As Qeveria dhe as Banka e Zhvillimit nuk zbulojnë të dhëna se cilat kompani dhe sa para morën nga kredia hungareze, për të cilën shteti u bë borxhli, dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të paguajnë interesa për 15 vitet e ardhshme. As Qeveria dhe as Banka e Zhvillimit nuk zbulojnë të dhëna mbi kompanitë private. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit monitoron nëse ekziston mundësia e korrupsionit për kreditë që janë miratuar tashmë.
Janë dhënë 125 milionë euro, që është gjysma e parave të destinuara për kompanitë nga kredia hungareze. Kjo u konfirmua për Radion Evropa e Lirë (setvisi në gjuhën maqedonase) nga Banka e Zhvillimit të Maqedonisë së Veriut, përmes së cilës paratë e marra si kredi nga Hungaria duhet të përfundojnë te kompanitë private.
Megjithatë, banka nuk zbulon se cilat kompani private kanë marrë tashmë para, ndonëse kreditë që marrin nuk janë nga banka shtetërore, por përmes bankave komerciale.
“Informacioni i kërkuar nga Banka e Zhvillimit është informacion që banka e ka fituar gjatë kryerjes së aktiviteteve bankare dhe aktiviteteve të tjera për individë dhe, në përputhje me Ligjin Bankar, nenin 111 dhe nenin 112, përbën një sekret bankar që banka është e detyruar ta mbrojë dhe ta ruajë”, thonë nga Banka e Zhvillimit.
Që nga mesi i majit, Qeveria ka bërë të mundur përdorimin e parave nga kredia që shteti merr nga Hungaria. Parashikohet që 250 milionë euro do të jenë mbështetje financiare për kompanitë përmes kredive të favorshme që ato do të marrin nga bankat komerciale, të cilat nga ana tjetër do të përdorin paratë nga kredia hungareze përmes Bankës së Zhvillimit. Qeveria thotë se ka interes të madh për përdorimin e fondeve nga kompanitë, por se të gjitha përgjegjësitë i takojnë Bankës së Zhvillimit.
“Qeveria ka përcaktuar kushtet për përdorimin e kësaj linje krediti në mënyrën më transparente, gjë që në vetvete u lejon institucioneve të zbatojnë procesin në përputhje me procedurat e përcaktuara. Disponueshmëria e kësaj mundësie për të gjitha kompanitë vendase që janë të interesuara konfirmon pikërisht të kundërtën – kjo qeveri po sjell masa dhe politika që, në përputhje me rregullat dhe procedurat, zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë”, tha qeveria në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit beson se emrat e kompanive që përdorin para publike duhet të zbulohen, pasi që ky është një proces me interes të lartë publik që nuk mund të jetë jotransparent.
“KKPK-ja beson se kjo është një çështje me interes të lartë publik, prandaj po e monitorojmë nga afër situatën dhe po shqyrtojmë mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve, brenda kornizës së kompetencave tona. Ne besojmë se çdo shpenzim i fondeve publike, në këtë rast fondeve të marra përmes huamarrjes shtetërore, duhet të jetë plotësisht transparent”, thotë Komisioni Kundër Korrupsionit.
Në anën tjetër, banka e zhvillimit ka frikë të zbulojë informacionin që i kërkohet për shkak të gjobave. Sipas bankës, zbulimi i informacionit sanksionohet me një gjobë prej 15,000 eurosh për bankën dhe 30% të gjobës së vendosur për personin përgjegjës.
“Përveç sanksionit, publikimi i këtij informacioni të mbrojtur do të shkaktojë një reputacion negativ për bankën, si dhe mundësinë e inicimit të një sërë procesesh ligjore nga përdoruesit fundorë”, tha banka, tranmseton Radio Europa e Lirë (maqedonisht).
Kushtet për marrjen e një kredie për kompanitë janë 1.95% interes, një periudhë mospagimi prej 3 vitesh dhe një periudhë shlyerjeje deri në 15 vjet. Kompanitë duhet të kenë kontributin e tyre prej 20% për projektin që do të financojnë nga kredia. Vendimi për financim është në duart e bankave komerciale.
Për kredinë hungareze, Parlamenti miratoi një ligj të posaçëm më 17 shtator, pas të cilit marrëveshja u nënshkrua në Budapest më 8 tetor.
Kreditë për kompanitë janë pjesë e një kredie prej një miliard eurosh që Maqedonia e Veriut mori nga Hungaria. Dyqind e pesëdhjetë milionë euro janë për kompanitë, e njëjta shumë për qeveritë vendore dhe 500 milionë për shlyerjen e kredive të vjetra ndaj shtetit.
Biznesi dhe paraja nuk njeh etni, fe as racë, por për opinionin e këtushëm publik do të ishte me interes të dihet se sa kompanitë shqiptare (pa ua përmednur emrat) do të kenë përfitime nga kjo kredi hungareze. Një përgjigje e tillë do të duhej të vinte nga OEMVL, dhe sidomos nga ata faktorë relevant që i dizajnojnë politikat zhvillimore e sociale në vendbanimet shqiptare në RMV./ GazetaFAKTI
