Sipas një studimi të kryer nga Zyra Federale e Statistikave, për herë të parë në Zvicër, më shumë njerëz flasin gjuhën shqipe se atë portugeze. Sa u përket qyteteve, shqipja flitet më së shumti në Zuerich, Winterthur, Basel e St.Gallen. Në vend të tretë, si gjuhë e huaj më e folur është gjuha portugeze, e ndjekur nga spanjishtja dhe serbo-kroatishtja.
Për shumë vjet, portugalishtja ka qenë gjuha e huaj e dytë më e folur në Zvicër pas anglishtes. Tani kjo ka ndryshuar. Sipas të dhënave të reja të Zyrës Federale të Statistikave, në vitin 2022 rreth 292 mijë njerëz kanë folur shqipen në Zvicër. Në përqindje, kjo nënkupton se 3.4 për qind e qytetarëve të Zvicrës flasin shqip.
Sa u përket qyteteve, shqipja flitet më së shumti në Zuerich, Winterthur, Basel e St.Gallen. Në vend të tretë, si gjuhë e huaj më e folur është gjuha portugeze, e ndjekur nga spanjishtja dhe serbo-kroatishtja.
Kur bëhet fjalë për gjuhën që flitet në shtëpi, portugalishtja është gjuha e dytë e huaj me 3.6 për qind e popullatës në Zvicër që e flasin në shtëpi, ndërsa shqipja pason me 3.3 për qind.
Gjuha gjermane, franceze dhe italishtja janë gjuhë që zyrtare që fliten më së shumti në Zvicër.

Stephan Schmid, gjuhëtar në Universitetin e Cyrihut, shpjegon se çfarë ndodh kur emigrantët sjellin gjuhën e tyre në një vend.
Modeli klasik që e shpjegon këtë tematikë është skenari i tre gjeneratave. Ai është zhvilluar në bazë të emigracionit në Shtetet e Bashkuara: “Në brezin e parë, njerëzit flasin vetëm gjuhën e tyre amtare”. Kështu, për shembull migrantët e parë italianë në SHBA flisnin vetëm dialektin italian.
“Pastaj fëmijët e tyre u bënë dygjuhësh”. Më në fund, nipërit u bënë amerikanë njëgjuhësh që flisnin vetëm anglisht. Një shembull i spikatur i kësaj është këngëtarja Madonna. Gjyshërit e saj kanë emigruar nga Italia. Ajo pothuajse nuk flet më italisht.
Sidoqoftë, gjuha e emigrantëve mund të zhduket shumë më shpejt. Por kjo ndodh sidomos nëse vendi i origjinës dhe vendi i ri janë të ngjashëm kulturalisht dhe nga ana gjuhësore. Një shembull i tillë është Argjentina, thotë Schmid.
“Atje kishte emigracion masiv nga Italia. Për shkak se spanjishtja është shumë e ngjashme (me italishten), italianët e harruan shpejt gjuhën e tyre amtare”.
Por, a ndodhë të përhapet gjuha e emigrantëve në një vend të ri? Ndonjëherë, shpjegon Stephan Schmid. Në Zvicrën gjermanishtfolëse, italishtja është një shembull i mirë për këtë: gjatë bumit ekonomik të periudhës së pasluftës, në Zvicër ka pasur një valë të madhe imigrimi italian.
“Kështu u përhap italishtja, veçanërisht në kantiere ndërtimi dhe në fabrika. Shumë emigrantë që nuk ishin italianë flisnin italisht. Arsyeja kryesore ishte marrëdhënia midis gjuhëve”, (bëhet fjalë për folësit e gjuhëve të afërta me italishten).
Megjithatë, studiuesi beson se është e pamundur që shqipja të bëhet njëra ndër gjuhët kryesore në Zvicër: “Ajo që sigurisht nuk do të ndodhë kurrë është që gjermanishtja zvicerane do të zhduket dhe gjuhët e migrantëve do të mbizotërojnë”, shprehet ai.
Është e mundur që fëmijët të marrin një ose dy fjalë të shqipes në këndin e lojërave – kjo quhet përvetësim joformal i gjuhës, thotë Schmitt, transmeton albinfo.ch. Studimet nga Zvicra, megjithatë, tregojnë se kjo pothuajse nuk mund të ndodhë në rastin e shqipes.
Përveç kësaj, fëmijët me origjinë shqiptare që sot janë në shkollë fillore, kryesisht i përkasin brezit të tretë dhe, siç dihet nga hulumtimet, ata shpesh mund të flasin vetëm shqipen e folur (dialektin).
Në parim, megjithatë, gjuhët e huaja në vendet moderne e kanë pak më të lehtë se në të kaluarën dhe priren të jetojnë më gjatë. Ndër të tjera, kjo ka të bëjë edhe me mjetet moderne të komunikimit si Whatsapp dhe interneti, shpjegon Stephan Schmid. Këto e bëjnë më të lehtë qëndrimin në kontakt me vendin e origjinës dhe gjuhën e tij./GazetaFAKTI
