Dje (28 gusht) në Bibliotekën “Ernest Koliqi” – Prishtinë, në kuadër të “Ditëve të Shën Nënë Terezës” 2025, u promovuan dy libra kushtuar figurës dhe veprimtarisë së Gonxhe Bojaxhiu-Shën Nënë Tereza.
Për veprën e parë, të autorëve Skender Asani & Albert Ramaj, Me bashkëudhëtarët e Nënës Terezë – Nga misioni në shenjtëri. e cila është botim i Sh. B. “Drita” 2025, në tri gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht, foli Don Lush Gjergji, i cili e cilësoi si një vepër të veçantë, për faktin se sillen dëshmi të reja të bashkëpuntorëve dhe njohësve të drejtpërdrejt të Shenjtëreshës, të cilat më parë nuk i kemi pasur të njohur sikurse janë të paraqitura në këtë vepër.
“Dy botimet e reja “Gonxhja e Shkupit në Kurorën e Botës” dhe “Me bashkudhëtarët e Nënës Terezë – nga misioni në shenjtëri” sjellin një vizion të plotë të figurës së saj shumëdimensionale, duke na mësuar rëndësinë e përkushtimit, solidaritetit dhe shërbimit ndaj më të varfërve. Ato na kujtojnë se drita e Nënës Terezë mbetet e gjallë në çdo akt human dhe çdo përpjekje për të ndihmuar të tjerët. Përmes kujtesës, reflektimit dhe përkujtimit, ky manifestim bashkon kombin shqiptar dhe frymën e saj.
universale, duke përcjellë një porosi të qartë: të jetojmë sipas virtyteve të dashurisë, sakrificës dhe angazhimit për të mirën e përbashkët, duke bërë që drita e Gonxhës të ndriçojë brezat e sotëm dhe të ardhshëm”, tha Skender Asani

Kurse për veprën e dytë, Skender Asani, Gonxhja e Shkupit në kurorën e botës, botim i “Agoraprint”, foli shkrimtari dhe botuesi Emin Azemi, i cili e vlerësoi kontributin e autorit për figurën e Nënës Tereze, si kontribut në vazhdën e studimeve për tija në promovimin e Gonxhes, si shkupjane dhe shqiptare.
Pas paraqitjeve kishte edhe diskutim përmes pyetjeve dhe përgjigjeve, që ishin përthellim i tematikave rreth librave dhe çështjeve tjera interesante për figurën e Shën Nënë Terezës.

Mbrëmja u shoqërua me dy pika muzikore:
1. “Nënës Tereze”, kompozim i Vinçenc Gjini
2. “Caro mio ben” nga Giuseppe Giordani
U interpretuan nga solistja Doruntina Gjini, nën përcjelljen në piano të Shpëtim Mehmeti.
Pas përfundimit të promovimit pjesëmarrësit u ndalën në bashkëbisedim në një koktej të përgatitur për këtë rast.
Ditët e Nënë Terezës do të vazhdojnë edhe në qytete tjera në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri.

Fotografitë nga J&J Gjergjaj
