
“Tri botime të fundit kushtuar figurës së saj e sjellin këtë dritë nga kënde të ndryshme, por të ndërthurura në një të vetme , nënvizoi Prof. dr. Skender Asani.
Shkup, 26 gusht 2025 – Edhe sivjet, në 115 vjetorin e lindjes së Nënës Tereze, nga data 26 gusht deri më 5 shtator në Shkup, në Prishtinë, Tiranë dhe gjetiu në bashkëorganizim të QTSHK dhe revistës “Drita” zhvillohet manifestimi kulturor-shkencor “Ditët e Shën Nënë Terezës. Ky manifsetim sot u hap në Shkup, ku të pranishëm ishin figura të shqura publike. Në mesin e tyre ishte edhe Donika Bakiu, zv. ambasadore e R. së Shqipërisë në Shkup, Nuhi Shala, zv. ambasador i R. së Kosovës në Shkup, Don Lush Gjergji, Don Fatmir Koliqi etj.
Në kuadër të këtij manifestimi u bënë edhe homazhe pranë pllakës përkujtimore, duke riafirmuar se drita e saj vazhdon të udhëheqë brezat dhe mbetet trashëgimi e gjallë për shqiptarët dhe për mbarë njerëzimin.
Me këtë rast u promovuan tre tituj të rinjë, të cilët u botuan kohët e fundit: “Gonxhja e Shkupit në Kurorën e Botës” nga Prof. dr. Skender Asani; “Me bashkudhëtarët e Nënës Terezë – nga misioni në shenjtëri” si dhe libri i Dom Lush Gjergjit “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”.
Për rëndësinë e këtyre botimeve folën redaktorët Emin Azemi dhe Don Fatmir Koliqi, kurse në vazhdim, autori , Prof. dr. Skenderi Asani zbërtheu disa aspekte përmbajtësore e kuptimore të librave të tij, në njërën prej të cilave bashkautor lsht edhe Albert Ramaj.
“Tri botime të fundit kushtuar figurës së saj e sjellin këtë dritë nga kënde të ndryshme, por të ndërthurura në një të vetme. Libri im “Gonxhja e Shkupit në Kurorën e Botës” përpiqet të shpalosë figurën e Nënës si një simbol frymëzimi për identitetin tonë kombëtar, duke treguar se Shkupi, me rrënjë të lashta ilire dhe dardane, ka dhënë bijë që ndriçuan botën. Ndërkaq, libri “Me bashkudhëtarët e Nënës Terezë – nga misioni në shenjtëri” është një mozaik i rrëfimeve të gjalla, i dëshmive të Dom Lush Gjergjit, motrës Ivana dhe Nasta Mihillit, që na e sjellin Nënën jo si një figurë të mitizuar, por si një shenjtëreshë që qëndroi gjithmonë pranë më të varfërve”, nënvizoi Prof. dr. Skender Asani.

Në këtë vijimësi përkujtimore vjen edhe libri i ri i Dom Lush Gjergjit “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, i cili përmbledh urtësinë e saj shpirtërore dhe mesazhet e përjetshme që ajo la pas. Ky libër, siap autorit, nuk është vetëm një fjalorth i thjeshtë porosish, por një udhërrëfyes i jetës së përditshme, ku dashuria, falja dhe përulësia shfaqen si themelet mbi të cilat ndërtohet një shoqëri më njerëzore. Në këto faqe gjejmë fjalët e saj të thjeshta, por të ngarkuara me peshë morale, që na kujtojnë se shenjtëria nuk është e largët, por mund të bëhet realitet në çdo zemër që guxon të dojë pa kufij. Ky botim është një thirrje e qartë që trashëgimia e Nënës të mos mbetet vetëm në kujtesë, por të kthehet në përvojë të gjallë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm./ GazetaFAKTI

