Sipas “Indeksit të Kapuçinos” të përpiluar nga Numbeo.com, kryeqyteti danez, Kopenhaga, ka çmimin më të lartë të një kapuçinoje në Evropë me 5.81 euro, ndjekur nga Islanda dhe Zvicra. Ndërkohë, filxhani më i lirë i kapuçinos gjendet në Kosovë me vetëm 1.27 euro dhe në Ukrainë me 1.36 euro.
Për shumicën e njerëzve në Evropë, një filxhan kafe është më shumë sesa një zakon i përditshëm – është një domosdoshmëri për të nisur ditën. Sipas një raporti të Euronews Business, që analizoi çmimet dhe zakonet e konsumit të kafesë në 28 vende evropiane, çmimi për këtë ritual të mëngjesit ndryshon ndjeshëm në varësi të vendit, stilit të kafesë dhe nivelit të të ardhurave.
Sondazhi tregoi se punonjësit britanikë kryesojnë në numrin e filxhanëve të kafesë që blejnë për të marrë me vete, me një mesatare prej 1.96 filxhanësh në ditë. Ata ndiqen nga belgët, polakët, francezët dhe rumunët. Në anën tjetër, më kursimtarët rezultojnë të jenë punonjësit në Luksemburg, Hungari dhe Republikën Çeke, ku konsumi nuk e kalon një filxhan në ditë.
Franca rezultoi të ketë çmimin më të lartë për një filxhan kafe për t’u marrë me vete, me një mesatare prej 3.42 eurosh, ndjekur nga Lituania me 3.39 euro. Megjithatë, vendi ku kafeja kushton më pak është Danimarka, ku një filxhan blihet për vetëm 1.89 euro. Paradoksalisht, pavarësisht çmimit të ulët, danezët kanë konsum të moderuar, me 1.32 filxhanë në ditë.
Sipas “Indeksit të Kapuçinos” të përpiluar nga Numbeo.com, kryeqyteti danez, Kopenhaga, ka çmimin më të lartë të një kapuçinoje në Evropë me 5.81 euro, ndjekur nga Islanda dhe Zvicra. Ndërkohë, filxhani më i lirë i kapuçinos gjendet në Kosovë me vetëm 1.27 euro dhe në Ukrainë me 1.36 euro.
Analiza e Euronews nxori në pah edhe një dimension tjetër: përballueshmërinë e kafesë në raport me pagat. Në Danimarkë, ku pagat janë ndër më të lartat në BE, një filxhan kafe përfaqëson vetëm 0.004% të pagës vjetore, ndërsa në Lituani kjo shifër shkon në 0.021%, duke e bërë atë një ndër vendet ku kafeja është më pak përballueshme.
Në përfundim, të dhënat tregojnë se çmimi i kafesë nuk lidhet domosdoshmërisht me cilësinë apo traditën, por ndikohet nga faktorë të shumtë si kostoja e energjisë, tatimet, stili i jetesës dhe fuqia blerëse. Për konsumatorët evropianë, një filxhan kafe mund të jetë një kënaqësi e përditshme — por kostoja e saj nuk është aspak universale./ Euronews
