demistifikon edhe fshehtësinë e krimeve të kryera mbi njerëz të pafajshëm. Kamuflimi i destruksionit institucional, i identifikuar përmes burgut “Gryka e Gjarpërit”, duke shpikur fajtorë kujdestarë (Xhelal Preja), prek konturat e vrazhdësisë së motivuar nga synimet e sëmura të njerëzve, me ç’rast viktimë bie ai që është më i dobët dhe më larg dorës së pushtetit. Mirëpo intenca e romanit është të tregoj pikërisht triumfin e çiltërsisë morale e shpirtërore të njeriut mbi vrazhdësinë dhe destruksionin institucional (“Kësaj radhe, jo më Xhelal Preja, por para gjyqit do të dalë tërë ndërgjegja e sëmurë e kësaj epoke: tregtia me fate njerëzish, pazari me skenarë, prapskena me tuxharë – tërë ai montazh monstruoz i shkeljes së të drejtave të njeriut.”, fq. 221)

3.Pafajësia dhe dheu i vendlindjes

Labirinthi i enigmës rreth vdekjes së Ajshës është i mbushur me errësirën e ngjarjeve dhe pasioneve njerëzore. Në prapavinë e kësaj errësire zhvillohet konflikti i dy botërave të kundërta: i botës së progresit dhe botës së destruksionit njerëzor. Burgu “Gryka e Gjarpërit” shndërrohet në arenë dyluftimesh midis këtyre dy botërave. Bartësit e idealit dhe mospërkuljes në mënyrë sentenciale (poeti Abu Xhabir) sfidojnë ritualet e vdekjeve makabër. Përmes asociacioneve dhe vizioneve imagjinative krijohet edhe një komunikim intensiv në mes të atmosferës së burgut “Gryka e Gjarpërit” dhe tempullit “Xhan Insan Mybarek Baba”. Në funksion të plotësimit të njeri tjetrit, këto dy institucione të hierarkive të ndryshme shtetërore, jo vetëm që i japin dhe i marrin njëri tjetrit, por ato sikur kompenzojnë zbrazëtitë e njëri tjetrit. Gjeneza e krimit të kryer mbi Ajshën e mulla Ibrahim efendiut lidhet pikërisht me një mur te tempulli “Xhan Insan Mybarek Baba”, ndërkaq në burgun “Gryka e Gjarpërit” vuajnë dënimin edhe njerëzit e këtij tempulli, pikërisht ata që kanë kaluar nëpër sitën e saj të ndryshkur, në pikëpamje morale.

Romani “Rrengu” duke shkuar gjurmëve të këtij konstelacioni, zbulon prapavinë e një konkludimi absurd: papastërtia shpirtërore e tempullit  “Xhan Insan Mybarek Baba” bëhet barrë edhe e atmosferës së burgut “Gryka e Gjarpërit”. Sikur të mos kishte ndodhur krimi në këtë tempull dhe sikur trupin e Ajshës së vdekur të mos e kishte gjetur pikërisht personi që më së paku e dëshironte vdekjen e saj, sigurisht se as në burgun “Gryka e Gjarpërit” nuk do të ekzistonte tërë ajo filozofi e ritualeve të vdekjeve të dhunshme.

Me këtë dëshmohet artistikish thellësia e kontradiktave në sistemin e shkatërruar të vlerave të një shoqërie. Ekstremet morale e shpirtërore të këtij sistemi janë njëherit edhe parametrat e një amplitude të madhe të fenomenologjisë së krizës së identitetit shpirtëror të një shoqërie apo ambienti të caktuar.

Romani “Rrengu”, gradacionin e vet fabulativ e zhvillon në formë të kompozicionit unazor. Lexuesi shndërrohet në vëzhgues aktiv të fatit të heronjëve kryesorë. Teknika e këtij receptimi modelohet sipas rrjedhës së lumit të furishëm që është i pamëshirshëm ndaj shtratit të vet, qoftë edhe atëherë kur ai nuk mund të përballojë intensitetin e rrjedhës. Plasaritjet që paraqiten gjatë udhëtimit të kësaj rrjedhe metaforike krijojnë tek recepienti (lexuesi) ndjenjën misterioze të kërkimit të linjave kryesore të veprimit. Zhdukja e Xhelal Prejës kah fundi i romanit sikur fuqizon pjesëmarrjn e lexuesit në gjetjen e gjurmëve të tij. Pikërisht kur lexuesi pret të shpallet publikisht pafajësia e tij, e me këtë edhe rehabilitimi moral i tij, autori zgjedh një rrugë tjetër të eksplikimit të pafajësisë së tij. Mungesa e Xhelal Prejës  sfidon jo vetëm kërkuesit e etshëm të jetës së tij (Kasum Sahiti dhe Kara Hasani) por edhe vendin e zbrazur të kryeudhëheqësit të tempullit “Xhan Insan Mybarek Baba”, ndonëse në fund zbulohet se vrasës i Ajshës nuk ishte Xhelal Preja, por dezertori i luftës, majori Rrahman Mevludi, i cili është njëherësh edhe më larg kërkesës elementare të shpalljes së pafajësisë. Tani Xhelal Prejës nuk i mjaftonte vetëm pafajësia, por atij sikur s’i mjaftonte edhe dheu i vendlindjes, ku edhe orientohet ta mbyll jetën e tij. Virgjëria e këtij koncepti filozofik del mjaft spontane, kurse shkrimtari Murat Isaku tregohet, në këtë mënyrë, seleksionues i kategorive substanciale brenda shpirtit dhe afiniteteteve imanente të njeriut. Autori zatën nuk do ta mbyllte ndryshe romanin, sepse këtë mbyllje e sugjeron edhe vet titulli i tij.


“Flaka e vëllazërimit”, 7 maj 1993

E PATHËNA SI PAROKSIZËM TRAGJIK

Poezia si lëndë konkrete mimetike e përvojës njerëzore asnjëherë s’pushoi të jetë njekohësisht edhe manifestim i tendencës për ta paraqitur jetën në një ekran të ekzagjeruar. Poetika e këtij koncepti filozofik mbase burimin mund ta ketë në aksiomën e Gustav Jungut se: “Jeta jonë shpirtërore është pjesë e natyrës dhe është e pakufishme”. Poezia në këto raste, dimensionin e vet mimetik e zhvillon sipas një kuptimi orfeik mbi poetin dhe poetin në përgjithësi.

Edhe poeti-martir Rexhep Elmazi, poezinë  e kuptoi si “vajzë  e çudirave”. Kjo ngjallje sintagmatike në trupin e këngës së këtij poeti, ndonëse me prejardhje antike, rimerr trajtë moderne dhe i bashkohet vijës së angazhimit të përdegëzuar. Problemi i qëndrimit të drejt poetik ndaj jetës do të bëhet jo vetëm lajtmotivi por edhe shenja identifikuese e poezisë së Rexhep Elmazit, e cila kësaj radhe prezantohet si tërësi E PAPËRFUNDUAR në një formë të një vëllimi i cili në vete merr dy veprat e autorit “Frymëmarrja” (e botuar më 1972) dhe “Zemra tha Unë të paguaj”, e sajuar sipas krijimeve të botuara nëpër revista e gazeta dhe e sistemuar si libër për herë të pare në kuadër të këtij vëllimi të përbashkët me titull simbolik “Fryma”.

Rexhep Elmazi s’është i vetmi poet shqiptar që veprat u botohen pas vdekjes. Ai gjithashtu nuk është i vetmi ku e këputi jetën aty ku të tjerët deshtën. Mirëpo në gjithë këtë nivelizim tragjik ka diçka specifike, ka diçka që tingëllon në thellësitë e zbrazëta të kohës vrastare. Rexhep Elmazi këtë identifikim specifik me mbylljen tragjike të jetës së tij e mbindërtoi në formë të mesazhit kumbues poetik. Fillimi i receptivitetit të veprës së tij me siguri do të ballafaqohet me pyetjen: Sa i kushtoi letërsisë shqipe ndërprerja para kohe e një individualiteti të tillë krijues? Në suaza të këtij receptiviteti, lexuesi i mëvonshëm shqiptar  do të mund të vërejë se paroksizmi i tragjikës poetike të Rexhep Elmazit nuk qëndron gjithaq në atë që ai e tha, por në atë që s’arriti ta thotë, gjegjësisht në atë që e tha e që u zhduk nga dora e mistershme. Këto rrethana, mbase jashtëletrare, patjetër duhet të inkorprohen në qasjen teoriko-kritike për arsye se shprehin njëkohësisht edhe imanencën e një (mos)vijimësie krijuese e cila në rastin konkret arriti të shndërrohet në një torzo të dhimbshme.

Individualiteti poetik i Rexhep Elmazit imponon një qasje më të gjerë nga ana e lexuesit.  Krijimet e prezantuara në këtë vëllim shpalosin shumdimensionalitetin e transponimit të botës shpirtë-rore. Përvoja jetësore e ngjeshur me kontemplime filozofike e etike kryeqëzohet me rrjedhën refleksive të shprehjes poetike. Poeti nuk e dëmton poezinë në favor të këtij koncepti dhe tregon ndjeshmëri të hollë për ta diferencuar magjinë e fjalës nga magjia e jetës. Jo rrallë ai di edhe të lëshohet në velat e magjisë së jetës. Por këtë e bën me taktin e njeriut që dehjen poetike  e kupton si nxitje për krijim dhe kurrsesi si boemi shterpe.

Poezia e Rexhep Elmazit eksplikon situatën e pa thënë deri në fund. Ky gjakim për ta lënë pezull veprimin fizik dhe interaksionin ekspresiv, ka bërë që poezia ta ruajë trajtën gnomastike të shprehjes. Nuk është kjo paradë e thatë e mençurive të rastit por sintezë e një përvoje të rudimentuar si në përmasa kolektive ashtu edhe në ato individuale. Autori s’e fsheh faktin se ka mësuar shumë nga përvoja kolektive, mirëpo tregohet mjaft i shkathtë në absorbimin e kësaj përvoje, posaçërisht kur janë në pyetje kategoritë etike të qenësimit, si poezia “Refreni i këtij shekulli”: Ja pra! Ky shekull çdo kujt i ka dhënë mend/ duke hapur sytë me kërcënim, njeri a popull qoftë. (fq. 17)

 Poeti  s’dëshiron të jetë i paemër dhe çdo gjë që bën e identifikon me jetën e tij. Ideali për vetëflijim do ta detyrojë heroin lirik të fugojë si kometë në jetë në mënyrë që, si në poezinë “Me jetën time e shkruaj emrin tim diku”: Vuajtjes kurrë nuk ia lëshoj rrugën/ Në m’u bëftë pengesë drejt qëllimit!/ (fq. 151)

Në qendër të poezisë së Rexhep Elmazit është njeriu. Profili moral i njeriut, sipas poetit, duhet të ketë karakter universal. Prirja poetike për ta skicuar njeriun edhe atëherë kur kriza morale bëhet njëfarë norme e sjelljes, në poezinë e këtij vëllimi lëviz varësisht nga intensiteti i kërkesave të brendshme të autorit. Me një vetëdije të ndezur që i bën sfidë harrimit dhe rivendos trajtat e kujtesës, poeti do të mundohet ta risjellë imazhin për njeriun, admirimi ndaj të cilit  shndërrohet në një epitaf të gjallë, si te poezia “Njeriut që e hëngri toka e verdhë: Trupi yt shpejt u kthye në dhe/ por fytyra s’të kalbet se e ke me ne!/ fq. 37.

Struktura tematiko-motivore e këtij vëllimi me përmbajtje mjaft heterogjene nuk ka një kornizë fikse. Për dallim nga libri i dytë “Zemra tha Unë të paguaj”, tek i cili ndeshim një tendencë për konvergim eksplikues, tek libri i parë “Frymëmarrja” manifestohet prirja për procedimin transparent të fenomeneve jetësore. Ajo që i bën koherent botërat e këtyre dy librave është mbase intenca për t’ia siguruar poezisë të drejtën të japë gjykime atëherë kur mungojnë instreumentet tjera të verifikimit të vlerave universale. Këtë funksion të poezis, poeti do ta kuptoj drejt dhe nuk do ta keqpërdor, kurse në nëndije do ta ushqejë idenë sublime të pandashmërisë, të unitetit të brendshëm, si harmoni logjike e kërkesave kolektive, si te poezia “Fuqi që nuk prefill ligjet”: ”Forca jonë lindet nga pandashmëria jonë/ Nga lufta që zhvillojmë pa marrë parasysh asgjë/ Për të pirë e për të ngrënë me dorën e njëri tjetrit/ Dhe lëngun e shenjtë që lidh trupat bashkë/ Edhe mbi dërrasat, edhe nën dërrasat e varrit tonë/ (fq. 153)

Përpos motiveve nga sfera etike dhe ajo universale, poeti Rexhep Elmazi në poezi “vizaton” edhe profilin intim të heroit lirik. Edhe te libri i parë edhe te i dyti gjejmë cikle të tëra dedikuar çasteve intime dhe gjithë asaj që e bën të plotë botën e ndjenjave dhe shpërthimeve sensuale. Ajo që bie në sy te ky tip i poezive është motivi i dashurisë së ndaluar në ambientin rural. Bartja në fshehtësi e ndjenjës më të dlirë të njeriut do ta ngarkojë poezinë “Dasma pa krushq” me tone pak a shumë baladeske: “ Atje ku këndon djali/ malet po shemben/ andej kah fshan çika/ pyjet po kallen/ (fq. 28) 

Sa nga titulli, po aq edhe nga vetë përmbajtja e këtij vëllimi, mund të krijojmë përshtypjen fillestare mbi itinerarin e pazakonshëm të një vokacioni krijues që hë për hë shpreh stacionin  e padëshirueshëm të udhëtimit të poetit në pushtimin e thellësive shumështresore të semantikës poetike të krijimeve të tij. Edhe si e tillë kjo materie është sinonim i një energjie poetike, i një Der Zeitgeist (Frymë e kohës), siç do të thoshte Kajzeri, e që do t’i bënte borxhli gjeneratat e ardhshme të lexuesve që ta shpalosin atë me dorën e kujdesit dhe devotshmërisë së meritu-eshme.

(“Flaka e vëllazërimit”, 16 qershor 1994)

ZËRI I MEMORIES KOLEKTIVE


Secili bart në vete atë përvojë që ia imponon fatkeqësia personale, do të thoshte Franc Kafka këtu e tetëdhjetë vjetë më parë, ndërkaq sot këtë postulat poetiko-filozofik Ali Podrimja do ta sublimonte në formë të  një pirgu mbi të cilin ngrihet jo vetëm fatkeqësia personale por jo edhe ajo kolektive. Këtë qasje do të mund ta kuptonim më mirë pasi ta kemi lexuar librin më të ri me poezi “Në bisht të sorrës” të Ali Podrimjes, libër ky që pos sensibilizimit të mëtutjeshëm të përvojës autoriale, sjell edhe zërin e  një jehone ekzistenciale që sa vjen e mbytet brenda mureve të rrezikut jetësor. Janë këto poezitë më të reja të Podrimjes të shkruara në udhëtim e sipër dhe shprehin gjeografinë momentale të bredhjeve të autorit në kërkim të asaj që i mungon: LIRIA/ ATDHEU.

Që nga titulli i këtij libri, semantikisht jemi të prirur të besojmë se diçka nuk është në rregull me qenësinë substanciale të mikrokosmosit. Në bisht të sorrës është vënë fati i identitetit kombëtar, kurse perspektiva e këtij fati merr variacionet e një deduksioni fatalist i cili edhe jetën edhe vdekjen e vë në një peshojë normale, si tek poezia “Loja me vdekjen”:Tani për tani di/ se jetoj një peshojë krejtësisht normale/ dhe me vdekjen luaj si me kokë macej” (fq. 7). Deri te ky rezignacion, poeti nuk ka ardhur rastësisht, aq më tepër kur është përjetues dhe bashkëpjesëmarrës i një drame tragjike kombëtare në mes të një: “Tokë e Qiell/ pa Hënë e Diell/ ku papritmas ‘i Bajloz ka dalë/ e na gurëzon kopenë/ (“Në bisht të sorrës”, fq. 59)

Organizimi i këtij vëllimi më të ri të Ali Podrimjes bëhet sipas arketipeve ekzistenciale të qenies kombëtare, duke shpallur kështu hapësirën poetike të kërkimit të gjenealogjisë të së keqes. Ciklet Vonë çel dita, Uji i madh vjen, Pse nuk mund t’i mbyll sytë, dhe në Bisht të sorrës, me përmbajtjet e tyre transponojnë veç e veç tërësinë e një fokusimi semantik, një tërësie që buron prej totalitetit ekzistencial të jetës së mbarsur me të papritura. Duke shqiptuar tragjikën momentale të kolektivitetit kombëtar, Podrimja dimensionon harkun e shkakpasojave socio-historike dhe në këtë mënyrë determinon situatat e një logjike absurde, ku dhembja dominon jo si kozmetikë retorike por si substancë që lidhet me vet godinën e ATDHEUT: “E pas Kosovës/ me siguri Saharaja në shpirt/ se ATDHEU/ është dhembje/ (“Atdheu është dhembje”, fq. 41)

Specifikimi i ndjenjës së poetit që kufizohet me dhembjen, me nostalgjinë, me dimensionin human të vetëmbrojtjes, me humbjen  e gjymtyrëve më vitale të kombit (rinisë), me aventurierët që bredhin botës etj., në poezinë konkrete të librit kapet për shtresa të caktuara të eksplikimit poetik ku dominon insistimi për të ruajtur atmosferën e të folurit spontan me primesa të arkeologjisë gjuhëore – popullore. Kjo filozofi gjuhësore-stilistike te Podrimja nuk ndërtohet duke gërmuar në palcën e urrejtjes por në trajtat sublime të sfidimit të vdekjes, të asaj vdekje të dhunshme që dijnë ta sjellin vetëm barbarët:/ Zotëri/ Pse më vritni/ Fundi është zgjimi im/ (“Pse më vritni zotëri”, fq. 16), poezi kjo kushtuar ushtarit shqiptar të vrarë nga dora e zezë e ushtrisë jugosllave.

Përfytyrimi që krijohet gjatë leximit të këtyre poezive kufizohet me gjakimin për të depërtuar në thellësitë e padukshme të vet qenësisë dhe burimisësë kombëtare. Alarmi i rrezikut që lajmëron se kësaj burimësie i kanoset harresa, projektohet edhe në formë të një molle të kuqe, një simbol ky që shprish kujtimin për vatrat e braktisura me dhunë në pjesët e “burgosura” të hapësirës etnike shqiptare, si në Toplicë, ku zgjimi i poetit për ta ndezur pishën e kujtimit shoqërohet me një vegim në fytyrën e Nënës, e cila: “Nga Planeti i humbur ajo/ ma vodhi ‘i Mollë të Kuqe/ e më tha: Mos më harro…”/ (“Molla e kuqe”, fq. 12)

Identiteti artistik i gjuhës dhe gjakut në poezinë e Podrimjes zë vend të merituar. Kërkimi pas këtij identiteti dhe mbindërtimi i tij në trajta të një balade të përvajshme, bën që poezia të mos përjetohet si këngë e thjeshtë por si rënkim, si keqardhje për zbehjen e dhunshme të identitetit kombëtar të një pjese të gjakut: /Gozhdave varin/ Gjuhën e Dhunës/ dhe Zotin e huaj/ Nga Mali i Thatë/ në Malin e Shenjtë/ fluturon Qyqja/ Kur vjen e diela/ oh kur vjen e diela/ e diela kur vjen moreee/ Vajtojcat e Rekës/ zbresin te varret/ e qajnë shqip/ (“Vajtojcat e Rekës”, fq. 14)

Në vëllimin poetik “Në bisht të sorrës” janë përfshirë edhe ditët e poetit të kaluara në grevën e urisë të gazetarëve të “Rilindjes” që u mbajt kah fundit i viti 1993. Gjakimi për lirine e humbur, që manifestohet në trajta të tmerrshme, por edhe kurajoja burrërore për ta pritur vdekjen, janë hallkat kryesore që lidhin tematikën e këtyre poezive. Se liria vërtetë i ngjan tmerrit kur kufizohet me luftën për jetë a vdekje, dëshmojnë edhe vargjet: “Në kullë të lartë/ të “Rilindjes”/ u ngujova por as brenda/ nuk më lë ajo/ (“Këlthitje në shkretëtirë”, fq. 30).

Liria, si nocion dhe si motiv poetik, në këto poezi manifestohet edhe si lamentim, si ironi: Falënderoj/ Evropën Demokratike/ aparteidin Kosova që krijoi/ Falënderoj popullin e qeverinë serbe/ që ma mëson gjuhën e hazarëve/ (“Lament për lirinë e njeriut”, fq. 29).

Kontekstet e shumta poetologjike që mund të veçohen në tërësinë përmbajtësore të këtij vëllimi, mund të japin një orientim estetiko-teorik për ta kuptuar poetin Ali Podrimja si krijues që rrjedhën kohore nuk e koncepton si kronist i thjeshtë, por si një zë që ruan tiparet e memories kolektive.

(“Flaka e vëllazërimit”, 8 maj 1994)

TRAGJIZMI SI EMULACION JETËSOR


Paraqitja e individualiteteve në letërsinë shqipe gjithmonë është përcjellur me një paradoks socio-estetik. Duke filluar që nga plejada e shkrimtarëve të viteve tridhjetë, sidomos të atyre të qarkut katolik të Shkodrës, e deri në vitet tona, ky paradoks ka qenë gur i pashmnagshëm në peshoren e “vjedhur” nga kusarët e partishmërisë në art dhe në letërsi. Në letërsinë shqipe që u krijua viteve tetëdhjetë në Kosovë, individualitetet krijuese pamëshirshëm u peshuan me kritere të politikës ditore dhe krejt jashtëletrare, kurse veprat e tyre (të Sabit Rrustemit, Adem Gashit, Arif Demollit, Rrahim Sadikut etj.) do të mbeten të vlerësohen “post festum”.

Paraqitja e Sabit Rrustemit në letrat shqipe aty nga fundi i viteve shtatëdhjetë, rikonfirmon edhe këtë vlerësim tonin “post festum” përkitazi me zhvillimin dhe me fatin e individualiteteve krijuese (epigonët s’po i zëmë në gojë). Lërimi paralel i prozës dhe poezisë nga Sabit Rrustemi do të thyej edhe një kanon të përvojës së deritanishme të kredos së krijuesve. Tash së fundi ky shkrimtar me botimin e vëllimeve me poezi dhe me prozë, sikur na ka obliguar që ta ndriçojmë më me kompetence krijimtarinë e tij, kuptohet jo nga arsyet jashtë estetike.

Vëllimi me tregime “Pika e zezë”, i botuar tash së fundmi, komunikon me të gjitha nuancat që nënkuptohen brenda poetikës së receptimit. Një segment i përvojës së shkrimtarit bashkl me viziponi e tij për njeriun e ambientit tonë sikur sintetizohen në fragmente plot ekspresivitet të këtyre tregimeve.

Sabit Rrustemi tregimin nuk e shkruan nga motivi i autorit që me çdo kusht dëshiron të bëhet poliedrik, por nga disa shtytës të brendshëm të natyrës së vrojtimit specifik. Ndaj, me një bindje të tillë ai lëshohet në nënshtresat etnopsikologjike të njeriut tonë dhe prej andej sublimon filozofinë e ekzistencës së tij. Shtrirja ambientale e subjektit rrëfimor projektohet me një poetikë mjaft funksionale e që si më dendur këtu kufizohet me poetikën e hapësirës së mbyllur. Mbase, Sabit Rrustemi edhe në këtë mënyrë është dëshmuar si njohës i shkëlqyer i ambivalences estetike të hapësirës, si mjet funksionalizues i atmosferës dhe brendisë shpirtërore të personazheve. Një karakterizim i tillë ndoshta do t’i atribuohej më së miri tregimi “Deti prapa krahëve” me të cilin shkrimtari shfaq plotninë e një bote të shqetësuar si dhe konfliktin e kësaj bote me forcat e jashtme destruktive që ndikojnë në prishjen e shtratit normal të jetës së njerëzve. Në këtë tregim, Sabit Rrustemi, pa kurrfarë konstruksioni skematik bënë modelimin e vijave të heronjve që bëjnë luftë të pakompromis me pasojat rrënuese të Akullit, simbol ky i të këqijave dhe i pasojave që sjell pushtuesi. Pellgu i ujit dhe Pika e Zezë në brendi të copes së akullit do të jenë konsekuencat e një simbolizmi të ngjeshur në funksion të paradigms së identifikuar në vërshimën e ujit dhe kobin e Pikës së Zezë (“Po nga jo Pikë e Zezë doli Pikëzinjeriu”).

Veli fascinant i paraqitjes së pasazheve rrëfimore është një prej aftësive të rralla krijuese të Sabit Rrustemit. Tregimi, “Pesha e dheut”, bie fjala, karakteristik për llojin e vet (fantastik), ndonëse i shkruar dhe i modeluar sipas teknikës së fragmentarizmit narrativ, është i mbështjellur me një pëhurë të hollë fantastike, brenda së cilës lëvrin një botë e trazuar, e udhëhequr nga filozofia e vazhdimësisë dhe trashëgimisë jetësore. Inkarnimi si mit dhe trashëgimia si realitet, do të jenë shtyllat kryesore mbi të cilat do të ndërtohet teknika dhe procedeu narrative i këtij tregimi.

Tregimet e vëllimit “Pika e zezë” nuk janë kronika të thata të jetës. Përkundrazi, procedimi i paklishetizuar i autorit do të imponojë një rrëfim pa pozë dhe pa mbështetës artificial. Një përshtypje e tillë na imponohet edhe pas leximit të tregimit “Një jetë në peshojë”, e që ndryshe do të mund të quhej edhe baladë urbane për varfanjakun e verbër. Duke i ikur rrëfimit intelektualist, shkrimtari Sabit Rrustemi në faturën tekstore të këtij tregimi vendosi galerinë e ashtuquajtur njerëz të vegjël. Personazhi qendror dhe ambienti ku është locuar psikologjia e njeriut me të kaluar traumatike, figurativisht qëndron në një peshojë, baraspeshën e së cilës e prish mospërfillja e rrethit ndaj dramës së individit, sado i parëndësishëm të jetë ai në shoqëri. Rëndomësia e ambientit (stacioni i autobusëve) dhe drama e brendshme e varfanjakut të verbër, paraqesin elementet tipike të tragjizmit të emulacionit jetësor.

Plasticiteti në rrëfim që përjashton artizmin e thatë, në këtë vëllim me tregime përshkon linjën qendrore të strukturës fabulare të tregimeve. Kjo i autribuohet edhe një aftësie tjetër të autorit, e cila karakterizohet me prirjen për të shkri kufirin në mes të njeriut dhe natyrës (tregimet “Pesha e dheut”, “Deti që nuk e shoh”, “Amullia” ). Te disa shkrimtarë kjo teknikë rrëfimi del si dobësi krijuese, kurse te Sabit Rrustemi – si sprovë e suksesshme. Aq më tepër kur spontaniteti i kapjes së parabolave brendapërbrenda kufijve narrativ krijon një atmosferë të mbushur me lirizëm kreativ. Manifestimi i lirizmit në funksion të fundusit dhe të prapavisë së veprimit të personazheve lidhë segmentet semantike  të tregimeve në mënyrë mjaft sugjestive. Kjo mund të vërehet edhe te tregimi “Deti që nuk e shoh”, teksti i të cili është i organizuar sipas metodës së përngjitjes së dy formave të procedimit fabulativ. Monologu që operon me veten e dytë të rrëfimit eksplikon situata të caktuara në botën ekspresive të njeriut, duke filluar nga pakënaqësia dhe kërkersat specifike të njeriut e deri te kombinimi i peisazhit të jashtëm me kornizat e një bote të brendshme njerëzore. Në këtë dhe tregimet e ngjashme, psikologjia e botës së brendshme shpesh here resemantizohet nga toposet e jashtme, ndaj edhe kemi sintagma figurative që ndajnë kufijtë e rrëfimit, sikundër janë: “Pylli artificial”, “Goja me ujë”, “Memeci ujor”, “Peisazhi i kaltër” dhe “Dita e ardhme”.  

Përditshmëria, si në tregimin “Amullia”, ose “Fjalëkryqi”, e bën optikën e vrojtimit të autorit edhe më të pasur. Dimensioni i distancës kohore është studiuar mirë dhe nuk lë që për hir të aktualitetit të humbë eleganca estetike e rrëfimit. Simbolika ambientale dhe insistimi që jeta të paraqitet ashtu si është, janë pikat kyçe prej nga fillon poetika e rrëfimit. Me një stil të tillë mbase është shkruar edhe tregimi “Diçka mbi dashurinë”, i cili edhe pse del nga atmosfera tematike e stilistike e vëllimit, megjithatë ai sikur përplotëson botën kontemplative të autorit.
Vëllimi me tregime “Pika e zezë” i Sabit Rrustemit pos si përvojë estetike, do të na imponohet edhe si insistim i suksesshëm i lëvrimit të prozës së shkurrër, aq deficitare në letërsinë bashkëkohore shqipe. Prizmi specifik i vrojtimit të jetës ku kalueshmëria kohore e hapësinore bëhet gati në mënyrë filmike, do ta vendos këtë vepër në horizontin e kërkimit modern të individualitetit, jo vetëm krijues, por edhe njerëzor. Se edhe një vepër mund të jetë tregues i një kërkimi të tillë, dëshmon edhe ky vëllim, me çka Sabit Rrustemi tash e tutje s’ka nevojë të studiuohet nga aspekti që e vumë në spikamë në fillim të këtij vështrimi kritik, por thjesht nga aspekti teoriko-estetik. Veprat e ardhshme të tij mbase do ta konfirmojnë këtë konstatim.

.

(“Flaka e vëllazërimit”, 23 prill 1993)

PROCEDIMI MODERN I NJË THJESHTËSIE RETO-RIKE


Temat e jetës shqiptare herë-herë të mbyllura në caqe të ngushta të përkufizimit folozofiko-sicial, gjejnë vend të merituar në tregimet e Fatos Arapit të përmbledhura në vëllimin me titull “Unë vdiqa brigjeve të Jonit”. I njohur më tepër si poet, por edhe si studiues i filozofisë mitike të popullit tonë, Fatos Arapi në këto tregime sjell një dramatike, një ndërveprim rrjedhash jetësore të tematizuara në njësi të veçanta tregimtare. Riprodhimi i materialit jetësor në vizionin e heronjve që ndërtojnë arkitekturën narrative të tregimeve “Unë vdiqa brigjeve të Jonit”, “Cipa e dëborës”, “Marko Boçari i Suljotëve” dhe “Heretiku i Mirditës”, realizohetnë disa rrafshe ekspresive. Edhe pse nuk janë të një koherence kohore, këto tregime i nënshtrohen koherencës poetiko-hapësinore. Dhe si të tillë, brendia tematike e tyre përplotëson një rrafsh linear të synimeve, ambicjeve, shpresave e zhgënjimeve të heronjve. Përpos tregimit “Marko Boçari i Suljotëve”, te të gjithë tregimet tjera në qendër të veprimit janë njerëzit e rëndomtë, njerëzit të cilët me jetën e tyre të heshtur sajojnë dramën e madhe.

Vëllimi me tregime “Unë vdiqa brigjeve të Jonit” mund të lexohet edhe si një kronikë e pamjeve shqiptare. Mbase çdo tregim funskionon si një spirale që plotëson një zbrazëtirë në mozaikun e tërësishëm të temave e fateve njerëzore. Fatos Arapi në këtë mënyrë nuk ka si synim të krojojë ndonjë rapsodi miniaturale shqiptare, por vetëm hedh në letër vijat e një skice me episode të ndryshme nga e kaluara dhe e sotmja e shqiptarëve.

Kështu mbase mund të perceptohet edhe fillimi i këtij vëllimi, konkretisht tregimi “Unë vdiqa brigjeve të Jonit”, në të cilin skicohet detaji në saje të ndërtimit të retropsketivës. Aksidenti i komunikacionit që i ngjan personazhit “Unë” rikontruon në retrospektivë detajet dhe raportet e afërta midis dy të rinjëve. Duke përdorur teknikën e përgjigjes kohore, autori sjell reminishenca të kohës së përjetuar në një të kaluar jo të largët. Procedimi modern i ngjarjeve këtu nuk ndjek ndonjë linjë lineare por faktorizohet përmes një përthyerjeje kohore e hapësinore. Njeriu i aksidentuar, për të cilin më vonë kuptojmë se është poeti poet, lëviz në një kolovajzë të bujshme të ëndrrave dhe zhgënjimeve.

Karaketristikë tjetër e tregimeve të Fatos Arapit lidhet me një intuitë spontane e përshkuar në të gjitha situatat. Ndërkaq kjo intuitë bëhet edhe më objektive kur heronjtë flasin një gjuhë të tjeshtë, pa ndonjë pompozitet. Kjo mbase vie në shprehje edhe për një arsye tjetër: sepse në të gjitha tregimet vend qendror zë gruaja shqiptare, fati i së cilës është ngusht i lidhur me jetën dhe ambientin që e rrethon. Një përshtypje të tillë do të fitonim posa ta lexojmë edhe tregimin “Cipa e dëborës” në të cilin autori tematizon krajat e njeriut të rëndomt shqiptar për të gjallëruar jetën e tij me një vaj fëmije. Ajkuna dhe Buqari, të martuar në një moshë fare të re – 15 vjeçare, pandashmërinë e tyre bashkëshortore e mbindërtojnë në gjakimin për të pasur fëmijë, qoftë edhe duke pranuar që midis tyre të hyjë edhe një person i tretë – Varfa, me të cilin Buqari lindi një djalë – Delushi.

Ky tregim mbyllet ashtu siç mbyllet edhe një aspiratë fisnike e këtyre bashkëshortëve, sepse Delushi vdes, përkundër dëshirës së prindërve dhe bashkëshortëve që fisin ta trashëgojë dikush prapa tyre.

Tema e historisë në tregimin “Marko Boçari i Suljotëve” locohet brenda diagrameve të një shtrirjeje parabolike të ngjarjeve. Sinonimi i rezistencës arbërore në krahinën e Sulit është Marko Boçari: rrjedha e bujshme e ngjarjeve që sollën më tepër rrëke gjaku se sa çlirim kombëtar, determinuan një kujtesë të hidhur, një mosunitet kombëtar. Pas vdekjes së Marko Boçarit, Suli vishet në të zetë, kurse drama e madhe e historisë plandos për tokë aspiratën shekullore të bashkimit të trojeve shqiptare.
Një jetë e heshtur e mbarsur me një filozofi të çuditshme të qenësimit, ndeshim edhe në tregimin e fundit “Heretiku i Mirditës”. Një malësor 81 vjeçar, i quajtur Mark Pali, bën një varr për vetveten. Ky veprim i tij kualifikohet si herezi dhe has në reagime të bashkëfshatarëve. Rrethi në fillim s’mundte ta akceptojë thëninen e plakut që “burri duhet ta dijë ku do ta ketë varrin e vet”. Edhe te ky tregim portretizohet personazhi i gruas – Dranes. Sfida që i bëhet patriarkalizmit në njërën anë, si dhe peripecitë e rënda jetësore, të gruas shqiptare, në anën tjetër, do të rizbulojnë në këtë tregim një botë me drama tronditëse. Këtu autori përdor një plasticitet në naracion dhe në përshkrimin  e ambientit të ashpër rustikal. Brenda këtij ambienti lëvrin një semiotikë e çuditshme ku njerëzit komunikojnë edhe me zëra, por jo edhe me trupa konkretë. Në këtë kontekst ndërthuren edhe dy koncepte fetare mbi jetën: muslimane dhe kristiane. Mirdita herë-herë ngelte edhe heretike. Mbase, filozofia e këtij realiteti zbulon edhe lojalitetetin e shqiptarit ndaj religjioneve, por edhe disa veti autentike që kodifikohen në trajta mbireligjioze, pikërisht sikur ajo thënia e plakut 81 vjeçar se “burri duhet ta dijë se ku e ka varrin e vet”.

Realizimi i një tipologjie heterogjene karakteresh brenda kornizave të një galerie heronjësh si dhe ngritja mbistandarde e formave të rrëfimit, i japin këtij vëllimi me tregime një shenjë identifikuese në opusin e tregimtarisë shqiptare. Me një strukturë të ngjeshur gjuhësore, tregimet nuk mëtojnë të ngrihen në lapidaritetin e shprehjes, por synojnë ta funksionalizojnë kodin e shenjave origjinale, pa krijuar me çdo kusht skema dhe rrjedha të sforcuara narrative.

(“Flaka e vëllazërimit”, 3 prill 1994)

POEZIA KOMPENZON SINKOPAT HISTORIKE


Në vitet pesëdhjetë kemi paraqitjen e poetit Murteza Nura i cili paralajmëroi fuqishëm individualitetin e tij krijues, edhe pse në vitet që pasuan, burgu ndikoi që të ketë ndërperje në kontinuitetin e zhvillimit të tij si shkrimtar. Ndonëse  me vite të tëra komunikoi me ndërprerje me lexuesit, poezia e tij përsëri nuk e humbi atë shtratin  e natyrshëm dhe të furishëm të rrjedhës. Kjo mbase mund të shpjegohet me faktin se poeti Murteza Nura edhe gjatë qëndrimit disavjeçar në burg, nuk e ndërpreu shkrimin, për t’u paraqitur tash së fundi me diasa vepra, në poezi dhe në prozë.

  Libri në shqyrtim Maratona e prerë” është vetëm një fragment i shkëputur  nga krijmtaria e frytshme e këtij distdenti të vërtetë t; letrave shqipe. I koncipuar në tri njësi ciklike dhe i ndërtuar si triadë poemash, ky vëllim interpreton një prej shtresav të mimesisit jetësor të subjektit lirik i identifikuar me  historinë dhe materien kombëtare të kolektivitetit.

Poemat Kapeshnica, Emri-3354, Me ciceronin në muze, strukturalisht shpalosin dramën lirike të kombit dhe sintetikisht kristalizojnë mozaikun e një shirit të gjatë kohor në të cilin regjistrohen pamjet nga antikiteti dhe aktualiteti shqiptar.

Në njësinë e parë lirike “Kapeshnica” jepet kapitulli i parë i rrëfimit dramatik për fusnotat e jetës empirike të kombit. E ndarë në tri pjesë, kjo poemë shquhet për gjerësinë e eksplikimit dhe thellësinë e përjetimit të dridhjeve kohore. Të folurit lirik përmes personifikimit të Kosovës në Kapeshnicë, rrjedh ashtu siç rrjedh edhe kronologjia tematiko-motivore. Duke u shërbyer me metodat e retropskektivës kohore, autori fikson punktet kryesore të procedimit lirik. Qëndresa si kategori kryesore etiko-filozofike dhe riprodhimi i kujtesës historike në formë të narracionit versifikativ, do të jenë koordinatat më funksionale të profilimit poetik.

Fundamenti struktural i njësisë së dytë lirtike “Emri-3354” ndërtohet përmes simbolikës së numrit, jo si njësi matematikore, por si kod  semiotik. I nisur nga numri personal i një të burgosuri, autori vargon edhe numra të tjerë që shprehin momentet më jetike të historisë kombëtare. Këtë lidhshmëri sintetike mund ta gjejmë vetëm në ato krijime ku momentet e jetës personale mishërohen në amshimin e jetës kombëtare, duke filluar nga antika e hershme e deri në ditët e sotme, mbase gjithkund në “shtetin kozmik të mëmëdheut”, siç do të shprehej edhe vet autori.

I vetëdishëm për rëndësinë e konzervimit të historisë shpirtërore e materiale të kombit, Murteza Nura zgjedh formën e muzeut prej nga nxjerr jehonën e të kaluarës dhe agun e të ardhmes. Me këtë njësi cilike të fundit, autori në fakt mbyll edhe një cikël historik, një maratonë të cilën ai është i prirur ta quaj  “e prerë”. Në simbolikën e kësaj sintagme mbase ka diçka edhe autobiografike, sepse autori gjithnjë sikur mundohet ta përmbledhë një gamë më të gjerë tematiko-motivore brenda asaj që ia mundësojnë rrethanat jetësore.

Në hapësirën artistike të tekstit të poemës “Kapeshnica” autori shtrin gjerësisht pëlhurën e thurrur me me thirrje të zërave që sajojnë kuptimin substancial të qenësimit kombëtar. Këta zëra nuk dalin të çjerrë, por kumbues, sepse ashtu e do Kapeshnica: “… të kapeshicësin/ kënga nuke gjen dot duke u çjerrë/ këtë e ka trashëgim nga guri nga zjarri/ (fq.10). Mirëpo ka diçka që këtë zë megjithatë e pengon, ka diçka që Kapeshnica të mos zhvillohet si një trung: “Kapeshnica jeton me gjymtyrë të këputura/ qyshkur zoti i ndau burimet e mjerimit/ ajo i bën apoteozë trungut me degë kurore”/ (Fq. 12).

Heroi lirik i vetëdijshëm për sakrificën nuk e ndal hovin, vazhdon në pushtimin e hapësirave të reja të përjetësimit të fjalës atdhe, të cilën e ndriçon me vrushkuj drite, për të cilën dritë ai është i vetëdijshëm se duhet sakrificë: I Kapishnicësi dhe njomëz e tij/ Shallin e mbajnë qefin nën rrezet vjollcë…/ thjeshtë nuk di njeriu si pikëzohet/ kjo pjesë e përdëlluar e portretit të Kosovës/ (Fq.17).

Koncepti rilindas mbi himnizimin e atdheut gjen shprehje edhe në vargjet e poetit Murteza Nura. Ky hymnizim përcillet me nota tragjike. Ndërkaq krerania kombëtare, si një kualitet që buron çiltër nga thellësia e poezisë, herë-herë e mund edhe tragjizmin, sepse heroi lirik di t’i rrafshojë barrierat edhe atëherë kur e ka më së ngushti:/… ia thotë këngës me gisht në vesh/ dhe u jep krahë ëndrrave me ngjyra/ për t’u çliruar nga ankthet makthet/ jep e merr me kratere vullkanesh/ ani pse kryqin e mban për në Kalvar/ (fq. 20). 

Një udhëtim maratonik nëpër datat më të ndezura të historisë kombëtare, ndodhë në ciklin “Emri-3354”. Kumptimësia e datave ngrihet në rrafshin e zbërthimitt ë historisë, duke filluar që nga Kuvendi i Lezhës për të vazhduar tek ngjarjet e Lidhjes së Prizrenit, Pavarësisë së shtetit shqiptar, si dhe në ngjarjet që sollën pushtimin e dytë dhe të tretë të tokave shqiptare. Me arkitekturën e numrave poeti ndërton piramidën e shpresës por edhe arenat e përgjakura. Kjo simbolikë situon edhe fatin e qindra intelektualëve shqiptarë të cilët nën tehun e dhunës së pamëshirshme u detyruan ta ndërprejnë ecjen normale. Me këtë rast autori manipulon me simbolikën e numrit shtatë dhe derivatet fataliste të tij: “Gjakova i kishte shtatë/ Kosova shtatëdhjetë e shtatë/ viti 1964/ të shtatët pesëdhjetë vjet zindan/ të pesëdhjetëeshtatët”/ Fq. 39).

Në formë të sinstetizuar jepen tabllot sublime të rrjedhës historike në ciklin: “Me ciceronion në muze”. Shtresimi i kësaj rrjedhe fillon me këngën në aktualitet. Muzeu hapet  madhështor me figurat historike si Teuta, Pirroja, Skenderbeu, kurse toposet paradigmatike lidhin në formë të harkut edhe Butrintin, edhe Ulpianën, edhe Therandën edhe Dardaninë.

Libri “Maratona eprerë“ dëshmon për fenomenin e sinkopave tona në histori dhe në aktualitet. Mbase, me parqitjen e këtij libri si dhe me rikthimin e poetit Murteza Nurës në ambientin komunkues letrar, do të thoshim se një sinkopë më pak do t’ia “falim” të ardhmes, të asaj të ardhmeje për të cilën Nura flijoi rininë dhe kohën e çmueshme që do të mund t’ia kushtonte artit letrar.

(“Flaka e vëllazërimit”, 15 maj 1994)   

NGA EUROPA “KTHEHEN” SHQIPTARËT

Ekzotika si temë e preferuar e romanit europian të këtij fillimshekulli (20), korrespondon edhe me ambientin  e mbyllur shqiptar brenda kopertinave të romanit “Bujtina me potkua” të shkrimtarit holandez A den Dolard, i botuar kohë më pare nga edicioni  botues i “Flakës së Vëllazërimit”. Romani që u ribotua 40 herë në atdheun e autorit, tashti përkthehet edhe në gjuhën e personazheve dhe në këtë mënyrë lexuesi shqiptar ka privilegjin të komunikojë me një vepër që i dedikohet atij, por edhe brezit të shqiptarëve të viteve 30-ta.

Romanin “Bujtina me potkua” autori e shkroi në Mavrovë, në Grykën e Radikës , në vitin 1933. Ky roman, siç thotë edhe përkthyesi Sherefedin Mustafa, është përkthyer në gjermanisht, spanjisht, danisht. Sipas tij, këtë roman e njeh çdo holandez që së paku ka kryer një shkollë të mesme, sepse vite me radhë është si lektyrë e domosdoshme shkollore.

Shkodra e këtij romani sjell mesazhin social-politik të shoqërisë shqiptare e skicuar nga një shkrimtar-gjeolog. Takimi i këtij të fundit me ambientin shoqëror të Shqipërisë së viteve tridhjeta shoqërohet me idenë e kërkimit të dyfishtë: fshehtësitë nëntookësore të relievit të ashpër shqiptar, por edhe fshehtësitë e shpirtit kompleks të shqiptarot të asaj kohe.

Romani “Bujtina me potkua” ndërtohet në saje të frymës kërkimtare të brendisë së fabulës. “Në Alpet e Shqipërisë së veriut, rë rajoni përballë kufirit jugosllav, duhet të ketë shtresa të çmueshme bakri. Ju do të shkoni atje dhe tërë këtë punë do ta hulumtoni”, është ky rekomandimi që merr Ervin Reini nga drejtori i kompanisë “Trepça Minin Company” në Londër. Hulumtimi gjeologjik, si pikënisje, atë do ta shpiej në një hulumtim më kompleks, në një depërtim psikologjik dhe antropologjik në natyrën seizmike të botës shqiptare. Njohuritë e para ai i merr në “Grand Hotel London”, një bujtinë kjo e Shkodrës, ku zë fill embrioni struktural i fabulës së romanit. Udhëtari i ardhur nga Europa që ditën e parë filloi ta mbushë valixhen e tij të edhe me “almise” të tjera që do t’i hynin në punë më vonë gjatë kërkimeve në terren. Furnizuesi i parë i këtyre “almiseve” në fillim ishte djaloshi 15 vjeçar Leonardi, i cili me natyrën e tij paksa misterioze ushqente mikun e tij nga Europa me informata burimore mbi kodin moral e psikologjik të shqiptarëve. Por, ai nuk e informonte atë se cili është në të vërtetë ai dhe ç’hall e kishte detyruar të zbres nga malet në qytet. Prandaj, autorit sikur nuk i bëhet vonë që këtë detaj ta sqarojë pak më vonë, gjegjësisht atëherë kur shkrimtari-gjeolog (Reini) kupton se një ditë ishte gdhirë pa njërën revole, që e kishte marrë si masë sigurie kundër bandave të kusarëve, sepse qysh në Londër ishte njoftuar se “treva në fjalë, është e njohur si e pasigurt…”. Pavarsësisht nga ky rekomandim, Reini tani fillon të shoqërohet edhe me kërshërinë kristiane që t’i shpalojë deri në fund dimensionet e pasigurisë. Udhëtimi i tij nëpër malet e veriut, e sidomos me priftin At Zefin, ia hapin atij edhe një horizont të ri prej nga mund të sodisë ashpërsinë fizike të natyrës shqiptare por edhe anatominë shpirtërore të njeriut të këtij ambienti. Lëmshi mortor i gjakmarrjes që rrokulliset me shekuj mbi breznitë e përgjakshme shqiptare do t’i ngel në fyt Reinit dhe do t’ia ndal për një çast frymëmarrjen. I ballafaquar me ndjenjën e të papriturës që sjell çdo çukë dhe çdo përrua, Reini pahetueshëm filloi të notojë mbi rrjetin e merminagës së quajtur gjakmarrje. Ndërkaq, Leonardi, ai djaloshi misterioz që e kishte takuar natën e parë në “Grand Hotel London” të Shkodrës, ishte lajtmotivi i kësaj merimange.

Jemi në kohën kur legjsilativa shqiptare ishte në konflikt me kodin moral të malësorëve – me Kanunin. Këta të fundit si statuja të larta prej mermeri refuzonin frymën juridike të zgjidhjes së lëmshit të gjakmarrjes.  Viktimë e këtij konflikti juridiko-psikologjik mbase ishte edhe Leonradi, i cili e kishte vrarë të dashurin e kunatës së tij. Duke mos bartur mbi shpinë turpin e maleve, ai kishte çuar në vend porosinë e të vëllait që ta ketë nën kujdes gruan e tij.

Tema e gjakmarrjes në romanin “Bujtina me potkua” preket brenda konstelacionit psikologjik të shqiptarit. Zbulimet e kësaj teme nuk shkojnë me ritmin e kërkimeve gjeologjike. Gjeologu dhe shkrimtari Rein në bisedë e sipër me priftin Zef zbulon se nëntoka shqiptare nuk është misterioze, por misterioze është pikërisht mbitoka e saj. Portretizimi i malësorit shqiptar nga ana e At Zefit shpaloset me ngjyrat kontrastive dhe për një çast gërmon pikërisht në indin që lidh karakterin me psikologjinë: “Në jetën e përditshme përtac, kurse me netë të tëra pret me durim në pusi që ta marrë gjakun e stërgjyshit. Kur tërheq këmbëzën e pushkës për ta marrë gjakun, ai nuk është më fshatari punëtor nga bjeshkët, me këmishë të grisur dhe me sëmundje të yndyrshme të lëkurës, por shqiponjë në sulm dhe në çastin e shkrehjes mbi pre, edhe toka edhe qielli janë të tijat. Ai është madhështor në ligësinë e tij.” (Fq. 50)

Sfondi i rrethanave shoqërore mbi të cilat ngrihet syzheu romanesk sajon një kuptim më suptil mbi shkak-pasojën e ngjarjeve në “pëlhurën filmike” të botës shqiptare. I konceptuar si roman i kërkimit detektiv, “Bujtina me potkua” në mënyrë parabolike lidhë shkakun e krimit të kryer nga djaloshi Leonard me simbolin e lirisë-potkuan.

Shpërthimi idesë së vetëflijimit moral këtu paraqitet edhe në një përmasë më idilike prej ku edhe buron trungu i porosive filozoofiko-poetike të pasazheve narrative të romanit. Prej gojës së priftit Zef mund të kapim edhe ca nga fijet e këtyre porosive e që i detyroheshin një kontemplimi gati heretik të gjërave: “Pas gënjeshtrave të njëpasnjëshme ai më pranonte se e donte Katarinën, edhe pse me një dashuri djaloshare dhe se për atë arsye kishte bërë vetëvrasje…” (Fq. 61). Këtu pos që tentohet të demistifikohet motivi i gjakmarrjes, fatkeqësisht jo i provuar edhe nga shkrimtarët shqiptarë, zbulohen edhe fije të tjera që lidhin universin shqiptar. Diku në roman sikur jepet edhe ky sugjerim: dashuritë e ndaluara janë të dënuara të pësojnë tragjikisht. Andaj të rinjtë duhet të martohen me dashuri, sepse vetëm në atë mënyrë evitohen mundësitë e incidenteve të përgjakshme.
Linja fabulative e romanit “Bujtina me potkua”  fillon dhe mbaron në  “Grand Hotel London” të Shkodrës. Reini takohet pikërisht në adresën e parë të udhëtimit të tij ekzotik. Në vend të Leonardit ai tani takon një djalosh edhe më të varfër se Leonardi, kurse për dallim nga dita e parë, tani malësorët që hynin në bujtinë hiqnin qeleshën dhe me sytë e drejtuar nga copa e ndryshkur e patkoit kujtonin djaloshin që e kishte detyruar një të huaj të shkruaj këtë roman.

Niveli cilësor i përkthimit nga Sherefedin Mustafa ka bërë që materia letrare e romanit “Bujtina me potkua” të lexohet me një frymë. Tema shqiptare e këtij romani zgjeron fushën e bashkëpunimit dhe lidhjeve me Europën pikërisht në saje të idesë së qëlluar që pas plot 60 vjetëve në hapësirën tonë të rikthehet interesimi i krijuesve europianë, të cilët kësaj radhe dinë të “flasin” edhe shqip.

(“Flaka e vëllazërimit”, 20 mars 1994)

VETËDIJËSIMI MBI IDENË E FLIJIMIT


Romani “Gjurmë motesh” i Eshref Aliut paraqitet në kohën kur letërsia shqipe, sidomos proza, po kalon momentet e kërkimit të trajtave të shprehjes artstike. Ndonëse moment krize, tani mund të bëhet fjalë edhe për një vakuum që mundohet të plotësohet me prodhim letrar, sikundër është edhe ky roman . I shkruar para tetë vjetëve, romani “Gjurmë motesh” mëton ta ruaj kontinuitetin zhvillimor të romanit tonë bashkëkohor, me tendencë që para lexuesit të paraqitet si paralajmërues i një zëri individual krijues.

Materiali letrar i mbyllur brenda kopertinave të këtij romani shpreh natyrën autentike të kërkimit pas idesë që ka një kontekst të caktuar kohor. Eshref Aliu ngjarjet e romanit i vendos në periudhën e fundit të rezistencës kundër Pernadorisë Osmane. Me këtë roman ai nuk synon të sjell ndonjë informacion të ri, të panjohur për ne, por dëshiron që përmes akseologjisë empirike të nxjerr parabolën e një vetëdije të caktuar historike, që këtu identifikohet me figurën e Cenit (fëmijë) dhe Kenanit (oficer turk). Njohuria e fituar mbi kontinuitetin e kësaj vetëdije, në roman prezantohet përmes prologut edhe epilogut. Ndërkaq brendia e romanit ofron një spekter më të gjerë të vijimësisë artstike të gjithë asaj që lidhet me vetëdijen historike.

I ndarë në tri pjesë, romani “Gjurmë motesh” është biografi  e fatit ekzistencial të shqiptart. Amplitudat e tronditjes së kësaj biografie prekin pikat më vitale të qenësimit. Udhëtimi nëpër relievin e vrazhdë hapësinor e kohor përbën skeletin fabulativ të romanit. Duke evokuar të kaluarën, sidomos heroizmin e luftëtarëve, vjen duke u zhvilluar kuptimi artistik mbi udhëtimin si dhe duke u thelluar përshkrimi i tipologjisë psikologjike-etiketë të heronjëve. Karvani i kërkimeve ec bashkë me dinamizmin kompozicional të romanit. Dhe rruga e kësaj ecjeje të gjatë e të mundimshme shtrihet në sfondin e planimetrisë tragjike që sjell koha, sikundër janë: vrasja e Curr Bimbashit, marrja jeniçer e djalit të tij nga ana e turqëve etj.

Embrioni struktural i romanit “Gjurmë motesh” sedimentohet rreth idesë së flijimit të vetëdijshëm. Heronjtë që  e kompenzojnë këtë ide janë në një raport të ngushtë me njëri tjetrin. Në këtë rreth të ngushtë të heronjve autori skicon edhe bartësit e sprovave të ndryshme njerëzore, të identifikuar me fytyrën e Magjistarit dhe Cubit. Derisa i pari është sinonim i destruksionit që sjell lufta, i dyti paraqitet në funksion të shtimungut psikologjik. Konkretisht, pot ë mos ishte Cubi ne nuk do të arrinim të mësojmë për karakterin etik të Lezes, grua (e Curr Bimhbasit) dhe nënë (e Cenit). Ndërkaq indi narrativ që lidh këto raporte është figura e Plakut, stoik për nga natyra dhe i thellë për nga gjykimet.  

Kërkimi pas viktimave të humbura të luftës, është lënda e trajtimit artsitik të romanit “Gjurmë motesh”. Ky gjakim akceptohet që në prolog, me daljen e masës në pritje të ushtrisë turke. Në mesin e kësaj mase ndodhet edhe një Plakë. Ajo, për dallin nga të tjerët, e di se kënd e pret. Paraqitja e këtij portreti masiv në fillim të romanit është uvertyrë për t’u futur në labirithin e ngajrjes. Ecja nëpër këtë labirinth shoqërohet me një filozofi të dialogut ekspresiv që për bazë ka nëntekstin asociativ. Zhvillimi i rrjedhës fabulative, para lexuesit nxjerr retrospektivën e veprimit pararendës. Një retrospektivë e tillë e paraqitur në këtë mënyrë tangeton probleme natyrash të ndryshme të rezistencës antiosmane. Dhe kulmi i kësaj tangjente padyshim është Curr Bimbashi, një figurë që ngrihet në idenë supreme të fljimit të dyfisht: për liri dhe për djalin e vetëm. Autori përmes një epizmi plastik fuqizon edhe më tej këtë ide, duke e finalizuar atë artistikisht në epilogun e romanit, atëherë kur vetëdijësimi mbi idenë e flijimit identifikohet me kthimin e Cenit, fëmijës dikur të vjedhur e tash oficer turk që turqit e njihnin si Kenan. Kjo trajtë e fuqizimit të idesë qendrore të romanit e bën polidimensionale strukturën e mesazhit artistik, ngarkesa semantike e së cilës shkarkohet mbi fundamentin e poroisisë që sjell zgjimi i gjakut të fashitur.
Ngjarjet e romanit “Gjurmë motesh” anojnë nga forma epike e narracionit. Fiksimi artstik i epizmit nuk bëhet në mënyrë stereotipe, siç ndodhë shpesh me forma të tilla narrative, por me gërshetim spontan të dy modeleve romanësore: romani i ngjarjeve dhe ai i hapësirës. Kjo aq më tepër kur kemi parasysh natyrën e karakterizimit zhvillimor dhe dinamik të botës së mikrokosmosit. Një zhvillim i tillë i fabulës ka bërë që në rrafshin horizontal të të rrëfyerit, dinamika e kompozicionit sikur zvarritet pa nevojë dhe krijohet kështu një shtrirje e zbrazët e pëlhurës fabulative, kurse episodet e skicuara në formë të pasazheve epike aty-këtu nuk kalojnë caqet e fragmentaritetit. Kjo mbase është kushtëzuar edhe prej disa parametrave teoriko-estetikë që dalin nga natyra e eksplikimit të heroikës, si kategori dalluese e karakterit etik të ngjarjes.

“Gjurmë motesh”  gjithsesi nuk bën fjalë për heroizëm masiv dhe nuk është roman i aksionit. Forma e heroikës këtu paraqitet në mënyrë monologjike, duke sintetizuar këtë ketegori në disa variante të mundshme Nënteksti i gjithë asaj që aludon në heroikën, në roman shenjohet si burim prej nga autori nxjerr porosinë në formë të ngadhnjimit të arsyes mbi emocionet. Për këtë mjafton të shikohen interludet brenda kompozicionit, ku vibrimet emocionale mbyllen në kuadër të pamjeve pa korniza të theksuara të pragmatizmit etik.

Dimensioni kohor i projektuar në këtë roman të Eshref Aliut është në funksion artsitik të gjithë poetikës narrative. Ajo që e afirmon këtë funksion është gjithsesi sensi i masës së reduktuar në kufijtë e arsyeshëm të lëvizshmërisë kohore. Në pajtim me dimensionin kohor, që në roman rrjedh me ritëm filmik, është edhe dimensioni hapësinor, i cili poashtu mëton të shtrihet sipas kërkesave të poetikës së rrëfimit. Prandaj edhe periudha prej tre vjetësh udhëtimi si dhe kufiri si cak i fundit ku synohet, janë koordinatat kryesore të hartës tematiko-mitivore të romanit “Gjurmë motesh”.

(“Flaka e vëllazërimit”, 18 shtator 1992)

EVOLUCIONI SHPIRTËROR I NJË FËMIJËRIE

Semantika e titullit “Sytë që shkrepin fëmijëri” të librit të Mustafa Spahiut regjistron reflekse shumështresore nga bota e ndjenjave të fëmijës. Projektimi poetik i kësaj semantike shkon duke u përdegëzuar edhe përgjatë trungut të veprës ku fëmijëria si manifestim semantik paraqitet dendur në shumë vargje, madje edhe në shumë tituj vjershash, sikundër janë: “Kthimi në fëmijëri”, “Si ëndërroja në botën fëmijërore”, “Krejt për fëmijërinë tënde”, “Kujtim i përhershëmi i fëmijërisë, “Kroi i fëmijëisë” etj.

Kënga evokuese e një fëmijërie, e cila këtu mund të identifikohet edhe me fëmijërinë e autorit si dhe kënga që komunikon me situata të ndryshme nga përditshmëria e fëmijës, krijojnë relievin ideo-tematik të këtij vëllimi të ndarë në tri cikle: I – Okarinat e paqës, II – Vallja e okarinave, III – Itenerari i okarinave dhe IV – Poemthi.

Të gjitha këto njësi ciklike ndërtojnë triadën e fazave të fëmjërisë. Autori në këtë mënyrë përcjell edhe rritën e fëmijërisë edhe lojën e tyre. Njëkohësisht ai nga pozita e të rriturit kthehet në fëmijëri. Pozita e subjektit lirik tani njejtësohet me vetë autorin. Si duket, jo rastësisht autori këto poezi i ka sistemuar në ciklin e mesëm për të sajuar një kontekst poetik i cili semantikisht fuqizon idenë e kontinuitetit të një fëmijërie dhe të një evolucioni shpirtëror. Tipike për këtë kuptim janë poezitë: “Kthimi në fëmijëri”, “Si ëndërroja në botën e fëmijërisë”, “Si lahen fëmijët” dhe disa poezi të tjera tek të cilat në formë të reminishencës evokuese projektohet fëmijëria. 

Poeti Mustafa Spahiu nuk e ka problem t’i gjej motivet për poezitë e tij. Me sensin e një vrojtuesi të kujdesshëm ai në vargje transponon të gjitha kthinat e godinës së madhe të quajtur fëmijëri. Si të gjithë shkrimtarët për fëmijë, edhe Mustafa Spahiu nuk mund të kalojë heshturazi pranë temës kushtuar nenës. Ndjeshmërinë ndaj kësaj teme ai e dëshmon edhe në pikëpmaje formale dhe përmbajtësore. Mirëpo, edhe pse ana formale bie në sy, sepse autori me vjershën “Nën ime” e hap edhe vëllimin poetik, ana përmbajtësore, megjithaë, dominon por edhe korrespondon organikisht me brendinë e librit. Ky korrespondim është i natyrshëm dhe ruan trajtat e brishta të ontologjisë fëmijërore, me ç’rast autori korrespodencën e tij e ruan me xhelozi duke fiksuar detaje që bashkojnë motivet dhe përjetimet, sikundër ndodhë në mes të poezisë së sipërpërmendur dhe poezisë “Kthimi në fëmijëri”. Mjafton një topos si “vaji pas nënës” që ta mbaj të fortë atë penin e hollë që lidhë një fëmijëri të dikurshme me një fëmijëri të tashme e cila prej topit “të pare të llastikut” kishte trashëguar serinë televizive “Pipi Çorapëgjata”.

Në librin “Sytë që shkrepin fëmijëri” pos listave të dëshirave të fëmijëve, autori merret edhe me preokupimet e ndryshme nga përditshmëria fëmijërore. Në të gjitha këto preokupime dominon zgjuarësia, çiltërsia dhe kurreshtja e fëmijës. Autori nuk dëshiron as ta rrisë para kohe fëmijën, as ta zvogëojë rezonancën e tij të reflekseve dhe përjetimeve, ashtu siç ndodhë edhe te vjersha “Grindje pozitive” ku konkludimi artistik merr përfundim të natyrshëm: / Besa kishte besim  në vete, / -Qëndrimi pat përfundimin e vet/ Pa mburrje – mundime fëmijësh/ Megjithatë, të dy kanë të drejtë!…/ (Fq. 60).

Gjuha poetike e librit “Sytë që shkrepin fëmijëri” është e kapshme për fëmijën. Autori spontanisht kultivon drejtpërdrejtshmërinë e komunikimit dhe nuk bën sforcimin e rrjedhës së vargnimit. Për këtë konstatim mjafton të lexohet poezia “Vallja e ditëve” Fq. 65) tek e cila kalimi nga njëra ditë në tjetrën bëhet pahetueshëm, dhe aq më tepër që vet ndërrimi i ditëve bëhet në formë poezisë, pra bëhet vet poezia vet. Edhe me këtë element, por edhe në elemente të tjera që lidhen me natyrën e tekstit të poezisë, vëllimi poetik “Sytë që shkrepin fëmijëri” është një ngjyrë mjaft e zjarrtë në ylberin krijues të autorit.

(“Flaka e vëllazërimit”, 1994)

FËMIJA – SUBJEKT AKTIV NË JETË


Përkufizimi i fëmijërisë si temë dhe kult i dashurisë ndaj prindërve, përfshin pjesën më të madhe të botës poetike në librin “Ku të pret ai yll”, e autorit Ramadan Zejneli. Ky libër ndërtohet mbi varioacionet e nëntemave që dalin nga brendia e teksteve poetike. Me shkrimtarin Ramadan Zejneli lexuesit e vegjël janë njohur qysh herët dhe përmes kësaj njohjeje kanë krijuar një mozaik specifik të përjetimeve dhe perceptimeve fëmijërore.
Me librin e fundit  “Ku të pret ai yll”, ky autor shprush në fund prushin e kurreshtjeve të atyre që nga poezia presin shpalime më suptile. Me 25 vjershat e tij, autori artikulon momente më interesante nga jeta e fëmijës si dhe tematizon relacionion në mes të fëmijës dhe botës që e rrethon. Ky relacion krijohet spontanisht, pa ndonjë didaktizëm të thatë, kurse si mjete që mund ta materializojnë këtë relacion shquhen edhe: ylli i Davidit, Ylberi, Libri i dinakërisë, Deti, ora etj.

Strukturimi i librit “Ku të pret ai yll” nuk është bërë sipas ndonjë sistemi rigoroz. Lexuesi do të jetë ai që pas leximit të librit të krijoj ndonjë sistem eventual të receptimit. Ndërkaq elementi nismëtar i këtij receptimi do të karakterizohet me shenjat dalluese të një brendie harmonike, ku dominon dashuria e fëmijëve ndaj të moshuarve dhe ndaj prindërve, pastaj mesazhi edukues, nota sociale, gjakimi për lirinë dhe atdheun, bukuritë e natyrës etj.

Me një sistem të kombinuar të vargnimit dhe rimimit, ky horizont i njohjeve të fëmijës me botën nuk ndjek ndonjë parim të skematizuar, por përkundrazi, në vetvete përdegëzon mundësinë e përzgjedhjes së lirë të qasjeve. Fëmija këtu nuk është subjekt naiv por aktiv që vë në lëvizje një mekanizëm të tërë në jetë. Shkrimtari Ramadan Zejneli fëmijës i krijon hapësirë të lirë të veprimit, kurse në situata të caktuara atë e orienton të gjykoj si një i rritur: ”Në shpirt e vret/ e vërteta n’televizor/ botën tonë si – lulishte/ në errësirë e kanë mbyllur/. (“Jeta në peshore” – në kujtim të mbylljes së TV Prishtinës nga ana e okupatorit serb, fq. 37).

Situata të ngjashme hasim edhe në poezitë e tjera ku fëmija spontanisht inkuadrohet në sferën e meditimit dhe pjekurisë normale: / Krijoj me kokën time/ prandaj unë jam unë/ s’lakmoj të jem spiker/ç’mençuri ka papagalli?/ (“Me kokën time”,fq. 22).

Ramadan Zejneli di të krijojë edhe çaste prekëse, me ç’rast vargu nuk dhunohet me emocione të tepërta. Si e tillë mund të konsdierohet edhe poezia “Pika e lotit” që i kushtohet nobelistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, e shkruar me rastin e vizitës së saj në Shkup, në vitin 1979. Nota e pikëllimit dhe nostalgjisë këtu merr shkallën e kulminacionit kur Gonxhe Bojaxhiu në vend të shtëpisë së saj të lindjes gjen një përbindësh të madh betoni – Qendra e sotme tregtare (GTC). Ankimi i vetëm i saj ishte: “Ta kishin ruajtur së paku një copë tullë…”, kurse poeti i prekur nga ky ankim i nënës shqiptare do të shqiptoj një  mesazh sublim në formë të vargjeve: “ Nga vepra e saj vendlindja/ vallë ndjehet krenare?!… (fq. 48).

Në letërisë tonë për fëmijë është e pranishme shmangia nga tema e dashurisë në mes të fëmijëve të gjinive të ndryshme. Ndonëse aty-këtu ky problem tematizohet, por pak si me ndruajtje, megjithatë bota e fëmijës konceptohet njëanshëm, pa e marrë në konsiderim bipolaritetin e emocioneve dhe ndjenjave fëmijërore. Një sprovë të suksesshme në këtë drejtim bën pikërisht shkrimtari Ramadan Zejneli, sidomos me poezitë “Au rendes-voues” dhe “Kur të dhemb zemra”. Me përvojën e pedagogut disavjeçar, autori mbase do të ketë hetuar ndonjë vibracion në valët e dallgëzuara fëmijërore. Këto vibracione ai do t’i shpreh përmes vargjeve: “Akrepat e orës e ndalin hapin/ sa një shekull m’duket dita/ rrugës eci me brengë në zemër/ nga çapkëni m’zihet prita.” (“Au rendes-vous”, fq. 50). Autori nuk e thotë se si quhet kjo brengë që rëndon në zemrën e çupës së vogël, por vetëm e akcepton si ndjenjë, si skuqje fytyre. Ndërkaq ajo që e bën karakteristike këtë mënyrë të konceptimit të ndjenjës së dashurisë fëminore, është insistimi që në subjektin e vjershës të thurret edhe dialogu në mes të nënës dhe çupës së vogël, e lement ky edukativ mjaft i qenësishëm: “Jam e sëmurë shumë/ s’di pse ca m’u dridh zemra/ kur në bankë dje lexova/ të shkruara dy emra.”/ “Kur të dhemb zemra”, fq. 52).

Pas një leximi më të thellë të poezive të librit “Ku të pret ai yll” të Ramadan Zejnelit, lexuesi sigurisht do të hasë në shtresa të tjera kuptimore, pa të cilat edhe njohja e kësaj vepre gjithsesi do të dilte e mangët.   (“Flaka e vëllazërimit”, 10 prill 1994)

NJË POET ME QARTËSI ZHVILLIMI

Në kërkim të individualitetit krijues të poetëve që viteve të fundit pushtuan kurreshtjen e lexuesve, pa dyshim që do të hasim edhe emrin e poetit Avni Halimi, si autor i librit me poezi “Vjeshtë në teatër” (libri i parë “Rojtar nate”). Ky autor kësaj radhe paraqitet me një spontanitet më të avancuar dhe me një tonalitet më të fortë poetik. Kjo përshtypje mbase mund të fitohet pasi ta kemi mbyllur këtë vëllim poetik dhe posa të rekapitulojmë bilancin e shtresimeve semantike të relievit figurativ.

I ndarë në gjashtë cikle: I. Parodia e asgjës, II. Grafiku i zoonosë, III. Trileri i vdekjes improvizuese, IV. Shansonë në terr, V. Bie perdja futë dhe VI. Katarsis, ky vëllim provon ta denatyralizoj pozitën e mikrokosmosit në një ambient urban. Ndonëse nuk është poezi kryekreje urbane, ajo megjithatë mbindërton hijen e fatit të qenies njerëzore, e ngujuar brenda arkiterkturës që prodhon mërzi, apati shpirtërore dhe konflikte brendashpirtërore.

Brendia tematike e vëllimit  “Vjeshtë në teatër” korrespondon me insistimin e autorit që poezinë ta përdorë si mbulesë gjuhësore kundruall realitetti trivial. E ngritur në një rrafsh të lakmueshëm të figurativitetit gjuhësor, poezia e këtij vëllimi prek skajet më të padukshme të qenësimit, duke risemantizuar situatat dhe grafikonin shpirtëror të heroit lirik. Prania e kësaj rrjedhe lamentuese në poezitë e Avni Halimit merr dimensionin e figurave konkrete që animojnë dilemat e çdoditshme të jetës: “kësaj vjeshte të verdhë/ a do të rigojë dyzetë ditë/ lot dreri/ në cilën gojë ujku copëtohet hëna/ pas eklipsit të syve n’kripanik”./ (Hije, fq. 14)

Shqiptimi i pasigurisë individuale si pasojë e asaj kolektive, konkretizohet me një aparaturë të zgjedhur diskursive të gjuhës, me ç’rast dominojnë figurat e alienimit moral, njerëzor e kolektiv: “çdo mëngjes/ vjell myk nate/ palcës së eshtrave bredhin milingonat.(“Sos”, fq. 11).

Vëllimi poetik “Vjeshtë në teatër” poetizon edhe probleme të përditshmërisë transparente. Me të tilla ide është më i ngarkuar cikli i parë “Parodia e asgjësë”.  Në këtë cikël janë shtatë poezi dhe figurativisht shprehin bioritmin e një jave. Lëvizjet e heroit lirik nëpër labirinthin e ambientit urban shoqërohen me një nivel të padukshëm të shenjave që e bëjnë njeriun të ndihet i neveritur: “nënë/ edhe qeni i Penelopës po trembet në pritje/ rrugëve të qytetit/ ku asgjë e re s’po ndodhë/ veç gjëmimit të faunës.”/ “Letër nënës”, fq. 12).

Cikli i dytë “Grafikoni i zoonizës” shkon më tutje në thellimin e idesë së mbylljes permanente të mikrokosmosit në muret e mërzisë urbane: “mes dhëmbëve të varrit hapur lulevetmisë/ bren zemrën.”/ (“Thnegla”, fq. 15). Projektimi i kësaj ideje bëhet me ndihmën e sinopsisit të një nomenklature nga bota shtazore, si: Thnegla, Qeni, Merimanga, Gomari,  Miu, Macja, Gjeli, Demi, Kali. Duke i ikur skematizmit verbal të eksplikimit të gjërave, poeti Avni Halimi këtë cikël e pëmbyll me shenjëzim paradigmatik: “Para hadit litar në pus/ para zotit lëmsh në thes.”/ (“Politika”, fq. 24).

Hapësira e një vetëdije konkrete mbi flijimin poetik, shpalohet pikërisht te cikli i tretë: “Trileri i vdekjes së improvizuar”. Në këtë cikël zënë vend tri njësi poetike me një asociacion qëndror: viktimizimi i krijuesit. Me këtë cikël autori ka arritur ta ngrejë në rrafsh utilitar fjalën poetike dhe fljimet eventuale për të. Subjekti lirik identifikohet me stoicizmin, pathyeshmërinë intelektuale e kombëtare. Lufta për të mbrojtur identitetin kombëtar tani ngjizet me sintagmën ekzistencialiste Jetë a vdekje: “ njeriu një herë lind e vdes shpesh më së rëndi  e ka kur ngel pa emër/ kur belbëzon tek zdirgjet kodrës/ për shembull fjalën viktoria” (“Poeti në Golgotë”, fq. 28).

Me ciklin IV, vëllimi poetik“Vjeshtë në teatër” formësohet si një syprinë e agenseve intertekstuale të sedimentuar në përmbajten semantike të verbit poetik. Disponimi që krijon ritmi i pazakontë i jetës pa përmbajtje konkrete, këtu manifestohet në formë të trajtave të bashkëdyzuara të natyrës gjuhësore: Vjeshtë në teatër, Shtigjet e vjeshtës, Dimër në shpirt, Urë poezie, Ëndrra e anktheve, Lutja e fundit, Natën vonë. Të gjitha këto sintagma poetike nxisin imagjinatën që të zbres në korridoret më të padukshme të vertikales shpirtërore. Përdorimi i dendur i këtyre sintagmave materializon edhe formën e shprehjes poetike përmes një vizuaiteti substancial: “vrimës së çelësit/ tej dritareve të natyrës/ në livadhin e hijeve/ sheh jetën lakuriqe.”/ (“Lutja e fundit, fq. 41).

Karakteristikë e ciklit IV – “Shansonë në terr” është edhe eksplikimi i gjërave përmes analogjisë me simbolikë të tipit “natë”, “terr”, “tym” etj. mbi të cilat ndërtohet një disponim me ngarkesë ambivalente.

Intelektualizimi i ndjenjës poetike është i pranishëm te cikli vijues “Bie perdja futë”, ku autori transmeton kujtime nga jeta studentore në Prishtinë. Aty është i pranishëm një disponim që mundohet ta ruajë të pashprishur kujtimin për atmosferën krijuese në Prishtinë, por edhe në Shkup. Për rrjedhojë, autorit do ti mjaftonte edhe figura e Pjetër Bogdanit për ta shprehur këtë disponim e njëherësh për ta aktualizuar mitin mbi “shkrimtarin e pavdekshëm”. Jemi në kohën kur erërat e egra të shovenizmit sllav mundoeshin ta statanizojnë të kaluarën historike dhe kulturore të popullit shqiptar, kurse Pjetër Bogdani paraqitet si feniks që i bën ballë këtyre erërave: ”tek ecte korsos/ krejt mishin e trupit/ ua hodhe qenëve/ që i kishin rënë n’gjurmë”/ (“Bogdani në Prishtinë”, fq. 43).

Autori në këtë cikël poetik prek edhe zymtësinë kosovare përmes poezisë “Në atelienë e Benit”. Kjo formë e shpalimit të realitetit është kapur me spontanitet versifikativ dhe figurativ: “pastaj grafikat/ “katallani i verbër” – ku shihet/ xhindi në kokërr shpine/ me laps ngulur syrit edhe/ “hapësira e helmosur” – fëmijët që vdesin duke fluturuar…/ “Në atelienë e Benit”, fq. 47).

Libri mbyllet me ciklin “Katarsis” që pëmban vetëm poezinë “Porosi shenjtërore”. Autori ironizon një situatë të caktuar të kolektivitetit. Inventari gjuhësor i përdorur në këtë cikël-poezi sugjeron revoltën e heroit lirik dhe pakënaqësinë e tij ndaj situatave konkrete të personfikuara përmes figurës së Nënës Tereze, kurse në tekstin poetik kjo revoltë më tepër implikohet në formë të narracionit. Ndaj edhe kjo formë e revoltës, poetin Avni Halimi do ta karakterizojë si një zë autentik në hapësirën tonë letrare.

Vija e ndërtimit të këtij vëllimi mban ritëm të matur dhe koordinon kërkesat e një uni krijues që nuk pretendon t’i thotë të gjitha gjërat me një libër, por vetëm paralajmëron se në të ardhmen kjo vijë mund të përdegëzohet në një sistem të mirëfillt krijues.

(“Flaka e vëllazërimit”, 27 mars 1994)

HYJNORJA DHE TOKËSORJA TEK JETA DHE VEPRA E NËNËS TEREZE


(Përkitazi me doracakun Gonxhe Bojaxhiu –Nëna Tereze: “E desha tjetrin me dashurinë e hyjit” të autorit Prof. dr. Anton Nikë Berishës, botuar nga ITSHKSH në Shkup)

Studiuesi dhe shkrimtari Anton Nikë Berisha me këtë botim të veçantë – doracakun Gonxhe Bojaxhiu –Nëna Tereze: “E desha tjetrin me dashurinë e hyjit”, vazhdon të japë kontribut të rëndësishëm në studimet mbi jetën dhe veprën e Nënës Tereze, duke hedhur me këtë rast edhe një gurë të çmueshëm në themelet e ngrehinës së ITSHKSH, që muaj më parë e zyrtarizoi Departamentin e hulumtimit të trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiu – Nënës Tereze.

Rëndësia e këtij botimi qëndron jo vetëm në faktin se ky po vjen në katër vjetorin e shenjtërimit të Nënës Tereze, por edhe për këndvështrimin specifik që studiuesi Anton Nikë Berisha ofron me këtë rast. Pra, mund të themi lirisht se kjo mbase është qasja më e duhur që mund t’i bëhet figurave që kanë ushtruar ndikim të pakrahasueshëm në rrjedhat e kulturës dhe civilizimit botëror.
Të shkruash për figura të mëdha, siç është Nëna Tereze, është sfidë në vetvete, sepse duhesh të zgjedhësh rrugët më pak të rrahura nga autorë e studiues të tjerë. Anton Nikë Berisha, me përvojën e studiuesit dhe lëvruesit të shkathët të problemeve letrare e kulturologjike ndër ne, ka arritur të na ofrojë një model interpretimi që mund të konsiderohet mjaft i avancuar, si për nga koncepti i materies, ashtu edhe për nga metodologjia e trajtimit të përmbajtjes së pasur të jetës dhe të veprës së Nënës Tereze.

I konceptuar si doracak, ky botim megjithatë tejkalon emërtimin fillestar, sepse plotëson shumë boshllëqe në njohuritë e munguara mbi jetën dhe veprën e Shën Nënës Tereze. Kjo falë një metodologjie mjaft sintetizuese që përdor autorit, i cili madje dorëshkrimit të tij i jep atributet e një palimsesti, ku kronologjia dhe biografia bëhen bashkë në një hulli që autori me mjaft gjeturi arrin ta sublimojë dhe të nxjerrë në pah, në një dioptri krejt të re, nektarin e mendimit botëror mbi Shën Nënën Tereze, prandaj ky libër ka shijen e ëmbël të ndjesisë autoriale për temat dhe problemet që ngre, si në pikëpamje të përzgjedhjes së dimensioneve më pak të njohura nga jeta e Nënës Tereze, ashtu edhe për nga pasuria dhe larushia e shfrytëzimit të veprave të autorëve të ndryshëm mbi këtë figurë madhore.
Që nga titulli i këtij botimi Gonxhe Bojaxhiu –Nëna Tereze: “E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit” autori ka dashur të na përgatitë për një lexim kreativ të tekstit, duke i dhënë profilit jetësor e shpirtëror të Nënës Tereze, trajtat e një mendimi të gjallë që në vetvete ka sensin për të zbuluar hyjnoren në veprimet e kësaj gruaje të madhe të njerëzimit.

Këtu mbase mbështetet edhe, siç thotë autori, vetë qenësia e veprimit dhe e flijimit të Nënës Tereze për të varfrit e më të varfërve, ndërkohë që përmasa hyjnore e saj tejkalon sjelljen e një bamirëse, sepse gjatë rrugëtimit të saj nëpër skutat e harresës e të pakujdesisë njerëzore ajo del si një sintetizuese e misionit human dhe përkushtimin ndaj Hyjit. Ajo i bëri bashkë këto dy dimensione të qenësishme të mirësisë tokësore dhe asaj hyjnore, sepse ishte e vetëdijshme se të duash, domethënë të vuash: “Pa vuajtjen tonë, puna jonë do të ishte vetëm një shërbim social”, thotë ajo.

Nëna Tereze, sipas autorit, e përmendte shpesh parimin, që e mbante si bazë të jetës e të veprimit të vet, se duhet “ta japësh jetën” për tjetrin, për njeriun kudo qoftë ai…“Unë s’jam tjetër pos një lapës në duart e Zotit […] Zoti shkruan duke na përdorur neve edhe pse jemi vegla të papërsosura. Zoti shkruan në mënyrë të mrekullueshme”, thoshte Nëna Tereze. Kjo thënie e Nënës Tereze që vjen në këtë botim, nuk është përzgjedhur rastësisht nga autori, dhe kjo është një prej meritave më të mëdha të tij që ta portretizoj figurën e Nënës Tereze jo thjeshtë si një bamirëse, por më tepër si një frymë njerëzore që e mbush përditshmërinë tonë me ngrohtësinë që mund ta dhurojnë vetëm ata që posedojnë energji për t’u flijuar për tjetrin, që në thelb nënkupton të bëhesh shpirtërisht më i pasur dhe më i mirë.

Nëna Tereze na mëson se pasuria më e madhe e njeriut, nuk është vlera monetare dhe materiale që posedon, por është shpirti i sakrificës, për tjetrin, apo siç do të shprehet kardinali, Angelo Comastri, teksa mundohet të formulojë një mendim për Nënën Tereze: “Me dëshirë i vë në formën e shkrimit disa kujtime personale për Nënën Tereze të Kalkutës, po në të njëjtën kohë ndihem pak ngushtë të flas për të. Në të vërtetë, e kam parasysh se Nëna Tereze nuk mund të definohet, nuk mund të përshkruhet, nuk mund të rrëfehet për arsye se burimi i jetës së saj kridhet në misterin e vetë Zotit ”.. Ky mendim përputhet tërësisht me urdhrin e Ungjillit: “Duajeni njëri – tjetrin sikurse unë ju desha juve” (Gjn 13, 34) dhe “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!” (Mt 22, 39).

