Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump paralajmëroi tarifa prej 35 përqind për Serbinë. Sipas të dhënave të Institutit Republikan të Statistikave, ndër produktet kryesore të eksportit të Serbisë në tregun amerikan janë armët dhe municionet për përdorim civil.
Serbia është duke pritur përgjigjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj propozimit që dërgoi për tarifat doganore që duhet të hyjnë në fuqi më 1 gusht, tha Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) më 30 korrik.
“Ne dolëm me propozimin tonë, jemi të vegjël, por na shkakton probleme, para së gjithash, në industrinë e gomës dhe në industrinë ushtarake. Çdo gjë tjetër është, sigurisht, më pak, por do të thotë gjithçka për ne. Ne e paraqitëm propozimin tonë, po presim një përgjigje dhe besoj se do ta marrim së shpejti”, tha Vuçiç.
Sipas fjalëve të tij, Presidenti i SHBA-së Donald Trump “së pari dëshiron t’i zgjidhë gjërat me të mëdhenjtë”.
“Tregtia me Serbinë është e vogël, një miliard, kështu që krahasuar me miliarda, triliona, me Kinën dhe Bashkimin Evropian, ne jemi një pikë uji në oqean”, tha Vuçiç për REL.
Kur iu kërkua të komentonte mbi shtyrjen e re të sanksioneve të SHBA-së ndaj Industrisë Serbe të Naftës (NIS) për 30 ditë të tjera, Vuçiç tha se Serbia “sigurisht që po vuan pasojat” dhe se situata “nuk është e thjeshtë”.
“Dhe nuk jam i sigurt, duke pasur parasysh marrëdhëniet aktuale midis amerikanëve dhe rusëve, nëse kjo zgjatje do të vazhdojë, por nuk kemi çfarë të bëjmë në lidhje me këtë. Ne nuk duam ta shtetëzojmë atë pronë, nuk duam të sillemi ashtu siç u sollën disa të tjerë ndaj pronës ruse, mendojmë se është e drejtë”, tha Vuçiç.
Në fund të korrikut, Ministria e Financave e SHBA-së shtyu për herë të pestë zbatimin e sanksioneve ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) për një muaj tjetër.
NIS ishte në listën e kompanive të sanksionuara më 10 janar për shkak të të ashtuquajturit “rrezik dytësor”, domethënë për shkak të pjesëmarrjes në pronësi të Gazprom Neft në atë kompani, e cila është nën sanksione perëndimore për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
