Nga një verë në tjetrën, Jugu i Shqipërisë është përmendur si “parajsa e Mesdheut”, “rivali i rivierës franceze” apo “mrekullia e Adriatikut dhe Jonit”. Por vera e vitit 2025 na e përplasi të vërtetën në fytyrë: Jugu nuk është më as parajsë dhe as konkurrencë. Jugu dështoi.
Në plazhe bosh, hotele gjysmë të zëna, lokale që mbyllin më herët se zakonisht dhe qytete që i ngjajnë vetes vetëm në Instagram, u pa qartë se diçka ka ndryshuar. Dhe jo për mirë.
Çmimet si në Monte Carlo, por pa standardet e Monte Carlos
Në Dhërmi, një çadër me dy shezlongë shkonte 40-50 euro. Në Sarandë, një darkë për dy persona në një restorant mesatar shkonte mbi 100 euro – për shërbim shpesh skandaloz dhe ushqim që lë për të dëshiruar. Në Ksamil, një kafe e zakonshme shitej 3-4 euro. Dhe për të gjitha këto, fatura vinte pa kupon tatimor.
Krahasimi është i thjeshtë: me këto çmime, një familje mesatare shqiptare apo edhe turisti i huaj, mund të kalojë pushime më të lira dhe më cilësore në Greqi, Turqi apo Kroaci. Shqipëria është kthyer në një destinacion të shtrenjtë pa justifikim.
Shërbimi arrogant, i papërgatitur, i paarsimuar
Nga kamarierë që nuk dinë as anglisht minimale, tek pronarë që të presin si të bëjnë nder, deri tek mungesa e etikës elementare të mikpritjes shërbimi është kthyer në një plagë kronike. Në shumë raste, pushuesit nuk largohen nga jugu për shkak të natyrës, por për shkak të mënyrës si trajtohen. Në vend që turisti të jetë mbret, ndjehet si peng.
Kaos urban, ndërtim pa kriter, mungesë investimi real
Ndërsa fasadat lyhen çdo vit me bojë për Instagram, infrastruktura rrugore është po ajo – me gropa, mungesë ndriçimi dhe parkimi. Uji mungon për orë të tëra, ndërsa ndotja nga ndërtimet dhe plehrat është kthyer në përditshmëri. Ka një mbingarkesë ndërtimesh, kullash dhe apartamentesh për shitje që kanë vrarë natyrën dhe shpirtin e vendit.
Në vend që të ndërtohej një model turizmi të qëndrueshëm dhe cilësor, u zgjodh rruga e lehtë: beton, selfie dhe spekulim imobiliar.
Rritja e vetëdijes së turistit shqiptar dhe të huaj
Turisti shqiptar sot nuk është më ai i vitit 2010. Ai krahasohet, hulumton, informohet. Po ashtu edhe ai i huaj. Falë rrjeteve sociale, aplikacioneve të vlerësimit dhe përvojave të ndara online, çdo mangësi në Jug zbulohet shpejt. Këtë vit, shumë njerëz vendosën të mos rikthehen ose të mos vijnë fare.
Asnjë strategji kombëtare vetëm improvizim sezonal
Shqipëria nuk ka një politikë të mirëfilltë turistike. Çdo verë pret “mrekullinë” që të ndodhë vetë. Nuk ka koordinim mes ministrive, bashkive, strukturave të mikpritjes dhe komunitetit lokal. Promovohet vetëm në mediat qeveritare dhe për një publik të brendshëm, ndërkohë që tregjet reale të turizmit nuk trajtohen si duhet. Janë shqiptarët e diasporës që mbajnë gjallë këtë model artificial.
Jugu nuk dështoi vetëm këtë vit. Ai po përballet me pasojat e një modeli të gabuar.
Ai u ndërtua si një iluzion marketingu, por nuk u menaxhua si një destinacion real turistik. Sot, po korrim atë që kemi mbjellë: mashtrim, arrogancë dhe improvizim.
Nëse nuk ka një kthesë radikale në mënyrën se si e trajtojmë turizmin si ekonomi, si kulturë dhe si investim atëherë çdo vit do të jetë më i keq se tjetri. Dhe atëherë, ndoshta as deti nuk do të na mjaftojë për të mbuluar dështimin./Landi Çela/ Publik.al
