Kabineti i sigurisë i Izraelit ka miratuar planin e kryeministrit Benjamin Netanyahu për të marrë kontrollin ushtarak të Qytetit të Gazës, një veprim që shënon një përshkallëzim të madh në luftë. Udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid, e ka dënuar ashpër vendimin e kabinetit të sigurisë për të miratuar planin e Kryeministrit Benjamin Netanyahu për pushtimin e Qytetit të Gazës, duke e cilësuar atë si “një katastrofë që do të çojë në shumë katastrofa të tjera”.
Vendimi erdhi pas një takimi që zgjati deri vonë natën dhe konfirmoi se “një marrje e plotë e kontrollit të Rripit të Gazës nga ana e sigurisë” është e nevojshme për t’i dhënë fund konfliktit, raporton Sky News.
Përpara takimit, Netanyahu konfirmoi qëllimet e Izraelit në një intervistë me Fox News. I pyetur nëse Izraeli do të “merrte kontrollin e të gjithë Gazës”, ai u përgjigj: “Ne synojmë, për të siguruar sigurinë tonë, të largojmë Hamasin atje dhe të çlirojmë popullin e Gazës”. Ai shtoi se Izraeli nuk dëshiron të mbajë territorin, por përkundrazi të krijojë një “zonë sigurie” dhe t’ia dorëzojë pushtetin “fuqive arabe që do ta qeverisin atë siç duhet”.
Siç pritej, personi që kundërshtoi më shumë ministrat dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu ishte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir.
Sipas Ynet izraelite, gjatë seancës së gjatë para se të merrej vendimi, shpërthyen konflikte të ashpra midis tij dhe ministrave që përfshinin fyerje dhe ngritjen e zërit të tyre.
Zamir paralajmëroi për pasojat e zhvendosjes së rreth një milion banorëve të Gazës – dhe dëmtimit të pengjeve.
Një përshkallëzim i ri
Kabineti i sigurisë i Izraelit miraton planin e Netanyahut për të pushtuar Qytetin e Gazës, 800,000 palestinezë në rrezik
Në konfliktin që shpërtheu me ministrin Ben Gvira, kreu i kabinetit theksoi se “nuk ka zgjidhje humanitare për milionin njerëz që do të transferojmë. Gjithçka do të jetë e komplikuar”.
Ai kritikoi ashpër ministrat dhe u tha atyre:
“Unë sugjeroj që ta hiqni kthimin e të rrëmbyerve nga qëllimet e luftës”, tha ai.
Qëndrimi i tij e shqetësoi veçanërisht ministrin izraelit Itamar Ben-Gvir, i cili iu përgjigj atij.
“Ndaloni së foluri me median. Ne duam një vendim. Ne të gjithë kujdesemi për pengjet, por edhe për ushtarët dhe luftëtarët që kërkojnë fitore. Ju jeni në varësi të skalonit politik. Mësoni nga policia se si t’u bindeni vendimeve të skalonit politik”, tha Ben-Gvir.
Vendimi i kabinetit nuk përdori fjalën “pushtim”, por e zëvendësoi atë me frazën “marrje kontrolli”. Mediat deklarojnë se kjo është bërë vetëm për arsye ligjore që lidhen me përgjegjësinë për popullsinë civile.
Megjithatë, një zyrtar i lartë izraelit theksoi se ky është vetëm një përkufizim zyrtar, ndërsa në realitet qëllimi është të pushtohet Gaza. Operacioni do të kryhet në faza dhe IDF do të fillojë me pushtimin e Qytetit të Gazës.
Londra është kundër
Kryeministri britanik Keir Starmer është shprehur kundër përshkallëzimit të situatës në Gaza, duke e quajtur vendimin e fundit të kryeministrit izraelit për pushtimin e plotë të Gazës, të gabuar.
Ai i kërkon qeverisë izraelite ta shqyrtojë edhe njëherë një vendim të tillë.
“Ky veprim nuk do të bëjë asgjë për t’i dhënë fund këtij konflikti ose për të ndihmuar në sigurimin e lirimit të pengjeve. Ai vetëm sa do të sjellë më shumë gjakderdhje. Çdo ditë kriza humanitare në Gaza përkeqësohet dhe pengjet e marra nga Hamasi mbahen në kushte të tmerrshme dhe çnjerëzore.Ajo që na duhet është një armëpushim, një rritje e ndihmës humanitare, lirimi i të gjithë pengjeve nga Hamasi dhe një zgjidhje e negociuar. Hamasi nuk mund të luajë asnjë rol në të ardhmen e Gazës dhe duhet të largohet, si dhe të çarmatoset”, ka thënë ai.
Opozita izraelite nuk e miraton pushtimin e Gazës
Edhe udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid, e ka dënuar ashpër vendimin e kabinetit të sigurisë për të miratuar planin e Kryeministrit Benjamin Netanyahu për pushtimin e Qytetit të Gazës, duke e cilësuar atë si “një katastrofë që do të çojë në shumë katastrofa të tjera”.
Në një postim në rrjetin social X, Lapid tha se miratimi i planit është “krejtësisht në kundërshtim me qëndrimin e ushtrisë dhe të mbrojtjes”, dhe se është marrë pa konsideruar lodhjen fizike dhe psikologjike të trupave të vijës së parë.
Ai akuzoi Netanyahun se është tërhequr nga presioni i ministrave të ekstremit të djathtë, Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich, duke e quajtur këtë veprim “të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm”.
Sipas Lapidit, pushtimi do të zgjasë për muaj të tërë, do të sjellë vdekjen e pengjeve dhe të shumë ushtarëve izraelitë, do t’i kushtojë qindra miliarda taksapaguesve dhe do të shkaktojë “një kolaps diplomatik” për Izraelin në skenën ndërkombëtare.
Kritikat u përforcuan edhe nga udhëheqësi i partisë opozitare të krahut të majtë Demokratike të Izraelit, Yair Golan, i cili tha se vendimi i kabinetit ishte “një dënim me vdekje për pengjet dhe familjet e tjera të pikëlluara”.
Golan tha se plani bie ndesh me qëndrimin e shefit të shtabit të përgjithshëm të Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF), gjeneralit Eyal Zamir, dhe paralajmëroi për pasoja afatgjata që, sipas tij, do të ndihen nga brezat e ardhshëm.
“Fëmijët dhe nipërit tanë do të patrullojnë rrugët e Gazës. Ne do të paguajmë qindra miliarda gjatë viteve të ardhshme, dhe e gjithë kjo për shkak të konsideratave të mbijetesës politike dhe vizioneve mesianike”, deklaroi Golan në X.
