Vetëm pak minuta pasi u liruan të parët nga 20 pengjet e Hamasit, Donald Trump mbërriti në Izrael, duke u vendosur menjëherë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Presidenti amerikan u prit me entuziazëm të paparë nga një vend që, sipas shumë izraelitëve, i atribuon atij më shumë merita sesa vetë Benjamin Netanyahu për përfundimin e luftës dyvjeçare dhe për momentet e forta të ribashkimit familjar.
“Ky nuk është vetëm fundi i një lufte, është fundi i epokës së terrorit dhe vdekjes” deklaroi Trump në parlamentin izraelit. Ai e quajti këtë moment “agimin historik të një Lindjeje të Mesme të re”.
Pamjet e entuziazmit, brohoritjet “Trump, Trump” në Sheshin e Pengjeve, dhe kapelat e kuqe të stilit MAGA në sallën e parlamentit izraelit, dëshmuan një adhurim të rrallë për një president amerikan që, në vendin e tij, vazhdon të përçajë.
Sipas një analize të New York Times, Netanyahu, i cili vetëm një natë më parë ishte përballur me protesta të ashpra në Tel Aviv, e quajti Trump “mikun më të madh që ka pasur ndonjëherë Izraeli në Shtëpinë e Bardhë”. Madje, në parlament u dëgjuan zëra që propozonin Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen apo edhe për Çmimin Kombëtar të Izraelit.
Në të njëjtën fjalim, Trump befasoi të pranishmit kur propozoi dy herë hapjen e një dialogu me Iranin, vetëm disa muaj pas sulmeve ajrore të SHBA dhe Izraelit ndaj objektivave iraniane.
“E dini çfarë do të ishte fantastike? Të bënim një marrëveshje paqeje me ta. Mendoj se janë të lodhur”, tha ai.
Salla reagoi me ftohtësi, ndërsa duartrokitje të forta morën deklaratat për eliminimin e shkencëtarëve bërthamorë iranianë dhe për sulmet ajrore amerikane me B-2 mbi objektet e uraniumit në Fordo, Natanz dhe Esfahan.
Pas këtij triumfi retorik, dallimet për të ardhmen e Gazës ishin mëse të dukshme. Trump këmbënguli se “lufta ka përfunduar”, ndërsa Netanyahu nuk u zotua nëse forcat izraelite do të tërhiqen në rast se Hamasi nuk çarmatoset apo largohet nga territori.
Ky është një nga pikat më të debatueshme të planit 20-pikësh të Trump, të cilën Hamasi nuk e ka pranuar, ndërkohë që milicitë e tij duket se po rikthehen në disa zona ku ushtria izraelite është tërhequr.
Ndërsa Trump ndodhej në Jerusalem, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi se Hamasi kishte dorëzuar vetëm katër nga trupat e 28 pengjeve që kishin vdekur në robëri, duke paralajmëruar se çdo vonesë tjetër “do të ketë pasoja”.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Trump shmangu temat e ndjeshme. Ai e lavdëroi Netanyahun si “jo njeriun më të lehtë, por një udhëheqës të madh”, dhe foli me admirim për të dërguarin e tij të posaçëm, Steve Witkoff, një biznesmen i njohur nga Nju Jorku, të cilin e quajti “Henry Kissinger që nuk bën rrjedhje informacioni”.
New York Times thekson se Trump nuk dha asnjë detaj konkret për rindërtimin e Gazës apo për të ardhmen politike të popullit palestinez. Nuk u përmendën skenarët për një shtet palestinez apo alternativat e diskutuara në mënyrë jozyrtare.
E vetmja deklaratë ishte se SHBA janë në kontakte me vende arabe dhe evropiane për të ndihmuar në stabilizimin dhe rindërtimin e rajonit. Por, përtej kësaj, “udhëtimi i paqes” mbeti pa hapa të qarta për zbatim.
Trump përshëndeti fuqinë ushtarake të Izraelit, duke deklaruar se pas dy viteve lufte, “ka dalë më i fortë dhe më i respektuar”.
Por nuk përmendi aspak izolimin diplomatik që po përjeton vendi, pasi shumë shtete evropiane kanë nisur të mbështesin njohjen e një shteti palestinez, pjesërisht për shkak të numrit të lartë të civilëve të vrarë nga ofensivat izraelite.