Autori Anton Nikë Berisha këtë postulat hyjnor e mbështet me konstatimin se në çdo veprim Nëna Tereze përligji mendimin se jeta e njeriut nuk është gjë tjetër pos bashkim i dashurisë së tij me dashurinë e Hyjit, kurse gjakimi i saj kryesor ishte: “Nuk mund t’u japim asgjë të tjerëve nëse jeta jonë nuk është plot e përplot me dashuri të Hyjit, nëse zemrat tona nuk janë të pastra…. Për këtë arsye dashuria hyjnore duhet të ngadhënjejë (“Më i madhi dhe më i vështiri është: revolucioni i dashurisë ”).

Dashuria e Nënës Tereze për njeriun kishte një dimension krejt të veçantë. Kjo dashuri nuk mund ta kishte fuqinë e ndikimit, nëse nuk ndërlidhet me një dashuri tjetër. Për rrjedhojë Dashuria për Hyjin dhe dashuria për njeriun janë të pandara: “Nëse dashuria ime për motrat e mia është e mirë, atëherë dashuria ime për Krishtin do të jetë e mirë. Nuk janë dy dashuri…..” Pra, “Qe dashuria të jetë e vërtetë, para së gjithash, duhet të jetësohet për të afërmin tim […] kjo dashuri më shpie tek dashuria e Zotit ”.

Njerëzit, sipas Nënës Tereze kanë nevojë për një terapi shpirtërore që nuk mund ta gjejnë në asnjë ordinancë. Njerëzit kanë nevojë të luten, thoshte ajo. Teksa e zbërthen këtë parim, autori sjell një detaj nga një ngjarje e vërtetë në rrugëtimin e Nënës Tereze, pasi kishte vizituar Jemenin, takon një të pasur dhe rrëfen pastaj përshtypjet nga ai takim:

“Në Jemen, vend krejtësisht islamik, i kërkova një të pasuri të ndërtonte një xhami. I thashë: ‘Njerëzit kanë nevojë për një vend ku të luten. Të gjitha janë vëllezër e motra myslimane. Kanë nevojë për një vend ku mund ta takojnë Zotin’…”.

Besimi i Nënës Tereze në Hyjin si dhe jeta, veprimi dhe flijimi i saj, thotë autori, nuk mund të kuptohen në thellësinë dhe dritën e vërtetë pa e kuptuar mirëfilli qenësinë e lutjes dhe rëndësinë që ajo i dha asaj.Për ta kuptuar më mirë thellësinë e shpirtit të Nënës Tereze, autori i referohet pikërisht konceptit që kishte ndaj lutjeve, prandaj Nëna Tereze thoshte: “Lutja nuk është të kërkosh. Lutja është të vihesh në duart e Hyjit, të vihesh në shërbim të tij dhe të dëgjosh zërin e tij në thellësinë e zemrës sate”.

Këto janë edhe arsyet, sipas autorit, që Nëna Tereze i deshi njerëzit me dashurinë e Hyjit, pa marrë parasysh ngjyrën, racën, besimin dhe vendin.

Tani kur po përkujtojmë katërvjetorin e shenjtërimit të Nënës Tereze, por edhe për të përmbyllur këtë fjalë timen mbi Doracakun që po promovojmë sot, po sjell, me ndihmën e autorit, një mendim mjaft domethënës të Nënës Tereze, që tingëllon paksa edhe profetik në vetvete: “Nëse ndonjëherë do të bëhem shenjtëreshë, do të jem padyshim një shenjtëreshë e ‘fshehur’: do të mungoj vijimisht në parajsë që të shkoj mbi tokë për t’ua ndezur dritën atyre që janë në errësirë ”.

Uroj që veprat si kjo të bëhen pjesë e pandarë e studimeve tona në kuadër të ITSHKSH, kurse studiuesin dhe mikun tonë e përgëzoj për gatishmërinë dhe dashamirësinë që t’i përgjigjet kërkesës sonë për ta përgatitur këtë doracak me përkushtimin e duhur./ shtator 2020

GRAVURË E STILIZUAR MBI MERMERIN E KUJTESËS SONË KOMBËTARE

Monografia “Veprimtaria e klubit të Shkupit” (1908-1012)” vjen në opusin shkencor të prof. Ramiz Abdylit si gravurë e stilizuar mbi mermerin e kujtesës sonë kombëtare, e cila tash e tuej bëhet edhe më kuptimplote për arsye se histografinë shqiptare e pasuron me një këndvështrim të munguar deri më tani, po edhe për fatin se, siç e thotë edhe autori: “ motivi që më nxiti t’ia kushtoja këtë libër veprimtarisë politike dhe atdhetare klubit “Bashkimi” të Shkupit, është shqiptarësia e këtij qyteti ndër shekuj…”

Në hirin e kohëve gjithmonë ngelin gjurmët e atyre që kureshtjen e pasurojnë me njohuri të munguara, të cilat më vonë ose bëhen kronika të shkruara, ose rrëfehen si legjenda urbane. Por, gjithmonë ngelin ato kujtime të patretura nga kohët, të cilat në vete ngërthejnë palcën e identitetit material e shpirtëror të një qyteti. 

Kështu ka ndodhur edhe me Shkupin, mbi historinë e të cilit  janë shkruar shumë libra, monografi e kujtime të ndryshme nga autorë të huaj dhe më pak nga ata vendorë. Ky interesim për Shkupin përbënte edhe misionin thelbësor të udhëpërshkruesve, konsujve, shkrimtarëve, gazetarëve e studiuesve të shumtë për të nxjerrë në pah anët e dukshme dhe të padukshme të këtij qyteti antik, duke filluar nga zanafilla e formimit të tij, e deri te proceset e mëvonshme historike, gjeopolitike e qytetëruese, pa përjashtuar edhe ridisenjimet  e nduarnduarta  urbanistike-arkitektonike që janë shoqëruar me instalimin e regjimeve e administratave të ndryshme. 

Nuk mund të shkruash për një qytet pa pasur fillimisht një farë ndjesie të caktuar, jo vetëm intelektuale, por edhe emocionale e njerëzore për të. Kjo ndjesi e ka udhëhequr edhe Prof.dr. Ramiz Abdylin, i cili kredon e tij botëkuptimore e shkencore e ka ngushtë të lidhur me Shkupin, këtë qytet të lashtë, nëpër të cilin kalonte nervatura kryesore e  trungut etnik shqiptar. Ai jo rastësisht e ka përqendruar vëmendjen prej studiuesi pikërisht në këtë qytet, për arsye se Shkupi në dioptrinë e tij paraqet piemontin e një lavdie që kishte ndodhur por që kishte mbetur e pa trajtuar, prandaj edhe ka zgjedhur të veçojë një prej periudhave më të pasura me ngjarje dramatike (1908 -1012), që  ishin të lidhura ngushtë me aspiratat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe ideo-logut kryesor të saj, Abdyl Frashërit, sipas të cilit, Shkupi herë do kurdo duhet të jetë kryeqendra e Shqipërisë etnike.

Lidhjen e tij me Shkupin, Prof.dr. Ramiz Abdyli, tash së fundmi ka dashur ta shpërfaqë përmes një vepre që risjell në vëmendjen tonë lavdinë e dikurshme të këtij qyteti të lashtë.

Monografia “VEPRIMTARIA E KLUBIT TË SHKUPIT   (1908-1912)”, vjen në opusin shkencor të prof. Ramizit si gravurë e stilizuar mbi mermerin e kujtesës sonë kombëtare, e cila tash e tutje bëhet edhe më kuptimplote për arsye se historiografinë shqiptare e pasuron me një këndvështrim të munguar deri më tani, por edhe për faktin se, siç e thotë edhe autori: “motivi që më nxiti t’ia kushtoja këtë libër veprimtarisë politike dhe atdhetare klubit “Bashkimi” të Shkupit, është shqiptarësia e këtij qyteti ndër shekuj…”

Duke na e bërë të njohur veprimtarinë e Klubit “Bashkimi” të Shkupit, me kryetar Hamdi beun dhe nënkryetar Bajram Currin, autori hedhë dritë mbi një fazë të ndritshme të Lëvizjes sonë kombëtare, e cila e kishte vazhdimësinë e saj të pashkëputur që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e deri te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (1912).

Veprimtaria e këtij klubi kap dimensionin më aktiv të zhvillimeve politike e kombëtare në mbarë hapësirën shqiptare, atëherë kur po finalizohej përpjekja për një mëvetësi politike e shtetërore  shqiptare,  ku Shkupi jo rastësisht ishte zgjedhur epiqendra e atyre zhvillimeve.

Këtu qëndron edhe rëndësia e të shkruarit të këtij kapitulli të munguar të Historisë së shqiptarëve, për arsye se deri më tani askush nuk është marrur me klubet shqiptare, dhe sidomos me Klubin “Bashkimi” të Shkupit, që ishte shprehja e drejtpërdrejt e aspiratës së Rilindasve tanë që në çdo qytet shqiptar të bëjë dritë një kandil diturie e emancipimi.

Klubi i Shkupit, i ideuar si motor që do të vente në lëvizje ndërgjegjen kombëtare, me mjete politike dhe luftarake, ishte klubi i parë politik shqiptar që u themelua në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës, vetëm disa ditë pas klubit të Manastirit, në fund të gushtit 1908. Arsyet ishin të shumta, por nga ajo që shkoqitet në monografinë e prof.dr.Ramiz Abdylit, kuptojmë se Klubi i Shkupit, si organizatë politike-atdhetare  e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare,  u themelua për të dy arsye kryesore: të mobilizojë së brendshmi masat që do të ishin në funksion të rezistencës dhe të afirmojë çështjen shqiptare në rrafshin ndërkombëtar diplomatik e mediatik.

Duke qenë bërthama e një qeverie të ardhshme, që prodhonte ngjarje edhe për gazetat shqipe dhe të huaja, ky klub jo rastësisht tuboi elitën politike dhe atdhetare të Vilajetit të Kosovës, dhe me këtë dëshmoi se shqiptarët nuk ishin pa aristokracinë e tyre të mendjes dhe revolucionarët e pushkës, të cilët Shkupin e kishin zgjedhur si qendër të veprimit të tyre. Sigurisht që me këtë fakt mbase nuk kanë mundur të pajtohen autorë të lajthitur që vinin nga proveniencat ballkanike, të cilët paturpësisht gënjenin opinionin ndërkombëtar mbi, gjoja, mungesën e shqiptarëve për kapacitete shtetndërtuese. Klubi i Shkupit jo vetëm se i demantoi këto konstrukte dashakeqe propagandistike, por konfirmoi gatishmërinë dhe aftësinë e shqiptarëve për të menaxhuar situata sipas nevojave e rrethanave që kërkoheshin. Mjafton të lexohen raportet e konsujve të huaj të cilët shkruanin, bie fjala, për ditët e Shkupit të çliruar nga kryengritësit shqiptarë, në ditët dhe javët e verës së vitit 1912, ku rendi dhe qetësia publike ishin vendosur si një përfitim për të gjithë banorët e qytetit, pa dallim përkatësinë e tyre etnike e fetare.

I pagëzuar me emrin “Bashkimi”, sipas shembullit të klubit të Manastirit, Klubi i Shkupit, siç na e bëjnë të ditur burimet e shumta arkivore e dokumentuese që i ka përdorur prof.dr. Ramiz Abdyli, kishte një fushëveprim mjaft aktiv, që si  detyrë parësore kishte ndërgjegjësimin kombëtar të shkupjanëve më rrethinë dhe në Vilajetin e Kosovës, duke i dhënë jo pak hapësirë angazhimeve që do të kthjellonin kombëtarisht e kulturalisht edhe elementin shqiptar pro xhonturk të qytetit. Me këtë mund t’i përshkruhet edhe një meritë tjetër këtij Klubi, i cili kishte arritur të kontribuojë në orientimin properëndimor të shqiptarëve në një periudhë kohore kur për fatin e tyre vendosnin vendimet e padrejta të konferencave ndërkombëtare.

Klubi i “Bashkimi” i Shkupit e kishte hierarkinë e organizimit dhe veprimit, kurse Pleqësia ishte organi suprem që merrte vendime të rëndësishme. Pjesë e atyre veprimeve ishte edhe propaganda, që u sublimua me themelimin gazetës “Shkupi” e drejtuar nga publicisti dhe atdhetari, Jashar Erebara.

Në faqet e gazetës “Shkupi”, në gjuhën shqipe dhe turqishte, u trajtua problemi kombëtar shqiptar, pozita e tij në Perandorinë Osmane, lajme të ndryshme nga trevat shqiptare, pretendimet shoviniste të vendeve fqinje, Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Rusisë ndaj tokave shqiptare dhe informacione mbi ngjarjet në Perandori, Ballkan dhe në Evropë, si dhe probleme të tjera, si histori, bibliografia shqiptare, teknologjia etj.

Fryt i kësaj propagande ishte ndërgjegjësimi i shkupjanëve dhe i shqiptarëve nga qytetet tjera të Vilajetit të Kosovës për peshën që kishte në jetën e tyre veprimtaria e ideologëve e atdhetarëve të shquar, siç ishin Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Luigj Gurakuqi, Nikollë Ivanaj, Mit’hat Frashëri, Josif Bageri, vëllezëti Topulli etj. Të gjithë këta kishin kaluar edhe ditë e net të tëra në Bujtinën e Klubit të Shkupit, prej nga shpërndanin kronikat e një qyteti që po rizgjohej nga letargjia që e kishin futur sunduesit e ndryshëm dhe mendësia e fanatikëve fetarë.

Një fryt tjetër i kësaj propagande ishte edhe ndikimi që pati në rrethet e oficerëve shqiptarë në ushtrinë osmane për të bashkë-renduar veprimtarinë kombëtare në funksion të bashkëngji-tjes  kryengritësve shqiptarë në fushëbetejat që do të zhvillohen më vonë në të gjitha krahinat shqiptare. Kjo atmosferë ndikoi që pas një kohe, pjesë e anëtarësisë së klubit u bënë edhe oficerë e ushtarë shqiptarë që shërbenin në garnizonin e Shkupit.

Klubi “Bashkimi” i Shkupit nuk ishte një organizëm i izoluar nga hapësira etnike shqiptare, prandaj ky ishte edhe qëllimi që me iniciativë të këtij klubi u hapën edhe klube të tjera në disa qytete të Vilajetit të Kosovës, si në Kumanovë, Mitrovicë, Tetovë e gjetiu.

Periudha në të cilën veproi Klubi i Shkupit përkon me disa zhvillimeve politike që i ndërmerrte administrata xhonturke në instalimin e frymës përjashtuese të elementit shqiptar nga jeta publike e administrative si dhe në favorizimin e alfabetit arabo-osman, një tendencë kjo në kundërshtim me vendimet e Kongresit të Manastirit që kishte përvetësuar shkronjat latine si bazë e alfabeti të ri të unifikuar Këto marifete xhonturke janë vërejtur edhe gjatë proceseve zgjedhore, ku me të madhe u jepej hapësirë kandidatëve joshqiptarë, ndërkohë që Klubi “Bashkimi” i Shkupit, siç rezulton nga hulumtimet arkivore të prof. Ramizit, angazhohej që të votoheshin kandidatët shqiptarë me orientim kombëtar, dhe jo ata kandidatë shqiptarë që ishin në listat xhonturke, të cilët vunë interesat e tyre personale mbi ato kombëtare.

Se Klubi i Shkupit vepronte sipas një disipline dhe një hierarkie mjaft të strukturuar, flet edhe mënyra e organizimit të tij, ku si pjesë përbërëse ishte edhe Komiteti i fshehtë, një ndër komitetet më të shquara në Shqipëri, që i kushtohej kryesisht çështjeve që kishin të bënin me përgatitjen e rezistencës së armatosur që do të pasonte. Për rrjedhojë, Komiteti i fshehtë i Shkupit arriti të mobilizojë shtresat më të ndërgjegjshme të kombit përmes çetave të armatosura, siç ishte ajo e  Ali bej Topallit, e cila pati një ndikim të madh në ndërgjegjësimin e popullit të këtyre zonave për kryengritje.

Duke iu referuar burimeve arkivore, autori vë në dukje se në zonat përreth Shkupit vepronin edhe çeta të tjera të cilat kishin paralajmëruan të gjitha fshatrat shqiptare të kazasë së Shkupit që çdo familje të dërgonte nga një mashkull në radhët e tyre që në bashkëveprim me kryengritësit e kazasë së Gjilanit të mbyllej Gryka e Kaçanikut.

Veprimtaria e Klubit “Bashkimi” të Shkupit nuk mund të shikohet e veçuar nga konteksti i ngjarjeve që po ndodhnin në atë hark kohor 1908-1912, dhe sidomos në fazën kulmore që u arrit me çlirimin e Shkupit. Prof. Ramizi në mënyrë eksplicite na e sjell atmosferën e çlirimit të Shkupit, duke e ndërlidhur këtë ngjarje madhore me një varg kryengritjesh që kishin ndodhur në Vilajetin e Kosovës e që kishin rezultuar me çlirimin e qyteteve të Rrafshit të Kosovës, dhe dominimit të Grykës së Kaçanikut, si formë e trysnisë mbi qeverinë xhonturke, që t’i plotësonte kërkesat e Kuvendit të Ferizajt.

Mbështetur në kronikat e gazetave të kohës dhe në raportet e konsujve, autori na e bën shumë të afërt atmosferën e çlirimit të Shkupit, e cila dominohej nga lajmet e përhapura për marshimin e kryengritësve drejt kryeqytetit Dardan, Shkupit, të cilët ishin përqendruar fillimisht në pjesën veriore dhe verilindore të rrethinave të tij, rrjedhimisht në shpatijet e Karadakut të Shkupit dhe të Kumanovës.

Pjesë e kësaj atmosfere ishte edhe pritja që iu bë kryengritësve shqiptarë nga mijëra shkupjanë, të shoqëruar nga orkestrina “Zana e Malit”, që ishte pjesë përbërëse e Klubit “Bashkimi” të Shkupit.

Marrja e Shkupit nga kryengritësit shqiptarë nuk mbeti pa u regjistruar edhe nga diplomatët e huaj, të cilët autori i citon me pedanteri përmes fjalëve të njërit prej tyre i cili teksa  vlerësonte marshimin e kryengritësve shqiptarë në Shkup, shkruante: “një veprim i përkryer dhe me një disiplinë të madhe”.

Autori gjithashtu sjell edhe përshtypjet e Eqrem bej Vlorës, i cili derisa po qëndronte ato ditë në Shkup, shkruante se shqiptarët e leckosur, të uritur, me këmbë të zbathura e të gjakosura “janë sjellë si xhentlemen në qytetin e pasur të Shkupit, më mirë se ushtritë e disiplinuara”.


Ku qëndron rëndësia e kësaj monografie?

Përpos që vjen me një aparaturë të konsoliduar shkencore dhe me burime të pasura bibliografike, autori, prof.dr. Ramiz Abdyli, për herë të parë në historiografinë tonë sjell të plotë veprimtarinë e një klubi në hapësirën e dikurshme shqiptare që ishte unike.

Klubi i Shkupit fuzionoi shqiptarët e të gjitha krahinave e të gjitha religjioneve dhe u bë, kështu, zëri më artikulues i interesave kombëtare në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.  

Meritë tjetër e këtij klubi është edhe oksidentalizimi i veprimit kolektiv të shqiptarëve, si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë arsimor e kulturor.

Por, të gjitha këto detaje e risi nuk kanë mundur të dalin dhe të bëhen pjesë e interesimit të lexuesit të sotëm, pa insistimin këmbëngulës të autorit – Prof. dr. Ramiz Abdylit,  i cili përpos tjerash këtë vepër na e bëri edhe më të dashur me stilin e tij të shkruarit konciz e përmbajtësor, një vlerë kjo që e karakterizon gjithë opusin e tij shkencor e hulumtues.

NJË KOHË QË MUND TË NA IKTE PA U VËREJTUR

Shënimet e Fejzi Bojkut në formë ditari nuk janë vetëm të karakterit privat sepse në to gjejmë reminishenca të një kujdesi kreativ njerëzor lidhur me problemet sociale të cilat e rrethojnë. Këtë kujdes dhe shqetësim ai e shpreh me sinqeritet të plotë dhe gjithmonë duke kërkuar përgjigje për shumë çështje ideore dhe dilema që shfaqen gjatë proceseve nëpër të cilat kaloi shoqëria gjatë viteve të tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta.

Njerëzit mund të mbajnë ditar për shumë arsye, dhe në të shumtën e rasteve ditarët janë bërë objekt analizash e studimesh mbi një personalitet që përmes ditarit të tij ka ruajtur të paprekur një pjesë të padukshme të jetës së tij. Pikërisht ky dimension biografik i autorëve që kanë mbajtur ditar, është përfshi pastaj në korpusin më të gjerë tematik e problemor, duke ndihmuar në ndriçimin sa më të mirë të jetës dhe veprës së autorëve të caktuar.

Ka ndodhur gjithashtu që rrjedha biografike e një personaliteti, qoft i artit, i diplomacisë apo i shkencave, të pësojë ndryshim thelbësor pasi që janë zbuluar detaje të panjohura të gjetura në ndonjë ditar të tyre. Pikërisht këto detaje kanë determinuar edhe një dipotri tjetër gjykimi mbi veprimtarinë e tyre, sepse në të shumtën e rasteve gjurmët e jetës së një shkrimtari, artisti, diploamti, shkencëtari  i shohim të zënë vend edhe në veprim-tarinë e tyre.  

Ditarët zakonisht kanë shërbyer si burim informacioni, pasi që shumë emra të njohur kanë ruajtur shënime të cilat më vonë i kanë botuar si ditarë, kujtime ose memoare. Shpesh ka qëlluar që ato ditarë pastaj shkrimtarët dhe skenaristët t’i kenë shfrytëzuar duke i shndërruar në vepra letrare ose kinematografike, sepse ditarët e tillë përmbajnë tema komplekse, drama dhe fate njerëzore.

Edhe shkrimtari ynë Fejzi Bojku jo vetëm që ka dëshmuar aftësitë e tij kreative letrare, por ka mbajtur shënime për ngjarjet dhe njerëzit e kohës me të cilët ka jetuar. Shënimet e tij pasqyrojnë periudhën e viteve të tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.

Të shpresojmë se edhe këto shkrime mund të shfrytëzohen në forma të tjera kreative, për ndonjë roman, tregime, ose krijime poetike.

Autori i këtij ditari voluminoz në dy vëllime, i cili pothuaj tërë jetën e kaloi me dy revistat e njohura (“Gëzimi” e “Fatosi”) dhe krijimtarinë për fëmijë dhe të rinj, dikur u bind se botën e politikës dhe etjen për pushtet dhe pasuri nuk e njihte sa duhej.

Më në fund, ashtu si thotë edhe vet Fejzi Bojku në ditarët e tij, mendimet dhe vlerësimet për të tjerët nuk mund të jenë kriter absolut i të vërtetës, sepse ato janë të natyrës subjektive dhe në vartësi nga çastet dhe rrethanat e caktuara ideore dhe kohore.

Në ditarët e tij F. Bojku ia ka arritur të ndërtojë parabola rrëfimesh përplot kreativitet, të cilat ndërlidhin anët e ndryshme të botës. Ai vet është dëshmitar i kësaj lidhjeje, sepse ka qenë pjesëmarrës në udhëtime dhe ngjarje të tilla.

Posaçërisht frymëzuese janë udhëtimet e tij në Amerikë, Gjermani dhe vende të tjera, ku gjithmonë në një kënd të kujtesës ndriçon malli dhe kujdesi ndaj familjes, lidhjet me vendin e punës, si edhe problemet që preokupojnë shoqërinë dhe njerëzit me të cilët ai ka bashkëpunuar dhe bashkëjetuar.

Duke udhëtuar dhe biseduar, në kontaktet me njerëz, sidomos me ata të familjes së afërme dhe të fëmijërisë, Fejzi Bojku, njëkohësisht edhe mediton për ngjarjet dhe bisedat të cilat i bashkon në një kuti magjike të mbresave, të cilën e ruan me dashuri dhe fanatizëm.

Në ditarët e tij ai pasqyron ndriçimet dhe hijet e jetës së kurbetçinjve tanë në Amerikë, të cilat për të tjerët janë jo aq të njohura.

Përshkrimi i këtij realiteti bëhet thuaj në mënyrë telegrafike, mirëpo edhe mjaft  thelbësore dhe i bartur me plot detaje përcjellëse.
Shënimet e Fejzi Bojkut në formë ditari nuk janë vetëm të karakterit privat sepse në to gjejmë reminishenca të një kujdesi kreativ njerëzor lidhur me problemet sociale të cilat e rrethojnë. Këtë kujdes dhe shqetësim ai e shpreh me sinqeritet të plotë dhe gjithmonë duke kërkuar përgjigje për shumë çështje ideore dhe dilema që shfaqen gjatë proceseve nëpër të cilat kaloi shoqëria gjatë viteve të tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta.

Dilemat e Fejzi Bojkut janë të natyrës njerëzore, dilema të një shkrimtari, por gjithsesi edhe edhe të një intelektuali dhe krijuesi të njohur.

Shikuar nga një këndvështrim i këtillë, para nesh del një Fejzi tjetëri, të cilin nuk e kemi njohur sa duhet, një Fejzi që gjatë tërë jetës ka matur pulsin e kohës me ritmin e shqetësimit dhe kujdesit të tij të brendshëm. Duke pasqyruar ngjarjet dhe mendimet në formën e ditarëve, ndoshta edhe duke mos qenë plotësisht i vetëdijshëm, shkrimtari ynë me këto shënime para nesh ka pasqyruar një formë shkrimi, e cila kombinon me mjeshtri pedan-terinë e kronikut me mjeshtërinë krijuese të rrëfimtarit.

Këta ditarë janë një pasqyrë narrative kronike e ngjarjeve dhe rrjedhave jetësore, të cilat mund të na iknin pa i vërejtur.

Me këto vëllime biografike veprimtaria jonë botuese po begatohet me një gjini shumë pak të trajtuar te ne, kurse shkrim-tari ynë i nderuar Fejzi Bojku do të bëhet nxitës dhe inkurajues edhe për autorë të tjerë.

Nëntor, 2021

“STANÇIQI I KARADAKUT” – NJË LIBËR MONO-GRAFIK ME VLERA TË SHUMTA STUDIMORE

Sikur të deshifrohej koloriti i ngjyrave, ky libër monografik do ti përngjante një tablloje të madhe në të cilën autori ka pikturuar fytyrat e qeshura dhe të mrrolura të njerëzve të fshatit të tij dhe ka skicuar një mori ngjarjesh, duke i ndërlidhur  këto me vepri-mtarinë e përditshme të banorëve të cilët janë të ndërvarur me punët e tyre të përitshme në mal, në ruajtjen e bagëtisë , në ndejat e dimrit pranë oxhakut, si dhe në cicërimen e ngrohtë të fëmijëve që gjysmën e ditës ruajnë bagëtinë, kurse gjysmën tjetër e kalojnë në shkollë

Libri monografik STANÇIQI I KARADAKUT i profesorit dhe intelektualit Rahim Azemi është biografia e një vendbanimi  të braktisur që dikur kishte gjallëri, historinë e të cilit e shkruajtën burrat dhe gratë, pleqtë dhe të rinjtë e këtij fshati. Ky libër provon të dokumentojë dhe të sjellë në  vëmendjen e lexuesit grafikonin demografik, historik, gjeografik, social, kulturor , arsimor të një vendbanimi i cili shquhet me njerëz që bënin jetë të rëndë, që merreshin me punët e malit dhe të tokës, me blegtori dhe zejtari ku druri ishte lënda e parë, si dhe me njerëzit që kapërcenin kufinjt e fshatit dhe ia nderonin atij emrin me punë dhe vepra të vyera.

Autori Rahim Azemi në librin e tij monografik, përpos që ka përmbushur një obligim intelektual e kombëtar, ia ka dalur të shpie në vend edhe një amanet të të parëve të tij që historia e këtij fshati të mos mbetet vetëm objekt gojëdhënash e legjendash nëpër oda e ndeja të ndryshme, por të jetë edhe një detyrim profesional ndaj vendlindjes, duke e nxjerrë atë nga harresa dhe  pakujdesia institucionale. Ky detyrim po ndodhë tani, kur autori me bagazhin e njohurive dhe përvojës iu ka qasur një pune që ka kërkuar shumë mund, ka kërkuar hulumtime në terren dhe në arkiva dhe mbi të gjitha ka kërkuar qasje objektive ndaj ngjarjeve, njerëzve e proceseve historike, sociale, arsimore nëpër të cilat ka kaluar fshati Stançiq. Komponenten e objektivitetit ky libër do ta përmbush nëse çdo banor i këtij fshati e gjen veten aty, me të gjitha dimensionet e përfaqësimit dhe përshkrimit të gjendjes faktike, si në planin individual, ashtu edhe në atë kolektiv. Nëse ndodhë kjo, dhe nuk kemi kurrfarë dyshimi se kështu do të jetë, atëherë jo vetëm prof. Rahim Azemi, por të gjithë njerëzit e këtij fshati në njëfarë forme janë autorë të këtij libri monografik, sepse ai u projektua me shumë dashuri që të jetë edhe një radiografi e së kalaurës dhe të sotmes, por pse jo edhe një vizion i së nesërmes, sepse sa më shumë dashuri për vendlindjen, aq më atraktive bëhet ajo në shumë plane. Kjo po dëshmohet edhe me interesimin dhe kureshtjen e banorëve të dikurshëm të këtij fshati që të rikthehen sërish aty, duke e shndërruar vendlindjen në vendbanim të dytë të tyre.

Pasi ta kemi lexuar këtë libër monografik, do të mund të veçojmë specifikat dhe të përgjithshmet që përshkojnë këtë vendbanim, e  që është objekt trajtimi studimor nga ana e autorit. Sa i përket specifikave, ato  ndërlidhen me vet historinë e banorëve të këtij fshati, me karakterin etnopsikologjik të tyre, me ngjyrimet dialektologjike-gjuhësore, me talentin , afinitet dhe prurjet e tyre ndaj arteve dhe lojërave të ndryshme popullore, ndaj humorit si dhe me një sërë veçorish tjera që janë tipike për këtë fshat.

Ndërkaq, të përgjithshmet e këtij fshati ndërlidhen me kontekstin e gjerë gjeografik, historik e social në të cilin ndodhet. I shtrirë në juglindje të Kosovës, në kufij të hapësirave kadastrale të komunave Gjilan, Viti, Kumanovë dhe Preshevë, fshati Stançiq përshkon vijën fundore të Karadakut të Gjilanit dhe është nervatura më aktive e ndërlidhjes rajonale në një trekëndësh shtetesh, të cilat dikur ishin një hapësirë adminstrative-shtetërore. Nëpër hapësirat e këtij fshati kalojnë disa rrugë rajonale, të cilat dikur kishin rëndësi jetike për komunikim në mes të Shkupit e Prishtinës, atëherë kur funksiononte Ipeshkvia Shkup –Prizren, brenda së cilës kishte një komunkim më intenziv në mes të dioqezave, atëherë kur lidhjet në mes të Shkupit dhe Letnicës e Stubllës bëheshin më të dendura duke përdorur edhe rrugët që kalonin nëpër fshatin Stançiq.  Pra, ky fshat ishte njëfarë nyje që lidhte  Karadakun dhe Anamoravën, Shkupin me Gjilanin dhe Vitinë. Duke qenë pikë e pashmangshme ndërlidhjeje rajonale, Stançiqi edhe sot është rikthyer në të njejtat parametra komunkimi, sidomos me hapjen e vendkalimit Stançiq-Bellanoc, ku qarkullimi i njerëzve dhe mallrave i është kthyer ditëve më të mira kur kjo rrugë dikur shërbente për të lidhur malësorët e Karadakut me rrafshin e Kumanovës, sidomos ditëve të tregut kur nxirreshin në shitje, përpos lëndëve drusore, edhe bimët dhe frutat e malit, prodhimet blektorale dhe ndonjë vegël pune që punohej nga mjeshtrit e dalluar të fshatit tonë.

Sikur të deshifrohej koloriti i ngjyrave, ky libër monografik do ti përngjante një tablloje të madhe në të cilën autori ka pikturuar fytyrat e qeshura dhe të mrrolura të njerëzve të fshatit të tij dhe ka skicuar një mori ngjarjesh, duke i ndërlidhur  këto me veprimtarinë e përditshme të banorëve të cilët janë të ndërvarur me punët e tyre të përitshme në mal, në ruajtjen e bagëtisë , në ndejat e dimrit pranë oxhakut, si dhe në cicërimen e ngrohtë të fëmijëve që gjysmën e ditës ruajnë bagëtinë, kurse gjysmën tjetër e kalojnë në shkollë. Kur jemi te fëmijët, na ka bërë përshtypje angazhimi i autorit, që me pedantëri të përsosur ka nxjerrë nga arkivat listën e nxënësve që kaluan nëpër bankat e shkollës së Sançiqit, disa prej të cilëve pastaj u bënë emra të shquar në fusha të caktuara.

Kush janë banorët e këtij fshati, etimologjia e emrit të fshatit, pozita gjeohapësinore e fshatit Stançiq… relievi, klima, hidrografia, flora dhe fauna, toponimet dhe mikrotoponimet, ekonomia fshatare, rrethanat shoqërore e historike nëpër të cilat kaloi fshati, unifikimi i bashkëjetesës fshatare, lëvizja kaçake, vullnetarët e Stançiqit në Luftën e Preshevës, të mobilizuarit në betejat e huaja, krimet partizane mbi popullatën civile të fshatit, Lufta e Kikës, Masakra e Tivarit, puna angari, tepricat, ose i ashtuquajturi ‘vishak’, aksioni i mbledhjes së armëve, shpërngulja, gjegjësisht, migrimi fshat-qytet, kultura materile dhe shpirtërore e  fshatit, familjet patriarkale dhe religjini, pleqnarët – të gjitha këto dimensione kuptimore e përmbajtësore përbëjnë korpusin e përgjithshëm tematik të librit i ndarë në nëntë kapituj dhe në disa nënkapituj.

Shtjellimi i këtyre dimensioneve, ka pasur për bazë një hulumtim shterrues e argumentues nga ana e autorit, duke përdorur disa metoda hulumtimi dhe  duke nxjerrë në pah fakte të panjohura, por shumë të nevojshme për studime më të thelluara nga fusha të ndryshme të demografisë, historiografisë, etno-psikologjisë etj. Për rrjedhojë, ky libër monografik përpos lëndës së pasur që ofron, na udhëzon edhe si t’i qasemi kësaj lënde, duke i marrë si pika orientimi pikërisht metodat hulutmuese të autorit. Prandaj lexuesi nuk do ta ketë problem ta kuptoj zhvillimin evolutiv të banorëve të këtij vendbanimi malor, pasi që objektivi hulumtues i autorit  është bazuar në metodën dialektike-materia-liste, ose nëse lexuesi dëshiron të thellohet pak më tepër në rrjedhat kronologjike të ngjarjeve të shkruara, që nga zanafilla deri më sot, do të ketë si referncë metodën historike të autorit. Dallimet në mes të periudhave të ndryshme historike nëpër të cilat kaloi fshati Stançiq si dhe  të kuptuarit e vlerave dhe virtyteve morale  të njerëzve që kanë udhëhqur fshatin, kanë qenë gjithashtu objekt observimi e studimi nga ana e autorit, e që është bërë e mundur në saje të hulumtimit të bazuar në metodat komparative e normative. Që ky hulumtim të jetë edhe më i thelluar, autori ka përdorur edhe metodat tjera, sikundër janë: emprike, analitike e sinetitike, induktive, deduktive, intervistat, metodat psikologjike etj. kurse për të qenë më bindës në argumentimin e tij ai është mbështetur në tre parime themelore: objekti, qëllimi dhe  hulumtimi shkencor, me  një lidhshmëri strukturore brenda librit, i cili është krijuar si brum nga materiali teorik dhe ai i mbledhur në terren.

Si çdo vepër tjetër, edhe ky libër monografik i Rahim Azemit, pasi ta kemi lexuar, do të na lë disa gjurmë në shiritin e impresioneve dhe kujtimeve. Në radhë të parë do të mësojmë se, në bazë të hulultmimeve të autorit, Stançiqi për herë të parë si vendbanim është përmendur në vitin 1519, pastaj nga ky fshat banorët e tij shkuan në disa drejtime, morën disa profesione dhe mbaruan disa universitete (152 veta, disa prej tyre edhe me grada shkencore). Gjithashtu emrin e fshatit Stançiq e nderuan me virtytet dhe veprimet e tyre, edhe disa bashkfshatarë tanë, të cilët u dalluan me angazhimet e tyre direkte në luftërat vullnetare që u zhvilluan në Karadak dhe gjetiu, përfshi edhe luftën e fundit të UÇK-së,por edhe disa të tjerë të cilët pa vullnetin e tyre u moblizuan dhe u dërguan në betejat e huaja në Jemen, në Çenakala, në Srem, pa munguar edhe ata që përjetuan tmerret e maskarës së Tivarit.

Fshati Stançiq, siç rezulton nga burimet që na i ofron autori Rahim Azemi, i pati edhe kaçakët e vet, pleqnarët e vet, valltarët e vet dhe instrumenistët e vet. Një fshat që kishte kultivuar traditën e odës, si simbol të mikrpitjers dhe debatit kanunor, që kishte përjetuar peshën e pushtimeve të huaja dhe që kishte qenë i ekspozuar ndaj erozionit demografik të shpërnguljes dhe migrimit, nuk mund të mos jetë personazhi kryesor kolektiv i këtij libri monografik, i cili u shkrua me dashuri e përkushtim nga një bir i devotshëm i këtij fshati, i cili gjithë karrierën e tij profesionale e pedagogjike e ngriti mbi parimet e ndershmërisë njerëzore dhe objetkivitetit.

“Stançiqi i Karadakut” – është një libër monografik me vlera të shumta studimore, botimi i të cilit plotëson një boshllëk por përmbush edhe një obligim profesional e njerëzor, kurse Rahim Azemin e rangon në listën e autorëve hulumtues, që si pasion ka të vërtetën dhe argumentin shkencor.

Uroj që kjo vepër të nxisë edhe përpjekje të tjera studimore, që do ta begatonin opusin e përgjithshëm krijues e shkencor, ku fshati Stançiq nuk do të trajtohej vetëm si një vendbanim i braktisur, por edhe si një destinacion turistik e rekreativ.

Shkup, 10 dhjetor 2021

FILOZOFIA POETIKE NË PROZËN E BESNIK MUSTAFAJT

Nëse mund ta quajmë sprovë të guximshme, sfidën për të reduktuar maskimalisht distancën në mes të autorit dhe narratorit, gjithashtu do ta konsideronim si paradigmë socio-kulturore edhe metodën krijuese të shkrimtarit Besnik Mustafaj, e cila në aspektin teorik e estetik do të mund të formësohej si një manual udhëzues për lexim kreativ.

I ndarë në katër pjesë, ose në katër nivele që krijojnë strategjinë narrative të romanit , sikundër janë:  Thesari për luftën, La Ceinture de Chastete (La sentyer de shastete), (Brezi i virgjë-risë), Kalëruesi i humbur, Continuum, romani ‘Autoportet me teleskop’ i shkrimtarit Besnik Mustafaj imponon para lexuesit sfidën për t’u ballafaquar me një lëndë komplekse, sa heterogjene si teknikë dhe metodë krijuese, po aq edhe voluminoze si informacion estetik e letrar për një tipologji të gjërë ngjarjesh, karakteresh e shtrirjesh kohore dhe hapësinore

Romani ‘Autoportet me teleskop’ i shkrimtarit Besnik Mustafaj është një produkt i pastër letrar, që vjen pas një heshtje të gjatë krijuese, por që gjithë këtë heshtje ai sikur e justifikon me veprën e fundit, e cila për shumëçka është unike në mbarë letërsinë moderne shqipe. Në radhë të parë, ajo është një manifest estetik i shkruar në vazhdimësi, madje edhe para se autori të vendoste të shkëputej nga politika, sepse procesi i krijimit nuk ndodhë vetëm gjatë aktit fizik të të shkruarit, por edhe përtej kësaj. Nëse një njeri që e lë këtë botë dhe pas tij mbetet një testament për trashëgimtarët e tij, për shkrimtarin kjo do të mund të transformohej në një përvojë pak a shumë tjetër, ku fiksionaliteti e bënë atë të jetojë me bashkëkohanikët edhe pasi ta ketë përfunduar veprën për të vërejtur nga afër reagimet dhe efektet e atij fiksioni. Dhe kësaj, Besnik Mustafaj ia ka arritur.

Lexuesi – një bashkëudhëtar i padukshëm

Politika, si profesion që i ndihmoi narratorit të krijojë një personazh (homonim) letrar, autorit i ka shërbyer vetëm si katalizator për të përshpejtuar procesin e njohjes me një jetë dinamike, e cila jashtë politikës nuk do ta kishte dramën që e ka romani. Ndonëse edhe vetë Mustafaj e thotë me një rast, se ky roman në palcën e tij është politik, prejardhja e këtij konstatimi që nuk është ekstra zhanror, megjithatë nuk na pengon ta shikojmë atë pak më thellë, duke depërtuar në zona që vetëm një shkrimtar i talentuar di të ecë, duke qenë i sigurtë se rrugët nga po ecte, për herë të parë po i shkelte dhe në gjithë atë rrugëtim kompleks, sikur lë vend edhe për një bashkëudhëtar të padu-kshëm, për të bërë një transfer semantik të kodeve nga shkrimtari tek lexuesi, sepse vetëm duke qenë interaktiv në aktivitetin narrativ, shkrimtari dhe lexuesi krijojnë plotninë e përceptimit të veprës.

E ndarë në katër pjesë, ose në katër nivele që krijojnë strategjinë narrative të romanit , sikundër janë:  Thesari për luftën, La Ceinture de Chastete (La sentyer de shastete), (Brezi i virgjërisë), Kalëruesi i humbur, Continuum, kjo vepër imponon para lexuesit sfidën për t’u ballafaquar me një lëndë komplekse, sa heterogjene si teknikë dhe metodë krijuese, po aq edhe voluminoze si informacion estetik e letrar për një tipologji të gjërë ngjarjesh, karakteresh e shtrirjesh kohore dhe hapësinore. Prandaj edhe nuk do të bënim ndonjë gabim metodologjik, sikur këtë vepër ta copëzonim në fragmente, për ta kapur më afër natyrën e procedeut, mirëpo kjo do të na shkaktonte telashe jo të vogla për ta përceptuar plotninë, e cila, megjithatë ka një rrjedhë dhe një dinamikë të brendshme narrative dhe si e tillë do të duhej një receptim integral i njësive të veçanta tekstore brenda gramatikës së plotë rrëfimore.

Kjo dinamikë fillon në momentin kur narratori që iden-tifikohet me heroin letrar  Besnik Mustafajn, ndodhet në detyrën e ministrit të Jashtëm tek merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare në Monaco, me përfytyrimin se në një kohë të keqe dhe në një vend të keq do të përfshihej në një telash të madh.

Një pe i hollë dhe gati i padukshëm që lidhë amplitudat e zhvillimit të fabulës është ecja e narratorit nëpër fushën imagjinative të jetës së përjetuar dhe transformimin e saj në një realitet të ri estetik, sepse shkrimtari ka rrugën e tij, që është vetëm e tij, për të mbërritur tek të fshehtat e njeriut, atje ku edhe e ardhmja është abstrakte dhe mjaftonte për të ngjallur frikë.

Kjo ecje bëhet duke bartur me vete edhe dromca të patretura nga e kaluara, pa të cilat narratori nuk do të mundte të projektone disa nga pikat referenciale të retrospektivës dhe perspektivës kohore që lehtë mund të shëmbëllejnë në figurën komplekse të  Selami Beshirit, të cilin narratori e risjell në vëmendje për ta rishikuar edhe një herë në një mbrëmje të vonë në Bruksel.

Jo vetëm pse Selami Beshiri kishte një ëndërr të parealizuar qysh nga fëmijëria e hershme: të shuante nepsin për sallame e salçiqe, por edhe pse ai, si karakter do ta nxisë narratorin të bëjë hulumtime shterruese për të ndjekur diagramin e formimit dhe transformimit të personalitetit në dy kohë dhe hapësira krejt të ndryshme. Ky portretizim aspak stereotip dhe krejt origjinal, e nxjer në sipërfaqe prirjen e autorit për të ndërtuar alibinë e krijimit të situatave groteske, sikur në rastin e Selami Beshirit, të cilit, siç thotë autori, sistemi kompleks dhe i kudogjendshëm e kurdoher-shëm i propagandës dhe edukimit të regjimit revolucionar nuk kishte arritur t’ia rrënjoste një ëndërr që t’i mbijetonte kohës,  gjë që e kishte arritur një spot publicitar për sallamërat belge.

‘Autoportret me teleskop’, si një sporovë e guximshme letrare, e vendos ngadonjëherë autorin në pozitë të pabarabartë me kurreshtjet e panumërta të publikut, i cili me maninë e sipërfaqësisë dhe përtacisë për t’u thelluar më tepër në leximin e veprës, kërkon të nxjerrë jashtë kontekstit letrar personazhe e situata të caktuara. I ardhur në letrat shqipe si një individualitet, që kishte lënë gjurmë të pakontestueshme të formimit estetik në veprat pararendëse siç ishin romanet: ‘Vera pa kthim’ , ‘Një sagë e vogël’ , ‘Boshi’ dhe një opus i pasur poetik, autori i romanit që tani lexuesi ka në duar, është treguar mjaft bujar me ofertën e tij për një dialogim me lexuesin, duke kërkuar nga ai pjesëmarrje aktive receptive në periudhën postkrijuese të këtij romani. Mbase është për t’u admiruar kjo praktikë e autorit, sepse vetëm në këtë mënyrë arrihet emancipimi estetik i recepientit, pa të cilën edhe nuk mund të zhvillohet shprehia e komunikimit me veprën letrare.

Cilat metoda ka përdorur autori?

Nëse mund ta quajmë sprovë të guximshme, sfidën për të reduktuar maskimalisht distancën në mes të autorit dhe narratorit, gjithashtu do ta konsideronim si paradigmë socio-kulturore edhe metodën krijuese të shkrimtarit Besnik Mustafaj, e cila në aspe-ktin teorik e estetik do të mund të formësohej si një manual udhëzues për lexim kreativ.

Çka mund të mësojmë nga ky manual, me kusht që ai të kundrohet brenda planimetrisë narrative që autori i skicon si metoda pune?

a) Në fillim çdo kapitull, në retrospektivë përsëritet dhe spjegohet më detajisht rrëfimi paraprak. Ose sekuenca narrative – njësia përbërëse e të rrëfyerit, e cila edhe vetë është e aftë të funksionojë si rrëfim. Në romanin ‘Autoportet me teleksop’, këto sekuenca narrative paraqiten edhe si seri situatash e ngjarjesh, nga të cilat e fundit në radhë paraqitet si përsëritje e pjesshme, apo transformim i së parës.

b) Alternacioni si gjetje origjinale e autorit, ku kombinimi i niveleve narrative bëhet në atë mënyrë që njësitë e njërit nivel alternohen në njësitë e nivelit tjetër.

c) Rrëfimi metadijegetik brenda një kornize, ose rrëfimi i cili funksionon si kornizë e rrëfimit tjetër, duke i siguruar atij ambient funksional dhe kontekstualizim të semantikës së objekteve dhe ngjarjeve.

 ç) Vëzhgimi depërtues dhe kohezioni në mes të perso-nazheve.

d) Struktura epike e narracionit  në roman funksionon në trekëndëshin: personazhet – hapësira – veprimi.

Gjuha si kod semantik shenjash e mesazhesh, në romanin e Mustafajt paraqitet në  dimensionin e dyfishtë: në aktin e të rrëfyerit dhe aktin e përvetësimit. Çdo histori që rrëfehet këtu, që nga misteri reth thesarit të luftës, pastaj aventurat e përcjella me groteskun urban të tipave, si Selami Beshiri, Bilal Barzezi, dialogu me Ana B., episdodi paradoksal e tragjikomik me gruan angleze në aeroportin e Athinës, telashet me gruan që shitte qumshtin e gjirit në një metropol europian dhe rënia pre e naivitetit të një emigranti shqiptar në këtë histori, skenat gati filmike të një jete të braktisur rurale, janë disa nga bërthamat semio-tematike që aktin e të rrëfyerit e përplotësojnë me dimen-sionin e përvetësimit.

Implikimet psikologjike e filozofike

Shtresa e objekteve të romanit përbën inventarizimin alegorik të gjërave që në fakt është bota, të cilën në mënyrën e tij shkrimtari e bartë në veprën letrare, e që duket të jetë reale. Por në fakt ekziston vetëm si realitet estetik (gjuhësor), me të cilën sugjeron situata jetësore, sepse siç e thotë edhe vetë autori në një intervistë teleskopi, sa ç’ishte konkret, aq edhe jepte dorë për një metaforë me kuptime të shumëfishta.

Një prej atyre objekteve është edhe teleskopi, një lajtmotiv ky që i ka shërbyer autorit për ta ndërtuar intrigën fabulative të njeriut, që kishte nevojë të zhdukte distancat gjeografike dhe ideali për të braktisur ndjenjën që të krijon izolimi, të sygjeron të mendosh për objekte që i relativizonte kufijtë dhe distancat, siç mund të konisderohej edhe teleskopi si një objekt që i reduktonte këto parametra hapësinor, sepse, siç e thotë edhe vetë autori teleskopi, sa ç’ishte konkret, aq edhe jepte dorë për një metaforë me kuptime të shumëfishta.

Në roman, shtresa lëndore e objekteve është ngusht e lidhur me shtresën e aspekteve tematizuese, kurse aktivizimi i kësaj shtrese vie gjatë leximit, kur edhe bëhet kombinimi i objekteve me personazhet dhe marrëdhniet në mes vete.

Por e veçanta e këtij romani qëndron në resurset gjuhësore e stilistike për të sugjeruar vetëm ato mesazhe që burojnë nga vetë vepra, duke e ndihmuar lexuesin të mos jetë kaotik në përceptimin e sistemit figurativ të ngjarjeve e personazheve. Autori me këtë vetëm se vërteton teorinë e Ingardenit mbi funksionin  e lexuesit në ‘rikrijimin e veprës’.

Në lidhshmërinë sintetike të fakteve letrare, autori nuk ndjek ndonjë shkollë të caktuar historiografike, por bën zhvillimin e atyre përvojave me të cilat lexuesi i qaset veprës letrare.

Ajo që në roman karakterizohet si dramë e individit dhe fat i kolektivitetit, nuk do të mund të arrihej pa implikimet psikologjike e filozofike, të cilat autori i përdorë me mjeshtri, dhe kjo mund të vërehet sidomios në rastet kur personazhi paraqitet si inkarnim i tëhuajsimit dhe epshit, ose si peng i frikës për të panjohurën, por edhe për të papriturat e lirisë. Përjetimi i brendshëm i individit bartet në realitetin kompleks që e rrethon, kurse vetmia e njeriut, i rrethuar me frikën , paragjykimin, inkorporohet në toposin malor, që drejtpërdrejtë ndikon edhe në formimin e karakterit të mikrokosmosit. Letrarizimi i botës së individit dhe konflikti i kësaj bote me rrethin…

Çdo personazh i këtij romani është episod nga seria e gjatë e quajtur jetë. Autori i afrohet me këtë konceptit letrar që kishte Tolstoi mbi jetën: mikrokosmosi derdhet, ose shkrihet në makrokosmos dhe përpjekja titanike për t’u dukur i veçantë nga kjo turmë socio-antropologjike, në momente e rrethana të caktuar kishte edhe kosto të lartë për vetë lirinë dhe jetën e njeriut.

Tragjika dhe grotesku i qenësimit njerëzor, e përkohshmja dhe e përhershmja, fantasshkenca, ëndërra, erosi përbëjnë linjat karakterizuese identitare të kësaj vepre, ndërkohë që ndërtimi i arkitekturës së romanit ecë bashkë me zhvillimin dhe formimin e personazheve,  nga një kohë, në një kohë tjetër, nga një hapësirë në një hapësirë tjetër. Selami Beshiri, Bilal Barzezi, Muzafer Zhivini paraqesin tipologjinë komplekse të portretizimit psikologjik të njeriut, që kishte lëvizur nga një kohë e brisht rinore në një pjekuri burrërore, nga një vetmi rurale në një kaos metro-politan. Origjina sociale e shpirtërore e personazheve, bashkë me folenë e  kujtimeve, krijojnë shtratin mjaft dinamik të rrëfimit, ku derdhja e lëndës narrative nuk bëhet në një kallëp të ngurtë e të mbyllur hermetikisht. Mjeshtria e autorit qëndron pikërisht në krjimin e një kallëpi mjaft elastik brenda të cilit lëviz lënda narrative./ 13 mars 2018

NJË ALEGORI LETRARE PËR GULAGUN SHQIPTAR

(Romani “Një sagë e vogël” i Besnik Mustafajt, një projeksion orvellian i grabitjes së spontanitetit të jetës njerëzore)


Romani “Një sagë e vogël” i Besnik Mustafajt sjell një model realiteti që përthehet në receptivitetin e vëzhguesit të sotëm si një alegori për gulagun shqiptar. Distanca estetike për një rrëfim që tematizon mungesën e lirisë dhe teprinë e depersonalizimit të njeriut, modelohet figurativisht përmes disa linjave narrative, të cilat kanë një hapësirë të përbashkët të eksplikimit psikologjik e social. (Atmosfera orvelina në ambientet e burgut dhe nata e kaluar e Bardhylit dhe Lindës në dhomën speciale të burgut)
Herojtë e kësaj proze ndërtohen sipas një mekanizmi që autori e përdor në formë të teknikës së montazhit poli-semantik të ideve paralele për metafizikën e frikës (“Vetëbesimi i njeriut të lirë mbështete te guximi. Ai i të burgosurit te frika“), dualizmin e shpirtit dhe materies, si dhe të hapësirave të munguara të dinji-teteve personale brenda trashësive që sjell muri i ndarjes në mes të atyre që jetonin në burgun e brendshëm dhe atyre që jetonin në lirinë burgosur jashtë.

Autori na ofron një shikim tredimensional të kuptimit të asaj që ai e ka konceptuar si burg, përmes tre tipave të heronjve që përjetojnë burgun: si i burgosur (Oso Huta , Omer Huta, Bardhyl Huta), si gardian burgu (Hyqmet Hidi) dhe si kronist letrar (Andrea Boteci). Është një refleksion mjaft i zhvilluar estetik i autorit për të identifikuar kodin e bashkëjetesës midis mitit për jetën e shkuar që kërkohet të harrohet dhe të panjohurës që sjell jeta jashtë burgut. Selvia, mamaja e Lindës, kot ishte munduar të gjejë një qytet ku nuk kishte burg për ti siguruar së bijës një jetë të qetë bashkëshortore. Edhe pas një bredhjeje të lodhshme, ato të dyja, Linda dhe mamaja e saj, nuk kishin mundur ti ikin projeksionit fatal të të jetuarit brenda kallëpeve që ti impononte uniforma e rëndë e kohës. (“Dënimi im tregoi sa të kota kishin qenë përpjekjet e stërmundimshme edhe në familjen time edhe në atë të Lindës për të ndërtuar për ne , fëmijët e tyre, një jetë pa lidhje me të kaluarën“). Përkatësia femërore e këtij kërkimi prej Sizifi të një qyteti pa burg, kufizohej me lëkurën e vrazhdë të realitetit, ku nuk mbetej jashtë ajo që më vonë do të përkufizohej si fat, por edhe si fatalitet.

Ideja e autorit për të plazmuar fatalitetin njerëzor në një shoqëri ku ishte pushkatuar egoja para se ajo të shpërthente në shtratin normal të procesit social, nxjerr në pah heroin e mundur (Bardhyl Huta), por edhe idealizon mundësinë e rikrijimit të epopesë së një kohe që kishte prodhuar kujtesë (përmes Andrea Bodecit) për gjithë ata që në unazat e përflakura të burgologjisë kishin injektuar një realitet të dyzuar për heronjtë e burgjeve – për ata që kishin vuajtur brenda tyre si Oso Huta me pasardhësit e tij dhe për ata që ishin munduar ta ngrenë në njëfarë morali sjelljen e të qenit gardian burgu (Hymet Hidi).

Shpresa dhe mjerimi ishin dy kuptime të kundërta që e karakterizojnë botën shpirtërore të heronjve të kësaj proze. (“Dihet se nuk ka gjë më të shtrenjtë se shpresa kur je në mjerim. Frika e humbjes së saj nuk është frikë e rëndomtë. Ajo shërben për të fshehur vullnetin e jashtëzakonshëm të njeriut për të mos u dorëzuar. Ky është guxim i vërtetë”(fq. 91). Përpjekja për të paraqitur shpresën më të plotë në trajtat e ekzaminimit psikologjik të një jete që po luftonte ta largonte burgun nga inventari i kujtimeve, del të jetë një prej ideve që autori e zhvillon brenda koherencës semantike dhe filozofisë së gjallimit. / 08 maj 2018

NJË LIBËR, NË VEND TË TORTËS SË DITLINDJES!

Metodologjia e bërjes së këtij libri është bazuar në formën e një ditari që autori e thurte për çdo ditë, duke krijuar një pëlhurë të gjerë rrëfimi. Si një mjeshtër i ngjyrave dhe tonaliteteve që dalin prej tyre, Gani Bytyçi  ka ditur të nxjerrë një potrtret pak  a shumë të panjohur, por tepër të ngrohtë e njerëzor,  të prof. Anton Nikë Berishës.

E kisha lexuar dikur më herët, dhe s’e di pse më kishte mbetë në një skutë të kujtesës, një thënie e shkrimtares dhe eseistes kroate Dubravka Ugreshiq se “të prodhosh libra, nuk do të thotë të prodhosh letërsi”. Por, teksa e lexoja dorëshkrimin e Gani Bytyçit, që për mua nuk ishte ndonjë e papritur, pasi që në njëfarë mënyrë edhe unë isha bërë bashkpjesëmarrës i tërthortë në procesin e kësaj libër-bërjeje, megjithatë m’u desht t’ia bëja një modifikim thënies së shkrimtares kroate. “Disa tema e ide kishin kaluar nëpër një proces krijues, edhe pa u bërë ende libra”.

Ky do të ishte afërsisht versioni i përmbysur i thënies së Ugreshiqit, që do t’ shkonte pak a shumë natyrës së krijimit të këtij libri, dhe nuk do të them asgjë të re nëse zbuloj, tash më kur ai ndodhet në duart e lexuesit, pra edhe në duart e kryepro-tagonistit tonë – prof. Anton Nikë Berishës,  se kam lundruar nëpër një ndjeshmëri të ngrohtë e tepër miqësore në momentin kur shkrimtari dhe piktori Gani Bytyçi, kishte vendosur të ndante me mua një fshehtësi, që duhej ta dinim vetëm unë dhe ai.

Pra, ishim marrë vesh me Ganiun që të thyejmë një rutinë në traditën e shënimit të ditëlindjes së studiuesit, shkrimtarit e mikut tonë të dashur, prof. Anton Nikë Berishës, duke i dhuruar atij një libër modest për ditëlindjen e tij, i cili do të ndërtohej mbi një process spontan bashkëbisedimi në mes tij dhe Ganiut. Pra, kjo ishte ajo “torta” në formë libri me të cilin ne donim disi të intervenojmë, pak a shumë, në menynë e tryezës së një feste, që njeriu e shënon një herë në vit.

Ndoshta, fillimisht edhe Ganiu nuk e ka pasë idenë se bashkë-bisedimi me prof. Antonin, mund të të nxjerr në një vokacion shkrimi që krejt pahetueshëm të grish të bësh libër, prandaj isha munduar që ta inkurajoj atë të filloj, sipas një ritmi dhe ecurie jokonvencionale, ta ndërtojë strukturën e tij të librit, bazuar në ato detaje që atij do t’i bënin përshtypje nga bisedat e gjata telefonike me prof. Antonin, e që ende, për shkaqe objektive, nuk e ka përmbyllur harkun e plotë përmbajtësor.

Mbase se krejt kjo ide u ngjiz duke ia bërë një “tradhëti” të vogël prof. Antonit, sepse ai nuk po e dinte se bashkëbisedimi me të do të shndërrohej në një materie të strukturar tekstore që do të futej brenda kopertinave të një libri. Nuk është hera e parë që libra të tillë bëheshin mbi modele të ngjashme bashkëbisedimi, por rrallë herë kishte ndodhur që bashkëbiseduesi të mos dinte se po bëhej subjekt i një libri. Pra, prof. Antoni jo vetëm që nuk e dinte se Ganiu me të po bënte një “xhiro të gjatë shetitjesh” nëpër tema e ide, nëpër vepra e autorë, nëpër kohë e hapësirë, që nga Aristoteli e deri te Mikelangjeloja, që nga Antika deri te Renesanca, që nga De Rada deri te Anton Pashku, por ai as që mund ta merrte me mend se në një distancë disa mijëra klimotërshe, përmes telefonit, po jepte “leksione falas”nga  teoria e letërisë, nga estetika, filo-zofia e arti. Dhe,Ganiu, si një “student pedant”  po regjistronte në shiritin e kujtesës detajet më të qenë-sishme të bashkëbisedimit. Sepse çdo imtësi, çdo batutë dhe çdo mikrongjarje atij do t’i hynte pastaj në punë për të ngritur në këmbë një krijesë që më vonë do të merrte formën e librit.

Gjithsesi, ky bashkebisedim nuk do të mund të ishte kreativ e intelektalisht i mbathur mirë  për nga përmbajtja dhe stili, sikur të mos ekzistonte që në thelb të gjakimit edhe një prirje e vet autorit për të nxitur e shkoqitur tema e ide që atij i janë dukur me interes. Mund ta marrim me mend se si para çdo bashkëbisedimi, atij i është dashur të sistemojë në kutinë magjike të laboratorit krijues dijet teorike  dhe përvojën e tij  krijuese, në mënyrë që biseda të plotësonte disa nga kriteret për t’u konsideruar e denjë për t’u përfshirë pastaj në një libër.

Meqë e kam ndier nga afër drithërimën e asaj që prodhonte emocion tek autori pas çdo bashkëbisedimi me prof. Antonin, nuk e kam pasur vështirë ta distancoj për pak çaste Ganiun  nga qarku i ngushtë i subjektivizmit që krijon miqësia, dhe ta krahasoj me një Cvajg, Kapuçinski, Falaçi etj. të cilët gjatë procesit të ndërtimit të subjekteve e profileve njerëzore në reportazhet e tyre brilante, kishin përdorur letërsinë si një “daltë” pa të cilën nuk do të formësoheshin disa nga pasazhet brilante të rrëfimit. Ngjashëm, edhe tek Ganiu, letërsia u përdor si një “daltë” për të nxjerrë nga shiriti i gjatë i bashkëbisedimit bërthamat më të pastra fabulare, që u modeluan sipas një arkitekture të menduar mirë tekstore.
    Metodologjia e bërjes së këtij libri është bazuar në formën e një ditari që autori e thurte për çdo ditë, duke krijuar një pëlhurë të gjerë rrëfimi. Si një mjeshtër i ngjyrave dhe tonaliteteve që dalin prej tyre, Gani Bytyçi  ka ditur të nxjerrë një potrtret pak  a shumë të panjohur, por tepër të ngrohtë e njerëzor,  të prof. Anton Nikë Berishës. Atij i është dashur të ndjekë disa linja rrëfimi për të sistemuar gjithë “armaturën” në shtyllat kryesore mbi të cilat qëndron ky libër.

Një prej atyre shtyllave, sipas autorit, ka qenë ideja që përmes bashkëbisedimit me njërin nga studiuesit dhe shkrimtarët më të shquar bashkëkohor të letrave shqipe, Anton Nikë Berishën, të përçojë tek lexuesi disa nga përvojat krijuese dhe dijet teorike letrare të tij. Kjo del pahetueshëm edhe nga intenca e autorit që bashkëbiseduesin e tij ta quaj një “enciklopedi e gjallë letrare”, i cili në tryezën e punës  mbante shkrimtarët e preferuar, ose “mbretërinë e tij letrare”. I rrethuar nga kjo mbretëri, prof. Antoni në sytë e Gani Bytyçit dilte një eruditi i paparë sepse “sa herë të flasësh me të, ai nxjerr një detaj nga jeta, një varg nga poezia, një nyancë nga kuptimi”.

Një shtyllë tjetër mbi të cilën rëndon pesha e reflektimit filozofik e esestik të këtij libri, është ideja e autorit që përmes bashkëbisedimit kreativ me prof. Antonin të depërtohet edhe në vet procesin e ndërlikuar të krijimit. Ky mbase është edhe një përfitim mjaft domethënës edhe për letrarët e rinj, të cilët do të mund të mësonin detaje të panjohura nga përvoja krijuese e hulumtuese e prof. Antonit, sepse ai gjatë bashkëbisedimit kishte nxjerr disa nga “sekretet” e tij të të shkruarit , por dhe të autorëve që ai i kishte njohur personalisht.

Një përfitues i kësaj “shkolle krijimi” del të jetë edhe autori i këtij libri, i cili edhe e pranon se gjatë bisedës me Profeso-rin (gjithkund në libër e shkruar me shkronjë të madhe), ai kishte mësuar gjëra me vlerë që do t’i shërbenin në përvojën e mëpastajme krijuese.

Ky libër, që përmban në vete elemente të kronoligjisë dhe ditarit, i shkruar me pasionin e autorit që është tepër kurreshtar për fshehtësitë e padukshme të artit dhe gjithë asaj që e bën një vepër të plotë për nga përmbajtja, ideja, teknika e krijimit, do të shënojë edhe një sukses në eseistikën tonë bashkëkohore.
“Sa herë që bisedoja me Profesorin, doja që ai të fliste më shumë”. E thotë këtë autori, teksa depërton në shtresat më komplekse të problematikave që ai i mbarështonte gjatë bashkëbisedimit, duke i dhënë prof. Antonit edhe një atribut me plot meritë – atë të “ciceronit” në eksplikimin e hapësirave të paana të letërisë, artit, estetikës e filozofisë.  Prandaj autori dëshironte që“Profesori të fliste më shumë”, ndonëse, siç e thotë ai, “kur flasim me Profesorin, asnjëherë nuk e dimë se kur fillonte biseda dhe kur mbaronte”.]
      Gani Bytyçi, përmes këtij libri, vjen me një përvojë të re tekstore, që do t’iu shërbente edhe autorëve të tjerë për ti shndërruar komunkimet e tyre me krijuesit në testamente shpirtërore. Këtë angazhim intelektual e krijues të autorit, do duhej kuptuar edhe si mirënjohje për përkushtimin e parreshtur dhe punën kolosale të Anton Nikël Berishës, në fushën e krijimtarisë dhe studimeve letrare. Kjo edhe për faktin se mosvë-mendja shoqërore e institucioanle ndaj njerëzve të dijes është shndërruar në një ‘infarkt’ të ndërgjegjes sonë kolektive, e cila assesi nuk mund të kurohet nëse nuk fillojmë ta bëjmë mirënjohjen pjesë të mendësisë sonë civile. Prandaj, jo ratësisht Gani Bytyçi, me të drejtë, nxjerr një klithmë njeriu të shqetësuar, në formë të dilemës intelektuale së “përse ne sikur kemi frikë nga mirënjohja?”
    Në përmbyllje të kësaj parathënie do të doja të shprehi edhe njëherë kënaqësinë e të qenit tërthorazi pjesë e një procesi krijues, të cilin autori me shumë sukses e ka kurorëzuar, duke na sjellë një kontribut me vlerë në bibliografinë e pavdekshme të respektit dhe konsideratave ndaj prof.dr. Anton Nikë Berishës.

5 gusht 2021  

POETIKA E MEDITIMIT DHE RRËFIMIT

(Parathënie e librit “FLETËZA DHEMBJEJE“ të autorit Gani Bytyçi, botuar nga ‘Faik Konica’, Prishtinë, 2018)

Kur e lexon Gani Bytyçin, e ke para vetes një kronikan që artin e të shkruarit e bën përmes meditimit dhe rrëfimit. Në librin e tij “FLETËZA DHEMBJEJE“, të cilin lexuesi tashmë e ka në dorë, është përmbledhur një cikël fletëzash publicistike-letrare, të shkruara në një hark kohor mbi dy dekada. Ato, si të tilla e kanë ruajtur të plotë freskinë e ideve, por edhe koherencën dhe vijueshmërinë tematike e problemore.

Plagët e vendlindjes udhëtojnë bashkë me autorin

Gani Bytyçi është krijues nga Kosova, i ardhur në mërgim dhe ky fakt na bën të kuptojmë se ky autor nuk ka udhëtuar i vetëm. Bashkë me të, kanë udhëtuar edhe plagët e vendlindjes dhe personazhet e dramës që zhvillohej në atdheun e tij. Ato plagë ai do t’i trajtojë artistikisht edhe pas shkuarjes në ekzil. Ndaj, gjithë krijimtaria e Gani Bytyçit është e motivuar nga plagët e pambyllura të atdheut të tij. Ndërkaq, pena që përdor ai është treguar një kuruese e sprovuar e këtyre plagëve. Nga pena e tij rrjedh drita që ndriçon pyllin e errët të kohës së pakohë.

Si në dedikim për prindërit, po ashtu dhe në kujtim të publicistit dhe eseistit të veçantë të letrave shqipe, Ali Sutaj, ky libër vjen dhe bëhet kurorë mbi një pllakë të madhe në të cilën autori ka gdhendur memorien kolektive të brezit, që po ballafaqohej me mungesën e lirisë së atdheut. Duke qenë se edhe vetë autori i takonte atij brezi, ai edhe do të bëhet zë i atyre që nuk mund të flisnin e të shkruanin lirshëm në atdhe. Në mërgim, autori do të bëhet zë i dhembjes së nënave të zhuritura, që shtrëngoheshin të ndaheshin nga fëmijët e tyre. Zë i fëmijëve, që kishin lindur në robëri dhe me dekada nuk i kishin parë etërit e tyre. Zë i dhembjes e rënkimit të atdheut dhe kombit të tij.

Është kjo kronika e gjallë e vuajtjeve të një populli, apo transmetuesi fibrik i dridhjeve, shqetësimeve e tronditjes që përjeton shpirti i trazuar i Arbrit. Një fibër të tillë mund të disponojnë e ta shprehin vetëm shpirtrat e trazuar, ata të cilët muzën e krijimit e mpleksin në skutat më të padukshme të dhembjes njerëzore. Shkrimtari-njeriu, Gani Bytyçi, në thelb të materies shkrimore e ka dhembjen dhe me të ai na shoqëron nga rrëfimi në rrëfim, nga udhëtimi në udhëtim, nga një dhembje tek tjetra. Rrugëtimi i tij, metropoleve të Evropës është i gjatë e i pafund. Edhe i dhembshëm. Teksa ndërronte trenat e linjës për të arritur në destinacionin e radhës, autorit sikur i shfaqen ato skenat tragjike të dramës së atdheut të tij, ku do të shprehet gjithë dhembje: “…duke e këputur mes për mes Evropën me trenin, që shkliste disi rëndë mbi trupin e saj, ashtu siç ajo dikur pati shkelur tepër rëndë mbi trupin e Atdheut tim, duke i shkaktuar atij gjymtime aq të rënda, të cilat ai nuk po ia del t’i shërojë as sot e kësaj dite, m’u bë sikur ndjeva gjithë dhembjen që ndien trupi…”. Çdo udhëtim i tij, është histori më vete. Ai është histori e dhembje e njeriut, që pas shumë vjetësh, gjithë mall takon të birin në mërgim. Është bredhje e histori, që krijon takime me njerëz të shumtë, kurbetçinj e azilantë, hallexhinj e të përndjekur, ku, siç e thotë edhe vetë autori, “edhe bisedat më të rëndomta me ta, ato që duhet të jenë të hareshme e të këndshme, janë prekëse, të dhembshme e plot mallëngjim”. Këto udhëtime e takime janë edhe pasqyrë për të kuptuar se “si na shohin të tjerët dhe çfarë jemi në të vërtetë”. Nga këtu autorit i shfaqet edhe ajo pyetja-dilemë, që e shqetëson (dhembshëm) vazhdimisht: “ku tret gjaku ynë, ku i lëmë eshtrat tanë?” Është madje edhe një evokim, një (si)thirrje ndërgjegjeje për ata që atë e kishin humbur, por që në mesin e tyre (ndonjëherë) shfaqej edhe ndonjë zë (i vetmuar) disident, siç ishte shkrimtari progresist Mirko Kovaç, i cili, siç na shpjegon autori, teksa largohej me dëshpërim përgjithmonë nga Serbia, pati thënë: “Shkova, sepse jam neveritur me sasinë e absurdit, që është i pranishëm në këtë popull. Me neveritje dhe pikëllim kam ndjekur se si një popull (ai serb) po çmendet, se si po kënaqet me vetëmashtrime, se si po zymtohet para syve të botës”.


Kronologjia rrëfimore


Kështu, historia e kronologjisë rrëfimore të Bytyçit do të na nxjerrë tek “Lufta në Jugosllavi, e cila nisi në Kosovë, e që, siç na e thotë në formë profecie autori, ajo po atje edhe do të përfundojë”, duke na e kujtuar se “Kosova, aktualisht po e përjetonte aktin më tragjik të dramës së saj historike të fundvjeshtës së këtij shekulli. Aktori-viktimë i këtij akti tragjik, një popull i tërë – shqiptarët ”.

Evropa është plot me krijues emigrantë. Parisi, Londra, Roma, Berlini, Gjeneva, për shkrimtarët dhe piktorët e ardhur nga Lindja, sidomos pas triumfit të Revolucionit të Tetorit (1917), ishin shndërruar në fole të ngrohta, ku shtegtarët e rinj do të mund të projektonin dhe zhvillonin ëndrrat e tyre krijuese. Disa prej tyre u zhvendosën edhe përtej Atlantikut dhe sot kemi një plejadë të tërë shkrimtarësh e piktorësh, që kishin krijuar shkollat e tyre estetike, në mungesë të lirisë së shprehjes në atdhetë e tyre.
Ekzili ishte bërë porta triumfale për krijuesit, që nuk donin t’u dergjej në robëri talenti i tyre, me të cilin në botën e lirë do të mund të avanconin fjalën e papenguar në shërbim të kauzave të lirisë e atdhedashurisë.

Njëri prej tyre është edhe Gani Bytyçi, shkrimtar dhe piktor, tashmë i njohur me profilin e tij krijues, kompleks për nga natyra e shprehjes artistike dhe dinamik për nga botëvështrimi i gjërave e fenomeneve. Me ekzilin si (fat)keqësi, në fillim të viteve nëntëdhjetë, Bytyçi në valixhen e tij do të marrë shumë pak gjësende, që do t’i hynin në punë gjatë udhëtimit. Ai s’kishte dashur ta ngarkonte veten me pakuptimësinë e gjërave, ngase, teksa po kapërcente kufijtë (i ngrirë deri në kockë), nuk mund ta imagjinonte veten të futur në lëkurën e ndrojtur të një mërgimtari, i cili në çdo sezon të vitit do të kthehej në vendlindje për të ndjekur ritmin e ndryshimit të natyrës. Përkundrazi, Bytyçi po bëhej gati për një ritëm krejt tjetër dhe po largohej nga Atdheu për të ngritur një fole të re, prej nga do të shpërndante dhe do të çlironte fjalën e zënë peng nga robëria. Gjatë gjithë kohës ai po e mbartte me vete një ngarkesë emocionale tepër të rëndë, të cilën më vonë atë, ai do ta derdhte me vrull të tërën në krijimtarinë e tij letrare e artistike. Gjatë gjithë këtij lundrimi në qiellin e trazuar të kohës, Bytyçi do të shoqërohet përherë nga ajo pjesë e shpirtit, që e kishte lënë prapa vetes, ndonëse ai me dhembjen që shkakton shtrëngimi i nofullave, do të porositë që “të marrim çdonjëri pjesën e vet të kësaj dhembjeje (mallkimi) të tokës sonë për këtë ikje ”. “Në botë i kemi me qindra mijëra të rinj, të cilët e lëshuan Kosovën në këto vitet e fundit (kush me dhembje e kush edhe pa të)”, thotë shkrimtari nga ekzili, duke e pikturuar peizazhin tragjik (edhe shpirtëror) të atdheut të tij dhe duke na e dhënë atë me një tablo të dyzuar, ku jeta është shndërruar në protestë, dhunë e brutalitet, braktisje, ikje e arratisje, kur rruga e vetme e shpëtimit, ka ngelur ekzili. Në të vërtetë, kjo ishte tabloja tragjike (reale) e aktualitetit në Kosovë. Para një gjendjeje të këtillë nuk mund të heshtte në asnjë mënyrë ndërgjegjja krijuese e shkrimtarit dhe artistit Gani Bytyçi.

Mbi cipën e mimesisit narrativ

Është e kuptueshme që një shkrimtar e ka shumë të vështirë që ta shohë robërinë e popullit të tij teksa thurte pëlhurën e rëndë të zymtësisë. Këtë peshë, këtë gurë në zemër e kishte mbartur përherë edhe Gani Bytyçi. Po, ai asnjëherë nuk shfaqi shenja mërzie apo lodhje. Bytyçi, si fëmijë i rritur odave, në prani të pleqve të urtë e të mençur, ishte i bindur se “tirania mund ta vrasë njeriun, por assesi ta shfarosë një popull të tërë, assesi ta vrasë lirinë përgjithmonë”. Dhe, këtë ndjenjë autori e shpreh shumë qartë kur thotë: “jemi të vendosur në rrugëtimin tonë drejt lirisë. Jemi të gatshëm për flijim”. Këtë gatishmëri, autori do ta shoqërojë edhe me disa tone kritike në adresë të individëve e grupeve, të cilët aty-këtu shfaqin edhe krekosje individuale, duke u shprehur: “jo rrallë shesim edhe politikë banale e komer-cializëm për patriotizëm”. Por, gjithsesi, për të mos i ngelur borxh pjesës së shëndoshë të kombit, po edhe një publiku më të gjerë, këtë qortim autori na e jep në një mënyrë krejt metaforike e proverbiale, “në det ka edhe mbeturina, por valët i nxjerrin përjashta”.
Teksa po meditonte për temat dhe motivet e radhës buzë liqenit të Gjenevës, aty pranë shkëmbinjve të brigjeve, të cilët sikur puthen amshueshëm me shikime, autori do të depërtojë në botën më subtile të artistit, që po derdhte në pëlhurë fytyrën e një fëmije të përlotur, sepse “pamja tërheqëse e fytyrës së këndshme, të njomë e të bukur të vashëzës nga portreti, janë pjesë e humorit të ditës. Loti në syrin e saj e përmbys atë humorin të tërin. Ai kthehet në tragjikë të bukurisë”. Dhe, loti nga portreti shpreh gjithë shqetësimin, brengosjen e dhembjen e kohës sonë.

Gani Bytyçi, me këtë libër, vjen si një vëzhgues i vëmendshëm e aktiv, të cilit nuk ikin as detajet, që ai i ridiemsnionon në një botë të veçantë, ku rrëfimi ngjizet dhe bëhet i pandashëm nga meditimi. Atyre, që e lexojnë tani këtë libër, do t’u kujtohen historitë që kanë përjetuar. Ndërkaq, ata që nuk i kanë përjetuar këto histori (të lindur pas viteve nëntëdhjetë), do të mund të ecin majë gishtave mbi cipën e mimesisit narrativ, që na e ofron ky libër, ngjashëm siç mund të na shërbejë një trap teksa kalojmë një lumë të rrëmbyeshëm. Mbi lumin e rrëmbyeshëm të kohës, autori Gani Bytyçi ka shtrirë gjithë historinë e rrëfimit të tij, atje ku dhembja për njeriun e dheun e të parëve shkrihen në një morfologji ngjyrash e hijesh.

Ky libër është drita që bie mbi trupat e errët të përtacisë sonë njerëzore e intelektuale për të veçuar të rëndomtën humane nga e madhërishmja patetike, për të veçuar njeriun nga turma dhe idenë sublime nga zhurma e gjoja barazisë sociale. Është, pra, kjo vepër e konceptuar me syrin e mprehtë të piktorit dhe e shkruar me penën e sprovuar të shkrimtarit.  

Shkup, tetor 2018

VEÇANTITË E LETËRSISË SË ARBËRESHËVE TË ITALISË NË VEPRËN STUDIMORE TË ANTON NIKË BERISHËS

 (Ose: në vend të një skice për profilin shkencor e krijues të Anton Nikë Berishës)

Studiuesi dhe shkrimtari Anton Nikë Berisha është një figurë komplekse e botës së letrave shqipe, veprimtaria e të cilit kap një gamë të gjerë profilesh e zhanresh. Ai shquhet për  studimet mbi letërsinë gojore, letërsinë e shkruar, si dhe autor veprash letrare për fëmijë dhe për të rritur.

Veprën  e parë të karakterit studimor Përkime poetike e botoi në vitin 1978 në Prishtinë, kurse veprën fundit letrare – romanin Frymëmarrje nate, botuar paar disa muajve në Prish-tinë.
Brenda këtij harku kohor Anton Nikë Berisha u mor inten-zivisht me letërsi, qoftë si studiues, qoftë si krijues. Ndër veprat që edhe sot shërbejnë si burime referenciale për teorinë dhe poetikën e tekstit, veçojmë, Mundësi interpretimi (1979),Teksti poetik (1985), Mbi letërsinë gojore shqipe, 1987, Veçanti ligjërimesh poetike (1996) Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë (2001),  Çështje teorike të letërsisë (2005), Njëmendësia e fjalëve. Mundësi interpre-timesh letrare, 2006, Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë (2013), Prishtinë.

Në këtë korpus tematik do të veçonim edhe studimet monografike mbi shkrimtarët Gjon Buzuku, Jeronim de Rada, Mark Krasniqi,  Gjergj Fishta, Martin Camaj, Ernest Koliqi, Azem Shkreli, Dushko Vetmon,  Zef Skiroi, Ramadan Musliu…
Anton Nikë Berisha shquhet për një përparësi të rrallë në përvojën e tij si autor veprash letrare  e studimore, që ka të bëjë me specifikën e praktikës shkrimore që ai me sukses ka arritur ta shndërrojë madje në metodë pune e që është e veçantë edhe atëherë kur shkruan për fëmijë,edhe  atëherë kur del në pozitën e interpretit dhe teorikut letrar të veprave të letërsië gojore dhe asaj të shkruar  si dhe atëherë kur shkruan letërsi për të rritur. Prandaj kur përmendet emri i tij, studiuesit dhe antologjistët e letërsisë për fëmijë, bie fjala,  nuk do të mund ta shmagnin Anton Nikë Berishën, autorin e përmbledhjes me vjersha për fëmijë  Kthimi i Skënderbeut në Krujë, botuar në Prishtinë 1970,   Pilivesa e flakëruar (Poemë për fëmijë), Prishtinë 1980, Motra kërkon vëllezërit (Roman për fëmijë), Prishtinë 1984, E Bukura e Dheut. (Roman për fëmijë), Prishtinë 1989. Emrin e tij nuk do të mund ta shmangim edhe atëherë kur do të donim të bënim një klasifikim të veprave letrare për të rritur, sikundër janë: Bimorja. (Roman për të rritur), Prishtinë 1993, Gjin Bardhela i arbëresh & Etja e gurëzuar, Roman, Prishtinë 2002, Nëna e dritës. Roman, , Prishtinë 2004, Ferri i lodhur, Roman, Prishtinë 2007,  Prishtinë, Frymëmarje nate, roman, Prishtinë, 2021.

Përpos veprave në prozë, sutdimeve letrare, përkthimeve e përzgjedhjeve të poezive ku do të veçonim sidomos autorët e përzgjedhur: të Frederik Reshpja, Azem Shkreli, Mirko Gashi e Ramadan Musliut, prof. Antoni  ka botuar edhe këto vepra në poezi: “UJËVARË DRITE NË ZEMËR ( dy apo tri herë e botuar në gegnisht si dhe në gjuhën letrare), PRUSHI I BUKURISË,

( tre botime ) , SYTË E HESHTJES dhe një libër tjetër (?)……

Një përkushtim i veçant i prof Antonit është dëshmuar edhe përballë jetës dhe veprës së Shenjtëreshës sonë, Nënës Tereze. Janë mbi 15 tituj librash që shpalosin profilin shpirtëror e human të kësaj gruaje të madhe me famë botërore.

