Në Tiranë u promovua libri “Dr. Ibrahim Rugova – Arkitekt i Pavarësisë së Kosovës”, me bashkautorë Besa Tafilaj-Pinchoti dhe Korab Kastrati.
Para të pranishmëve, dy bashkautorët shpalosën idenë dhe procesin e përgatitjes së librit kushtuar Dr. Rugovës, duke diskutuar mbi reflektimet dhe angazhimet e tij në mjedise të ndryshme për kauzën e pavarësisë së Kosovës.
Me një përmbajtje të pasur prej 510 faqesh, vepra sjell kujtime, analiza dhe rrëfime autentike mbi rrugëtimin vizionar të Rugovës drejt pavarësisë së Kosovës. Në të janë përfshirë kontribute nga personalitete të botës politike, akademike dhe intelektuale, si Jusuf Buxhovi, Ibrahim Kadriu, Milazim Krasniqi, Avni Spahiu, Adnan Merovci e shumë të tjerë.
Me këtë rast, mbajtën fjalë përshëndetëse Dr. Sali Berisha, ish-eurodeputetja Doris Pack, si dhe personalitete të tjera që kishin kontribuar në forma të ndryshme në rrugëtimin e Ibrahim Rugovës.
“Në vitet ’90, kur Kosova iu nënshtrua shtypjes sistematike, shkollat e mbyllura, vendet e punës të zhdukura, gjuha dhe kultura shqiptare të heshtura, ai mund të kishte zgjedhur rrugën e dhunës, por nuk e bëri.
Ai zgjodhi rrugën më të vështirë: rrugën e rezistencës paqësore. Ky guxim ia fitoi respektin e popullit të tij, dhe duhej t’i kishte fituar edhe njohjen botës, por kjo nuk ndodhi. Vetëm pak njerëz e panë dhe e dinin çfarë po ndodhte në Kosovë.
Duhet të jemi të sinqertë: në ato vite të tmerrshme shtypjeje nga regjimi serb, pra vitet e aparteidit, Evropa fillimisht nuk pa asgjë. Shumë evropianë ende po përpiqeshin të kuptonin ribashkimin e Gjermanisë, dhe papritur shpërthyen luftërat në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë, të cilat zunë vëmendjen e botës. Dhe kështu, për shumë gjatë, vuajtjet e Kosovës mbetën të padukshme”, tha Doris Pack.
Ndërkaq Sali Berisha vuri në dukje disa përshtypje që ai i konsideroi të rëndlsishme sa i përket Ibrahim Rugovës.
“Rugova arriti të krijojë një unitetit që Kosova kurrë nuk e ka pasur. Dhe ky ishte një unitet në projektin e tij, në projektin e pavarësisë së Kosovës, Kosovës së lirë dhe të pavarur. Rugova, në këtë projekt, kaloi nga një kancelari në një tjetër, nga një institucion në një tjetër, por me civilitetin dhe gandizmin e tij, ai do vlerësohej nga Parlamenti Europian me çmimin e madh të Saharov. Kjo ishte një mbështetje e jashtëzakonshme për popullin e Kosovës dhe personalitetin e Ibrahim Rugovës”, theksoi Berisha.
Vepra është në proces përkthimi në anglisht, ndërsa do të promovohet sërish në Strasburg (dhjetor 2025) dhe në Washington D.C. (shkurt 2026).
Autorët kanë njoftuar se të gjitha të ardhurat nga shitja e librit do të shkojnë për një fond bamirës, i administruar nga një grup i posaçëm individësh të përkushtuar.
Promovimi i sotëm u zhvillua në “Tirana International Hotel & Conference Center”, në sallën “Akernia”, me praninë e rreth 600 të ftuar, mes tyre akademikë, politikanë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe personalitete të kulturës.
Ky botim është përgatitur me përkushtim të madh nga autorët dhe është mbështetur teknikisht nga Gazeta e Alpeve nën kujdesin e kryeredaktorit Ramiz Lushaj, si dhe nga Shtypshkronja “Mileniumi i Ri”, që ka realizuar botimin me standarde të larta profesionale.
