• E enjte, 19 Shkurt, 2026

BDI konfirmoi kandidatët që do të garojnë për kryetarë në disa komuna

EA
Korrik21/ 2025

Sot, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, thirri një takim të rregullt të Kryesisë Qendrore, në të cilën u shqyrtuan zhvillimet aktuale politike në vend, si dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Në këtë mbledhje u vlerësua lart angazhimi i lidershipit të BDI-së për të krijuar një aleancë të gjerë ndërpartiake, me qëllim paraqitjen e përbashkët në zgjedhjet lokale, në shërbim të interesave qytetare dhe për të forcuar vetëqeverisjen lokale.

Kryesia Qendrore vendosi unanimisht të emërojë Faton Ahmeti, Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së, si Kryetar të Shtabit Qendror të Zgjedhjeve.

Gjithashtu, me konsensus të plotë, Kryesia Qendrore konfirmoi kandidatët që do të garojnë për kryetarë bashkie dhe bartës të listave të këshilltarëve në disa komuna:

  • Në Komunën e Çairit, kandidat për kryetar bashkie do të jetë Dr. Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së
  • Në Komunën e Tetovës, kandidat do të jetë z. Bajram Rexhepi, nënkryetar i BDI-së
  • Në Komunën e Zhelinës, kandidat do të jetë Emir Sulejmani, kryetar i organizatës komunale të BDI-së në Zhelinë
  • Në Komunën e Gostivarit, kandidat për listën e këshilltarëve do të jetë Valdet Xhaferi, kryetar i degës së BDI-së në Gostivar
  • Në Komunën e Strugës, kandidat për listën e këshilltarëve do të jetë Faton Polozhani, njëherësh kryetar i degës së BDI-së në Strugë

Në ditët në vijim, pas përfundimit të konsultimeve brendapartiake dhe të koalicionit, do të konfirmohen kandidatë të tjerë për komunat e mbetura.

Gjithashtu BDI informon publikun se nga Aleanca Shqiptare e Zijadin Selës, presin propozime për kandidatë për kryetarë në komunat e Strugës, Haraçinës dhe Dibrës, dhe nga Arben Taravari – për Gostivarin, Vrapçishtin, Tearcën dhe Sarajin.

BDI, thuhet në komunikatë, mbetet e përkushtuar për një proces zgjedhor të drejtë, gjithëpërfshirës dhe programatikisht të fortë për qytetarët në të gjitha komunat. Qytetarët, si në një referendum, do të konfirmojnë fitoren e tyre të radhës në këto zgjedhje lokale, thuhet në deklaratën e partisë.

Spread the love