Prof Anton Nikë Berisha shquhet edhe për një qasje të përshktuar e studimore ndaj letërsisë gojore, kurse vepra më kapitale në këtë fushë është Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe, botuar në Prishtinë, 2017, kurse sprovat të suksesshme ai tregoi edhe në fushën përkthimit. Ai për here të parë në shqip, përkthehu  “Epin e Gilgameshit”, veprën më të moçme të plotë të shkruar që është zbuluar deri më sot, pastaj, “Këngën e këngëve”, dy këngë të “Këngës së Nibelungëve” etj.

Prof. Berisha ka në dorëshkrim edhe punë të tjera, dhe mund të themi me plot gojën se ai mund të llogaritet ndër autorët e rrallë që mban llogari në ruajtjen e sensit të cilësisë përballë sasisë, duke i ekuilibruar gjithmonë ato në favor të freskisë dhe risisë që shpërfaqen nga vepra në vepër.  

Sot, meqë në kuadër të manifestimit tonë tradicional Ditët e Alfabetit, temë bosht kemi Gjuhën, letërsinë, kulturën dhe traditën e arbëreshëve të Italisë, do të ndalemi te kontributi shkencor i prof. Anton Nikë Berisha në ndriçimin e vlerave të letërsisë së arbëreshëve të Ialisë. Puna e tij e gjatë në Universitetin e Kalabrisë, në Kozencë, mbi njëzetë vjet,  por edhe interesimet e tija më të hershme për krijimtarinë e De Radës, Zef Skiroit, Jul Varibobës, Zef Serembes, Dushko Vetmos, etj. si dhe për ndikimet dhe përkimet poetike të letërsisë gojore dhe asaj të shkruar, të gjitha këto i kanë mundësuar prof. Anton Nikë Berishës t’i ofrojë lexuesit një qasje të mëvetësishme  kritike për këtë letërsi. Puna e tij studimore është e bazuar në hulumtimet në terren, përfshi arkivat, bibliotekat dhe kontaktet e drejtpërdrejta me protagonistë të ndryshëm të botës arbëreshe.

Vepra më e rëndësishme monografike me një titull kuptim-plotë Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, e ndarë në tri pjesë: Pjesa e parë – Letërsia gojore, pjesa e dytë – Letërsia e shkruar dhe pjesa e tretë – Përkime poetike, paraqet edhe angazhimin jetësor të prof. Anton Nikë Berisha në fushën e studimit dhe hulumtimit të opusit të gjithanshëm letrar të arbëreshëve të Italisë.

E veçanta kësaj vepre të rëndësishme qëndron në faktin se ajo në mënyrë të sintetizuar dhe analitike shkoqit shtratin e formimit dhe zhvillimit të letërsisë gojore e të shkruara të arbëreshëve të Italisë, duke u ndalur në veçantitë e saj përmbajtësore, estetike e stilistike, si dhe në profilimin e shkollave letrare që nga romanizmi e deri te modernizmi arbëresh, me emra, vepra e opuse të veçanta krijuese.

Bota letrare e arbëreshëve të Italisë, sipas prof. Anton Nik Berishës i ka dy burime të mëdha formimi e zhvillimi: letërsinë gojore dhe atë evropiane, pa e anashkaluar edhe letërsinë e përgjithshme shqipe. Teksa merret me opusin e gjerë letrar të Jeronim de Radës, Anton F. Santorit, Zef Skiroit,  Dushko Vetmos, Vorea Ujkos, Zef Sikroi di Maxhos, prof. Berisha qartësisht i risemantizon kuptimet dhe nocionet e letërisë gojore (rapsodia e Pal Golemit, sipas të dhënave të derisotme është krijimi i parë i traditës letrare gojore të arbëreshëve të Italisë i njohur në formën e shkrimit) që janë shkri si arketipe motivore e fabulare në veprat e këtyre krijueseve.

Për letërsinë e arbëreshëve të Italisë është shkruar mjaft, por efektet që kanë krijuar tek lexuesi këto shkrime nuk kanë arritur ta tejkalojnë një perceptim sipërfaqësor dhe fragmentar. Kjo sipërfaqësi është vërejtur sidomos në  qasjet që i janë bërë veprës letrare të Jeronim de Radës qysh më herët, konkretisht në vitin 1975 me studimin  me titull “Rapsoditë e De Radës në relacion me çështjen homerike”, ose veprës së Zef Skiroit, Françesk Anton Santorit  dhe ndonjë autori tjetër, ndërkohë që në optikën studimore të prof. Anton Nikë Berishës vepra e autorëve arbëreshë,  nuk del vetëm si tekst, por edhe si imazh, nuk del vetëm si formë, por edhe si përmbajtje, jo vetëm si morfologji fabulare por edhe si poetikë tekstore,  dhe mbi të gjitha mjetet e interpretimit të kësaj letërsie janë të një shkolle krejt tjetër dhe mjaft të avancuar në krahasim me shkollën pozitiviste e tradicionaliste  të realizmit socialist që kanë qenë dhe ende është prezente në disa katedra tona universitare.

Pasi ta kemi lexuar veprën voluminoze Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, përveça vlerave të tjera, do të mund të identifikonim edhe ato që kanë të bëjnë me përpjekjen e sukseshme të prof. Anton Nikë Berishës në interpretimin e poetikës së tekstit letrar të autorëve arbëreshë, me strukturat tekstore dhe me shtresat kuptimore të tyre, duke ndjekur metodën krahasimtare me studiues të tjerë që si objekt observimi kanë pasur këta autorë, si dhe qasjen tepër përimtuese e hermeneutike të shenjave identifikuese poetike të opusit letrar të autorëve arbëreshë, ku dominon përkushtimi për një mikrolexim të këtij opusi.

Nga ky mikrolexim ne e kuptojmë më mirë arealin jetësor arbrëresh, përmes një depërtimi gati kirurgjikal në nervaturën e botës arbëreshe, ku gërshetohet mitikja dhe realja, tradita gojorje dhe e shkruar dhe mbi të gjitha përvijohen specifikat e strukturës gjuhësore poetike të kësaj letërsie, që përbën edhe një sfidë tjetër studimi për arsye se deri më tani nuk janë inventarizuar aq sa duhet dhe aq sa e meritojnë prurjet e kësaj letërseë në letërsinë tonë të gjithmbarshme.

Shikuar në planin diakronik e histioriografik, ashtu siç del edhe në veprat studimore të prof. Anton Nikë Betrishës, letërsia e arbëreshëve të Italisë, përpos reminishencave novatore që solli, ajo e pasuroi kalendarin tonë letrar edhe me vepra që inaugurojnë drejtimet dhe zhanret letrare, siç është bie fjala poema “Këngët e Milosaos” e Jeronim de Radës,  tragjedia e parë në gjuhën shqipe, “Neomenia” e Françesk Anton Santorit apo sonetet e Zef Serembes, të cilat, kush më më shumë e kush më pak, kanë ushtruar dhe vazhdojnë të ushtrojnë ndikim thelbësor në rrjedhat e përgjithshme të letërisë sonë.

Akti i receptimit të letërisë së arbëreshëve të Italisë shoqërohet edhe me vështërisët e komunkimit gjuhësor, dhe për pasojë kjo ka ndikuar edhe në qasje jo rrallë të lajthitura që i janë bërë kësaj letërise, sidomos veprave të Jeronim de Radës dhe ndonj autori tjetër, prandaj merita e prof. Anton Nikë Berishës, nuk qëndron vetëm në nxjerrjen në pah të vlerave të pakontestushme të opusit letrar arbëresh, pas një seri rilexmiesh, por edhe në deshifrimin gjuhësor të këtij opusi, duke e bërë më të afërt me lexuesit dhe duke e ambientuar atë në horizontin e përgjithshëm të kulturës letrare shqiptare,  në saje të një depërtimi kapilar në vet strukurën poetike-gjuhërore të veprave të autorëve arbëreshë.

Perceptimi fragmentar

Ideja për të përzgjedhur dhe për ta trajtuar letërsinë arbëreshe që në sesionin e parë të manifestimit tonë tash më tradicional DITËT E ALFABETIT, me një titull pak a shumë përgjithësues ‘Letërsia arbëreshe në rrjedhë të shekujve’,Departamentin e letërsisë në ITSHKSH e vendos para një sprove që detyrimisht lidhet me vet statusin e kësaj letërsie në korpusin e gjithmbarshëm të letërsisë shqipe.

Që në fillim duhet ta themi me plot gojën se letërsia e arbëreshëve të Italisë është pjesë integrale e kulturës sonë në përgjithësi dhe e letërsisë sonë në veçanti, ndonëse ajo u paraqit me specifikat e saj tematike e estetike, fakt ky që përbën edhe temë për t’u diskutuar lidhur me atë se si u interpretua dhe u trajtua kjo letërsi në studimet tona letrare.

Statusi i letërsisë së arbëreshëve përballë interpretimit që i është bërë, është në një raport të zhdrejtë për faktin se në optikën e vrojtimit teorik të kësaj letërsie ka dominuar qasja pozitiviste dhe pak a shumë deskriptve dhe për pasojë kjo letërsi ka krijuar te lexuesi një perceptim fragmentar rreth rolit e statusit të saj. Kjo ka ndikuar pastaj që kjo letërsi të mos e ketë në nivelin e duhur procesin e komunikimit me lexuesin e gjerë në hapësirën kulturore shqiptare. Por, megjithatë   letërsia e arbëreshëve të Italisë nuk mund të themi se nuk i pati edhe studiuesit e saj të mirëfilltë, në mesin e të cilëve pa dyshim që duhet veçuar Anton Nikë Berishën dhe disa kolegë të tij në Kalabri, Sicili, Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. 

Jo vetëm pse kjo letërsi ka një moshë pothuaj 5-shekullore, aq sa vetë letërsia shqipe dhe nis qysh me autorë të shek. XVI–XIX (L. Matrënga, J. Varibova, N. Figlia, Gj. Guzzetta, N. Brankati, Gj. Barbaçi,Gavril Dara, De Rada, Seremeb  etj.) dhe vazhdon të lëvrohet sot e kësaj dite, me emra të njohur poetësh, si K. Xukaro, M. La Luna e të tjerë, por edhe për faktin se letërsia e arbëreshëve ndikoi fuqishëm në ngritjen e nivelit artsitik të letërisë sonë në përgjithësi, dëshmon se vitaliteti shpirtëror i arbëreshëve në vend se të zbehej pas shkëputjes së dhimbshme që ndodhi nga trungu i origjinës, ai mori përmasat e një eliksiri kolektiv. Ky rigjenerim i shpirtit arbëresh fillimisht pati si mbështetje letërsinë gojore, e cila u shndërrua pastaj në një substrat mjaft kreativ për letërsië e shkruar. Në këtë mënyrë, arbëreshët kujtesën e tyre kolektive e trajtuan përmes një terapie shpirtërore që buronte në thesarin e pasur të folklorit, që tematikisht ishte i lidhur me mitologjinë kombëtare dhe me reminishencat  e lirikës gojore, për të kaluar në letërsinë artistike që ishte pjesë e traditës sonë letrare, nga ajo romantike e pasromantike (nga Jeronim De Rada e Zef Skiroi) deri tek ajo bashkëkohore (nga Dushko Vetmo tek Vorea Ujko, nga Zef Del Gaudio tek Lluka Perrone, nga Enza Skutari tek Zef Sikroi di Maxho).

Pra, në të shumëtn e veprave të këtyre autorëve ndeshim në një  numër të madh imazhesh poetike që përkojnë ose kanë burimin në poezinë gojore arbëreshe.

Gjithsesi arbëreshët i mbajti gjallë letërsia, qoftë ajo gjore apo e skrua, kurse figurat historike, siç ishte ajo e  Skanderbegut për arbëreshët e Italisë përveç që nënkuptonin  atdheun e të parëve, ato ishin edhe bëprthama tematike e fabulare e krijimeve artistike arbëreshe. Ky pasion i arbëreshëve për t’u marrë me këto figura krijoi edhe ate sintagmën e njohur  “Moti i madh”, që zuri vend dominues në opusin poetik të De Radës, sidomos vepra në pesë libra e De Radës “Skanderbeku i pafaan”, pastaj te Gavril Dara  deri te  poetët e mëvonshëm si Vorea Ujko me poezinë “Scander-beg”, të botuar më 1968 në revistën “Shêjzat” si dhe tek poeti  Zef Skiro Di Maxho, ku  Skanderbegu dhe Kruja janë bërë pjesë e ndërgjegjes së arbëreshëve dhe e shqiptarëve dhe kanë marrë përmasën mitike.

Në të shumtën e këtyre veprave ndeshim në një  numër të madh imazhesh poetike që përkojnë ose kanë burimin në poezinë gojore arbëreshe.

Arbëreshët kuluralisht i takojnë Perendimit, mirëpo krijimtaria e tyre letrare me vet intencën që të jetë e pashkëputur me atdheun e të parëve, por dhe me civilizimin e fituar brenda botës latine ku jetonin, në fakt u bë një urë lidhëse mes letërsisë shqipe dhe asaj italiane e perëndimore në përgjithësi. Dhe kësisoi letërsia e arbëreshëve, përpos rolit primar që pati në trajtimin tematik dhe kultivimin gjuhësor, ajo mbindërtoi edhe mjeshtrinë e saj mbi traditën evropiane letrare. Këtë pozitë të dyfishtë e prek qartazi Çabej në një nga esetë e tij të vitit 1964, botuar me rastin e 150-vjetorit të lindjes së De Radës, cili formulimin dikotomik Vatra dhe Bota (pra vetja dhe tjetri, njësia dhe sistemi) e përcolli me idenë e rolit përvijues (pasurues) e jo kundërshtues që kanë në letërsitë nacionale ndikimet prej letërsive të tjera të zhvilluara.

Kultura arbëreshe në përgjithësi dhe letërsia në veçanti për botën shqiptare paraqet kalendarin më të ndritshëm kulturologjik e emancipues.Letërsia artistike dhe gazetaria fillin e ka tek arbëreshët me poemën Këngët e Milasoas të De Radës dhe me të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia”, gjithashtu e De Radës, në të cilën ai shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës.

Telegrafikisht po përmendi emrat më të shquar të botës arbëreshe, kryeisht shkrimtar dhe intelektual,   të cilët , secili për nga vokacioni dhe opusi që lane pas vetes, përbëjnë shtyllat kryesore të kësaj bote:

Lekë Matrënga (1567 – 1619), prift i ritit bizantin-ortodoks dhe shkrimtar, i cili shkuajti librin e parë të letërsisë shqipe-toskë.

Josif Nikollë Brankati (1675 – 1741), prift ortodoks dhe shkrimtar.

Gjergji Guxeta (1682 – 1756), Shërbëtori i Perëndisë, Apostull të arbëreshëve, që kaloi vetë në mbrojtje të ritit lindor dhe mbajti gjallë gjuhën e kulturën e të parëve ndër shqiptarët e Sicilisë.

Pal Maria Parrino (1710 – 1765), prift dhe dijetar, themelues i ideologjisë romantike iliro-shqiptare.

Jul Variboba (1727 – 1788), prift ortodoks dhe shkrimtar.

Nikolla Keta (1741 – 1803), prift ortodoks, poet, shkrimtar dhe teolog.

Jeronim De Rada (1814 – 1903), poet, publicist, folklorist, filolog dhe mësues i kulturës arbëreshe, ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të shqiptarëve të Kalabrisë.

Anton Santori (1819 – 1894), prift ortodoks, poet dhe shkrimtar.

Dhimitër Kamarda (1821 – 1882), prift ortodoks, gjuhëtar, historian dhe filolog, i cili shkroi monumentin e parë sistematik shkencor të kulturës shqiptare.

Gavril Dara i Riu (1826 – 1885), poet dhe politikan, një nga shkrimtarët e parë të Rilindjes shqiptare.

Zef Serembe (1844 – 1901), poet.

Frangjishku Muzaka (1852 – 1931), nëpunës dhe diplomat, themelues i Lidhjes Kombëtare Shqiptare së Palermos, i cili bëri një kontribut të veçantë për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandorisë Turko-Osmane.

Zef Skiroi (1865 – 1925), poet, historian, gjuhëtar, gazetar, albanolog, atdhetar, studiues dhe profesor universiteti, ndër shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë, përfaqësuesi më i njohur i arbëreshevet të Sicilisë.

Dushko Vetmo (1914 – 1999), prift i ritit grek-ortodoks, shkrimtar dhe titullar i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Kozencës.

Domeniko Belushi (1918 – 1988), prift i ritit bizantin-ortodoks dhe poet, i njohur si “Vorea Ujko”.

Lluka Perone (1920 – 1984), poet, folklorist dhe shkrimtar.

Karmell Kandreva (1931 – 1982), shkrimtar.

Në përmbyllje të kësaj trajtese do të  shtojmë vetëm shkurt se letërsia e arbëreshëve të Italisië tematikisht ishte e lidhur me vendin e origjinës, kurse kulturalisht dhe artistikisht me Perendimin. Malli për atdheun e braktisur dhe përvoja e re e marrë nga letërsitë e Evropës, do ta bënin letërsinë e arbëreshëve ndoshta treguesin më aktiv të adaptimit të kësaj letërsie rrjedhave moderne letrare, nga e cila letërsia shqipe në përgjithësi do të ketë përfitime të mëdha.

(Fjalë  e mbjatur në hapje të sesionit mbi Letërsinë e arbëreshëve të Italisë në kuadër të DITËVE TË ALFABETIT- 14-22 nëntor 2021 në ITSHKSH)

RAMADAN MUSLIU, NJË POET  QË NUK LEXOHET LEHTË

(Ramadan Musliu, Shtjellë shpirtërore, përzgjedhja dhe  parathënia e  Anton Nikë Berishës, botoi ShB “Beqir Musliu”, Gjilan 2021.

Libri që posa është botuar, “Shtjellë shpirtërore”, ka një kuptim përtej simbolikës që lidhet me njëvjetorin e shkuarjes në amshim të poetit Ramadan Musliu. Pra, libri është vetë tipologjia e një verbi poetik, që vjen i sintetizuar në sensin e tërësisë. Kjo tërësi arrin të pajtojë harmoninë estetike të shprehjes poetike dhe rrafshin kuptimor të ideogrameve që vijnë në formë të zërave të brendshëm në vetë qenësinë e mikrokozmosit.

Ata që s’kanë pasur rastin ta ndjekin vazhdimësinë krijuese të Ramadan Musliut poet, tani do të mund të rigjejnë një autor pak a shumë të rifreskuar në kujtesën tonë, i cili del në pah me gjithë gamën e plotnisë së tij poetike e shpërndarë në pesë vëllimet me poezi të shkruara para se të ndërronte jetë.

Cila është merita e përzgjedhësit të poezive që ndodhen në këtë libër?

Do t’i hynim në hak ndoshta autorit të këtyre poezive nëse themi se Anton Nikë Berisha me këtë përzgjedhje na ka ofruar një portret krejt të ri poetik të Ramadan Musliut, po ama është e pashmangshme bindja që na imponohet se përgjegjësinë për këtë metodologji përzgjedhëse, ai sikur e ka ndarë me vetë autorin e poezive. Në hyrje të librit hartuesi i kësaj zgjedhje me poezi ka veçuar një mendim thelbësor të poetit Ramadan Musliut, e që shpreh edhe pikëpamjet mbi artin poetik përgjithësisht:[…] poezia është një prej atyre arteve që aktin e ripërtëritjes e ka më shumë si një gjenerim të brendshëm, gjenerim permanent, të vazhdueshëm dhe pikërisht kjo na bën me dije se poezia e mirë është ajo e vetë ripërtëritura, ajo që vjen si shprehje sintetike, por që në thelbin e saj është një perceptim i ri, pushtim i një hapësire të re të emocionit dhe një pasqyrim i aftësisë gjeneruese të vetë gjuhës…”

Për ta përforcuar këtë mendim të  Ramadan Musliu,  përzgje-

dhësi i poezive është i vetëdijshëm se  me këtë sistem poetik që po na sjell në formë të këtij libri, në fakt ka dashur të na e dëshmojë se poezia e këtij poeti hyn në rrethin më të ngushtë të veprave që bëjnë kulmin e poezisë bashkëkohore shqipe. Sigurisht që ky vlerësim s’ka mundur të bëhet pa një lexim dhe rilexim të kujdesshëm që i bërë ai gjithë opusit krijues të Ramadan Musliut, sepse po të ishte ndryshe tani këtë libër nuk do ta përjetonim si një riformatim të një strukture komplekse poetike, edhe për faktin se, siç e thotë ai, vepra e mirëfilltë letrare nuk lexohet lehtë.

Para se të merrte ndonjë vendim përfundimtar për sa i përket shtjellimit tekstor dhe estetik të këtij libri, Anton Nikë Berisha, me siguri është ndeshur me dilemat jo të pakta se cilat poezi duhet të futen në përzgjedhjen e tij. Këto mëdyshje ai nuk i fsheh edhe në parathënien e librit, teksa shprehet se nuk e kishte të lehtë të vendoste se cilën poezi ta merrte Me fjalë të tjera kjo domethënë se, edhe ato poezi që nuk ndodhen në këtë vëllim antologjik, mund të përfshihen në ndonjë libër tjetër të një karakteri të ngjashëm, ose të përafërt. Megjithatë, aftësia dhe shija për të përzgjedhur të duhurën, dhe metodologjia e përcaktimit të kritereve për cilësinë,  e kanë udhëhequr autorin e kësaj përzgjedhjeje përgjatë gjithë procesit të vlerësimit dhe rivlerësimit të poezisë së Ramadanit. Me këtë metodologji Berisha sikur synon të kompensojë mbase edhe të rikthejë vëmendjen e humbur të kritikës letrare ndaj botës poetike të poezisë së këtij krijuesi edhe për faktin se, siç thotë Berisha në parathënie, poezia e Ramadan Musliut është shumë më e vlefshme dhe poetikisht më e pasur dhe e lartësuar sesa del në shqyrtimet dhe interpretimet e deritanishme. Pra, një antologji e mirë, siç është “Shtjellë shpirtërore” na shtyn t’i kthehemi edhe njëherë autorit, kurse ata që do të kenë gatishmërinë dhe përgatitjen  e duhur për ta studiuar poezinë e tij, mund ta marrin si pikënisje pikërisht këtë përzgje-dhje, sepse ajo del të jetë edhe si një rinjohje me autorin e pesë vëllimeve poetike: “Parodia e trupit” (1981), 1985 “Shqisa e gjashtë” (1985), Prishtinë; “Pasqyra e të rrëfyerit” (1987), “Në zemrën e gjërave” (2004) dhe “Gjendje neutrale” ( 2019 ).

Trupi, harrimi, flijimi, janë disa nga kontaktet asociative figurative që e përçojnë kuptimin e tekstit – rrëfimit poetik të Ramadan Musliut, ku figurativiteti pashmangshëm është i lidhur me aftësinë për perceptimin dhe zbërthimin e kuptimësisë, kurse vargu, siç do të thoshte Malarme, mundëson rikompozimin e trajtave të papërkryera të gjuhës, sikundër mund t’i hasim në vargjet: bie nata ngadalë me parukën e territ mbi kodër (tek poezia “Natë kalabreze”), arsyeja e flijimit është si shiu për ugar (tek poezia Tallja përpara kryqit), drurin e fantazisë e kishin mbjellë në kopsht (tek poezia Herbariumi), vetëm pikëllimi na gjuan me gurë ( ek poezia Mashtrimi i hënësinës), ç’muzikë akulli solli kjo kohë (tek Hënësina që po shuhet), Me pëlhurë mushkërish i mbulova ëndrrat (tek Mërgimi i trupit), Si një petk i vjetruar plot arna, rri e varur vjeshta, në gozhdën e ndryshkur të stinës (tek poezia Vjeshtë e vonë), Zërat e çjerra të pulëbardhave, kur bukuroshet e fatamorganeve shfaqen,  vinin të dridhshme si malli atdhetar (tek poezia Për emrin e lashtë të trupit tonë).

Ata që do ta kërkojnë tejdukshmërinë e verbit poetik të Ramadan Musliut, nuk do të mund të gjejnë për arsye se kjo nuk është një poezi që shuan kureshtjen me një të lexuar. Procesi i (ri)leximit të kësaj poezie ndërlidhet me natyrën komplekse komunikuese të diskursit letrar që përmban në vetvete, për arsye se, siç e thotë autori i parathënies së këtij libri, përcaktimi i Ramadan Musliut të hartojë poezi të mirëfillta moderne, të ndërtojë atë lloj të tekstit që e përligj poetin madhor dhe si të tilla (poezitë) mund të komunikojnë dhe të ndikojnë estetikisht në lexuesin, jo vetëm të kohës kur u hartuan, përligjet para së gjithash nga poezia e tij, po dhe nga pikëpamjet e tij teorike e estetike që Ramadani i shprehu për dukuritë e ndryshme të poezisë e të artit letrar në përgjithësi.

Një poet si Ramadan Musliu, që e kishte të zhvilluar edhe ndjeshmërinë e të kuptuarit të poezisë në pikëpamje teorike e estetike, paraqet jo vetëm arsyen për ta perceptuar poezinë e tij nga një këndvështrim pak a shumë të veçantë, por edhe tërësinë e vlerave stilistike që ofron kjo poezi.

Libri “Shtjellë shpirtërore” me metodologjinë përzgjedhëse të Anton Nikë Berishës, dëshmon edhe njëherë se poezia, nëse vendoset në rrafshin e duhur të vlerësimit, si e tillë mund të funksionojë shumë natyrshëm, si fryt krijues i një sistemi të konsoliduar poetik.


/Shkup, tetor 2021

SHKUPI I DIKURSHËM, VJENA KULTURORE E SHQIPTARËVE

Në mendësinë publike që ishte imponuar me dekada kishte mbizotëruar teza se shqiptarët janë vetëm myslimanë dhe këtë tezë propaganda sllave e kishte përdorur për qëllime të veta, që në instancë të fundit kishte krijimin e arealeve civilizuese në kundërshtim me gjendjen faktike në terren. Dhe ishin pikërisht familjet katolike shqiptare në Shkup që e prishnin falcitetin e këtij diskursi civilizues

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, i udhëhequr nga Dr. Skender Asani, po bëhet një zë i fuqishëm i afirmimit të vlerave dhe valorizimit të kritereve historike-shkencore për të kaluarën e lavdishme të këtyre trevave, që për shumë arsye kishin qenë të mbuluar me pluhurin e harresës. Tash së fundmi nga ky Institut doli edhe një vepër kapitale që trajton një nga temat më interesante që lidhet me komunitetin katolik shqiptar në Shkup. Autorët Skender Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko për herë të parë, në mënyrë të sistemuar dhe argumentuar, i ofrojnë lexuesit një panoramë shëtitëse nëpër kohë, duke na njohur nga afër me një sagë të gjerë familjesh bujare katolike në Shkup që kishin qenë vertikalja shpirtërore e shqiptarëve në fund të shekullit 19 dhe fillim të shek. 20.

“Familjet katolike shqiptare në Shkup” është një vepër me shumë rëndësi për vetë historiografinë shqiptare, sepse autorët përmes dokumenteve, fotografive, faksimileve dhe dëshmive të ndryshme fokusojnë vëmendjen e lexuesit në disa shtylla që e bëjnë kujtesën tonë historike të liruar nga mjegullimet e pane-vojshme, që në rrethana e kontekste të caktuara na u imponuan.

Për të dëshmuar autoktoninë e pandërprerë të shqiptarëve në qytetin e Shkupit dhe për të argumentuar këtë tezë, autorët ka qenë dashur që të hulumtojnë traditën, folklorin, gjuhën, fenë dhe në përgjithësi trashëgiminë kulturore të familjeve të vjetra katolike shqiptare. Ky objektiv që është gjithëpërfshirës në tërësinë e materialit hulumtues, zgjerohet me detaje përshkruese që si zanafillë kanë përpjekjet titanike të fisnikëve katolikë të Shkupit, personifikuar përmes familjeve Bojaxhiu, Serreqi, Ukajdari,Gjini, Ndreca, Marku e shumë të tjera, në funksion të ruajtjes së kontinuitetit të pandërprerë të traditës dhe mbamendjes kolektive shqiptare që nga antikiteti e deri në dekadat e mëvonshme të bashkëkohësisë sonë.

E vendosur mbi një bazament mjaft të fuqishëm argumentues, vepra në fjalë nuk kufizohet vetëm në observimet e tre autorëve, por shkon përtej duke marrë në shqyrtim edhe burime dhe autorë të vjetër antikë, me Shkupin si një nga qendrat parahistorike të civilizimit ilir dhe për rrjedhojë autoktonia e shqiptarëve në këtë qytet del si një hallkë materiale-shpirtërore e prezencës dhe vijimësisë iliro-dardane. Ky është edhe dimensioni më dome-thënës që e bën Shkupin të zë vend të merituar në kronikat dhe udhëpërshkrimet e shtegtarëve të ndryshëm që e kishin trajtuar këtë qytet si një nyje tregtare dhe rrugore që i lidhte akset strategjike më të njohura të Ballkanit, sikundër ishin: Via Dezeta (Shkup-Prizren-Shkodër); Via Egnatia (Shkup-Ohër Durrës, dhe nga ana tjetër Selanik-Konstantinopojë) ;Via Naisus (Nish – Singidinum(Beograd) dhe Via Sertika (Sofje – Adrianopolis (Edrene).

Arkitektura e librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” është e ngritur mbi punën hulumtuese të tre autorëve që si udhërrëfim kanë pasur materialet arkivore të familjeve katolike në Shkup, por edhe fonde të shumta të dokumenteve e fotografive të marra nga arkivat e ndryshëm europian (Arkivi Shtetëror i Vjenës, Arkivi Shtetëror i Luzernës, Arkivi i Qytetit në Budapest, Arkivi Piedestar në Budapest, Arkivi i Famullisë së Prizrenit, Arkivi Propaganda Fide në Romë dhe Arkivi i familjes Kukaj në Vjenë).

Homogjeniteti shpirtëror i shqiptarëve me shekuj ishte ruajtur përmes kultivimit të traditës autoktone dhe ruajtjes së mvetësive etno-psikologjike. Ky homogjenitet nuk do të kishte kuptim pa Ipeshkvinë Shkup-Prizren, bashkë me ipeshkvët dhe famullitarët që shërbyen në Shkup, duke filluar nga Pjetër Bogdani, e deri te Toma Raspasani, Dom Zef Ramaj, Lazër Mjeda etj. Të gjithë këta prijës, sipas burimeve që ofron ky libër, ndonëse mbanin veladonin e katolicizmit, me veprime konkrete ishin të lidhur me hallet e banorëve, duke iu ndihmuar atyre në emancipimin kulturor e kombëtar. Të ballafaquar me sfidat që impononte logjika e pushtimit otoman, këta ipeshkëv ishin edhe kronistë pedant të zhvillimeve në Shkup dhe më gjerë dhe kjo mund të dëshmohet në letrat dhe raportet që ata iu dërgonin jo vetëm Vatikanit, por edhe qendrave të ndryshme diplomatike dhe redaksive të gazetave evropiane. Kështu, bie fjala, Dom Zef Ramaj nga Stublla, një famullitar që gjithë veprimtarinë e kishte të lidhur me Famullinë e Shkupit, që njihet edhe si pagëzues i Gonxhe Bojaxhiut në Kishën Katolike në Shkup, më 27 gusht 1910, përpos fushëveprimit të tij fetar, ishte edhe mësues në shkollën shqipe pranë Famullisë së Shkupit, por edhe në Shkollën e Hekurudhës, shkollë elitare për kohën ku mësonin dhe fëmijët e diplomatëve të huaj. Jemi në kohën kur në Ballkan priteshin të ndodhin ndryshime dramatike gjeopolitike, kurse barra për të përballuar pasojat e këtyre ndryshimeve iu binte pikërisht këtyre përfaqësuesve shqiptarë të Kishës Katolike në Shkup. I tillë ishte edhe rasti me Dom Zef Ramajn i cili qe dëshmitar i masakrave serbe mbi popullatën shqiptare në Luftërat Ballkanike më 1912 dhe 1913, kur vakuumi i ikjes së turqve ishte mbushur me kronika rrëqethëse që si lajtmotiv kishin reprezaljet e soldateskës serbe e cila nuk kursente asgjë shqiptare dhe ishte pikërisht Dom Zef Ramaj që ato kronika ua dërgonte në formë letrash kancelarive të ndryshme evropiane dhe gazetave perendimore.

Në mendësinë publike që ishte imponuar me dekada kishte mbizotëruar teza se shqiptarët janë vetëm myslimanë dhe këtë tezë propaganda sllave e kishte përdorur për qëllime të veta, që në instancë të fundit kishte krijimin e arealeve civilizuese në kundërshtim me gjendjen faktike në terren. Dhe ishin pikërisht familjet katolike shqiptare në Shkup që e prishnin falcitetin e këtij diskursi civilizues, kurse libri që kemi në dorë është pasqyra më besnike e një kronologjie jo vetëm faktografike por edhe identitare që lidhej ngusht me shenjat dalluese të një etnie. Gjuha, arsimi, kënga, kostumet, mënyra e jetesës, ishte alfabeti shpirtëror i shqiptarëve, kurse katolikët shqiptarë të Shkupit i dhanë kuptim qenësisë kombëtare duke e integruar këtë alfabet në sfondin e përgjithshëm të civilizimit perëndimor, atje ku shqiptarët bënin pjesë. Libri i Asanit, Ramajt dhe Didenkos vë në pah pikërisht këtë poentë, ashtu siç del e pakontestueshme lidhshmëria e familjeve katolike shqiptare të Shkupit me përpjekjet për zhvillimin e arsimit shqip në Shkup dhe me rizgjimin kulturor e shpirtëror të shqiptarëve. Kjo kauzë emancipuese-kulturore e këtyre familjeve shquhet përmes një galerie personazhesh mjaft të spikatur që kishin vepruar në Shkup, sikundër ishin Kolë Bojaxhiu, Dom Ndue Bytyçi, Lorenc Antoni, Dom Gaspër Gjini, Vingjenc Gjini e ndonjë tjetër. Sikur kjo traditë të kishte vazhduar edhe në ditët e sotme, sigurisht që Shkupi do të ishte Vjena kulturore e shqiptarëve.

Prandaj edhe ky libër duhet të shërbejë si nxitje për brezin e shqiptarëve të sotëm dhe të nesërm, që famën e Shkupit të dikurshëm ta rikthejë me projekte emancipuese e kulturore, kurse traditën e katolicizmit shqiptar në këtë qytet ta vendosë në parametrat konkurrues më botën e qytetëruar, atje ku gjithë shqiptarët synojnë të jenë.

Shkup, 18.7.2018

JOKONFORMIZMI SI POETIKË DHE SI GUXIM QYTETAR

(Prof. Agim Vinca, “Dritë dhe mjegull”, botuar nga shtëpia botuese “SYTH, Tetovë)

Kur shkrimtarët shkruajnë për aktualitetin, kjo nuk është mënyrë e zakonshme e vrojtimit të gjërave. Ky vrojtim ka diçka specifike, ka temperamentin e qasjes jokonformiste dhe dimen-sionin  e këndvështrimit të thellë, që nuk mund të arrihet pa një bashkëshoqërim faktorësh të lidhur ngushtë me botën e brendshme të autorit. Madje veprat më të mira që janë krijuar mbi këtë tipologji shkrimesh, kanë pasur për autorë pikërisht shkrimtarët. Të përkujtojmë me këtë rast Hemingvejin, Markezin, Buxatin, Orvellin, Pamukun etj.

Në këtë rregull të pashkruar nuk bën përjashtim edhe studiuesi dhe poeti Agim Vinca, vepra e të cilit kësaj radhe vjen si dëshmi e një ‘autopsie’ krejt origjinale për atë që ai e konsideron të qenësishme në observimin e tij si autor, që edhe më herët ka trajtuar dritë-hijet e realitetit tonë politik, social e kulturor.

Agim Vinca bën pjesë në grupin e atyre autorëve që nuk është peng i klisheve zhanrore dhe si i tillë në diskursin e tij shkrimor ai nuk i ‘djeg’ temat  e përditshmërisë me qasje sipërfaqësore. Përkundrazi, qasja e tij vjen si jehonë e ndërgjegjes së lartë njerëzore (autoriale), që lëviz rrëmbimthi në ‘kapilarët’ e gjithë librit, duke nxjerrë në pah raportin që ka intelektuali me aktualitetin, me njerëzit dhe procesin shoqëror.

Në një libër voluminoz  si ky, ‘kompasi’ tematik lëviz pahetueshëm nga njëra fushë në tjetrën, nga politika te kultura, nga aktualiteti te historia, nga epopetë e mëdha te mikrongjarjet, për të formuar një trajektore të gjatë kuptimësie brenda së cilës lëviz një epokë e tërë ngjarjesh e përjetimesh,  që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (‘Kurdo që flasim për të kaluarën, shtrohet doemos pyetja e pashmangshme për të sotmen dhe, madje, edhe për të nesërmen, që kanë raporte varësie me njëra-tjetrën. Me një fjalë: cila është gjendja e shqiptarëve sot si komb dhe çka synojnë ata në të ardhmen; çka, kah dhe si?’) e deri te “tota Mije” (‘Në Tiranë jetonte një kushërirë e tim eti, Nazmija, të cilën e gjithë familja e thërriste “tota Mije”. Tota Mije, e bija e Sef Vojncës, ishte e martuar te Sojlitë e Strugës, një pjesë e të cilëve gjatë Luftës së Dytë Botërore u vendosën në Tiranë dhe mbetën atje edhe pas luftës’, shkruan autori).

Sado që këto shkrimet kanë pasur fillimisht një parahistori komunikimi me lexuesit, për arsye të botimit të tyre në shtypin e përditshëm dhe javor, ato, megjithatë, në përbërjen e tanishme në formë libri ( i ndarë në tre kapituj: 1- Artikuj, intervista, opinione, 2- Nderim miqve krijues 3- Një udhëpërshkrim dhe dy portrete) , krijojnë një morfologji tjetër receptive, duke kompensuar inercinë e leximit të shpejt e sipërfaqësor, me një lexim tjetër, më studimor, sidomos shkrimet që kanë të bëjnë me emra të caktuar shkrimtarësh (Mekuli, Kadare, Shkreli, Drini, Çapriqi), por edhe me procese social-kulturore  e politike nëpër të cilat kaluan shqiptarët.

Në natyrën e këtyre shkrimeve (ad-hoc), gjithmonë ekziston rreziku i zvetënimit dhe humbjes së freskisë, por kur e lexojmë Agim Vincën, jo vetëm se nuk ndjehemi të mërzitur gjatë leximit, por na bëhet sikur po e lexojmë për herë të parë, sepse qasja e tij është rezistuese ndaj ‘tretësve’ që imponon koha, por edhe një përparësi që favorizon dimensionin dokumentar të observimit. Ajo që një vëzhguesi të pavëmendshëm do ti dukej sipërfaqësore dhe sekondare, Agim Vinca do ta trajtonte me një tjetër aparaturë observimi në një mori skicash e reportazhesh që arkitekturën tematike e ndërtojnë mbi ‘pllakëza’ të vogla ngjarjesh e shqetësimesh, përvojash e përjetimesh, sikundër është edhe seria e reportazheve mbi Palestinën, një notes ky i mbetur hapur nga emocionet që poeti Agim Vinca i transferoi te lexuesi përmes udhëpërshkrimit, një notes ky i mbetur hapur nga emocionet që poeti Agim Vinca i transferoi te lexuesi përmes udhëpërshkrimit.

Materia e një libri asnjëherë nuk ngurtësohet, sidomos librat si ky i Agim Vincës, që në thelb ka vrojtimin shumëdimensional dhe guximin për të kaluar mbi linjat skematizuese të paraqitjes së realiteteve politike, kulturore e sociale.

HISTORIA SEKRETE E BALLKANIT NË SYTË E NJË SHQIPTARI

Romani “Bijtë e dheut” është një radar që na mëson të dallojmë errësirat e historisë. Lexuesi i vëmendshëm i një letërsie të tillë mund ta ketë më lehtë të udhëtojë në kohë e hapësira, ku natyra njerëzore munde të jetë më fisnike se ajo që i atribuohet disa karaktereve në roman. Ky mbase është edhe misioni i kësaj vepre

Romani“Bijtë e dheut” i autorit amerikan, Llukas Dajns është jehohë e një realiteti që përthehet në pejsazhin  e vrazhdë të historisë qindvjeçare ballkanike. Si eksplorues i mirë  i natyrës së njerëzve dhe ngjyrave të dheut të këtushëm, autori nuk është mjaftuar vetëm me nivelin  informacionit ditor mbi realitetin social e etnospikologjik, që e kishte marrë gjatë qëndrimit disavjeçar në Pollog, por ka insistuar që të shkojë përtej perdeve të mbyllura të kohëve, duke mbindërtuar informacionin e tij me sfondin e ngjarjeve të ndodhura në fillim të shekullit 20, konkretisht në vitet 1908 – 1909.

Metodologjia e shkrimit të këtij romani, ka ndjekur  dy linja paralele  kërkimi: njëra që shpinte nëpër dokumente, arkiva e botime të ndryshme me karakter historik e dokumentar dhe tjetra duke përshkuar me prerje gati kirurgjikale subtilitetin e natyrës së brendshme njerëzore, e cila herë na paraqitet tepër e mjegullt e dinake (anglezi Mec Gregori, serbi Petar, bullgari Dashkov, grekja Eleni ) e herë melankolike dhe e trishtuar  nga meditimi për njerëzit e shtëpisë në vendlindje, atje në Shipkovicë ( shqiptari Jon Ahmetaj).

“Ndërsa isha ulur vetëm në Manastir, mendimet e mia të këndshme ishin shoqërues i mirëpritur …. imazhet e fshatit tim malor Shipkovicës, endeshin nëpër mendjen time…’, thoshte Jon Ahmetaj. Ai nga MekGregori i kishte mësuar rrënjët e politikës globale dhe artin  vetëmbrojtjes.

Bashkëveprues i kësaj vorbulle karakteresh e tiparesh njerë-zore, është edhe grupi i ideologëve maqedonas, Goce Dellçev dhe Jane Sandanski, të cilët herë ndodheshin në pozita rivale, e herë bashkëpunuese, ashtu siç ishte edhe lëvizja politike e revolucionare maqedonase, e identifikuar përmes VMRO-së, e ndarë në dy fraksione : OB – Organizata e Brendshme, krahu i majt liberal i VMROsë , dhe KSR – Komiteti Suprem Revolucionar, një fraksion ultrakonservator i krahut të djathtë, me proviniencë probullgare. OB e Goce Dellçevit kërkonte çlirimin  Maqedonisë me qëllim të themelimit të shtetit të pavarur… Ndërkaq KSR kërkonte një zgjidhje bullgare për çështjen maqedonase.

Autori ka portretizuar këto karaktere duke skeduar në brendinë e tyre prirjet që lidheshin me vokacionin politik e ushtarak.  Goce Dellçevi mendonte se nëse plaste një kryengritje, ashtu siç e dëshironin disa skenaristë dashakëqinjë të kauzës antimaqedonase, atëherë  VMRO do të shkatërrohej dhe Maqe-donia do të barbarizohej nga turqit.

Pasi t‘i ketë lexuar me dhjetëra libra mbi historinë e kësaj pjese të Ballkanit shkëmbor, Llukas Dajns  i është dashur t’i mbyll sytë për një çast dhe të fiksojë larg në horizont pluhurin e një karvani që po linte prapa shijen e hidhur të një skene tragjike e komplotiste që po ngrihej mbi truallin e  asaj që sot quhet Maqedoni, për të cilën ishin sajuar e ideuar shumë plane copëtimi e përçarjeje nga ana e fqinjëve grabitqarë të Ballkanit, por edhe sponzorizuesve më të largët që vinin nga Perendimi dhe Lindja të cilët historia i njeh si Aleancë Ballkanike Serbo-Greko- Bullgare. Jemi në kohën kur Perandoria Osmane ndodhej në muzgun e fuqisë së saj dominuese në këto vise dhe pretendimet e fqinjëve për ta zënë boshllëkun që linte ikja e saj, nuk kalonte pa dhimbje e pasoja për vendin dhe njerëzit e asaj që dikur quhej Rumeli, kurse një pjesë të saj serbët parapëlqenin ta quanin Srpska Banovina. Burimet sekrete turke informonin se britanikët po ndihmojnë një kryengritje në lindje të Rumelisë me qëllim  të pengimit  të hekurudhës gjermane nëpër tokat bullgare/ 63

Romani“Bijtë e dheut” është i ndërtuar mbi një tipologji marrëdhëniesh të brendshme tekstore ku paralelisht zhvillohet edhe fabula kryesore edhe meditimi anësor. Jon Ahmetaj, një shqiptar nga Shipkovica, që ishte i angazhuar të bëjë punë korrieri në konsullatën britanike në Manastir, në vitin 1908, është rrëfimtari i heshtur i cili në të shumtën  rasteve e kryen punën e autorit dhe kjo metodë në praktikat letrare nuk është e pa njohur, sidomos në  struktura narrative ku rrëfimi përmes monologut të brendshëm zhvillon rrjedhën e fabulës në disa degëzime.
E gjithë historia e këtij romani shikohet përmes syve të Jon Ahmetit. Ai përpos që, thënë figurativisht, është një arkë e mbyllur që lëviz mbi shpinën e kërrusur të një kohe të mbarsur me shtërgata,  që pritet të shkarkohen mbi kokat  pafajshme të ballkanasve, por edhe të banorëve të Shipkovicës dhe gjithë Malësisë së Sharrit, është edhe dëshmitar okular i shumë bisedave, ngjarjeve por edhe një hallkë në të cilën autori lidhë kontrastet etnike e fetare të Maqedonisë së fillimshekulit 20.
Vëzhgimi socioantropologjik i autorit ka arritur të nxjerr në pah shkathtësinë e tij për të operuar mirë me referenca historike dhe përvoja personale, duke e ravijëzuar këtë vëzhgim në portretin e Jon Ahmetit, por edhe në shumë karaktere të tjera, që paraqiten ose si galeria nëntokësore e ngjarjeve subvrerzive , siç janë MekGregori, ndihmëskonsulli britanik në Manastir, grekët Dragoumisi, Karavangelisi, eksponentë të megalodesë greke, pastaj konsulli bullgar në Edrene, Dashkov, konsulli serb Petar, ose si protagonistë realë të historisë siç ishin Goce Dellçevi, Jane Jandanski e ndonjë tjetër. ‘Unë isha një shqiptar mysliman që punonte në konsullatën britanike në territor turk, në një territor të mbushur me sllavë dhe grekë të krishterë (16)

‘Ky vorbull turbullues identitetesh, kufijsh dhe politikash mund të ishte i mundur vetëm në Maqedoni, vendin e lindjes sime.”

Shkrimtari i madh Tolstoji thoshte se më e qenësishmja e një vepre letrare është fokusi në të cilin të gjitha rrezet bashkohen, ose shpërndahen. Sipas Tolstojit vepra e mirë letrare dallohet me atë që përmbajtja kryesore e saj në gjithë plotninë e saj mund të shprehet kryesisht përmes vet asaj.

Në romanin “Bijtë e dheut”, shkrimtari Lukas Dajns herë herë sikur është i tepërt në vorbullën e rrëfimit, dhe vetëpërajshtimi i tij nga ky algoritëm narrativ e bën atë edhe më mjeshtëror në transferimin e kompetencës autoriale tek disa personazhe, siç është bie fjala Jon Ahmeti. Ky i fundit madje bëhet pjesë dhe dëshmitarë i shumë zhvillimeve, por edhe një ëndërrimtar melan-kolik i cili gjatë gjithë kohës e projekton në imagjinatën e tij vendndlindjen e tij tij Shipkovicën, bukuritë përrallore të Sharrit, djalin e vogël Shekin  gruan Fitoren… por edhe e parandjen atë që do të ndodhë më vonë, e që është fundi tragjik i tij dhe i disa njerëzve të afërm të tij. Skena e vrasjeve dhe djegieve që paraqitet në fund të romanit, në fakt është një mirazh asociativ që ishte projektuar qysh më herët në mendjen imagjinatave të Jon Ahmetajt. Ky fund tragjik është refleks i një historie ballkanike e cila prodhon pasoja me efekte domino, pa marrë parasysh se ku nisin vatrat  e krizës.

“Nëse një konflikt fillonte në lindje, do të përhapej në mënyrë të pashmangshme në bashkësitë myslimane në perëndim të Maqedonisë. Tetova dhe Shikpovica do të ishin caqet e këtyre çetave krishtere”… (51) Poshtërsia e njeriut do të jetë e vetmja ikonë para së cilës njerëzit e këtij vendi të shkretë do të përkulen (62)

Komplotistë e intrigantë të ndryshëm kishin punuar në mënyrë perfide për ta ndezur konfliktin e parakohshëm në truallin e Maqedonisë para një shekulli,  ku viktimë do të ishin jo vetëm disa mijëra jetë njerëzish, por edhe disa mijëra kilometra tokë, që përfunduan në gojët e uritura të grabitçarëve të uritur ballkanikë dhe disa teledirigjuesve diplomatikë të instaluar nëpër konsullatat e atëhershme të Ballkanit.

Kur e mbaron së lexuari romanin  ‘Bijtë e dheut’ të imponohet përshtypja sikur shërbimi konsullor i atëhershëm i ngjante një kori korbash mbi qiellin e vrenjtur të Ballkanit, detyra e të cilëve ishte të nxisnin sa më shumë rrebeshe në këto anë.  Mbase këtu duhet shikuar edhe gjenezën e mendimit të teoricientit letrar Teodor Adorni, i cili fliste për  ‘karakterin misterioz të veprës letrare’, që në rastin konkret na paraqitet si një palimsest historik, të cilin autori e shtrin në një realitet, ku politika dhe diplomacia e atëhershme e Fuqive të Mëdha  kryente punë të pista duke përdorur dorëzat e spiunëve dhe komplotistëve.

Procesi kreativ i  leximit të këtij romani është mjaft tërheqës, si për nga përmbajtja intriguese e fabulës, po aq edhe për nga stili poetik i pasazheve që përshkruajnë gjendje shpirtërore dhe ambiente të jashtme në  natyrë. Kjo mbase ndodhë për shkak se autori me të drejtë ka dashur ta kuptojë rolin e leximit, gjegjësisht lexuesit në dinamikën receptive të veprës, apo siç do të thoshte studiuesi letrar Dimitrij Lihaçov,  ‘lexuesi është bashkëpjesmërrës  në procesin krativ dhe në idenë letrare të autorit….’. Kjo komponentë e thyerjes së linearitetit rëfimor, përmes transhedencës së tekstit, i jep dinamikës receptive një lehtësim, kurse kalimi nga një linjë rrëfimi në një linjë tjetër bëhet shumë e natyrshme dhe në funksion të idesë bartëse.

Kontrasti karakterologjik dhe emotiv në mes Jon Ahmetat dhe MeK Gregorit e shpërfaq më së miri këtë transhedencë të tekstit…

“Ndërsa unë shihja tufën korbave që do të lëshohej mbi çdo fushëbetejë, ai shihte ruta tregtie tokësore të penguara. Derisa unë shihja vejusha në të zi të kruspullosura mbi mbetjet e jetëve të tyre, ai do të konsideronte politikat  Fuqive të Mëdha dhe një racë njerëzish që jetonin rehat në një ishull një botë larg” (75)… thotë J. Ah.

Bota e jashtme dhe e brendshme e Jon Ahmetit, intriga dhe  skenare konsujsh, kasnecë spiujsh e korrierë diplomatikë që bartnin porosi të koduar për kurdisje komplotiste ballkanike, janë disa nga tiparet zhanrore që e bëjnë romanin “Bijtë e dheut” të anojë nga  proza me elemente të trilerit dhe krimit, sepse, siç del nga romani, ‘Prapa të gjitha grindjeve dhe vrasjeve ishte një strategji e pashpirt e  vënë në funksion nga Serbia, Greqia dhe Bullgaria”, kurse ‘Maqedonia ishte një terren kultivimi për rebelë dhe separatistë, oportunist dhe sadist, banditë dhe kriminelë. Sllavët e Maqedonisë janë kashtë tej mase e thatë që lypte xixat më të vogla për t’i vënë zjarrin (23). Por edhe roman i ngjarjeve dhe karaktereve.

Në sfondin e kësaj historie me plot kontraste e keqkuptime, romani përvijon idenë se letërsia ende është e aftë të ridimensionojë faktografinë historike pa e dëmtuar logjikën racionale të të vërtetave.

Ndonëse në këtë sfond përshkruhet rebelimi i lëvizjeve revolucionare maqedonase, në fakt tregohet një e vërtetë e madhe se kjo lëvizje fatkeqsësht vepronte mbi baza të organizimit fragmentar fraksionesh e grupimesh të majfta e djathta, që spono-rizoheshin nga agjentura të huaja, për të pamundësuar ndërtimin e  një hekurudhë transnacionale gjermane që duhej të kalonte nëpër Bullgari.

Sikundër mund të shihet, edhe ky roman na meson se prapa çdo kryengritje apo rebelimi, qëndron një interes i maskuar, qoftë ekonomik, qoftë gjeostrategjik, kurse viktimë janë të gjithë ata që armiqësohen në mes veti pa e ditur se armiqësia e tyre është e imponuar nga jashtë. Ashtu siç ndodhi edhe me skenat e fundit të romanit, ku rrugët e Shipkovicës mbulohen nga rrëke gjaku të njerëzve të pafajshëm, kurse Jon Ahmetaj e përfundon me fjalët e pa thëna të shpirtit që po fikej…

“Shikova plumbin duke lëvizur në ajër, drapërin e vdekjes pezull, ngadalë duke gjarpëruar dhe rrotulluar …Errësira dërmuese e vdekjes ishte gjithandej rreth meje… ndieja si largohej jeta ngadalë…’

Kështu mbyllet historia e Jon Ahmetit, por edhe një kronikë e gjatë minitërmetesh gjeopolitike në një cep të Perandorisë Osmane, në rënie, kurse romani “Bijtë e dheut” i autorit amerikan, Llukas Dajns, është testamenti letrar i një sage ballkanike që ujitej me dënesje  nënash e vaje fëmijësh. Llogaria e këtyre vuajtjeve është pengu më i madh i faturave të papaguara të atyre që këtë pjesë të Ballkanit e kishin vizatuar në hartat e tyre lakmiçare.

 Romani“Bijtë e dheut” është një radar që na mëson të dallojmë errësirat e historisë. Lexuesi i vëmendshëm i një letërsie të tillë mund ta ketë më lehtë të udhëtojë në kohë e hapësira, ku natyra njerëzore munde të jetë më fisnike se ajo që i atribuohet disa karaktereve në roman. Ky mbase është edhe misioni i kësaj vepre.

29 tetor 2019

NJË LIBËR QË ZBËRTHEN SEMANTIKËN SOCIO-POLITIKE TË NJË KOHE

Në gazetari është i njohur parimi se gazetarët duhet të jenë pranë zhvillimeve politike dhe ngjarjeve që prodhohen prej tyre, për t‘i parë gjërat me saktësi. Por duhet edhe të jenë në gjendje të shkëputen prej tyre, për t‘i parë gjërat nga distanca.

Sot nuk po promovojmë thjeshtë një libër, por po risjellim në vëmendje edhe një kufi kohor që ripërkufizonte trajtat e një dikursi të ri mediatik në gjuhën shqipe këtu në Maqedoni. Viti  2001 nuk solli vetëm ndryshimin e madh në planin politik e shoqëror të shtetit, por rivendosi edhe një drejtpeshim në dizajnimin e mendimit publik, duke ia rikthyer gazetarisë në gjuhën shqipe dinjitetin dhe kredibilitetin e munguar.

Prandaj edhe librin e gazetarit dhe intelektualit Bekim Adili “Konflikti i vitit 2001 në fokusin mediatik” si dhe prodhimin gazetaresk brenda tij, do të duhej ta shohim në këtë dioptri, sepse konteksti kohor dhe dimensioni përmbajtësor i këtij libri mëton të jap fotografinë e një skene dinamike dhe dramatike ku zhvillimet e ditës dhe efektet publike që prodhonin ato,  projektonin një horizont të ri pritjeje tek audience e gjerë.

Me fjalë të tjera, viti 2001 ishte edhe një shans historik për gazetarinë që të sprovojë veten me guximin profesional dhe kredibilitetin etik e moral për të raportuar mbi ngjarje që nuk i kishte mësuar nëpër shkolla dhe kurse. Gazetarët tanë atëbotë nga koha e paqës po kalonin në kohë lufte dhe ky ishte njëkohësisht edhe një trajnim i ri për ta, sepse po merrnin epitetin e reporterit të luftës, me ato pak istruksione profesionale që merrni  nga drejtuesit  e mediave të cilët luftën e kishin pa më herët në televizion por nuk e kishin  përjetuar mbi kurrizin e tyre. Raportimi në kushte të tilla përballej me shumë të panjohura, por në fund të ditës bilanci i punës nxirrte të fituar misionin e një profesioni që nuk po kalkulonte për të kontrabanduar audiencë falce, por për të fituar një kauzë publike që ndërlidhej me zhvillimet në terren. Është e vetëktpushme se për të mbajtur gjallë një kauzë të tillë, nevojitej përpos guximit qytetar e profesional edhe një vetëdije morale e njerëzore , e cila nganjëherë kishte rezik të keqkutohej dhe keqinterpretohej nga vëzhguesit e panashëm ndërkombëtarë të mediave.

Për fat të mirë, mediat shqipe në Maqedoni, siç mund të shihet edhe në librin “Konflikti i vitit 2001 në fokusin mediatik” nuk u bënë instrumente qorre të pasioneve për raportime të njëanshme e joobjektive, siç ndodhi me një pjesë të mediave të tjera ku kufiri në mes të raportimit nga terreni dhe komentimit subjektiv, gati ishte fshi, prandaj një kohë të caktuar  opinioni publik në gjuhën maqedonase ndodhej në lajthitje të madhe mbi vërtetëtësinë e ngjarjeve që ndodhnin në terren.

Në gazetari është i njohur parimi se gazetarët duhet të jenë pranë zhvillimeve politike dhe ngjarjeve që prodhohen prej tyre, për t‘i parë gjërat me saktësi. Por duhet edhe të jenë në gjendje të shkëputen prej tyre, për t‘i parë gjërat nga distanca.

Libri “Konflikti i vitit 2001 në fokusin mediatik” i autorit Bekim Adili e ka pikërisht këtë komponentë profesionale, aq më tepër kur ai po botohet 20 vjet pas ngjarjeve që u bënë lajtmotiv i këtij libri. Shikuar nga distanca 20 vjeçare, rezulton që afati i prodhimit gazetaresk të këtij libri  i ngjan një vere të mirë, shija e së cilës, me kalimin e kohës, vjen duke u bërë edhe më joshëse.

Për dallim nga vera e cila të deh nga konsumimi i tepërt, me këtë libër ndodhë e kundërta: sa më shumë ta përvetësojmë atë, aq më të esulluar bëhemi. Kjo vlen sidomos për lexuesin e mëvonshëm që nuk ka pasur rastin t’i lexojë materialet e shkruara para 20 vjetëve dhe tani e ka rastin të komunikojë me një produkt mediatik, i cili dikur ishte lajm, kurse tani është bërë histori. E bukura e krejt kësaj pune është se historinë nuk po na e shkruajnë të tjerët, siç ka ndodhur zakonisht me neve si popull, por atë po e shkruajmë vet ne, duke vendosur parametrat profesional e etik si gurë peshoreje në raportimin dhe komentimin e ngjarjeve që kishin  ndodhur në vitin 2001.

Në historinë e gazetarisë dhe publicistikës shqipe këtu te ne, sigurisht që edhe libri që sot po promovojmë, do të jetë një pikë e rëndësishme referimi për të gjithë studiuesit dhe lexuesit e pasionuar, të cilët do t’i analizojnë pritshmëritë e ngjarjeve të vitit 2001 edhe nga dioptria e këtij libri. Prandaj, autori Bekim Adili ka bërë një punë të vyer në sistemimin e prodhimit gazetaresk që ishin rrjedhojë e një kohe që më vonë do të shënohet si kufi që ndante historinë tonë më të re në dy epoka: në epokën e inferioritetit dhe në epokën e dinjitetit kombëtar. Një prej instrumenteve që do të shërbejë për ta zbërthyer semantikën socio-politike të këtij kufiri kohor , pa dyshim që është edhe ky libër që po promovojmë sot.

10 dhjetor, 2021

PROFILI I ANTON ÇETTËS SIPAS ANTON NIKË BERISHËS


 “Vepra e Anton Çettës përligj qenësinë e trashëgimisë sonë”, e studiuesit dhe shkrimtarit Anton Nikë Berisha, kompenson në masë të duhur detyrimin tonë ndaj prof. Anton Çetës, duke e paraqitur këtë të fundit në një dritë më të plotë, por edhe më udhërrëfyese për autorë dhe studiues të tjerë. Ky libër është i rëndësishëm edhe për faktin që, përmes profilit të prof. Çettës, ngrihet në nivelin e merituar trajtimi mbi letërsinë tonë gojore, një fushë kjo padrejtësisht e anashkaluar nga shkrimtarët dhe studiuesit e ndryshëm

Studiuesi dhe autori i librit “Vepra e Anton Çettës përligj qenësinë e trashëgimisë sonë”, Anton Nikë Berisha, duke qenë për vite tëra,  një prej miqve e bashkëpunëtorëve më të afërt të prof. Anton Çetës, pikërisht në 100 vjetorin e lindjes së tij, sjell jo vetëm një këndvështrim të munguar deri më tani, por edhe një indeks të gjerë të dhënash interesante mbi profilin e pasur të jetës dhe veprës së Anton Çettës. Ky libër është ‘skedari’ më i kompletuar për jetën dhe veprën e një personaliteti, siç ishte Anton Çetta, i cili kësaj radhe vjen i plotë,  i shumanshëm dhe, mbi të gjitha,   i liruar nga mitizimet dhe folklorizmat e tepruar që i bëri bulevardizmi ynë publik.

Kjo punë, pra, nuk ka mundur të bëhet pa njohjet  e thella dhe tepër përkushtuese të Anton Nikë Berishës mbi veprimtarinë e pasur të Anton Çetës, që,  siç del edhe në veprën që kemi në duar,  autori me argumente e referenca të shumta shkencore analizon dimensionet e qenësisë së letërsisë gojore nën prizmin e  veprimtarisë së  prof. Anton Çettës , si mbledhës, si botues por edhe si studiues i krijimtarisë gojore. Duke nxjerrë në dritë koloritin e pasur gjuhësor e psikologjik të kësaj letërsisë,  Anton Çetta, sipas,  dha një nga ndihmesat më të mëdha që njeh deri më sot historia e letërsisë sonë gojore.

Por, studiuesi Anton Nikë Berisha, ndonëse mik dhe koleg i afërt me prof. Çettën, megjithatë arriti të ruaj distancën gjykimit racional mbi këtë personalitet të shuar të kulturës sonë, duke na ofruar një profil deri tani të paplotë, ose të trajtuar njëanshëm, nga ata që rolin  e pajtuesit të gjaqeve të prof. Çetës e kishin mbivendosur si një hije ndaj veprimtarisë së tij gjysmë shekullore në fushën e mbledhjes, botimit dhe studimit të folklorit tonë.

Cili është kontributi kryesor i Anton Nikë Berishës me studimin tij “Vepra e Anton Çettës përligj qenësinë e trashëgimisë sonë”?

E para, ajo çka na imponohet si përshtypje e parë, është fakti se figura e Anton Çettës del nga një narrativ i përhapur se ai ishte vetëm folklorist dhe pajtues gjaqesh, duke e lënë mënjanë plotninë e profilit të tij prej mbledhësi e studiuesi të letërsisë sonë gojore.

E para, Anton Nikë Berisha me këtë vepër prish disi skemat e këtij narrativi dhe na sjell në vëmendje një personalitet të shquar, i cili gjatë veprimtarisë së tij gjysmëshekullore i ishte përkushtuar artit të fjalës së folur – letërsisë gojore. Për Anton Çetën ky art kishte shumë rëndësi në jetën  përditshme të njerëzve dhe, siç del edhe nga studimi i Anton Nikë Berishës, fuqia shprehëse dhe komunikuese e fjalës riprodhonte raporte të reja midis atyre që e përdornin atë, qoftë në kontekst pozitiv, qoftë negativ.

E dyta, duke gjurmuar thesarin popullor, që nga fillimi i viteve 50—ta , në krahina e rrethe të ndryshme të banuar me shqiptarë, Anton Çetta, në mendësinë tonë kolektive injektoi gjeografinë e pasur etno-psikologjike e gjuhësore të shqiptarëve, duke filluar nga  Drenica e Shala Bajgores , për të vazhduar pastaj në Dukagjin, në Rekë të Keqe, në Rugovë e në vise të tjera të Kosovës si dhe në viset shqiptare të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Ky nuk është vetëm një preokupim i thjeshtë studimor i Anton Çetës, por edhe thelbi i një misioni që në qendër kishte shpëtimin nga harresa dhe zhdukja e një arkivi të pasur me margaritarë nga arti dhe mençuria popullore.

Nga ajo që e thotë autori kuptojmë se rëndësia kolosale e punës hulumtuese të Anton Çettës është vendosja e lidhjes së pashkëputshme në mes të krijimtarisë gojore dhe memories kolektive, sepse vetëm kështu u ruajt kontinuiteti i gjallimit të shqiptarëve ndër shekuj.

E treta, mbi këtë paradigmë socio-kulturore, u ndërtua edhe strategjia krijuese e shkrimtarëve të mëvonshëm, të cilët motivet dhe fabulat e tyre i mbështetën në ngjarje e personazhe të huazuar nga letërsia gojore.

Për të qenë më bindës në vlerësimin e artit gojor dhe në mbindërtimin artistik nga an e shkrimtarëve e studiuesve të ndryshëm, duke marrë për bazë pikërisht këtë art, Anton Nikë Berisha sjell edhe një mendim të Anton Çettës që ia kishte thënë atij.

 “Kryesorja në punën tonë janë materialet cilësore të mbledhura dhe të botuara me kujdes. Ato kanë vlerë të përhershme. Studiuesit e fushave të ndryshme, po jo vetëm ata, do t’u kthehen atyre përherë, sepse në to do të gjejnë çështje të rëndësishme. Studimet dhe vlerësimet për to do të ndryshojnë, materialet dhe vlerat e tyre do të mbesin”.

Libri ‘Vepra e Anton Çettës përligj qenësinë e trashëgimisë sonë’ është i organizuar sipas një strukture që ndjek ecurinë dhe zhvillimin e parabolës jetësore e shkencore të prof. Anton Çetës, duke filluar nga kapitulli i parë, qenësia e traditës dhe domosdoja e njohjes dhe e studimit, pastaj anton çetta poet për fëmijë, deri te kapitujt mbledhësi dhe botuesi më i shquar i letërsisë gojore shqipe, studiues i vëmendshëm i letërsisë gojore, qenësia e njohjes së mendësisë dhe praktika e pajtimit të gjaqeve, personalitet që ia kushtoi jetën kulturës dhe botës sonë, të dhëna mbi jetën e Anton Çettës,  për ta mbyllur me pjesën aspak të njohur deri më tani për publikun e gjerë, siç janë Pesë letra të Anton Çettës, me ç’rast autori Anton Nikë Berisha prezanton thellësinë e profilit të  prof. Anton Çetës përmes korrespodencës që kishte pasur me të, ku spikat kujdesi gati prindëror i profesorit ndaj studiuesit atëherë të ri, pra Anton Nikë Berishës, (jemi në fund të viteve 70 dhe fillim të tetëdhjetave) si dhe qëndrimi i tij intelektual e profesional mbi shumë tema e probleme që e preokuponin  atë në vitet kur ishte aktiv në terren dhe në studion e tij të punës. Në këto letra, në shikim të parë private, shpaloset si një gonxhe e fshehur pas petaleve, portreti i një njeriu që përpos pasionit për peshkim dhe për sportin e boksit, kishte edhe qasjen e ngrohtë e spontane ndaj njerëzve që e rrethonin, duke filluar nga anëtarët e familjes e deri te miqtë dhe kolegët të cilët e rrethonin.

Kornizat e portretit shkencor e krijues të Anton Çetës, sipas veprës që kemi në duar, del të tejkalojnë përkufizimet zhanrore, për arsye se prof. Anton Çetta, në laboratorin e tij krijues përpunoi edhe verbin poetik, kryesisht kushtuar më të vegjëlve,  pikërisht me vëllimin  me poezi, “Në prehën të gjyshes” të botuar më 1955 dhe me poezitë e lëna në dorëshkrim me titullin “Vjetigazmuer”, për t’u thelluar në një fushë që ai e kishte për zemër. Kjo  ishte puna  kushtuar letërsisë gojore e prof. Anton Çetta (1920 – 1995) e cila filloi më 1953, kur bashkë me Vojisllav Dançetoviqin  dhe KadriHalimin botoi blenin “Kangë popullore të Kosovë-Metohisë” II. , pastaj “Tregime popullore I. Drenicë” (1963) Gjatë punës në Institutin Albanologjik, prof. Anton Çeta, sipas burimeve të autorit Anton Nikë Berisha,  nxiti dhe përmbushi gati në tërësi projektin prej 25 blejsh me materiale të letërsisë gojore nga Kosova dhe trojet shqiptare në Mal të Zi dhe në Maqedoni, pjesën më të madhe të përgatitur nga ai vetë. Në këtë bibliografi të pasur, mund të veçojmë edhe vëllimin “Kërkime folklorike” , ku janë përfshirë punimet kryesore të Anton Çettës të botuara nga viti 1955. Mbi rëndësinë e këtij vëllimi, Anton Nikë Berisha në librin e tij jep këtë vlerësim: “Disa prej punimeve të përfshira në vëllimin “Kërkime folklorike” janë të rëndësishme për arsye se janë për arsye të parat në traditën tonë që hedhin dritë mbi dukurinë që shqyrtohen, ndërsa disa të tjerë theksojnë një varg idesh e dukurish që kërkojnë të shqyrtohen në mënyrë të gjithanshme”.

Një vlerë tjetër që del në pah, ndërlidhet me pasionin e prof. Anton Çettës në arkivimin e letërsisë gojore, duke themeluar në kuadër të Degës së folklorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Arkivin e kësaj letërsie, ku u tubuan rreth 50. 000 njësi letrare gojore.

Nga ky libër mësojmë edhe shumë detaje biografike të prof. Çettës, që nga fëmijëria e tij dhe shkollimi i hershëm në Korçë dhe Tiranë, si dhe studimet në Beograd dhe qëndrimet studimore dhe pjesëmarrja në seminare e kongrese të ndryshme të botës, pa harruar edhe kontributin e tij në procesin edukativ-arsimor në Universitetin e Prishtinës si dhe përkthimet.

Ajo që mbetet e pashkëputur nga veprimtaria publike e prof. Anton Çettës, është kontributi i tij madhor në aksionin e madh për eliminimin e hasmërive midis shqiptarëve. Ky dimension në diagramin jetësor të prof. Anton Çettës, i cili  përvojën që ai e kishte fituar në terrenin e krijimtarisë gojore e barti në terrenin e pajtimit të gjaqeve. Ajo që mund të thuhet si porosi pasi ta kemi lexuar veprën e Anton Nikë Berishës mbi këtë dimension të Anton Çetës, është se ai përtej pajtimit të gjaqeve në mes të shqiptarëve realizoi pajtimin kombëtar, si kushtin  domosdoshëm për  të zhvilluar projektin e madh të ndërtimit të shteti, që nga faza e luftës e deri te ajo e ngritjes e konsolidimit të institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi.

“Vepra e Anton Çettës përligj qenësinë e trashëgimisë sonë”,e studiuesit dhe shkrimtarit Anton Nikë Berisha, kompenson në masë të duhur detyrimin tonë  ndaj prof. Anton Çetës, duke e paraqitur këtë të fundit në një dritë më të plotë, por edhe më udhërrëfyese për autorë dhe studiues të tjerë. Ky libër është i rëndësishëm edhe për faktin që, përmes profilit të prof. Çettës, ngrihet në nivelin e merituar trajtimi mbi letërsinë tonë gojore, një fushë kjo padrejtësisht e anashkaluar nga shkrimtarët dhe studiuesit e ndryshëm, por mjaft e qenësishme në procesin krijues si dhe në ridimensionimin e së kaluarës përmes një pasurie folklorike që po shkon duke u zhdukur pamëshirshëm. Pikërisht i shqetësuar nga ky fakt, zë fill edhe preokupimi kryesor i prof. Anton Çettës, puna kolosale e të cilit ka mbetur një gurë i çmuar në kalanë e mbamendjes sonë kolektive.


23 dhjetor 2020

 

 

 

 

 

 

 

 

MANUALI INTELEKTUAL I NJË MENDËSIE AKTIVE

 (Përkitazi me librin studimor“FEDERATA SHQIPTARE , kohezioni i shtetit –komb në BE”,të prof.dr. Sadri Ramabajës)

Profesor Sadri Ramabaja përmes këtij studimi kapital i hedh një vështrim më të specializuar prejardhjes sociologjike, politike e etnike arkitekturës shtetërore, duke e vendosur atë në disa rrafshe të sovranitetit dhe subordonimit. Ai nuk e ka pasur lehtë të përthekojë në këtë studim gjithë përvojën shtendërtuese të shqiptarëve për të krijuar mvetësinë e tyre brenda organizimit adminstrativ, politik e ushtarak , prandaj edhe ka shpenzuar disa vite punë këmbëngulëse kërkimore, në shfrytëzimin e arkivava dhe literaturave, për të sjellë në vëmendjen tonë unitetin por edhe diversitetin  e pikëpamjeve mbi të sotmen dhe të ardhmen politike e shtetërore të shqiptarëve.   

Ku konsiston rëndësia e këtij studimi?

Rëndësia e këtij studimi është e dimensioneve të shumta për disa arsye:

E para – i bëhet një sintezë të gjitha pikëpamjeve shkencore mbi zhvillimin diakronik të shtetësisë dhe përdegëzimi i saj në modalitete shtetformimi e shtetndërtimi

E dyta – me guxim intelektual vendos linja të qarta përkufizimi mbi domosdonë e kohezionit në mes të aspiratës integruese europiane dhe nevojës së rikonfigurimit të brendshëm kombëtar, me atribute të qarta të sovraniteteve të dyfishta, që do të projektoheshin brenda një federate shqiptare

E treta – është një platformë e mirë e vendosjes së ngehinës së mendimit dhe veprimit politik, duke mos pasur nevojë që të bredhet shumë për të krijuar modelin e të ardhmes politike e shtetërore të shqiptarëve, për arsye se ky studim ofron jo vetëm pjekurinë e rezonit shkencor, por edhe rrugëzgjidhjen për gjithë ata që do të kenë nevojë për një manual politik praktik …

 I organizuar në tri pjesë, ky libër na fton ti bëjmë një rishikim shtetit në rrjedhat historike, duke kombinuar  obesrvimin vetanak me njohjet dhe praktikat e autorëve të tjerë të cilët ishin marrë me formimin dhe zhvillimin e kombit në rrjedhat  e historisë dhe krijimin e shteteve kombe, për të arritur në një shumësi përvojash që do të sublimonin raportin shteti-kombi-Bashkimi Europian.

E gjithë pjesa e parë e librit, sheshon një mal argumentesh mbi domosdonë e krjimit të instrumentave shtetëror, si garantues të sovranitetit kombëtar të një populli. Duke e marrë  hulumtimin multidisiplinar si bazë për vrojtimin e historive shtetërore, autori nxjerr në pah, përmes një argumentimi të qëndrueshëm, përpa-rësitë dhe hendikept e shteteve për të absorvuar nevojat dhe kapacitetet në rritje të kombeve. Në njërën anë kemi pafuqinë e shteteve për të sfiduar erozionin megaloman të proceseve globale, por në anën tjetër shtetet  paraqiten edhe tepër të mëdhenjë, në ambiciet e tyre për të dimensionuar shtratin historik të formimit të vetëdijeve kombëtare e shtetërore.

E ardhmja e Federatës Shqiptare

Pjesa e dytë e librit, që është edhe pjesa më fundamentale e mbarshtrimit të teorive dhe praktikave mbi procedeun historik të formimit të bashkësive brendashtetërore, e radhit autorin ndër njohësit më të spikatur të proceseve integruese të një etnie, me theks të posaçem të etnisë shqiptar.

Integrimi si proces më i gjerë, e ka preokupuar autorin të gjejë pikëtakime në ato dimensione ku fuzionimi dhe integrimi ka treguar se është i mundur dhe ka të ardhme shtetit-komb brenda  proceseve integruese europiane. Kjo i ka mjaftuar atij që ta trajtojë me përkushtim konceptin mbi Europën federale , e cila gjatë procesit të mëtejm do të arrijë të zhvillohet si bashkëdyzim midis politikës dhe shtetit si ide. Kur jemi te ky bashkëdyzim, autori vjen në përfundim se kjo e determinon edhe të ardhmen shtetit-komb, por tani me disa kërkesa më të avancuara që do të preknin fuzionimin strukturor të shtetit nacional me elementet e qeverisjes mbinacionale. Një vështrim panoramik mbi shtetin, kufijtë, kombet dhe sovranitetin do të na mundësojë të kemi një qasje më racionale mbi rrugën e vështirë të krjimit të vetëdijes shtendërtuese te shqiptarët, duke filluar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, luftërat e të cilit kishin synim krijimin e shtetit të përqëndruar dhe deri te Rilindja Kombëtare Shqiptare , e cila kishte edhe platformën e saj politike për formatimin shtetëror e territorial të ambicjeve shekullore të shqiptarëve.

Kjo rrugë e vetëdijësimit dhe e përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për një mvetësim administrativ e shtetëror ka kaluar nëpër shumë konteste e përballje të vështira gjatë historisë, mirëpo, mbi të gjitha këto, kishte triumfuar sensi i mbajtjes gjallë të konceptit mbi lirinë, si parakushtin elementar për krijimin e shtetit. Ndonëse kombi shqiptar ngeli jashtë shtratit administrativ të shtetit të pavarur të 1912-tës, ose më shumë se 29 mijë km katror, kundrejt 28 mijë kilom. katrorë, kishin mbetur pa u përfshi në procesin e kontrollimit të sovranitetit kombëtar në suaza të përmasave administrative e shtetërore, megjithatë historiografia shqiptare, me nuancime të herëpashershme ideologjike, u mundua ta trajtojë çshtjen shqiptare si të pandarë, për dallim nga historiografia serbe e cila çështjen shqiptare e shikonte si të shkëputur, pa ndonjë lidhje të brendshme kohezive. Mbi këta parametra historiografikë, ndërtohet edhe teza e prof. Sadri Ramabajës për konceptin e Federatës Shqiptare, e cila në shtjellimin e detajuar të këtij libri vjen si një rrjedhojë logjike e trashëgimisë pozitive të popullit shqiptar për bashkim, e që ishte e artikular edhe në disa dokumente e marrëveshje që shqipraët ishin arritur ti miratojnë, duke fillar nga Kuvendi i Lezhës (1444), Lidhja e Prizrenit (1878), Kuvendi i Vlorës (1912) e deri te Konferenca e Bujanit (1943).

Rilindja Kombëtare Shqiptare e lidhur ngusht me frymën europiane të idesë për vetëvendosje, megjithatë ngeli në suaza të utopisë romantike të fundshekullit 19 dhe fillimit të shek. 20.

Modelet e mendimit evropian

Aksioni polititik i shqiptarëve, i cili u shoqërua edhe me aksionin ushtarak, ishte i pamjaftueshëm për të rivendosur vullne-tin dhe parimin e vetëvendosjes, për arsye se rrethanat historike ishin ato që e pamundësuan idealin e rilindasve që shqiptarët të kenë një shtet të tyre në Ballkan, brenda territorit ku ata banojnë.

Duke e trajtuar këtë fatalitet historik në suaza të një observimi të ftoht e të balancuar. prof. Ramabaja megjithatë me studimin e tij i jep një shtytje të fuqishme mendimit politik shqiptar, përmes këtij studimi, i cili në fakt duhet kuptuar edhe si një dekalog që pretendon të jep shumë përgjigje kundruall dilemave e konfuziteteve, të krijuaar nganjëherë edhe artificialisht. Po të mos ishte prirja e tij kërkimore, dhe sensi për të kundruar realitetet tona politike e sociologjike në rrafshin e një paralelizmi me përvojat e popujve europian, sigurisht që do të ishim të mangët për një informacion relevant shkencor që na vie kësaj radhe përmes këtij libri studimor. Sidomos duke marrë për bazë rrugën e zhvillimit mendor e politik të anglo-sanksonëve dhe francezëve, të cilët kishin përdorur, secili në mënyrën e vet edhe metodat e tyre të mendimit. Përderisa te anglosaksonët, komponenta gjeo-strategjike e interesave ishte marrë si bazë e përkufizimit të kulturës së tyre shtetërore  e administrative, mbase edhe për shkak të frymës koloniale që ende po dominonte këtë metodë men-dimi,  te francezët në anën tjetër, që  udhëhiqeshin nga disa resurse kulturore e ideore të Revolucionit Borgjez, dominonte fryma ideologjike e filozofike e shtendërtimit.

Për ata që do të donin të nxirrnin mësime pak a shumë më operacionalizuese nga ky studim, do të ishte me interes shkrirja e këtyre dy përvojave në metodologjinë e krijimit të projektit të Federatës Shqiptare, duke ia ndajshtuar edhe konceptin ushtark të të menduarit, siç preferon autori. Ai madje jep edhe udhëzime konkrete për elitat politike në Prishtinë e Tiranë të cilat do të duhej të punonin në krijimin e parakushteve politike e kulturore për formimin e Fedeatës Shqiptare, instrument ky i cili do të ishte edhe baraspeshë gjeopolitike kundrejt hartës politike që ishte me plot gabime historike, por që do të ishte në harmoni të plotë me frymën dhe interesat eruointegruese e auroatlantike.

Federata Shqiptare në frymën e integrimeve evropiane

SHTETI KOMB dhe BE-ja është pjesa e tretë dhe e fundit e librit që kemi në duar. Kjo pjesë ka një rëndësi të posaçme për arsyse se përmes saj ne e kuptojmë mirë argumentimin  fundamental të autoit për domosdonë e krijimit të Federatës Shqiptare, e cila nuk mund të ndodhë pa i plotësuar disa parakushte që janë në frymën e integrimeve europiane. Duke u nisur nga fakti se kufijtë e Evropës kanë ndryshuar dhe vetë Bashkimi Evropian është ballafaquar me gjeografinë e re të shtrirjes së kombeve brenda dhe jashtë sovraniteve të tyre shtetërore, autori mëton të sqarojë edhe korpusin teorik mbi integrimin, duke ballfaquar në një rrafsh kundrështish  konceptin e funksionalizimit dhe federalizimit.  Në këtë aspekt ai jep sqarime të hollësishme mbi përvojën e të menduarit europian sa i përket integrimeve, duke nxjerrë si paradigma tri teori thelbësore: 1. Federalizmin, 2. Qasjen shumështresore apo Interguven-mentalizmin dhe 3. Funksionalizmin.

Te grupimi i parë teorik autori sjell në vëmendjen e lexuesit përparësitë që shpërfaq federalizmi si teori dhe praktikë, me një objektiv shumë të qartë : Shtetin  e organizuar dhe strukturën supranacionale

Qasja teorike që ka për bazë interguvermentalizmin ka për qëllim të afirmojë kulturën politike e shtetërore mbi disa parime, siç janë:Mbajtja e pushtetit gjegjësisht ruajtja e sovranitetit, sigurisë dhe drejpeshimin e pushtetit.

Ndërkohë që funksionalizmi si orientim teoriko-polititik do të mundte, sipas autorit, të zhvillohej në sensin e  bashkëpunimit  në disa fusha specifike siç janë industria përpunuese,  e qymyrit dhe çelikut, komunikacioni etj., por që si përfundim do të kishim  erozionin  e shtetit –komb, për shkak se bashkëpunimi  do të kalonte në nivele të larta shtetërore.

Në pjesën e tretë kemi një përqëndrim të autorit në elaborimin terotik të problemeve siç janë Integrimi evropian si proces shtetformues, pastaj BE si garantues i demokracisë, për tu ndalur në tezat mbi integrimin dhe parimin e subsidiaritetit. Një kapitull i veçantë i kësaj pjese merret me legjittimitetin e BE-së  dhe deficitin demokratik, si dhe me Marrëveshjen e Lisbonës,duke e trajtuar atë edhe një herë në konteskt të parimit të subsidiaritetit dhe trajtave të reja politike të BE-së.

