• E mërkurë, 18 Shkurt, 2026

News24 në shënjestër të policisë, fik sinjalin e televizionit

EA
Gusht09/ 2025

Që prej orës 07:00 të mëngjesit, forcat e policisë kanë rrethuar ambientet e televizionit informativ më të madh në vend, News24, si dhe redaksitë e Balkanweb, gazetës Panorama dhe Gazeta Shqiptare, duke bllokuar hyrjen e gazetarëve në punë.

Sipas burimeve, policia ka kërkuar lirimin e ambienteve ku ndodhet televizioni News24 dhe largimin e gazetarëve nga godina.

Ky veprim ishte paralajmëruar prej afro një viti, por duket se zbatimi i tij është shtyrë për shkak të fushatës elektorale. Sot, qeveria duket se ka vendosur ta ekzekutojë vendimin, duke shkaktuar tronditje dhe reagime në opinionin publik.

Në mesazhet e qarta politike që qarkullojnë, theksohet një fjali e thënë më herët nga vetë udhëheqësi i vendit:

“Dale se nuk keni parë gjë akoma.”

Ky është një zhvillim i rëndë për lirinë e medias në Shqipëri dhe pritet të shkaktojë reagime të forta nga organizatat e gazetarëve, ambasadat dhe institucionet ndërkombëtare.

DEKLARATË PROTESTE

Shoqata “Media e Lirë”

Shoqata “Media e Lirë” dënon me ashpërsinë më të madhe veprimin e sotëm të forcave të policisë, të cilat prej orëve të para të mëngjesit kanë bllokuar ambientet e punës së gazetarëve të televizioneve dhe redaksive kryesore të vendit. Bllokimi i ambienteve të punës së gazetarëve përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Ndërhyrja e policisë, që pengon punën e gazetarëve, është një presion i hapur, i papranueshëm dhe i rrezikshëm mbi median e lirë,” thuhet në deklaratën e organizatës, e cila i bën thirrje institucioneve shtetërore të ndërpresin menjëherë këtë aksion arbitrar dhe të garantojnë aksesin e plotë dhe të pacenuar të gazetarëve në vendin e tyre të punës.

Shoqata “Media e Lirë” apelon gjithashtu ndaj organizata vendore dhe ndërkombëtare për lirinë e shprehjes, përfshirë OSBE, Reporterët pa Kufij dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve, që të monitorojnë nga afër situatën dhe të reagojnë publikisht kundër kësaj shkeljeje të rëndë.

“Çdo konflikt i institucioneve me mediat private duhet të zgjidhet në rrugë ligjore dhe me mirëkuptim, jo me forcë, presion dhe frikësim,” përfundon reagimi i Shoqatës “Media e Lirë”.
Shoqata e Gazetarëve Europianë (dega Shqipëri) ka reaguar për rrethimin policor që iu bë godinës së News24 nga dhjetra forca policore.

Teksa dënon sulmin, shoqata thekson se ky veprim cënon dhe prek drejtpërdrejtë lirinë e medias në Shqipëri.

“Ne i bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse sidomos Këshillit të Ministrave që të japin sqarim publik mbi rrethanat e këtij veprimi dhe revokimin e pronësisë me herët nga Bashkia Tiranë te shoqëria KAYO dhe a janë ezauruar të gjitha hallkat ligjore?!

Qartazi pa transparencën e duhur ky është veprim represiv ndaj medias Neës 24, Balkanëeb dhe gazeta Panorama por ka një impakt tejet negativ ndaj medias në tërësi.

Liria e medias është detyrim që buron nga Kushtetuta dhe nga standardet europiane jo nga dëshirat e politikës apo aktorëve të tjerë”, thuhet në reagim.

Dervishi: Sulm i paprecedent ndaj medias në Shqipëri

Gazetari Lutfi Dervishi ka reaguar në Facebook pas bllokimit të sinjalit të News24 dhe rrethimit të godinës së medias nga policia në orët e para të mëngjesit.

