• E enjte, 19 Shkurt, 2026

Serbia arreston dy shqiptarë në Horgosh me pretendimin se “kanë kidnapuar një serb”

EA
Gusht14/ 2025

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur të enjten se i ka ndaluar dy persona me inicialet X.E dhe B.E në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile.

Në komunikatën e kësaj ministrie nuk është përmendur nacionaliteti i të ndaluarve.

Në të, autoritetet serbe kanë thënë se dyshojnë që më 1999, të ndaluarit e kanë kidnapuar një serb me inicialet J.M në Rahovec, e kanë dërguar në një drejtim të panjohur dhe që prej atëherë nuk dihet asgjë për të.

Ministria serbe ka thënë se i ka ndaluar dy personat për 48 orë dhe më pas ata do të dalin para prokurorit të rastit./REL

Për këtë rast, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe në Policinë e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjeve.

MPJD më 05.08.2025 ka bërë thirrje për qytetarët që të shmangin udhëtimin përmes Serbisë.

“MPJD u bën thirrje përsëri të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë, “për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre””- thuhej mes tjerash në njoftimin e MPJD-së të asaj dite teksa kishte njoftuar për rastin e arrestimit të Behar Preniqit.

Edhe presidentja, Vjosa Osmani, në takimin që ka pasur me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, më 06.08.2025, ka kërkuar angazhimin e ndërkombëtarëve në lidhje me arrestimet e fundit të shtetasve të Kosovës në Serbi.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare angazhim që Serbia t’i ndalë arrestimet arbitrare.

“Në kuadër të diskutimit, u trajtua edhe procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera, si dhe rëndësia që këto institucione të funksionojnë në mënyrë demokratike për të avancuar objektivat e përbashkëta. Presidentja trajtoi edhe çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës” – thuhet në njoftim.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po ashtu, me 21.07.2025 u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimin nga Serbia, pasi sipas tij, ka pasur indikacione për provokime dhe arrestime arbitrare nga autoritetet serbe.

Spread the love