Duke e konsideruar tepër të nevojshme trajtimin e tezës së tij mbi Federatën Shqiptare  në kuadër të planimetrisë politike europiane, autori nxjerr përfundime interesante kur flet për të ardhmen  e BE-së dhe shtetit –komb, por e shoqëruar me njëfarë pasigurie, për arsye se, siç thotë autori, zhvillimet në rrafshin ekonomik dhe atë politik në shkallë botërore e kanë sjellë shtetin nacional para dilemave të mëdha. Dhe krejt kjo si pasojë e metamorfozave gjeopolitike që kanë ndodhur këto dekadat e fundit, sidomos në planin e moskordinimit të mjaftuar të politikave të BE-së për përballje me pasojat  e krizës financiare globale.

Në hulumtimet e tija stuimore, profesor Sadri Ramabaja do të shërbehet edhe me të dhëna relevante që japin shërbimet e ndryshme të intelegjencës sa i përket analizimit të politkkave globale e rajonale. Në këtë kontekst ai ka përdorur edhe një analizë të shërbimit sekret gjerman BND, i cili flet në mënyrë të detajuar për pasojat e krizës financiare në rrafshin global, por edhe me sfidat me të cilat ballfaqohet shteti gjerman dhe disa shtete të tjera. Objekt i kësaj analize është domsdoshmëria e rikthimit të politkës si në rrafsh nacional ashtu edhe ndërkom-bëtar, por i bazuar mbi tre skenarë që ky shërbim i parashikon, duke fillluar nga skenari i parë që parsheh zhvillimin e ngadalsuar dhe zgjatjen e epokës së dominimit të SHBA, i quajtur nga autori si skenari më optimist për të aluar në skenarrin e dytë që identidikohet me ngritjen Kinës si fuqi dominuese botërore, që ka për bazë përmbysjen e trendit global  ekonomik i ngritur mbi parimet e neoliberalizmit, dhe rikthimin e rolit të shtetit  në dimensionimin e interesave nacionale.

Skenari i tretë i analizës së BND-së parashihte rënien e mundshme në një botë jostabile, që do të ndikonte në nxitjen e  politikave izolacionsite  të disa qeverive të shteteve të ndry-shme, parasegjitash të BE-së dhe do të përcillej përmes një regresi ekonomik në shkallë globale.

Skenarët e zhvilllimit të BE-së

Cikli përmbyllës i këtij libri i rikthehet edhe njëherë të ardhmes së BE-së, përmes skenarëve të mundshëm dhe sfidave të pritshme, por edhe problemeve që dalin nga kriza financiare brenda Eurozonës.

Duke u nisur nga fakti se BE ka nevojë të bëjë ndryshime fundamentale në vetë substancën e politkkave të saj konceptuale, autori në fund mbarështron disa skenarë  të mundshëm të zhvillimeve të mundshme brenda BE-së, duke i vendosur këta skenarë  në perspektivën  integruese evropiane të Ballkanit Perendimor, në veçanti dhe Federatës Shqiptare, në veçanti.

Evropa e së ardhmes dhe fati i Federatës Shqiptare  kanë qenë dy referencat kuptimplote që e bëjnë këtë libër të ruaj disa standarde të qëndrueshme të besueshmërisë dhe argumentimit, kurse elitave politike do t’iu shërbejnë këto referenca si nxitje për të riformatuar frymën europiane të identiteti politik e kulturor në metodikat e tyre shtetformuse e shtendërtuese në kuadër të procesit në pritje të integrimeve të brendshme shqiptare.

29. 11. 2016

I HARRUAR PËR HISTORIOGRAFINË, POR I RISHFAQUR SI FENIKS NË PUBLICISTIKËN DOKUMENTARE

(Rahim AZEMI, ‘Mark Gashi – veprimtaria atdhetare dhe arsimore’, botoi LENA, Prishtinë, 2019).

Këtyre ditëve u botua monografia ‘Mark Gashi – veprimtaria atdhetare dhe arsimore’ e autorit Rahim Azemi, kushtuar Mark Gashit, një prej figurave më të pastra të historisë patriotike shqiptare të viteve 1960 – 1960 nga rajoni i Karadakut. Dalja në dritë e kësaj monografie nxjerr në pah tri merita kryesore:

– e bën të njohur për një rreth më të gjerë njerëzish figurën, gati të harruar, por shumë të rëndësishme, të Mark Gashit;

– e nxjerr nga perdet e trasha të anonimitetit dhe mosvëmendjes një rajon, siç është Karadaku i Gjilanit dhe Preshevës, i cili gjatë periudhave të caktuara të historisë ka qenë strehë e njerëzve të idealit, siç ishte edhe Mark Gashi. Karadaku, me relievin e tij malor dhe me karakterin e fortë etnopsikologjik të banorëve, për këta njerëz të idealit ishte njëfarë Olimpi që ngërthente në vetvete gjithë energjitë mobilizuese për përkushtim atdhetarie;
   Dhe e treta, kjo monografi na e sugjeron modelin e njeriut altruist, i cili vepron pa rreshtur në një konstantë kohore, pa marrë parasysh vështirësitë që i dalin në jetë. Ky njeri që personifikohet në figurën e Mark Gashit, mund të jetë edhe sot burim frymëzimi, por në një dioptri dhe kontekst tjetër, për arsye se modernizimi dhe virtaulizimi i jetës sonë të përditshme ka nxjerr nga përdorimi shumë virtyte njerëzore, pa të cilat është i pamundur vertikaliteti i homosaipiensit të sotëm. Figurat si Mark Gashi do ta ridimensionin natyrën njerëzore në një planimetri më humane, aq shumë e munguar edhe në rrafsh global.

Profesor Rahim Azemi shquhet tash më si autor me integritet të lartë profesional në shkrimin e veprave monografike. Autorësia e këtij lloj shkrimi nuk do të mund të kishte shenjën e saj origjinale sikur të mos përfshinte në vete dy komponentë kryesor metodologjikë: përkushtimin maksimal ndaj temave që trajton dhe observimin përmes një aparature mjaft praktike (dëshmi dhe rrëfime gojore, letra e faksimile si dhe përshkrime burimore të rrethanave e vendeve të caktuara.) që i jep monografisë vulën e autenticitetit.

Monografia është e organizuar sipas një arkitekture mjaft dinamike dhe tërheqëse shkrimore, e ndarë në 10 kapituj, ku secili kapitull e ka fabulën kryesore, i ka ngjarjet dhe rrëfimet nga terreni dhe ka vijueshmërinë e ndërtimit të faktografisë biogra-fike, që nuk kufizohet ekskluzivisht brenda një personi, por risjell herë pas herë brenda tekstit episode të caktuara të historisë së organizimit ilegal të shqiptarëve në ish Jugosllavi, ku Mark Gashi zë një vend qendror dhe mjaft të lavdishëm.Me ndriçimin e kësaj figure, zbërthehen në fakt edhe enigmat historike dhe dritë-hijet e doktrinave politike me të cilat shqiptarët e ish Jugosllavisë i ndërtonin kauzat e tyre kombëtare. Nga ajo që del në pah në këtë monografi, Mark Gashi mban anën e duhur të historisë, duke u rreshtuar në krah të forcave nacionaliste shqiptare që kishin synim shkëputjen e viseve shqiptare nën Jugosllavi përmes kryengritjes së armatosur dhe bashkëngjitjen shtetit amë shqiptar. I ndodhur pranë kësaj filozofie politike që kishte elemente të pastra nacionaliste, Mark Gashi me përvojën e tij ushtarake dhe me kulturën iluministe të mësuesit, bëhet një hallkë mjaft e rëndë-sishme e organizimit ilegal, që fillimisht pati si strehë Partinë NDSH e pastaj Partinë Revolucionare për Bashkimin e Trojeve shqiptare me Shtetin Amë Shqipërinë, e formuar në vitin e largët 1957, kryetar i së cilës ishte Metush Krasniqi. Duke qenë ‘zemra e partisë’, siç thuhej për Mark Gashin, ai do të jetë jo vetëm prezent fizikisht në të gjitha mbledhjet ilegale që mbaheshin në Preshevë, Shkup e gjetiu, por edhe një levë e fuqishme e mbarëvajtjes së aktiviteteve që kishin synim fuqizimin e organizatës dhe arritjen e qëllimit final, – shkëputjen dhe bashki-min. Ndonëse i rreshtuar krah për krah me nacionalistët shqiptarë të kohës, që kishin prirje të djathta ideologjike, Mark Gashi në monografinë e Rahim Azemit, megjithatë na del një figurë më tepër kombëtare se sa ideologjike, më tepër popullore se sa partiake.

‘Për t’i arritur qëllimet në interes të popullit, Mark Gashi konsideronte se nuk duhej mbetur peng i ideologjive dhe sistemit politik’, shkruan Rahim Azemi dhe ky detaj mjaft i rëndësishëm nga jeta dhe vepra e Mark Gashit dëshmon për gjerësinë e pikëpamjeve të tij politike, por edhe për thellësinë e karakterit tepër kombëtar të vokacionit të tij si idealist i çështjes shqiptare.
Autori Rahim Azemi na e përshkruan jetën e Mark Gashit si një varkë që lëkundet në mes të detit me furtunë, por që do të arrij të ruaj drejtpeshimin e tij moral e njerëzor, edhe përkundër shumë problemeve e vështirëve që i dalin në jetë si pasojë e arrestimeve e burgosjeve të njëpasnjëshme.

‘Më denoni sa të doni, por unë kur të dal prej burgut, prapë kam me vazhdu të njëjtën rrugë’, do të deklarojë Mark Gashi në njërin prej proceseve gjyqësore kundër tij, që dëshmon se dënimet me burg nuk ishin stihike dhe as pa shkas, por ishin rrjedhojë logjike e punës së tij të palodhshme në terren që si rezultantë të përhershme kishte ndikimin te masat e njerëzve në rritjen e ndërgjegjes kombëtare për një ardhmëri që shqiptarët i parashihte në një shtet të përbashkët jashtë tutelës jugosllave, ose siç do të deklarojë Mark Gashi ‘unë kam qenë për një Shqipëri nacionaliste, të themeluar me principe të demokracisë perëndimor që Kosova të bashkohet me Shqipërinë’.

Rruga jetësore e heroit kryesor të kësaj monografie – Mark Gashit, është studiuar me vëmendjen e një vëzhguesi mjaft të sprovuar me punën në terren, siç është sociologu Rahim Azemi, puna sistematike e të cilit ka bërë që ne sot të kemi para vetes një thesar çmuar nga historia patriotike e lëvizjes shqiptare në një hark kohor prej 20 viteve, konkretisht në periudhën e viteve 1940 – 1960, ku figura e Mark Gashit zë një vend qendror.

Duke e zbërthyer këtë rrugë jetësore, autori përmes një materiali të bollshëm nuk ka pasur si qëllim vetëm përkufizimin moral e njerëzor të Mark Gashit, por të shoqëroj observimin e tij me detaje interesante nga jeta e tij, duke i bërë publike, madje për herë të parë, disa të bëma e ngjarje, bartës i të cilave ishte pikërisht protagonisti i kësaj monografie – Mark Gashi.
Lexuesi për herë të parë do të njoftohet se Mark Gashi ishte pilot i avionëve ushtarak, në kohën e Mbretërisë Jugosllave, dhe shkathtësitë e tij të pilotimit i kishte sprovuar duke bërë një akrobacion ajrore nën urën e Danubit, në Novi Sad. Ai gjithashtu me aeroplan ushtarak merr pjesë në një operacion kundër forcave ajrore gjermane në mes të Preshevës dhe Kumanovës gjatë Luftës së Dytë Botërore, me ç’rast merr plagë të rënda, por arrin të shpëtojë duke u tërhiqur në malet e Karadakut. Për ta plotësuar listën e bëmave e ngjarjeve që lidhen me figurën e Mark Gashit vlen të përmendet se ai në çdo regjim arrestohet dhe vuan denime me burg disavjeçar. Kur vinë pushtuesit italianë, e arrestojnë dhe e syrgjynosin në Bergamo të Italisë. Pas tyre, bullgarët gjithashtu e burgosin dhe në vitin 1945 nga regjimi i Titos ishte denuar me pushkatim, por falë angazhimit vetëmohues të bashkëshortes së të tij Zorës, ky dënim kapital i transformohet në disa vite burg.

‘Jam i vetëdijshëm se kisha dy rrugë jetësore: ose t’i përshtatem rrethanave shoqërore, ose të zgjedh rrugën e kundërshtimit që s’paku të ofroj një gur në murin e kalasë që të ndërtohet e nesërmja jonë’, thotë Mark Gashi në një nga rrëfimet e tij të lëna me shkrim.

Ai nuk zgjodhi nënshtrimin, por rezistencën, sepse vetëm ashtu kishte kuptim kauza që ai po e kultivonte me bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët e tij, sepse sipas tij ‘ai që jeton për një ideal, nuk mund të mos ishte i padobishëm…’
Këtë maksimë që nuk ishte vetëm filozofike, por edhe programatike, që prodhonte altruizëm, ai e kishte zbatuar në të gjitha fazat e jetës, dhe në të gjitha aktivitetet që kishte zhvilluar, qoftë si administrator komune, qoftë si ushtarak, qoftë së mësues.

Monografia ‘Mark Gashi – veprimtaria atdhetare dhe arsimore’ e autorit Rahim Azemi, lexohet lehtë, sepse stili i të shkruarit është shumë afër natyrës së perceptimit të publicistikës dokumentare. Kjo monografi është e një rëndësie të vaqante për arsye se përfshin në formë të dokumentuar një jetëshkrim mjaft aktiv të një atdhetari, i cili që nga mosha 16 vjeçare e deri në minutat e fundit të jetës, kishte qenë në shërbim të kauzës kombëtare, me forma e metoda të ndryshme.

Mark Gashi nuk është një hero të cilit historiografia i ka rezervuar vendin e merituar. Ai është një hero i harruar që në kujtesën tonë vjen e rishfaqet si një feniks, kurse merita e autorit Rahim Azemi është e jashtëzakonshme sepse arriti të vilte një material të pasur nga terreni edhe prej disa njerëzve që nuk janë më në mesin e të gjallëve. Kjo e bën monografinë edhe më të dashur për gjithë ata që e kishin njohur në distancë Mark Gashin, por që nuk kishin arritur ta zbërthenin kompleksitetin e kësaj figure, e cila nuk mund të bëhet pa e studiuar me themel siç veproi sociologu Rahim Azemi.

__________

( E lexuar në hapjen e Manifestimit tradicional kulturor “Vjeshta letrare e Gjilanit”, gjatë përurimit të Monografisë së Rahim Azemit: “Mark Gashi – veprimtaria kombëtare dhe arsimore”, mbajtur në Bibliotekën e Qytetit të Gjilanit, më 19 tetor 2019 )

LASGUSHI POET, NJË LËVRUES SPECIFIK I KRITIKËS DHE PUBLICISTIKËS SHQIPTARE

Lasgush Poradeci, sic dihet, është i njohur në rend të parë si poet, dhe këtë e argumenton duke thënë “përpara të gjithëve është poezia. Ajo formon shpirtin e kombit. Një libër me një roman është unterhatungs buch (libër bashkëbisedimi), ndërsa një libër me poezi është bildungsbush (libër formimi)” 

Në Shqipërinë letrare Lasgush Poradeci është një gur i rëndë, i hapur e i lartë që përkufizonte dy shpejtësi zhvillimore të identitetit estetik e të kulturës shqiptare që shtrihej midis letërsisë së pavarësisë dhe modernizmit letrar, ku ai me formimin dhe prirjet e tij avangarde, për kohën, por edhe për periudhat e mëvonshme, do të mbetet modeli i vetëm prej ku pikënisjet e këndvështrimit kritik do të duhej të kenë një qasje specifike. Duke parë entuziazmin e thellë që përcjell poezia e Lasgush Poradecit, Eqrem Cabej, atëherë student do të shkruante: “Djalëri shqiptare, këndo Lasgush Poradecin, e pastaj vdis”.

Një lëvrues i poezisë tek i cili shtrirja dhe thellësia e figurshmërisë gjuhësore kapte një gamë të gjerë instrumentesh stilistike e përmbajtesore, do ta bëjnë Lasgush Poradecin shumë të veçantë edhe në shkrimet jashtë poetike, kryesisht në publi-cistikë dhe në vështrimet teorikeletrare mbi autorë dhe mbi fenomene të caktuara të letërsisë. Në publicistikë do të vërejmë se Lasgush Poradeci jo që është orator, por edhe këtu do të shohim se është poet, sepse të gjitha prozat e tij të shkruara janë metafora të lidhura si në sistemin poetik të Lasgushit. Publicistika dhe letërkëmbimet e Lasgushit trajton tema e probleme shoqërore që huk janë të huaja, por përkundrazi në këto shkrime ai dëshmon se ishte i lidhur me me jetën dhe botën shqiptare reale, njësoj sikurse në poezinë e tij. Këto i vërejmë te letërkëmbimet dhe ditaret e tij.

Poetika e Lasgushit bëhet urë ndërlidhëse midis traditës dhe modernes, botës së brendshme individuale dhe botës së jashtme njerëzore dhe ky koncept estetik gjen shprehje edhe në shkrimet jashtë poetike të tij. Ai dhe në letrat komunikuese, analizat e vështrimet përdor figura poetike, edhe këtu si në poezi dëshiron të bëhet poet i lirë i qiellit, e jo i urdhëresave dhe dëshirave të dikujt, ai shkëputej prej grykave të maleve, ngushticave dhe qorrsokaqeve të sistemeve të ndryshme, për të dalë në horizontin e gjerë poetik. Poezia për Lasgush Poradecin është produkt njerëzor i një bote tjetërfare nga realja, natyrorja që shpreh një kumtim, shpresë dhe mbresë për botën që nuk i përkasim, botë e brendshme nga e cila s`kemi mbirë, në të cilën jemi flakur. Për të gjitha këto poeti na bën me dije se poezia i takon intuitës, imagjinatës, frymëzimit, zemrës, shpirtit, dashurisë, dritës, përjetësisë që i takojnë të njëjtit lloj gjenealogjik të esencës së krijimit. “Poeti i vërtetë e kupton se fillimi i poezisë është zemra, e në zemër egziston esenca e krijimit, e në esencën e krijuese egziston shpirti krijues, e në shpirtin krijues egziston sekreti, e në sekretin poetik egziston një dritë, e prej kësaj drite shndërritë poezia”.3)

Ndonëse ai artin e poezisë e kishte shpallur si formë më supreme të përsosjes, teksa e thoshte edhe vet “…pse parapëlqej të shkruaj vargje dhe jo prozë? Kur them vargje, kuptoj që duhet të jenë të përsosur nga arti. Vetëm këto të përsosurit rrojnë (dhe mezi dhe këto). Të papërsosurit vdesin…”, ose “Prandaj duhet të shkruajmë poezi jo të mirë, po shumë të mirë, jo të lartë, po shumë të lartë, shumë të thellë, shumë të gjerë, që t‟i vemë shpirtit të Kombit themele të shëndoshë”. Megjithatë, qasjet e tij kritike e publicistike, janë një shkollë më vete. Depërtimi i tij në strukturën e tekstit letrar ishte një stil gati i panjohur deri atëherë kur u shfaq Lasgushi, dhe kjo shumë lehtë mund të vërtetohet, bie fjala, në analizat teorike të narracionit në prozën e Mitrush

Kutelit, teksa ai zbërthente projektimin e ëndrrës në thelbin e rrëfimit, duke e tejpërçuar atë si një fibër që e bën “…realizimin e fenomenit metafizik të rrojtjes së tanishme të ngjarjes historike.”

Me strukturën narrative të Mitrush Kutelit , Lasgush Poradeci është marrë pa pretendimin se po thotë ndonjë gjë të re, por nëse i hedhim një sy kritik asaj që ai e quante fshehtësi të lëvrimit të prozës nga ana e Kutelit, atëherë me të drejt ai do të dijë ta arsyetojë epitetin e themeluesit të prozës moderne që më vonë e mori Kuteli, por me një vlerësim paraprak që erdhi nga Lasgush Poradeci teksa konstantone: “Krijonjës subjektiv , prej çfaqjes objektive të rrethanave. Dhe këtu fillon ai transfigurimi poetik që iu jep Mitrush Kuteli motiveve të tija, transfigurim që është e fshehta e patjetërsueshme e rrëfimit të tij…” Ose “…realizimin e fenomenit metafizik të rrojtjes së tanishme të ngjarjes historike.” Në observimin kritik të Lasgush Poradecit, Mitrush Kuteli dilte si një mjeshtër i transfigurimeve poetike-narrative në procedeun e tij krijues. “Krijonjës subjektiv , prej çfaqjes objektive të rrethanave. Dhe këtu fillon ai transfigurimi poetik që iu jep Mitrush Kuteli motiveve të tija, transfigurim që është e fshehta e patjetërsueshme e rrëfimit të tij…”

Pra, të gjitha këto Lasgush Poradeci nuk i ka shprehur vetëm në poezitë dhe veprat poetike, por edhe në publicistikë, në prozë duke publikuar mendime nëpër ditaret, letrat, esetë, korrespondencat. Ai duke e ditur se burimi i poezisë është në zemër, e burimi i diturisë në mendje, prandaj edhe thotë: “Poeta nascitus. Orator fit”. (Poezia lind. Oratori bëhet)

Në kohën kur Lasgush Poradeci u mor me publicistikë dhe me kritikë letrare, në letërsisë shqipe të atyre viteve, përpos Faik Konicës, e më vonë Krist Malokit, Namik Resulit, Eqrem Çabejt e ndonjë tjetri, firma e tij që shoqërohej me tekstete para mbi Mitrush Kutelin, Naim Frashërin, Gjergj Fishtën, Asdrenin, ishte një legjitimim mjaft kredibil i vlerave që po përhapeshin në vitet e letërsisë së pavarësisë.

Ndonëse Lasgushi ishte i pranishëm në letrat shqipe, sidomos në kulmin e pjekurisë krijuese që përshkonte periudhën e para Luftës së e Dytë Botërore,dhe pak kush atë e konceptonte si emër jashtë poezisë, për arsye se buja që kishin bërë dy vëllimet e tij poetike „Vallja e Yjeve‟ dhe „Ylli i Zemrës”, do ta bënin Lasgushin poet më kumbues se Lasgushin publicist apo kritik letrar.


“Më 1944, kur Shqipëria u çlirua, Lasgush Poradeci ishte, jashtë çdo diskutimi, shkrimtari më i madh që jetonte në vend”,- do të konstatojë me të drejtë Ismail Kadare. Por edhe në këto fusha, Lasgushi ka një qasje prej poeti, sidomos në shkrimin e disa vështrimeve mbi profilet krijuese të Mitrush Kutelit, Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Asdrenit etj. Korrespondenca e Lasgush Poradecit me Mitrush Kutelin më shumë ishin mesazhe e komunikime shpirtërore, qiellore, sesa shoqërore e politike tokësore. Ja si i shprehet në fillim të korrespondencës, Lasgushi, duke treguar vlerën e komunikimit, mënyrën e qëllimin e korrespondencës: “ po të dërgoj sot një mesazh qiellor, ashtu sic i-u kënda shpirtrave tonë të etuara për gjëra e vise më të mira se atje ku jemi shtrënguar të arratisemi tashi-për-tash. O shok i dashur! Ardhi koha e nisjes së letërkëmbimit t`onë! Le të fillojmë pra me muzikë të re: muzikën e poezisë dhe të ëndërrimit”.

Të flasësh për Lasgush Poradecin si gurin themeltar të modernizmit poetik shqiptar, gjithkush e këtë vlerësim tash më ka konsideruar si punë rutine, por të flasësh për Lasgushin si poet e intelektual që letrave shqipe u ka dhuruar pikëpamje krejtësisht të reja, për kohën, mbi poezinë dhe artin në përgjithësi, paraqet një punë që rrumbullakon portretin e tij, i cili mbetet ende i paplotë për shkak të gjerësisë dhe thellësisë së pikëpamjeve të tij. Këtij konstatimi ndoshta më së miri do ti shkonte një mendim i studiuesit të njohur Moikom Zeqo, sipas të cilit „poetika lasgushiane përbëhet nga letër-kredencialet e kombit të tij‟, prandaj do të thoshim se edhe auorësia e tij në shkrimet jashtëpoetike, paraqesin një thesar të vlerave që vinë nga një bard i letrave, bota e të cilit nuk përbëhej thjesht prej përsiatjeve të zakonshme poetike, por edhe prej një plazmimi shumë-dimensional kulturash e traditash të përvetësuara në laboratorin e tij krijues.

Literatura e shfrytëzuar

Lasgush Poradeci, Publicistika, Onufri, 1999

Eqrem Cabej, Studime gjuhësore, f. 87-89. Grac, shkurt 1929. Cituar sipas I. Rugova, Sabri Hamiti, Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë,1979

Lasgush Poradeci, Korrespondencë Lasgush Poradeci- Mitrush Kuteli. Vepra IV,

Dhimitër Pasko, Pogradec, Albania, Grac, më 7 korrik, 1928. Sh.B.albpaper, Tiranë, 2010, f. 9

Petraq Kolevica, Lasgushi më ka thënë, Sh.B 8 Nëntori, Tiranë, 1992

Sulejman Mehazi, Lasgush Poradeci për poezinë, ArbëriaDesign, Tetovë. 2013

THELLËSIA E VËZHGIMIT, RRJEDHOJË E LEXIMIT TË VEMENDSHËM

“[…] të shkruarit është gjithmonë eksplorim  i vetes dhe i botës njëkohësisht; eksplorim i qenies individuale dhe kolektive”

NADINE GORDIMER[1]

Libri i Sabit Rrustemit “ Vepra letrare- grishje përhershme” ndriçon një fushëveprimtari tjetër përballë poetit dhe tregimtarit, që e kemi njohur deri më tani. Punimet që janë përfshirë në këtë vëllim dëshmojnë për një vokacion tjetër, ku autori përpiqet ta “destilojë” shijen e leximit deri në kufij të skajshëm, deri atje ku ndodhen pranë e pranë procesi i të shkruarit me aktin e vëmendshëm të leximit. Pra, me parimet që zbaton në këtë vepër, autori na i rikujton  disa nga këshillat e Senekës, sipas të cilit “nuk duhet as vetëm të shkruajmë e as vetëm të lexojmë: sepse, ajo e para e brengos më tepër njeriun dhe ia rraskapit forcën, meqë duhet të shkruajë, kurse e dyta e dobëson dhe shkakton cektësinë dhe hutimin e shpirtit. Duhet kaluar shkëmbyerazi prej njërës dhe njërën me tjetrën duhet vënë në relacion të drejtë, kështu që pena në tërësi ta përpunojë tërë atë që kemi mbledhur duke lexuar….”[2].

Ky lexim i vëmendshëm i Sabit Rrustemit e shmang interpretimin e thjeshtëzuar, pra mundëson ta përjetojmë letërsinë si një “krijimtari” e rëndësishme, ku secili mund ta gjejë veten, pa frikën më të vogël se mund të humbas në xhunglën e madhe të formulimeve teorike-estetike. Për këtë arsye veprat që vëzhgohen në këtë libër, vëjnë komunikim më të mirëfilltë dhe i vërejmë vlerat në mënyrë më të lehtë dhe krejtësisht të liruar nga barra e një lexuesi që paraprakisht (s’) duhet të pajiset me fjalor shpjegues letrar. Këtë barrë na e heq Sabit Rrustemi, shkrimtar me një shije të hollë për “menynë” e përzgjedhur të vlerave letrare dhe me nivelin e lartë të kompetencës së gjykimit për veprën letrare; shkrimtar i cili me këmbëngulje arriti të ndërtojë konturat e veta prej krijuesi autentik, ku, siç thotë Borges-i, “[…] është e rëndësishme që libri ta takojë lexuesin e tij, sepse nëse nuk e takon këtë lexues, ai është shkruar kot[3]”.

Për rrjedhojë,  pesha e gjykimit të tij ka dyfish vlerë: në njërën anë, veprën letrare e vështron nga brenda, si një organizëm të cilit ia di çdo pjesë, mu si një mjeshtër që i njeh edhe imtësitë, që për bazë ka gjykimin e veprave të kolegëve shkrimtarë. Sabit Rrustemi e ka në ADN-në kulturën e refuzimit të animit të shpifur letrar, prandaj edhe ky libër i tij na vjen mu në kohën kur recensionet afirmative  më shumë shkruhen me porosi, e më pak me bindje që buron nga ndërgjegjja e pastër krijuese. Në kohën kur të shkruarit mbi letërsinë, në përgjithësi dhe, mbi poezinë në veçanti, ndjek njëfarë gjedhi, ku vlerat dhe jovlerat futen në një thes, duke i atribuuar poezisë edhe misione krejt të paqena, ndonëse një fenomen i tillë ishte stigmatizuar që herët nga korifenjtë e mendimit botëror letrar. Hugo Friedrich theksonte: “Poezia nuk dëshiron të matet me atë që zakonisht quhet realitet, ndonëse atë e përdor si trampolinë për lirinë e saj […]  Realiteti është i ndarë nga rendi hapësinor, kohor, real dhe shpirtëror; ai mënjanon të gjitha ato dallime që janë të nevojshme për orientimin normal në botë: midis së bukurës dhe të shëmtuarës, afërsisë dhe largësisë, dritës dhe hijes, dhimbjes dhe gëzimit, tokës dhe qiellit. Nga tre llojet e mundshme të të kënduarit lirik – ndjenjat, vëzhgimet, shndërrimet – kjo e fundit dominon në modernitet, si në pikëpamje mbi botën ashtu edhe mbi  gjuhën[4]”.

I ndodhur mes harresës dhe kujtesës, njeriu ynë sot harron dy herë nëse nuk i kthehet letërsisë së mirë, siç vepron një shtegtarë i largët që natën vonë gjen rehatinë e çastit në një bujtinë të harruar, të cilën e vizitojnë vetëm të pasionuarit e rrugëtimeve të gjata.

Sabit Rrusetemi ka vendosur të shkruajë për autorë e tij të preferuar vetëm atëherë kur e ka kuptuar se nuk mjaftojnë vetëm tribunat, promovimet e diskutimet letrare që organizoheshin shpesh edhe nga ai vetë.

Me këtë libër, ai jo vetëm që kontribuon në afirmimin e një plejade autorësh të shquar, por me këtë bëhet edhe dëshmitar i një procesi letrar që u zhvillua natyrshëm në kuadër të një sistemi të organizuar aktivitetesh botuese e krijuese në qytetin e Gjilanit, ndonëse jo edhe pa ballafaqime e vështirësi, sepse siç e thoshte Bertolt Breht  “[…] ai që është i vendosur sot t’i përvishet luftës kundër gënjeshtrës dhe padijes, për të shkruar të vërtetën, duhet të dijë të kapërcejë të paktën pesë vështirësi. Duhet të ketë kurajën për të shkruar të vërtetën, atëherë kur atë e kanë mbytur kudo; zgjuarsinë për ta njohur, sepse ajo është fshehur kudo, mjeshtërinë për ta shndërruar atë në një armë të përshtatshme; mprehtësinë për të zgjedhur pikërisht ata njerëz në duart e të cilëve ajo bëhet e efektshme dhe dinakërinë për ta përhapur atë në mes njerëzve të tillë[5]”.

Në letrat shqipe s’janë të panjohur autorët që lëvrojnë disa zhanre letrare, por të paktë janë ata, që kanë arritur të jenë gjithëpërfshirës në pikëpamje të vokacionit krijues dhe të ruajnë drejtpeshimin  në mes të krijimtarisë dhe kritikës letrare. Kjo mbase do të ketë qenë edhe arsyeja pse Sabit Rrustemi deri më tani ka hezituar të shkruajë mbi çështje teorike – estetike të letërsisë, duke e gjetur te vetvetja zërin e brendshëm krijues, ku edhe dha prova serioze në lëvrimin e zhanreve të shumta letrare, sidomos të poezisë dhe prozës.

Pa dashur të duket si një autor me prirje eklektike mbi letërsinë, Sabit Rrustemi megjithatë i rreket punës të përmbushë një detyrim intelektual e qytetar ndaj disa autorëve që kishin ndikuar në dinamizimin e jetës kulturore-letrare në rrethin e Gjilanit, prej nga vjen edhe brumi i këtij libri, të ndarë në katër pjesë, ku secila pjesë sjell natyrshëm veçantitë e prurjeve krijuese të disa autorëve në zhanre të ndryshme: poezi, prozë, dramë e kritikë letrare. Qoftë si burim informacionesh letrare mbi vepra dhe autorë të ndryshëm, qoftë si referencë vlerësimi mbi specifikat dhe kahet e zhvillimit të letërsisë sonë, ky libër është një udhërrëfyes i dobishëm që na ndihmon të qartësojmë gjykimin tonë mbi prodhimin letrar që aktualisht gati nuk vërehet nga kritika letrare, sidomos kur kemi të bëjmë me autorë, bie fjala, si Agim Gjakova, Ibrahim Kadriu, Anton Nikë Berisha, Prend Buzhala, Albinë Idrizi, Linditë Ramushi, Arsim Halili, Muhamet Halili e ndonjë tjetër, të cilët janë aktivë dhe imponues me vlerat e tyre krijuese.

Si çdo vepër e arrirë, edhe ky libër me vështrime letrare i Sabit Rrustemit, do ta gjejë rrugën për të depërtuar në horizontet e pritjeve letrare, ndonëse kjo rrugë vazhdon të jetë e vështirë në kohën kur globalizmi dhe transformimi teknologjik mediatik i ka zhvendosur disa përbërës në hierarkinë e vlerave krijuese e humane, aq më tepër kur “në rrugën e njeriut, arti është paraqitur si pantera misterioze e Dantes. Duke ecur para njerëzimit, në këtë rrugë ende djallëzore të ngjarjeve njerëzore, arti mes lëvizjes, zigzageve tëegërsirës,orientohen nën yje dhe midis vullkaneve.6

6.Miroslav Kërlezha, Kuptimi i poezisë. Shkëputur nga libri “Ese”. Botoi “Rilindja”, 1982, f. 54.

DITARI I PARASHQEVI QIRIAZIT, NJË PËRMEN-DORE GJIGANDE PËR GJITHË GRATË SHQIPTARE ILUMINISTE

“Ditari i Parashqevi Qiriazit – Ditët e mia në Konferencën e Versajës” është “porta” e sivjetme e manifestimit tradicional “Ditët e  Alfabetit”, që fillon të shtunën dhe mbaron më 22 nëntor të këtij viti.

Me botimin e këtij Ditari, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, jo vetëm që po i përgjigjet motos së Ditëve të Alfabetit kushtuar iluministeve shqiptare, por po e inkorporon veprimtarinë e vet në një rreth serioz qasjesh mbi tematikën e angazhimit të gruas shqiptare në epokat e ndryshme të zhvillimit kombëtar. Ky botim sjell për herë të parë angazhimin e drejtpërdrejt të një gruaje shqiptare në çështjet madhore, që kërkonin organizimin e më shumë njerëzve e institucioneve.

Pasi ta kemi lexuar këtë ditar, do të mbetemi për një çast të fiksuar në një pyetje: Si ka arritur kjo grua e shquar – Parashqevi Qiriazi, e rrethuar me vetminë e dilemave delikate që shtronte koha (jemi në dy dekadat e para të shekullit të kaluar), kur nuk mjaftonte as fuqia e dhjetëra burrave për të ça akullin e trashë të refuzimit ndaj çështjes shqiptare , pra ishte ajo, Parashqevi Qiriazi, përkundër gjithë këtyre rrethanave, arriti ta përhap zërin e një populli të vuajtur që po luftonte për mbijetesë. Ajo arriti të bëhet zëdhënëse e kauzës kombëtare në një Konferencë ndërkombëtare, ku logjika e ftoftë e gjeopolitikës ishte më e ashpër se dëshirat dhe aspiratat  e shqiptarëve për të jetuar brenda një sovraniteti të pacënuar territorial e kombëtar.

Shënimet që ajo ka mbajtur, duke filluar nga 1 janari deri më 26 tetor të 1919-tës, janë përmbledhje e një kronike autentike mbi zhvillimet në prag të Konferencës së Versajës, por edhe në ditët vijuese dramatike të vet Konferencës, dhe pas saj, teksa Parashqevi Qiriazi dëshmon për një mori detajesh interesante, përfshi edhe mospajtimet  në mesin e delegatëve shqiptarë, si dhe mbi përpjekjet e përfaqësuesve shqiptarë për të bindur diplomacitë e kohës, sidomos të SHBA-të , që të marrin vendime të drejta mbi çështjen shqiptare.

E shënuar me shkrim dore, dhe e konceptuar si një agjendë ngjarjesh ditore, kjo kronikë mund të shërbejë edhe si burim hulumtimesh e frymëzimesh nga ana e historianëve, diplomatëve, skenaristëve, shkrimtarëve, të cilët do të mund të mbindërtonin fabula e subjekte interesante mbi një periudhë mjaft delikate në  historinë e rrugëtimit tonë si komb dhe si shoqëri, siç ishte periudha në mes të dy luftërave botorëve, ku fatet e kombeve “qepeshin” nëpër tryezat dhe traktatet diplomatike të konfere-ncave.   Sigurisht që ky rrugëtim do të dilte i zbehtë pa kujtimet e Parashqevi Qiriazit, të cilat tani vijnë të paketuara në formë libri, kurse meritë e ITSHKSH dhe drejtorit Dr. Skender Asanit (bashkëautore Nora Maliqi- Zylali) është hulumtimi në Arkivin Qendror të shtetit në Tiranë, ku edhe është ruajtur ky ditar.

Një dimension tjetër që ofron “Ditari i Parashvqi Qiriazit…”, është fuqia vendimmarrëse e gruas shqiptare në një kontekst mjaft të vështirë, atëherë kur klima politike, sociale e kulturore ishte mjaft e ashpër dhe ishte gati e pamundur të imagjinoje që pjesë e një misioni diplomatik mund të jetë edhe një grua shqiptare. Një rrethanë lehtësuese për Parashqevinë, të cilën ajo edhe e shpreh në ditarin e saj, është fakti se përgatitjet për të marrë pjesë në Konferencën e Versajës ajo i kishte bërë gjatë qëndrimit në Ame-rikë. Nga shënimet e mëvonshme del që ajo kishte shfrytëzuar njohjet personale me përfaqësues të qarqeve  emigrantësh në Amerikë, por edhe vetë amerikanë, në kanalizimin e aktiviteve lobuese, duke arritur madje edhe në zyrën e vet Presidentit Woodrow Wilson, për t’ia paraqitur këtij të fundit gjithë realitetin mbi gjendjen në të cilën ndodhej  Shqipëria e atyre viteve dhe aspiratat grabitqare ndaj  saj të shteteve shoviniste fqinje. Ditari që tani kemi në duar dëshmon se një prej hallkave që lidhte gjithë këto ngjarjesh të bujshme në prag dhe pas Konferencës së Versajës,  ndodhej në duart e brishta por tepër të vendosura të Parashqevi Qiriazit dhe ajo as që po e dinte se me ato duar po e shkruante historinë  diplomacisë shqiptare, ku ajo vet ishte protagoniste dhe dëshmitare e gjallë e zhvillimeve që më vonë do të jenë vendimtare për fatet e popujve të Ballkanit.

Pjesë e këtyre shënimeve janë edhe kujtimet e Parashqevi Qiriazit , si një pjesë e veçuar,  që mbajnë datën 28.10. 1968, ku flitet për Kongresin e Manastiti, si një ngjarje e përjetuar nga vet ajo. Nga këto kujtime,  lexuesi përpos informacionit burimor, kupton edhe  sensin përkushtues të familjes Qiriazi nga Manastiri në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij Kongresi, i cili më vonë do të del se ishte pararendës i zhvillimeve më të rëndsishme shtetndërtuese të shqiptarëve.

“Ditari i Parashqevi Qiriazit – Ditët e mia në Konferencën e Versajës” është testament i gjallë i një kujtese aktive që prodhon energji të reja, ku shembulli personal i një gruaje shqiptare, siç ishte Parashqevi Qiriazit, lirisht mund të shndërrohet në përmendore gjikante , si porosi  dhe jehonë që vije nga dashuria dhe përkushtimi për të bërë vepra të lavdishme për kombin.


13 nëntor, 2020

BAJRAM KOSUMI ME ELEGANCË TRAJTON KALIMIN NGA REALITETI FAKTIK, NË FIKSIONIN LETRAR

Libri “Letërsia nga burgu, kapitull më vete në letërsinë shqipe”, (botim i përpunuar) i studjuesit dhe shkrimtarit,  Bajram Kosumi, vjen mu në kohën kur ITSHKSH po e kurorëzon veprimtarinë e vet botuese e hulumtuese me projekte, ide e vepra që nuk po krijohen vetëm sa për të plotësuar teknikalitetet  e planprogrameve botuese, por parasëgjithash po zënë një vend të merituar në hapësirën e mendimit dhe krjimit këtu ndër ne.

Ky libër është interesant dhe i vaçantë për disa arsye, por me këtë rast do të veçoja vetëm disa prej tyre.

E para, siç e thotë edhe vet autori, duke iu referuar kësaj tiplogjie mbi letërsinë, thotë: “Nëse dikush mendon se krejt kjo është humbje kohe, e ka gabim tejpërtej: liria e fjalës, e veprimit, liria e përgjithshme mbërrihet vetëm me sakrificë të cilën duhet ta paguaj secila shoqëri për vete. Përveç lirisë, ata (shkrimtarët e burgosur) sollën edhe një shfaqje monumentale: letërsinë nga burgu”.

E dyta, letërsia e burgut, figurativisht, është si një lumë nën-tokësor, i cili rrjedhë , por ne nuk e shohim dhe në fund derdhet në të njëjtin pellg bashkë me lumejt tjerër. Është pikërisht ky libër i Bajram Kosumit, i cili e fut letërsinë e burgut në shtratin e madh të rrjedhës letrare, duke e bashkëdyzyar atë me vlerat dhe kriteret e përbashkëta vlerësuese, si gjithë letërsia tjetër, pa lënë hapësirë për ndonjë mbivendosje apo nënvendosje në hierarkinë e vlerave letrare tek ne. 

E treta, kjo letërsi i ka specifikat e veta, jo vetëm pse nuk arriti të komunikoj intenzivisht me lexuesin në kohën kur u krijua, por edhe pse si e tillë u bë, në njëfarë mënyre,  zëdhënësja më  aute-ntike e realitetit shoqëror e politik. Jo pse letësisë që krijohej jashtë burgu i mungonte guximi dhe  ekspresiviteti tematik, por letërsia e krijuar burgjeve vinte nga një pjesë e intelegjencisë krijuese e cila e kishte të pashkëputur kauzën politike-kombëtare nga kauza e shkrimit….

E katërta, vetëm në kushtet e një lirie normale, këto dy letërsi, sipas studimit të Bajram Kosumit,  mund të bashkëjetojnë, duke krijuar tërësinë e receptivitetit, por me nuance të caktuara të aktit të leximit, gjegjësisht përjetimit të materies letrare dhe gjithë botës krijuese të kësaj letërsie.

E pesta, Bajram Kosumi e ka shkruar me përkushtim këtë libër, jo vetëm pse ishte vet një krijues i burgosur, por edhe për faktin se ai duke qenë vëzhgues i vëmendshëm i fenomeneve psikologjike dhe sociale brenda mureve të lagshta të burgjeve dhe përgjithësisht i atmosferës së zymtë që ka sunduar atje, bëhet një dëshmitar i dyfishtë: në njërën anë, sjell  dëshmi autentike se si u krijua kjo letërsi, kush ishin bartësit dhe emrat kryesor të kësaj sintagme teorike-letrare dhe cili ishte raporti i tyre me një botë të jashtme, që ata i referoheshin, dhe në anën tjetër, ai projektoi vetë galaktikën krijuese brenda një hapësire të mbyllur me mure të trasha e me gjemba përsipër, duke sjellë një përvojë të re në praktikën e shkrimit dhe krijimit, mjaft e vlefshme edhe për krijuesit dhe studiuesit e tjerë. Duke qenë vetë projektues i arkipelagut krijues, Bajram Kosumi , si studiues dhe si shkrimtar e ngriti aktin e krijimit në përmasat e sfidës ndaj realitetit që impononte koha.  Ndonëse me liri të munguar, shkrimtarët e trajtuar në këtë studim, lirisë i dhanë përmasat e himnit triumfues të një gjenerate e cila po luftonte për Republikën e Kosovës edhe në rrethana kur zëri i tyre ishte i rrethuar me murin e trashë të refuzimit dhe absurdit…

E gjashta, letërsia nga burgu do të ekzistonte edhe pa këtë studim të Bajram Kosumit, por kjo letësi do të mbetej pa konturat e saja interpretuese-hermenautike dhe si e tillë nuk do ta kishte rrjedhën dialektike në kohë dhe hapësirë, mbase edhe për faktin se kjo letërsi i kishte kundërshtarët e saj ideologjik e politik, por edhe përcillej me hendikepin e moskomunikimit me lexuesin e gjerë. Prandaj, ky studim i Bajram Kosumit legjitimon rëndësinë që ka kjo letërsi në zhvillimin e gjithmbarshëm të prodhimtarisë letrare te ne, duke thyer disa paragjykime mbi këtë letërsi, por edhe duke ngritur në nivele të lakmueshme profilin e krijuesve të burgosur, të cilët talentin e tyre e dëshmuan edhe në rrethana të jashtëzakonshme. Kjo letërsi e trajtuar nga Bajram Kosumi, të kujton letërsitë e mëdha të përbotshme, që vjen sidomos përmes veprave të shkrimtarëve gjenial të cilët gjithashtu e kishin provuar në lëkurën e tyre burgun si paradigmë jetësore, ku letërsia e gjeti rrugën e vet të krijimit, sikur uji që e gjen shtratin e vet. Të përkujtojmë me këtë rast shkrimtarët e  të përbotshëm, që gjenialitetin e tyre letrar e shprehën edhe si të burgosur, siç është bie, fjala, Dante Aligeri, Viktor Hygo, Servantesi, Dostojevski, Janis Ricos, Solzhenjicini, pa lënë manash këtu edhe shkrimtarët shqiptarë, si Musine Kokallari, Arshi Pipa, Kasëm Trebeshina, Adem Demaçi, Teki Dërvishi, Visar Zhiti, Hydajet Hyseni, Bajram Kosumi, Merxhan Abdyli etj.

Metodologjikisht, ky libër është i shkruar sipas një rendi tepër logjik e spontan, ku spikat nevoja e autorit për të afirmuar disa nga segmentet më të qenësishme të letërsisë së burgut, duke filluar nga  kapitulli i parë, ku materia që trajtohet bëhet më e kapshëm për lexuesit përmes një hyrjeje që e sjell vet autori, për të vazhduar në kapitullin e dytë, Periodizim, përkufizim, autorë, zhanre dhe çështje të metodologjisë, ku profilohet në tërësinë e saj letërsia e burgut përmes një vëzhgimi pedant të autorit, ku spikat gjuha eksplikuese e zbërthimit të rrjedhës letrare në periudha, përkufizime, zhanre dhe autorë të caktuar që merren si objekt trajtimi. 

Për të qenë një qasje sa më solide, autori sjell në libër tërë aparaturën e tij të observimit teorik e estetik, duke iu qasur prodhimit letrar brenda mureve të burgut nga aspekti i poetikës, por edhe shqyrtime të tjera të letërsisë nga burgu, që trajtohen nga kapitulli në kapitull, siç janë bie fjala,  Letërsia nga burgu si çelës midis jetës dhe vdekjes, Letërsia nga burgu përballë shtetit të shekullit XX, alegoria e letrave nga burgu: art apo enigma?, autorë dhe vepra të letërsisë nga burgu, për ta përmbyllur librin me një aneks, Faksimilesh, ilustrimesh, e skicash…

Në praktikën tonë të studimeve teorike- letrare, nuk kanë munguar qasjet kushtuar kësaj tipologjie krijimesh letrare, siç është letërsia e burgut, por Bajram Kosumi, në librin e tij që kemi në duar, ka arritur t’i ikë grackës që zakonisht temat e tilla vihen para autorëve  si gurë që mbyllin udhët e kalimit nga realiteti faktik, në fiksionin letrar.

Autorët si Bajram Kosumi i japin letërsisë përvojën e tyre, pa pasur nevojë ta banalizojnë realitetin e tematizuar letrarisht, i cili nuk mund të rrëfehet vetëm me ngjyrat bardh e zi. Letërsia kap edhe ngjyra të padukshme për syrin e rëndomtë. Këtu mbase qëndron edhe merita kryesore e këtij autori, në qasjen e tij polidimensionale që shpërfaqet nga fillimi deri në fund të librit të tij. /2 mars, 2021

ARKETIPI QË NXJERR NË SIPËRFAQE JEHONËN E NJË VULLKANI TË PASHPËRTHYER

Xhevat Limani udhëton dhe kërkon pa rreshtur ëndërrën e lënë përgjysmë që nga fëmijëria, që atëherë kur babai i kishte pëshpëritur në veshin e njomë ninullën e pambarim të shqiptarisë. Ai saherë që udhëton drejt Nju Jorkut, e kujton fytyrën e babait, në një horizont të largët të kujtesës së virgjër, e dëgjon ritmin e një valleje të hedhur për nder të profesorëve nga Tirana e Prishtina, që me vizitën e tyre e kishin nderuar vatrën e një burri fisnik dhe tepër të dashur.

Xhevat Limani, një emër emblematik në artin skenik dhe kinematografik, kësaj radhe vjen para publikut shqiptar me një traktat estetik, të cilin ai e ka titulluar “Artisti pa atdhe”. Shkruar me gjuhën e shkathtë të një krijuesi të sprovuar me artin e fjalës, Xhevat Limani në këtë vepër sjell një kombinim të diskurseve narrative përmes udhëtimit në kohë e hapësirë, duke e ballafaquar historinë me aktualitetin, në një optikë krejt të veçantë filozofike e estetike.

Ideja për të përmbledhur në një strukturë kaq të ngjeshur tregimtare një histori të tërë, që nga koha e vakumeve historike në mes të akullit dhe zjarrit, atëherë kur epoka pellazgjike po ngjizte kujtesën mitike për një popull që vjen nga larg mbi krahët e Shqiponjës, e deri në ditët e sotme, do të ketë qenë sigurisht ideja më sublime por edhe shpirtërisht më torturuese e kredos krijuese të Xhevat Limanit brenda këtyre 40 viteve karrierë dhe krijimtari. Dalta e kujtesës së narratorit ka ditur të gdhend ato filigrane narrative të cilat si tërësi formojnë një reliev të gjerë polisemantik ngjarjesh e figurash, të cilat kontekstualizojnë kodin e përgjithshëm të udhëtimit nga brezi në brez, të vlerave e porosive. Krejt këtë shqetësim të tij, narratori nuk ka mundur ta rrëfente ndryshe pos përmes një procesi dinamik të kalimit nga përjetimi i autorit në orbitën e veprës letrare. Ndërfutja e episodeve të ndryshme që lidhen me kohë e ngjarje të caktuara, i kanë ndihmuar autorit të rikrijoj galaktikën e tij botkuptimore përmes një sfondi kompleks narrativ. Kjo galaktikë nuk është statike. Ajo lëviz, ashtu siç lëviz edhe karvani i madh i autorit nën petkun hijerëndë të krytretrimit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, për të risjellë në Vlorë jehonën e një krenarie të harruar kombëtare, që origjinën e kishte dikund buzë liqenit të Ohrit, atje ku është edhe vendlindja e autorit, e cila në këtë traktat estetik të Xhevat Limanit merr dimensionet e një vendlindje që duhet të jetë epiqendra e ardhshme e projektit të madh kombëtar, që ai e quan Shtetet e Bashkuara Shqiptare, në Strugën Pellazgo-ilirike-arbërore-shqiptare (Engjalon), siç thotë autori, Kadmi dhe Harmonia, 2435 vite më parë në brigjet e Liqenit të Ohrit, aty ku derdhet Drini i Zi, lindën Ilirin i cili fluturoi lirshëm qiejve si shqiponja që Shqipëria jonë të bëhet Kryezonjë. Në një rrjedhë koherente të ngjarjeve që shpesh burimin e kishin në toposin antropolgjik e gjysmëmitik të vendlindjes, vepra na shfaqet si unitet tematiko-përmbajtësor në mes të idesë së gjallimit njerëzor e kombëtar dhe amanetit të babait i cili ishte kthyer në një peng të një kumti që s’kumtohej dot, për arsye se Shqipëria ende s’ishte bërë ashtu si ëndërronte babai… “Gjithë jetën kam ëndërruar t’i flas shqip popullit tim. Më është lodhur shpirti e trupi, që nga Shkodra e gjer në Shkup me fjalime mercenarësh, shpirtshitur e tradhëtarësh që predikojnë paqen dhe qetësinë duke përqafuar robërinë e sklla-vërinë. Këta shpirtskllevër na kanë nxjerrë në pazar dhe po na shesin si kafshë…”Është kjo një vegëz ku lidhet lajtmotivi i veprës përmes ideve të cilat shndërrohen në realitet artisitik përmes gjuhës së pasur me kolorit stilistik dhe shkathtësi retorike. Makineria e mosharrimit të historisë i jep veprës në brendi zhurmën e ndërgjegjes për të zgjuar në vetëdijen e brezave idetë panshqiptare, të cilat autori po mundohet t’i mbindërtoj kultu-ralisht përmes projekteve artisitike, siç ishte odisejada dramatike e kryeprotagonistëve të historisë: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Ismail Qemali e Adem Jashari, dhe tash së fundi përmes këtij traktati estetik me titull domethënës “Artisti pa atdhe”.

Të projektuara si metangjarje brenda sfondit të gjerë tematik e motivor, idetë e autorit nuk përmbyllen, ashtu si edhe vetë mimetika fundamentale e veprës e cila synon që mesazhin nga skena ta përcjellë jashtë skenës skematike, në përditshmërinë e jetës, në konkretësinë tonë të dëshiruar. Xhevat Limani udhëton dhe kërkon pa rreshtur ëndërrën e lënë përgjysmë që nga fëmijëria, që atëherë kur babai i kishte pëshpëritur në veshin e njomë ninullën e pambarim të shqiptarisë. Ai saherë që udhëton drejt Nju Jorkut, e kujton fytyrën e babait, në një horizont të largët të kujtesës së virgjër, e dëgjon ritmin e një valleje të hedhur për nder të profesorëve nga Tirana e Prishtina, që me vizitën e tyre e kishin nderuar vatrën e një burri fisnik dhe tepër të dashur. Në kërkim të Atdheut të munguar, Xhevat Limani shpesh iu kthye kujtimit për babain, sepse vetëm ai e kuptonte se kur duhej mbajtur zi për ndonjë President Amerike dhe vetëm ai ishte një demiurg që ndiqte hapa pas hapi rrugën e suksesit por edhe të telasheveve të të birit.

Netëve pagjumë buzë Atlantikut, në dritaren e Xhevat Limanit do të trokas edhe ndonjë laraskë e trembur, e cila do t’ia kujtoj atij kalldërmin e lagur me jargën e mefistofilëve në Bit Pazar që në vend se të bëhen aktor teatri, ata dramatizuan fatin e kolegëve në skena jashtëteatrore. Por, qielli nuk ishte gjithmonë i zymtë dhe mbi folenë e mallkuar të laraskave ndodhte të ateronte ndonjë shqiponjë a kanjushë e verdhë, sepse vetëm ashtu do të stërvitej zanati i pasprovuar i zbutësit të njerëzve me sy prej zymridi.

Në këtë udhëtim të parreshtur, me një barrë që s’e gjen dot ende stacionin e prehjes, Xhevat Limani sërish ngelë dikund në rrugë, në kërkim të pluhurit që lë prapa karvani i historisë. Është po ai pluhur që atë e pengon ta shikoj të pastër pejsazhin e atdheut të plotë, të asaj historie lëvizëse që i ngjan një anije të dehur në mes të oqeanit, prej nga vjen zëri kumbues i Xhevat Limanit, i cili përmes kësaj vepre gjakon t’i rikthejë muret e humbura të një arkitekture etno-gjeografike. Nëse do ta shikonim si artefakt diskurziv këtë traktat estetik të autorit, na del se ai përmes vlerave semantike të kodit narrativ e projekton imagjinatën e tij si një arketip që nxjerr në sipërfaqe jehonën e një vullkani të pashpëthyer. Autori ka kohë që po e ndjen xehtësinë e këtij vullkani, prandaj ai kishte nevojë të na jep këtë vepër në formë udhëzimi për të trajnuar brezat me refuzimin e madh etik e kombëtar ndaj fuqive dezintegruese, që vinë nga jashtë e më tepër nga brenda./16 nëntor  2017

NJË LIBËR ME VLERË MBI ORIGJINËN E EMËRVENDEVE NË KOHËN E PERANDORISË OSMANE

(Tahir Sezen, “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare (Emrat e vendeve dhe statusi i tyre)”, përgatiti dhe përktheu: Dr. Hatixhe Ahmedi, botues: Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës)

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës këtyre ditëve ka botuar librin “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare (Emrat e vendeve dhe statusi i tyre)”, e autorit Tahir Sezen,  njëri nga veteranët më të shquar të arkivistikës së Turqisë, përgatitur dhe përkthyer nga studiuesja e pasionuar e periudhës Osmane,  Dr. Hatixhe Ahmedi.

Ky libër është i rëndësishëm si për pasurimin e trashëgimisë toponomastike me një fond bukur të pasur emërvendesh, ashtu edhe për qasjen specifike  që ka përdorur studiuesja, Dr. Hatixhe Ahmedi, gjatë përgatitjes së këtij libri për lexuesin shqiptar.

Kontributi i saj i veçantë është se ajo duke u bazuar në veprën  origjinale “Osmanli yer Adlari” e autorit Tahir Sezen, që ka marrë disa dekada punë, i botuar dy herë në Turqi, ka  përzgjedhur vetëm ato pjesë  të cilat kanë të bëjnë me emrat e vendeve shqiptare, ose në hapësirën e dikurshme të katër vilajeteve shqiptare dhe atyre përreth, duke i përfshi në një libër të ri me një emër të ri “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare (Emrat e vendeve dhe statusi i tyre)”.

Kur një libër paraprak bëhet objekt studimi e hulumtimi nga një e më shumë autor dhe kur ai libër i nënshtrohet një dioptrie të re, atëherë lirisht mund të themi se bashkëautore e librit që tani kemi në duar është edhe Dr. Hatixhe Ahmedi, e cila në rastin konkret nuk na paraqitet vetëm si përkthyese, por edhe si një sqaruese dhe plotësuese e aparaturës shkencore të librit me poshtëshënime të reja, që janë gjithsej 638 sish, sidomos për një numër të konsiderueshëm vendbabmiesh që aktualisht nuk administrohen nga shqiptarët.

Burimet kryesore për këto shënime, studiuesja Hatixhe Ahmeti i ka gjetur në Kamus al-Alam , Encikopedia e famshme e Sami Frashërit, pastaj në Enciklopedinë Islame të Turqisë, Enciklopedinë  Kroate dhe në një listë të gjatë me literaturë nga autorë të ndryshëm shqiptarë dhe jo shqiptarë, në mesin e të cilëve shquhen edhe Antonio Belusci, Doris Stockman, Dhimitër Dora, Fatos Mero Rrapaj, Gavro A. Škrivanić, Halil Inalxhik, Konrad Clewing, Robert Elsie, Oliver Shmid, Selami Pulaha, Skender Anamali, Srebranov Rumen, Yarbay Bekir Fikri etj.

Fakti që në gjuhën shqipe vjen një punë e përkushtuar hulumtuese që është produkt i përzgjedhjes dhe mbindërtimeve sqaruese, me burime relevante e tepër kredibile, bën që botimin e këtij libri  ta cilësojmë si një ngjarje  që shënon kthesë në fushën e studimeve mbi origjinën e emërvendeve në kohën e Perandorisë Osmane.

Emërvendet  janë trajtuar dhe janë radhitur sipas renditjes alfabetike shqipe dhe jo sipas alfabetit turk, i cili siç e thotë studiuesja Hatixhe Ahmedi, ka disa shkronja që nuk i ka alfabeti shqip, dhe për rrjedhojë emërvendet dalin me një renditje tjetër.

Në fund të librit është përfshi një indeks shtesë me emrat e vendeve, së bashku me burimet dhe literaturën e shfrytëzuar.

Libri “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare (Emrat e vendeve dhe statusi i tyre)”, promovohet të hënën në ITSHKSH në kuadër të aktiviteteve të Departamentit të marrëdhënieve shqiptaro-osmane, si dhe fryt i një bashkëpunimi tash më të zyrtarizuar me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Studiuesit e ITSHKSH që do të merren me të kaluarën osmane dhe pikëtakimet me botën shqiptare, do ta kenë  për bazë edhe këtë vepër dhe sidomos studiuesen Dr. Hatixhe Ahmedin, e cila deri më tani ka dëshmuar integritet të lartë shkencor e hulumtues në arkivat e Turqisë, ku nuk kanë munguar edhe eksplorimet e dokumenteve autentike mbi të kaluarën e trevave shqiptare dhe të personaliteteve tona kombëtare që kishin vepruar dhe punuar për kauzën shqiptare në kohën e Perandorisë Osmane, siç ishin Ismail Qemali, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Hasan Prishtina, Hoxha Tahsini, Familja Qiriazi  etj.

SIBILAT E BOGDANIT  DËSHMOJNË CILËSINË E TRADITËS SONË LETRARE

Duke e pasur parasysh kohën kur u botua vepra “Çeta e profetënve” e Pjetër Bogdanit (1685), sibilat kanë rëndësi të madhe për poezinë tonë: pas Buzukut dhe Budit, janë poezitë që e dëshmojnë cilësinë e traditës sonë letrare të një niveli solid

     “Çeta e profetëve” (1675 – 1685) e Pjetër Bogdanit është njëra ndër vepra më të rëndësishme të letërsisë sonë, jo vetëm të asaj të vjetër. Përkundër faktit që për të janë shkruar një varg punimesh e studimesh, ajo ende mbetet një vepër me të cilën duhet të merremi me përkushtimin sa më të madh për ta studiuar nga aspekte të ndryshme dhe për t’i ndriçuar vlerat e mirëfillta dhe të shumta të saj.

Në shkallën IV – Ligjërata I të kësaj vepre Bogdani botoi dhe tekstet me titullin “Jeta e dhjetë sibilave e kankat e tyne”, të cilat me një anë dëshmojnë rëndësinë e kësaj vepre të Bogdanit edhe në rrafshin letrar, po dhe vështirësitë dhe kompleksitetin që të interpretohen si tekste. Vetë Bogdani shkruan se sibilat qenë vazhëza të ndershme e të mira; nuk ishin nga i njëjti vend dhe nuk i përkitnin vetëm një kohë; jetonin sipas ligjit të natyrës dhe e njihnin vetëm një Hyj; ato dëshmojnë dhe misterin e të mishërimit dhe dukuri të tjera që i përkasin Jezu Krishtit dhe se shtegtuan në qiell. Dhjetë sibilave të botuara në “Çetën e profetëve” Bogdani u jep emra shqiptar si, fjala vjen, Sibilën Delfika e quan Hasjanja etj.

Thuhet se sibilat kënduan ndër gëzime e lodërti dhe se ato qenë parathënëse dhe të shenjta, për arsye se ishin përplot me Shpirtin e Shenjtë; ato i mohuan idhujt, duke rrëfyer të vetmin Hyj[1].

Sibilat janë krijesa të vetë Hyji nga se, siç thotë Bogdani, ato janë këshilltare të Tij, të cilat, si dhe vetë Krishti, rëndin nëpër botë për t’i shëlbuar qeniet njerëzore; janë profete që në mënyrë ose tjetër janë vazhdimësi e profecive dhe e profetëve, po nga një formë tjetër. Janë të shumta, po Bogdani i veçon vetëm dhjetë prej tyre, duke i theksuar cilësitë e tyre. Këto cilësi shpreh përmes veprimit të tyre dhe që shprehen përmes tekstit dhe dallohen për vlera të dukshme poetike.

  Duke folur për këngët e sibilave, përkatësisht për ciklin e sibilave, siç e quan, Moikom Zeqo shkruan: “Ky cikël, ka një ikonografi të mrekullueshme, ilustrohet nga një grafikë e jashtëzakonshme ku tregohen figurat mrekullore të Sibilave. Figura kryesore është figura e Sibilës Delfika, që Bogdani e quan Hasiania (pra nga Hasi, vendlindja e tij), e cila mban në duar një libër të hapur, kurse në sfond duket peizazhi kështjellor dhe arkitekturor i Hasit. Figurat e Sibilave të tjera janë gjithashtu të shoqëruara me përcaktime të çuditshme. Kështu, Sibila e Prizrenit, Sibila e Shkodrës, Sibila e Shkupit, Sibila e Lezhës, Sibila e Zadrimës, Sibila e Kosovës, kanë përkatësisht emrat Sibila Kumea, Sibila Libika, Sibila Persika, Sibila Frigia, Sibila Tiburtinë, Sibila Samia dhe Sibila Eritrea.

Prandaj studiuesi Ndriçim Kulla me të drejtë shtron disa pyetje : Pse ka ndodhur ky ekuacion i çuditshëm? Asnjë dijetar nuk mund ta thotë saktësisht? Pse Pjetër Bogdani i shqiptarizon Sibilat? Të vërtetën e di vetëm ai, sipas Kullës, vetëm ky trill dijetor, është i mrekullueshëm dhe unikal. Askush nuk e ka bërë më parë dhe askush nuk do ta bëjë më pas”[1].

Në studimin e tij “Vepra e Bogdanit” (1675 – 1685)[1], Ibrahim Rugova, teksa merret me këngët e sibilave, ndër të tjera shkruan: “Origjina e tyre, mund të lidhet me kultin dionisiak. Ato kishin më shumë liri veprimi se Pitia, duke mos qenë rreptësishtë të lidhura me shenjtërit. Ekzistenca e tyre është gojëdhënore: nuk është folur për to para shekullit V para e. re; më vonë janë numëruar dhjetë (Varroni) e më me përparësi ishin ajo e Eritresë dhe e Kumesë, duke qenë më të njohurat. U atribuohen mrekulli të ndryshme, të cilat, hyjnë në përmbledhje të ndryshme; disa prej tyre janë përmendur edhe nga Aristofani e Platoni. Virgjili e përshkroi sibilën Kume, që u frymëzua nga librat sibilinë në ekologen IV. Teologjistët e mesjetës, duke i interpretuar disa nga traditat mbi sibilat, lejuan që ato të hyjnë në artin e shenjtë[1]”. 

Në vijim të konkretizimit të mendimit të vet për Këngët e sibilave të botuara në “Çeta e protëve” të Bogdanit, Rugova shton: “Për shkrimin e këtyre poezive, siç e pohon edhe vetë Bogdani, u frymëzua nga lënda që ekziston në greqisht dhe nga shembulli i Virgjilit me sibilën Kumea. Por, krahasuar origjinali në shqip me shtyllën italisht dhe latinisht, këto poezi mbajnë në vete një frymëzim dhe konceptim të fuqishëm e të matur në frymën e shkrimit klasik. Të gjitha poezitë në shqip janë të rimuara, kurse në italisht (dy poezitë e para) dhe në latinisht (poezitë e tjera) vetëm sjellin kuptimin e tyre, sepse, siç e dimë, Bogdani së pari veprën e shkroi në shqip. Duke pasur për bazë materialin konkret në shqip, mund të themi se si tërësi poetike këto vjersha janë vjersha origjinale të Bogdanit […] dhe përdorimin e lëndës e bëri në kuadër të lejimit të mundësive të kohës për inkuadrimin e një literature të tillë. Në këtë përfundim na siguron edhe fakti se në këto vjersha Bogdani inkuadron edhe një topografi të vendit si dhe disa çështje të kohës së tij, p. sh. Luterin e Kalvinin, pra çështjet e Reformës, që i vë në fjalën e mallkimit. Fundi i fundit kjo çështje mbetet të vërtetohet në të ardhshmen, por është fakt i pamohueshëm se trajtimi dhe shtjellimi në shqip është mjaft origjinal, me të gjitha elementet që një krijim e bëjnë t’i ketë këto komponente”[1].

    Pra, përmes teksteve të sibilave Bogdani synonte, pos të tjerash, dy çështje: nga një anë njohjen e sibilave si qenie të veçanta dhe rëndësinë e tyre sidomos në rrafshin hyjnor e biblik, nga ana tjetër, synoi që t’i përjetësojë ato përmes poezisë, përmes shprehjes poetike, e cila (shprehja poetike) synon të njësohet me vetë karakterin e sibilave nëpër kohë – pavdekësinë[1].

    Në aspektin e çështjes së parë secila prej sibilave shpreh veçantinë e përfarimit me Hyjin dhe me dashurinë e Krishtit, duke mos e fshehur dhe përmasën tokësore – njerëzore të tyre, qenësi e vetë Birit të Hyjit. Këto veçanti të sibilave vërehen vetëm kur e lexojmë me vëmendje dhe thellohemi në tekstin e tyre.

    Me pak falë sibilat shprehin dhe shkrihen në konceptin e përgjithshëm të vetë veprës “Çeta e profetëve”. Kështu, fjala vjen, në sibilën e parë, përmes një ligjërimi sibilin, bëhet fjalë përgjithësisht për birin e Qiellit (Zotit), Krishtin; në atë të Kumesë paralajmërohet ardhja e Krishtit, që do të sjellë mrekulli e qetësi; në atë të Libikës jepet lindja e tij, ndërsa në sibilën e Delfikës jepet vajtimi i Krishtit të kryqëzuar etj.

    Në aspektin e dytë, që në rrafshin letrar heq më shumë peshë, dëshmohet mënyra si Bogdani e ndërton tekstin e sibilave; si e përdor gjuhën poetike dhe sistemin e të shprehurit. Së këndejmi, duke e pasur parasysh kohën kur u botua vepra “Çeta e profetëve” (1685), sibilat kanë rëndësi të madhe për poezinë tonë: mbas Buzukut dhe Budit janë poezitë që e dëshmojnë cilësinë e traditës sonë letrare të një niveli solid.

    Pa qëllim që të zgjatëm në analizimin e teksteve të dhjetë sibilave, për të ndriçuar vlerat e mirëfillta poetike të tyre, po sjell vetëm disa vargje:

Me dielli veshun’, e mbathunë me hanë,

Me yj kryetë rreth ngjeshunë kunorë

Vajza Mri, e bukura ma fort se zanë,

Djalinë Jezu kërthī mbaj ngryk’e ndorë,

(Nga Sibili Libika)

ose

Del luleja djalë rranxet së Jeseut[1][1],

Posi lilji i bardhë ndë perdeverë;

Ndo si zymbyli ndë prill vetë del dheut,

Hyji vetë na përmetoj shumë herë,

(Nga Sibila Kume)

    Dhjetë sibilat e Bogdanit meritojnë një studim të gjithanshëm, që mjerisht deri më sot nuk është bërë, ose siç konstaton studiuesi Ndriçim Kulla, ende nuk është shkruar historia e artit dhe stilit barok në Shqipëri, por mund të thuhet se stili barok, shkëlqen me Pjetër Budin, por arrin kulmin e tij zenitor me Pjetër Bogdanin.

E DJESHMJA DHE E ARDHMJA E POEZISË SË JUSUF GËRVALLËS

Në rrafshin e tematizimit poetik në opusin krijues të Jusuf Gërvallës qëndrojnë disa “kulla vrojtimi” në formë figurash semantike të cilat e depërtojnë shikimin në fushat e pandriçuara të një gjendjeje shpirtëre të cilën subjekti lirik  mundohet ta ruaj nga syri vëzhgues, madje edhe me çmimin e vetflijimit

Që kur Aristoteli në Poetikën e tij solli kategoritë “mimesis” dhe “poeiësis”, si kritere që definonin raportin në mes të artit dhe realitetit, u bë gjithnjë e më i debatueshëm  edhe kuptimi mbi atë se çka konsiderohet realitet në një shoqëri dhe kuptimi mbi atë se si arti duhet të duket në atë shoqëri, duke shkaktuar pastaj edhe një kushtëzim reciprok në mes të këtyre dy kuptimeve. Edhe tani kur kemi në duar këtë përzgjedhje poezish nga tre vëllimet petike të Jusuf Gërvallës (Fluturojnë e bien, 1975, Kanjushë e verdhë, 1978, Shenjat e Shenjta, 1979), na imponohet vetvetiu ideja thelbësore e debatit të sipërpërmendur, për të kuptuar pastaj më mirë se cili ishte statusi letrar dhe jashtë letrar i kësaj poezie në atmosferën social-kulturore në kohën kur ajo u botua dhe sa arriti kjo poezi të vendos një komunkim të mirëfillt me recepientin e kohës. Me fjalë të tjera, Jusuf Gërvalla i takonte plejadës së poetëve të viteve shtatëdhjetë (T.Dërvishi, B.Musliu, M. Ramadani, Y. Shkreli, M. Gashi. E. Basha, S. Hamiti, N. Halimi etj.), të cilët bashkë me jokonvencionalitetin e të shkruarit, sollën edhe një qasje krejt tjetër ndaj mënyrës së rikonstruimit të realitetit përmës gjuhës simbolike. Trajtat e domethënies krijuese në këtë poezi përthyen pasqyrat e realitetit dhe kështu universi poetik i Jusuf Gërvallës të asocon në një udhëtimi të pambarim, ku navigacioni i udhëtimit i ngjason një  harkoreje në mes të Trojës dhe Itakës, por për dallim nga Homeri, tek Gërvalla sfidat e udhëtimit kanë një renditje të kundërt, pasi që thurja e pëlhurës jetësore te ai nuk pati një Penelopë klasike, por një subjekt lirik i mveshur,  herë në petkun e nënës e herë të gruas, e jo rrallë edhe në një trajtë të dyzuar ku nëna dhe gruaja formonin një topos të përbashkët figurativ, që këtu na del me të gjitha ngjyrat dhe dimensionet polisemantike të një shtëpie, si një Homo Albanicus  (SHTËPIA NË KORNIZË, SHTËPIA RRËZË MALIT, SHTËPIA NË RRUGË, SHTËPIZË E LËNË BARINJSH)

aty e pashë time ëmë me govatë në dorë e vetmuar

shkonte e gërmuqur shtegut drejt derës së saj

s’di a do të ketë qenë ditë apo në rreze hëne larë

tym nga oxhaku i kërrusur dhe n’kusi diçka që zien

do stiva drurësh të nxirë shiu rrinë te shkallët.”

(SHTËPIA NË KORNIZË)

     “Vijnë agshole dielli

trungthi që kalbet nën dhe tash gjëmon.

Të nisemi për udhë me frymë të mirë e të mbarë.”

 (SHTËPIA RRËZË MALIT)

 “andej anë dritareve të saj vijnë një djalë e një çupë

nganjëherë bie muzgu andej anë shkallësh të saj

shkojnë e shkojnë njerëz dhe vijnë e vijnë përherë

nuk ka lule n’asfalt as bar rreth themelit të lagur “

(SHTËPIA NË RRUGË)

“Pastaj të ndërtuan rishtas pas shtatë

dhjetëvjetëshash

të bënë me ujë me yje me baltë e me jetë

pemë e vjelë nuk ishe s’ishe kohë e djerrë

tashti hënë e plotë n’ty ndrit me purpur”

(SHTËPIZË E LËNË BARINJSH)

Duke e parë në këtë dipotri poezinë e Gërvallës na bëhet edhe më i qartë funksioni antropologjik e jetësor i vet letërsisë, i parë në një kuptim më të gjerë, që nga Gilgameshi e Iliada e deri te Komedia Hyjnore. Në rastin konkret inventari tematik i poezive të këtij autori e kalon testin e një verifikimi që arti e ka patjetër ta ketë brenda vetes si komponentë, sepse vetëm ashtu i reziston skemave dhe klisheve që sjell koha.

Dilema e vetme që tani na imponohet e që ndërlidhet me hyrjen e këtij teksti ka të bëjë me procesin e komunkimit estetik të kësaj poezie me lexuesin e kohës, dhe me pyetjen hipotetike se çka do të ndodhte me statusin e poetit Jusuf Gërvalla, nëse sfera e perceptimit nuk do të prekte edhe strukturën jashtëtekstore të kësaj poezie. Pra, siç do të thoshte Jurij Lotman, lexuesi mundet për mrekulli të njohë gjuhën, por nuk do të mundet me sukses ta përjetojë tekstin, nëqoftëse nuk i ka përvetësuar shenjat jashtëgjuhësore mbi të cilat mbështetet kultura e receptimit të kësaj poezie, ndonëse, siç konstatonte, Jan Makarzhkovski, funksioni estetik i gjuhës poetike ndryshon rrënjësisht nga funksionet tjera të saj.

Gjuha e poezisë është një katalog i sendeve, apo më shumë se kaq. Interaksioni i të kuptuarit figurativ të gjuhës poetike të Jusuf Gërvallës bart në vete logjikën konotative të metaforës, edhe atëherë kur ajo shprehet në formë të një parashikimi profetik.  Kjo më së miri do të mund të eksplikohej nëse shkëpusim disa vargje nga poezia Fletë testament ku subjekti lirik bëhet zëdhënës i një kriptogrami jetësor të vet poetit: 

“emër të mos ketë e shkronja le të flasë
në gjuhën e vjetër të kafshës së zezë
guaca e kërmij le të vijnë për dasmë

….

   në rrasën time atë rrasë të zezë të ftohtë
    në duart që i kam prekur le të më lëshojnë”

Sabri Hamiti teksa flet për këto shkëndija mesazhesh të koduara në formë parashikimesh profetike të Gërvallës, e kishte parasysh edhe parandjenjën e poetit se nuk do ta kishte gjatë, prandaj  nuk gabon kur konstaton se  “krijimtaria letrare e Jusuf Gërvallës u zhvillua vrullshëm mbrenda një dhjetëvjetshi, ndoshta edhe më pak, si ngjet me krijuesit të cilëve parashenjat u thonë se shpejt vjen fundi….e ardhmja e kësaj vepre është e ardhmja e leximit shqip.” 2)

Vepra letrare, përfshi edhe këtë që kemi në duar, jeton derisa ka interesim për të, prandaj këtu edhe lind nevoja që recepientin/ lexuesin të mos e shohim vetëm konsumator të letërsisë, por edhe pjesëmarrës në krijimin e saj, ose është ajo e ardhmja e veprës për të cilën flet Sabri Hamiti, ndonëse mbi këtë temë stdiues të ndryshëm kanë mendime të ndara sa i përket lidhshmërisë së veprës me lexuesin, sepse jo pak krijuesve nuk iu interesonte fare lexuesi, as ai i sotmi, as i nesërmi. Prandaj,për ta përforcuar këtë tezë, jo pa qëllim Mishel Butor 3) e konsideron veprën letrare si një tekst të hedhur në det, që duhet të kapërcejë kohëra në kërkim të lexuesit të saj.

Mbase edhe vepra poetike e Jusuf Gërvallës do ta rigjej lexuesin e saj dhe këtu qëndron një nga vlerat e përgatitjes së kësaj antologjie poetike, e cila përpos që na e rikthen një poet në “radarët” e vëmendjes sonë, ajo na lidhë edhe me një periudhë kohore (vitet 70) kur poezia shqipe në Kosovë po konsolidohej në kuptim të shprehjes dhe sensibilitetit krjues.

Shtresa lëndore e poezisë së Jusuf Gërvallës, në fakt është realiteti që poeti e bartë në botën letrare, e cila në shikim të parë duket si reale, por në të vërtetë ekziston vetëm si realitet estetik (gjuhësor) me të cilën sugjerohen situatat jetësore.

“Eja të mbyllemi në kupën e zezë hermetike

U lodhëm më duke u puthur me gjarpinj

Në fjalët e vjetra që përsëriten

E kemi parë teprinë e dashurisë sonë

………

Eja të ikim nga bora e krijuar

me fjalët e vjetra”

(HUMBELLAT E NDËRDYSHJES)

 Ose

“ç’fshehin ashtu puset ç’kënaqësi ka druvari

ç’kërkojnë zogjtë e dimrit që vijnë sërish këtu

fshij sytë e përgjumur n’ atë fashi t’ mëngjesit

në kullën time ka mjegull vjeshte e kokrra hambari.”

     (MJEGULLA)

Poezia e Jusuf Gërvallës është fund e krye përjetim i lidhur me grafikonin shpirtëror të subjektit lirik, i cili përpos që lëviz në dimensionin real ajo e krijon habitatin e saj metaforik, në një rrugë krejt autonome të rikrijimit të realitetit, pasi që, siç do të thoshte  Zherar Zhenet  për poetët lirikë,  vepra e të cilëve nuk përbëhet nga reflektimi i tyre permes ndonjë rrëfimi për një ndodhi të vërtetë ose të trilluar, të cilat janë jashtë unit poetik dhe jashtë të folurit poetik, por vetëm nga dëshira të cilën ai (poeti) e zhvillon në emër të tij.

“Objekti në poezinë lirike nuk është qëllim, por  shkas, me çka poezia lirike nuk synon të ketë ndonjë funksion në kuadër të objektit apo të realitetit.”4)

Poeti Jusuf Gërvalla ka arritur ta kursejë poezinë e tij nga zjarmia e angazhimit shoqëror, pjesë e të cilit ai vet u bë më vonë. Ai ndoqi praktinë dhe traditën e poetëve të talentuar, prej të cilëve mësoi se poezia e ka botën e saj të brendshme dhe nëse jashtësia e saj mbësh-tillet me lëvozhgat e aktivizmit sociale politik, atëherë bërthama e saj tretet nga ujërat e sertë të trivialitetit. Madje Mirosllav Kërlezha ishte shumë decid kur e trajtonte raportin në mes të letërsisë dhe politikës, poetit dhe realitetit, duke bërë një diferencim të qartë në mes të asaj se çka është art e çka parullë dhe më së paku t’u paracaktohet poetëve ndonjë preferencë ideologjike si parakusht i pranueshmërisë së tyre në sferën e receptivitetit publik.

“Qëndrimet ndaj fenomeneve letrare ose njerëzve të letërisë përcaktohen me zemër, më shumë se me çfarëdo afërsie artistike; prandaj, t’u caktohet prirjeve të tij letrare të majta ose të djathta çfarëdo domethënie politike, është gjë plotësisht arbitare dhe nuk do të mund të arsyetohej me kurrfarë kriteri” 5)

Në rrafshin e tematizimit poetik në opusin krijues të Jusuf Gërvallës qëndrojnë disa “kulla vrojtimi” në formë figurash semantike të cilat e depërtojnë shikimin në fushat e pandriçuara të një gjendjeje shpirtëre të cilën subjekti lirik  mundohet ta ruaj nga syri vëzhgues, madje edhe me çmimin e vetflijimit.

“kam mundur të mbetem siç isha

i vdekur i palindur

– më tha zëri i kobshëm i ligësisë

nga ëndrra më zgjoi një frymë

motesh të kalbura

në shtratin e sëmundjes

erërat bartnin

pluhur të kurmit tim

të djegur”

(PAMUNDËSIA)

Dalja nga sfera gjuhësore e të folurit të zakonshëm, e ka bërë këtë poezi të jetë sintezë e mendimit dhe dramës shpirtërore, të cilat marrin formën e një udhëpërshkrimi lirik , por  pa e lënduar spontanitetin e shqiptimit poetik, i cili del homogjen në pikë-pamaje të kuptimësisë dhe transmetimit të mesazhit lirik,  sido-mos nëse marrim në shyrtim një prej poezive më unike të këtij libri – Shtatë net në Dubovik. Plasticiteti i vrojtimit të pamjeve dhe sendeve bashkëshoqërohet me aftësinë e  subjektit lirik për të shpërndarë  gjithë tërësinë emocionale në një hark të gjerë temash të pikturuara me ngjyrat emocionale të vendjlindjes së braktisur dhe dramës së ankthshme të kthimit të pasigurt në shtëpi.

“e prek fijen e barit e ndihet e lënduar

plaga s’i çel e më kot e ndjell përfytyrimin

i huaj bëhet hapi im i egër në livadhin e butë”

        ….

“Unë iki shtigjeve të fëmijërisë

ja këtu – ja atje, e pastaj borë e sqotë

kjo është rrjedhë e ngadalshme e verës

se dimër bën tash përmbi ballin tim

po erdhe edhe njëherë më thotë mani plak aty

thuaje më mirë me fjalë thuaje jetën tënde

se tash në mesin tonë vetëm si hije kaluron”

(SHTATË NET NË DUBOVIK)

Gërvalla me këtë poezi antologjike projekton një metaforë të zgjeruar mbi Kosovën e cila ishte dhe s’ishte një shtëpi e lirë për të banuar, aty ku “argatit që në shtëpi të vet vjen i huaj”, por pa më të voglën nevojë që ky shqiptim poetik të përcillet me ndonjë patos social apo ideor. Për rrjedhojë ai sikur e merr në konsideratë një mendim të Edgar Alan Poes i cili ishte shumë i rreptë ndaj atyre që poezinë e zhveshnin nga sharmi magjia e padukshme e fjalës.