Ai përshkruan me shqetësim pamjen simbolike të ekraneve të News24, që sot shfaqin vetëm shiritat vertikalë me ngjyra provash, si një metaforë për heshtjen e imponuar ndaj medias.

Në reagimin e tij, Dervishi ngre pyetje të rëndësishme për ligjshmërinë dhe motivet e këtij veprimi, duke theksuar se ndërprerja e transmetimit dhe pengimi i punës së gazetarëve nuk është thjesht një çështje teknike, por një sulm ndaj së drejtës së publikut për informacion dhe lirisë së shtypit.

Postimi:

Policia fik sinjalin e News24!
Në vend të lajmeve, ekrani i News24 sot shfaq vetëm shiritat vertikalë me ngjyra prove, të bardhë, të verdhë, blu të çelët, jeshile, rozë, të kuqe, blu të errët dhe të zezë në të dy anët. Kjo pamje që dikur tregonte mungesën e sinjalit televiziv sot është simbol i heshtjes së imponuar.
Policia ka rrethuar News24 në orët e para të mëngjesit dhe ka bllokuar punën e gazetarëve të News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.
Në mungesë të informacionit për këtë ngjarje të pazakontë ka më shumë pyetje se përgjigje:
Kush ka dhënë urdhrin për rrethimin e godinës së News24?
Cili ishte motivi zyrtar për ndërprerjen e sinjalit të transmetimit?
Pse nuk u dha asnjë paralajmërim para ndërhyrjes?
A janë ndjekur procedurat ligjore për një veprim të tillë ndaj një medie?
A ka vendim gjykate?
Cilat janë provat ose arsyet që justifikojnë këtë veprim ekstrem?
Nëse është çështje kontrate (qiraje) a i është dhënë koha e nevojshme medias për të gjetur ambiente të tjera?
A ka pasur komunikim paraprak?
Kush mban përgjegjësi për pengimin e gazetarëve në vendin e punës?
A është marrë parasysh dëmi i menjëhershëm që i shkaktohet publikut, duke e privuar nga informacioni?
Si garantohen të drejtat kushtetuese për informim dhe liri shtypi kur policia ndalon gazetarët të ushtrojnë detyrën ?
Kur mbyllet një media, nuk humb vetëm ajo humbet e drejta jote për t’u informuar. Sot është News24, nesër mund të jetë zëri yt. Heshtja nuk është neutralitet, është zgjedhje.

Reagimi

Shoqata e Gazetarëve Europianë – Dega Shqipëri shpreh shqetësim të thellë dhe dënon rrethimin e godinës së televizionit “News 24”, si një veprim që prek dhe cënon direkt lirinë e medias në Shqipëri. Ky veprim i shoqëruar edhe pa transparencën e duhur, është i papranueshëm!

Liria e medias nuk është privilegj, por detyrim kushtetues dhe standard europian.

Ne i bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse sidomos Këshillit të Ministrave që të japin sqarim publik mbi rrethanat e këtij veprimi dhe revokimin e pronësisë me herët nga Bashkia Tiranë te shoqëria KAYO dhe a janë ezauruar të gjitha hallkat ligjore?!

Qartazi pa transparencën e duhur ky është veprim represiv ndaj medias Neës 24, Balkanëeb dhe gazeta Panorama por ka një impakt tejet negativ ndaj medias në tërësi.

Liria e medias është detyrim që buron nga Kushtetuta dhe nga standardet europiane jo nga dëshirat e politikës apo aktorëve të tjerë.

Shoqata e Gazetarëve Europianë – Dega Shqipëri mbetet e angazhuar për të mbrojtur çdo gazetar dhe redaksi nga çdo formë presioni apo intimidimi, duke punuar për një mjedis ku fjala e lirë të jetë e garantuar për të gjithë. Për situatën e krijuar do të informohen dhe institucionet Europiane të medias.

Spread the love