Mediat kroate kanë zbuluar informacione të reja për një rast të bujshëm spiunazhi, ku përmendet emri i një gruaje nga Mitrovica, Ana Murganiq, 46 vjeçe. Ajo dyshohet se ka spiunuar për Listën Serbe dhe se kishte kontakte të drejtpërdrejta me Vladimir Radivojeviqin, i njohur me nofkën “Mami”, një nga të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë.
Sipas raportimeve, Ana Murganiq është arrestuar së bashku me të dashurin e saj kroat, një pilot i KFOR-it me inicialet J.I. Dyshimet janë se ky pilot i ka dhënë informacion të dashurës së tij për lëvizjet e trupave të KFOR-it në Kosovë. Më pas, ajo ia ka përcjellë këto informacione njerëzve të lidhur me Listën Serbe.
Mediat raportojnë gjithashtu se Murganiq kishte shkëmbyer mesazhe me Vladimir Radivojeviqin “Mami”, një figurë e njohur në veri të Kosovës dhe i lidhur me të ashtuquajturat “Brigada Veriore”. Një nga mesazhet e saj drejtuar atij thuhet se ishte: “Duhet ta sqarosh sulmin ndaj KFOR-it në çdo mënyrë që di dhe mundesh”. Ky mesazh është cilësuar si shumë i dyshimtë nga hetuesit.
Ndërkohë, Lista Serbe ka mohuar çdo lidhje me Ana Murganiqin. Por, fotografitë që kanë dalë në media tregojnë se Vladimir Radivojeviq “Mami” ka pasur marrëdhënie të afërta me zyrtarë të Listës Serbe, përfshirë Slavko Simiqin, i cili tani synon pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.

Kujtojmë se “Mami” është i dyshuar edhe për përfshirje direkte në sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Në vendin e ngjarjes, ishte gjetur telefoni i tij pranë një bombe të vendosur për shpërthim.
Sipas mediave, Ana Murganiq dhe i dashuri i saj kroat ishin njohur në vitin 2016, kur ajo punonte si përkthyese në EULEX, ndërsa ai shërbente në KFOR.
Megjithatë, Lista Serbe ka qëndruar në heshtje për pjesën më të madhe të këtyre detajeve, duke mohuar vetëm njohjen me Murganiqin.
Hetimet për rastin vazhdojnë, ndërsa skandali po zgjerohet me lidhje të mundshme mes personave të përfshirë dhe strukturave politike në Beograd.