“Ai që vetëm do të këndojë, me çfarëdo lloj entuziazmi të zjarrtë apo me çfarëdo lloj përshkrimi të gjallë të së vëretës, të psherëtimave, tingujve, ngjyrave, kundërmi-meve e ndjenjave, qi i ka të përbashkëta me tërë njerë-zimin – unë them, se ka dështuar përsëri në arritjen e mishërimit hyjnor të poezisë. Ka ende diçka në largësi s’ka mundur dot ta kapë, ashtu si të gjithë ne, mortorët, që ende provojmë një etje të pashtershme për të përpirë gjithçka që s’na jepet prej rrëkeve të kristalta të kësaj toke”  6)

Rrugët e komunkimit të lexuesit me poezinë e Jusuf Gërvallës, mjaft avangarde për kohën kur u krijua,  po rihapen me këtë antologji poetike, por kjo nuk mjafton për ta vendosur atë në kierarkinë e mirëfillt të vlerave letrare. Dhe kjo mund të bëhet vetëm nëse në studimet tona letrare, përfshi edhe programet mësimore, kjo poezi merr trajtimin e merituar, duke e zbërthyer poetikën dhe filozofinë e saj në kuadër të një sistemi të pambaruar letrar të poetit Jusuf Gërvalla, por të hapur për t’u eksploruar nga të gjitha dimensionet teorike e estetike./ 23 janar, 2022

______
1)  Sidnei Frankeshtain, Arti dhe shoqëria, Studime letrare, Tiranë, 1982, fq. 145

2) Sabri Hamiti, Tema shqiptare, Prishtinë, 1993,  fq. 115

3) Mishel Butor, Repertoir II, Gallimard, Paris, fq. 131

4)  Zherar Zhenet, Figura, Beograd, 1985, fq. 96

5) Mirosllav Kërlezha, Ese, Rilindja, 1979,  fq. 323

6)Edgar Allan Poe, “Poezi dhe esse” (eseu i cituar: “Parimet poetike”), Plejad, Tiranë, 2004, fq. 100

“MAXIMILAN LAMBERTZI PËR LETËRSINË SHQIPE”, VEPËR KAPITALE E ANTON N. BERISHËS


Lidhshmëria e Lambertzi me letërsië gojore shqipe nuk ishte thjeshtë çështje kurreshtjeje sipërfaqësore e një të huaji që për herë të parë po e vizitonte një vend të panjohur. Kjo lidhshmëri burimin e kishte te pasioni i fuqishëm i Lambertzit për të nxjerrë në pah vlerat e panjohura të një tradite mijëravjeçare që ishte ruajtur me xhelozi nga goja në gojë dhe nga kënga në këngë.

Interesimi i Anton Nikë Berishës për albanologun austriak Maximilan Lambretz kishte evoluar, bashkë me ngritjen dhe formimin e tij profesional. Kështu, fillimisht, ai duke qenë një studiues i letërisë gojore në kuadër të Institutit Albanologjik të Prishtinës, i kishte përqëndruar kërkimet në veprimtarinë e Lambretzit pikërisht në fushën e kësaj letërsie, konkretisht në studimet e tij mbi epikën dhe përrallën tonë gojore.

“MAXIMILAN LAMBERTZI PËR LETËRSINË SHQIPE” është një vepër kapitale e Anton N. Berishës që e lidhë një traditë studimi të albanologjisë evropaine dhe, sidomos, të albanologëve gjermanë e austriak, me lexuesin shqiptar, i cili shumë pak ka qenë i njoftuar mbi kontributin e këtyre albanologëve. Kjo vepër është një përpjekje serioze, jo vetëm për ta ndriçuar një veprimtari pak të njohur të Maximilian Lambretzit, por edhe për të vendosur një standard valorizimi në interpretimin e teksteve të autorëve të huaj mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare. 

Nga hulumtimet e prof. Berishës rezulton që Lambretzi kishte dhënë një ndihmesë të madhe, përpos në mbledhjen dhe në studimin e thesarit tonë gojor, edhe në prezantimin e specifikave etnopskologjike e kulturologjike të shqiptarëve para një audience më të gjerë evropiane. Përmes studimeve të tij, dhe sidomos hulumtimeve të epikës sonë gojore dhe përrallës, Lambretzi kishte arritur që ta “skanojë” karakterin shpirtëror e psikologjik të shqiptarëve përmes një “rentgeni” të vendosur dikund në malet e Shqipërisë.

Duke e ndarë në katër pjesë librin e tij, Anton Nikë Berisha ka bërë një organizim të menduar mire të lëndës me material të bollshëm nga puna shkencore e Lambretzit. Në secilën prej këtyre pjesëve, duke filluar nga pjesa e parë ku Lambertzi paraqitet si njëri ndër albanologët më të shquar, pastaj pjesa e dytë në të cilën jepet kontributi i Lambretzit për letërsinë e shkruar shqipe, për ta rrumbulkaksuar profilin  etij shkencor në pjesën e tretë dhe të katërt me angazhimet dhe pasionet shkencore që Lambretzi kishte treguar ndaj letërsisë gojore shqipe si dhe ndaj librave gjuhësorë-mësimor, pa anashkaluar edhe kontributin e tij si përkthyes letrar , sidomos nga shqipja në gjermanisht, ku një vend qëndror zë sidomos përkthimi në gjermanisht i “Lahutës së Malcis”.

Një arkitekturë e tillë librore është ndërtuar me zellin e hulu-mtuesit që kishte marrë për bazë, përpos veprimtarisë së Lambretzit, edhe një mori burimesh bibliografike që i kushto-heshin këtij albanologu të shquar. Kjo mbase i ka mundësuar Berishës të jep në mënyrë të detajuar gjithë tipologjinë dhe kronologjinë e veprimtarisë së Maximilian Lambtretzit, i cili për herë të parë kishte ra në kontakt me gjuhën shqipe gjatë një udhëtimi në Itali dhe në Greqi, teksa kishte përgjuar bisedat e peshkatarëve të Atikës dhe të Thivisit.

I impresionuar nga ajo që kishte mbledhur në terren, Lambretzi në vitin 1917 kishte botuar në revistën “Posta e Shqypnisë” të Shkodrës disa tekste autoriale mbi epikën dhe mbi poezinë gojore shqipe. Kurse, po në të njëjtin vit, një qasje më serioze e tij mbi këtë poezi në formë të studimit me titull “Poezia popullore e shqiptarëve”, ishte botuar në Sarajevë.

“Doracaku dhe libri i leximit të gjuhës shqipe” (Lehr – und Lesebuch des Albanischen (Vjenë 1913) është libri i parë i Lambretzit në fushën e albanologjisë, të cilin e shkroi në bashkëautorësi me Gjergj Pekmezin.

Kureshtja për gjuhën shqipe tek Lambretzi sa vinte e po shtohej, dhe për ta shuar këtë kurreshtje në vitet 1913/14 ai kishte udhëtuar në Italinë e jugut për të mësuar diçka më tepër mbi të folmet arbëreshe, por edhe për ta përdorur arbërishten si urë kalimi në interpretimin e mëpastajm të veprave të autorëve tjerë shqiptarë. Kështu edhe ndodhi. Dy vite më vonë, më 1916, me qëllim të hulumtimeve gjuhësore dhe folklorike udhëtoi për herë të parë në Shqipëri si anëtar i Komisonit për Ballkanin të Akademisë austriake të shkencave.

Përveç këtyre të dhënave, pas një hulumtimi disavjeçar, autori na jep edhe një mori informacionesh me komentime përcjellëse, që lidhen me veprimtarinë e Maximilan Lambretzit. Ky i fundit  në vitin 1922 kishte botuar dy vepra: “Përralla shqiptare dhe tekste të tjera të folklorit shqiptar” dhe “Midis Drinit dhe Vjosës. Përralla nga Shqipëria”, ku në fokus të interesimit të tij janë poezia gojore, posaçërisht epika gojore dhe veçantitë e saj.

Maximilian Lambretzi, duke dashur ta shuaj kurreshtjen e tij mbi thesarin e pazbuluar të trashëgimisë gojore shqiptare, e kishte shfrytzuar rastin që bashkë me trupat austro-hungareze të zbarkojë në Shqipëri në vitin 1916. Ai vendoset në Shkodër dhe për herë të parë njihet për së afërmi me aristokracinë kulturore të këtij qyteti, përfshi edhe Gjergj Fishtën, me të cilin bashkëpunoi në redaksinë e gazetës Posta e Shqypnies, tek e cila i botoi disa tekste autoriale.

Gjatë qëndrimit në Shkodër, Lambretzi u angazhua edhe në mbikqyrjen e shkollave në zonën austro-hungareze, kurse ishte edhe anëtar i Komisisë Letrare Shqype, i ngarkuar nga autoritetet austro-hunagreze për vendosjen e një norme letrare të gjuhës shqipe.

Njohja me Fishtën dhe me autorët tjerë të traditës shkrimore të rrethit letrar të Shkodrës – V.Prenushi, Sh. Gjeqovi, N.Nikaj, H.Mosi. N. Mjeda – i dhuroi Lambretzit shansin e rrallë që të bëjë sprovat e para të interpretimit të disa prej veprave kulmore të kësaj tradite, ku një vend të rëndësishëm zinte “Lahuta e Malcisë” e Gjergj Fishtës. Prandaj, falë Lambretzit, Fishta u bë i njohur për lexuesin gjermanofon, përmes studimit “Gjergj Fishta dhe epi heroik shqiptar Lahuta e Malcís. Një hyrje në botën e legjendave shqiptare”, botuar në vitin 1949 dhe sidomos përmes përkthimit të plotë në gjermanisht të “Lahutës së Malcis” në vitin 1958, e cila përcillej me një parathënie dhe me shënime sqaruese dedikuar lexuesit gjermanofon i cili për herë të parë po njihej më nga afër me një teatër të lashtë epik, ku vijat karakterologjike të shqip-tarëve paraqiteshin me dorën mjeshtrore të një ”filigranisti” homerik, siç ishte Gjergj Fishta, i cili po e hapte perden e madhe të traditës kulturore shqiptare para një opinioni të kultivuar evropian. Madje A. N. Berisha me të drejtë ka përzgjedhur një mendim të Karl Gurakuqit që i afrohet shumë lësaj të vërtete: “Shërbimet qi i ka sjellë kombit shqiptar (Lambertz-i – v. A.N.B) janë të mëdhaja, por ma i madhi asht, pa tjetër, përkthimi i ”Lahutës”,qi na qet faqen e bardhë përpara botës së kulturueme”. 

Në anën tjetër, libri “MAXIMILAN LAMBERTZI PËR LETËRSINË SHQIPE” na jep të kuptojmë se lexuesi shqiptar përmes këtij albanologu përvetësoi një kulturë të re receptimi të letërsisë sonë, sidomos të asaj pjese që vështirë komunikonte me hapësirën kulturore shqiptare, për shkak të gjuhës arkaike, siç ishte, bie fjala “Gjella e Shën Mërís Virgjër” e Jul Varibobës, pjesë të së cilës i kishte përkthyer edhe në gjermanisht. Mbi këtë vepër, siç mësojmë nga ky libër që kemi në duar,  Lambretzi kishte shkruar një studim në vitin 1956, të cilin e quan “një kurorë prej baladash dhe poezish lirike”. Për ta argumentuar këtë konstatim, autori citon Lambretzin teksa shprehet se  “vepra, më e mirë kurora e këngëve, është hartuar në dialektin e vendlindjes së poetit, për nga forma dhe përmbajtja e arrirë, plot hijeshi dhe poezi. Humori dhe tiparet e botës regjionale i bëjnë poezitë e Varibobës pa dyshim thesare më të çmueshme të letërsisë së shkruar italo-shqiptare”.

Praktika të ngjashme të përvetësimit të traditës gojore në letërinë e shkruar, kanë qenë prezente edhe në përvojën e shkrimtarëve të ndryshëm botëror. Njëri nga ta, Italo Kalvino, i cili arkitekturën e narracionit letrar e mbindërton duke përdorur kallximin popullor si brum letrar të cilin e integron në strukurën fabulare të tij. Ai madje e kishte pranuar hapur se “La novella nun e bella se sopra nun ci si rappel” (“Tregimi nuk është i bukur nëse nuk mbindërtohet”), duke i dhënë hapësirë kësaj tematike në Leksionet amerikane: “Nëse në një moment të caktuar të aktivi-tetit tim letrar kam qenë i pasionuar pas tregimeve popullore, kjo nuk buronte nga besimi në ndonjë përkatësie etnike ( duke marr parasysh edhe faktin se rrënjët e mia ishin në një Itali moderne e kosmopolite), por për shkak të interesit tim struktural e stilistik për ekonominë, ritmin dhe ligjikën thelbësore me të cilën këto tregime janë rrëfyer”.  1)

Në studimin e tij, edhe Anton Nikë Berisha ka shkoqitur përkushtimin e Lambretzit mbi lidhjet e ngushta të epikës gojore shqiptare me llojet e tjera të krijimtarisë letrare gojore shqipe, të cilat i bëri objekt trajtimi edhe afritë e saj me përrallat shqipe, të cilat, siç do të shprehej Klod Bremon, mund të shërbenin edhe si “atome narrative”2) të letërsisë së shkruar.

Lidhjet e epikës gojore shqipe me epikën e shkruar, ndonëse “në procesin e gjatë të bashkëjetesës dhe të bashkëvepimit kufijtë e ndikimeve nuk mund të  përcaktohen në mënyrë të prerë…sepse letërsia që bartet gojë më gojë ka zanafillën më të hershme, është krijuar dhe ka jetuar më parë se letërsia e shkruar”. 3),  Lambretzi i gjen më së miri te “Lahuta e  Malcís” e Gjergj Fishtës, dhe kjo ka ndodhur , sipas profesor Berishës, edhe për të dëshmuar ekzistimin e Homerit si poet dhe krijues i epeve të famshme antike “Iliadës” dhe “Odisesë”, duke sjellë të dhëna për përkime të thella e të gjithanshme të epikës gojore shqiptare dhe të “Lahutës së Malcisë”. Pikërisht nga ky studim i profesor Berishës rigjejmë tezën e njohur, të cilën e kishte mbështetur edhe Lambertzi  se Homeri i kishte shkruar dy kryeepet duke pasur për bazë poezinë gojore dhe “falë gjeniut të tij ai arriti t’i ngritë ato në atë nivel dhe t’u japë atë formë, e cila na ka arritur dhe si e tillë na është e njohur”.

Interesimet më thelbësore të Maximilain Lambretzit për autorët shqiptarë, duke huazuar në veprat e tyre thesarin e letërisë gojore si një “farë” letrare, mbase,  mund të vërehen pikërisht në qasjen që ai kishte ndaj veprës së Fishtës dhe Varibobës. Këtë interesim të Lambretzit, autori Berisha e sqaron në këtë mënyrë: “Edhe punimet e Lambertzit për veprat “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” të Varibobës dhe “Lahuta e Malcís” të Fishtës përligjin lidhshmërinë e madhe të letërsisë sonë gojore me letërsinë tonë të shkruar, përkatësisht të përkimeve poetike dhe të afrive midis tyre. Pra, vetëm vështrimi në tërësi i mendimit të Lambertzit për letërsinë tonë mundësoi ndriçimin dhe njohjen e mirëfilltë të ndihmesës së tij n ë këtë fushëveprimtari”.

Përveç që afirmoi kulturën e shkrimit shqip dhe thesarin tonë popullor në hapësirën gjuhësore gjermanofone, Lambretzi, siç na e thotë autori Anton Nikë Berisha, do të mbetet në kujtesën e studiuesve dhe vëzhguesve të rrjedhave teorike-letrare edhe me studimin e njohur “Lindja dhe zhvillimi i letërisë shqiptare”, në të cilin për herë të parë analizohen disa specifika dhe dukuri të qarqeve letrare të letërsisë shqipe, por njëherësh për herë të parë në mënyrë të detajuar merren në shqyrtim nga një studiues shqiptar, siç e kemi rastin me autorin e këtij libri, cili teksa flet për prirjen e Lambretzit për të depërtuar në specifikat e shtrirjes hapësnore të letërisë shqipe e  kishte bërë këtë ndarje në gjashtë treva: treva italoshqiptare, letrarët e Shkodrës, shkrimtarët dhe poetët e Shqipërisë së Mesme (nga Tirana dhe Elbasani), treva toske, treva e Korçës dhe  letrarët e diasporës, përfshi  shkrimtarët me kombësi shqiptare në Bukuresht, Sofje, Konstandinopol, Egjipt dhe Amerikë”.

Lambretzi kur iu rrek të shkoqis gjeografinë letrare shqiptare, nuk mjaftohej vetëm me sqarimet e mësipërme, andaj, siç na e zbulon profesor Berisha, ai shkon më tej me zbërthimin e kësaj teme: “Nga qarqet letrare të formuara janë së pari qarku i Shqipërisë së Veriut me Shkodrën si qendër, së dyti arbëreshët e Kalabrisë dhe Siçilisë me qendrat Spezzano Albanese, San Demetrio Corone, Palermo (Piana dei Greci), së treti qarku i Shqipërisë së Mesme ose qarku gegë jugor me qendrat së pari Elbasanin e pastaj Tiranën, së katërti qarku i Shqipërisë së Jugut me qendrat Korçën (Voskopojën), Gjirokastrën dhe Frashërin dhe së fundit i pesti emigracioni ose letrarët në Stamboll, në Buku-resht, në Sofje, në Vjenë, në Kajro e Aleksandri, në Boston të SHBA-ve”. Me këtë rast profesror Berisha kishte vërejtur se  kësaj radhe Lambertzi përmend pesë qarqe e jo gjashtë si në Hyrjen e vëllimit “Zwischen Drin und Vojusa” dhe kjo kishte ndodhur pasi që në qarkun e Shqipërisë së Jugut përfshin edhe krijuesit nga Korça, të cilët më 1922 i kategorizonte grup me vete.

Para se të merrej me studimin e letërsisë shqipe, asaj gojore dhe të shkruar, Maximilian Lambertz, siç provohet edhe në këtë librët të A N. Berishës, sigurisht kishte nuhajtje mbi atë se çka do të mund ta intrigonte atë më së tepërmi dhe kjo iu mundësua në momentin kur ra në ontakt me këtë letëris, nga e cila nuk u shkëput deri në fund tël jetës së tij. Depërtimi i tij në thellësitë magjike të tonalitetit poetik të letërisë shqipe, bazohej në studimin e karakterit etno-pskologjik të traditës së pasur popu-llore prej nga vinte e pashterrshme gurra e letërissë gojore, e cila luajti edhe rolin e një palimsesti për letërsinë e shkruar.

Pas analizës që i bën studimit “Poezia popullore e shqiptarëve. Një studim hyrës” (Volkspoesie der Albaner. Eine einfürende Studie), të Lambertzit, profesor Berisha  vë në pah meritat e këtij studuesi për të identifikuar   rëndësinë e  komunikimit të artit të fjalës në formën gojore përballë atij të shkruar. Nga ky studim kuptojmë diçka më tepër edhe mbi statusin e poetit popullor, të cilët nuk janë të parët, që kanë hartuar poezi, kurse “veprat e veta poetike nuk i bënë nga asgjëja, por qindra vjet para tyre ishte tek populli i tyre në të gjitha kohët një radhë e madhe dhe e aftë e krijuesve popullorë, si burra ashtu edhe gra, që ndjen nevojën t’i shprehin ndjenjat dhe fantazinë e tyre në formë të artit  dhe se poezia gojore nuk i paraprin vetëm krijimtarisë poetike të shkruar të një popullit, si një burim i pa shtjerrë dhe i pandalshëm, por ajo është gjithashtu, në masën më të madhe, pasqyrë e cilësive shpirtërore”.
   Shembuj të shumtë nga letërsia botërore na e konfirmojnë këtë qëndrim të Lambretzit mbi lidhshmërinë e letërisë gojore me atë të shkruar, dhe kjo më së miri është shfaqur edhe në krijimtarinë e Dantes, siç e ka vërejtur edhe studiuesi Sidnei Finkelshtajn.“ Danteja duke e shkruar ‘Komedinë Hyjnore’ në gjuhën italiane “vulgare” në një kohë që dijetarët  vazhdonin të shkruanin akoma latinisht, shënon kthimin e artistëve nga populli për të gjetur lëndën  tyre të parë. Bokaçioja e shkroi “Dekameronin” duke përdorur gjuhën dhe historitë e popullit, krijoi një formë  me anë të së cilës zbulonte një tablo të jetës së qytetarëve italianë.”4) 
Lidhshmëria e Lambertzi me letërsië gojore shqipe nuk ishte thjeshtë çështje kurreshtjeje sipërfaqësore e një të huaji që për herë të parë po e vizitonte një vend të panjohur. Kjo lidhshmëri burimin e kishte te pasioni i fuqishëm i Lambertzit për të nxjerrë në pah vlerat e panjohura të një tradite mijëravjeçare që ishte ruajtur me xhelozi nga goja në gojë dhe nga kënga në këngë.
Kjo mbase është edhe merita e këtij studimi mbi këtë albanolog gjermanofon, i cili kishte edhe një arsye tjetër të fortë që e spjegonte thelbin e  përkushtimit ndaj letërsisë gojore shqipe, duke përfshi edhe këngët kreshnike. Për ta ilustruar më së miri këtë përkushtim, profesor Berisha sjell para lexuesit një pasazh shumë domethënës nga fundi i studimi të  Lambretzit “Poezia popullore e shqiptarëve”, që ishte botuar më 1917: “Sot për sot po e jap fjalën e shpresës, që nëse edhe një herë bota do ta fitojë lirinë, nga qenësia e popullit shqiptar, ku ruhen aq thesare të lashta e të bukura në këngë dhe në përralla, në gojëdhëna e besime popullore, shkenca do të nxjerrë po ashtu njohuri të çmueshme edhe mbi doke e zakone të popujve të tjerë indogjermanë ”.
Nëse i referohemi vet titullit të këtij libri “Maximilan Lambertzi për letërsinë shqipe” nuk e kemi vështirë të vërejmë interesimin dhe fokusimin e autorit Anton N. Berisha në shpalimin e detajeve të panjohura nga veprimtaria e gjerë e Maximlina Lambretzit, sidomos mbi interesimin e këtij albanologu austriak ndaj problematikave  të veçanta të letërsisë shqipe. Prandaj edhe këtu konsiston ky hulumtim shterrues i profesor Berishës, i cili përpos kronologjisë, sjell edhe tiopologjinë e studimeve të Lambretzit mbi letërisë shqipe. Lexuesi shqiptar për herë të parë do të njihet me profilin shkencor të një albanologu të huaj, veprimtaria e të cili ishte ngusht e lidhur me ndriçimin e specifikave dialektore të gjuhës shipe si dhe me nuancat zhvillimore të letërisë shqipe, siç mund të shihte edhe në punimin e tij:  Albanische mundarten in Italien (Dialektet shqiptare në Itali – Indogermanisches Jahrbuch II, Jhg. 1914 – 1915), ku përmend dhe letërsinë e arbëreshëve të Italisë dhe disa nga përfaqësuesit më emblematik të saj.
Për të shterruar kurreshtjne e lexuesit, autori ka sjellur edhe një mori materialesh që lidhen drejtpëdrejt me punën studimore të Lambretzit, e që kishin në fokus letërsinë shqipe. Në këtë kontekst ai përmend  Raportin e vitit 1916, paraqitur pranë Akademisë mbretërore të shkencave të Vjenës (Anzeiger 53, Jhg. 1916), në të cilin Lambertzi jep disa të dhëna pak më të plota për këtë letërsi (sidomos f. 129 – 130 dhe 134 – 136). Në këtë material për herë të parë vëhet në dukje një konstatim që kishte të bënte me vlerat  e letërsisë së arbëreshëve të Italisë, sipas të cilit letërsia e mirëfilltë e shkruar shqipe së pari lindi te arbëreshët e Italisë, por duke shtuar mozaikun e vlerave edhe në dy krahë tjetë të letërisë shqipe, në Jug të Shqipërisë, ku në çerekun e fundit të shek. 19-të kishte lindur një letërsi e shkruar me përfaqësuesit gjenialë, Naim be Frashërin dhe Asdrenin, kurse në Veri të Shqipërisë, sipas Lambtretzit, po zhvillohej një letërsi me autorë që kishin individualitete të theksuara, ndër të cilët ai përmend: Gj. Fishtën, Sh. Gjeçovin, A. Xanonin, H. Mosin, L. Gurakuqin, A. Harapin..
   Si përfundim mund të thuhet se albanologjia shqiptare dhe ajo e huaj, tash e tutje kanë rastin të studiohen në një rrafsh komparativ, falë hulumtimit monografik  gjithpërfshirës që vjen përmes këtij libri tepër të veçantë të studiuesit tonë të shquar Anton Nikë Berisha. Vlerën e këtij libri  e shtojnë tri komponenta thelbësore që ndërlidhen drejpërdrejt  me fuqinë receptuese të tij dhe me kredon krijuese e shkencore të vet autorit:

E para, libri i profesor Berishës është i hapur në pikëpmaje të ideve që shtrohen për arsye se autori ka përzgjedhur metodo-logjinë e krahasimit dhe selektimit të materialit arkivor të albana-logut Maximilan Lambretz, duke iu dhënë mundësi edhe studi-uesve të tjerë që të plotësojnë pikëpamjet dhe vështrimet e tyre kritike mbi punën voluminoze të këtij albanologu austriak.
E dyta, autori ka përdorur burime e referenca të shumta dhe kjo ia shton kësaj vepre vlerën e dokumentimit të dëshmisë, një komponentë kjo mjaft e qenësishme e rezistimit të fakteve ndaj erozionit të mosvëmednjes dhe harresës.

E treta, në literaturën tonë shkencore-albanologjike kjo monografi jo vetëm që plotëson një boshllëk në fondin botues kushtuar albanologëve të huaj, por ajo mund të merret edhe si model i kombinimit të dijes, përvojës dhe përkushtimit hulumtues të autorit, i cili formatin e tij prej studiuesi të veçant po e mbindërton me këtë vepër kapitale kushtuar njërit prej korifenjve të albanologjisë gjermane – Maximilian Lambretzit.

Libri “MAXIMILAN LAMBERTZI PËR LETËRSINË SHQIPE” bën pjesë në atë grup veprash, rëndësia e të cilëve shkon duke u shtuar bashkë me ngritjen e kulturës së receptimit në një shkallë më të lartë, për t’u bërë, kështu, pjesë e formimit dhe zhvillimit të një kulture më të avancuar të vlerësimit të autorëve dhe veprave, pasi që, siç e thotë edhe Manfred Nauman: “Vepra të caktuara me veçantitë e tyre përmbajtësore e nxisin lexuesin që të jenë në kontakt të vazhdueshëm me to, ndërkohë që ka vepra të tjera, mbase më shumë, të cilat lexuesi pas një kohe të caktuar i braktis si objekt receptimi.”5)

Libri që kemi në dorë, me të cilin tash e tutje do të jemi në “kontakt të vazhdueshëm”, funksioninin e vet komunikues dhe receptues do ta zhvillojë, krahas rëndësisë që përmban në vete, edhe kërshërisë së studiuesve për ta pasur si pikënisje pikërisht një hulumtim që e hap dhe e kanalizon debatin shkencor mbi trendet e albanologjisë së mijëvjçeçarit të ri dhe kontributin kolosal të albanologëve të huaj në këtë drejtim, ku një vend qendror zë, pa dyshim, albanologu austriak Maximilan Lambre-tzi.


Shkup, dhjetor, 2021

   ——-

1) Italo Kalvino, “Americka predavanja”, Novi Sad, 1989, fq. 43

2) Klod Levi-Stros, “Morfologija bajke”, Prosveta, Beograd, 1982, fq.78

3) Anton Berisha, “Mundësi interpretimi”, Rilindja, Prishtinë, 1979, fq. 131/132)

4) Sidnei Finkelshtajn, “Studime kritike”,  botoi “Naim Frashëri”, Tiranë, 1982, fq. 344

5)Manfred Nauman, “Teorija recepcije u nauci o knjizevnosti”, NOLIT, Beograd, 1978, fq. 146

“LËKURA E GJARPNIT” –  SAGA E RRËFIMIT TË PAMBARURAR URBAN

Kolumna si burim infomimi për ata që nuk mund të ndjekin rregullisht shtypin ditor, është menduar të fisnikëroj kulturalisht retorikën e thatë gazetareske me detaje që ngandonjëherë mungojnë në deskun e informacionit. Të tilla detaje ke plot në kolumnat e Lepajës dhe ky dimension paraqet argument shtesë për të vlerësuar autorin si një prej emancipuesve më të spikatur të gjuhës publicistike me mjete letrare-jokonvencionale.

Autorët që s’i mbajm mend, para se të na torturojnë me rëndomtësinë e tyre, ngjallin një kurreshtje të papërmbajtur tonën për të zbuluar zellin që kanë ata në mbushjen e kohës me asgjë. Mbindërtimi i kuazimendimit publik tek kjo rëndomësi marra-menthëse e të shkruarit, e ka shndërruar hapësirën tonë publike në një mejhane idesh ku hyn intelektualisht i uritur dhe del i tejngopur me dilemat e mendimit dhe mungesën referenciale të dijeve.

Refuzimi që vjen nga një metodë tjetër e të shkruarit, burimin e ka pikërisht tek prishja e streotipeve autoriale që tash më janë inventarizuar në shkollën e skaduar të mendimit publik.

Një prej autorëve që me ngulm po e refuzon këtë metodë shkrimore stereotipsh, është edhe Fadil Lepaja, një emër që do ta mbajm mend jo vetëm pse lëvizi kualitativisht disa parametra të vlerësimit publik për ngjarje, njerëz e dukuri, por edhe pse po i sjell lexuesit freskinë e gjuhës atraktive dhe imazhin lëndor-sendëzues në publicistikën tonë.

Leximi si proces receptues dhe krijues, e bën shumë të domosdoshme një imanencë të brendshme të autorit – që këtë proces ta standardizoj në trajta më të konsoliduara. Duhet mirë-pritur prirjen kulturologjike të autorit përmes së cilës libri mund të jetë trajta më adekuate e antiharresës. Lepaja nuk don të ngelë i paharruar nga lexuesi dhe të vetmin mjet që ai po përdor  është tharmi i kujtesës në bibliotekën e brezave.

Ritakimin me lexuesin, tash në formë libri me titull “Lëkura e gjarpnit”, autori e ka paramenduar të jetë jo thjeshtë vetëm një sublimim kronologjik i kolumnave të botuara  për muaj të tërë në shtypin ditor në Prishtinë, Tiranë e Shkup, por edhe projektim i një strukture organike-ideore që do t’i rezistojë kohës. Tani, ky ritakim nxjerr në pah një lexues më të përkushtuar dhe më të kualifikuar, kurse efekti që del në formë refleksioni tejkalon dimensionin e ngusht kohor e hapësinor të receptimit. Pikërisht kjo nevojë që lëndën e tij shkrimore t’ia ofroj kësaj tipologjie lexuesish, e bënë autorin Lepaja një kërkues origjinal të kodit komunikues brenda hapësirës kulturore e shpirtërore shqiptare.

Me finesat e gjuhës së figurshme, alegorike e jo rrallë edhe ironizuese, autori i zbut thepat e mpreht të realitetit të vrazhdë, duke përdorur një dendësi semantike në përshkrimin jo të plotë të ngjarjeve, por vetëm të detajeve dhe finesave. Jeta dhe dinamika e kësaj figurshmërie lëviz në qarkun e atyre problemeve aktuale të cilat nuk mund të zbërthehen përmes një gjuhe të thjeshtë gazetareske. Ky mbindërtim gjuhësor i kolumnave të Fadil Lepajes prish pak a shumë traditën e shkrimit publicistik, për arsye se në thelb të ngjarjes nuk vendoset a priori trekëndshi skematik vendi – koha – motivi, por pasazhet e gjuhës anekdotike që si “ lëndë ndërtimi” kanë më tepër idetë se sa njerëzit, më tepër mesazhin se sa ngjarjen…

Gramatika e rrëfimit në këtë libër, e bënë autorin shumë ekspresiv në shtrirjen e lëndës në formë kapilarësh dhe kjo shprehet në kalimin e pahetueshëm nga një hapësirë gjeografike në tjetrën, nga një temë në tejtrën dhe nga një ngjarje në tjetrën, por duke mbajtur gjithmonë llogari për unitetin semantik të mesazhit i cili vjen i nënkuptuar, si në pasazhin vijues:

“Si e dimë nga analizat e jashtme, anijet tona nuk u mbytën nga akullnajat, as nuk vallëzohej derisa po fundosej…ato i mbyti pesha e të ikurve… pesha e idealeve dhe e zhgënjimit… “Titaniku” është vetëm një ngjarje që koincidon me lindjen e Shqipërisë.”

Dikund në libër autori flet për “rrugën e miteve” e cila shtrohet me kufoma, por edhe për shqiponjat që fluturonin lart dhe me krenari dhe që… lëshoheshin e merrnin “reketin” e vet nga çobanët lokalë… Pulën nuk  e gjen nëpër stemat apo flamujt kombëtar, thotë autori, sepse, pulat nuk janë shpend grabitqarë… ndërkohë që idealistët, nga pafuqia janë bërë agresisvë dhe po përpiqen të krijojnë një rregull…kurse makiavelistët po bëjnë pazare… vendëse dhe ndërkombëtare…

Kolumna si burim infomimi për ata që nuk mund të ndjekin rregullisht shtypin ditor, është menduar të fisnikëroj kulturalisht retorikën e thatë gazetareske me detaje që ngandonjëherë mungojnë në deskun e informacionit. Të tilla detaje ke plot në kolumnat e Lepajës dhe ky dimension paraqet argument shtesë për të vlerësuar autorin si një prej emancipuesve më të spikatur të gjuhës publicistike me mjete letrare-jokonvencionale.

Përmes diskursit autorial, lexuesi ka mundësi të depërtojë në hapësirat pak a ashumë të panjohura vrojtuese, e që vijnë kryeisisht në formë njohjesh e përvojash personale të autorit, siç është rasti me një detaj që flet për një ish gardian burgu, i cili  përdoret për të eksplikuar paradoksin e pajtueshmërisë së fateve njerëzore në situata paradoksale të konfliktit dhe mosdurimit ndëretnik e ndërnjerëzor, madje edhe atëherë kur “… ndoshta dikush duhet të kuptoj gjermanët dhe hebrejtë. Ende e kam parasysh flautistin hebre, i cili i binte një melodie të dhimbshme fare pranë kancelarit Kohl, në vetë Buntestagun gjerman. Nuk folën asgjë, vetëm shrehën dhembjene vet…”

Kur analizon një detaj që shumë gazetarëve e reportëve ndoshta iu duket i rëndomt, Lepaja nuk e ka për qëllim të na fascinoj me njohjet e tija për mikrosituatat, por, më tepër se kaq, synon të na sygjeroj aksionin e të menduarit për fenomene socio-patologjike për arsye se, siç thotë ai “… te ne , politika pa sharje nuk ecën.. fillimisht ngriten dyshimet..pyetje të mëdha dhe përgjigjet tona, ende janë të pakta…diskutime të qeta nuk ka shumë, ka më shumë sharje…qëlllimi madhor është karrigia, e parimet janë për t’u shkelur… pas votimeve… ideologjia ka vdekur ndër ne..veç meritokracia ka mbijetuar! Në qeveri dhe përreth saj! I kanë konvertuar meritat në lek… Po i kuptojmë më mirë disa zhvillime ndër oligarkët e rinjë ende të pamësuar me muskujt e tyre të mbushur me sherbet dhe plot fuqi me ba keq…”
Humori, sarkazma, ironia therrëse janë mjetet më të dendura të “artilerisë” gjuhësore që autori i vë në funksion të shkërmoqjes së atyre fenomeneve e personazheve, të cilëve me fuqinë e nëntekstit  iu jep statusin e detabuizimit shoqëror, siç është rasti me “rikandidimin  e kandidatëve të vjetër, qoftë nën hetime, qoft nën arrest, tregon vetëm se opinioni dhe qytetarët nuk vendosin asgjë në këtë vend… “ Ose: “Për të bë më shumë ve, pulave u lëshohet audio-seanca e parlamentit. Psh. kur flet kryeministri apo qeveria, pulat bëjnë ve… E kur flet opozita, pulat i kap stresi… .. qeveria është argëtuesja kryesore në këtë vend.. … na duhen edhe disa aeroporte paraushtarake në Skenderaj, Podujevë…”
Botëkuptimësia e avancuar që vie si rezultat i kulturës politike e letrare dhe formimit në shkollat  e vështira të jetës, në të cilat autorit iu desht të kalojë, do t’i japin këtij libri frymë moderne, si në pikëpamje të metodës së shkrimit, ashtu edhe në qasje shumë specifike mbi aktualitetin dhe tematizimin e mikrongjarjeve e mikrosituatave, të vendosora bashkë dhe veç e veç në një mozaik shumëdimensional social, kulturor e politik.

Libri “Lëkura e gjarpnit” i Fadil Lepajës është saga e rrëfimit të pambarurar urban mbi sinkopat tona si shoqëri dhe si indidvid.Ky libër, si pjesë e një trilogjie mendimi publicistik, plotëson bukur mirë literaturën tonë kombëtare me zhanrin specifik të kolumnës. Lepaja ndoshta është mjeshtri më i rrallë i këtij zhanri , kurse libri i tij – një sinopsis shpirtëror e kulturo-logjik i radiografisë sonë si shoqëri me shumë hendikepe e aspirata.

 Maj, 2015

DISA VLERËSIME TË PROF. MATTEO MANDALASË PËR POEMËN “KËNGA E SPRASME E BALËS”

‘Historia’ ishte shkruar prej të tjerëve dhe i përkiste një periudhe të shkuar historike. Ky mistifikim synonte të fshihte autorin, por jo zanafi­llën historike të rrëfimit. Tek e fundit, nëse e shohim nga pikëpamja kri­tike, epopeja që na përshkruan Gavrili i Ri bazohet në të dhëna historike të dokumentuara, që autori i sjell duke cituar historianë të shumtë, e në këto të dhëna bazohej për të afirmuar njësimin e reales me idealen.

Poema “Kënga e sprasme e Balës” e Gavril Darës së Riu hyn në rrethin më të ngushtë të veprave më të rëndësishme të letërsisë së arbëresheve të Italisë. Kjo u botua e plotë më 1906 në Katanxaro të Italisë. Më parë, më 1887, Zef Skiroi kishte nisur botimin e saj në fa­qet e revistës Arbri i rí, mirëpo një botim në vazhdime u bë në “La NazioneAlbanese”gjatë viteve 1900-1902.

Më vonë kjo vepër e  Gavril Darës së Ri përjetoi një varg botimesh, sidomosnë Tiranë dhe në Prishtinë[1]. Meqenëse veprën “Kënga e sprasme e Ballës” e cilësojnë me vlera të mëdha poetike, ajo zgjoi dhe interesimin e një varg studiuesish tanë të letërsisë,.

Prof. Matteo Mandalà është njëri nga gjurmuesit më të shquar arbëreshë, që një pjesë të madhe të punës së vet studimore ua kushtoi dorëshkrimeve të një varg shkrimtarëve arbëreshë, qoftë ndër arkivat private, qoftë në Bibliotekën mbretërore të Kopenhagës, sidomos të dorëshkrimeve të Giuseppe (Xhuzepe) Gangales[2].

Disa nga botimet më të rëndësishme të përgatitura nga prof. Matteu janë Dorëshkrimit të Kieutit[3],  LucaMatranga, E mbsuame e krështerë[4],veprën e plotë të Zef Skiroit Plakut, i bërë në nëntë vëllime[5], pastaj të poezisë së NkollëKetës[6] etj.

Për përkushtim e parëndomtë të Prof.Mateut në përgatitjen e veprave të shkrimtarëve arbëreshë të Italisë dëshmon dhe vepra e Gavril Darës së Ri “Kënga e sprasme e Balës, e vitit 2007[7], që është botimi më i plotë i kësaj vepre i përcjellë me një studim hyrës, me të dhëna të rëndësishme të veprimtarisë së këtij shkrimtari arbëresh. Ky botim pa asnjë dyshim u hap shtigje të reja studimeve të ardhshme të kësaj vepre.

Në këtë kumtesë po shkëpusë disa vlerësime të prof.Mateut për këtë botim dhe për këtë vepër të Gavril Darës së Ri, “Këngës së sprasme të Balës”, për shumëçka të rëndësishme të letërsisë së arbëreshëve të Italisë e të letërsisë sonë në përgjithësi.

Në fillim të studimit të këtij botimi kritik të “Këngës së Sprasme të Balës” të Gavril Darës së Ri, prof. Matteo thekson interesimin e madhe dhe vlerësimet e shumta që iu bënë kësaj vepre: Në të vërtetë, poema gjatë këtyre pesëdhjetë viteve të fundit ka qenë në qendër të vëmendjes së kritikës. “Po të mbajmë parasysh, qoftë edhe ve­tëm nga pikëpamja sasiore, studimet kritike[8] dhe botimet e shumta që ka njohur, ajo zë vendin e dytë pas kryeveprës së De Radës “Këngët e Mi­losaut”. Në fakt poema e Darës mbetet një nga veprat më të studiuara e më të çmuara të romantizmit arbëresh në Shqipëri, e pranishme në tekstet e të gjitha niveleve shkollore. Ky është një privilegj që nuk e gëzojnë të gjitha veprat e autorëve arbëreshë, si fjala vjen, ato të Zef Skiroit, e që sot shtron nevojën e një botimi kritik më të përshtatshëm e më të plotë se ato të derisotmit, ku të përfshihen të gjitha variantet dorëshkrim qoftë të au­torit, qoftë edhe të atyre, që duke pasur në duar tekstet autografe, u për­poqën të përgatisin një botim të shtypur”.

Duke i analizuar variantet e gjetura në dorëshkrim të kësaj vepre të Darës së Ri, që hedhin dritë në procesin e lindjes dhe të hartimit të saj, prof. Mateo shkruan:

“Korpusi me variantet në dorëshkrim të poemës së Darës përbëhet nga dy dokumente, që ruhen në fondin Albansk Samling, krijuar nga Giu­seppe Gangale pranë Bibliotekës Mbretërore të Kopenhagës. Në vijim do të përshkruajmë aspektet fizike dhe përmbajtjen e këtyre dorëshkrimeve, qoftë sepse përshkrimet e derisotme janë të paplota, qoftë edhe sepse të dhënat që do të nxjerrim në pah do të shërbejnë për analizën e proble­meve që lidhen me datimin, rrjedhën kronologjike, e sidomos me përca­ktimin e autorësisë së tyre. Në lidhje me këtë aspekt të fundit, është vendi të përmendim faktin se pikërisht nga vlerësimet e gabuara të këtyre dorë­shkrimeve, a së paku, të atyre që njihen deri më sot, rrjedhin hipotezat e gabuara përmes së cilave njëri dorëshkrim a tjetri është konsideruar apo­graf ose autograf, duke kompromentuar kështu rindërtimin e saktë të hi­storisë redaksionale të tekstit e duke penguar një vlerësim të ri të gjithë veprës poetike të Gavril Darës”.

Vepra e Darës së Ri pati zgjuar interesim të madh edhe për shkakun se autori i saj thoshte në parathënie se ato ishin këngë të traditës të kënduara nga rapsodi Balë, të gjetura në dorëshkrime të vjetra e jo vepër e hartuar nga ai, siç kishte vepruar më parë edhe Zef Skiroi Plaku me veprën e tij “Rapsodi arbëreshe” të vitit 1878[9]. Pra, “Tri faktet që na jep Dara janë mbajtur, siç e thamë më lart, si misti­fikime letrare, dhe autor i vërtetë i poemës deri më sot është konsideruar vetëm Gavrili i Ri. Mirëpo, hulumtimet tona pranë fondit AlbanskSam­ling kanë nxjerrë në dritë dokumente në dorëshkrim, që jo vetëm konfir­mojnë në pjesën më të madhe deklaratat e Darës, por na detyrojmë të ri­shohim rrënjësisht hipotezat e derisotme. Natyrisht nuk është vendi këtu të trajtojmë fill e për pe këtë çështje. Tash për tash po themi se është ja­shtë çdo dyshimi fakti që Dara përdori disa ‘të dhëna’ të vërteta për të bindur lexuesin se vepra e tij ishte në fakt krijim popullor, përcjellë gojë më gojë brez pas brezi derisa i gjyshi dhe i ati vendosën ta mbledhin dhe ta shkruajnë. Megjithëse nuk është e vërtetë se Gavrili Plaku ishte i pari mbledhës folklori ndër arbëreshët e Sicilisë, është e vërtetë se ai, duke ndjekur së bashku me Xhoakino Kiarkiaro (Gioacchino Chiarchiaro) hullinë e çelur nga Ni­kollë Keta, mblodhi shumë lëndë folklorike një pjesë e së cilës ishte mbledhur edhe nga ky i fundit”, shkruan Mandala.

Në bazë të një studimi të vëmendshëm të varianteve dhe të të dhënave të tjera të“Këngës së sprasme të Balës” të Gavril Darës së Ri, që prof. Matteoi gjeti në dorëshkrim, sjell këtë përfundim, që heq peshë në përcaktimin e burimësisë së kësaj vepre dhe u hap studimeve për këtë vepër rrugë të tjera.

“Mbi bazën e të dhënave të mësipërme, tashmë mund të nxjerrim disa përfundime. Nëse, nga njëra anë, mund t’ia njohim Gavril Darës së Ri autorësinë e poemës që i dha me të drejtë një vend nderi në letërsinë shqipe, nga ana tjetër të atit Andrea duhet t’i njohim meritën e shtysës dhe frymëzimit fillestar ku e zuri fillin kjo vepër. S’ka dyshim se Gavrili i Ri, edhe pse citon fakte dhe personazhe të vërteta, e rindërtoi në mënyrë arbitrare historinë e zanafillës së kësaj poeme. Megjithatë, ky mistifikim nuk u shpik prej tij. Më shumë se nga miti i Osianit, ai u ndikua nga teo­ria estetike e ‘njëmendësisë’, që e përpunoi Alessandro Manzoni, autori më i dashur i Gavrilit të Ri qysh nga vitet e rinisë. Siç dihet, Manzoni mbi bazën e mëtimit se kishte gjetur rastësisht disa dokumente të vjetra shkroi të parin roman historik me peshë të letërsisë italiane. Është fjala për një konceptim të ri, që rrjedh natyrisht prej frymës romantike, por edhe që dallohet prej kësaj fryme, në mos tjetër, nga orvatja për të para­qitur “idealen të lidhur harmonikisht me realen”. Manzoni tha se kishte gjetur në një dorëshkrim të vjetër historinë e dy të rinjve të dashuruar dhe se ai s’kish bërë gjë tjetër veçse i kishte ndrequr paksa gjuhën. Me fjalë të tjera, ‘historia’ ishte shkruar prej të tjerëve dhe i përkiste një periudhe të shkuar historike. Ky mistifikim synonte të fshihte autorin, por jo zanafi­llën historike të rrëfimit. Tek e fundit, nëse e shohim nga pikëpamja kri­tike, epopeja që na përshkruan Gavrili i Ri bazohet në të dhëna historike të dokumentuara, që autori i sjell duke cituar historianë të shumtë, e në këto të dhëna bazohej për të afirmuar njësimin e reales me idealen.

Po e mbyll këtë kumtesë me mendimin se botimi i prof. Matteao Mandalasë Kënga e sprasme e Ballës e Darës i vitit 2007, jo vetëm që ka një vlerë të shumëfishtë, por duhet të shërbejë edhe si model për përgatitjen e botimeve kritike të veprave të shkrimtarëve tanë të traditës.

 Shkup, nëntor 2021


[1] Shih sidomos Gavril Dara i Riu, Kënga e sprasme e Balës. Kthyer në gjuhë të sotme dhe përgatitur me shënime nga Shaban Demiraj. Rilindja, Redaksia e botimeve, Prishtinë 1976.

[2]Shih MatteoMandalà, Për botimin kritik tëKënkës së sprasme të Ballës: shënime fiflologjike paraprake. Në “Studime filologjike”, nr. 3 – 4, Tiranë 2006.

[3] Nicolò Figlia, Il codice Chieutino.A cura di Matteo Mandalà.Istituto di Lingua e Letteratura Albanese della Facoltà di Lettere e Filosofia di Palermo, Comune di Mezzoiuso, 1995.Shih rreth këtij botimi Anton Nikë Berisha, Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Paraqitjen – Presentazione di Domenico Corradini H. Broussard. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2008, f. 37 – 42. Shih dhe ribotimin e kësaj vepre ngaShtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2013, f. 47 – 52.

[4] Luca Matranga, E mbsuame e krështerë. A cura di Matteo Mandalà. Salvatore Sciascia Editore, Caltanissetta, 2004.

[5] Giuseppe Schirò, Opere I – IX. A cura di Matteo Mandalà. Rubbettino. Soveria Mannelli, (Catanzaro, Italia) 1997. Vëllimi IX 1998.

[6] Nicolò Chetta, Testi letterari in albanese. Edizione critica a curi di Matteo Mandalà. Salvatore Sciascia Editore, Caltanissetta, 2004.

[7]Gabriele Dara junior, Kënga e sprasme e Ballës. (Il canto ultimo di Bala). Edizione critica a cura di Matteo Mandalà. Pallazzo Adriano 2007.

[8]Shih Anton Berisha, Kënka e sprasme e Ballës, Problematika e poemësKënka e sprasme e Balësdhe tipare të formës së saj. Në “Studime filologjike”, nr. 2, Tiranë, 1983, f. 25-59. Anton N. Berisha, “Rreth disa kuptimësive kryesore të veprës Kënka e sprasme e Balës. NëLingua, mito, storia, religione culturatradiziona-lenellaletteraturaalbanesedella Rilindja: ilcontributode-gliAlbanesid ’Italia. Atti del XVII

CongressoInternazionale di StudiAlbanesi, Palermo, 1995, pp. 141-150; Shaban Demiraj, Rreth autorësisë së poemës Kënka e sprasme e Balës.Në “Studime Filologjike”, nr. 3-4, Tiranë, 2003, f. 63-74.

[9] Shih më gjerësisht për këtë dukuri Anton Nikë Berisha, Mbi Rapsoditë e De Radës botuar më 1866.  Në Interpretime të letërsisë së arbëreshëvetëItalisë.Paraqitjen – Presentazione di Domenico Corradini H. Broussard. Shtëpiabotuese Faik Konica, Prishtinë 2013, f. 62 – 93, sidomosfaqet 72 – 75.

Shih dhe Prania dhe aspekte të ndikimit të letërsisë gojore Arbëreshe në Kënkën e sprasme të Balës të Darës. Në veprën Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë,vep. e përmendur, 510 – 528.

GAZETARIA SI DËSHMI DHE SI MISION

Qëndrimi i pushtetit ndaj gazetarit, ilustron më së miri natyrën e atij pushtetit. Materiali, që kemi në duar, na ndihmon të kuptojmë më nga afër betejën në mes pushtetit dhe gazetarisë, kurse Dijana Toska , me shembullin e vet personal, dëshmon se kur një gazetari është profesionale, e dinjitetshme dhe e moralshme, patjetër e ka të triumfojë mbi pushtetin.

Ka një distinksion semantik midis të bërit të historisë dhe të shkruarit të saj. Kur e lexoja librin e Dijana Toskës në dorëshkrim, jo rrallë e kisha vështirë të dalloja kufirin në mes të këtyre dy veprimeve diakronike, por të ndërvarura nga njëra tjetra. Si autore e sprovuar në terrenin e vështirë të gazetarisë, me përvojën e reporteres, që kishte provuar paraprakisht trajtat represive të pushtetit milosheviçian, ajo përfshihet në eksplorimin e kohës në një ambient tjetër, të cilin ajo e njihte shumë mirë që nga fëmijëria, duke e vëzhguar atë, por edhe duke u involvuar vetë në situata e rrethana të caktuara, të cilat më vonë do t’i përshkruhen nga pushteti si mëkate, për çka u desh të paguaj mbi kurrizin e saj alibinë e rrejshme të rrezikshmërisë së shtetit.

Qëndrimi i pushtetit ndaj gazetarit, ilustron më së miri natyrën e atij pushtetit. Materiali, që kemi në duar, na ndihmon të kuptojmë më nga afër betejën në mes pushtetit dhe gazetarisë, kurse Dijana Toska , me shembullin e vet personal, dëshmon se kur një gazetari është profesionale, e dinjitetshme dhe e moralshme, patjetër e ka të triumfojë mbi pushtetin. Në kohën kur ajo raportonte nga Maqedonia, me dinamizmin dhe invencionin e saj, si vetë media për të cilën ajo punonte, pushteti e kishte vështirë të kapërdijë fuqinë e ndikimit të saj, ndaj dhe bëri çmos që t’ia pamundësojë punën normale, duke ia mbyllur dyert e institucioneve dhe burimet e shumta të informacionit. Por, ajo që ngeli e pambyllur, ishte e vërteta, pa të cilën gazetaria e Dijanës nuk do ta kishte imazhin, shpirtin dhe përkushtimin e saj.

Tranzicioni demokratik në Maqedoninë e dekadës së fundit të shekullit të kaluar, është harku kohor brenda të cilit lëviz interesimi observues i autores. Produkti publicistiko-dokumentar brenda kopertinave të këtij libri është ngjizur nga gjenealogjia e krizës së një sistemi që po ndërtohej gabimisht. E ndodhur në mes profesionit dhe misionit, autorja, jo vetëm që ka për qëllim t’u japë zë e gojë shumë ngjarjeve e njerëzve, të cilët në rrethana e momente të caktuara e kishin shumë të domosdoshme të dalin nga rrethi i ngushtë i refuzimit politik, shoqëror e psikologjik, por ajo në një plan më të gjerë, po bënte interkonjetkimin e dy epokave brenda një përvoje njerëzore e profesionale.

Biseda të gjalla e autentike, dëshmi për njerëz që ka njohur, bashkëpjesëmarrje në situata e rrethana të lidhura ngusht me punën e saj profesionale, janë tharmi pa të cilin nuk do ta kishim këtë shije e këtë sharm origjinal, që ka gazetaria e Dijana Toskës. Sigurisht, kontributi i saj, jo vetëm profesional, do ta bëjë atë të veçantë në ndërtimin e një karriere me plotë sfida e ndërskamësa, por me shumë energji për t’u dhënë dritë atyre zonave që dikush tinëzisht i errësonte.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në fillim të viteve nëntëdhjetë maqedonasit bënin grabitjen e shtetit vetëm për oreksin e tyre, që Dijana e kualifikon si “nacionalizëm kushtetues”, i qepur vetëm për shtatin e sllavo-maqedonasve. Në aspiratën e tyre grabitëse, klasa e re politike maqedonase po bënte gabimin fatal tek po i përzinte shqiptarët nga bashkëpjesëmarrja në shtendërtimin e Maqedonisë së pavarur, një shtet ky legal, por jolegjitim. Ndonëse shqiptarët, sipas analizës së autores, kishin humbur pjesë nga statusi i tyre juridik e kushtetues me Kushtetutën e vitit 1991, të cilat i gëzonin në kohën e komunizmit me Kushtetutën e vitit 1974, tek ata sërish nuk mungoi sensi pragmatik për të pranuar realitetin e ri që po krijohej me mëvetësimin e Maqe-donisë. Por ky pragmatizëm i shqiptarëve asnjëherë nuk u valorizua drejtë nga politika maqedonase. Përkundrazi, ashtu siç do të zbuloj edhe autorja, kjo politikë, e mbështjellë me gëzofin e butë të tinëzisë gligoroviane, do të manifestojë egërsi e harbutëri në forma e trajta të ndryshme, duke dëshmuar se nuk mund të lirohet plotësisht nga trashëgimia dhe mendësia e shkollës politike të Beogradit. Duke e kontestuar ekuidistancën e Gligoro-vit dhe vizionaritetin e shpifur të tij, Dijana shkruan: “Vizionarët nuk e injorojnë konstelacionin e forcave brendapër-brenda territorit të vet, por hartojnë së bashku strategji shtetërore për zhvillim dhe integrim rajonal e euroatlantik”.

Një favor tjetër, që përdorte autorja sa herë që problematizonte defektet e shtendërtimit maqedonas, ishte njohja e saj solide me rrënjët e maqedonizmit të mohuar, si pasojë e tendencave negato-re të fqinjëve. Problemet e identitetit maqedonas, siç ishin gjuha, kisha, emri, më vonë do të shndërrohen në kompleks identiteti, ndonëse i kishte të gjitha atributet e një kompleksi inferioriteti. Klasa e re politike maqedonase, siç vëren autorja, pa hezituar e inkorporoi pikërisht këtë kompleks identiteti në platformën e veprimit të saj politik e kushtetues dhe kështu ajo u bë alfa dhe omega e zhvillimeve shtetërore. Ishte pikërisht kjo platformë nacionaliste maqedonase shkaku i nxitjes së efekteve dominoi edhe në kampusin politik e intelektual shqiptar sipas kauzës së demonstruar kombëtare, duke organizuar projekte konkrete poli-tike, siç ishte “Autonomia politike – territoriale e shqiptarëve të Maqedonisë”, në janar të vitit 1992.

“Demokracia paraqet organizim të mosmarrëveshjeve, por a ka demokratë në Ballkan?”, ishte dilema e një diplomati francez në Shkup, të cilin Dijana e kishte parafrazuar në reportazhet e saja.

Prishja e imazhit idilik për Maqedoninë, e cila proklamohej si gjoja një “oazë paqeje” dhe komunikimi me shumë probleme në mes shqiptarëve dhe maqedonasve, kishte aktivizuar edhe diplo-macinë ndërkombëtare përmes formave e mekanizmave të ndryshëm, siç ishin Konferenca e Caringtonit – 1991, Misioni i zgjeruar i KSBE-së – 1992, UNPROFR – 1992. Në vitin 1992 ishte krijuar edhe Konferenca ndërkombëtare e Gjenevës për Ish-Jugosllavinë me arsyetimin se “duhet treguar vëmendje të vazhdueshme ndaj shqiptarëve”. Por, siç do të evidencojë autorja, diplomacia ndërkombëtare pranonte se kishte dështuar në të kuptuarit e gjendjes së vërtetë, sepse më tepër ishte marrë me gjetjen e zgjidhjes rreth emrit të Maqedonisë se sa i kishte kushtuar vëmendjen e duhur çështjes shqiptare në Maqedoni. Por, sipas autores, nuk ishte vetëm ky shkaku i dështimit të diplo-macisë ndërkombëtare. Pas intervistave, që kishte pasur ajo me disa diplomatë të huaj në Shkup, kishte arritur të kuptojë se edhe përçarja e vetë shqiptarëve kishte dekurajuar aksionet monito-ruese dhe ndërmjetësuese të ndërkombëtarëve.

Maqedonia, si shtet i posaformuar, me të gjitha atributet e shtetit unitar dhe përjashtues ndaj jomaqedonasve, do të futet në notesin gazetaresk të Dijanës si një realitet që kërkonte qasje jo vetëm profesionale, por edhe vullnet e përkushtim për të mos u dorëzuar para atyre që ishin shumë të interesuar për një Maqedoni pa dioptrinë e objektivitetit dhe ndërkombëtarizimin e defekteve shtetformuese që po shfaqeshin në rrrugë e sipër. Tani kur rekapitulojmë këmbëngultësinë profesionale të një gazetareje në formë të këtij botimi, që po vjen si jehonë e një procesi dhe një kronike ngjarjesh dramatike të ndodhura para njëzetë vitesh, s’ka si të mos na shkojë mendja të përkujtojmë brezin e tanishëm se gazetaria shqipe e asaj kohe do të dilte e paplotë në stilin, bindshmërinë dhe ndikimin e saj pa një emër, që sot është kurora e pavyshkur e këtij libri.

Institucionalizimi i barazisë etnike të shqiptarëve përmes betejave të vështira politike, të përcjella me përçarje e keqku-ptime të brendshme në momentet më vendimtare, si dhe ndërko-mbëtarizimi i këtyre betejave përmes konferencave e komuni-kimeve intensive me përfaqësuesit e diplomacisë së huaj, është fija lidhëse që bashkon strukturën e këtij libri. Në këtë sens, autorja me mjaft kujdes i është qasur momenteve delikate që përshkoi veprimin politik të shqiptarëve, duke mos lënë pa evidencuar përçarjen më të madhe që po inskenohej në formë të Kalit të Trojës, fillimisht në rrafshin politik, e pastaj në atë fetar. Kjo përçarje i dha krah politikës maqedonase që të fus nën rrotat e kohezionit brendashqiptar shkopinj që do ta paralizonte ecjen normale të tyre, duke montuar edhe afera të ndryshme. Mjafton të përmendet e ashtuquajtura “afera e armëve”. Ideimi i kësaj afere, filloi si marrëveshje ndërmjet qeverisë së Maqedonisë dhe udhëheqësve shqiptarë, e cila, më pas, u degradua nga të dyja palët. Marrëveshja konsistonte në organizimin e aktiviteteve vetëmbrojtëse, si parapërgatitje para dhe pas largimit të APJ-së nga territori i Maqedonisë. Këto aktivitete “vetëmbrojtëse” atëbotë ishin mbështetur edhe nga kryeministri Klusev, si reagim ndaj ndonjë provokimi eventual të armatosur, që mund të shkaktonte APJ-ja, ku mund të rrezikoheshin edhe shqiptarët, para apo gjatë largimit nga territori i Maqedonisë. Por, asnjëherë nuk u sqarua deri në fund se çka ndodhi rrugës së realizimit të këtij plani të politikanëve shqiptarë për ta mbrojtur popullin e vet? Pse u lejua që kjo ide fisnike të dalë nga kontrolli? Pse pas largimit të APJ-së nuk u shua organizimi për vetëmbrojtje, ashtu siç ishin marrë vesh me qeverinë e Maqedonisë? Janë këto pyetje që autorja i bën, përgjigja eventuale ndaj të cilave do të zbulonte shumë mistere e prapaskena. Por, në  vend të përgjigjes konkrete, pasonte konstatimi se ndodhi tradhtia e trianshme: nga Shqipëria, nga qeveria e Maqedonisë dhe nga vetvetja. Këtë konstatim autorja e mbështet në një bashkëbisedim me një nga protagonistët kryesor të atyre ngjarjeve në estabilishmentitn politik të shqiptarëve të Maqedonisë.

Në kërkim të përgjigjeve të mprehta e delikate, të ndërlidhura me dilemat e sipërpërmendura, me vëmendjen e hollë të vrojtueses së situatave e anktheve të kohës, Dijana zbulon edhe  një fakt tronditës: në momentin më kritik të zhvillimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni, mungonte përkrahja e shtetit shqiptar, kurse Kosova me hallet e veta tregohej e pafuqishme. Zbulohet njëfarë refuzimi absurd i Shqipërisë politike për të pranuar realitetin se edhe në Maqedoni po lëshonte shtat një trung autonom politik, kurse kjo mbështetet në parafrazimin nga autorja të një politikani nga Tirana, i cili citohet të ketë thënë se mjafton një parti e fuqishme në Shqipëri dhe një në Kosovë, por jo edhe në Maqedoni, sepse për këtë atje nuk ka nevojë!

I kompozuar në formë të skenave lëvizëse, që përbënin mozaikun e gjerë të zhvillimeve, libri vazhdon me ngjarjet tragjike të Bit Pazarit, ku u vranë nga policia 3 shqiptarë dhe një grua maqedonase. Kjo, sipas autores, u kualifikua si hakmarrje e pushtetit kundër shqiptarëve për aktvitetet vetëmbrojtëse, por edhe si goditje ndaj kapaciteteve organizative të shqiptarëve, e që në atë kohë shikoheshin si kërcënim për qëndrueshmërinë e brishtë të shtetit të sapoformuar.

Gjuha e fakteve, standard ky i njohur për medien, ku punonte autorja, e që vinte nga puna në terren dhe nga kujdesi i baraspeshimit, e shtonte kuotën e besueshmërisë në publik. Audienca ishte e prirë t’i besonte Dijanës për dy arsye: e para, i thoshte gjërat me tërë lakuriqësinë e tyre, shpesh të padëshirueshme për njerëz e qarqe të caktuara të asaj kohe dhe, e dyta, jehona e asaj që ajo raportonte, artikulohej në një medie të fuqishme ndërkombëtare, siç ishte “Zëri i Amerikës”, një stacion i fuqishëm që rrezatonte jo vetëm profesionalizëm të lartë, por edhe kurajo e shpresë për të gjithë ata që pritnin ndryshimet e radhës.

Prandaj, edhe pësimet për shkak të profesionit të gazetarisë, që erdhën më vonë, Dijana do t’i marrë si vlerësim të tërthortë për punën që kishte bërë dhe askush, më mirë se një pushtet autoritar, me paditurinë dhe despotizmin e tij, nuk do të dijë ta shtojë ndikimin e një gazetari në publik, siç ndodhi kjo me Dijana Toskën, e cila për një kohë jo shumë të gjatë u shndërrua në ikonë të admirimit gjithëpopullor. Pikërisht kjo i shërbeu Dijanës për ta relaksuar, herë-herë, gjuhën e diskursit profesional me pikanteri të lezetshme nga terreni i humorit e të batutave.

Konfrontimi aspiratës etnocentrike të maqedonasve për të bërë shtet sipas modelit të tyre njënacional dhe kauzës imediate të shqiptarëve për të institucionalizuar statusin e gjuhës, univer-sitetit, përfaqësimit, vendimarrjes etj., përbën bërthamën e një fabule të gjatë gazetareske. Në kohën kur po ndodhte ky konfrontim, jo të gjitha mediet dhe gazetarët ishin në anën e së vërtetës. Njëanshmëria dhe joobjektiviteti i një tufe gazetarësh, të kontrolluar nga shteti, kishte rrezik të devijonte vëmendjen e publikut, ndërkohë që paraqitja e Dijana Toskës në ato vite ishte një alternativë e guximshme mediatike e politike. Prandaj, edhe ky libër, aq sa është një shirit i incizuar memoriesh për një kohë e një proces, po aq është edhe traktat në formë manuali për metodën e punës së një gazetareje model.

Në luftën e pareshtur për të fituar eksluzivitetin e lajmit, Dijana ka mishëruar në raportimin e saj autenticitetin, por edhe dramaticitetin e ngjarjeve. Mbulimi i disa ngjarjeve, që do të shënojnë vulën e ndasive brendashqiptare, siç ishte raportimi për kongreset paralele të PPD-së në Tetovë, zbulojnë edhe karakterin despotik të parashoqërisë shqiptare, që erdhi në formë kërcënimesh shqipfolësish për raportimet profesionale. Dikush, dëshironte që krizën e vlerave etike në politikë ta barte edhe në gazetari, duke i imponuar kësaj të fundit uniformitetin dhe njëtrajtshmërinë, përpjekje kjo që doli e dështuar në punën e Dijana Toskës.

Por, kryesfida e atyre viteve ishte raportimi disa ditësh e disa javësh mbi zhvillimet për hapjen e Universitetit të Tetovës, e që do të bëjnë jehohë të madhe në opinionin publik, kurse zgjuarsia e Dijanës për të prezantuar këto ngjarje në formatin sa më origjinal, është bazuar jo rrallë edhe mbi imagjinatën krijuese të reporteres, e cila ka qenë jashtëzakonisht e interesuar që t’i lidhë protagonistët e ngjarjeve me interesimin e publikut. Përshkrimi i detajuar i atmosferës tensionuese, ditën kur në Reçicë të Vogël publikisht dhe solemnisht hapet UT, që për snajperistët maqe-donas, siç thoshte ajo, ky ishte fillimi fundit të Maqedonisë, i jep gazetarisë, që kultivonte autorja, statusin e një profesioni, që po dilte nga kallëpet e burokratizuara, në botën e lirë të mediatizimit dhe globalizimit. Universiteti i Tetovës ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare në botë për shkak të dramës që përjetoi nga represioni policor maqedonas, por edhe për shkak të raportimeve të këtilla gazetareske.

Pa një gazetari të tillë, zaten, nuk do të mund t’i çirrej maska pseudodemokracisë maqedonase, ndërkohë që vetë Universiteti i Tetovës, si vlerë embrionale në shtetformësinë e shqiptarëve, bëri që  Maqedonia, si shtet, të binte në konflikt me vlerat civilizuese europiane.

Shkupi, si vendtakim  i diplomatëve dhe i aktivistëve të të drejtave të njeriut, do të kontekstualizohet mjaft gjindshëm në gazetarinë e Dijanës, e cila diti mjaft mirë ta përdorë edhe zgjuarsinë e saj mediative e lobuese në favor të çështjes së pazgjidhur të Kosovës.

Bashkëbiseduesit e saj, të cilët më vonë ishin bërë edhe miq shtëpie të saj, do të artikulonin në publik zërin e munguar të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përtej kornizave të ngushta të një reportereje, ajo kishte skicuar sinopsisin e angazhimeve kombëtare, duke gjetur mundësinë për t’iu dhënë hapësirë publike zërave që vinin nga Kosova në Maqedoni (Agani, Bakalli, Ramajli etj.) Ndonjëri prej tyre, nuk do ta fshehë edhe falën-derimin publik për kontributin që kishte dhënë ajo në ndërko-mbëtarizimin e çështjes së Kosovës.

Ajo që nuk do të mund të ngelë pa u përfshi në këtë libër, ishte aktivistja e madhe e përmasave botërore, Kristinë Von Khol. Largimin e saj nga Shkupi, në mars 1994, pas një qëndrimi disa ditësh, ku ishte marrë me fatin e të rinjve shqiptarë të Kosovës, që po i iknin gjahut të soldateskës serbe, Dijana do ta regjistrojë bashkë me porosinë impresionuese që mikja nga Vjena i kishte lënë asaj: “Ti ndiqe lirinë që kaq shumë e do. Mos u ndal para kritikave, rrëmujave e ndërskamësave, që t’i krijojnë ndonjëherë edhe ata që më së paku e pret. Përpiqu t’i sfidosh duke pasur gjithnjë në mendje se në beteja të rënda zhurmë bëjnë vetëm ata që mbeten në publik, e jo lojtarët. Këtë mos e harro kurrë, mikja ime”.

Për të plotësuar përshtypjet e tij dhe për të sistemuar ato në një mbamendje më të gjatë, lexuesi i këtij libri do të duhej të jetë i privilegjuar pasi që në dorë do të ketë një material mjaft autentik që, si një premierë, do të shfaqë edhe disa nga temat e qasjet që përshkonin dekadën e fundit të shekullit të kaluar, siç ishin: Skanimi i kujtesës së një populli, që vinte nga perandoria jugosllave në kasabanë politike maqedonase, diversiteti shqipta-ro-maqedonas i karakterit urban e social në Shkup, dilemat e intelektualëve shqiptarë dhe optimizmi i mbështjellë me naivitet i politikanëve, papërvoja shtetërore e institucionale e politikanëve shqiptarë, “muratorët” hileçarë, që po e ndërtonin shtetin bazuar mbi mitologjinë e një historie inekzistente, margjinalizimi i Shkupit, si qendër politike, kulturore e arsimore e shqiptarëve dhe favorizimi i Tetovës për efekte elektorale, pasojat e lënies pa shtetësi të mbi 100 mijë shqiptarëve, dimensionet e shumanshme të përçarjes në komunitetin mysliman në Maqedoni dhe involvimi i drejtpërdrejtë i segmenteve policore në këtë përçarje, roli i medies dhe i gazetarisë në sensibilizimin e publikut për probleme të caktuara, investigimi i gjithanshëm i atentatit të Gligorovit, me të gjitha prapaskenat, hijet e misteret që e përcollën këtë ngjarje, pikanteritë e shumta, që përshkohen që nga ajo letra imagjinare nga banja e Dibrës.

Pastaj, atmosfera e ngrohtë me Rugovën natën e Kërshën-dellave, plasticiteti i një situate komike në një dasmë në Tetovë, drama personale e familjare e Dijana Toskës, si pasojë e të qenit të saj në anën e raportimit profesional, largimi nga Shkupi dhe rikthimi në Prishtinë etj.

 Dhjetor, 2013

“KIRURGJIA” POETIKE E SHPIRTIT NJERËZOR


(Mbresa leximi të vëllimit poetik ‘Sentimente dhe dhembje’ të autores, Shpresa Purde Memedi)

Paraqitjet letrare të autorëve zakonisht sjellin me vete edhe pyetjet që ndërlidhen me formimin e tyre krijues. Pretendimi për të njohur një autor vetëm përmes një vepre, është i pamundur, prandaj studiuesit zakonisht përcaktohen që njohjen me autorin ta bëjnë përmes veprave të caktuara. Kësaj radhe edhe ne do të dilnim të pasuksesshëm sikur të pretendonim në njohjen totale të autores Shpresa Purde Memedi, për arsye se opusi i saj është më i gjerë, por edhe botvështrimi del të jetë më heterogjen, si në pikëpamje të vokacionit krijues, por edhe në pikëpamje të pasurisë zhanrore që ajo e kultivon tash e sa vite.Tash së fundmi ajo është paraqitur me vëllimin poetik ‘Sentimente dhe dhembje’, titull ky që të udhëzon në vetë kontrastin që formon sinta-gmën  me kuptime polivanlente gjuhësore e figurative.

Ky libër është i ndarë në dy cikle apo kapituj ‘Poezi sentime-ntesh’ dhe ‘Poezi dhembjesh’ dhe ky organizim i brendshëm i vëllimit poetik na sugjeron të udhëtojmë më lehtë në botën komplekse, por mjaft dinamike të subjektit lirik, i cili herë identifikohet me vetë autoren, herë gjen një alter ego për të shprehur gjendje të ndryshme shpirtërore, por edhe kontekste të caktuara sociale e emocionale. Sidomos te cikli i dytë kemi një shpërthim të gjendjes emocionale në kufijtë e dhembjes, por ajo që bie në sy te kjo formë e tematizimit të ngjarjeve, figurave e personazheve është prirja e autores për të mbajtur të ndezur pasionin e njeriut që bashkë me vuajtjen e bën më të afërt të panjohurën e shpirtit njerëzor.

Sentimentet dhe dhembjet në këtë vëllim poetik e kanë shtratin e tyre të ngjizjes dhe formimit, kurse autorja përmes realiteteve figurative që i ndërton në formë të verbit poetik dëshmon se poezia megjithatë duhet lindur nga të jetuarit me temat që ajo I trajton. Për rrjedhojë del që kjo është një poezi e jetuar dhe përjetuar. Shkrirja e kohës dhe hapësirës në një sentiment të vetëm arrihet vetëm duke qenë në kontakt me botën shpirtërore që na imponon autorja, ndonëse ky konfigurim i brendshëm shpirtëror del me ngjyrime të forta emocionale, teksa del që ‘të vetmuar jemi, nën kthetrat e alegorisë’, ose ‘mbas tryezës zemra shandan ngrirë/ Gjithnjë qëndron bosh!’. (Gotë boshe)Materia e boshësisë shpirtërore në poezinë e Shpresës merr trajtat e dilemave e hezitimeve që ka subjekti lirik i cili ‘mbështjellë rri,/ në kristale me gurë të çmuar. /Kjo gotë bosh në duar./Frymë e mekur në trup/Të huaj! (Gotë boshe). Autorja udhëton në kohën e saj të kërkimit, që vetëm me poezi mund ta gejë atë që i mungon shpirtit të trazuar. Prandaj mund të thuhet se kjo është poezi në shërbim të kontemplimit shpirtëror dhe për rrjedhojë poezia na paraqitet  si kompensim i materialitetit dhe prozaizmit jetësor.

‘Dita lind,
Pa mos perënduar, VARROSET
Ndër krahët e zeza të një femre
Si një lëndim në përpëlitje
Si njël helm që s’do përkulje
Në duar, pelin, përplot mbushur!’

                                                      (Ndër krahët e zeza)

Është pra ky një realitet në formë të pëlhurës së dendur që fshihet pas trilleve të jetës së mbushur plot me pasione, por që del zbuluar nga ‘kirurgjia’ poetike e autores. ‘Nën këtë dimër,/ nën këtë acar/Vello kadife mëndafsh i paparë/ Dallgë shumë! Kuq!Nën këta damarë/Dëbora kurorë në këtë imagjinar!/ (Puthja e djallit)

Formati krijues i Shpresa Purde Memedit do të dilte i mangët sikur të mos vërenim se në verbin e saj poetik mplekset një figurshmëri e pasur gjuhësore që sendërtohet së brendshmi përmes arkitekturës lirike. Ajo në këtë vepër vjen me përvojën e një mjeshtreje që ka zotëron prirjen për të krijuar figura që shpupurisin ‘hirin’ e një zjarri gjysmë të shuar, si dhe figura që paralajmërojnë dallgët e larta të timbrit emocional. Kjo prirje e autores vjen duke e shoqëruar pasurinë tematike me gjetjen e pikës kulmore të dramacitetit shpirtëror përmes sintagmave poetike ‘ndjenja pa mëngë’, ‘xhamëzohet shpirti’, ‘dëfrim i pathurur’ , ‘dantellë mashtrimi’ etj.

Poezia shqipe po pasurohet edhe me një individualitet krijues që ecjen dhe zhvillimin po e bën me këmbë të sigurta, kurse vëllimi që kemi në duar ‘Sentimente dhe dhembje’ vërteton këtë konstatim, duke i garantuar Shpresa Purde Memedit ardhmëri letrare.

                                                                   12 shtator2019

ESEISTIKA NË LABORATORIN  KRIJUES TË  SHKRIMTARIT ISMAIL KADARE

(Ose: Statusi i mendimitarit që i përdor syzet e shkrimtarit)


 Funksioni i shkrimit të esesë në epokën moderne, siç mund të vërehet edhe në diskursi esesitik të Ismail Kadaresë, e ndihmon qarkullimin kulturor dhe bëhet pjesë e kujtesës njerëzore.
Eskili, Dante, Shekspiri, Migjeni, Angjelin Perlocaj, Omer Kaleshi,  vijnë në optikën gati flimike në esetë e Kadaresë, dhe kështu, ata duke u liruar nga parzmoret e ngushta të historisë, zbresin në realitetin tonë si personazhe reale, me të cilët mund të vendosim një komunikim të ri dhe shumë intereaktiv. Eseja ka kohë që ka pushuar së qeni një zhanër dytësor, prandaj të gjithë këta personazhe në esetë e Kadaresë janë produkt i të menduarit modern për letërsinë dhe jetën, për letërsinë dhe pushtetin, për letërsinë dhe bashkëkohësinë.

Vlera e letërsisë, thoshte shkrimtari amerikano-hebraik  Isac Bashevis Singer,  nuk është vetëm aftësia e saj për të argëtuar lexuesit dhe për t’u mësuar atyre diçka, por si në sport – ajo është një sfidë intelektuale.

 “Edhe nëse mund të shpiknim një makinë që do të na jepte raporte të sakta të asaj që përjetuan Raskolnikov, Madame Bovary dhe Anna Karenina, do të ishte ende interesante të dinim nëse mund të bëhej me stilolaps në letër”, shkruante Singer në esenë  e tij “Kujt i duhet letërsia?”.

Në të gjitha esetë e Kadaresë, kemi një sfidë të përhershme të receptimit të veprës letrare nga një nivel tjetër i të kuptuarit të raportit në mes të esesë dhe letërsisë, si një favor metodik- interpretues i veprës letrare në kohë dhe rrethana të ndryrshme, sepse siç argumenton  përfaqësuesi më i rëndësishëm i teorisë së receptimit, Hans-Robert Jaus (Jauß), një vepër letrare në epoka të ndryshme provokon gjithmonë një reagim të ndryshëm. Lexuesit në epoka të tjera e përditësojnë veprën me ndihmën e konventave të ndryshme të leximit dhe në një kontekst të ndryshëm kulturor. Prandaj Jaus prezantoi termin “horizont i pritjeve” si një sistem vazhdimisht në ndryshim të presupozimeve të lexuesit mbi të cilin bazohet receptimi i një teksti letrar. Si “një shumatore e bindjeve të lexuesit që e mundësojnë marrjen e një vepre të caktuar”, horizonti i pritshmërive konfirmohet dhe zgjerohet vazhdimisht, një proces ky kreativ që ndodhë edhe me lexuesin e eseve të Kadaresë. Kjo edhe për faktin se lënda e studimit të historisë së receptimit është përshkrimi i ndryshimeve historike të llojeve të ndryshme të proceseve të pritjes, që vijnë edhe në formë të arketipeve letrare-eseistike të Kadaresë, duke filluar nga periudha më e hershme letërsisë antike greke, deri te kohët moderne, kur letërsia përveç që prodhon atmosferë dhe dikton tempo zhvillimi në kulturë dhe shoqëri përgjithsësisht, bëhet edhe katalizatore e raporteve në mes të shkrimtarit dhe pushtetit.

Efekti që vjen si jehonë e ndikimit dhe receptivitetit të eseve të Kadaresë, ndonëse të palexuar dhe studiuar sa duhet, po ndodhë në kohën kur kritika letrare nuk po e ndjek më, si më parë, dinamikën e prodhimit letrar. Por do të ishte e pafalshme  t’iu japim eseve të Kadaresë, atributet që s’i kanë, dhe për rrjedhojë në asnjë mënyrë esistikën e tij  nuk duhet kuptuar si kompenzim i hapit të humbur të kritikës letrare ndër ne, e cila kishte një rol të rëndësishëm, ndërkohë që sot mungon zëri i  kritikës serioze letrare. Rolin e saj e morën pjesërisht shërbimet e marketingut të shtëpive botuese dhe mediave elektronike, dhe në pjesën tjetër ajo u zhvendos dhe u kufizua në katedra  fakultetesh e institutesh. Me fjalë të tjera, industria i librit i bluajti ambicjet e individëve për t’u marrë me kritikë letrarere, ose siç do të shkruante dikur Gjorgj Orveli se “koha jonë nuk është një kohë paqeje, as kritike e mirë”. Por kjo është një temë tjetër, që kërkon një angazhim dhe një vëmendje tjetër.

Kadare i qaset me një stil origjinal shkrimit të esesë, madje mund të thuhet se ai është promotor i një stili të veçantë të shkrimit të esesë. Mënyra si e shkruan Kadare esenë të bën ta perceptosh atë si letërsi e mirëfillt dhe ambicioze. Autonominë e mendimit të tij për letërsinë,  Kadare e shpreh përmes esesë, me çka konfirmohet bindja se kufiri në mes të letërsisë dhe eseistikës nuk vendoset për të krijuar një distancim zhanror, por për ta kuptuar letërsinë si njlë shkollë të posaçme leximi dhe mendimi.

Raporti në mes të Kadaresë shkrimtar dhe Kadaresë eseist, nuk është një raport i thjeshtë në mes të dy personave që luajnë shah në tabela të ndryshme.  Ky raport më tepër është një process që e bën më të plotë portretin krijues të Kadaresë, i cili me esetë e tij “Eskili ky humbës i madh”, “Hamleti, Princi i vështirë“, “Dantja i pashmangshëm”,  “Autobiografia e popullit në vargje”, “Pesha e kryqit”,  “Don Kishoti në Ballkan” “Mosmarrëveshja”, “Kusheriri i engjujve”, “Unaza në kthetra”, ai sikur konfimronte atë që Italo Calvino  besonte se letërsia duhet të jetë ambicioze, siç janë tepër ambicioe edhe veprat që merr në shqyrtim Kadare,  dhe të synojë atë që është përtej asaj që ekziston. Sipas Calvinos letërsia kishte një qëllim të madh – se, në fakt, pa një qëllim të madh, letërsia nuk kishte asnjë arsye të vërtetë të ekzistonte. “Vetëm nëse shkrimtarët i ngarkojnë vetes detyra që askush tjetër nuk guxon t’i imagjinojë, letërsia do të ketë një funksion”, do të shprehet Calvino.

Po të ndjekim elegancën e formulimit stilstik të eseve të Kadaresë, do të vërejmë se funksioni i shkrimit të eseve të tij është i dyfisht – nga njëra anë, Kadare punon për zbërthimin e formave të kornizuara të mendimieve  dhe nga ana tjetër, duke inskenuar ndërvarësinë e  mendimeve dhe stilit të gjuhës, krijon arketipe sa imagjinare, po aq edhe reale. Këtu mbase mund të ketë mbështetje parafrazimi i Borhesit, i cili duke iu referuar Shopenhauerit , thoshte se ai ka besuar se jeta reale dhe letërsia janë faqe të të njejtit libër, se zakonisht quhet jetë reale çdo  lexim që i jep emër ëndrrës, gjithçka që shkund mospërfilljen dhe limontinë.

Në këtë frymë, teoricienti kroat i letërsisë Milivoj Solar do ta quajë esenë “një lojë me të vërtetat”, një formë e të menduarit ku shprehja nuk mund të ndahet nga përmbajtja, por e vërteta zbulohet në vetë prezantimin. Solar shkruan: “Eseja është një kritikë e brendshme e idesë se mendimi është pa formë, ashtu siç ka një kritikë ndaj idesë se arti nuk ka lidhje me mendimin.”
Si do të shkruante dikush për Eskilin, Danten, apo Hamletin, po të mos ishte shkrimtar? Kjo pyetje na shpie te konstatimi se laboratori i shkrimtarit Kadare ta kujton laboratorin e Borhesit , sepse vetëm një shkrimtar si Kadare mund të na sjell një Eskil, një Dante të veshur me rrobat moderne të receptimit aktual.
S’do mend se Kadare, esetë i shkruan si shkrimtar, por kjo nuk mjafton për të dekoduar një sistem të tërë gjurmësh dhe mendi-mesh në hartën e gjerë të hermenautikës së shkrimit. Kur i lexojmë esetë e Kadaresë që kanë në fokus figura të mëdha të letërsisë dhe kulturës botërore, sikur na tërheq magjia e imazhit që na krijohet në formë të një shiriti filmik dhe kjo  nuk mund të arrihet pa një fermentim të sukseshëm të gjuhës së figurshme letrare e cila dikursit eseitik i jep fuqinë e përfytyrimit imazherik të njerëzve, ngjarjeve e sendeve. Ky madje është ai  peni i hollë që mban të lidhur esenë me letërsinë e Kadaresë

Për rrjedhojë, vetvetiu lind pyetja se si do ta përshkruante portretin shpirtëror dhe fizik të Eskilit, bie fjala, një filozof, apo një historian? A do t’i përdorte veglat e njejta të figurshshmërisë gjuhësore- stilistike, sikur Kadareja ynë?

Këtu, mbase, mund të qëndrojë përparësia e tij për të komunikuar lirshëm edhe me lexuesin e huaj, i cili kur i lexon esetë e Kadresë, sidomos ato me tematikë universale, e përjeton këtë akt receptimi si komunkim estetik me një autor vendës. Prandaj, Kadare në fushën e receptivietit mund të përjetohet si autor vendës në çfarëdolloj hapësire kulturore qoftë.Si do të dukej shkrimtari Kadare nëse nuk do të ishte në një bashkëshoqërim me Kadarenë eseisit (mendimtar), ose çka e bënë të njejtë dhe të ndryshëm  Kadarenë nga eseistët tjerë?

Duke qenë një lexues dhe ndjekës profesional i shkollës së mendimit esesitik të Konicës, Mithat Frashërit, Nolit, Branko Merxhanit, Fishtës, Koliqit etj, Ismail Kadare me mënyrën se si e shkruan esenë, na bënë ta perceptojmë atë si letërsi e mirëfillt. Një lexim ndryshe i letërsisë dhe autorëve të caktuar (Eskili, Dante, Servantesi, Shekspiri, Migjeni etj.), i ka dhënë Kadaresë statusin e mendimitarit që i përdor syzat e shkrimtarit për t’i diferencuar temat dhe idetë që kanë një pikëmbështetje specifike të vrojtimit të gjërave. Kjo edhe për faktin se liria e shprehjes në letërisë (përmes gjuhës së  figurshme) ndryshe nga liria e shprehjes në ese (argumentimi, mendimtaria et,) krijon një dihotomi konceptesh krijuese e refleksionesh brenda të njejtit laborator krijues.
Por, s’do mend se ky sinkretizëm në mes të letërsisë dhe esesë në procesin e komunikimit dhe interaktivitetit ka ngritur jo pa arsye nevojën që të flasim për tipologjinë e lexuesit, ose a dallon lexuesi i letërsisë së Kadaresë nga lexuesi i eseve të tij?

Pse ka nevojë të bëhet kjo tipologji? Parasegjithash,  pasi t’i kemi lexuar të gjitha esetë e Kadaresë, mund të vijmë në një pike orientuese që na ndihmon t’iu përgjigjemi pyetjeve paraprake dhe për rrjedhojë mund të themi se edhe esetë edhe letërsia e Kada-resë,  kanë  gati të njejtit lexues, por , do të thoshim, nuk janë të njejtë navigatorët receptivë të leximit. Aftësia transformuese e strategjisë receptive të Kadaresë,  ka bërë që lexuesin ta udhëzojë dhe ta bëjë bashkëshoqërues në krijimin botëkuptimor të gjërave dhe jo rastësisht nga Kadare mësojmë se ku e kanë burimin shumica e fenomeneve filozofike e historiko-politike.

Eseja, një lexim i letërsisë por me syza tjera. Ky formulim pak a shumë edhe hipotetik që mund t’i përshtatet profilit krijues të Kadresë, na shpie te një çështje tjetër që kërkon shpjegimin se si është marrëdhënia e Kadaresë me personazhet që i ka objekt shkrimi në ese dhe si është kjo marrëdhënie në letërsi?

Duke i ridefinuar marrëdhëniet e tij me personazhet e eseut, Kadare në një bashkëbisedim me Jorina Shkreta Kryeziu, ndër të tjera thotë: “Tek “Eskili, ky humbës i madh” është tërë mendimi im për familjen universale të letërsisë botërore. Te “Hamleti, një princ i vështirë“ kam trajtuar Hamletin lidhur me Shqipërinë, me njeriun shqiptar, me gjakësin, me atë që thatë ju, me Gjorgun që ra përtokë, ai është një lloj Hamleti dhe jam nisur nga reportazhi i fundviteve ’30-të të një gazetari të famshëm amerikan. Ai ka ardhur në vendin më 39-tën dhe ka bërë një reportazh ku thotë se Shqipëria është një zonël hamletiane. Kam njohur hamletë, dhe e ka fjalën për gjakësit, deri në oborrin e Zogut. Historia e Hamletit është një vetë histori gjakmarrjesh sikurse Orestia .“ (Jorina Shkreta Kryeziu, Bibliografi 1).

“Don Kishoti, jo më libër, por heroi i tij, vazhdon të gjendet kështu midis vringëllimes së shpatës dhe zhurmës së marrëzisë. Përfundimi i “kësaj dalje të fundit” të Don Kishotit. Është më se i pikëllueshëm. Ashtu si më parë, ndonëse në kulmin e namit të tij, Don Kishoti del përsëri i humbur. Të gjithë ata personazhe që krahasohen me të, e sidomos politikanët, nuk janë veçse njerëz të vesit e krimit, thënë shkurt, ca horra që nuk kanë asnjë grimë nga fisnikëria e hidalgos “(“Don Kishoti në Ballkan”, fq. 583) 

Kadaresë i nevojitet një detaj në esenë e tij të përshkruaj karakterin (tipologjinë karakterologjike) të njerëzve që merren me politikë…Ndoshta këtë lehtësi dhe komoditet nuk do ta kishte në letërsi…Këto janë personazhe që Kadare i gjen në letërsi, histori apo filozofi, por ato i kontekstualizon në një realitet dhe aktualitet të caktuar. Ky është një prej favoreve që ka eseja ka kundrejt kritikës letrare. Kjo e fundit nuk bën zhvendosje parametrash dhe kontekstesh estetike-historike , një përparësi kjo që ka eseja…

Kur e lexojmë esenë “Hamleti, një princ i vështirë”, Kadareja guxon të shkel kufijtë e eksplikimit që nuk do të guxonte t’i shkelte një kritik apo studiues i letërsisë. Duke e kundruar Hamletin si një personazh edhe si një Princ danez, sikur ka dashur të na thotë se personazhet e famshëm të historisë së letërsisë, shumë shpejt (lehtë) mund të kthehen në personazhe me artikulim aktual. Jo rastësisht përdoret sintagma “dilema hamletiane” për të treguar se fuqinë e letërsisë nuk e përkufizojmë vetëm brenda kodeve rrezatuese – hermenautike, por e kuptojmë edhe si terapi kulturologjike.

Të gjitha këto atribute të letërsisë, më mire se në shtratin e esesë, askund tjetër nuk do të mund të gjenin veten.

“Duam ta shohim të zbehtë e të menduar, mbështjellë me pelerinë princi, kurse ai vërtitet si torollak nëpër skenë, me britma, nallane druri e çorape të lëshuara. Ne mezi i mbajmë thirrjet “mos”. Mos ashtu, mos kështu. Gjersa durimi ynë shteri, moskuptimi bëhet i plotë dhe ne s’na mbetet veç të pranojmë se drejtpeshimi i cenuar i “Hamletit”, ai për të cilin flet Coleridge, është pikërisht drejtpeshimi ynë i prishur.”

(“Hamleti, princ i vështirë”, fq. 9)

Raportin e tij me pushtetin , ku në themel qëndron letërsia e keqkuptuar, Kadare ndryshe e trajton në letërsi, e ndryshe në ese. Ja si e shpreh këtë raport në esenë “Pesha e kryqit”

“Një letër e ardhur nga Lushnja, thoshin, e kishte zgjuar nga gjumi diktatorin. Të tjerë flain për dosje të zbuluara jashtë shtetit. Për KGB-në, për policinë e fshehtë jugosllave. Të tjerë zëra bënin fjatore fustanet e gjata të spikereve të festivalit  të këngës në radiotelevizion… Pati edhe ndonjë zë shkretë, të humbur, që tha se një libër u bë shkak… një roman… ose, më saktë, dorëshkrimi i një romani.”

Letërsia e keqkuptuar e Kadaresë ka zënë vend në këtë ese si një përpjekje për të zbërthyer pozicionin që kishte shkrimtari në kohën e diktatuturës…

Ose :
“ Ka diktatura të tmerrshme e djallëzisht të përsosura, ku profe-sioni i shkrimtarit është një mallkim i vërtetë. Në kësi rendesh të frikshme, vetë të qenit shkrimtar përbën një faj zanafillor. Një cen të ngjashëm me gjymtyrët, nja ato për të cilat njerëzit ofshajnë “pse më linde moj nanë.”

(“Uragani i ndërprerë – Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe“, fq. 56)

Por, gjithsesi, ata që merren me eseistikën e Kadaresë, këtë nuk mund ta bëjnë me sukses nëse nuk merren edhe me letërsinë e tij. Nëse nuk ndodhë kjo, atëherë do t’i hynim në hak Kadaresë. Madje do të potretizonim një Kadare tjetër, çfarë nuk është ai në të vërtetë…

Të studiosh Kadrenë eseist, pa komponentën Kadare-shkrimtar, i bie sikur të marrësh në duar një libër vetëm me kopertina, pa brendinë, ndonëse eseistika dhe letërsia e Kadaresë, janë të veçanta, po aq sa janë edhe të ngjashme.

Nëse krejt këtë e kuptojmë se një rinjohje të Kadaresë përmes esesë, atëherë do të arrijmë t’i kuptojmë edhe rrethanat në të cilat Kadare i shkroi veprat e tij.

“Sa më shumë që lidhesha me letërsinë, aq më fortë e ndjeja se ai kryq nuk do të më ndahej.  Do ta mbartja atë në shpinë, si shumë shkrimtarë të kësaj ane të botës, duke e ndier se çdo ditë, bashkël me rritjen e njohjes, ai rendohej, rendohej fatalisht. E unë, duke e tëtrehequr , ashtu të rënduar nga balta, do të ecja nën peshën e tij nëpër diktaturë e nëpër shi.” (“Pesha e kryqit”, fq. 209)
 Ismail Kadarenë nuk mund ta njohim si esesit, nëse nuk i qasemi kësaj njohjeje me një ambicje më të madhe, sa individuale, po aq edhe grupore e pse jo edhe institucionale., ashtu siç konstaton me të drejtë edhe Floresha Dado: “… kritika mbi eseistikën e Kdaresë tepër e varfër, si në rrokjen e një pjese shumë të vogël të veprave të tij, ashtu edhe në cektësinë e trajtimit të filozofisë që i përshkon, në mosnjohjen e tipareve që karakterizojnë stilin origjinal, të papërsërtitshëm të eseistit.” (“Lexuesi në “kurth”: ESEISTIKA E KADARESË”). Vetëm duke risjellë esenë e tij në rrafshin e receptivitetit më aktiv, mund të themi se po flasim për një shkrimtar që pati një refketim të shumëfisht në miliuen tonë kulturor e krijues. Nëntor 2024

“2000 VJET KRISHTËRIM TE SHQIPTARËT”, NJË PALIMSEST PËRTEJ KUFIJVE GNOSEOLOGJIK TË NJË BOTIMI TË ZAKONSHËM

Pasi ta kemi mbyllur kopertinën efundit të librit “2000 vjet krishtërim te shqiptarët”, lexuesit i mbeten të regjistruar disa momente që në formë imazhi lëvizës ia bëjnë më të qartë bashkëudhëtimin dymivjeçar të shqiptarëve me një traditë të lashtë fetare e civilizuese, siç ishte krishterimi. … Ky liber është i ngritur mbi një ariktekturë solide përmbajtësore dhe problemore, duke përthithur vlerat më të avancuara të mendimit shkencor shqiptar dhe të huaj mbi  fermentimin e vetëdijes identitare të shqiptarëve përmes thelbit të kulturës shpirtërore e materiale kristiane.


   Libri “2000 vjet krishtërim te shqiptarët” është një botim i veçant që ndjek metodologjinë e ndërtimit të lëndës në bazë të një tematike përmbledhëse dhe shterruese që doli nga punimet e simpoziumit shkencor me të njejtin emër, mbajtur në Arbon të Zvicrës në vitin 1998.

Ideuesit dhe kontributorët e këtij simpoziumi kanë zgjedhur mënyrën më të mirë të mundshme që të mbledhin në një vend studiues e autorë të ndryshëm, shqiptarë e të huaj, nga fushat e albanologjisë dhe shkencave ndihmëse interdisiplinare, për të trajtuar një nga temat më fundamentale në aerealin e studimeve historike, gjuhësore, teologjike, etnologjike, arkeologjike e muze-ale, përkitazi me  identitetin kulturor e fetar të shqiptarëve, me theks të posaçëm mbi vertikalen shpirtërore të shqiptarëve që identifikohet me krishterizmin në trojet e tyre iliro-arbërore, që nga shekujt e parë pas Krishtit e deri në ditët e sotme. 

Ky liber është i ngritur mbi një ariktekturë solide përmbaj-tësore dhe problemore, duke përthithur vlerat më të avancuara të mendimit shkencor shqiptar dhe të huaj mbi  fermentimin e vetëdijes identitare të shqiptarëve përmes thelbit të kulturës shpi-rtërore e materiale kristiane. Këtu i ka rrënjët mbase edhe përpjekja e parë për formimin e elites kulturore iliro-arbërore, e cila është meritore sepse në gjeografinë e gjithmbarshme të shtrirjes së krishtërizmit, e përfshiu edhe botën shqiptare, si një fragment i rëndësishëm dhe mjaft i integruar i kësaj tradite të lashtë civilizuese.

Nëse i hedhim një sy listës së autorëve që morën pjesë në këtë simpozium shkencor, të cilët janë edhe shtylla narrative e këtij libri (Mark SOPI, Ercole LUPINAÇI, Antonio BELLUSCI, Femi CAKOLLI, Dom Gjergj GJERGJI, Nikë UKGJINI, Noel MALCOLM, Robert ELSIE, Odile DANIEL, Peter BARTL, Kristo FRASHËRI, Mark KRASNIQI, Peter MARKUS, Jahja DRANÇOLLI, Engjëll SEDAJ, Zef CHIARAMONTE, Ymer JAKA, Murat BEJTA, Ramadan SOKOLI, Bardhyl DEMIRAJ, Armin HETZER, John MCCAFFREY, Konrad CLEWING, Enver HOXHAJ, Gjergji Kristo FRASHËRI, Hasan MUJAJ, Nue OROSHI, Bejtullah DESTANI, Besim MORINA), do të vërejmë se ata përbëjnë zërat më domethënës dhe më kompetent në fushën e mendimit shkencor, që një kohë të gjatë janë marrë me trajta të ndryshme të traditës kulturologjike, teologjike, historike, gjuhë-sore e etnokulturore si bazë e formimit të identitetit krishter te shqiptarët, që nga mbërritja e Shën Palit në viset e Ilirisë pas kryqëzimit të Krishtit, në kushtet e mëpastajme të një përleshjeje shumëshekullore fetare midis Perandorisë së Romës dhe asaj të Bizantit.

Libri ka tri pjesë – pjesa e parë përfshin kumtesat në gjuhën shqipe, pjesa e dytë, ato në gjuhë të huaja, si dhe pjesa e tretë është e përbërë nga arkivi i dokumenteve dhe fotografive, si shtojcë përcjellëse dhe ilustruese e simpoziumit shkencor, gjegjësisht e librit që tani kemi në duar.

Cilat janë vlerat dhe përfitimet e shumanshme shkencore e kulturore e nga ky libër i botuar tash së fundmi?

Një studiues që do t’i rrekej hulumtimit të gjeografisë kishtare të shqiptarëve, do ta ketë të domosdoshme konsultimin e këtij libri, i cili jep me saktësi shkencore radiografinë e një besimi dhe civilizimi, të cilin iliro-arbërorët pasi kishin ushtruar besimin në hyjni dhe hyjnesha, krishterimin e kanë pranuar nga Shën Pali dhe nxënësi i tij, Titi. Shën Pali është i rëndësishëm për Ilirikun si Shën Thomai për Hindinë, Shën Pjetri për Romën, Shën Titi për Kretën dhe Shën Andrea për Akainë. Dhe, sikur të mos ishte me rëndësi kjo gjeografi kishtare në trevat iliro-arbërore, nuk do të merreshin as autorë të ndryshëm serioz, në mesin e të cilëve edhe Shën Gregori i Nishit, si dhe dijetari i madh ilir Shën Jeronimi. Ky i fundit madje do të konstatoj se “krishterimi është përhapur në të gjitha vendet (…) me Tomën në Indi, me Pjetrin në Romë, me Palin në Ilirik, me Andrenë në Ahaj”. Këtij konstatimi i jep mbështetje vet Shën Pali në leterën e tij drejtuar romakëve, ku ndër të tjera do të shprehet se “që nga Jerusalemi e përqark deri në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit”.

Kjo ndërthurje e elementeve identitare iliro-arbërore në arealin e traditës së krishterë, siç rezulton edhe nga ky liber, i ka nxitur autorët dhe studiuesit e civilizimeve që të merren edhe me vet prejardhjen etimologjike të emërtimeve që i kanë ndjekur shqiptarët. Në korpusin e shumë dijetarëve të këtij fahu ishte edhe gjeografit bizantin Ptolomei, të cilit i referohet studiuesi Nikë UKGJINI, që në shek. II pas Krishtit, arbërorët i ka cilësuar më emrin albanon, të vendosur në qytetin Albanopolis, i ndodhur dikund në mes Durrësit dhe Krujës, ndonëse supozohet se mund të jetë edhe vetë qyteti i Krujës.

Ky gërmim në indin etimologjik të shqiptarëve ka qenë i ndërlidhur edhe me vet natyrën e hulumtimit të prezencës fillestare të elementit të krishter në hapësirën iliro-arbërore, duke filluar qysh nga viti gjashtëdhjetë pas Krishtit, në Durrës, ku, sips Dom Gjergj Gjergji,  ekzistonte një komunitet krishterësh, të cilët peshkop e kishin Shën Qesarin (viti 58 pas Krishtit), njëri nga shtatëdhjetë e dy dishepujt e Krishtit, përfshi edhe edhe Shën Asti (në shqip, Shën Ashti). Durrësi si një pikë tranziti që lidhte rrugët e shtegtarëve e tregtarëve, në aksin Lindje-Perendim dhe ana-sjelltas,  s’kishte si të mos ishte edhe një pikë kondenzimi e besimit dhe civilizimit krishter ndër shqiptarët.

 Për të vërtetuar praninë  e këtij civilizimi, libri që kemi në duar, sjell edhe gjetjet arkeologjike të cilat kanë dëshmuar ekzistimin e disa kishave paleokristiane, siç ishin, bie fjala, në Lin (Shlini, Shën Lini), në Liqenin e Ohrit pranë Pogradecit, po ashtu edhe në Elbasan – Scampinus, në Arapaj (pranë Durrësit), etj. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre kishave, madje mbanin emra shenjtorësh të krishterë, siç e konfirmon edhe studiuesi jezuit Fulvio Cordignano (1887-1951), me veprën e tij  “Geografia Ecclesiastica dell’Albania”, në të cilën përmend mbi 266 kisha katolike në Shqipëri, të emëruara sipas gjithsej mbi dyzet shenj-torëve të krishterë.

Ky pozicion gjeografik i vendodhjes së shqiptarëve, kishte impakt të tërthortë dhe të drejpërdrejt edhe në vet dinamikën e përhapjes së krishterimit si dhe në efektet e nduarduarta që prodhoi ky pozicion midis botës lindore greko-bizantine dhe botës perëndimore latine.  Duke u përballur me vështirësi të shumta, siç konstatojnë autorët e këtij libri, krishterizmin shqiptar e ndoqën luhatje dhe turbulenca jo të pakta, pikërisht si rrjedhojë e të qenit të shqiptarëve në këtë zonë kufitare, aty ku kalonte vija ndarëse mes Romës dhe Bizantit, gjegjësisht midis dy kishave përkatëse. Këto luhatje kishin ndikuar edhe në fërkimet kon-fliktuale që kishin pasur fisnikët arbërorë me Perandorinë Bizantine, me Papën, Anzhuinët, Nemanjanjiqët etj. që rezulton si pasojë e rrethanave të këtij territori,  dhe rrezikut të vazhdu-eshëm nga sllavizimi, helenizimi, dhe pushtimi Otoman.
Përderisa ekzistonte një konflikt i hapur dhe i heshtur fetar me perandoritë e e kohës, një konflik i tillë mbase nuk u reflektua në mesin e vet shqiptarëve. Ndonëse ata banonin në disa rajone heterogjene me reliev të larmishëm dhe vise të fragmentuara, megjithatë solidariteti ndërshqiptar ishte tejet i theksuar. Ky mirëkuptim brendakombëtar e brendafetar erdhi në shprehje si te ordoksët, ashtu edhe te katolikët, të cilët me veprime konkrete ndikuan në ruajtjen e lidhjeve të duhura të solidaritetit jo vetëm intelektual, por edhe moral mes shqiptarëve. Këtu mbase i ka rrënjët edhe nacionalizmi shqiptar, i cili u kultivua në saje të mbrojtjes së vlerave identitare në rrethana të një përplasjeje fetare në mes të Lindjes dhe Perendimit.

Një element tjetër i qenësishëm që del në pah në këtë liber është kufiri kohor i përhapjes së krishterimit në tokat shqiptare, i cili është për tetë shekuj përpara bullgarëve dhe dhjetë shekuj përpara serbëve. Për rrjdhojë, iliro-arbërorët e pranuan të parët në Ballkan krishterimin, fenë monoteiste, të cilën e ka predikuar vetë apostulli Shën Pali.  Te shqiptarët madje krishterimi u përhap, jo si te sllavët e jugut nga lart, nëpërmjet presionit shtetëror, por nga poshtë, si te grekët dhe romakët, në luftë me pushtetin peran-dorak. Për kufijt kohor të krishterimit ndër shqiptarë flet edhe Bibla, e cila i pёrmend trojet arbёrore me emrin antik tё Ilirisё.

Sipas Selami Pulahës, të cilit në këtë libër i referohet Akademik Mark Krasniqi, me ndarjen e kishave në atë ortodokse të lindjes dhe katolike të perëndimit, kisha e lindjes kishte përmasa më të mëdha, sidomos në pjesët jugore dhe lindore shqiptare, kurse pjesa tjetër shqiptare mbeti me kishën e perëndimit, ku më 1077 në Tivar  themelohet argjipeshkvia e parë shqiptare. Pjesa lindore e Kosovës ka qenë ortodokse, kurse ajo e perëndimit, e quajtur Rrafshi i Dukagjinit, ka qenë e ritit katolik

Kjo ka ndikuar që kishat e popujve fqinjë, sidomos ajo greke dhe serbe, të kenë prirje asimiluese ndaj shqiptarëve, duke i konsideruar ata ose për grekë ose për sserbë, qasje kjo që ka krijuar një gjendje të padurueshme te shqiptarët si rezultat i presionit për t’u konvertuar. Rreziku më i madh vinte nga kisha ortodokse serbe, e cila u involvua drejpërdrejt në politkat vendi-marrëse të sundimtari serb Car Dushani (shekulli XIV), për të zbatuar masa drastike gjatë kalimit me dhunë të fesë katolike të shqiptarëve në atë ortodokse. Ky represion kishtar i serbëve gjente mbështetje në Kanunin e Dushanit, sipas të cilit katolicizmi shpallej herezi e rrezikshme, që rezultonte me persekutimin e  priftërinjëve katolik  dhe shndërrimin e kishave katolike në kisha ortodokse serbe. Kjo kishte detyruar edhe Papa Benediktit XI, siç na e sjell në libër autori John MCCAFFREY, të shprehte pakënaqësinë e tij për shkak të mënyrës së jetesës që po ndry-shonte në mesin e besimtarëve të disa peshkopatave shqiptare që ishin në dominimin e sundimtarëve ortodoksë. Për rrjedhojë ai kishte dërguar prijësin e dominikanëve të Hungarisë, në dioqezat e Shqipërisë, Cunavia, Polatum dhe Dyrrachium, për t’u kujdesur për katolikët që jetonin në zonat e besimit kryesisht greko-ortodoks dhe për të forcuar besimin e vërtetë në mesin e besim-tarëve të “luhatur”.

Këto masa drastike i kishin zbatuar edhe sundimtarët e movonshëm sllav (serbë e malazias), të cilët me dhunë i kishin detyruar shqiptarët të kalonin nga njëri besim te tjetri.

Teksa e citon Edith Durhamin, lidhur me temën e mësipërme, studiuesi Bejtullah Destani, sjell në këtë liber të dhëna rrëqethëse në vise të ndryshme të shqiptarëve si pasojë e konvertimeve të dhunshme. “Duket se një sistem konvertimesh të dhunshme, që mund të krahasohet me periudhat më të errëta historike, është zbatuar. Njerëzit i kanë fshikulluar me litarë me gunga, për t’i detyruar t’i pranojnë pagëzimet. U patën bërë ballë të gjithave, derisa ishin kërcënuar me vdekje. Si rrjedhojë, disa prej tyre ishin dorëzuar dhe patën pranuar të bëheshin të krishterë. Domethënë të pagëzoheshin!”

Për shkak të pozitës gjeografike, shqiptarët u ndodhën pa dëshirën e tyre në tehun e rivaliteti të ashpër midis Papatit dhe Bizantit, kjo sidomos për faktin se, siç mund të t’iu referohemi teksteve autoriale të këtij libri, dy kishat kryesore të krishtera përpiqeshin të përfshinin Shqipërinë në sferën e tyre të ndikimit. Kjo bëri të mundur që shumë shqiptarë të bien në kontakt me besimet e tyre të ndryshme. Në rrethana të tilla, shqiptarët i përvetësuan me dëshirë zakonet kishtare të këtyre dy besimeve dhe prandaj rezulton që nuk janë aspak befasuese devijimet e shqiptarëve nga zakonet e katolicizmit dhe ortodoksisë.
Bashkëjetesa paqësore fetare e shqiptarëve gjatë shek. XII–XV të ndarë në katolikë dhe ortodoksë si dhe fakti se Shqipëria (viset etnike shqiptarofolëse në Ballkan), sipas historianit Gjergji Kristo Frashëri, nuk u bë kufiri i dy riteve të krishtera, por trualli ku ato jetuan diku në simbiozë paqësore, diku të shkrira në një vatër familjare.

  Duke iu referuar njohësit të historisë mesjetare të Shqipërisë M. v. Šufflay, Frashëri teksa trajton tolerancën në mes të shqiptarëve me përkatësi të ndryshme fetare, sjell këtë argument: “[…] lufta ideologjike njëmijë vjeçare midis Romës dhe Bizantit nuk mori kurrë trajta të vrazhda në tokën shqiptare. Ndërgjegjja etnike tepër e thellë e vendasve, e cila ka peshuar më tepër se ndjenja fetare dhe se egoizmi i prijësve të tyre, nuk lejoi kurrë që zelli fetar, qoftë edhe sikur të ekzistonte, të ngrihej në shkallë të fanatizmit, të cilit gjatë mesjetës te shqiptari mezi i gjendet gjurma… Me gjithë dëmin që patën nga ndarja fetare, dallimi i shqiptarëve në ortodoksë dhe katolikë nuk mori asnjëherë përpjesëtime të tilla siç ndodhi për shembull, midis serbëve ortodoksë dhe kroatëve katolikë […].”

Ky është një argument i mjaftueshëm për të dëshmuar se shqiptarët e dy riteve të krishtera arritën të bashkohen nën një kryq të vetëm, fenomen i tolerancës së botëkuptimit të tyre fetar, që pati udhërrëfim përpjekjet e Gjergj Kastriotit Skënderbeut për një bashkimi politik të shqiparëve në shek. XV, me Lidhjen e Lezhës (2 mars 1444).

Bashkëngjitur me përhapjene krishtërimit, në viset  shqiptare

shohim një zhvillim edhe të qytetëtërimit, përms qendrave të ndryeshme urbane, siç ishte edhe Ulpiana, një qytet Dardan i krishterimit të hershëm. Para shpalljes së tolerancës fetare, fillet e krishëtirmit në këtë qytet, referuar burimeve që ofron  studiuesi Enever Hoxhaj, ndërlidheshin me fatin e dy vëllezërve binjak, martirëve Flori dhe Lauri. Të ardhur nga Bizanti në Ilirikun Lindor, si gurdhjendës me përvojë, ata  erdhën për të ndërtuar një tempull pagan diku në provincën e Dardanisë, mbase në Ulpianë, ku si gurgdhendës me përvojë ngritën kryqin dhe shkatërruan të gjithë idhujt në këtë tempull, të cilin më pas ia kushtuan Krishtit. Ata njëkohësisht i konvertuan në krishterim disa banorë të Ulpianës, veprime këto që ngjallën zemërimin e perandorit Valeri Liciani, i cili ishte një kundërshtar i Konstantinit të Madh dhe përndjekës i krishterëve. Për pasojë Liciani  urdhëroi që  vëllezërit binjak Flori dhe Lauri të hidheshin në një pus të thellë dhe të mbuloheshin me dhe. Nga hulumtimet e mëvonshme arkelogjike është vërejtur se në antikitetin e vonë në Ulpianë ka ekzistuar një nderim i shenjtorëve që përkujtojnë martirët Flori dhe Lauri.

Është periudha kur popullsia e romanizuar romake, si pasojë e pushtimit të Ulpianës nga barbarët sllavë,  u detyrua ta lëshonte qytetin dhe  në këto kushte pasigurie mund t’i kenë dërguar mbetjet e dy martirëve deri në Kostandinopojë.

Siç mund të vërejmë, përhapja e Krishterimit nuk ndodhi edhe pa sakrifica sublime që shkonin deri në kufijt e martirizimit, siç ndodhi me vëllezërit Flori dhe Lauri,, si një tregues i hershëm i përhapjes së krishterimit në Dardani, ku qyteti i Ulpianës është prova më argumentuese e ekzistimit të një komuniteti të vogët të krishterë madje qysh në periudhën para Konstantinit.

Libri “2000 vjet krishtërim te shqiptarët” sjell të sistemuara dhe argumentuara prurjet më të avancuaar në fushën e  hultimit të besimit dhe civilizimit të krishter te shqiptarët. Një prej atyre prurjeve është edhe biografia e Gjon Françesk Albanit (i njohur si Papë Klementit XI – Albani) e sjellur nga filologu i gjuhësisë klasike Engjëll Sedaj, sipas të Papë Klementit XI – Albani është “i gjakut shqiptar”, përkatësisht se është “me origjinë shqiptare”, se kishte konvokuar Kuvendin e Arbënit (1703) dhe se kishte merita të tjera për çështjen shqiptare. Shqiptarësinë e tij, ai e shpërfaqi pa ngurrim, sepse nuk u hamend fare që emrit të tij të papnisë, që asocionte emrin e lavdishëm të fisit shqiptar të Kelmendit-Klementit17 (lat. Clemens), t’ia shtonte edhe mbie-mrin e vet Albani, për t’u dalluar para botës se është shqiptar.Në këtë mënyrë ai praktikisht të dy emrat – Klement dhe Albani.
Këto argumente, Sedaj i mbështet edhe në burime e referenca të autorëve të huaj, siç ishte edhe biografi francez i Klementit XI., M. Reboule, sipas të cilit “Gjon Françesk Albani, që kishte origjinë shqiptare, u kujdesua posaçërisht për fatin e kishës në vendin e paraardhësve të tij. Me iniciativën e tij u mblodh Kuvendi i ipeshkvijve katolikë të Ballkanit, nën kryesinë e imzot Vinçenc Zmajeviqit. Kështu filloi rekrutimi i djelmoshave shqip-tarë që mësuan për priftërinj në Kolegjin e Asisit”.
Kjo inisiativë e Papë Klementit XI – Albanit prodhoi efekte inte-gruese brendakombëtare dhe iluministe në hapësirën shqiptare, sidomos me konvokimin e Kuvendit të Arbënit, me dërgimin e misionarëve në Shqipëri, me hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, me botimin e librave në gjuhën shqipe. Në këto rrethana u krijua edhe letërsia e vjetër shqipe, kurse klerikët katolikë ishin të parët që filluan të shkruanin në gjuhën shqipe amtare dhe të krijonin monumentet e para të letërsisë shqipte, siç ishin autorët Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, Lekë Matrenga etj.

Një kontribut të çmuar në ruajtjen e kuatova të besueshmërisë dhe kredibilitetit të këtij libri, kanë dhënë edhe autorët joshqiptarë, Noel MALOLM, Peter BARTL, Konrad CLEWING , John MCCAFFREY,  Robert ELSIE,  Markus W. E. PETERS, Armin HETZER,  të cilët, me kumtesat e tyre i japin një vlerë të shtuar mendimit shkencor  evropian e botëror mbi shqiptarët. Pjesëmarrja e këtyre autorëve në simpoziumin shkencor “2000 vjet krishtërim te shqiptarët” si dhe në librin me të njejtin emër, flet për një strategji të mirë menduar të organizatorëve të këtij simpoziumi (ing. Ahmet Asani, Kristë Coli, Gjon Lluka) që me gojën dhe mendjen e studuesve të huaj të ofrohen disa argumente shkencotre për historinë e forimit etnokulturor të shqiptarëve. Pas përtkthimit të këtij libri në gjuhë të huaja, ky kujdes i përfshirjes së autorëve joshqiptarë do të merr një dimension edhe më domethënës, sepse më me rëndësi është çka thuan të tjerët për ne, se sa çka themi ne vet për veten.

Pasi ta kemi mbyllur kopertinën e fundit të librit “2000 vjet krishtërim te shqiptarët”, lexuesit i mbeten të regjistruar disa momente që në formë imazhi lëvizës ia bëjnë më të qartë bashkëudhëtimin dymivjeçar të shqiptarëve me një traditë të lashtë fetare e civilizuese, siç ishte krishterimi.

Pa pasur nevojë për sforcim tezash, apo për mbivendosje arbitrare të argumenteve të stisura, autorët e këtij libri po i sjellin botës sonë kulturore e shkencore një margaritarë mendimesh të kondenzuara, i cili përpos që do të jetë një pasuri e shtuar për biobliotrekat akademike e universitare, ai do të jetë edhe një palimsest që shkon përtej kufijve gnoseologjik të një botimi të zakonshëm./ Tetor 2023

POPULLI I PANDALUR” – NJË DOKUMENT I NDËRGJEGJES SË GJALLË KOMBËTARE

Libri Populli i pandalur i prof. Agim Vincës është shumë më tepër se një koleksion shkrimesh polemike – ai është një dokument i ndërgjegjes së gjallë kombëtare, një akt proteste ndaj dhunës politike, kulturore dhe shpirtërore që shqiptarët përjetuan në hapësirën e ish-Jugosllavisë gjatë dekadës së fundit të shekullit XX.

Ribotimi i këtij libri pas 33 vjetësh, nga Shtëpia botuese AGORAPRINT e Shkupit,  nuk është një veprim i zakonshëm editorial. Përkundrazi, është një mundësi rifreskimi i kujtesës kolektive, një rikujtim i nevojës për të mos harruar se rrugëtimi i shqiptarëve drejt barazisë, lirisë dhe dinjitetit nuk ka qenë asnjëherë i lehtë. Ky libër paraqet kredon e një artikulimi qytetar e patriotik për të kuptuar jo vetëm të kaluarën, por edhe për të reflektuar mbi sfidat e tashme dhe të ardhshme.

Në rrafshin argumentues, Populli i pandalur paraqet një model të shkëlqyer të publicistikës së angazhuar, ku fjala shkrihet me argumentin, ku emocionet nuk e zbehin objektivitetin analitik, por përkundrazi e forcojnë atë. Në këtë vepër, gjejmë një kombinim të suksesshëm të qasjes hermeneutike (interpretimit të narrativave të tjetrit), të dekonstruktimit të diskurseve shoviniste dhe të analizës kritike të realitetit politik dhe kulturor. Për rrjedhojë, ky libër kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë në fushën e studimeve të identitetit, të politikave të diskriminimit, të sociologjisë së shtypjes dhe të historisë së rezistencës kulturore. Ai duhet të jetë pjesë e literaturës ndihmëse në programet universitare që trajtojnë çështjet e identitetit kombëtar, të drejtave të njeriut dhe të analizës së diskurseve historike e politike.

Zbërthimi semantik i titullit “Populli i pandalur”

Vetë titulli i librit Populli i pandalur është një metaforë e fuqishme që bart peshën e një historie të gjatë përpjekjesh, sakrificash dhe qëndrese. Ai nuk është thjesht një sintagmë stilistike-gjuhësore, por një zë i betejave identitare, që na e bën të qartë se ky popull, përballë çdo stuhie historike, ka refuzuar të dorëzohet. Është populli që ka marshuar përtej kufijve të padrejtësisë, përtej dhunës sistematike, përtej përpjekjeve për ta zhdukur nga harta politike dhe kulturore.

Ky titull nuk është fryt i retorikës, por produkt i një realiteti të hidhur, ku shqiptarët ishin të detyruar të jetonin mes mohimit institucional, dhunës kulturore dhe përpjekjeve për asimilim. Ai titull është histori dhe identitet, është metaforë e një kombi që, përkundër përpjekjeve të pareshtura për ta gjunjëzuar, vazhdoi marshimin drejt lirisë, dinjitetit dhe rrugës shtetformuese.

Ky popull i pandalur, sipas autorit, nuk është thjesht një nocion abstrakt. Ai ka emra konkretë  – janë ata që nuk u pajtuan me heshtje,  ata që u ngritën kundër sistemit të dhunës dhe mohimit, ata që i dhanë zë së vërtetës përmes fjalës, rezistencës dhe veprës. Në këtë kontekst, libri i prof. Vincës bëhet një monument i pavdekshëm i përpjekjes për të ruajtur kujtesën dhe për ta projektuar atë si mekanizëm intelektual kundër harresës dhe deformimit historik.

Struktura, përmbajtja dhe mesazhet e librit

Libri është një mozaik shkrimesh polemike, reagimesh publike dhe analizash kritike, të cilat janë publikuar në shtypin e kohës si përgjigje ndaj një realiteti të hidhur politik e kulturor. Shkrimet janë të ndërtuara me një qasje të dyfishtë: nga njëra anë, ato janë pasqyrë besnike e realitetit politik të kohës, ku shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe trevat tjera përballeshin me një fushatë të egër albanofobe, dhe nga ana tjetër, ato janë edhe reagim intelektual, rezistencë e artikuluar ndaj deformimeve dhe dhunës sistematike që vinte nga aparati shtetëror jugosllav dhe veglat e tij lokale.

Vepra që po ribotojmë është një tribunë ku autori jo vetëm që denoncon shovinizmin serb dhe maqedonas, por edhe ngre zërin për rolin e munguar të inteligjencies shqiptare të asaj kohe. Ai nuk kursen as kritikën ndaj burokracisë shqiptare, e cila, për arsye konformizmi apo frike, zgjodhi rrugën e heshtjes apo të përkuljes, duke e lënë fjalën publike në mëshirën e propagandës antishqip-tare.

Shkrimet e prof. Vincës prekin një spektër të gjerë tematik: nga mbrojtja e figurave kombëtare si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, e deri te reagimet ndaj sulmeve të paskru-pullta ndaj shqiptarëve si komb. Autori denoncon mitet e rrej-shme të ngritura mbi shqiptarët, mitin e natalitetit “kërcënues”, mitin e dhunës “të natyrshme” shqiptare, madje deri te shpifjet monstruoze mbi incestin e kriminalizimin kolektiv

.

Vepra si pasqyrë e kohës dhe si manual i vetëdijes kombëtare

Libri “Populli i pandalur është  një dëshmi e gjallë e një kohe të mjegullt, ku dhuna institucionale ishte shndërruar në meka-nizëm shtetëror për të shtypur çdo gjurmë të identitetit shqiptar. Në këtë kontekst, autori nuk kufizohet vetëm në një narrativë viktimizuese, por paraqet edhe rezistencën aktive të shqiptarëve përmes mbrojtjes së kulturës, gjuhës, historisë dhe personalite-teve kombëtare.

Ai na kujton se Maqedonia e atëhershme ishte një laborator i metodave të politikës antishqiptare që dirigjohej nga Beogradit, ku gjithçka shqiptare, nga emrat e fëmijëve, deri te qeleshet e bardha dhe qëndismat me motive kombëtare, ishte vënë në shënjestër të dhunës kulturore dhe simbolike.

Aktualiteti i mesazhit – një libër që flet edhe sot

Ndonëse shkruar mbi tri dekada më parë, libri është edhe sot aktual. Diskriminimi institucional, revidimi i proceseve demo-kratike, margjinalizimi politik dhe përpjekjet për të zbehur iden-titetin shqiptar, janë plagë ende të hapura në shumë segmente të shoqërisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.

Në një kontekst ku historia ende kontestohet, ku simbolet kombëtare vihen në pikëpyetje dhe ku të drejtat kolektive shpesh reduktohen në retorikë formale, ky libër mbetet një manual i domosdoshëm për vetëdijen kombëtare dhe qytetare.

Libri “Populli i pandalur” është shumë më tepër se një dokument i së kaluarës që na kujton se historia shkruhet nga ata që kanë guximin të flasin, të dëshmojnë dhe të qëndrojnë. Dhe, ashtu siç dëshmon edhe ky libër, populli i pandalur ecën përpara, pavarë-sisht pengesave të kohës.

Vepra e Agim Vincës sublimon rolin e intelektualit të angazhuar, që nuk e sheh penën si dekorim akademik, por si armën më të fuqishme në mbrojtje të identitetit, të dinjitetit dhe të së vërtetës.

Ky libër është një pasqyrë ku brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë duhet të shohin jo vetëm plagët e së kaluarës, por edhe përgjegjësinë për të mos lejuar që ato plagë të hapen sërish. Ai është një thirrje e heshtur, por e fuqishme, për të mos lejuar që populli shqiptar – ky popull i pandalur – të mbetet peng i harresës, i kompromisit të rrezikshëm dhe i heshtjes kolektive.

Populli i pandalur” – dëshmi e qëndresës dhe apel për të ardhmen

Ka libra që nuk lindin vetëm si produkt i një nevoje intelektuale, por si thirrje e fuqishme e ndërgjegjes, si përgjigje ndaj dhunës, padrejtësisë dhe përpjekjes për të fshirë identitetin e një populli. I tillë është edhe libri Populli i pandalur i profesorit Agim Vinca, i cili, edhe pas 33 vitesh nga botimi i tij i parë, ruan po atë peshë emocionale dhe historike si në kohën kur u shkrua.

Ky libër është më shumë se një tekst publicistik, ai është një akt proteste,  dhe një dëshmi e gjallë e rezistencës intelektuale shqiptare përballë një makinerie shoviniste që kishte për qëllim mohimin, denigrimin dhe asimilimin e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe në tërë hapësirën e ish-Jugosllavisë. Ai është rrëfim i një kohe të errët, por edhe i një dritëzimi që buron nga vendosmëria për të mos u dorëzuar, për të mos u përkulur dhe për të mos heshtur.

Struktura e veprës dhe temat bosht

Libri përbëhet nga një varg shkrimesh polemike, eseistike dhe publicistike, të cilat janë prodhuar si reagim ndaj realitetit të rëndë politik dhe kulturor të shqiptarëve në vitet ’80 e ’90. Shkrimet janë të renditura në mënyrë kronologjike, duke ndjekur zhvillimet dramatike në Kosovë, Maqedoni dhe hapësirat tjera shqiptare.

Në qendër të shkrimeve qëndron një betejë e madhe: beteja për të vërtetën historike dhe për dinjitetin kombëtar. Autori polemizon fuqishëm me narrativat antishqiptare të prodhuara nga akademikë, gazetarë dhe propagandistë serbë dhe maqedonas, të cilët përmes tezave pseudo-shkencore tentonin të kriminalizonin ekzistencën shqiptare.

Vinca dekonstrukton me precizitet pseudo-argumentet e tyre mbi natalitetin shqiptar si “kërcënim biologjik”, mbi traditat dhe kulturën shqiptare si “regresive”, mbi gjuhën dhe historinë shqiptare si “produkt artificial”. Në të njëjtën kohë, ai ngre zërin për mbrojtjen e figurave kombëtare, të cilat u sulmuan jo vetëm simbolikisht, por edhe fizikisht (përmes shembjes së busteve, mohimit të kontributit të tyre dhe shkatërrimit të kujtesës kulturore).

Heshtja e inteligjencës shqiptare si bashkëfajësi morale

Një nga shtyllat më të fuqishme të këtij libri është kritika e ashpër ndaj inteligjencies shqiptare të kohës. Vinca me një guxim të rrallë i drejton gishtin plagës më të dhimbshme: heshtjes së intelektualëve shqiptarë përballë një lufte të pabarabartë propagandistike dhe politike.

Përmes një analize të kthjellët, ai vëren se ndërsa makineria propagandistike serbe dhe maqedonase prodhonte vazhdimisht narracione denigruese për shqiptarët, një pjesë e madhe e elitës sonë, e mbyllur në rrethin e vet të vetëkënaqësisë ose e paralizuar nga frika, preferonte heshtjen ose diskutimet sterile në odat dhe kafenetë, në vend të angazhimit publik dhe shkencor.

Kjo kritikë, edhe pse e vendosur në kontekstin e viteve ’80 dhe ’90, është mjaft aktuale edhe sot. Në një botë ku betejat për identitetin, për të drejtën e vetëpërcaktimit dhe për barazinë zhvillohen gjithnjë e më shumë në sferën publike dhe mediatike, heshtja e intelektualëve është një akt bashkëfajësie.

Libri si dëshmi dhe si thirrje – midis kujtesës dhe reziste-ncës

Ky botim nuk është vetëm një pasqyrë e së shkuarës, por edhe një apel për të tashmen dhe të ardhmen. Ai është një kujtesë e fuqishme se rruga e mbrojtjes së identitetit kombëtar kalon përmes edukimit, përmes kultivimit të mendimit kritik dhe përmes fuqizimit të ndërgjegjes kolektive.

Në këtë aspekt, libri fiton edhe vlera të mëdha dokumentare dhe pedagogjike. Ai mund të lexohet jo vetëm si dëshmi historike, por edhe si manual i mendimit kritik, si udhërrëfyes për të kuptuar mekanizmat e mohimit, të diskriminimit dhe të manipulimit kulturor, si dhe format e rezistencës kundër tyre.

Një testament për brezat, një apel për ndërgjegjen

Populli i pandalur është një libër që tejkalon dimensionin e një kohe të caktuar. Ai është një testament moral, intelektual dhe kombëtar. Është një pasqyrë ku shqiptarët duhet të shohin jo vetëm plagët e së kaluarës, por edhe përgjegjësinë e tyre për të mos lejuar që ato plagë të hapen sërish.

Në kohën e sotme, kur sfidat kanë marrë forma të tjera – nga globalizimi i pakontrolluar deri te kolonizimi kulturor dhe marginalizimi i heshtur – mesazhi i këtij libri është më i domos-doshëm se kurrë. Ai na kujton se nuk mjafton të mbijetojmë si kolektivitet biologjik, por se duhet të mbijetojmë dhe të zhvillohemi si subjekt politik, kulturor dhe historik.

Në këtë kuptim, “Populli i pandalur” është më shumë sesa një libër: është një akt i ndërgjegjes kolektive, një flamur rezistence dhe një thirrje për t’u zgjuar, për të mos harruar dhe për të mos lejuar që historia të përsëritet. Është dëshmi se fjala, kur lind nga ndërgjegjja dhe nga dashuria për të vërtetën, bëhet më e fortë se çdo armë, më e qëndrueshme se çdo pushtet dhe më e pavdekshme se çdo kohë.


Qershor 2025

PORTRETE

LASGUSH PORADECI, FENOMEN LETRAR ORIGJINAL, I RRALLË NË POEZINË SHQIPE

Më 12 nëntor në Tiranë në një moshë të shtyer, vdiq poeti Lasgush Poradeci, poezia e të cilit, përpos që bëri për vete masat e gjëra të lexuesve, por pati dhe ka ndikim te një pjesë e poezisë sonë më të re.

Lasgush Poradeci hyri në historinë e letërsisë shqipe kryeisisht si poet erotikdhe i natyrës. Ai e pasuroi poezinë shqipe me motive të bukura intime, shpesh të përpunuara nga thesari ynë popullor. Në shumë lirika dashurie shquhet sfondi popullor në pikëpamje të gdhendjes së tingujve dhe ngjyrave popullore. Poezia e Lasgushit gjithashtu është e pasur me rima origjinale dhe melodike.

Me Lasgush Poradecin dhe krijimtarinë e tij që nga viti 1948, janë marrë shumë kritikë letrarë, mendimet e të cilëve shpesh kanë qenë polarizuese. Duke e shkoqitur fenomeni dhe natyrën poetike e filozofike të poezisë së Lasgushit, kritikët por edhe një pjesë e lexuesve , mendimet e tyre i orentojnë në këto drejtime: një pjesë mendon se poezia e Lasgushit është superlative për kah vlerat. Të njejtit poashtu janë ithtarë të bindjes se Lasgushi ka qenë më i urti poet, më filozofi dhe është konsideruar si i vetmi poet shqiptar që ka arritur t’i përvetësojë normat estetike të poezisë. Këtë vlerësim të fundit e jep Mitrush Kuteli, që në vitet 1937-38.
Por, nuk kanë munguar edhe mendimet që e kanë mohuar vlerën e poezisë së Lasgushit, duke pretenduar se se kjo poezi nuk është e kohës, si poet qe i mbyllur, nuk angazhohet. Këto mendime i dhanë disa nga kritikët e plejadës së viteve ’30-të në krye me Krisë Malokin, i cili duke u bazuar në parimet e poezisë gjermane që krijuesi duhet të jetë i lidhur me vendin e jo me sfera kosmike, me ide abstrakte (këtu Maloki aludon në poezitë refleksive të Lasgushit). Madje Maloki në një ese të tij ishte shumë i drejpërdrejt në qortimet ndaj Lasgushit duke pyetur hapur që në titull: A është poet Lasgushi? 

Vlerësimi i tretë, që është më i afërt dhe më objektiv, është ai që u shfaq kohëve të fundit. Ky vlerësim bazohet në parime të mirëfillta të poezisë, kryesisht ato që i mbronte edhe Kuteli, por që e kanë përpunuar këtë vlerësim dhe e kanë çuar më tej.
Lasgush Poradeci është fenomen letrar original, i rrallë në poezinë shqipe. Poezia e tij dhe koha kur u botua, është datë e rëndësishme në historinë e letërsisë shqipe e njëherit është edhe fazë e vënies së bazave të poezisë moderne shqipe. Pavarësisht nga konceptet e Lagushit që i shfaq më qartë në poezinë “Zogu i qiejve” (poezi programatike – refleksive në të cilën shquhen parimet filozofike të Lasgushit mbi krijimtarinë), tërë krijimtaria e tij nuk është krijuar sipas një koncepti të tillë, por sipas një ndjeshmërie të rrallë poetike, sipas një ndjenje të rrallë kombëtare e njerëzore, të cilat shënojnë shkallën e lartë të vlerave të poezisë, jo vetëm të Lasgushit, por edhe të poezisë shqipe në përgjithësi.

Më 1965 në “Buletinin shkencor” të Shkodrës kemi një studim të Vehbi Balës me titull “Lidhjet lerare shqiptaro-rumune”, ku jepen disa të dhëna mbi mundësinë e ndikimit të letërsisë rumune në poezinë e Lasgushit. Përveç letërsisë së shkruar dhe letërsisë gojore shqipe, te Lasgushi ka ndikuar edhe letërsia e Europës. Përveç letërsisë rumune, atij i shërbeu edhe letërsia francize e gjermane si model. Sipas Vehbi Balës, nga poetët shqiptarë që kanë qenë më së tepërmi të ndikuar nga letërsia rumune, janë: Asdreni, Kuteli dhe Lasgushi. Këto lidhje kanë filluar në vitin 1890. Poradeci ndikimin më të madh e pësoi nga Eminesku. Kjo sidomos shihet te cikli “Vallja e përjetësisë”. Ndikimet vërehen edhe në formë, edhe në shprehje. Format strukturore nuk mund të themi se janë ndikime, prandaj edhe disa pohime të Balës mund të merren me rezervë.

Në mjaft lirika të Lasgushit dashuria përshkruhet si mall i fortë, një “llaftari” që nuk gjen kënaqësi në jetë. Vasha që e don poeti, i qëndron larg. Ajo shkëlqen si vetëtimë, si yll që nuk arrihet (“Eja motër”, “Një yll përjetësie”, “Kur të më jesh e zemëruar” etj.) Mirëpo kjo vuajtje është e ëmbël, koncept ky i ngjashëm me atë të Naim Frashërit:


                  Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë te e pa pushim
                  Poashtu fillit të poleskës ku do shkeli këmba jote
                  Të të shtroj nga dhemja ime një çudi prej pikash lote
                  Një lutur të përvajshme vetëm dhembj’e dëshirim 

                                                  (“Ti po vjen që prej së largu”)

Në një tufë vjershash mbi dashurinë, Lasgushi flet për dashurinë si diçka që zbret prej së larti dhe e godet njeriun mu në shpirt, bindje kjo që ishte rezultat i botëkuptimit të tij teofizik.

Lirikat e dashurisë na e përkujtojnë vashën e mallit të parë, çastet e lumtura të poetit që i kaloi me të. Në shumicën prej tyre, poeti e qan dashurinë që i iku, kohën e bukur të rinisë. Këto vjersha shquhen për bukuri të veçant, plot lirizëm të ngrohtë, si në vjershat “Vashë dhembshurie”, “Erë trendeline”, “Si nus’e re”.
   Pas poezisë së De Radës, Serembes, Naimit dhe Çajupit, poezia erotike e Lasgushit sjell një note të re, një sensibilite më modern.

Lasgush Poradeci jetën e shikoi edhe nga këndi filozofik. Në shumicën e vjershave ai trajton çështjen e thelbit të jetës së njeriut dhe të materies, të shpirtit dhe të frymëzimit poetik. Mendimi kryesor është ai që përkon me ide teozofike, sipas të cilit njeriu ka vuajtje në jetë, kurse me vdekjen e tij lënda mbetet në tokë e bëhet pluhur e shpirti shkon në qiell dhe gjen “prehjen e përhershme”.

Sipas Lasgushit misioni i poetit është i preokupuar nga hyjnia. Ky koncept shprehet edhe në vjershën e parë “Zog i qiejve”, vjershë kjo programatike e ideve konceptuale të poetit mbi poezinë:


                 “Këngë e lashtëvjershërisë më pëlqen aq fare pak…
                  Do t’ia marr që sot e tutje si bilbil parëverak,
                 Që nga fund’i vetëvetes qo këndoj një mall të ri.”


 
Ai e krahason veten me “Zogun e qiejve”te vjersha me të njejtin titull. Idetë filozofike, Lasgushi i shpreh edhe te vjershat “Gjeniu i anijes”, “Lundra dhe flamuri”, “Vdekja e Nositit”. Këtu poeti i këndon shpirtit të qëndrueshëm në luftën e jetës. Heroi i vjershës “Gjeniu i anijes” është njeriu që përpiqet të hap udhën e të zbuloj fshehtësitë e natyrës për të mirën e shoëqrisë njerëzore. Gjeniu i anijes përballë “tallazit armik”sulet me guxim “duke i bërë ballë” vdekjes me burrëri, sepse lë pas vetes një “vazhdë të ndritur”.

                   “Se prapa le vazhdën e ndritur-
                   Q’e hapa me shpirtin fatos:
                   Fistonin gazmor ku pat shkitur
                   Valim i anijes q’u sos.”

Te “Vdekja e Nositit” tema u mor nga poeti romantik freng Alfred dë Myse, ku trajtohet motivi i vetmohimit. Nositi “i pastër si zambak” kur sheh se zogjtë e tij janë të uritur, çan gjirin dhe jep si ushqim trupin e vet. Në kuptimin më të gjerë, nositi është simbol i njeriut vetmohues që nuk kursen veten për vazhdimësinë e gjinisë njerëzore.

(“Bota e re”, 29 nëntor 1987)

DY KOKRA LOT PËR VEPRËN E PAKRYER

A janë takimet e njerëzve krejt të rastësishtme? Apo ndoshta çdo takim është i udhëhequr prej një predispozite që më vonë ka të ngjarë të shndërrohet në fushë të çudisthme magnetike e cila të rrëmben nga çasti në çast. Pas lajmit për vdekjen e poetit e albanologut Martin Camaj s’munda kurrsesi të dalë prej kësaj fushe magnetike. Qysh në takimin e parë më 1989, në Mynih, në kurreshtjen time kërkimtare gjeti tek Martini figurën e klasikut modern, zërin e eposit shqiptar të fokusuar në idealin e krijuesit-nosit.

Takimi me Martin Camijan dhe bisedat me të bëri që unë ta kundroj ndryshe botën letrare. Me sa më kujtohet, ai, ndër të tjera teksa filiste për procese kirjuese dhe autorë,  pat përmendur Mitrush Mutelin, i cili sipas tij është shkrimtari me meritat më të mëdha në ngritjen e letërsisë shqipe në nivelet e prozës moderne. Ai më pat folur edhe për problemin e cenzurës nga e cila kishte pësuar më së tepërmi vepra e tij, pasi që nuk ishte lejuar të qarkulloj në Shqipëri. Prandaj edhe gjatë bisedës me kolegët e mi në Prishtinë shpesh e kam theksuar humbjen e pakompensueshme nga mosqarkullimi i veprës letrare të Camajt në ambinetin tonë kulturor e krijues.

Këtë përshtypje edhe tani e mbaj, bile edhe më të përforcuar, sepse po të integrohej me kohë kjo vepër në korpusin e gjithmbarshëm të literaturës shqipe dhe në procesin e komunkimit letrar, ne tani me siguri do ta kishim një kahe tjetër shpirtërore-kulturore, një atmosferë më specifike dhe më avangarde në letrat shqipe. Mbase këtu qëndron edhe humbja e pakompnesueshme e mospranisë së Martin Camajt në rrjedhën moderne të letërisë shqipe.

Shkrimtarin dhe albanologun Martin Camajn shumë pak e kemi mësuar nëpër bankat shkollore. Dinim si nëpër mjegull për të, kurse ata që ishin të thirrur të na e ndriçonion këtë personalitet krijues s’iu bëhej vonë që këtë punë ta lënë për ndonjë “kohë më të përshtatshme”. Duke e pritur këtë kohë, ne u bëmë burra, disa u thinjëm, e disa të tjerë shkuan në botën tjetër pa e kuptuar pse Martin Camaj ishte i “papërshtatshëm”, bile edhe në vet shtetin shqiptar.

Që tani e kam të qartë se fama e krijuesve të mëdhenj, sikundër ishte edhe Martin Camaj, asnjëherë s’e kishte atë intensitetin e duhur sa ishin gjallë. Këtë, në mënyrë paksa të tërthortë, ma pat thënë edhe vet Martini gjatë takimit me të, i cili pat shprehur brengosje se pse lexuesi shqiptar në atdhe nuk e njeh sa duhet veprën e tij. Atëbotë ai ua pat zënë për të madhe edhe studiuesve të letërsisë të cilët ishin treguar së tepërmi të rezervuar ndaj veprës së tij letrare, e sidomos me rastin e përpilimit të antologjive e panoramave të ndryshme poetike.

Tani kur Martin Camaj nuk është më në mesin e të gjallëve, unë, megjithatë, i ruaj të freskëta disa reminishenca kujtimesh gjatë bisedave me të. Diagrami i atyre kujtimeve që fillon në Universitetin Maximilian të Mynihut (Katedra e Albanologjisë) dhe përfundon në Universitetin e Kosovës, mbruan në vete një përvojë modeste, një sekuencë të shkurtër  përjetimesh të rralla. Jo ratsësisht po i përmendi këto dy universitete sepse Martini mes këtyre dy vatrave arsimore e shkencore vendosi ylberin e gjakimeve krijuese. Pas largimit nga vendlindja dhe shkurajes në mërgim, Martini për here të parë erdhi në mesin tonë, në Prsihtinë, në gusht të vitit 1990, si pjesëmarrës i Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Profesori plak i Universitetit ë Myniut i solli Universitetit të Kosovës sythin e këputur të albanologjisë dhe letërsisë shqipe. Ardhja e sërishme e tij në Kosovë, nuk ishte ardhje e udhëtarit të huaj që udha rastësisht e kishte çuar këndej. Dhe kjo ardhje sikur është përgjigje ndaj një pengu që ai e kishte pasur vazhdimisht në shpirt. Sepse edhe në takimin e Myniut më pat thënë: “Më mbesin sytë çelë po qe se nuk e shoh edhe një herë Kosovën”.
 Takimin e  sërishëm me Martin Camajn në Prishtinë e pata përjetuar në mënyrë të veçantë. E pata pyetur për gjithçka dhe mundohesha t’i ndihmoj sa është e mundur. Që të jem edhe më i sinqert, një takim të tillë as që e prisja sepse Martini qysh në Mynih më pat komunikuar një njoftim të kobshëm për gjendjen e tij shëndetësore: “Unë jam i sëmurë nga kanceri”, më pat thënë atëherë dhe dy kokrra lot i paten shkuar faqeve. Që të ma bënte të qartë se ata lot nuk dilni nga frika e vdekjes, Camaj shkakun  e atyre lotëve e pat lidhur me një gjakim jetësor, të cilin ma pat shprehur teksa zbrisnim shkallëve elektrike të Universitetit të Mynihut drejt metros: “A thua do të arrij ta përfundoj një  libër studimor për arbëreshët?!”


Prandaj, takimi i sërishëm me të, pas dy vjetëve, ishte më tepër se festë, aq më tepër kur isha i njoftuar për gjendjen e tij shëndetësore. Mbase edhe ngazëllimi tim kur e pashë sërish, ai mjaft mirë e pat deshifruar dhe sikur e pat lexuar mendimin tim: “Ja, Martini ende qenka gjallë”. Mirëpo, nuk e di se pse nuk e pata pyetur nëse e kishte kryer apo jo atë studimin për arbëreshët për të cilin më pat folur në të dalë nga Universiteti i Mynihut para se të hipnim në metro.

Sot kur Martin Camaj nuk është më në mesin e të gjallëve, unë s’kam se si të mos e them: Martini ende ëshë gjallë. Bile ai i ka përfunduar të gjitha veprat, madje edhe atë për arbëreshët. Për ta ruajtur kurorë të freskët kujtimin për Martin Camajn, dhembjen për të do të mund ta kompensonim vetëm duke i lexuar dhe studiuar veprat e tij: romane – “Djella” “Karpa”, “Rrathë”, “Dranja”, poezi – “Një fyell ndër male”, “Dallgët e vërrinit”, “Lirika mes dy motive”, “Njeriu më vete e me tjerë, drama – “Loja e mbasdrekës”  “Kandili i argjandit”, novelat – “Gjin Gazulli”, “Pishtarët e natës”, “Shkundullima”.

Kultura jonë kombëtare do të bëhej pronë shpirtërore e brezave në ardhje, vetëm atëherë kur vepra dhe figura e Martin Camajt vendosen në rrafshin e merituar të kierarkisë së vlerave.


 (“Flaka e vëllazërimit”, 20 mars 1992)

TEKI DERVISHI, NJË SHKOLLË E NXËNË JASHTË LIBRAVE

Emri i Teki Dërvishit nuk është thjeshtë një adresë për dërgesa të zakonshme. Emri i tij përfaqëson një kuptim më të thellë për letërsinë, për artin, për kulturën dhe jetën tonë kombëtare përgjithsësisht. Ai, fatkeqësisht është ende i pastudiuar dhe për pasojë veprat e tij nuk janë bërë pjesë e komunikimit tonë letrar e kulturor. Sidomos brezi i ri as që ka haber se kush është Teki Devishi dhe për për një komb dhe një shoqëri nuk ka degradim më të madh kur mungojnë “senzorët” për të detektuar vlerat e mirëfillta. Nëse Teki Dërvishi mbetet jashtë këtij observimi, atëherë mund ta marrim me mend se kush e zë vendin e tij: tallavaja në gazetari, shundi në muzikë, epigonizmi në letërsi dhe pseudoshkenca në studimet tona.

Teki Dërvishi shkëlqeu në të gjitha zhanret, por ai ishte poet dhe dramaturg i lindur. Lirika dhe dramatika e Teki Dervishit janë dy vokacione të të njëjtjes fushë magnetike krijuese, por në vetvete paraqesin dy shkolla të konsoliduara estetike, që për fat të keq ende kanë mbetur të patrajtuara dhe të panjohura gjithaq, sa nga studiuesit, poaq edhe nga lexuesit.

Përfshirja e krijimtarisë së Teki Dërvishit në studimet tona letrare, qofshin ato në katedrat universitare, qofshin në projekte autoriale, si dhe përkthimi i veprave të tij në gjuhë të huaja, do të ishte detyrimi më i madh moral i yni ndaj tij, sepse vetëm në këtë mënyrë kultura jonë kombëtare ngrihet në një nivel edhe më të lart, atje ku Europa tashmë ka ka arritur të zhvillojë një sens solid të akceptimit të vlerave supreme letrare e artsitike.

Pa Teki Dërvishin, letërsia jonë kombëtare do të ishte një provincë kulturore e Europës. Të gjithë studiuesit e letërsisë, por edhe lexuesit e vëmendshëm të veprës së Teki Dërvishit, janë shoqëruar me jo pak dilema para se t’iu kenë qasur këtij shkrimtari, sa origjinal, po aq edhe kompleks, sa modernist,  po aq edhe eksperimental. Teki Dërvishi është  ndër shkrimtarët e rrallë të letërsisë sonë që ka mbetur jo vetëm i pastudiuar, por për rrjedhojë, statusi i tij si individualitet krijues nuk e ka zënë vendin e merituar në sistemin  e përgjithshëm valorizues të universit tonë letrar, por edhe në njohjen e meritave që ai pati në mbajtjen gjallë të rezistencës intelektuale e protestës  krijuese kundrejt sistemeve antikombëtare e akulturuese.

Shkrimtari Teki Dërvishi erdhi si fenomen krijues dhe mbetet i tillë për shumë arsye, sepse ai nuk ishte shkrimtar mode, ndonëse nuk ishte demode, ai nuk shkroi që t’i përshtatet kohës, ndonëse nuk ishte  jashtë kohe, ai nuk i takonte oborrit letrar, por vepra e tij theu shumë gardhiqe që i kishte vendosur kritika zyrtare dhe fryma letrare e poltronëve oborrtarë…

Në vitin 1981 Teki Dërvishin e larguan nga gazeta ‘Flaka e Vëllazërimit’, sepse refuzoi të shkruante kundër Ismail Kadaresë, që i bie se ai refuzoi të del kundër vetvetes dhe po të vepronte ndryshe ai nuk do të ishte më Teki Dërvishi. Ishte po ai që i takonte Grupit të Demaçit, si përfaqësues i Rrafshit të Dukagjinit dhe i dënuar si 17 vjeçar me burg të rëndë në ishullin famkeq të Goli Otokut, që ndryshe njihej si Alkatrazi i Jugosllavisë së atëhershme, ku vuajtën dënime shumë disidentë të kohës. Kjo ishte edhe një shkollë për T. Dërvishin të cilën ai kishte arritur ta nxëjë jashtë librave, që më vonë vet do të bëhej një shkollë për të tjerët e nxënë jashtë librave, por edhe një aksiomë jetësore që e kishte mësuar nga Dush Kusari që ‘kurrë të mos i takonte shumicës’. Ishte po ai i cili veproi gjithmonë sipas dellit të krijuesit e njeriut vertikal që udhën e nisur e përfundonte atje ku i thoshte ndërgjegjja.

Dhe ndërgjegjja e Teki Dërvishit ishte baraz me fuqinë krijuese për t’i bërë një radiografi poetike shtëpisë së sëmurë, e cila po lëngonte mbi gërmadhat e një ngrehine qe herët a vonë duhej rrënuar, por, edhe si i varun me vargje për drurin e blertë, ai arriti ta ruajë pastërtinë e poezisë nga klishetë e socrealizmit dhe skemave të mërzitshme të një letërsie me patos social dhe me avangardizëm të shpifur. (me vëllimet poetike “Nimfa”- 1970, “I varun me vargje për drunin e blertë”- 1971, “Shtëpia e sëmurë”- 1978,  “Thashë” – 1981.  Ai, madje, siç do të vë në dukje prof. Nehas Sopaj, sipas të cilit Teki Dërvishi jo vetëm që ishte kompleks për nga natyra dhe veçantia e shkrimit, por edhe për faktin se  “ai, krahas Marin Camajt dhe Beqir Musliut, në letërsinë tonë bashkëkohore është një ndër shkrimtarët më produktivë dhe vepra e tij shënon shkollë shkrimi më vete ku autorin e shohim shumë pjellor duke lëruar tri gjinitë letrare paralelisht: poezi, prozë dhe dramë dhe është vështirë të kuptohet pesha dhe rëndësia e veprës së tij nëse lexohet parcialisht, pra nëse lexohet vetëm si poet, si prozator apo si dramaturg. Por, edhe të lexuarit në tërësi të veprës së tij është i vështirë, sepse problem numër një për receptim paraqet mosnjohja e domosdoshme e kodeve të shkrimit të autorit”.

Të rrallë janë shkrimtarët në letërsinë tonë që sistemin e ideve dhe konceptin estetik e kishin të mishëruar si një tërësi në vetë natyrën e krijimit, ose siç do të shprehet një studiues tjetër meritor i veprës së Teki Dërvishit,  Ramadan Musliu  sipas të cilit “Teki Dërvishi  arriti të krijojë një opus letrar në të cilin hetohet një sistem idesh, një koncept unik estetik, një vetëdije krijuese, e cila kur vështrohet në të gjitha planet, del  si një artist në rolin e demiurgut, ai që arrin të krijojë një univers artistik”.

Brezi i shkrimtarëve që erdhi bashkë me Teki Dërvishin, siç ishin Beqir Musliu, Musa Ramadani, Ymer Shkreli, Xhabir Ahmeti, Resul Shabani, Nexhmedin Soba e ndonjë tjetër, ishte fryma që po thyente një traditë shkrimi, por edhe brezi i shkrimtarëve që arritën të bëjnë kalime të pahetueshme nga zhanri në zhanër duke qenë të suksesshëm në çdo njërin prej tyre.

I tillë ishte edhe Teki Dërvishi, i cili madje edhe kur shkruante prozë, shkrinte elemente të tjera të natyrës shkrimore, (duke filluar nga vëllimi me tregime ‘Etje dhe borë’) dhe siç do të vërejë edhe  studiuesi Ibrahim Rugova teksa analizonte romanin ‘Pirgu i lartë’ që  e konsideronte një prurje të re në letërsinë shqipe për kohën kur u botua (1972) , sidomos sa i përket funksionit të poezisë në roman. Kjo strukturë novatore e të rrëfyerit mbase do ta bëjë ‘Pirgun e lartë’ romanin e parë lirik në letërsinë shqipe, për të vazhduar me një tjetër observim narrativ përmes romanit ‘Herezia e Dërvish Mallutës”, në të cilin Teki Dërvishi tematizon herezinë e raportit në mes të individit dhe rrethit dhe  thellësinë e paradoksalitetit të keqkuptimeve në këto raporte, ku Dervish Malluta prish kanonet të cilave është dashur t’iu përmbahet.

Se Teki Dërvishi është një shkrimtar që kapërcimin e metodës shkrimore nga një zhanër në zhanrin tjetër e bën me sukses, por edhe me pasion eksperimental,  pa rënë në grackën e eklektizmit të tepruar stilistik, dëshmon edhe përkushtimi i tij ndaj dramaturgjisë, që dikush prej miqve dhe krijuesve e pat quajtur ‘Shekspiri shqiptar’,  përmes dramave: “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi”, “Bregu i Pikëllimit”, “Pranvera e librave”, “Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit”, “Kufiri me atdhe”, “Mbreti i lirë”,   “Vojceku”, “Eshtrat që vinë vonë”, “Nesër nisemi për Parajsë”, “Ku është Populli?”.

Në gjithë këtë opus dramatik, ai kulmin e arriti me ‘Bregu i pikëllimit’, një cikël prej nëntë njësish dramaturgjike, të cilat edhe po të lexohen dhe të luhen veç e veç, mund të funksionojnë si mëvetësi kuptimore, pa e prishur tërësinë e integralitetit, ndonëse në skenat teatrore sidomos realizimi në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, me regjisorin Vladimir Milçin, “Bregu i Pikëllimit”, jo vetëm që po e freskonte tempullin e Talisë me një prurje tepër të komplekse e të guximshme, por po i jepte Teatrit shqiptar një ritëm të ri zhvillimi, një dinamikë që kishte filluar ta humbë në kohën kur kjo  dramë u vu në skenën e Prishtinës në fillim të nëntëdhjetave. Përmes Bregut të pikëllimit Teki Dërsvishi bëri konfigurimin skenik të një udhëtimi të dyzuar mitik e real të njeriut, i cili , siç ndodhte edhe me Itakën e Odisës, ashtu Suka e Cërmjanit ishte për Udhësin Lojëtar sizmologjia e gjendjeve shpirtërore, që duhej të kalonte nëpër nëntë rrathë, që ishin nëntë shtresa të sprovës njerëzore, por edhe nëntë hallka të vetëpërcaktimit moral të individit në kontekst të xhunglës sociale e psikologjike që e rrethonte.

Teki Dërvishi erudit e shkrimtar, estet e publicist, eksperimentues  e postmodernist, i cili kurrë nuk parapëlqeu t’i takonte shumicës, mbetet pengu më i madh i një misioni të papërfunduar i botuesve, studiuesve e përgjithësisht lexuesve, sepse njohja më cilësore  me këtë shkrimtar tash e në të ardhmen nuk mund të bëhet pa një ridefinim të statusit të tij në letrat tona dhe kjo uk mund të bëhet pa u botuar e plotë vepra e tij, në poezi, prozë, dramë, ese, kritikë (letrare dhe teatrore), publicistikë, dhe pa u studiuar me themel sistemi estetik e shkrimor i kësaj vepre.

Nëse në Britani ekziston si model  katedra e Shekspirologjisë, e pakta që mund të bëhet në sistemin tonë arsimor, kulturor e mediatik, është përfshirja si objekt studimi i veprës së Teki Dërvishit, njërit prej kodifikuesve të rrallë të shenjëzimit letrar, duke filluar që nga tregimet e para të botuara në revistën ‘Jeta e re’, në fillim të viteve 60, që drejtohej nga Esad Mekuli, ku bënte pjesë edhe tregimi ‘Sania’, e deri te krijimet fundit, të shpërndara nëpër gazeta e revista në dhjetëvjetëshin e fundit para se të ndërronte jetë, më 29 qershor 2011.


29 qershor 2019

SHKRIMTARI I PROTESTËS DHE INDINJATËS NJERËZORE


(Portreti letrar i Fadil Bekteshit)

Fadil Bekteshi luftoi me jetën për të mbetur njeri dhe luftoi me njeriun për të mbetur krijues. Lufta e tij kishte brenda revoltë, kurse mimetika krijuese që ai në vazhdimësi e thadronte përmes një procedimi mjaft inventiv krijues

‘Sa e sa vepra letrare, sa e sa reportazhe gazetareske, sa e sa xhirime filmike , në pamundësi për t’u shfaqur…u përplasën për muret e  absurdit. Në kazanin e katrahurës zhdanoviane qindra motive u farmakosën, po edhe po aq pena krijuesish ambicioz u topitën në ujin  e zi të tmerrit antishqiptar e antinjerëzor…Ndër ata që përjetuan këtë shembje vlerash, këtë gjueti të egër mbi intelektualët shqiptarë, qe edhe Fadil Bekteshi, nga katundi Llopat i Kumanovës, shkrimtar dhe gazetar i dikurshëm i Televizionit të Prishtinës, i cili në vitin 1982 u dëbua nga puna vetëm pse kishte zbatuar drejtshkrimin e gjuhës shqipe (në kohën kur e larguan nga puna kryente punën e lektorit). Dhe në pamundësi për t’i dënuar autorët e drejtshkrimit të shqipes (të cilët fjalës ‘sheshir’ – sllavçe, kishin vendosur t’i thonë republikë), lakejt e politikës antishqiptare iu  vërsulën Fadil Bekteshit duke ia ndaluar ushtrimin profesionit dhe duke e nxjerrë në udhë të madhe’.

Kjo është hyrja e një interviste që kisha zhvilluar me Fadilin në tetor të vitit 1990, përmes së cilës, pas tetë viteve kur kishte ndodhur dëbimi i tij nga puna, ai fliste për historikun e ‘mëkateve’ profesionale, për montimet paditëse kundër tij si dhe për kohën e kaluar në burgun famëkeq të Idrizovës.

“Vuajtja e dënimit në Idrizovën famëkeqe, është një kapitull më vete. Megjithatë, përskaj gjithë krajatave, burgu më pasuroi me një përvojë të madhe jetësore. Aty njoha për së afërmi skëterrën idrizoviane, njoha të burgosur politik shqiptarë, që me ndonjë përjashtim të rrallë, me kokën lartë e me një kurajo të habitshme, u përballonin të gjitha provokacioneve të vagoba-ndëve, kriminelëve, maniakëve, të përgatitur enkas nga gardianët e burgut për t’i lëshuar si hienat mbi të burgosurit politik shqiptarë, Mirëpo këtyre provokimeve shqiptarët me dinjitet u bënin ballë. Ata qenë shembull tolerance  dhe solidariteti njerëzor mes atyre mureve të trasha me telat gjëmborë mbi ta, me karakollët anësorë që ditë e natë sodisnin me sy korbash atë rreth dantesk që ziente njerëz të gjallë, të privuar nga çdo  e drejtë njerëzore. Ajo kohë që iu mbetej të burgosurve politik shqiptarë, gjithnjë i shihje me libra në duar, edhe pse biblioteka e burgut disa herë brenda pak vitesh, qe zbrazur nga librat shqip. Libri qe ai që i dallonte këta bijë më të mirë të popullit shqiptar nga kategori të tjerë të burgosurish, mes të cilëve gëlonte shtëllunga e veseve më të këqija”.

Kështu e përshkruante, në intervistën e lartshënuar,  atmosferën dhe ambientin brenda burgut, shkrimtari Fadil Bekteshi. Pse pikërisht me këto fragmente të shkëputura nga inervista me të, vendosa ta filloj këtë sprovë për të skicuar portretin letrar të Fadil Bekteshit?

Në mungesë të marrëdhënieve të drejtpërdrejta lexues-shkrimtar dhe në kushtet kur ata nuk janë aktivë në hapësirën e receptivitetit publik, ka rrezik që të shkaktohet një lloj ‘infarkti’ komunikues. Prandaj, risjlleja në vëmendjen tonë të këtyre deta-jeve nga jetëshkrimi i këtij autori, hedhin më tepër dritë në përpjekjet tona për ta njohur më mire veprën e tij.

Edhe në këto copëza rrëfimesh në vetë të parë, që ishin thënë tash e gati 30 vite më parë, vihet në spikamë, megjithatë, aftësia vrojtuese e tij prej krijuesi, duke nxjerrë në pah dimensionet më të qenësishme dhe trajtat më tragjike  të një jete që ishte e privuar nga çdo lloj lirie njerëzore. Plasticitetin e këtij vrojtimi ne do ta ndeshim në gjithë arealin krijues që ai la pas vetes, duke filluar nga krijimet e hershme për fëmijë, sidomos në vëllimin me tregime ‘Balloni’ e deri te baladat e fundit lirike, ‘Filxhan i dashurisë’, ku shkrimtari Fadil Bekteshi ndërton në kontinuitet parabolën e tij letrare.

Leximi i veprës letrare të Fadil Bekteshit ndërlidhet jo vetëm me çështjet e komunikimit që kjo vepër pati me rrethe të caktuara lexuesish, moshash, gjinish e afinitetesh të ndryshme ideo-este-tike, por edhe me vet statusin e këtij shkrimtari në bibliografinë teoriko-letrare, e cila duhet thënë se është e paplotë dhe e lënë disi në harresë nga pakujdesia dhe shpërfillja. Një vepër apo një autor do ta bëjë jetën e vet aktive në rrafshin e receptivitetit publik, varësisht sa ajo vepër apo ai autor ushtrojnë ndikim të drejtpërdejt në komunikimin e çdoditshëm dhe sa vlerat që ata prodhojnë krijojnë efekte estetike-letrare në atmosferën përgjithshme kulturore e krijuese.  Me fjalë të tjera, një vepër, apo një autor, siç ishte rasti edhe me disa shkrimtarë tanë, bie fjala Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa e ndonjë tjetër, jetën e tyre aktive në sferën publike e kishin të kushtëzuar, parasegjithash, nga shkalla e lexueshmërisë dhe studimi letrar, që ishin të munguar dhe të fragmentuar madje edhe të ekskomunikuar.

Nuk do të donim të paracaktonim ndonjë kualifikim preju-dikues që lidhet ngusht me statusin publik të receptivitetit të veprës letrare të Fadil Bekteshit, por realisht  ka ndodhë një anatemim i heshtur i këtij krijuesi, edhe atë jo nga motive që ishin të njohura dikur, e që kishin të bënin kryesisht me mekanizmat shtetëror të censurës, por thjeshtë nga shpërfillja që vie si rezultat i defokusimit tonë të përgjithshëm kulturologjik. Si pasojë e këtij defokusimi ne sot mund të flasim për faqe të tëra të harruara e të palexuara të letërsisë sonë për fëmijë që nuk iu servohen lexuesve të vegjël dhe të rijë. Për ta vërtetuar këtë konstatim ne sot mund të bëjmë një provë përmes një ankete, ku do të detektonim disa nga interesimet e nxënësve-lexues për veprat e shkrimtarëve për fëmijë. Sigurisht që në foksin e këtyre interesimeve mund të përfshijmë edhe librin me tregime ‘Balloni’ të Fadil Bekteshit, një vepër model e  botuar në vitin 1981 dhe e tërhequr pas një kohe nga qarkullimi, si pasojë e përndjekjes policore ndaj autorit që zgjati plot 11 vite. Përgjigjet e kësaj ankete sigurisht që mund t’i marrim me mend, por që do të kenë një emërues të përbashkët: harresën vrastare që e shkakton keqedukimi dhe sistemi i pa konsoliduar i vlerave morale  kulturore.

Edhe Fadil Bekteshi si autor u desht të ballafaqohet me sistemin zhdanovian të ‘cenzorkuqve’, siç parapëlqente të thoshte ai, në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, duke bartur mbi kurriz të gjitha reperkusionet që sillte vrazhdësia e atij sistemi.

Fadil Bekteshi i takon brezit të shkrimtarëve të viteve shtatëdhjetë që u artikulua me pjekuri krijuese në vitet tetëdhjetë, dhe bashkë me Nehas Sopajn, një përfaqësues tjetër emblematik i këtij krahut të letërsisë shqipe, ndikoi në emancipimin e atmosferës krijuese në rajonin e Kumanovës, dhe më gjerë, duke kontribuuar për shumë vite në zhvillimin e një jete aktive letrare, përmes manifestimeve, botimeve dhe aktiviteteve në kuadër të klubit letrar ‘Jehona e Karadakut’ dhe revistës ‘Doruntina’, e themeluar dhe drejtuar nga ai për shumë vite, që ishte dhe mbeti tribuna kryesore e përfaqësimit dinjitoz të vlerave letrare e krijuese nga ky rajon, por edhe më gjerë.

Fadil Bekteshi luftoi me jetën për të mbetur njeri dhe luftoi me njeriun për të mbetur krijues. Lufta e tij kishte brenda revoltë, kurse mimetika krijuese që ai në vazhdimësi e thadronte përmes një procedimi mjaft inventiv krijues, si në prozë te tregimet për fëmijë dhe sidomos te tregimet eseistike të përmbledhur në librin ‘Udhëtim nëpër skëterrë’, te baladat lirike ‘Filxhan i Dashurisë’, por edhe në publicistikë, siç mund të jetë libri me skica portretesh e bashkëbisedimesh ‘Na ishte një herë një gjeneral’,kushtuar artistëve e regjisorëve të shquar, në fakt ishte një hark i ngrehur kundër padrejtësisë, dredhive, fjalëve të liga.

Shkrimtari Fadil Bekteshi nuk do të ishte ai që gjithë e njohëm, po qese nuk do ta kishte  protestën dhe refuzimin ndaj të keqes indin aktiv që bashkonte në një pikë graviteti gjithë kredon e tij etike, njerëzore e krijuese. Te shkrimtarët që nuk e ndajnë imanencën krijuese nga bota njerëzore që ata përfaqësojnë, ka qenë e pranishme lidhja kauzale që fati e krijimtarisë, të ndiqet nga fati i autorit,  dhe anasjelltas,  kurse ky i fundit, siç ka ndodhur zakonisht me disa autorë të spikatur, bie fjala me Pushkinin , por edhe me motivet e Nositit te Lasgushi, dhe ndonjë tjetër, është udhëhequr nga ideja e vetëflijimit, ose siç e thotë vetë Fadil Bekteshi në përmbyllje të librit ‘Filgjan i dashurisë’, ‘Sipas të gjitha gjasave, kryevepra ime do të jetë vetëflijimi për të tjerët’

Gërshetimi i fatit dhe fatalitetit, i dashurisë dhe tragjizmit në jetën  e një shkrimtari përçohen nga një fije e padukshme fibrike. Fadil Bekteshi nuk e deshi fatalitetin në letërsi, por ai iu bë pjesë e rrugëtimit të tij në jetë.

Nëse në tragjedinë greke fataliteti binte mbi atë qe kishte shkelur kanonet e pashkruara për te cilat vihen ne mbrojtje perënditë, në letërsinë e F.Bekteshit, sidomos në baladat e  tij lirike, fataliteti jetësor kalonte nëpër një teh shpate ku lufta zhvillohej midis moralit publik dhe ndjenjave që prodhon dashuria e  gabuar…. Ajo çka ishte e zakonshme, bie fjala te Eskili, Euripidi, Sofokliu, ku në të gjitha tragjeditë e tyre  perënditë marrin pjesë si personazhe me të drejta te plota, në baladat lirike të F. Bekteshit është një personazh i padukshëm , një demiurg, që gjithashtu është gjithkund prezent, të cilin autori e ka paraqitur si një gojë llafazane, një gojë e ligë,  që vazhdimisht flet, pëshpërit dhe që në instancë të fundit bëhet pjesë e një labirinti fatkob brenda të cilit subjekti lirik përfundon si një Hero me fat të paracaktuar, ku siç do të thoshte autori ‘Vdekur të Vajtoj Dashuroj, Gjallë as t’Urrej as t’Mallkoj! Mbaroj!’ atje ku ’Gojëligat qendisin anatemën’.

Poetika e Fadil Bekteshit e shprehur në të gjitha zhanret përmbledh në një subjekt të thjeshtë e të sintetizuar kohën dhe hapësirën e zhvillimit të ngjarjeve e ideve, kurse lexuesit i mbetet të bluaj trajtat e patretura të një letërsie e cila vazhdon të na ftojë në shpalime e komunikime të reja.  Gjeneratave të reja të lexuesve dhe studiuesve iu mbetet të plotësojnë boshllëkun që e krijoi mospërfillja jonë ndaj krijuesve që me gjuhën e shkrimit kishin lënë gjurmë dhe ishin bërë gjuhë e identifikimit të një kohe edhe një hapësire. I tillë do të mbahet mend edhe shkrimtari i protestës dhe indinjatës njerëzore, Fadil Bekteshi.

12 qershor 2019

SHKRIMTARI IBRAHIM KADRIU, NË 80-VJETORIN E LINDJES

(Si nxitje për një portret që nuk zbehet)

Në panteonin e letërsisë shqipe, emri i Ibrahim Kadriut qëndron si një gur i gdhendur me durimin e shekujve. Poeti, prozatori, publicisti, pedagogu, kronisti i shpirtit kolektiv – Ibrahim Kadriu nuk shkroi thjesht libra, por ndërtoi arkiva emocionale të një kombi, shtëpi narrative ku strehohen kujtesa, plagët, ëndrrat dhe kthesat e fatit historik.

Qysh me daljen e tij të parë me “Netët e Karadakut” (1969), ai solli një zë që dridhej si tel lahute në prag beteje – poetik, melankolik, por mjaftueshëm i fortë. Në “Qyteti i luleve” dhe “Pranvera shikon nga bregu”, ai dëshmoi se ndjeshmëria e tij nuk njeh pengesa moshe, ideologjie a kohe – ajo buron nga identiteti, nga rrënja, nga fjala si atdhe.

Vula që e identifikoi Kadriun – poetin e kujtesës kombëtare mbetet “Elegji ditës” (1964), pjesë e librit “Netët e Karadakut, “ (1969) , një elegji e shkruar në ditën e arrestimit të Adem Demaçit dhe bashkëveprimtarëve të tij, përfshi edhe poetin dhe mësuesin e popullit Fazli Grajçevcin, i cili pastaj nga torturat  vdes në stacionin e policisë në Prishtinë.  Kjo poezi nuk është thjesht një tekst letrar; është një altar i dhimbjes dhe i qëndresës, një kujë e ngritur në epikë, një fener moral që nuk u shua as atëherë kur errësira synonte të bëhej normë.

Kadriu nuk qëndroi gjatë nën hijen e një zhanri. Ai u zgjerua, krahas zhvilimit dhe formimit të  tij si krijues, që po i rrekej me guxim artit të fjalës.  Me “Diçka po ndodh” dhe “E lumi rridhte”, ai provoi se pulsi i tij krijues di t’i mbajë ritmet e shumë instrumenteve: poezisë, prozës, dhe rrëfimit të kondensuar filozofik. Me “Pas kthimit” (1975), Kadriu u fut në tempullin e romanit – dhe nuk doli më prej aty; e bëri atë hapësirën e tij të preferuar për të shpalosur njeriun e veprimit, të brengës, të dilemës, të fatit tragjik e të dinjitetit.

Ky shkrimtar e ushqen romanin me jetë, dhe narracionin nuk e përdor si stoli fjalësh. Në romanet “Kroi i Ilaçit”, “Spirale muzgu”, “Frymëmarrje në shtjellë”,  “Pjella e dreqit”, “Përtej binarëve”, “Kapërcimi i ujit të madh”, ”Zogjtë fluturojnë vetë”,  “Kalorësi i Karadakut”,  “Të vdekurit e gjallë”,  “Varri i shitur në Damask” , ai nuk rrëfen thjesht ngjarje – ai ndërton fate, i vendos ato në rrymën e historisë, i zhvesh nga retorika boshe, i pajis me mish, pasion dhe kundërthënie. Personazhet e tij nuk janë monumente prej mermeri, por njerëz me puls, frikë, guxim e kontradiktë. Kadriu nuk moralizon; ai vë përballë njeriut pasqy-rën e tij vetjake dhe i thotë: njihe veten.

Po aq i natyrshëm dhe i dlirë është zëri i tij në letërsinë për fëmijë – aty ku gurgullima e fjalëve dhe e mendimit nuk zhurmon, por ngroh. Me “Pranvera shikon nga bregu”, “Çuni i kohës së Lekës” dhe disa libra të tjerë për të vegjlit, ai nuk “zbret” në botën e fëmijës, por bisedon me të si i barabartë, duke e edukuar me imagjinatë, jo me doktrina, me shembuj, jo me urdhra, me ndjenja, jo me ligjërime retorike.

Për të qenë një shkrimtar që provonte se misioni i tij shkonte përtej rutinës letrare, Ibrahim Kadriu nuk u kufizua vetëm te krijimtaria artistike. Ai i dha kulturës shqipe libra që ruajnë biografitë morale të kombit, si monografitë për Agim Ramadanin, Ramiz Cernicën, si dhe “Buzëqeshje miqësh”, ku ai s’është thjesht intervistues, por arkitekt i kujtesës publike, njeri që shënon e shpëton nga humbja figurat që i dhanë gjak e zë këtij vendi.

I papërmbajtur nga asnjë klishe, Kadriu i provoi edhe limitet e humorit në kohë të ankthit kolektiv me “444 arsye për të qeshur” dhe “555 arsye për të qeshur”, duke vërtetuar se satira s’është ikje nga realiteti, por mbijetesë brenda tij.

Krijimtaria e tij, e përkthyer në anglisht,  turqisht,  frëngjisht, gjermanisht, italisht, arabisht, rumanisht, norvegjisht, serbisht e gjuhë të tjera, e shtrinë letërsinë shqipe në tavolina studimi, biblioteka e antologji ndërkombëtare, duke e bërë Kadriun një prej ambasadorëve më emblematik të identitetit kulturor shqiptar.

Kritika letrare e ka ndjekur hap pas hapi. Emra si Rexhep Qosja, Ali Aliu, Mahmud Hysa, Anton Nikë Berisha, Mensur Raifi, Vehap Shita,  Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja,  Teki Dervishi, Ramadan Musliu, Labinot Berisha, Arsim Halili , e shumë të tjerë, e kanë lexuar, analizuar, interpretuar dhe rikonfirmuar si zë me peshë të veçantë në letërsinë kombëtare. Ai ka qenë i pranishëm në shtypin e Prishtinës, Tiranës, Shkupit, Beogradit, Bukureshtit, Parisit e Kajros – çka nuk e bën thjesht shkrimtar lokal, por autor me koordinata ndërkulturore.

Kadriu nuk e ndan letërsinë nga njeriu, as njeriun nga fati i bashkësisë. Ai shkruan me bindjen se fjala është akt qëndrese, se kultura është mburoja më fisnike e një kombi, se kujtesa nuk duhet ruajtur vetëm në arkiva, por në ndërgjegje.

Në çdo poezi, tregim apo roman, Kadriu ndjek një rregull të fshehtë: ai flet për atë që nuk është thënë, për atë që rrëfimi i zakonshëm nuk guxon ta prekë. Ai është deti i heshtur që fsheh valët e thella të përjetimit njerëzor, për të shpërthyer pastaj në bregdetin e mendjes së lexuesit. Në këtë mënyrë, fjala e tij nuk vdes; ajo rizgjohet në lexuesin që guxon të dëgjojë, të ndjejë dhe të mendojë.

Për Kadriun, krijimtaria nuk është veçse pasqyrim i përjetësisë së njeriut. Ai e koncepton librin si një urë ndërmjet brezave, një thesar që përmban jo vetëm fjalën e bukur, por edhe frymën, vuajtjen dhe shpresën e një kombi. Çdo vepër e tij është një dokument, një dëshmi dhe një këshillë e heshtur, se kujtesa dhe identiteti janë vlera që kërkojnë përkushtim dhe respekt.

Në 80-vjetorin e tij, Ibrahim Kadriu nuk kremton thjesht moshën – ai kremton edhe raportin e tij me fjalën që i mbijetoi kohës, gjuhën që i mbijetoi harresës dhe shpirtin krijues  që nuk pranoi t’i dorëzohej errësirës. Ai mbetet shkrimtari që ecën para, por kurrë pa e marrë me vete të shkuarën. Ai që shkruan për kombin, por flet për njeriun, ai që krijoi një letërsi-kala, brenda së cilës ruhen identiteti, dinjiteti dhe kujtesa e përjetshme. Në çdo rresht të tij ndjejmë thirrjen për të mos harruar, për të kuptuar dhe për të qëndruar vertikalisht e njerëzor në çdo hap e, në ecjejaket jetësore, edhe kur koha ishte e pamëshirshme.

Nëse letërsia klasike franceze i atribuohet një shkrimtari, prej romaneve të të cilit do të nxirnin mësime shumë ekonomistë e financierë, siç ishte Balzaku, letërsia shqipe do t’i atribuohet shkrimtarit Ibrahim Kadriut, i cili  me magjinë e tij të të rrëfyerit arriti të shtrijë në kujtesën e publikut gjeografinë e toposeve letrare, sidomos të Karadkut, prej nga është edhe origjina e tij.  Në 80 vjetoriu e lindjes së tij, kjo gjeografi bëhet edhe më kuptimplote, për aq sa vepra e tij do të vazhdojë të nxis kërshërinë e leximit dhe të studimit, tash dhe në të ardhmen.

Shkup, 10 nëntor 2025

BESNIK MUSTAFAJ, NJË LABORATOR AKTIV NË KËRKIM TË HAPËSIRAVE TË PASHKELURA KRIJU-ESE

Një shkrimtar mund ta lexosh për efekte argëtimi, por kjo nuk është rruga e duhur pët ta njohur atë. Edhe njohja me shkrimtarin Besnik Mustafaj sikur e kushtëzon lexuesin të jetë më aktiv në procesin receptiv, sepse duke e njohur tërësoren e një shkrimtari, ne mund të valorizojmë edhe cilësinë e tij. Dhe cilësia e shkrimtarit Besnik Mustafaj është rrjedhojë e një letërsie të kultivuar në një laborator që është tepër aktiv në kërkim të hapësirave të pashkelura fabulash e motivesh, që vetëm një shkrimtar me senin e zhvilluar artsitik arrin t’i përpunoj në vepra të arrira letrare. Besnik Mustafajn duhet ta njohim edhe më tepër, për të depërtuar në thellësinë dhe gjerësinë e leximit hemanuetik të veprës së tij, sprovë kjo që shkon përtej kësaj qasjeje modeste times.


Në pamundësi të një paraqitjeje tërësore të gjithë krijimtarisë letrare të Besnik Mustafajt dhe duke mos pasur synim që të jepet ndonjë përshkrim telegrafik i gjithë kalendarit botues të tij, po zgjedh megjithatë të shtroj për diskutim disa teza që ndërlidhen me dy,tre aspekte më tipike të opusit krijues të shkrimtarit  Besnik Mustafa dhe të profilit të tij intelektual e qytetar.

I ardhur në letrat shqipe si një individualitet që u krijua në një kontekst të caktuar letrar e shoqëror, fillimisht si poet në vitin 1978 me vëllimin poetik – “Buzëqeshje të gëzuara”, pastaj edhe si prozator e eseist, Besnik Mustafaj la gjurmë të pakonte-stueshme të formimit estetik në prodhimtarinë e tij letrare, por edhe në klimën krijuese së cilës ai i takonte. Grafikoni i formimit të këtij individualiteti ka ndjekur një kurbë që shkonte përtej milieut social, kulturor e shoqëror të ambienti që e rrethenonte paraprakisht adoleshentin Besnik Mustafaj, i cili derisa ishte në vendlindje e tij, në Bajram Curr, kishte arritur t’i lexoj gjithë librat e bibliotekës së shkollës, qytetit madje edhe të t’jatit dhe pastaj të riun Besnik Mustafaj, në kryeqytet, në Tiranë, me një ardhje shumë të hershme si poet në letrat shqipe. Nëse i hedhim një sy më përimtues këtij grafikoni nëpër të cilin lëvizi formimi i individualitetit krijues e njerëzor i Besnik Mustafajt, do të vërejmë një atipizëm që e shoqëronte këtë formim, duke qenë gjithmonë jashtë shablloneve që i diktonte koha. Për ta ilustruar këtë po përmendim vetëm prirjen e tij shumë të hershme qysh në moshën fëmijënore për të lexuar letërsi për të rritur, siç ishte, bie fjala përvoja me leximin e romaneve “Lufta dhe Paqja” të Tolstoit, apo “Madam Bovari” të Gustav Floberit. Për rëndësinë e këtij të fundit Besniku kishte kuptuar vetëm atëherë kur e kishte lexuar për here të dytë në original gjatë studimeve. 

Nisur nga kurreshtja e një vëzhguesi që ka ndjekur deri diku vazhdimësinë e punës së tij, kam vërejtur se një cilësi që e ka Besnik Mustafaj, nuk ndërlidhet gjithmonë vetëm me të bërit letërsi, por edhe me ofrimin e një modeli të të bërit qytetari në jetën tonë kulturore e shoqërore.

Ai pati oferta qysh i ri të merr poste shtetërore, por refuzoi me bindjen se nuk do ti qëndronte si duhet shtofi i një zyrtari të lartë. Ai madje edhe në fillimet e demoktacisë nuk u tundua nga ofertat që iu bënë nga udhëheqja e atëhersheme e dalë pas zgjedhjeve të para të lira e demokratike. 

Për Besnik Mustafajn, diplomacia, ose marrëdhëniet ndërko-mbëtare,megjithatë  ishte vokacioni më kreativ që nuk do ta detyronte të shndërrohej në një aparatçik shtetëror, por edhe një valvulë që i linte frymëmarrje të lirë për tu marrë me krijimtari letrare.

I lidhur fillimisht me ambientin e vendlindjes, të cilin e kishte braktisur shumë herët, shkrimtari Besnik Mustafaj e përdori këtë ambienet si përpunim letrar në laboratorin e tij krijues, duke i transformuar disa topose dhe  arketipe në minzanskena fabulative, qoftë në romane, apo novela, “Dëmtuar gjatë rrugës”, “Auto-portret me teleksop”,  apo edhe në ese, siç janë dy librat e tij me këtë zhanër “Midis krimeve dhe mirazheve” dhe “Bishti i Kometës”.  

I bashkëshoqëruar me gjithë këtë bagazh që ia impononte profili i dyzuar, herë si politikan, e herë si shkrimtar,në grafikonin e formimit si krijues ndërvepruan disa rrethana që në vetvete përbënin atë atipiken që e përmendëm më lartë.

Atipikja e parë, ndërlidhet me kohën kur ai doli autor  me një

vëllim poetik, qysh si student, atëherë kur bashkmoshanikët e tij nuk e kishin statusin që gëzonte ai në ambentin e atëhershëm letrar. Ky status mbase do t’i siguroj atij parakushte që të zhvillohet si një habitat socio-kulturor në kryeqytet, një privilegj ky që nuk e kishte kushdo nga gjenerata e tij.

Atipikja e dytë –  ai filloi të shkruaj prozë, i pari nga brezi i tij që ishin gjithë poet. Për këtë ndoshta duhet faleminderuar Ismail Kadarenë, i cili gjatë një shëtitjeje me Besnikun e kishte qortuar se pse askush nga brezi i tij nuk po merrej me prozë. Sepse, sipas Kadaresë, vetëm në prozë sprovohet pjekuria krijuese, gjuhësore e estetike e autorëve. 

Atipikja e tretë – Besniku është ndër politikanët e parë që politikën e braktisi për hir të letërsisë. Ky divorc i letërisë nga politika, nuk nënkuptonte që ai të kalonte nga kolltuku I një burokrati në një vëzhgues pasiv të zhvillimeve politike në vend. Përkundrazi ai vazhdoi të kontribuojë me opinione e debate mbi politikën, por pa qenë pjesë e pushteteve, sepse, sipas arysetimeve që ka dhënë Besniku,inercioni i pushtetarit shkon duke marrë përmasat e një makine që lëviz sipas vullneteve që ti diktion dikush tjetër. Me fjalë të tjera pushteti ka disa manire të autodestruktivitetit njerëzor, dhe për rrjedhojë edhe një barrë më e madhe përgjegjësie për punët që jo gjithmonë janë në koherencë me pastëretinë etike të atij që është në pushtet apo afër pushtetit.

Në mendësinë e shkrimtarit Besnik Mustafaj, në vendet në tranzicion është heroizëm i madh të besosh në dobitë e shkrimit, aq më tepër kur autoriteti i shkrimtarit matet me aftësinë për të ndikuar te lexuesit në pasurimin e vetëdijes së tij letrare.

Duke qenë midis politikës dhe letërsisë, Besnik Mustafaj këtë status nuk e çoi kot, por pikërisht atë e ngriti në një referencë krijuese ku do të buronin disa prej dilemave të tij, që përms verprave konkrete sikur marrin përgjigjen e duhur.  Kështu, bie fjala, te libri “Bushti I Kometës”, jo vetëm që triumfon letërsia kundrejt politikës, por Besnik Mustafaj shndërrohet në një gurë peshoreje në sytë e publikut se nga duhet të lëviz ndërgjegja e shkrimtarit kur ai ndodhet para tundimeve të politikës dhe të pushtetit. Por edhe te romani “Autoportret me teleskop” shprehet më së miri divorci i letërsisë me politikën, vepër kjo që është një produkt i pastër letrar, që vjen pas një heshtje të caktuar krijuese, por që gjithë këtë heshtje ai sikur e justifikon me këtë libër, i cili për shumëçka është unik në mbarë letërsinë moderne shqipe. Madje në këtë roman, autori ka operuar mirë me një gjetje që i shkon më së miri metodës së tij krijuese duke e përdorur politikën si mundësi që ia jep narratorit për të krijuar një personazh (homonim) letrar. Por edhe te libri  “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin” një prozë kjo krejt e veçantë, ndryshe nga të tjerat, Besnik Mustafaj është vetë shkrimtari dhe Besnik Mustafaj personazhi.

Duke iu rikthyer edhe një herë librit “Bishti i kometës” ia vlen të thuhen edhe dy –tri fjalë për rëndësinë e këtij libri në kuptimin më esencial që ndërlidhen me laboratoin e tij krijues dhe sidomos me aftësinë e shkrimtarit për të transferuar gjendje të ndryshme social-psikologjike e shpirtërore nga njëra epokë shoqërore te tjera dhe transformimi në rrugë e sipër i këndvështrimit të autorit për probleme të caktuara, përfshi edhe  lirinë e shprehjes. Në këtë libër, Besnik Mustafaj ndër të tjera flet edhe për dy vizita që i kishte bërë në Paris, njërën në kohën e diktaturës, në vitet  e fundit të saj, dhe tjetrën në kohën e  demokracisë. Përjetimet nga këto dy vizita janë të ndryshme, sepse përshtypjet e vizitës së parë, ai i mban për vete, nuk kishte si t’i manifestonte publikisht, për shkak të rrethanave ekzistuese, ndërkohë që për vizitën e dytë e realizuar pas rënies së diktaturës ai shprehet hapur dhe mezi pret t’iu rrëfejë njerëzve mbi atë që kishte parë në Paris. Pra është i njejti Paris, por nuk është i njejti Besnik, sepse bëhet fjalë për dy epoka ku individi në aspektin sociologjik është prodhim i atyre epokave. Për rrjedhojë edhe shprehja e përjetimeve është e varur nga raporti i individit me lirinë, ndonëse këtu kemi të bëjmë me një çështje shumë fundamentale që lidhet me vet shkrimtarin dhe me aftësinë e tij për të prodhuar vlera letrare atëherë kur biejnë kufizimet si produkt i rrethanave jashtëletrare. Libri “Bishti i kometës”, ndonëse ka për autor një shkrimtar që ishte sprovuar me këto rrethana në kohën e diktarurës, ai megjithatë sikur e  manifeston prirjen për të arsytuar talentin e tij në një  shoqëri të lirë. Vetëm shkrimtarët e patalentuar për mosuksesin e tyre fajësojnë pushtetet e shtetet. 

Kur flasin për Besnik Mustafajn që një kohë ishte marrë me politikë dhe pastaj iu kishte kthyer me kohë të plotë letërsisë, gazetarët dhe njerëzit e mediave përgjithësisht këtë e kanë bërë me një kapërcim shumë të shpejt të vëmendjes nga njëra fushë te tjera, pa u thelluar në specifikat dhe efektet që prodhonte në publik një figurë me profil të dyzuar.

Kur e botoi në Paris, në vitin 1993,  librin “Gjinkallat e vapës”, Besnik Mustafaj, duke qenë ambasador në Francë, në një komunikim me një gazetar francez, kishte adresuar një porosi publike për presidentin e atëhershëm francez Fransua Miteran, në prag të një vizite të Millosheviqit në Francë. Duke dalur jashtë këmishës së ambasadorit, Besniku e porosiste Miteranin me fjalët: Nuk mundet asnjëherë ta bëjë Millosheviqin njeri të paqes, pa i kërkuar llogari për luftën, që kishte bërë në ish Jugosllavi.

Një diskurs i tillë publik që nuk i shkonte fare ambasadorit, paketohej si produkt që vinte nga vokacioni i shkrimtarit dhe këtë në njëfarë mënyre ia kishte konfirmuar edhe vet Miterani në një pritje, teksa i kishte thënë Besnikut: Sa mirë e ke laujtur lojën me ato dy kapelat, duke aluduar në profilin e dyzuar shkrimtar/ diplomat që e kishte ai.

Besnikun sot nuk po e pyesim sa vjet i ka, por e dijmë se vitin e kaluar ka kremtuar dy festa: 65 vjetorin e lindjes dhe 45 vjetorin e karrierës letrare. Në këtë përvjetror ai erdhi me një dhuratë për lexuesit. Romani “Fati i marrë” quhej kjo dhuratë që brenda kopertinave mbarte një subjekt shumështresor ku ndërthureshin faktet historike me fiksionin letrar, dhe në horiziontet e largëta të imagjinatës krijuese nxirte krye një Shqipëri që nuk ekziston. Shtrati i këtij romani zinte fill në vitin e largët 1878, në kohën e Kongresit të Berlinit, kur në në Angli kryeministlr ishte  Benxhamin Dizrael. Ky i fundit ishte njëri prej personanezheve historik të romanit, bashkë me Skënderbeun, Janosh Huniadin e ndonjë tjetër. Ai kishte shkruar  një roman për Skenderbeun me titull “Naltësimi i Iskenderit” me subjekt të ngritur mbi një histori dashurie të Skënderbeut me të bijen e Janosh Huniadit, i cili i shërbyer Besnik Mustafajt për të thurrur fabulën e tij në formë palimsesti.

Alegoria e romanit “Fati i marrë”, që ka zanafillë te një libër tjerër me novela  “Historia si një mushkë”, konkretisht te novela me titull “Ura si vend i punëve të dreqit”, është ndërtuar mbi një përrallë ku shkrimtari përfytyron se Shqipëria e kishte fituar pavarësinë që në vitin 1878, që më vonë do të jetë bashkë-themeluese e BE-së dhe NATO-s, se është një demokraci superfunksionale dhe është një vend me prosperitet dhe begati ekonomike më të madhe se Zvicra.

Në këtë roman ka pak personazhe, por ka shumë histori brenda dhe kjo e bën atë t’i nënshtrohet një procesi receptiv në dy rrafshe, sepse subjekti i romanit ngrihet mbi një imagjinatë, por ka fakte historike dhe logjikën e vërtetësisë së gjërave. Duke e gërshetuar imagjinatën me një sfond  personazhesh real dhe me ngjarje historike,që kishin ndodhur, autori në këtë roman sikur e ndjek një qasje që bazohet në thënien e  Gabriel Garsia  Markezit sipas të cilit: “Frymëzimi është vetëm ardhja e subjektit”, me çka pajtohet edhe Besnik Mustafaj, duke ia shtuar kësaj edhe punën e shkrimtarit.

Përpjekja e Mustafajt për të kuptuar dhe shpjeguar pasojat që ka pasur historia mbi fatin dhe dramën e individit shqiptar, në fakt është një parapërgatitje për të kuptuar më mirë lidhsmërinë e shqiptarit me vendin e tij, me identitetin e tij, por edhe me kontekstin kohor e politik në të cilin është ndodhur.

Në këtë dipotri duhet shikuar edhe librin “Një roman i pamundur”,në të cilin procedeu  narrativ ngrihet mbi dy tragjedi në dy skaje të shek. 20. Në thelb të fabulës janë dy fëmijë që përjetojnë dy masakra të ndryeshme, në kohë e rrethana të ndryshme. Por njëri nuk shpëton, kurse tjetri i mbijeton masakrës e që bëhet shkas që të dyja historitë të përmblidhen në këtë vepër. Romani nis të tregoj për fatin e një shqiptari të lindur në çerekun e fundit të shek. 19 dhe të pushkatuar natën nga serbët bashkë me të birin 12 vjeç. Historia e këtij të fundit ishte bërë subjekt i një kënge, që autori Besnik Mustafaj e kishte dëgjuar shpesh kur kishte qenë fëmijë dhe ishte i vetmi moment, deri sa këndohej kënga, kur e gjithë shtëpia duhej të kishte një heshtje absolute. Sigurisht që Besniku si fëmijë nuk ka mundur ta kuptoj rëndësinë e këngës, por më vonë e ka kuptuar se subjekti i kësaj kënge mund të shndërrohej në një fabulë shkrimi aq më tepër që teksti i këngës për Shok Soklin është një nga tekstet më dramatike  që mund të ketë kënga shqipe. Njëherësh te kjo këngë shohim edhe një skenë ku po luhej një ngjarje tragjike. Aty janë gjithë burra me duar të lidhur prapa që ecin të kërcënuar nga kundakët e pushkëve dhe një fëmijë 12-13 vjeç, të cilin e kanë marrë me veti dhe është i vetmi që nuk e dinte ku po shkonin dhe kjo shprehet më së miri përmes vargjeve të rapsodit popullor:

Tan po shkojnë tuj hallalu

Shok Sokoli shkon tuj knu

Fëmija i padjallëzuar e shihte se po hapen disa gropa, mirëpo nuk e dinte se ato ishin varre, andaj edhe babai i drejtohet:

Hajde bir me m’ndihmue

T’nxifsha kangën që je tu e knue


Tek dikur fëmija me instinktin e pafajësisë e kupton se diçka nuk është në rregull dhe e pyet babin:

Ç’janë këto vorre tu i pune?

Njuk janë vorre bab tuj punue

Por janë llogore për me luftue


I përgjgjet babai dhe me këtë don me zgjue brenda t’birit një sens burrnie e kurajoje.

Ishte lufta  në Kosovë  e fundit të viteve nëntëdhjeta ato që e kthyen Besnik Mustafajn te një sinopsis i një proze të rinisë që nuk po bëhej dot roman. Por, kishte mjaftuar leximi i një artikulli në maj të vitit 1999, që trajtonte fatin e një 10 vjeçari me emrin Prenk Ceka nga Gjakova, i cili i kishte shpëtuar maskarës me 21 kufoma, për t’iu rikthyer edhe njëherë ribërjes së këtij projekti. Imazhi i këtij fëmije në gazetë, e kishte kthyer shkrimtarin Besnik Mustafaj te kënga e Shok Sokolit, te një tragjedi tjetër e ndodhur 90 vjet më parë.

Sipas Besnik Mustafajt ky libër dëshmon se mungesa e urrejtjes nacionaliste në letërsinë shqipe i atribuohet viktimave të cilat edhe në vuajtje kishin ruajtur brenda vetes një dozë të madhe të humanizmit. Kjo shpërfaqet edhe në rastin e fëmijës së shpëtuar nga masakra, ku në mesin e të vrarëve ndodhej edhe motra e tij dyvjeçare. Por, ai nuk ishte mësuar të mendoj keq, dhe me insinktin e humanizmit kërkonte një  dritë pozitive edhe te xhelatët teksa deklaronte: “Po ta kishin ditur serbët se motra e kishte atë ditë ditëlindjen, nuk do ta kishin vrarë”. 

Në praktikën krijuese të Besnik Mustafajt nuk ka ndonjë metodologji strikte të të shkruarit, për arsye se jo gjithmonë një subjekt i nisur në formë proze përfundon brenda një kohe të caktuar, pasi që veprat i shkruan  në kohë të ndryshme. Vetëm dy romanet e fundit “Fati i marrë” dhe “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin” janë romane që janë filluar dhe mbaruar pa u ndërprerë. “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin” është një roman i shtrirë mbi dy botë, është një fabulë që ndërtohet mbi periudhën e errët të pandemisë Covid-19, me personazhe të marrë nga realiteti dhe të tjerë që janë produkt i imagjinatës. Në fakt romani më tepër bën fjalë për shtetrrethimin, me tanke dhe ushtarë të armatosur, për ankthin dhe ringjallen e frikërave të vjetra, se sa për pandeminë. Duke u nisur nga fakti se  frika shpesh ka prodhuar letërsi të jashtëzakonshme, Besnik Mustafaj me romanin  e tij sikur bën përpjekje për të na bindur se si frika ndikon në imagjinatën e njeriut, në sjellje e tij, në në gjuhën e tij. Në disa qasje kritike ky roman  madje është krahasuar me “Fermën e kafshëve” të Gjorgj Orvelit.

Një shkrimtar mund ta lexosh për efekte argëtimi, por kjo nuk është rruga e duhur pët ta njohur atë. Edhe njohja me shkrimtarin Besnik Mustafaj sikur e kushtëzon lexuesin të jetë më aktiv në procesin receptiv, sepse duke e njohur tërësoren e një shkrimtari, ne mund të valorizojmë edhe cilësinë e tij. Dhe cilësia e shkrimtarit Besnik Mustafaj është rrjedhojë e një letërsie të kultivuar në një laborator që është tepër aktiv në kërkim të hapësirave të pashkelura fabulash e motivesh, që vetëm një shkrimtar me senin e zhvilluar artsitik arrin t’i përpunoj në vepra të arrira letrare. Besnik Mustafajn duhet ta njohim edhe më tepër, për të depërtuar në thellësinë dhe gjerësinë e leximit hemanuetik të veprës së tij, sprovë kjo që shkon përtej kësaj qasjeje modeste times.

15 korrik,  2024

VEPRIMTARIA E PANJOHUR LETRARE DHE PUBLICI-STIKE E JASHAR EREBARËS NË ARKIVAT E KOHËS

Erebara i takon plejadës së publicistëve e shkrimtarve shqiptarë, të cilët distancën me atdheun  e kompensonin duke krijuar një komunitet pak a shumë virtual, por shumë kultural në hapësirën jashtë etnike, pasi që ai komunitet më tepër bazohej në përkatësinë identitare që buronte prej gjuhës e fare pak në përkatësinë fetar të shqiptarëve. Ishte ky procesi i formimit të identitetit si parim etno-kulturor ku gjuha konsiderohej si atdhe i shqiptarëve  kudo ku ajo përdorej.


Tipologjia e një personaliteti, si Jashar Erebara (1875-1953), shtrihet përtej konturave që  nuk përbëjnë thjeshtë elemente biografike, por më shumë se kaq përbëjnë frymën e një kohe në të cilën u ndodhën shqiptarët në kapërcyellin e shekujve 19 dhe 20.

Jashar Erebara   vazhdon të mbetet një figurë jo e harruar, por e pastudiuar mjaftueshëm , edhe përkundër faktit se ekzistojnë koleksionet e gazetave që ai drejtoi dhe  më se 700 letra të këmbyera mes tij dhe  personaliteteve të njohura të kohës, brenda e jashtë atdheut, në të cilat qarkullojnë një mori idesh e pikëpmajesh mbi gjendjen politike, sociale, arsimore, e kulturore të shqiptarëve.

Bazuar në dokumentet arkivore të kohës kur veproi Erebara, në formë artikujsh autorial, thirrjesh, protestash, memora-ndumesh e peticionesh drejtuar Stambollit e Fuqive të Mëdha apo edhe letërkëmbimet e shumta që pati me personalitete të shquara të kohës, të cilat  sot ruhen në Arkivin Qendror të Tiranës , e që përbën një fond të llojllojshëm, i sistematizuar në 4500 faqe dhe i ndarë në 134 dosje, do të vërejmë se gjuha që u përdor në ato dokumente ishte e ndryshme, varësisht prej kontekstit kohor e hapësinir kur u përdorën, si : turko-osmane, angleze, frënge, arabe, shqipe, serbokroate dhe maqedone.

Nëse kërkohet që të skicojmë  portretin e plotë të personalitetit ë Jashar Erebarës, kjo tani për tani është e pamu-ndur, për arsye se harku kohor e hapësinor i veprimtarisë së tij shkon përtej fondit arkivor të deritanishëm dhe kjo kërkon një angazhim shtesë për të hulumtuar edhe arkivat tjera jashtë atyre shqiptare. 
Ajo çka del prej dokumentave të konsultuara deri më tani, jep të kuptojmë se ta studiosh në plotni personalitetin e Jashar Erebarës, nënkupton prekjen e një neravture të thellë kombëtare, për faktin se ai ndoshta është ndër të rrallët që pati komunikim me të gjitha figurat e shquara të lëvizjes shqiptare dhe njohja nga afër e Erebarës i bie që ne kemi krijuar një imazh më të detajuar mbi një galeri të tërë personalitetesh me ndikim në jetën shqiptare, para dhe pas Pavarësisë (vëllezërit Sami, Naim e Abdyl Frashëri, Nikolla Naços, Mihal Grameno, Asdreni, Kristo Luarasi, Dervish Hima, Hilë Mosi, Ibrahim Temo, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Mit’hat Frashëri, Bajram Curri, Nikollë Ivanaj, Mehmet Frashëri, Gjergj Qiriazi, Hamdi Ohri, Luigj Gurakuqi, Pandeli Evangjeli, Thoma Avrami, Vëllëzërit: Sami, Naim e Abdyl Frashëri, Dervish Biçaku, Naum Sotiri, Visar Dodani, Hoxhë Kadriu, Bedri Pejani, Shahin Kolonja, Mitrush Kuteli, At Gjergj Fishta, Jani Vreto, Kristo Meksi, Hil Mosi, Vasil Zagrafi, Çerçiz Topulli, Hoxhë Kadriu, Bedri Pejani, Shahin Kolonja, Mitrush Kuteli, At Gjergj Fishta, Jani Vreto etj.)

Jashar Erebara, si shumica e publicistëve e shkrimtarëve të Rilindjes sonë Kombëtare, karakterin e tij prej intelektuali e krijuesi e ndërtoi fillimisht jashtë hapësirës së populluar tradicionalisht nga shqiptarët, kryesisht në Bukuresht, Beograd, Stamboll e gjetiu dhe kjo gjithsesi kishte impakt në konceptimin filozofik e etik të temave që ai trajtonte në shtypin e kohës.
Erebara i takon plejadës së publicistëve e shkrimtarve shqiptarë, të cilët distancën me atdheun  e kompensonin duke krijuar një komunitet pak a shumë virtual, por shumë kultural në hapësirën jashtë etnike, pasi që ai komunitet më tepër bazohej në përkatësinë identitare që buronte prej gjuhës e fare pak në përkatësinë fetar të shqiptarëve. Ishte ky procesi i formimit të identitetit si parim etno-kulturor ku gjuha konsiderohej si atdhe i shqiptarëve  kudo ku ajo përdorej. Ky homogjenitet socio-lingustik i shtypit shqiptar, prodhoi edhe nacionalizmin shqiptar në periudhën e fundit të shekull. 19 dhe në fillim të atij 20. Këtu mbase i ka rrënjët edhe ngjizja e ndrgjegjes kombëtare shqiptare, që rezultoi me një sere verimesh konkrete si në planin e unifikimit të alfabetit që ndodhi në vitin 1908, ashtu edhe në kurorëzimin politik të mvetësisë kombëtare në vitin 1912. 

Kjo është edhe periudha më delikate në historinë politike e kulturore të shqiptarëve, pasi që ndodhemi para një drame të madhe gjeopolitike që do të shkaktonte dridhje tektonike në rrafshin e një realiteti të ri, i krijuar pas largimit të adminsistatës  osmane nga trojet shqiptare dhe zëvendësimi i saj me një reliev të zhubravitur  politik, por edhe me një hartë të cunguar shtetërore-etnike, si pasojë e konferencave ndërkombëtare dhe aspiratave grabitqare të fqinjëve.

Në bazë të të dhënave të konsultuara arkivore,por edhe në bazë të një mori burimesh e referencash të kryqëzuara sin ë shtyp, ashtu edhe ë botime të veçanta, rezulton që  rrugëtimi professional e jetësor  i Jashar Erebarës kaloi nëpër tri faza kryesore:

– gazetar, dhe botues  në periudhën e viteve 1895 dhe 1910-1912;

– instalimi i tij në shtetin shumë ri shqiptar,  nëpunës civil rreth vitit 1912, dhe  deputet në mes viteve 1924 dhe 1939;
– mbyllja e tij në vetvete nga viti 1940, harresa dhe varfëria deri në vdekje në vitin 1953

Meqë kjo Konferencë shkencore po mbahet në Manastir, e shoh të arsyeshme që të shkëpus edhe njl detaj biografik nga rrugëtimi i Jashar Erebarës, e që ndëridhet pikërisht me këtë qytet.

Pas pavarësimit të Serbisë (1878) dhe pushtimit të Mostarit, familja e Jasharit u shpërngul në Dibër, por me një gjendje të rënduar  shpirtërore e sociale, si pasojë e mbetjes pa prind dhe të afërmit e familjes së ngusht. Në rrethana të tilla, Jashari si fëmi i mbetur jetim vendoset në shtëpinë e dajës, Sejfulla Erebara. Prej këtu edhe merr mbiemrin Erebara (në rrethin e Dibrës është një fshat me toponim Erebara).

Prej Dibrës pastaj shkon në Manastir, ku e kryen gjimnazin me sukses të dalluar. Si nxënës të dalluar, Gjerasim Qiriazi e dërgon për studime në Stamboll, ku u njoh me Sami Frashërin e rilindas tjerë dhe u angazhua në aktivitetin për shkollë dhe arsim në gjuhën shqipe, që zhvillonte Lëvizja Shqiptare. Me porosi të Samiut, në vitin 1891 shkon në Elbasan, ku zhvillon aktivitet të dendur. Me rekomandim të Nikolla Naços, në vitin 1892 Erebara shkon në Bukuresht, regjistrohet në Shkollën Normale dhe vendoset në konviktin e asaj shkolle, për t’u përgatitur për mësues. Aty njihet me Mihal Gramenon, Asdrenin, Kristo Luarasin, Dervish Himën, Jani Lehovën, e tjerë. Nisi të botojë artikuj në gazetat rumune, në mbrojtje të çështjes kombëtare.

Në të përkohshmen “Leka” të jezuitëve në numrin e janarit 1933 tek rubrika lajmet kulturore kumtohet se deputeti Erebara kishte zbuluar një gramatikë të gjuhës shqipe me shkronja arabe.
Jashar Erebara, siç e konfirmojnë edhe dokumentet arkivore, shkathtësinë e tij shkrimore e shpërfaqi në lëmin e publicistikës, sidomos në botimin e shkrimeve në gazeta e revista të ndryshme, por edhe në nxjerrjen e gazetave. Sa ishte në Bukuresht, bashkë me Dervish Himën nxorën gazetën “Indipendente Albania” (Pavarësia e Shqipërisë), në gjuhën rumune. Dolën vetëm dy numra të asaj gazete, por në to u botuan artikuj me rëndësi, që informonin opinionin për problemet dhe përpjekjet e shqiptarëve për pavarësi. Për shkak të akivitetit të tij, dhe ndoshta edhe më tepër për konsideratën që Rumunia kishte ndaj Turqisë, në shkurt të vitit 1902, organet e përzunë nga Rumunia. Ishte kjo një situatë e pavolitshme për Erebarën, por me sugjerimin e disa atdhetarëve, shkoi në Beograd, ku nxori lejën dhe më 28 qershor 1902, filloi botimin e gazetës “Albania”, në gjuhën shqipe dhe serbe, ndërsa disa shkrime botoheshin edhe në frengjisht, italisht dhe rumu-nisht. Gazeta botohej me moton: “Shkipnija e shkiptarëve”. Ishte ajo gazetë e karakterit politik, shoqëror, kulturor, letrar dhe informativ. Dolën gjithësejt 44 numra të asaj gazete, deri në vitin 1906, kur Erebara u detyrua të largohej nga Beogradi, për shkak të rrethanave të padurueshme për të qëndruar më aty. Në gazetë u botuan shkrime të autorëve shqiptarë, serbë, kroatë, rumunë, maqedonë. Gazeta shpërndahej falas, me qëllim që të lexohej sa më tepër. Në një shkrim ai e kishte pasqyruar edhe një takim që pati me ministrin e jashtëm serb (Spalkoviq), e, më vonë, pas largimit nga Beogradi, ky i fundit i kishte thënë: “Gjithnjë na ke luftue, edhe në kohën e qëndrimit tënd në Beogad si dhe kur ike tue na shajtur nëpër fletoret e kroatëve të Kroacisë dhe në Bosnje… Neve e dimë se në Kosovë s’kemi serbë, por Kosova na duhet dhe do ta marrim me luftë, sepse duem të bshkohemi me Malin e Zi, që t’i presim hovin Austro-Hungarisë, të mos zbresë në Selanik”.

Në Beograd, Erebara fiton më shumë njohuri për çështjet ballkanike dhe rrethet diplomatike, në fillim të shekullit të 20-të. Këto njohuri do  ti shërbejnë atij për të kontribuar në lëvizjen kombëtare para pavarësisë dhe më vonë si deputet i shtetit të ri shqiptar, pas pavarësisë.

Pasi largohet nga Beogradi, Erebara shkon në Kumanovë dhe emërohet nëpunës i statistikave të komunës (1908). Tashmë ishte në një ambient të dominuar nga shqiptarët, ku zhvillon një aktivitet të ngjeshur arsimor e kulturor. Pas konsultave me Hasan Prishtinën, Dervish Himën, Fehim Zavalanin, Nuçi Naçon, Ibrahim Temon, Nexhip Dragën etj, aty e formoi Klubin kuturo-arsimor të Kumanovës (1909). Në hapjen e Klubit morën pjesë shumë personalitete të shquara, ndër të cilët ishin edhe Bajram Curri, Salih Gjuka, Ilaz Agushi, Qemal dhe Emin Kumbara, Ajdin Draga, Rrok Berisha etj. Në hapjen e Klubit, Erebara u foli të pranishmëve, duke theksuar: “…Kombi jonë është në rrezik. Shkollat e hueja po na bajnë shumë të kqija…Për me mujt me jau ndalë turrin këtyre të kqijave e nisum ta bajmë këtë klub shqiptar. Qëllimi ynë është të çelim shkolla e ta mësojmë popullin në gjuhën tonë. Kjo është dëshira e çdo shqiptari, dhe këtë dëshirë duhet ta mbushim”. Klubi u bë qendër me rëndësi, për ngritjën e ndërgjegjës kombëtare, aktiviteteve të shumta arsimore-kulturore, organizimin e kurseve për mësimin e gjuhës shqipe, për përgatitjen e mësuesve, etj. Me angazhimin e Erebarës, shpejt u themeluan degë të klubeve edhe në Kaçanik, Ferizaj, Mitrovicë e Podjevë. Nga të gjitha anët i arrinin letra përkrahje. Në një letër të dërguar në muajin prill 1909, Ilaz Agushi i shkruante Erebarës: “Shumë i ndershmi mik, punën qi je tue ba meriton ma t’madhin respekt. Çorrave po jau hapë sytë, atyre që ranë në gjumë po jau nxjerr gjumin dhe kështu po jau kthen ymytin për jetë. Të lutem shumë, shtrije shkollën tane edhe prej nesh…Ta dhashtë Zoti shnetin e kofsh faqebardhë…”. Ndërsa në letrën që ia kishte dërguar Shoqëria “Vdekje a Liri” (16 qershor 1909), pos tjerash, thuhej: “I ndershmi atdhetar, qe prej shumë kohe po ju dëgjojmë emrin tuaj që po punoni pa pushim për të vleftin atdhe. U gjatëjetojmë fort dhe u falemi nderës për dëshirën që keni shfaqur për Shqipninë e dashtun. Kombi s’ka për t’ harrua kurrë punët e lartësisë suaj dhe shprehim besimin që këto kohë të vështira do të jenë të pakta, se duke pasur Shqipnia shtylla si ju, shpejtë do t’i arrijmë qëllimet…Zotëria juaj atje me trimni e me punë, neve këtej me fjalë e me përpjekje, shprehim besimin që …do ta mbarojmë…”.

Siç shkruante “Liria e Shqipërise” nr.7, e 20. 05, 1911, në vitin 1911 në Kumanovë, ai hartoi një abetare me alfabetin  e miratuar në Kongresin e Manastirit,  e cila u përdor në shkollë e dhe u shpërnda në Kosovë. Ajo ishte një sintezë e abetareve tjera të botuara më heret prej të tjerëve.

Në vitin 1913 Erebara ishte pjesë e Qeverisë së Ismail Qemalit, ndërsa më 1914 në Qeverinë e Durrësit. Në vitin 1916 ishte në postin e komisarit qeveritar të Bashkisë në Prishtinë, dhe për shkak të aktivitetit në Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës, pushteti bullgar e internoi 18 muaj në Karllovc. Më vonë, prej 1924 – 1939, ishte deputet i Dibrës në Parlamentin e Shqipërisë, ku angazhua posaçërisht për trajtimin ma të mirë të refugjatëve Kosovarë të ikur në Shqipëri.

Në Beograd ndërmjet viteve 1902 dhe 1906, Jashar Erebara botoi gazetën “Albanija”, e cila kishte si moto : “Shkipnija é Shqiptarevét” botuar në disa gjuhë.

Në faqen e parë të numrit të parë (28 ​​qershor 1902), është shkruan se Albanija del të dielave, tri herë në muaj. Letra dhe postime të tjera duhet të dërgohet në J. Erebara, Rruga Kosmaiska 6, Beograd (Serbi). Adresa ishte e shkruar në gjuhën cirilike ndërsa informacioni tjetër mbi botimin është gjysma në frëngjisht, gjysma në shqip. Korrespondenca i është drejtuar redaksisë në të gjitha gjuhët

Botimi përbëhet nga katër faqe të një formati afërsisht 26 x 36 cm për arsye teknike printimi. Gjithsej do të botohen 44 numra, në intervale të parregullta: katërmbëdhjetë numra në 1902, trembëdhjetë në 1903 shtatë në 1904, gjashtë në 1905 dhe dy në fillim të 1906

‘Albanija’ të kujton më shumë një gazetë sesa një revistë: ndarja në rubrika, e më shpesh dy ose tre për faqe, si dhe përdorimi i titujve dhe nëntitujve si në gazeta. Kjo është arsyeja është  përdorur shpesh termi “gazetë”.

Ishte hera e parë që qarkullonte një gazetë në trevat e populluara me shqiptarë brenda Perandorisë Osmane.

Nathalie Clayer, në librin e saj “Origjina e Nacionalizmit” ka shkruar:

“Ndër gazetat e rëndësishme që arrinin në vilajet të Kosovës, në raportet konsullore përmendin ‘Albaninija’, që botohej në kryeqytetin serb nga Jashar S. Erebara, transmetuar në seminarin e Kishës Ortodokse e Prizrenit nga Zëvendëskonsullata Ruse në qytet, por i përhapur veçanërisht në rajonet që ndodhen përgjatë kufirit serb (Prishtinë, Mitrovicë, Novipazar), me qëllim të promovimit e popullatës shqiptare një mirëkuptim shqiptaro-serb. Në numrin e parë, menaxhmenti, i cili paraqitet si “Komiteti Shqiptarët” ose “Komiteti i Emigracionit” , informon lexuesin se “interesat jetike të serbëve dhe shqiptarëve kërkojnë në mënyrë imperative rivendosjen harmoninë dhe miqësinë që dikur i bashkonte ngushtë”.


Kjo gazetë kontribuoi në mbështetjen e çështjes kombëtare shqiptare dhe në  zgjimin e ndërgjegjes kontributet kombëtare, politike dhe gjuhësore brenda Shqipërisë dhe jashtë saj, kudo që jetonin e vepronin shqiptarët. Është kjo peiudha në prag të pavarësisë së Shqipërisë dhe arkikujt e botuar në frëngjisht, serbisht, dhe në gjuhë ishin një mjet senzibilizimi edhe tek diplomatët e huaj të cilët ishin të interesuar ta kuptojnë edhe këndvështrimin e shqiptarëve dhe në këtë mënyrë Fuqitë e Mëdha do të mund të jenë më të informuara mbi opinionet që jepesin mbi shqiptarët në prag të pavarësisë së Shqipëris.

Jashar Erebara ishte themelues edhe i gazetës “Shkupi” e cila  u shfaq nga 29 gusht 1911 deri më 19 shtator 1912, që përkon me okupim serb të Shkupit, dhe vetëm pak ditë para fillimit të Luftës së Parë Botërore shkaktuar nga atentati i kryer në Sarajevë më 28 qershor 1914, kundër Franz Ferdinandит, trashëgimtar i Perandorisë Austro-Hungareze.

Vendimi për botimin e kësaj gazete daton nga Kongresi i dytë i Manastiri që  mbajt në mars dhe prill 1910.

Shkrimet e gazetës “Shkupi” përbënin frymën e mobilizimit kombëtar dhe një mjet i favorshëm  për shpërndarjen e ide mbi çështjen shqiptare.Ndër temat e trajtuara në rishikim, ne mund të identifikojmë shkurtimisht temat kryesore (në një renditje që nuk është një renditje).

Gazeta “Shkupi” përbënte kontributin më madhor të Jashar Erebarës si botues dhe autor i një pjese të madhe të shkrimeve të kësaj gazete.

Kjo gazetë përshkon një hark të ngjeshur ngjarjesh që më vonë do t’i japin orientim proceseve historike në prag të Luftës së Parë Botërore dhe krijimit të Aleancës Ballkanike.

Shkrimet e gazetës “Shkupi” ishin radiografia më autetnike e gjendjes politike nëpër të cilën po kalonin shqiptarët në dekadën eparë të shekullit të kaluar. Duke luajtur misionin  e publicistikës programatike, kjo gazetë me qëndrimet që mbante, e arsyetonte edhe emrin që mbante, pasi që shumica e shkrimeve Shkupin e kishin si lajtmotiv, madje në njërin prej tyre hasim edhe këtë titull: “Shkupi është kërthiza e Shqipërisl etnike”

Aktiviteti patriotik i Erebarës kulmoi me themelimin e Klubit Shqiptar të Kumanovës (janar 1909) pjesë e të cilit ishte  shkolla shqipe e natës, në kohën kur as në qendrat më të mëdha nuk ishte arritur të hapeshin shkolla të tilla. Në këtë shkollë mësimi e vijonin deri në 90 nxënës shqiptarë. Rëndësia e Kumanovës si çerdhe e parë arsimore në gjuhën shqipe konsiston në faktin se në këtë qytet, me inisiativën e Jashar Erebarës, vitin 1911 u botua edhe “Abeceja shqipe e Kumanvës”, e cila ishte e para e këtij lloji në këto troje.

Mbi këto zhvillime pozitive që po ndodhnin në Kumanovë, si rezultat i përpjekjeve të atdhetarëve shqiptarë për kulturë dhe emancipim kombëtar, pati edhe shkrime në shtypin e kohës. Në gazetën “Lirija” (8 gusht 1909) të Selanikut, Bedri Pejani, ndër të tjera do të shkruaj: “Çdo ditë 20 a 25 fëmijë knojnë shqip në rregull dhe kështu klubi është bërë një shkollë e vërtetë. Në Kumanovë edhe me shumë njerëz të moçëm që bisedova, pashë se kishin mendime të reja dhe të vlefshme”.

Por, hapja e shkollës së parë shqipe në Kumanovë, do të sjellë reagime nga autoritetet turke.Për pasojë, duke gjykuar veprimtarinë e tij  “subversive”, autoritet turke e shkarkojnë J. Erebarën nga pozita e tij si kontabilist në komunën e Kumanovës, me çka pason edhe mbyllja e Klubit shqiptar bashkë me shkollën shqipe në këtë qytet.
Qershor, 2023

SINTEZA IDEORE, POETIKE E ESTETIKE E FILOZOFISË SË KRIJIMIT TË BEQIR MUSLIUT

Paraqitja e fuguracionit në diksursin poetik të Beqir Musliut, është pashmangshëm e lidhur me aftësinë për receptim, që nuk ishte gjithmonë e pranishme në horizontet e zakonshme të pritjeve të lexuesve, sidomos në procesin e dekodimit të kuptimësisë së retorikës ligjërimore të tekstit poetik. Kjo edhe për faktin se me potencën e ideve dhe të imazheve, Beqir Musliu  ndikoi fuqishëm, ndoshta më shumë te krijuesit se te lexuesit

Beqir Musliu është ndër emrat e rrallë në letrat shqipe që la një trashëgimi të pasur e komplekse krijuese, e  projektuar mbi një sistem autonom e autentik letrar. Ai nuk ndoqi rrymimet e formimit letrar të kohës, por u përpoq të sjell një autorësi origjinale shkrimi që do të bazohej në promovimin e një leksiku pak a shumë atipik poetik, me një përkufizim të avancuar kultu-rologjik mbi resemantizimin e botës mitike dhe shkrirjen e saj në një areal të pasur  simbolikash poetike  krejtësisht novatore, si për kohën kur u krijuan por edhe për të sotmen, që ende nuk po mundet ta tejkalojë kondicionin e shprehjes dhe të gjuhës që ai la si gjurmë të pashlyera.

Fuqia magjike e fjalës së tij, i jep hirit të metaforës përtëritjen që ka zjarri i fjetur brenda deklishetizimit të fjalëformimit kontrastiv poetik, të tipit: BUKURIA E ZEZË, DARKA E MAGJISË,TRENDAFILI I DRUNJT, MURIMI I BUTËSISË, DAULLET E QETËSISË etj.

Për të fjala më shumë se prodhim leksikor e gramatikor, ishte vetë pjesa organike e qenësisë, dhe mbi këtë postulat estetik Beqir Musliu projektoi një dimension të veçantë receptiv, i cili herë del si bashkëpjesmarrës në eksplorimin e kujtesës arkeologjike e paleologjike të historisë dhe aktualitetit, të individit dhe kolekti-vitetit , e herë del si një fushë magnetike ku ndeshen alkimia e fjalës me horizontin e koduar kontemplativ të ironisë së gjuhës dhe simbolikës së saj.

Paraqitja e fuguracionit në diksursin poetik të Beqir Musliut, është pashmangshëm e lidhur me aftësinë për receptim, që nuk ishte gjithmonë e pranishme në horizontet e zakonshme të pritjeve të lexuesve, sidomos në procesin e dekodimit të kuptimësisë së retorikës ligjërimore të tekstit poetik. Kjo edhe për faktin se, siç shkruante poeti Ragip Sylaj, me potencën e ideve dhe të imazheve, Beqir Musliu  ndikoi fuqishëm, ndoshta më shumë te krijuesit se te lexuesit.

Pra, deshëm s’deshëm, vijmë tek një problem teorik që shtrohet sa herë që diskutohet prania e lexuesit në procesin komunikues brenda një diskursi letrar.

Përgjigjen ndaj këtij problemi ndoshta më së miri e ka dhënë Sabri Hamiti, teksa ka shkruar se Beqir Musliu letërsinë e kishte jo mjet komunikimi, por ekzistencë, mënyrë të jetuari, medium për të sprovuar dilemat dhe botëkuptimet njerëzore, nacionale, e universal në të njëjtën kohë.

Pasi ta kemi vëzhguar nga afër natyrën dhe kompleksitetin e kredos krijuese të këtij shkrimtari, a mund të themi se kishte barriera të caktuara komunikimi me autorin Beqir Musliu, dhe cilat predispozita të formimit letrar do të duhej të kishin ndodhur që ta kishim një lexues të kualifikuar, i cili do të kapërcente nga kornizat e klishetizuara të edukimit estetik, në një dimension më të hapur të shkollave të hermeneutikës letrare.

Me fjalë të tjera, ndonëse vet Beqir Musliu nuk ishte shumë i dhënë pas tipologjisë së veprës së hapur, kjo megjithatë nuk e justifikon për asnjë rrethanë mungesën e një observimi më kompleks të botës së këtij shkrimtari, qoftë edhe atëherë kur mund të kishim ndonjë vlerësim të rrallë të tipit të  Ibrahim Rugovës, sipas të cilit, Beqir Musliu është njëri ndër poetët më të rëndësishëm të poezisë së sotme shqiptare në përgjithësi.

Pra, çka duam të themi?

Jeta e veprës letrare mund të diktojë një zhvillim interaktiv në procesin e komunikimit me lexuesin edhe pa pasur nevojë për ndërmjetësues, siç është bie fjala kritika letrare apo artikulimi publik i recensionit letrar përmes mediave, por kjo jetë zhvillohet ngadalë dhe pa ritmin e duhur të formimit dhe edukimit të mirëfilltë estetik.

Në historinë tonë letrare, të mëhershme, në periudhën e Rilindjes Kombëtare, dhe të mëvonshme, në kohën e ekskomunkimit të shkrimtarëve me lexuesit, rasti i Martin Camajt, Arshi Pipës, deri dikund edhe të Ernes Koliqit etj. procesi i komunikimit letrar ka pasur specifikat e veta të zhvillimit, të cilat, megjithatë, nuk kanë ndikuar në pasivitetin e shkrimtarëve. Po të nisej, bie fjala, Naim Frashëri nga predispozita e komunikimit me lexuesit, ai do të duhej të hiqte dorë nga shkrimi, por ai ishte i vetëdijshmëm se fuqia rezistuese e veprës letrare nuk konsistonte gjithaq në receptivitetin aktual, sa mbështetej në horizontin e ardhshëm të pritjes.

Nëse dikur shkrimtarët i kishin shkruar veprat e tyre jashtë vëmendjes aktive të lexuesit dhe të kritikës letrare, kjo a mund të vlejë edhe për Beqir Musliun, ndaj të cilit më pak se vëmendje lexuesi, pati mungesë vëmendjeje nga studimet tona letrare, qofshin ato të autorëve e studiuesve , qofshin edhe të katedrave tona universitare e shkollore, ku Beqir Musliu ende trajtohet vetëm si një shkrimtar hermetik.

Për shkrimtarin Beqir Musliu mund të hapim tema e trajtesa nga më të ndryshmet, por ajo që është e domosdoshme të dihet e të thuhet për të është  se ai erdhi në botën tonë letrare si një banor tepër i vaçantë që e zhvilloi ‘habitatin’ e vet krijues brenda një sistemi dhe jashtë kodeve e kanoneve që i kishte caktuar koha e shkrimit të viteve 60 e këndej, kur edhe ai u formua dhe u zhvillua si emër dhe si fenomen letrar.

Përkushtimi i tij gati asketik për energjinë krijuese që jepte arti i fjalës, si dhe për sintezën ideore, poetike e estetike të filozofisë së krijimit, do të lë hapur shumë mundësi dhe sprova që Beqir Musliu në një kohë tjetër, të ketë statusin çfarë e meritojnë kolosët e letrave në hierarkinë e vlerave.

25 janar, 2021

SHKRIMTARI JUSUF BUXHOVI FAKTIN E  KTHEN NË REALITET JETËSOR, NDËRSA JETËSOREN – NË KUJTESË HISTORIKE

Me lëvozhgat e historisë Jusuf Buxhovi bëri ngjyra me të cilën pikturoi një tablo të gjerë ku e vendosi Kosovën si mimezis dhe si kryepersonazh gati në të gjitha veprat e tij, qoftë letrare, qoftë shkencore.

Jusuf Buxhovi me letërsi ka filluar të merret që herët, qysh në shkollën fillore, fillimisht me vjersha për fëmijë. Më vonë, në shkollë të mesme ( në vitet 1960) ka filluar me poezi për të rritur. Poezitë e para i ka botuar në “Jetën e re” nr. 1/1961, në rubrikën “Horizonte” bashkë me Beqir Musliun dhe Matea Mateun (Matevski më vonë). Ali Podrimja dhe Teki Dërvishi kanë qenë ata që “e kanë bartë” në këtë rrugë. Më vonë, si student (1964-1968) i është kthyer prozës (tregimit), për të vazhduar me romanin.

Gazetarinë, siç e thotë zakonisht edhe vet Jusuf Buxhovi, e ka patur bukë, ndërsa letërsinë – ujë. Gazetaria i ka dhënë atij dinamikën, ndërsa letërsia ndjenjën. Shpesh, siç kishte ndodhur edhe me Markezin, Heminguejin, Buxatin, edhe tek Jusuf Buxhovi, letërsia dhe gazetaria kanë kundërshtuar njëra tjetrën, po edhe kanë ndihmuar.

Por, përveç gazetarisë, kishte qenë edhe një bashkëshoqëruese tjetër – historia, e cila e kishte bërë më kompleks profilin prej shkrimtari të Jusuf Buxhovit. Gjithsesi, letërsia dhe historia ishin dhe mbeten preokupim i tij i përhershëm. Ato kanë plotësuar njëra-tjetrën, po edhe kanë “luftuar” secila në mënyrën e vet që fakti të kthehet në realitet jetësor, ndërsa jetësorja në kujtesë historike. Ky diskurs ka zhvilluar te Buxhovi  “garën” e vazhdueshme që paralelizmi i të vertetës të kalojë nëpër binarët historik dhe letrar.

Letërsia si vokacion është fiktion, ndërkohë që Buxhovi në vazhdimësi është marrë edhe me historinë si shkencë dhe si dokumentim i kohërave, fakteve e ngjarjeve. A mund të bashkë-veprojë fiksioni dhe faktografia brenda një autori me vokacion të dyfisht, ose sa e pengon/ndihmon një shkrimtar të merret me histori dhe ansajelltas, sa e ndihmon/pengon një hisotorian të merret me letërsi,  është një çështje për të cilën sot ka një debat të papërfunduar në botë.

Në raport me historinë, tek Jusuf Buxhovi mund të thuhet se letërsia po paguan njëfarë kosto për shumë arsye, por kësaj radhe po  veçoj një prej tyre.

Ende observimi kritik-letrar te ne vuan pasojat e rrethanave që ndikohen nga atmosfera shoqërore e politike, pra jashtëletrare,  dhe për rrjedhojë shumë vepra letrare të Jusuf Buxhovit kanë mbetur pa u vërejtur nga kritika letrare,  ndonëse kjo mund të jetë e përkohshme, nga që vlerat letrare janë më të që ndrueshme se ato historike, të cilat, përherë u nënshtrohen rishqyrtimeve. Kjo edhe për faktin se në vëmendjen publike tonën dominion figura e Jusuf Buxhovit si historian dhe të gjithë ata që mundohen të gjejnë hile në këtë përkushtim, nuk marrin mundin pastaj të trajtojnë më me kompetencë veprën letrare të tij. Thjeshtë dhe pasdrejtësisht, sidomos viteve të fundit, historiani Jusuf Buxhovi herë-herë e eklipson shkrimtarin Jusuf Buxhovin, por kjo me asgjë nuk e relativizon vlerën e veprës së tij letrare, sepse ajo mbetet e pandryshueshme pavarësisht nga qasjet momentale ndaj saj. Kjo po dëshmohet edhe me jehohën që po ka vepra e tij në botë, kurse disa nga gjuhët më të mëdha tash më janë bërë përçuese të rëndësishme të porosive të tij letrare.

Kur jemi te vlerësimi i veprës letrare të Jusuf Buxhovit, por edhe të autorëve tjerë, duhet plrmendur edhe një hendikep të madh me të cilin po ballafaqohet letërsia jonë në përgjithësi në raport me kritikën si faktor të saj të pandashëm në krijimin e një kierarkie sistemuese të vlerave. Shkaqet, gjithsesi janë të shumta, por ato lidhen me mungesën e një fokusimi institucional për kritikën letrare në kuadër të Instituteve hulumtuese, Akademisë së Shkencave e Arteve dhe të Katedrave të letërsisë, që kanë për detyrë studimin dhe valorizimin e vlerave në përputhje me kriterët shkencore, me ç’rast kompozohen edhe enciklopeditë e shkri-mtarëve dhe ato të literaturës me çka krijohet një standard institucional për autorët dhe veprat meritore, ku përfshihen edhe periodizimet dhe gjithë ato që i sherbejnë edhe historisë së letërsisë.

Përkundër këtyre mangësive, megjithatë,  Jusuf Buxhovi, nuk ka mbetur edhe i pa vërejtur nga vëzhgimet teorikeo-letrare, madje jo pak raste mbi veprën e tij janë ëpunuar teza magjistrature  edokrate,  pra nuk ka munguar vlerësimi i veprës së tij nga kritika letrare, por që ai vlerësim ende vuan nga një qasje sporadike, dhe disi panoramik, pra jashtë një koncepti që i duhet një krijimtarie prej mbi 40 veprash letrare (disa prej tyre të nderuara me çmimet më të larta letrare e deri te ato kombëtare, siç është ai Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për vepat NATA E SHEKUJVE dhe PRAPË VDEKJA, çmimi Hivzi Sulejmani për romanin LIBRI I TË MALLKUARVE, çmimi kombëtar Azem Shkreli për romanin KODI I DASHURISË) të shkruara në një afat kohor prej një gjysmë shekullli. Me këtë rast, duhet theksuar se shkrimtari dhe kritiku letrar, Ramdan Musliu kishte filluar një studim më ambicioz teoriko-letrar për  veprën e Buxhovit, por që vdekja e tij e e prakohshme e la të papërfunduar.

Proza shqipe e Kosovës ka kaluar nëpër disa faza, duke kaluar nga tradita e shkrimit konvencional në trajtat moderne të procedeut. Jusuf Buxhovi është formuar mbi bazën  e këtyre traditave e metodave pa harruar edhe përvojën e letërisë së përbotshme. Ai i takon brezit të shkrimtarëve që ndërlidh tradi-cionalitetin me modrnitetin. Ky kapërcim vjen në saj të transforimimit të hapur nga shkrimtarë siç ishin Pashku, Shkreli e të tjerë deri te gjenerata më e re (T. Dervishi, B. Musliu, Y. Shkreli, M. Kraja, Z. Rrahmani, M. Ramadani e të tjerë), të cilët ndërlidhën përvojën e trashëguar me atë të rrymimeve të reja nga jashtë, që asokohe depërtonin në ish Jugosllavi, ku kultivohej arti dhe në përgjithësi krijimtaria jashtë kornizave ideologjike (socrealizmit).

Nga romani SHËNIMET E GJON NIKOLLË KAZAZI deri te romani JENIÇERI I FUNDIT, Buxhovi ka  ndjekur një linjë të pashkëputur të paraqitjes së zërit autentik të protestës ndaj deformimeve që vinë nga jashtë dhe nga brenda. Duke qenë vet një historian i pasionuar, ai operoi me aparaturën historiografike në funksion të letrarizimit të faktografisë. Me lëvozhgat e historisë Buxhovi bëri ngjyrat me të cilën pikturoi një tablo të gjerë ku e vendosi Kosovën, si mimezis dhe si kryepersonazh gati në të gjitha veprat e tij, qoftë letrare, qoftë shkencore. Rrallë mund ta hasim te ndonjë shkrimtar tjetër, siç mund ta  kemi tek Jusuf Buxhovi, Kosovën si entitet ontologjik e gjeografik brenda një strategjie të përpunuar mirë narrative. Mbase kjo ka ndodhur edhe për shkak të asaj që,  Goldmani konsideronte se struktura e veprës letrare është homologe me maskrostrukturëne shoqërore të kohës kur krijohet.  Buxhovi madje shkonte përtej këtij parimi të Goldmanit për arsye se  Kosova, si topos dhe si kryepersonazh, në veprën e tij i tejkaloin kufinjtë e një përfytyrimi thjeshtë gjeografik, por më shumë se kaq ajo ngrihet mbi shtyllat e një skene lëvizëse ku tërmetet e histories e bartin sa nga njëra anë, po aq nga ana tjetër, kurse në mes zhvillohet drama e kauzave e bindjeve, në mes të faktorëve të brendshëm dhe atyre të jashtëm. Në veprat e  Buxhovit kjo dramë paraqitet brenda  një dikurs homogjen në ideografinë e narracionit letrar, ku konflikti në mes të ideve e parimeve dhe përmes një koegistence psikologjike e emocionale,  shpesh përfundon edhe me epilog tragjik, siç ndodhë me Bashkim Kosovën si dhe me një mori personazhesh në romanet “Dushkaja”, “Dosja B”, “Jeniçeri i fundit”, “Letrat për kryeprincin”, “Udhëtimi i Mendim Drinit”, “Shënimet e Gj.N. Kazazit” etj. 

Për rrjedhojë, në gradacionin fabulativ të prozës së tij, qarku i  temave e ideve,  kap dimensione të padukshme të gjallimit të njeriut tonë, edhe për faktin se autori që  del të jetë herë alteregoja e Gjon Nikollë Kazazit”, herë Bashkim Kosovës, e here e Jeniçerit të fundit, projektohet si zë i tematizimit të ndërgjegjes së kohës në planin e saj të brendshëm dhe të jashtëm, veçmas kur kjo problematikë nxjerr në pah dimesionet ekzistenciale, çfare ishin ato nëpër të cilat kaluam, ku shumë prej tyre, veçmas ato të mbasluftës, në përputhje të projekteve antishqiptare, paraqitnin gjendjen me qenë ose mos me qenë… Te krijuesi, këto gjendje, shfaqen përherë si jehonë ku e djeshmja shfaqet edhe si “ngatërrim” midis të sotmes së nesërme, apo të nesërmes së djeshme. Buxhovi nuk e sheh fiksionin dhe realen si dy botë kundërshuese. Përkundrazi, komplementariteti i tyre kalon nëpër interpretimin linear të historisë përms figurave dhe ngjarjeve që shkrihen në kufinjt e letërsisë dhe faktografisë, ku historia del si palimpsest letrar, kurse letërsia si katalizator i një epistemologjie moderne, e cila e subjektivizon konfliktin brenda një shoqërie që po kalonte nga njëra epokë në tjetrën, nga njëra kulturë shtetndërtimi në një kuturë tjetër. Traumat shoqërore individualizohen dhe kalojnë nëpër labirinthet e një paqartslie që prodhin koha e pasluftës, ku dominojnë lapidarët e rremë, vrasësit me pagesë, kontrabanduesit e identiteti kulturor etj.

Nisur nga ky diskurs estetik-letrar, mbase, duhet kërkuar edhe interesimin për veprën e Jusuv Buxhovit.

Qysh nga fundet e viteve të tetëdhjeta, një botues italian interesohej për përkthimin në italisht të “Shënimeve të Gjon Nikollë Kazazit”, madje edhe të filmimit të tij. Mirëpo projekti kishte dështuar për arsye se kërkohej një koproduksion me shtetin jugosllav, gjë që kjo ishte e pamundur të bëhej në vitin 1987, kur dihej se ofonsiva e Millosheviqit synonte ta gëlltiste Kosovën dhe autonominë e saj, siç edhe ndodhi pas një viti. Por, në këtë kohë, kemi përkthimin e Kazazit në sllovenisht dhe çuditërisht në serbisht, një ndërmarrje e përbashkët e “Jedinstvës” dhe “Nolitit”, që u botua në vitin 1996.

Natyrisht se ky interesim për “Kazazin” vazhdoi menjëherë pas përfundimit të luftës me përkthimin në frengjisht nga botuesi “L’Harmatan” në vitin 2010 për të vazhduar me përkthimin në italisht para disa muajsh nga botuesi i Romës Armando, pastaj me përkthimin në rumanisht. Ndërkohë që, po ky roman, në përkthim e sipër është në anglisht, gjermanisht, polonisht dhe ndodh që së shpejti të fillojë edhe pëkthimi në spanisht.

Interesimi i tashëm i shtuar për veprën e Buxhovit,  krahas përkthimit në shumë gjuhë të “Kazazit”, ku së voni në anglisht u botue edhe “Dosja B”, ndërsa së shpejti pritet që këtë rrugë ta ndjek edhe romani “Mona”, ka të bëjë me suksesin e romanit “Shënimet Gjon Nikollë Kazazit” në disa gjuhë. Por nuk duhet harruar, se me përkthimin e veprave të Kadaresë në shumë gjuhë botërore, pastaj të veprave të Besnik Mustafajt, Fatos Kongolit, Ylljet Aliçkës e të ndonjë tjetri, vjen duke u shtuar edhe interesimi për autorët tjerë shqiptarë.

Lexuesi i Buxhovit ndjek me vite profilin e një shkrimtari që nuk ka bërë shumë eksprimente me fakturën e shkrimit, por i ka qëndraur besnik një metode autentike të procedimit krijues, e cila nga vepra në vepër madje vjen duke u përsosur dhe mbindërtuar me forma më komplekse. Mbajtja e këtij kondicioni krijues, por edhe huazimi i temave letrare në magazinat e historisë, janë disa nga meritat tjera që mund t’i përshkruhen këtij autori, i cili kur shkruan ka parasysh vetëm atë nga e cila duhet të lirohet, pra të zbrazet… Mbase kjo “zbrazje” shfaqet si një riciklim i vazhdue-shëm, ndonëse  të menduarit historik dhe vetëdija e saj luan rol të rëndësishëm në këtë proces.

Jusuf Buxhovi ka ndërtuar sistemin e tij letrar, kurse vepra që po vjen duke u shtuar do t’i siguroj atij statusin e një shkrimtari me natyrë komplekse dhe me dinamizëm të pashoq në imponimin e diskursit letrar si paradigmë e zhvillimit dhe emancipimit të kulturës receptive tash dhe në të ardhmen.

15 tetor 2021

MBI HERONJTË JETIMË DHE INFLACIONIN E LAVDISË

(Ose: skicë për përtretin e harruar të Ymer Elshanit, vepra e të cilit është më e madhe se tonelatat e disa përmendoreve që po mbijnë anë e kënd Kosovës).

Kjo mënyrë e selektimit të heronjëve me dhe pa epoleta, me dhe pa familje të mëdha, shkurajon idenë e të qenit kompakt në tribuna e manifestime ku mungojnë familjarët e atyre që sot as që u përmenden emrat. Kompleksi i epërsisë së të fuqishmëve, i atyre që sot veshjen e pushtetit e konisederojnë privilegj e jo obligim, kanë konstruktuar një makineri të çuditshme për bluarjen e lavdisë për do interesa meskine e klienteliste.

Asnjë pengesë nuk ka qenë aq konstante dhe aq e rëndë për t’u tejkaluar sa ka qenë konfuziteti dhe pasiguria për ta menaxhuar periudhën e pasrobërisë. Se sa një luftë e armatosur është e suksesshme, kjo varet nga cilësia e menaxhimit të paqës që prodhon ajo luftë dhe nga komponenta gjithëpërfshirëse e resurseve që kanë kontribuar para dhe gjatë luftës së armatosur. Një luftë e armatosur nuk mund të jetë e izoluar nga shumë faktorë të tjertë, që shpesh kanë qenë edhe vendimtar për t’i dhënë luftës dinamizëm dhe gjithëpërfshirje.

Sot kur kujtojmë 16 vjetorin e Epopesë së lavdishme të UÇK-së, dhe rënien heroike, bashkë me familjen, të komandantit legjendar, Adem Jashari, nuk na shkon mendja të heqim as edhe një miligram nga burrëria, trimëria dhe vetëflijimi i atyre që në stuhinë e viteve 1998/99 në vend se të flinin rehat e butë dikund larg zonës së rrezikut, ata, megjithatë, u bënë një me kushtrimin e atdheut për të sjellë në Kosovë lirinë e munguar dhe të cunguar.
Në aspektin psikologjik, liria mund të konceptohet në mënyra të ndryshme. Por, procesi më i vështirë i triumfit të lirisë është kur armiku i jashtëm zëvendësohet me një demiurg të brendshëm. Të mposhtësh lakmitë e brendshme, thonë psikologët, është lufta më e vështirë e individit.

Realiteti ynë, fatkeqësisht, është i mbushur plot me tipa që në luftë u treguan heronj, kurse në paqë u mundën nga lakmia dhe paraja. Heronjtë e luftës u shndërruan në antiheronjë të paqës.

Një burrë i mençur i Karadakut që moti kishte pas thënë: ‘Ka shumë njerëz trima që plumbi i pushkës vështirë i rrokë në luftë, por pas luftës ai e vret veten me punët e pahijshme që bën’.
Privilegjet e fituara me kollajllëk në paqe, kanë prodhuar iritim të paparë tek shtresat e gjëra të njerëzve dhe nuk janë të paktë ata që shtrojnë zëshëm pyetjen: “pse u bë lufta?”

Gjithmonë do të ketë pyetje të vështira, por liria e një populli matet pikërisht me gatishmërinë për të dhënë përgjigje edhe atëherë kur dikujt ajo nuk i konvenon. Okupimi nga antiheronjtë mund të jetë vazhdimi i një lufte të pashpallur. Kauza kundër këtij okupimi do të duhej të jetë liria e vërtetë për të cilën janë flijuar luftëtarët e UÇK-së. Alternativa e luftës për liri është vetëm flijimi, por jo edhe zhvatja. Jo edhe monopolizimi i fryteve të luftës.

Duke rënë pahetueshëm në grackën e këtij monopolizimi, mediat, institucionet relevante dhe shoqëria në përgjithësi, sikur kanë harruar se lufta e para 15, 16 vjetëve i kishte edhe herojtë e saj të heshtur, por të mbetur jetim në ditët e sotme. Për ta sot nuk lexon askush një fjalë përkujtimore, nuk këndon një këngë, nuk ndërton një kullë. Dhe, më e pakta, me emrat e tyre nuk nderohet ndonjë shkollë, rrugë, shesh, institucion etj.

Të rënët në luftërat çlirimtare nuk therorizohen vetëm për idealet për të cilat kishin luftuar, por edhe për të reflektuar tek të gjallët idenë e menaxhimit të lirisë. Kështu është fati i heronjëve. Ata, vdesin për të sprovuar ndërgjegjet e të gjallëve.

Kishte prej tyre që, në heshtje e pa zhurmë, gjithë jetën ia kishte kushtuar çështjes kombëtare, dhe nuk kishte mbetë mangut me asnjë obligim ndaj atdhetut, por që sot ngelin nën hijen e kapotave të rënda të komandantëve. Njëri prej tyre është edhe shkrimtari nga Drenica, Ymer Elshani (1948), një autor model i letërsisë për fëmijë, emri i të cilit sot as që përmendet dhe shumë pak njerëz në opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar e dinë se ai, dhe shtatët anëtarë të tij të familjes, u dogj dhe u masakrua mizorisht nga forcat barbare serbe, në prill të vitit 1999.
I gjithë diagrami krijues, moral e kombëtar i Ymer Elshani, ka qenë i mbushur me ngjyrat autentike të tokës të Kosovës dhe me një talent të rrallë këto ngjyra ai i përdori për të portretuzuar njeriun e vogël por të madh në shpirt, ashtu siç ishte vetë ai. Drenica, prej nga vinte shkrimtari Ymer Elshani, i kishte shërbyer atij si një lum gurgullues ku krijimtaria e tij e bujshme kishte shuar etjen. Por, ai vetë kishte mbetur i etur për lirinë që ia kishin zaptuar bajlozat e zi të Karpateve dhe në asnjë çast s’kishte menduar ta braktisë vendlindjen, edhe përkundër presionineve të shumta që vinin nga pushteti i atëhershëm. Ymer Elshani nuk u bë komandant për të udhëhequr të tjerët dhe uniformia e vetme e tij ngeli profili prej krijuesi e njeriu që e kultivoi me xhelozi deri në sekondën e fundit të jetës. Ai nuk u bë lider, por udhëhoqi veten për të qenë shembull për të tjerët që të mos e braktisnin vendlindjen, edhe atëherë kur ajo bëhej e padurueshme për të jetuar.

Ai nuk e braktisi vendlindjen edhe atëherë kur e pushuan nga puna në vitin 1985, kur ishte drejtor i gjimnazit të Drenasit, por as atëherë kur sërish e dëbojnë nga Feronikel-i, sepse edhe puna e tij prej përkthyesi që bënte, për dikend ishte e rrezikshme.
Për të kuptuar pak më tepër mbi momentet e fundit të jetës së këtij shkrimtari martir, i referohemi librit të dr. Xhevat Sylës ‘Universi i mirësisë’ (Prishtinë, 2008), konkretisht faqes 20, në të cilën, ndër të tjera gjejmë edhe këtë përshkrim rrëqethës: ‘më 15 prill 1999, herët në mëngjes , ai (Ymer Elshani) bashkë me gruan, fëmijët, nënën, bababë e bashkëfshatarët të tjerë tentojnë të hyjnë në Drenas, por policia gjysmën e asaj turme e kthen parapa,me premtimin se nuk do t’i prekte. Ymeri me të vetët, por edhe me bashkëfshtarë të tjerë, strehohen në shtëpinë e Sinan Muçollit për t’i terur rrobat e bëra qull nga shiu që binte rrëke, me vetëtima e bubullima të pandalura.Po atë ditë, në orën 17.00 policët serbë kishin hyrë në shtëpinë e Sinan Muçollit dhe nga turma e strehuar aty, ku kishte edhe mjaft fëmijë , gra, vajza, kishin nxjerr Ymer Elshanin dhe Sinan Muçollin. Sapo i kishin nxjerrë jashtë, ishin dëgjuar krismat e automatikëve, të cilët ua kishin shuar jetën mizorisht. Pas kësaj policia kishte hedhur bombë në dhomën ku qëndronin të strehuarit e tjerë, pesëdhjetë e shtatë vetë. Ndërkohë, nëpër tymin që përshkonte krimin e paparë në atë dhomë, një polic zbraz breshëri plumbash nga automatiku. Mbetën të vdekur pesëdhjetë e tre vetë. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshortja e Ymer Elshanit, Nafija (45 vjeçe), me të katër bijtë: Ardianin (25), Miranin (20), Kujtimin (15) dhe nderimin (10), si dhe kunata, Shukrija, Të nesërmen, në një shtëpi afër, vritet edhe nënan e Ymer Elshanit (e cila ishte motra e atdhetarit Fazli Grajçevci)’.

Sa veta deri më tani në opinionin e gjerë publik e dinë të vërtetën se si përfundoi një shkrimtar i madh i Kosovës, bashkë me familjen dhe bashkëfshatarët e tij. Apo, për t’u përmend emri, paska qenë dasht të ishe komandant, apo ndonjë figurë e shquar e ilegales së atëhershme? Ymer Elshani nuk ishte komandant, por me vargjet e tij u rritën dhe u frymëzuan voglushët e Drenicës dhe mbarë Kosovës, të cilët një ditë do të dilnin në frontin e luftës çlirimtare. Mjafton që ata voglush u bënë komandant, por sa prej tyre sot ndiejnë përgjegjësi për këtë pakujdesi dhe indiferentizëm ndaj mësuesit, atdhetarit e shkrimtarit Ymer Elshanit?!

Ngjarjet e ashtuquajtura të mëdha që po i servohen publikut, kanë filluar ta eklipsojnë njeriun e vogël, njeriun e sakrificave sublime gjatë viteve dramatike. Koncentrimi i vëmendjes publike vetëm tek manifestimet pompoze që po prodhojnë njëfarë lavdie politike dhe elektorale, e ka bërë pa sens kujdesin tonë moral e kombëtar ndaj atyre mikrongjarjeve që ishin magma vullkanike e historisë sonë më të re. Zakonisht në rrethana të tilla ka gjithnjë e më shumë personazhe të harruar të kësaj historie, të cilët paguan kosto të lartë qëndrimin e tyre të palëkundur në kushte kur ishin të vetëm para vrasësve mizorë serbë, të pambrojtur, jo rrallë, edhe nga vetë luftëtarët e UÇK-së.

Të gjithë këta njerëz janë viktimë e harresës që vie nga defokusimi publik. Në mungesë të një gazetarie pak a shumë hulumtuese, këta fate njerëzish ngelin “libra të mbyllur” që askush nuk ua lexon tmerret që përjetuan. Kjo mënyrë e selektimit të heronjëve me dhe pa epoleta, me dhe pa familje të mëdha, shkurajon idenë e të qenit kompakt në tribuna e manifestime ku mungojnë familjarët e atyre që sot as që u përmenden emrat. Kompleksi i epërsisë së të fuqishmëve, i atyre që sot veshjen e pushtetit e konisederojnë privilegj e jo obligim, kanë konstruktuar një makineri të çuditshme për bluarjen e lavdisë për do interesa meskine e klienteliste.

Lavdia që ia zë frymën lirisë dhe bëhet peng i mburracakërisë, të përkujton tribalitetin e kohëve të lashta kur midis shkretëtirës së skamjeve e harambashllëqeve, lirizaptuesit projektonin delirin e luksit. Ymer Elshani edhe pa kurorat e lavdisë posthume, mbetet i paharruar, sepse janë veprat ato që e bëjnë atë të veçantë në letërsi dhe stoik në jetë. Shumë prej atyre që sot krekosen me lavdinë e huazuar nga trimëritë kolektive që mbajn vulën e anonomitetit, do të donin të kishin një miligram dinjitet nga shkrimtari i madh Elshani, por kjo nuk bëhet me porosi dhe telekomandë. Njeriu i madh lind, ai nuk bëhet. Ymer Elshani lindi pak më i madh se gjithë ne që lirinë dhe dashurinë e atdheut e mësuan nga veprat e tij.

Jetëshkrimi i Ymer Elshanit

Ymer Elshani u lind në fshatin Korroticë e Poshtme (e Ulët), me 14 qershor 1948. Që si fëmijë 4-5 vjeç u vërejten te Ymeri shkëndijat e talenilt të lindur. Të gardhi i oborrit pothuaj se çdo pasdite tuboheshin fëmijët, po edhe të rriturit, për ta dëgjuar Ymerin duke recituar poezitë që i mësonte, ose i kishte dëgjuar prej te tjerëve. Kështu i argëtonte moshatarët që shqepeshin në gaz nga shakatë e tij. Fëmjërinë dhe rininë e kaloi në fshat. Mësimet në klasën e parë të fillores i nisi në vitin shkollor 1955/ 1956. Kushtet e atëhershme ishin te rënda, e veçmas në familjen e Ymerit, pasi që babai Nazifi kishte shumë fëmijë dhe mezi e siguronte bukën për familjen shumëanetarëshe.

Në mësime Ymeri ishte përherë i shkëlqyeshëm. Për mësues e pati Hasan Kastratin nga Kizhareka, ndërsa shkolla ishte një ndërtesë e rregulluar dobët. Katër klasë të fillores i mori në vendlindje, pastaj ciklin e lartë të fillores e mbaroi në Komaran. Shkolla mbante emrin ”Jeta e re”. Filloi të shkruante poezi që në moshën 10 vjeçare. Në fillim e nxiti dhe i ndihmoi daja i tij, mësuesi Fazli Greiçevci. Më vonë Ymeri do të tregojë se poezinë e parë e kishte shkruar për Diellin. Daja Fazli i kontrolloi vjershën dhe i dha kurajo. Edhe në shkollë i jepte mësim arsimtari Halil Bogaj, i cili po ashtu ndikoi te Ymeri duke i botuar poezitë që shkruante në fletushkën ”Pena e re”. Si nxënës i klasës së shtatë botoi poezinë e parë në revistën ”Pionieri” nr. 6 te vitit 1962. Ajo titullohej ”Për gjah”.

Pas kryerjes së shkollës fillore, Ymeri vijoi mësimet për mësues në shkollën e mesme normale të Prishtinës. Që të bëhej mësues ishte edhe dëshira e dajës Fazli. Me të kryer klasën e parë të shkollës normale, i ndodhi një ngjarje tronditëse që i shkaktoi pikëllim të thellë. Ia burgosen dhe ia vranë me torturë dajën Fazli. Në varrimin e tij, Ymerit i rreshqitën lotët, por i duhej të mbahej i fortë. Në atë kohë Ymeri shkruante pandërprerë, kryesisht poezi, të cilat i lexonte në orët letrare që mbaheshin në shkollën normale. Përkrahje dhe ndihmë në rrugën krijuese i jepte profesori Rexhep Hoxha, të cilin ai e adhuronte pa masë. Këtë respekt për të do ta mbajë gjatë tërë jetës. Poezitë i botonte në faqen për fëmijë të ”Rilindjes”, në revistën ”Shëndeti” dhe në revistat ”Gezimi” dhe ”Fatosi” që dilnin ne Shkup. Në klasën e katërt të normales iu botua vepra e parë me poezi ”Anija e miqësise”. Ishte viti 1967, vazhdonte të shkruante më intenzitet edhe më të madh. Tash ai kishte fllluar të shkruante dhe tregime të shkurtra e pjesë teatrore.

Në shtyp u paralajmërua se po e përgatiste përmbledhjen e dytë me tituill ”Baloni i kaltër”. Në këtë libër, përveç poezive kishte përfshirë edhe tregime ”Dy motra” dhe pjesën teatrale ”Lotët e Drenushës”, ”Anija e miqësisë”.

Pas botimit të veprës së dytë ”Çka ëndërrojnë lulet” (1971), Ymeri u paraqit në konkursin letrar të ”Rilindjes” me romanin ”Ndodhitë Hundëkarrotës” ku mori çmimin e dytë. Kur ishte në vitin e parë të fakultetit në nëntorin e 1968-ës, Ymeri mori pjesë në demonstratat që u bënë në Prishtine. Për këtë më vonë për pak të perjashtohej nga puna. I dhanë masën e dënimit parapërjashtim dhe në këtë rast e mbështeti drejtori i shkollës, Halil Bogaj, duke arsyetuar se atë ditë Ymeri e kishte mbajtur mësimin. Në ditar i kishte të shënuara orët, se ashtu e kishte sugjeruar vetë drejtori, kuptohet, në një bisedë të fshehtë me mësuesin Ymer. Kështu për pak shpëtoi nga më e keqja mesuesi i ri, por përcillet vazhdimisht nga argatët e sistemrt të atëhershëm.

Në shkollë të mesme Ymeri banoi në Prishtinë në një kasolle të vjetër tek halla Mine, e më vonë në shtëpinë e shkrimtarit Nebil Duraku. Kushtet i kishte shumë te rënda. Ushqimi i dobët, të cilin ia sillte shpesh babai Nazifi nga shtëpia. Ka ndodhur që me një spec të kalonte ditën, do të rrefente me vonë Ymeri. Babai Nazifi shiste vezë në treg; punonte punë të rënda fizike; zbrazte thasë mielli, pra me shumë pengesa arriti ta shkollojë djalin e madh, Ymerin.

Në mësime Ymeri ishte përherë i shkëlqyeshëm dhe punonte pandërprerë. Nga të ftohtit, gjatë kësaj kohe, Ymeri sëmuret bukur rëndë. I ngriheshin gishtërinjtë e dorës dhe një kohë e kalon në spital. Por ai kurrë s’u dorëzua. Posa doli mësues s’u kënaq me kaq dhe në afat rekord i kreu studimet. Në tetor te vitit 1972 diplomoi në Fakultetin Filozofik – dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Pas katër vitesh që punoi në shkollën filore ”Jeta e re ” të Komoranit, kalon në gimnazin ”Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Gllogovc (tash Drenas).

Në fillim mbante ose ligjëronte dy lëndë: gjuhën shqipe dhe gjuhën latine. Pas një kohe të shkurtër zgjedhet zëvendësdrejtor i gjimnazit. Vijon studimet pasdiplomike dhe me notë të lartë 8.60 i kryen të gjtha provimet. Ndërkohë, më 1975 e kryen shërbimin ushtarak në Novi Sad. Kthehet dhe punon edhe dy vjet si profesor në gjimnaz. Fillon të botojë studime dhe kritika për veprat e letërsisë për fëmijë.

Në revistën ”Shkëndija” më 1978 dhe 1979 boton disa recen-sione për veprat që atëherë ishin si lekturë shkollore. Përgatiti disa punime për emisionet e Radio – Prishtines. Që nga shtatori 1977 u bë drejtor i gjimnazit, mirëpo emri i shkolles ishte ndërruar në “Mareshali Tito”. Tash gjimnazi u shndërrua në Qendra e Arsimit të Mesëm të Orientuar (QAMO). Pra, përpos paraleleve te gjimnazit të pergjithshëm, u hapen degë të reja teknike.

Organizator i suksesshëm, punëtor i palodhshëm, ai me profesorët e tjerë vinin rend dhe disiplinë të jashtëzakonshme në shkollë. Profesorët vinin nga Prishtina me furgon. Ishin këto vitet e lulëzimit të arsimit në Drenas. Dolën disa breza nxënësish të dalluar, të cilët më vonë u benë mjekë, profesorë, ekonomistë etj.

Më 1978, Ymeri magjistroi me temën ”Poezia për fëmijë 1946 – 1976 në Jugosllavi”. Në këtë studim të ngjeshur dhe mjaft përkushtues, Elshani dallon që poezia shqipe për fëmijë e Pasluftës së Dytë Botërore kalon nëpër tri faza, që kanë secila fizionominë dhe veçantitë e saja stilistike e tematike: Faza e parë, nga vitet 1945-46 deri në 1960, fillon me vjershat që u botuan te ”Gazeta e pionierëve”, ato të botuara në dy vëllimet “Vjersha për shkolla fillore e paragjimnaze” (Prishtinë, 1947) dhe “Vjersha të zgjedhura për pionierë” (1951); me tri vëllimet e veçanta të botuara më 1953: “Gjethet e reja” të Rexhep Hoxhës, “Përrallat e gjyshit” të Mark Krasniqit dhe “Vjersha” të Mehmedali Hoxhës. Tematika është ajo e luftës, e ndryshimeve të mëdha shoqërore, e rindërtimit të vendit. Kemi një art tradicional, folklorik. Letërsia gojore ushtron ndikim të madh, si në aspektin tematik e motivor, ashtu edhe në atë strukturor e stilistik-gjuhësor.

Faza e dytë (1960-70) sipas Elshanit lidhet me vëllimin e Maksut Shehut “Kunora e kuqe” (1960), e më tej, me botimet e poetëve Vehbi Kikaj, Rifat Kukaj, Ali Huruglica, Fejzi Bojku, Agim Deva, Adem Gajtani. Frymëzimi këtu kap jetën e fëmijëve, ëndrrat e dëshirat e tyre, të kundruara nga këndi i shikimit të vetë fëmijës. Ndikimi i letërsisë gojore nuk është aq i drejtpërdrejtë.

Faza e tretë përfshin vitet ’70. Tematika e njohur e fazës së dytë këtu realizohet me një art më të ngritur stilistik, kemi një transformim kualitativ. Ndikimi i letërsisë gojore është i modifikuar, larg imitimit.

Pa mbushur katër vjet të punës si drejtor, më 2 prill 1981 në Drenas shpërthyen demonstratat. Edhe nxënësit e gjimnazit dolën për të kërkuar Republikë. Ymeri me profesorët dolën të obliguar për t’i percjellë nxënësit, e mundësisht sipas urdhërit të Komitetit komunal për t’i shpërndarë. Afër fabrikës së ”Ferronikelit” plagosen disa demostrues. Pas kryerjes së demonstratës u ndërpre mësimi në shkollën e mesme dhe në shkollat e tjera. Duhej gjetur ”fajtorët” për këto demonstrata. Fillojnë diferencimet ideo-politike. Ymeri merret në biseda informative në polici. Pas pak ditësh e përjashtojnë nga puna se gjoja ka pasur qëndrim opor-tunist dhe është përgjegjes për demonstratat që u bënë në Gllogovc. Kështu mbeti pa punë poeti edhe profesori Ymer Elshani.

Erdhën ditë të zymta dhe një diferencim e ndjekje policore ndaj tij. Autorit të tetë veprave iu ndalua publikimi i shkrimeve. Ndiqej këmba-këmbës nga shërbëtorët e SPB-së. Ankesat që i bëri gjyqit Ymeri për padrejtësi që ia bënë, iu refuzuan. I dhanë përgjigjje: je i papërshtatshëm për arsim. Pesë vjet Ymeri mbeti në shtëpi. Punonte në ara, në kopshtije. Ishte bërë bujk i mirë, por letërsinë dhe krijimtarinë letrare nuk e la. Shkruante poezi, poema, tregime dhe me një qëndresë të pashoqe u bënte ballë furtunave që ia imponuan forcat reaksionare dhe njerëzit shpirtëzinj.
Megjithatë, Ymeri më në fund, pas një kohe të gjatë punësohet në fabrikën e ,,Ferronikelit” si përkthyes. Kjo ndodhi në 1985.
Ia vlen të thuhet se sa ishte i papunë e përkrahu shkrimtari Rifat Kukaj, i cili ia kishte dhënë dhe të përkthejë librin, ”Nje mije e nje net” dhe ia boton veprën me tregime ”Plaku me violinë” (1984).

Në” Feronikel” punon deri më 1992. Prapë e largojnë nga puna si ”tepricë teknologjike”. Më 1994 kthehet në arsim. Këtë herë prapë në gjimnaz si zëvendësdrejtor. Në rrethana të rënda për arsimin tonë, Ymeri prej vitit 1996 emërohet këshilltar për lëndën e gjuhës dhe letësisë shqipe. Me elan të përtërirë, me tërë potencialin punoi në mirëvajtjen dhe përparimin e arsimit. Shkonte në të gjitha shkollat e komunës së Drenasit. Hospitonte në orë, jepte udhëzime dhe inkurajonte punëtorët e arsimit për të mbijetuar arsimi në gjuhën shqipe, që ishte në rrezik të shkatërrohej nga Serbia. Kur lufta filloi, më 1998, Ymeri kishte vendosur të mos largohej nga vendlindja. Disa ditë ishte në Prishtinë, por menjëherë u kthye në fshat.

Veprat e Ymer Elshanit:

1. Anija e miqësisë (vjersha)– Rilindja, Prishtinë,1972.
2. Çka ëndërrojne lulet (vjersha) – Rilindja, Prishtinë. 1971
3. Ndodhitë e Hundëkarrotës (roman) – Rilindja, Prishtinë.1971
4. Loti udhëtar (tregime) – Rilindja, Prishtinë, 1977
5. Ishulli i lumturisë (tregime)- Rilindja, Prishtinë,1973
6. Aventurat mbi trotinetin e vjetër (roman) – Rilindja, Prishtinë,1975
7. Guri i çmueshëm (tregime) – Rilindja, Prishtinë,1977
8. Unaza magjike (vjersha) – Rilindja, Prishtinë,1980
9. Plaku me violinë (tregime) – Rilindja, Prishtinë1984
10. Kaloresi i bardhë (poemë) – Rilindja, Prishtinë, 1987
11. Perjetimet e bardhoshit (tregime) – Rilindja,  Prishtinë,1989
12. Ylli ëndërrimtar (vjersha) – Rilindja Prishtinë, 2000
13. Vajza e diellit (tregime) – Rilindja, Prishtinë. 2000
14. Njohja e trimave (tregime e përralla), Rozafa, Prishtinë, 2000
15. Perralla per ylberin (poemë) – Rozafa, Prishtinë,2000
16. Gjeli i kuq (tregime të zgjedhura) – ASDRENI, Shkup, 2000
17. Zogu i lirise (vjersha) – ZEF SEREMBE, Prishtinë, 2001
18. Le të vijë në Sharr pranvera (poema) – Rozafa, Prishtinë, 2002
19. Gjelastreni mendjelehtë (vjersha) – GUTENBERG, 2001
20. Flokargjendta (tregime të zgjedhura),Rozafa, Prishtinë, 2004
21. Udhetimet e Xhuxhimaxhuxhit (roman) – Prishtinë, 2008

Pas vdekjes, iu botuan edhe librat e tjerë që Ymer Elshani pati lënë në dorëshkrim:


22. Ylli ëndërrimtar (vjersha, 2000),
23. Vajza e diellit (tregime, 2000),
24.Njohja e trimave (tregime e përralla, 2000),
25. Përralla për ylberin (poemë, 2000),
26.Gjeli i kuq (tregime të zgjedhura, Shkup 2000),
27. Zogu i lirisë (vjersha, 2001),
28. Le të vijë në Sharr pranvera (poema, 2002),
29. Gjelastreni mendjelehtë (vjersha, 2003),
30. Flokargjendta (tregime të zgjedhura, 2004),
31. Udhëtimet e Xhuxhimaxhuxhit (roman, 2008)./rajonipress/


(Shënim: Për kompletimin dhe argumentimin e këtij teksti janë përdorur burime nga hulumtimet e Halil Bogajt, Arif Veliut dhe dr. Xhevat Sylës)

14 Mars, 2014

FLORESHA DADO, IDENTITETI MË PËRFAQËSUES I NJË SISTEMI VLERËSUES NË LETRAT SHQIPE


Të shkruash në pak rreshta, siç po provojmë tani, për punën voluminoze shkencore mbi 40 vjeçare të një studiuese të letërsisë, siç është akdemikja Floresha Dado, është një mision i vështirë, për të mos thënë i pamundur, sepse çka do që të themi, dhe sado që të zgjatemi në fjalët tona, sërish do të ngelë shumë çka jashtë observimit dhe trajtimit adekuat të fondit të saj të begatshëm libror.

Studimet historiografike dhe tematike mbi letërsinë

Në radhë të parë, duhet saktësuar se Floresha Dado është një prej emrave më kompetent në botën e studimeve letrare shqiptare, duke pasuruar përvojën tonë me prurje serioze në fushën e historiografisë letrare dhe teorisë së letërsisë, si dy sfida që ajo i ka mbarështruar me mjaft sukses në disa prej botimeve të saj, duke filluar nga monografia mbi Andon Zako Çajupin, e deri te studimet tematike mbi Letërisnë e painterpretuar, që i kushtohet kryesisht letërsisë së ashtuquajtur të realizmit socialist, për të cilin emërtim Floresha Dado ka rezervat e saj dhe ajo më tepër parapëlqen letërsinë socialiste, si emërtim që do ti shkonte kësaj shkolle  letrare të periudhës së monizmit,  si dhe veprat tjera, të një korpusi pak a shumë të përbashkët tematik, ku gjithsesi shquhet, ndoshta një nga më të rëndësiushme,  ajo me titull “Sfida teorike të historiografisë letrare”, pastaj “Identifikimi i poetikave në planin teorik dhe historiko-letrar”, “Teoria e veprës letrare-Poetika”,  “Proza nëpër teknikat poetike”, “Intuitë dhe vetëdije kritike”, “Letërsi në ‘kurth’: Eseistika e Kadaresë” dhe më e reja  “Postmodernizmi – poetikë e antirregullit”

Floresha Dado, i takon profilit të studiuesve që kreativitetin e saj prej gjurmuese me shije të hollë të proceseve teorike- letrare, e ka dëshmuar në dy fusha kompelmentare: në procesin arsimor/ edukativ dhe në atë shkencor, fillimisht në cilësinë e pedagoges shumëvjeçare të teorisë së letërsisë dhe historiografisë letrare dhe në atë shkencore, si autore dhe  kontribuese e projekteve dhe studimeve të bëra në kuadër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë.

Problemet metodologjike mbi interpretimet

Duke qenë për shumë vite pedagoge në katedrën e studimeve universitare, Floresha Dado, gjithë angazhimin e saj intelektual e shkencor e kishte përqëndruar në ngritjen e një infrastukture moderne të studmimeve letrare mbi bazat e njohurive teorike, si kusht pa të cilin ishte i pamundur operimi me njohuritë përcje-llëse, por tepër të domosdoshme, siç janë historiografia letrare, kritika letrare, eseistika, publicistika letrare etj.

Për rrjedhojë, ajo jo rastësisht edhe disa nga titujt më të rëndësishëm të veprave të saj i identifikon me preokupimin e saj kryesor, duke përqëndruar gjithë korpusin e saj tematik në problematikat  që janë derivate të observimeve teorike-letrare.

Në këtë korpus tematik gjithesi bënë pjesë vepra  “Teoria e veprës letrare – poetika”, ku autorja me një qasje mjaft argumentuese përkufizon problematikat e Teorisë në raport me praktikat e analizës letrare dhe me poetikën, si dhe raportin e Poetikës me gjininë letrare, gjegjësisht me veprën apo lexuesin, duke shkoqitur parimet themelore të studimit të letërisë dhe sistemin letrar përmes vështrimit diakronik e sinkronik. Objekt i analizës së saj është edhe Teoria e romanit si dhe problemet metodologjike mbi interpretimet, të trajtuara bashkë me Kuptimin mbi kompozicionin, Narracionin dhe aspekte të ndërtimit të tij, Dialogun në poetikën e ligjërimit, ku autorja përqëndrohet më tepër në ndërtimin e figures, duke marrë për bazë figurën në përfytyrimin naimian, figurën në konceptin artistik të Ismail Kadaresë si dhe Kodet e krijimit të figures në romanet e Vath Koreshit.

Një tjetër interesim që përvjohet në observimin terotik të Floresha Dados është edhe raporti në mes të Intuitës dhe vetëdije kritike, një kompozitë kjo kuptimore që shenjon edhe një nga titujt e veprave të saj, e cila është e organizuar në katër korpuse të tematike: Vështrime teorike, ku autorja merr  në shqyrtim studimin e letërisë sipas teorive letrare moderne, si dhe problemet metodologjike e konceptuale mbi letërisë e sotme dhe roman-tizmin shqiptar në sfondin e letërsive ballkanike, deri tek struktu-ra narrative dhe dialogu në poetikën e ligjërimit.

Autorë dhe vepra është korpusi i dytë tematik i kësaj vepre, pastaj vie Kritika e Kritikës dhe Vështrime kulturologjike, tema këto që përvijojnë një logjikë mjaft koherente interpretimi nga ana e Floresha Dados.

Sfida teorike të historiografisë letrare, Identifikimi i poetkave në planin teorik dhe historiko-letrar si dhe Proza nëpër teknikat poetike, ndonëse në shikim të pare të renditura sipas një disnance semantike, megjithatë përbëjnë trekëndshin tematik e problemor të Floresha Dados, ku gjithsesi nxjerr krye qasja moderne e saj në interpretimin e teorisë së tekstit dhe profilet e nduardurta të autorëve, në periudha të ndyrshme të formimit të tyre teoriko-letrar.

Mbi të gjitha bie në sy insistimi i saj për një sistem interpetimi shkencor tek vepra “Identifikimi i poetikave në planin teorik dhe historiko-letrar”, ku dioptria e gjykimit kritik shikohet përmes aspektit të zhvillimit historiko- letrar në bashkëveprim me fushën e trajtimeve të karakterit teorik-letrar. Përpos dukurive letrare, individualiteteve artistike e veprave konkrete, të shikuara në prizmin e zhvillimit diakronik dhe sinkronik të letëprisë shqipe, në këtë vepër një vend me rendësi zënë  edhe problematikat e modernitetit në letërsinë midis dy luftërave.

Moderniteti dhe ndryshimi i kodeve tematike

Koncepti i modernitetit, si filozofi social-ekonomike, sipas Floresha Dados, mbetet larg shoqërisë shqiptare dhe si i tillë ai është vetëm një ide e parealizuar në mendjen e individëve që jetonin në shoqëri të tjera të zhvilluara dhe për rrjedhojë ajo me të drejt ajo shtron pyetjen: Sa moderniteti estetik erdhi natyrshëm në rrethanat shqiptare dhe sa ishte imprtim shpirtëror i një vetëdije arsitike evropiane, duke iu qasur veprave të Konicës, Lasgushit, Nolit e Migjenit, të cilat mëtonin të  jenë prodhim  i dilemës se a është çdo gjë e re patjetër moderne. Këtë dilemë, Floresha Dado mundohet ta zgjidh duke iu referuar një mendimi të Gidensit sipas të cilit nuk është e vërtetë se moderniteti shkon përkrah së resë për hir të së resë, por me presupozimin e pasqyrimit në masë të shumëfisht të refleksivitetit, i cili përfshin reflektimin mbi vet natyrën e reflektimit.

Duke u mbështetur në këtë paradigmë, Floresha Dado analizon marrëdhënienh midis lirisë së instiktit krijues në raport me arsyen krijuese, duke marrë si shembull prozën e Konicës, prozat poetike të Koliqit, disa poezi dhe tregime-skica të Migje-nit, disa poezi të Lasgushit, krijime këto ku shfaqet reflektimi i një përjetimi të vaçant të aktit krijues

Duke vendosur një distinksion semantik midis Modernitetit dhe modernizmit, autorja qartëson në veprën e saj se moderniteti  ka sjellë në letërsi ndryshimin e kodeve tematike dhe prirjen për ndyrshime të vazhdueshme. Pra, sipas saj, tipare të modernizmit (jo të modernitetit) në letërisë tonë, lidhen me stilin letrar, i cili synon tejkalimin e traditës dhe sjelljen e formave të reja.

Floresha Dado po zbulonte një Kadare të ri

Siç e shpjegon edhe në disa intervista, Floresha Dado pasi kishte analizuar aspekte terorike-letrare të veprës së Ismail Kadaresë, kishte vërejtur se një pjesë e krijimeve të tij, që ishin më tepër persiatje midis fiksionit dhe mendimit diskursiv, kishin ngelur jashtë orbitës së interesimit të saj më të thelluar, prandaj ajo kishte vendosur që t’iu rrekej kësaj natyre të shkrimeve të Kadaresë. Kjo edhe për faktin se siç e shpjegon ajo në parathënien e librit “Letërsi në ‘kurth’: Eseistika e Kadaresë”: “Kisha lexuar, në intervale të ndryshme kohore, një pjesë të mire të shkrimeve esestike të këtij shkrimtari të shquar. Por, ndonëse kishin hyrë në perceptimin tim si krijime mjaft interesante, përsëri vëmendja rendëte drejt prozës artistike… Nuk e kisha kuptuar se kjo rendje e njëkahshme, pa u ndalur sa duhet edhe tek eseistika, ishte gabim i madh, ishte sikur ta copëtoje individualitetin e tij krijues në dy pjesë: njera e ndritshme, kurse tjetra kalimtare.”

Ajo e pranon se nuk kishte qenë e ndërgjegjshme se ç’thesar do të duhej të gërmonte, sepse ajo po ndodhej para një minere të pasur me metale të çmuara, të cilat kishin ngelur disi të mënjanuar nga mosvëmendja e studiuesve dhe kritikëve të ndryshëm.

Floresha Dado e pranon se po zbulonte një Kadare të ri, teksa kishte përfunduar së eksploruari minierën e tij esistike, pasi që siç thotë ajo ‘po i futemi një sfere të jashtëzakonshme të njohjes, të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, të mendimit dhe imagjinatës së tij’.

Në studimin mbi esistikën e Kadaresë, Floresha Dado mundohet të mos acarojë marrdëhëniet në mes të Kadaresë shkrimtar dhe Kadaresë mendimtar, por përkundrazi të gjejë një mirëkuptim të brendshëm, pasi që sipas saj, vetëm pasi të kemi depërtuar në magjinë e eseve kemi rizbuluar vlera të tjera të këtij krijuesi – mendimtar të jashtëzakonshëm.

Paraqitje e estetikës së postomdernizmit në letërisë shqipe

Vepra e fundit e Floresha Dados, dhe ndoshta më sfiduese në aspektin e thyerjes së metodave të hulumimit dhe interpretimit shkencor, është “Postmodernizmi – poetikë e ‘antirregullit’”, titull ky i cili në vetvete sikur sugjeron një game krejt tjetërsh këndvështrimesh mbi procesin letrar, i cili kësaj radhe vendoset në një kontekst zhvillimesh jo vetëm letrare, por edhe filozofike e sociologjike.

Kjo vepër, e paisur me një aparaturë të ngjeshur shkencore me burime e referenca autorësh e veprash të viteve të fundit, nga 2-3 gjuhët me të njohura të Perendimit, mëton të shpjegojë, me terma e saktësime konkrete, paraqitjen e estetikës së postomdernizmit në letërisë shipe, sidomos në roman. Sipas Floresha Dados, kjo paraqitje, nuk mund ishte vetëm një kuriozitet, apo imitim, por më shumë se kaq – ishte lindje e një ndërgjegjeje dhe intuite të re krijuese dhe një marrëdhënie joe zakonshme me lexuesin.

Përfitimet nga ky studim serioz i Floresha Dados mund të jen të shumta, por spikasin dy më kryesoret: lexuesi mundet më lehtë të kap fillin e problemeve që lidhen me postmodernizmin, duke krahasuar pikëpmajet e autorëve të huaj dhe atyre shqiptarë që kanë shkruar mbi këtë drejtim letrar dhe autorët shqiptarë që në procesin e tyre krijues mbështeten në modelte posmodernizmit, nuk do të jetojnë në iluzionin se po zbulojnë një ishull të ri në botën e tyre imagjinare, për arsye se para tyre kishte pasur autorë të tjerë europianë e amerikanë, të cilët postomdernizmin e kishin provuar si stacionin e fundit të eksprimentimit letrar.

Nëse i referohemi konstatimit të studiueses Linda Hutcheon (Hëtçeon) se  Postmodernizimi, – përkundër modernizmit, – është raport i ndërlikuar rrjedhimesh, dallimesh dhe varësish, atëherë e kemi të qartë se pse Floresha Dado e ka vendosur postmo-dernizimin në dioptri më të gjerë, si në rrafshin diakronik, ashtu edhe në atë sinkronik, por edhe në raportet që kanë midis vetes drejtimet e tjera letrare: realizimi, modernizmi si dhe shkolla të tjera letrare.

Në fund të librit, autorja ngre 13 dilema për të bërë debatin sa më intrigues, duke shtruar me këtë rast 13 teza në formë pyetjesh. Për ta ilustruar pak a shumë vizionin e autores mbi këtë problematikë, po veçoj pyetjen e 8-të, a shfaqet postomodernizmi në romanin tone si frymë apo si formacion poetik? Sipas Floresha Dados tek disa autorë si Rexhep Qosja, Mehmet Kraja, Bashkim Shehu, Fatos Kongoli, Visar Zhiti, Zija Çela, Agron Tufa, Agim Leka postmodernizmi në radhë të pare është frymë, ose një realitet i brendshëm i realiteteve shqiptare, ndërkohë që tek disa autorë të tjerë si Anton Pashku, Virion Graçi, Gazmend Krasniqi, Ardian Kyçyku, e ndonjë tjetër, sipas Floresha Dados postmo-dernizmi në romanet e tyre paraqitet më tepër si prirje e një formacioni të ri poetik.

Kurse sa i përket tipologjizimit të romancierëve, ajo dalon dy grupe posmodernistësh shqiptarë. Në njërën anë kemi Rexhep Qosjen, Virion Graçi, Gazmend Krasniqi, Ardian Kyçyku, të cilët në romanet e tyre janë gjatë gjithë kohës postmodernistë, ndër-kohë që tek Fatos Kongoli, Zija Çela, Mehmet Kraja, Vath Koreshi, Bashkim Shehu,  Mira Meksi, Besnik Mustafaj, të cilët në romanet e tyre, përpos poetikes postomderniste operojnë edhe me narracionin klasik.

Përmbyllje

Floresha Dado është identiteti më përfaqësues i sistemit vlerësues në letrat shqipe, duke vendosur brenda këtij sistemi një mori normash të avancuara teorike e estetike mbi letërsinë dhe kompeleksitetin e veprës letrare në tërësi.

 14 prill 2021

ANTON NIKË BERISHA, PATRIARK I SHQUAR I NJË SHKOLLE TË POSAÇME KRIJIMI E STUDIMI

Përkushtimi tematik e problemor i Anton Nikë Berishës për të krijuar fabulat e tij narrative sa më interesante nxjerr në pah figurën e Nënë Terezës, në një dimension më kompleks dhe përtej konturave të ngushta biografike që i kishin imponuar autorë të ndryshëm, të cilët nuk e kishin patur kreativietin krijues e psikologjik të prof. Berishës për të depërtuar më thellë në shpirtin e kësaj altruiste të madhe me përmasa planetare.

Një ndër metodat krijuese e studimore të prof. Anton Nikë Berishës është rimarrja, ose rishqyrtimi gjuhësor e stilistik i veprës së tij të shkruar më herët dhe vendosja e saj në një rrafsh tjetër të rishikimit, por gjithmonë në funksion të një dioptrie vrojtimi që do ta bënte atë vepër edhe më të freskët për lexuesin aktual.

Kjo metodë, me pak përjashtime, u përdor nga ai edhe me rastin e ribërjes së korpusit të tij krijues e studimor në shtatë vëllime, me një titull mjaft sinjifikativ SHTATË SHPALIME PËR NËNË TEREZËN, të cilat tani vinë me një koherencë të brendshme kuptimore dhe me një gërshetim harmonik zhanresh e stilesh krijuese, të përmbledhura në gjithsej 10 vepra.

Tërësinë organike të këtyre 10 veprave e përbëjnë romanet “Nëna e dritës” dhe “Dritë në shtjellën e gërbulës”. Ky i fundit madje depërtoi edhe jashtë regjionit shqipfolës dhe si i tillë i  pëkthyer në italisht me titull “Ëndrra e erës”, pati jehonën e vet të receptimit të lakmueshëm tek lexuesi italian.

Përkushtimi tematik e problemor i Anton Nikë Berishës për të krijuar fabulat e tij narrative sa më interesante nxjerr në pah figurën e Nënë Terezës, në një dimension më kompleks dhe përtej konturave të ngushta biografike që i kishin imponuar autorë të ndryshëm, të cilët nuk e kishin patur kreativietin krijues e psikologjik të prof. Berishës për të depërtuar më thellë në shpirtin e kësaj altruiste të madhe me përmasa planetare.

Në kuadër të këtij korpusi letrar kushtuar Nënë Terezës, prof. Berisha sjell edhe  dy poema autoriale, “Ujëvarë drite në zemër” dhe “ Sytë e heshtjes”, kurse në fushën e eksplikimit studomor ai  ka trajtuar me përkushim 6 traktate letrare filozofike, sikundër janë“I desha njerëzit me dashurinë e hyjit”, “Shën Pali dhe Nëna Terezë”, “Shën Maria dhe Nëna Terezë”, “Errësira shpirtërore”, “Testamenti shpirtëror” dhe “Nëna Terezë në poezinë bashkë-kohore shqipe”, në të cilat figura e Nënë Terezës këndvështrohet edhe nga jashtësia e saj, duke skicuar një mori relacionesh që ajo pati me të tjerët dhe të tjerët, sidomos krijuesit, me të.

Duke u marrë gati dy dekada me figurën e Nënë Terezës, Anton Nikë Berisha, ka arritur të vendos një standard profilizimi krijues e studimor, i cili do t’iu shërbejë studimeve letrare e sakrale si model i mirë i punës kreative dhe përpjekje serioze për të nxjerrë nga tirania e vulgaritetit publicistik e patetik që pëvidhet në vepra të caktuara që merren me figura të shquara të kombit, të cilat në vend se të lartësohen ato më tepër devalvohen e gati bastardhohen.

Për t’ ikur këtij kliesheu, Anton Nik Berisha ngriti shkollën e tij të shkrimit letrar  e studimor dhe mund të themi lirisht se ai është ndër emrat e rrallë të letrave shqipe që gjithë opusin krijues e ka të formuar mbi shenja vetanake të identifikimit tematik e stilistik.

Figura e Nënë Terezës në këto 10 veprat del e praruar në qasjen filigranike të dorës mjeshtrore të shkrimtarit e studiuesit, Anton Nikë Berisha.

Ata që nuk kanë patur shumë mundësi të njihen me karakterologjinë komplekse të Nënë Terezës, këtë mund ta arrijnë tani, duke e pasuruar bibliotekën personale me këtë kolanë veprash tematike të Anton Nikë Berishës .

Vendosja e komunikimit me lexuesin e sotëm, më pak i informuar për figurën e Nënë Terezës, përbën kontributin madhor të kësaj vepre që sot po prezantojmë, kurse autori Anton Nikë Berisha përfaqëson ndoshta lajmëtarin më të kualifikuar që lidhjen e brezave e bën me kujtimin e stampuar në memorien krijuese.

Emri më emblematik që mban gjithmonë gjallë këtë kujtesë është Shën Nënë Tereza, kurse autorët që merren me të, ndër ta edhe Anton Nikë Berisha,  i bëjnë një nder të madh jo vetëm kauzës së saj humane, por i vendosin disa parametra përkufizues në identifikimin e përkatësisë sonë civilizuese – oksidentale.

Një gurë i çmueshëm në këtë identifikim padyshim është edhe vepra NËNË TERAZA NË SHTATË SHPALIME, kurse autori i saj Anton Nikë Berisha po e nderon lexuesin shqiptar, dhe jo vetëm, si një prej patriarkëve më të shquar të kësaj shkolle mendimi.

19 shtator 2019

NË GAZETARINË E QANI MEHMEDIT GJEJMË DILEMAT INTELEKTUALE TË NJË SHOQËRIE

Ky është rasti i dytë që po shkruaj për Qani Mehmedin. Rasti i parë ishte imponuar nga ikja e tij e parakohshme nga kjo botë (2017)  dhe me atë rast, gjithçka që ka mundur të thuhet për Qaniun, ka pasur në thelb një notë pikëllimi e dhembjeje, sepse , jo vetëm se shkuarja e tij na tronditi shpirtërisht, por edhe pse nga radhët tona po rrëzohej një lis i cili gjatë gjithë kohës na kishte bërë hije me dashamirësinë dhe bujarinë e tij prej njeriu e profesionist. Vetëm kur na mungon kjo hije, ne e hetojmë se na mungon edhe freskia që sjell prania e një njeriu të dashur, i cili qëndroi vertikalisht gjatë “lundrimit” të tij në dallgët e trazuara të jetës.

Sot në këtë 70 vjetor të lindjes së tij, secili prej nesh ruan diçka të shenjtë nga miqësia me Qani Mehmedin dhe kjo ndoshta është pasuria më e madhe e një njeriu, sepse gjërat materiale shkojnë  vijnë, por ajo që mbetet e shtresuar në jetën e njeriut është pikërisht kujtimi për vlerat njerëzore të një miqësie të sinqertë.

Sot, profilin e Qani Mehmedit, do ta shikojmë sikur asgjë s’ka ndodhur me të, sikur ai të vazhdonte të ishte ende në mesin tonë… Ai sot, si një burrë 70 vjeçar, me një karrierë mbi 40 vjeçare në gazetari, dhe me një ndikim të jashtëzakonshëm në formimin e brezave të shumtë gazetarësh e redaktorësh në shtypin tonë, sigurisht vazhdon të na frymëzojë pikërisht në një kohë kur transformimi teknologjik i medias ka krijuar një diskurs të ri publik. Rrathët e këtij frymëzimi shkojnë duke u zgjeruar, për aq sa është i gjerë edhe fushëveprimi i tij në mediat shqipe në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri gjetiu…. Gjithkund ku ai punoi, la gjurmë dhe sot gjithkush që provon të shkruaj historinë moderne të gazetarisë shqiptare, e ka të pamundur të shmang emrin e tij nga data-baza e kujtesës sonë kulturore.

Çdo traditë i ka shenjat e saja identifikuese, kurse çdo shenjë ka një emër. Qani Mehmedi me gjithë bagazhin e tij profesional, kombëtar e intelektual, na la trashëgim stilin, guximin dhe vizionaritetin në shkrimet e tij gazetareske publicistike. Ai me guximin e mjaftueshëm profesional iu rrek edhe trajtimit shkencor të problematikave politike e kombëtare dhe për rrjedhojë dëshmojnë edhe veprat e tij që na i la si një thesar i çmuar.

Teksa po i shfletoja fletët e verdha të gazetave e revistave në arkivin e Qaniut,  hasa edhe në shumë shkrime që nuk i kisha lexuar, dhe kjo më nxiti të mendoj për fatin e autorit të vetmuar  që ngel ndokund skutave të një  arkivi, i cili pret që një ditë gjithë ky material voluminoz shkrimesh me karakter të ndryshëm tematik e zhanror  të mblidhet dhe të sistemohet në disa vëllime librash. Sepse ky mund të jetë shpagimi, por edhe detyrimi më i madh ndaj Qani Mehmedit, duke e paraqitur profilin e tij tash më jo si një një autor fragmentar i shpërndarë nëpër fletë të zverdhuara gazetash revistash, por si një emër që i bën nder çdo biblioteke me vëllimet që mund të dalin nga shkrimet e tij të shumta.

Qani Mehmedi ishte reporter terreni prej nga sillte ritmet e jetës së padukshme për syrin e rëndomtë. Ai solli një stil të ri në zhvillimin e intervistës, duke imponuar mendim dhe rezon intelektual në pyetje dhe duke eliminuar çfarëdo lloj forme të inferioritetit kundrejt bashkëbiseduesit. Ai e respektonte bashkëbiseduesin, por e bënte të mos ndjehej gjithaq komod, pikërisht me pyetjet që shtronin teza e mendime për shqyrtim. Në pyetjet e Qani Mehmedit, gazetaria jonë bashkëkohore gjen në fakt dilemat intelektuale të një shoqërie e cila po kërkonte rrugën e vet të shtetndërtimit dhe finalizimit të proceseve politike e kombëtare. Ai ishte njohës i mirë i konteksteve në të cilat zhvilloheshin ngjarjet, prandaj shkrimet dhe intervistat e tij merreshin edhe si referencë dhe orientim nga shumë faktorë politikbërës.

Emrin e Qani Mehmedit e hasim edhe në shumë ese, recensione e kritika për film,  teatër, letërsi dhe ky fakt e bën profilin e tij më kompleks në pikëpamje të shumdimensionalitetit tematik e zhanror të shkrimeve të tij. Qani Mehmedi vet ishte një lexues i pasionuar i letërsisë, filozofisë e estetikës dhe leximin e impononte si kriter për të dalluar intelektualin  vërtetë nga një shkollar i rëndomtë me diplomë… Për këtë dëshmojnë edhe debatet e shumta private e publike që ai i zhvillonte, e ku spikaste erudicioni i një profesionisti të formuar, sepse Qaniu konsideronte se një gazetar a publicist që nuk lexon vazhdimisht, e ka vështirë të krijoj identitetin e tij si autor. Para çdo interviste, apo çdo teme që kërkonte trajtim më serioz, Qaniu lexonte dhe hulumtonte paraprakisht dhe kjo e bënte atë një autor kredibil që tejkalonte shprehitë rutinore të gazetarëve të tjerë. Prandaj kur flasim për Qani Mehmedin, e kemi parasysh  një autor me profil të lartë formimi intelektual e profesional, ashtu siç përshkuhet gjithë rruga e zhvillimit të tij që nga gazeta e studentëve “Bota e re”, e deri në mediat audiovizive në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni… Bashkë me Qaniun, u rrit dhe u zhvillua edhe gazetaria jonë dhe në pyetjen  vështirë nëse  gazetaria mori më shumë nga Qaniu, apo Qaniu nga gazetaria, përgjigja më e natyrshme mund të vjen pikërisht në këtë 70 vjetor të lindjes së tij, kur rreth emrit të tij vazhdon të gravitoj një interesim që kufizohet me kureshtjen për të mësuar më shumë mbi fshehtësitë e zanatit të gazetarisë që ai i aplikoi gjatë karrierës mbi 40 vjeçare në mediat e shtypura dhe audio-vizive./ 18 mars 2023

PROBLEME LETRARE-KULTUROLOGJIKE

KRIZA E ZHANRIT (ROMANIT) NË LETËRSINË TONË PËR FËMIJË


Edhe përkundër specifikave stilistike e estetike brenda zhanreve, letërsia është një. Kjo vlen edhe për letërsië për fëmijë. Shkrimtarët që ekultivojnë këtë letërsi do të pajtohen me konstatimin se statusi i veprimtarisë së tyre krijuese pa të drejtë është margjinalizuar. Vetëdija e çoroditur që ka udhëhequr një margjinalizim të tillë është kufizuar brenda kornizave të përvojës dhe praktikave pak a shumë burokratike në letërsi. Nëse shkrimtari për fëmijë nuk ka pasur fatin të jetë redaktor, udhëheqës i ndonjë institucioni të rëndësishëm kulturor, ose të banoj në kryqytet, ai dhe kolegët e tij s’kanë arritur ta ngrejnë në piedestalin e meritueshëm statusin e autorit dhe veprës së tij. Kësaj, mbase, i ka kontribuuar edhe logjika e injorimit të letërsisë për fëmijë në stilin “kemi punë edhe më të mençura”. Shtrohet kërkesa: Si të ngjallet letërsia për fëmijë?

Ndonëse të gjithë pajtohemi se edhe përkundër specifikave, letërsia është një, megjithatë, letërisë për fëmijë sikur i hyhet në hak dhe sikur pa të drejtë lihet margjinave të interesimit. Duke zbatuar një stil më modern në botëkuptimin tonë socio-kulturor, do të duhej të bindemi se pa letërsi për fëmijë nuk mund të kemi edhe letërsi për të rritur. Ky konstatim kushtëzohet nga një deduksion i thjeshtë logjik: Nëse nuk krijojmë gjenerata të reja lexuesish dhe krijuesish, vështirë do ta kemi pastaj të krijojmë edhe një shprehi të konsoliduar leximi dhe krijimi. Andaj si imperativ i domosdoshëm imponohet gjetja e formave sa më të përshtatshme të stimulimit të letërisë për fëmijë.

Para se t’themi edhe disa fjalë mbi krizën momentale të letërsisë për fëmijë, le t’i numrojmë edhe disa faktorë që e determinojnë këtë krizë. Pikë së pari, fati i librit shqip është vënë në pikëpyetje në saje të restriksioneve dhe divesioneve mbi autonominë dhe integritetin e shtëpive botuese. Botuesit në Prishtinë dhe në Tiranë ka muaj që s’botojnë vepra të reja, jo vetëm nga letërsia për fëmijë por edhe për të rritur. Botuesi i vetëm i librit shqip në Shkup, “Flaka”  e ka gati të pamundur t’i absorbojë të gjitha ato nevoja të shtuara për botimin e veprave letrare. Në këtë kontekst, hapësira e botimit të letërsisë kushtëzohet prej rrethanave të disfavorshme që i dikton aktualiteti.

Edhe sikur të konsolidohej deri diku veprimtaria botuese këtu ndër ne, kemi përshtypjen sikur brendapërbrenda letërsisë për fëmijë do të paraqiteshin disa probleme të quajtura, kushtimisht, kriza e zhanrit. Nëse kësaj ia shtojmë edhe krizën e kritikës letrare, përgjithësisht, edhe të asaj për fëmijë, veçanërisht, me siguri s’kemi thënë diçka të re. Mirëpo nëse këtë krizë e reduktojmë në suaza të imanencës krijuese, do të vijmë në përfundimin që thotë: në katalogun e veprave letrare për fëmijë ende mbretëron një disproporcion zhanresh, duke vënë theksin konkretisht tek mungesa e romanit për fëmijë, i cili jo vetëm që është deficitar, por ai sikur është “harruar” nga shkrimtarët tanë për fëmijë. Tani për tani mund të numrojmë disa poet të mrekulueshëm për fëmijë, të cilët me stilin dhe sensi-bilitetin e tyre krijues kanë arritur identitet autorial, por një identitet i tillë nuk po arrin të formohet në fushën e lërimit të romanit.

Përpos karakterit thjesht personal, kriza e zhanrit në letërisë për fëmijë është edhe karakterit shoqëror.

E para, autorët e letërsië për fëmijë duhet të stimulohen jo vetëm për të shkruar një roman, por gjithsesi duhet t’iu mundësohen kushte (të punësimit, të trajtimit sociale material).

E dyta, letërsisë për fëmijë t’i ngrihet dinjiteti krijues, duke i dhënë asaj trajtimin dhe vendin  e meritueshëm në letërsinë e përgjithshme kombëtare.

E treta, romani për fëmijë patjetër duhet të stimulohet përmes institucionit të konkursit letrar.

Ky qark faktorësh shoqërorë e kulturorë, do të krijonte predispozita për një qasje më objective ndaj gjithë asaj që lidhet me natyrën dhe brendinë e letërsisë për fëmijë dhe statusit të saj në korpusin e vlerave të përgjithshme letrare.


(“Flaka e vëllazërimit”, 23 tetor 1992) 

KRITIKA LETRARE, SHTYLLA E DOBËT E LETËRSISË SONË

Tema që po shtrojmë për diskutim është e një natyre komplekse, sa nga rrafshi i problamtizimit, po aq edhe nga shumdimensionaliteti i rëndësisë që ngërthen në vete. Gjendja e nivelit të kritikës letrare të një mjdesi kulturor dëshmon edhe shkallën e përgjithshme të mendimit dikursiv të atij mjedisi. Në këtë kontekst s’do të ishim larg të vërtetetës poqese konstatojmë se mendimi ynë letrar dhe intelektual përgjithësisht gjendet në njëfarë krize. Përpos disharmonisë që ekziston midis kritikës letrare dhe prodhimtarisë letrare, ekziston poashtu edhe një qëndrim gati inert ndaj kritikës letrare. Ky qëndrim buron prej

niveleve të ndryshme, ndërkaq arsyet që determinojnë këtë gjendje janë poashtu të natyrave të shumta.

Së pari, kritika letrare si formë e vlerësimit estetik po bëhet gjithnjë e më deficitare. Ndodhë të botohen vepra të tëra letrare, kurse kritika letrare te ne hesh. Por, edhe nëse ndonjë vepër merret në shqyrtim, kjo përfundon vetëm me një recension, edhe atë tepër informativ. Duke vazhduar traditën e kritikës recensioniste ose të parathënieve të librave të viteve pesëdhjetë e gjashtëdhjetë, kritika letrare sot nuk ka individualitet të mirëfillt metodologjik e teorik. Për rrjedhojë ndodhë pastaj të na paarqiten edhe oscilime të ndryshme në vlerësimet tona kritike, që shkojnë prej devalvimit total e deri “ngritjen në qiell” të ndonjë vepre a autori. Një kritikë e tillë e zhveshur nga kriteret etike e profesionale, vështirë do të arrinte të krijoj sstem të qëndrueshëm të verifikimit të vlerave krijuese.

Së dyti, qëndrimi i kritikëve dhe i vet shkrimtarëve ndaj kritikës letrare si vokacion, ndër ne është mjaft nënçmues. Perderisa qëndrimi i studiuesve dhe kritikëve ndaj kritikës letrare është euforik, ku kritika kuptohet si mësuese e gjithëdijshme dhe si instruktore, për të mos thënë “kritikë e gabimeve”, qëndrimi i shkrimtarëve, në anën tjetër, ndaj kritikës letrare shpesh herë del nga pozitat e kujdestarit dhe tutorit. Në ato vende ku ndodhë që shkrimtarët të vendosin për fatin e kritikës letrare, kjo bëhet më tepër për motive subjektive, e më pak për motive të mirëfillta letrare. Për rrjedhojë, nëse kërkojmë nga kritika letrare pavarësinë në gjykim  dhe objektivitet në vlerësim, atëherë kemi kërkuar tepër. Sepse pavarësia dhe objektiviteti i kritikës letrare mdeoemos duhet të udhëhiqen prej kritereve që dalin  jashtë shijes dhe kërkesës momentale të individit apo mjedisit të caktuar. Në të kundërtën, kirtika letrare edhe më tutje mund të vazhdojë të jetë heterogjene dhe eklektike, që vështirë do të mund të përfshihej në ndonjë tërësi integrale dhe të studiohet e sistematizohet sipas orientimeve e metodave të caktuara. Së këndejmi, mbase mund të parashtrohej edhe pyetja e diskutueshme: pse nuk kemi ndonjë qasje gjithpërfshirëse sintetizuese të fazave të zhvillimit dhe vlerave estetike të poezisë, romanit, tregimit apo dramës?

Së treti, çfarë është praktika dhe politika redaktuese ndaj kritkës letrare në mediat tona të shkruara dhe audio-vizive? Kurrfare. Këtë konstatim nuk do ta jepnim  po të mos e kishim një përfytyrim më të qartë mbi hapësirën konkrete që i kushtohet krtikës letrare në faqet e gazetave tona si dhe në minutazhin e radiove dhe televizioneve. Nëse do të mund të bëjmë ndonjë përjashtim (të vogël) me gazetat dhe revistat, kjo nuk do të vlente edhe për radion dhe televizionin, ku prania e kritikës letrare, sidomos në televizion është deficitare si shiu për tokat e çara të Afrikës.

Poqese bëjmë një kualifikim më konkret të kësaj problematike, mund të vijmë në përfundimin se në mediat tona jo që s’ekziston gatishmrëia për ta pranuar mangësinë e quajtur deficiti i kritikës letrare, por në to sikur mungon strategjia profesionale për stimulimin e këtij tipi deficitar të shkrimit diskursiv.

Përgjithsësisht, ngushëllimi ynë do të ishte efemer poqese mungesën e kritikës letrare mundohemi ta arsyetojmë vetëm me akceptimin e dobësive të lartpërmendura. Çështje më vete gjithsesi do të ishte mënyra se si do të ngritej niveli kualitativ e kuantitativ i kritikës letrare dhe studimeve letrare në tërësi. Të kuptuarit e kësaj veprimtarie vetëm si detyrë ekskluzive e letrarëve, nuk do të na shpeinte askund, sepse investimi i dijeve intelektuale në rrafshin e mendimit diksursiv nuk zhvillohet në vijë lineare. Shkarkimi i fajeve eventuale në krijimi e këtij niveli nënçmues të mendkimit kritik do të mund të bëhet edhe në forma të tjera, sikundë mund të jenë: organizimi i debateve të ndryshme të shkrimtarëve përkitazi me kahet dhe premisat e kritikës letrare, aktivizimi i konkursit për motvimin e krtikës letrare, hapja e reaksive ndaj bashkëpunëtorëve dhe institucioneve që merren me kritikë letrare si dhe inkorporimin e lëndëve nga teora e tekstit dhe stilistika letrare në Katedrën e Gjuhës dhe Letërisë Shqipe në Shkup, në Prishtinë e gjetiu.

Deri kur kritika letrare, do të jetë shtylla e dobët e letërsisë sonë?!

(“Flaka e vëllazërimit”, 29 korrik 1992)  

SHKRIMTARËT SHQIPTARË NË MAQEDONI, ENDE TË PAORGANIZUAR!

Ndarjet adminstrative-territoriale brenda hartës kulturore e shpirtërore gjithëkombëtare, krijuan defekte serioze ne zhvillimi inhegral dhe kontinuel të letërsisë. Si pasojë e këtyre defekteve ngjasu që edhe letërsia shqipe në Maqedoni të trajtohet si degë e “veçantë” e trungut të përbashkët kulturor. Oscilimet e ndyrshme politike që ndodhën brenda këytre katë dekadave e “stolisën” këtë degë me lloj-lloj apelacionesh denigruese, duke e rrudhur statusin e saj në pozita tejet inferiore. Autorët shqiptarë që krijuan brenda kësaj periudhe në Maqedoni ta dridhin deri në fund timbrin e monologjeve, për arsye se dialogu që gjakohej zhytej thellë në avujt e ndërgjegjes së fjetur gjithkombëtare. Rrethin e këtij absurditeti e mbyllte edhe trajtimi, jo çdo herë parimor i subjketeve kulturore-krijuese të Kosovës, të cilët letërsinë shqipe në Maqedoni gjithmonë e identifikonin në mënyrë paushalle dhe sipërfaqësore me dy-tre emra krijuesish. Se çfarë trajtimi kishte kjo letërsi në ambienti kulturor të Shqipërisë, mbase është e tepërt të flitet. Andaj konstatimet në stilin: “Të tjerët na e kanë copëzuar hapësirën kulturore e shpirtërore mund të merret si një eufemizëm kundrejt fajit të vet neve që i kontroibuam këtij copëzimi”. Fundja nëse një shkrimtar nga Tirana e kishte vështirë të botonte në Shkup, atëherë ç’pengesa paraqiste botimi i veprave të shkrim-tarëve shqiptarë nga Maqedonia në Tiranë?

Meqë s’kemi mundësia ta kthejm mbrapsht shiritin e kohës, atëherë me siguri kemi arsye  të kërkojmë që gabimet të mos përsëriten dhe sërish do të jemi ne ata që do t’i evitojmë këto gabime, madje strategjinë e integralitetit kombëtar ta funksio-nalizojmë me më shumë sukses.

Shqiptarët shqiptarë në Maqedoni aktualisht paraqesin potencial reprezentativ sasior e cilësor. Për hirë të këtij potenciali do të ishte e pafalshme që të ankohemi në disa banalitete që më tepër janë të natyrës tekniko-organizative. Inkorporimi i fyrmës autoktone në hapësirën e përgjithshme  shpirtërore-kombëtare, do të bëhej vetëm nëse ky potencial shfrytëzohet maksimalisht.



A guxon të jetë shkrimtari gjithmonë lojal?

Sikur të kërkonim të dimë në mënyrë pak më precize se cilat janë aktualisht konturat e jetës së organizuar letrare shqiptare në Maqedoni, do të vijmë në një përfundim paksa paradoksal që me droje do të ngurronim t’ia thoshim ndonjë të interesuari të huaj. Si zakonisht, ne jemi mësuar t’i mbajmë në maje të gjuhës disa ankesa që për mbulesë kanë apatinë dhe mospunën tonë. Edhe kësaj radhe, të interesuarit të huaj  do t’i thoshim: “Shikoni, ende s’është legalizuar puna e Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë. Kur do të legalizohet, do ta shihni ju…”. Natyrisht që marrësi i kësaj përgigjeje nuk është i prirur të dyshojë në korrektësinë e atij që e thotë atë. Fundja, as autori i këtyre rreshtave nuk e ka ndërmend të shpreh ndonjëfar dyshimi  në sinqeritetin e atyre që vërtetë mendojnë se shkrimtarët shqiptarë vetëm “si të legalizuar” mund të veprojnë lirisht, ndonëse statusi i krijuesit jo gjithmonë duhet të jet lojal ndaj formaliteteve burokratike-administrative. Për rrjedhojë, a ndërlidhet pasiviteti i shkrimtarëve shqiptarë me moslegalizimin e tyre si komunitet (asociacion) krijuesish nga ana e Ministrisë së Kulturës? Cinikët do ta jepnin këtë përgjigje: asnjë ministri dhe asnjë institucion shtetëror deri më tani nuk u ka vënë ndonjë embargo shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoni që: të mos mbajnë kontakte me lexuesit, që të mos bëjnë përpjekje për të afirmuar veprat e tyre në media dhe në takime të ndryshme me publikun, që të heshtin kundrejt trendeve negative shoëqrore, që të mos kërkojnë të zgjerohet hapësira e botimit të veprave të tyre, që të mos angazhohen në evitimin e krijzës së quajtur: kritikë letrare, që të mos organizojnë tribuna letrare etj. Nëse shkrimtarët shqiptarë në Maqedoni ende nuk kanë vulë për t’i “zyrtarizuar” të gjitha këto veprimtari, kjo nuk nënkupton se ata jetën letrare duhet ta organizojnë me vulë në dorë.

Karakteri promovues dhe festiv i formimit të Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Maqedoni, aspak nuk u arsyetua me fazat e mëvonshme të zhvillimit të këtij klubi. Në fillim u premtuan shumë manifestime, çmime letrare, botime revistash etj., kurse më vonë të gjitha këto premtime u “avulluan” prapa arsyetimit: “Ende nuk jemi legalizuar”. Mund të kemi mirëkuptim deri diku edhe pr arsyetime e tilla, madje mund të kuptohen edhe dëshirat e disa doajenëve të letërsisë shqipe te ne, sikundër është Murat Isaku, bie fjala, mirëpo të pakuptueshme janë sjelljet edisa dhjetëra krijuesve të tjerë shqiptarë, të cilët janë shumë të zellshëm në trajtimin etemave letrare nëpër kafene dhe nëpër ndeja banale.  Këta të fundit sikur kënaqen me botimin e librave të tyre dhe s’mërziten shumë për formatin publik e institucional të jetës letrare në Maqedoni.

Niveli i organizimit dhe cilësia – në disproporcion

Që në fillim të këtij teksti i vumë në spikamë defektet nga mosfunksionimi i hapësirës së përbashkët kulturore kombëtare. Tani arsyet që e kanë diktuar një situate të tillë, ose janë trans-formuar ose si të tilla s’ekzistojnë fare. Aftësia e shkri-mtarëve shqiptarë në Maqedoni do të ishte ta ridefinojnë profilin dhe statusin e tyre si krijues, duke i ofruar lexuesit mbarë-kombëtar vepra me cilësi që do të bëheshin pjesë e qarkullimit të përgjithshëm të vlerave letrare. Edicioni botues i “Flakës së vëllazërimit” sivjet (1992) botoi 12 tituj të rinj, që për botuesit në Prishtinë dhe në Tiranë ky do të ishte një luks i tepruar. Nëse ky edicion botues po e ridefinon rolin dhe statusin e vet, sa shkrimtarët shqiptarë në Maqedoni po e ridefinojnë rolin dhe statusin e tyre? Nëse “Flaka” ka bërë pjunë të madhe në botimin e kaq veprave letrare, atëherë ç’po bëjnë shkrimtarët shqiptarë në afirmimin dhe masovizimin e këtyre veprave? Sa tribuna letrare u organizuan për promovimin e këtyre veprave, sa vështrime kritike ua kushtuan këtyre veprave dhe sa tentuan që ndonjërën prej këtyre veprave ta përkthyejnë në ndonjë gjuhë të huaj?!
Nëse në të gjitha këto pyetje marrim përgjigje negative, atëherë nuk është vëstirë të kosntatojmë se niveli i organizimit të jetës së përgjithshme letrare në Maqedoni, as për së afërmi s’i përgjigjet cilësisë së veprave të autorëve shqiptarë, sikundër janë: Xhabir Ahmeti, Resul Shabani, Shkëlzen Halimi, Kim Mehmeti etj.   

Shqiptarët shqiptarë nuk i kanë kushtet material e institucio-nale si kolegët e tyre maqedonas, por ata nuk duhet të ngushëllo-hen gjithmonël me këtë hendikep. Prania e shkrimtarit në mesin e lexuesve, sidomos të atyre nëpër shkolla, ndikimi i tyre në formimin e opinionit kulturor e krijues, nuk udhëhiqet gjithmonë prej parakushteve të natyrës materiale e institucio-nale. Veprimi i shkrimtarit në rrethanat tona do të ishte i mirëseardhur përarsye se spektri i jetës publike do të ishte më i ngjeshur me trajta inventive.
    Siç mund të konkludohet, shkrimtatët shqiptarë në Maqedoni i presin detyra të rënda. Duke i projektuar konturat e përgjithshme të jetës letrare, ata do të duhej të mbështesnin aktivitetete tyre në profesionalizëm dhe në kërkesa të mirëfillta artsitike. Deri sa të zgjidhet çështja e legalizimit, shkrimtarët shqiptarë do të mund të vepronin në kuadër të ndonjë asociacioni tash më të legalizuar.

Pastaj, një çështje tjetër që duhet të definohet është caktimi i Shkupit si epiqendër e veprimtarisë publike e krijuese të shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoni, por pa e anashkaluar edhe punën e klubeve rajonale nëpër qytete të tjera të banuar me shqiptarë. Arsyet për një kocetrim të tillë janë të shumta: Shkupi historikisht njihet si kryeqendra e Dardanisë dhe Vilajetit të Kosovës, në Shkup është i kocentruar një numër më i madh i lexuesve nga radhët e nxënësve dhe studentëve shqiptarë, në Shkup veprojnë disa institucione kultrurore e arsimore me atri-bute shqiptare, siç janë mediat (gazetat dhe radio-televizionet), Katedra e Gjuhës Shqipe, Akademia Pedagogjike, Teatri i Kombësive etj.

Çështja e shtrirjes së veprimtarive të shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoni do të duhej të shikohet me një seriozitet edhe më të madh. Shtrirja e tanishme e këtyre veprimtarive  është më tepër profanizim dhe improvizim, se ndonjë punë serioze. Si çdokund tjetër, edhe tek jeta letrare do të duhej të ekzistojë një kierarki e vlerave dhe meritave. Sepse kështu siç qëndrojnë punët, çdo kush që ka shkruar dy, tri vjersha i jep të drejtë vetes të barazohet me një shkrimtar që ka shkruar shtatë-tetë vepra (!). Me këtë nuk duam të bëjmë ndonjë dieferencim artificial në mes të krijuesve të rinjë dhe atyre më me përvojë krijuese, por pua e do që të ruhet autoriteti i shkrimtarit nga improvizimet dhe diletantizmat provincial.

 Duke e pritur botimin e ndonjë organi ekskluzivisht letrar dhe organizimin e ndonjë manifestimi professional letrar dhe duke i pritur tribunat tematike mbi kritikën letrare dhe prozën shqipe, ne faktikisht jetojmë me shpresë se një ditë atmosfera jonë letrare do të rivitalizohet me kreativitet dhe punë këmbëngulëse. Të shpë-tojë shpresa, pra.

 (“Flaka e vëllazërimit”, 25 shtator 1992)  

SHËNIME BIOGRAFIKE PËR AUTORIN


Emin AZEMI
,  shkollimin fillor dhe te mesëm i kreu në Kumanovë. Ka mbaruar Fakultetin e Filologjisë, Letërsi e Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës si dhe ka ndjekur studimet pasuniversitare të Komunikologjisë në Shkup. Në karrierën 40 vjeçare në gazetari, mbi 20 vjet ishte drejtues dhe menaxhues mediash në Maqedoni dhe jashtë saj. Me gazetari, sidomos me shkrime për teatrin dhe kulturën, merret që nga viti 1982, duke bashkëpunuar me gazetën „‟Mllad Borec‟‟ të Shkupit.

Nga viti 1983 ka filluar të merret me gazetari të angazhuar dhe aktive, fillimisht gazetar  dhe redaktor në gazetën e studentëve „‟Bota e Re‟‟ në Prishtinë, deri më vitin 1987 dhe  pastaj kalon gazetar në gazetën “Rilindja”, deri në vitin 1992.

Me shkrime letrare merret që nga bankat e shkollës fillore. 

Prej vitit 1992-1995 punon redaktor në gazetën “Flaka” të Shkupit, kurse në ndërkohë ka qenë edhe korrespodent i “Zërit të Amerikës” nga Shkupi (1993-1994) si dhe bashkëpunëtor i gazetës shqiptare-amerikane “Illyria” në Nju-Jork të SHBA-së, në një periudhë 10-vjeçare.

 Në periudhën ndërmjet viteve 1998-2011 ka qenë botues dhe pronar i gazetës së parë të pavarur në gjuhën shqipe në Maqedoni, FAKTI. Prej vitit 2006 është i angazhuar në UEJL – Tetovë, si pedagog i disa lëndëve nga komunikimi dhe gazetaria.

Përveç me gazetari dhe publicistikë, merret edhe me letërsi, me kritikë letrare e teatrore. Deri më tani ka botuar disa libra të fushës së letërsisë dhe publicistikës. 


Rruga krijuese e profesionale 

Emin Azemi, përpos shkollimit universitar e pasuniversitar që ka ndjekur, ka arritur të kultivojë edhe një vokacion të veçantë të të shkruarit, që dallohet si për nga stili ashtu edhe për nga këndvështrimi mjaft specifik. Si autor i qindra teksteve me karakter publicistik, eseistik e diskursiv, Emin Azemi shquhet për mprehtësinë e vrojtimit të fenomeneve në jetën e përditshme, duke krijuar kështu një model krejt të veçantë në resemantizimin e dukurive shoqërore dhe afirmimin e vlerave kulturore e letrare në hapësirën shqiptare.

Emin Azemi bën pjesë në plejadën e gazetarëve e publicistëve të formuar në vitet tetëdhjetë, kurse angazhimi i tij lidhet drejtpërdrejt me formimin e një fryme të re në gazetari, që ishte iniciuar fillimisht përmes gazetës së studentëve në Prishtinë “Bota e Re”, ku ai dha padyshim një kontribut të çmueshëm, fillimisht si gazetar, pastaj edhe si redaktor dhe autor shkrimesh publicistike e kritike për teatrin, letërsinë, pikturën etj.

Në këtë kohë gazetaria përballej me presione të shumta nga politika, kurse ajo që la gjurmë në rezistimin e kësaj trysnie, pa dyshim ishte gazeta “Bota e Re”, ku Emin Azemi shquhej me një sens mjaft kreativ në afirmimin dhe ngritjen e vlerave krijuese e shpirtërore, si në Prishtinë ashtu edhe në Shkup. E asaj kohe është edhe një kronikë e gjatë recensionesh mbi teatrin dhe letërsinë, të cilat një ditë sigurisht që do të marrin formën e librave. Emin Azemi, më pas ishte edhe pjesë e shkollës gazetareske të “Rilindjes”, ku punoi disa vjet, derisa kaloi në Shkup në gazetën “Flaka”. “Rilindja” ishte sinonim i gazetarisë së shkruar profesionale në ish-Jugosllavi, kurse emrat e shquar që punuan në këtë gazetë ishin edhe bartësit e drejtpërdrejtë të magjisë dhe shkathtësisë së shkrimit te gjeneratat e mëvonshme, ku bën pjesë edhe Emin Azemi. Me mbylljen e “Rilindjes” (1990) mbyllen edhe shumë mundësi për kreativitet profesional dhe në kushte kur gazetaria në Kosovë po kalonte momentet më të vështira, Emin Azemi kaloi në Shkup (1992), duke iu bashkangjitur kolegëve të gazetës “Flaka”, e cila atëbotë dilte tri herë në javë, dhe pas disa përpjekjeve e angazhimeve, ku kontributi i Emin Azemit ishte modest, por mjaft dinamik në nxitjen e idesë për daljen e “Flakës”, gazetë e përditshme, sepse vetëm si e tillë ajo e përmbushte misionin për çka ekzistonte, kurse në fizionominë përmbajtjesore të kësaj të përditshmeje, Emin Azemi , bashkë me kolegët tjerë, kishte dhënë një kontribut të çmuar profesional, me ide e sugjerime konkrete.

Viti 1998 do të shënojë një kthesë esenciale në karrierën gazetareske të Azemit. Më 10 prill të këtij viti, ai, me financa vetanake, fillon të botojë gazetën e parë të pavarur në gjuhën shqipe në Maqedoni, FAKTI, një medie që më vonë do të bëhet shkollë e dhjetra gazetarëve dhe promovuese e mendimit të lirë e të pavarur. Me daljen e FAKTIT në hapësirën informative në Maqedoni, Emin AZEMI, dëshmoi në praktikë se misioni i gazetarisë së lirë e qytetare është i mundur, kurse shkolla për ta përvetësuar këtë gazetari duhej të kalonte nëpër disa standarde të larta që ai i kishte vendosur, bashkë me një ekip kolegësh redaktorë. Prandaj, shumëkush Emin Azemin e konsideron pionier të gazetarisë së guximshme dhe shkollë profesionale për shumë gazetarë të cilët aktualisht me sukses zhvillojnë gazetarinë si profesion dhe si biznes.

Krahas punës profesionale në gazetari, Emin Azemi shquhet edhe me përkushtimin dhe angazhimin e tij në përgatitjen e kuadrove të rinj në fushën e komunikit dhe të gazetarisë, si ligjërues i disa lëndëve në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. 

Profili si autor dhe vrojtues 

Në shtypin shqiptar Emin Azemi është paraqitur si autor tekstesh me karakter publicistik, por edhe letrar e kritik. Për harkun kohor që ai është i pranishëm në letrat shqipe (për 40 vjet), mund të specifikojmë disa linja karakteristike që e bëjnë profilin e tij të jetë një figurë mjaft interesante mikste, që gazetarinë e vuri në shërbim të letërsisë dhe anasjelltas – stili i tij për shumëçka të asocon në mënyrën eseistike të mbarështrimit të temave e të fenomeneve. 

Në radhë të parë, si autor i dhjetra reportazheve, Emin Azemi ka arritur të ngërthejë në  observatorin e tij krijues edhe dellin gazetaresk të hulumtimit në terren, duke shpalosur

 Në shkrimet autoriale mbi letërsinë, teatrin, filmin etj., arriti të ruajë  drejtpeshimin në mes të dy vokacioneve të të shkruarit, duke mbetur kritik në gazetari dhe vrojtues letrar në kritikë. Ai ka analizuar rrjedhat krijuese të poezisë shqipe si dhe poetikën e narracionit në prozën moderne shqipe, duke marrë për bazë vrojtimi autorë e vepra të shumta nga letërsia shqipe. Gjithashtu, ka ndjekur me përkushtim edhe zhvillimin e dramaturgjisë shqipe, sidomos atë që është luajtur në skenë, duke ofruar një vrojtim krejt personal e specifik të situatave mizanskenike, por edhe të një galerie të gjerë figurash e karakteresh që solli teatri shqiptar brenda 30 vjetësh.

Veprimtaria hulumtues-shkencore, letrare dhe publicistike

Emin Azemi ka botuar disa vepra autoriale dhe punime nëpër revista me vlera të  veçanta artistike dhe estetike. Veç botimeve, ka marrë pjesë nëpër disa konferenca dhe sesione letrare të organizuara nga institucione shkencore dhe letrare në Shkup, Prishtinë, Zagreb, Gjilan, Tiranë, Cyrih etj. Me interes të veçantë ishte angazhimi i tij në  kuadër të manifestimeve dhe projekteve të shumta hulumtuese – shkencore dhe promovuese që zhvillohen në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqipta-rëve në Shkup.

Aktualisht është botues i revistës mujore për kulturë dhe dije JUVENILJA  dhe drejtues i Shtëpisë botuese AGORAPRINT.

Veprat autoriale:
 

1. AGIMET POLARE (poezi)

2. “BLLACA – DHIMBJA E LIRISË”, ITShKSh – Shkup, 2019. 

3. “HELENA E EPIKËS SONË TRAGJIKOMIKE” -1 , Agora print, Shkup, 2021.

4. “SHQIPTARËT E EGJYPTIT” (bashkautor)

5. NË MES TË KAUZËS DHE MBIJETESË (eseistikë)

6. “A KUROHET MENDËSIA?” (eseistikë-publicistikë)

7. LORENC ANTONI ( monografi)

8. LETËRSIA NË MES TË INTERPRETIMIT DHE KRIJIMIT, 2025

PËRMBAJTJA

Hyrje ……………………………………………………………………………..5

Poetika e leximit ……………………………………………………………….9

AUTORË DHE VEPRA…………………………………………………..13

Moderniteti letrar në tregimet e Hivzi Sulejmanit……… ……….15

Poetika e metadhembjes ………………………………………20

Naim Fetaj motivohet nga realiteti i fshatit, por nuk bie në kallëpet e  poezisë pastorale krijuese…………………………………23

Kur aventura shpirtërore dëshmohet  përmes një vrojtimi origjinal   ………………………..        ….   …………………….  ………..26

Dramaturgjia e karaktereve në gramatikën skenike ………………29

Reliktet e një shqetësimi poetik ………………………………………..32

Poezi intelektuale dhe e dilemës së sinqertë krijuese ……………38

Dialogu lirik flet me gjuhën e kondensuar të ironisë …………….42

Musa Ramadani, krijues i një shkolle vetanake të personazheve dhe karaktereve ……………………………………………………………….45

Përjetësimi poetik i kohës …………………………………………………47

Harmonia e sistemit poetik ……………………………………………….50

Magjia ciklike e antiepopesë shqiptare ……………………………….53

Roman i sfidës së madhe morale ……………………………………….58

E pathëna si paroksizëm tragjik………………………………………….63

Tragjizmi si emulacion jetësor …………………………………………..69

Burgu si një hapësirë poetike …………………………………………….73

Procedimi modern i një thjeshtësie retorike ………………………..76

Poezia kompenzon sinkopat historike …………………………………79

Nga Europa “kthehen” shqiptarët ………………………………………82

Vetëdijësimi mbi idenë e flijimit ……………………………………….86

Evolucioni shpirtëror i një fëmijërie …………………………………..89

Fëmija – subjekt aktiv në jetë …………………………………………….91

Hyjnorja dhe tokësorja tek jeta dhe vepra e Nënës Tereze …….96

Gravurë e stilizuar mbi mermerin e kujtesës sonë kombëtare 100

Një kohë që mund të na ikte pa u vërejtur …………………………106

“Stançiqi i Karadakut” – një libër monografik …………………..109

Filozofia poetike në prozën e Besnik Mustafajt …………………114

Një alegori letrare për gulagun shqiptar ……………………………120

Një libër, në vend të tortës së ditlindjes! …………………………..122

Poetika e meditimit dhe rrëfimit ………………………………………126

Veçantitë e letërsisë së arbëreshëve të Italisë në veprën studimore të Anton Nikë Berishës ……………………………………131

Ramadan Musliu, një poet  që nuk lexohet lehtë ………………..139

Shkupi i dikurshëm, Vjena kulturore e shqiptarëve …………….142

Jokonformizmi si poetikë dhe si guxim qytetar ………………….146

Historia sekrete e Ballkanit në sytë e një shqiptari ……………..148

Një libër që zbërthen semantikën socio-politike të një kohe ..154

Profili i Anton Çettës sipas Anton Nikë Berishës ………………167

Manuali intelektual i një mendësie aktive …………………………162

I harruar për historiografinë, por i rishfaqur si feniks në publicistikën dokumentare ………………………………………… …..168

Lasgushi poet, një lëvrues specifik i kritikës dhe publicistikës shqiptare ……………………………………………………………………….173

Thellësia e vëzhgimit, rrjedhojë e leximit të vemendshëm ….177

Ditari i Parashqevi Qiriazit, një përmendore gjigande për gjithë gratë shqiptare iluministe ………………………………………………..182

Bajram Kosumi me elegancë trajton kalimin nga realiteti faktik, në fiksionin letrar  ………………………………………………………….184

Arketipi që nxjerr në sipërfaqe jehonën e një vullkani të pashpër-thyer ……………. …………………………………………………188

Një libër me vlerë mbi origjinën e emër-vendeve në kohën e Perandorisë Osmane ……………………………………………………..191

Sibilat e Bogdanit  dëshmojnë cilësinë e traditës sonë letrare 193

E djeshmja dhe e ardhmja e poezisë së Jusuf Gërvallës ………197

“Maximilan Lambertzi për letërsinë shqipe”, vepër kapitale e Anton N. Berishës ………………………………………………………….204

“Lëkura e gjarpnit” –  saga e rrëfimit të pambarurar urban ….214

Disa vlerësime të prof. Matteo Mandalasë për poemën “Kënga e Sprasme e Balës” ………………………………………………………….218

Gazetaria si dëshmi dhe si mision …………………………223

“Kirurgjia” poetike e shpirtit njerëzor ………………………………232

Eseistika në laboratorin  krijues të  shkrimtarit Ismail Kadare…………………………………………………………………………..234

“2000 vjet krishtërim te shqiptarët”, një palimsest përtej kufijve gnoseologjik të një botimi të zakonshëm  ………………………….241

“Populli i pandalur”-një dokument i ndërgjegjes së gjallë komëtar…    ………………..               ………………………………….250

PORTRETE………………………………………………………………. 257

Lasgush Poradeci, fenomen letrar origjinal, i rrallë në poezinë shqipe …………………………………………………………………………..258

Dy kokra lot për veprën e pakryer …………………………………..262

Teki Dervishi, një shkollë e nxënë jashtë librave ……………….265

Shkrimtari i protestës dhe indinjatës njerëzore …………………..270

Shkrimtari Ibrahim Kadriu, në 80-vjetorin e lindjes ……………275

Besnik Mustafaj, një laborator aktiv në kërkim të hapësirave të pashkelura krijuese ………………………………………………………..278

Veprimtaria e panjohur letrare dhe publicistike e Jashar Erebarës në arkivat e kohës …………………………………………………………286

Sinteza ideore, poetike e estetike e filozofisë së krijimit të Beqir Musliut …………………………………………………………………………294

Shkrimtari Jusuf Buxhovi faktin e  kthen në realitet jetësor, ndërsa jetësoren – në kujtesë historike …………………………….297

Mbi heronjtë jetimë dhe inflacionin e lavdisë ………………303

Floresha Dado, identiteti më përfaqësues i një sistemi vlerësues në letrat shqipe ……………………………………………………………..313

Anton Nikë Berisha, patriark i shquar i një shkolle të posaçme krijimi e studimi    ………..     ……….     ……… ..             ……….310

Në gazetarinë e Qani Mehmedit gjejmë dilemat intelektuale të një shoqërie     …………….    …………   …………  ..     ……….. …. 322

PROBLEME LETRARE-KULTUROLOGJIKE…… ………… 325

Kriza e zhanrit (romanit) në letërsinë tonë për fëmijë …………327

Kritika letrare, shtylla e dobët e letërsisë sonë …………………..329

Shkrimtarët shqiptarë në Maqedoni, ende të paorganizuar! …332

Shënime biografike për autorin    …….……………………336

EMIN AZEMI

LETËRSIA NË MES TË INTERPRETIMIT DHE KRIJIMIT

AGORAPRINT

2025

CIP – Каталогизација во публикација

Национална и универзитетска библиотека “Св. Климент Охридски”, Скопје

821.18.09

AZEMI, Emin

Letërsia në mes të interpretimit dhe krijimit / Emin Azemi. –

Kumanovë : Agoraprint, 2025. – 340 стр. ; 24 см

Shënime biografike për autorin: стр. 331-334

ISBN 978-608-4936-17-6

а) Албанска книжевност — Критики и толкување

COBISS.MK-ID 67493381


[1] Shkëputje nga fjala e mbajtur me rastin e nderimit me çmimin Nobel për letërsi më 1999.

[2] Seneka, Letra Lucilit. “Rilindja”, Prishtinë 1983, f. 88.

[3] Jorge L. Borges, Biseda. Tirana Times, f. 231-232.

[4] Hugo Friedrich, Struktura moderne lirike. “Stvarnost”, Zagreb, 1969.  f. 6-7.

[5] Bertolt Breht, Pesë vështirësi për të shkruar të vërtetën. Shih “Studime kritike”. Shtëpia botuese “Naim Frashëri“, Tiranë, 1982, f. 33 .

Spread the love