• E martë, 20 Janar, 2026

Si u shpall Republika e Mirditës, me ndihmën e Serbisë

EA
Gusht09/ 2025

Derisa të gjithë mendonin se Shqipëria po shmang problemet e brendshme, shfaqet një tjetër: e ashtuquajtura Republika e Mirditës. Se një gjë e tillë do të ndodhte, këtë e kishte paralajmëruar edhe Baroni Nopça (Franz Nopcsa von Felso-Szilvas).

Nga Agron SHALA

Në veprën “Udhëtime në Ballkan: kujtimet e baronit Franc Nopça”, flitet për Kongresin e Shqiptarëve në Trieste, të mbajtur nga 27 shkurti deri më 6 mars të vitit 1913, nën organizimin e Faik Konicës dhe Sotir Kolesë, me mbështetje të Perandorisë Austro-Hungareze. Në atë kongres i pranishëm ishte edhe Nopça. Sipas tij, gjatë kohës kur po mbahej ende Konferenca e Londrës, në fronin e Shqipërisë hipi princ Wied. Në këtë kohë doli në pah edhe Prenk Bibë Doda, i cili udhëtonte midis Vjenës dhe Romës. “E kisha të qartë prej kohësh qëndrimin e tij proserb dhe promalazez, me anë të të cilit ai kërkonte njohjen e tij si princ i Mirditës. Që prej fillimit të luftës ballkanike ai u bashkua me Malin e Zi dhe më vonë, bashkë me Marka Gjonin, gjatë përparimit të trupave serbe kundër Lezhës, iu hapi rrugën trupave të tyre. Pas këtyre gjërave nuk më habiti kur më njoftoi, duke më trajtuar si mikun e tij personal, gjatë një darke festive në Hotelin Zaher [Hotel Sacher], se ai kishte ndërmend të kthehej në Mirditë jo nga Durrësi, por nga Beogradi. Besimi i tij shkonte aq larg sa që ai më kërkoi të ndërhyja pranë Berhtoldit në këtë çështje”.

Republika e Mirditës u shpall në Prizren, pra në Kosovën e sunduar atëbotë nga serbët, më 17 korrik të vitit 1921. Kjo republikë ishte në interesin e Serbisë sepse do ta mbante peng shtetin shqiptar dhe do të krijonte përçarje fetare. President i Republikës së Mirditës ishte Marka Gjoni.

Fatmirësisht, ishte Britania e Madhe që njohu qeverinë shqiptare në nëntor 1921, ndërsa kryeministri Lloyd George e detyroi Beogradin të mos e mbështeste më Marka Gjonin. Ahmet Zogu më pas u dërgua në rajonin e Mirditës me një kontingjent të trupave shqiptare dhe forcave të parregullta, që mundën lëvizjen separatiste e që më 20 nëntor 1921 ia dhanë fundin kësaj republike. Marka Gjoni iku në Jugosllavi. Me këtë rast u shfuqizuan marrëveshjet e mëparshme nga periudha osmane, që i dhanë Mirditës autonomi përmes sundimit indirekt.

Pullë postare e “Republikë së Mirditës”

Me poshte eshte deklarata zyrtare qe Gjon Markagjoni lexoi para gjithe mirditoreve kur shpalli Republiken e Mirdites.

– Proklamata e shpalljes se pavarsise te Republikes te Mirdites !

Presidenti i Republikes – Gjon Markagjoni.
Ministri i Puneve te Jashteme – Andon Ashiku
Minister i Mbrojties – Preng Lleshi
Minister i Ekonomise – Zef Ndoci

Vllezer te krishtere dhe gjithe Dukagjini. . Gjithe Evropa don qi Shqypnia t’jen e librueme, qi me ken edhe ajo e ujdisun, qi me pas rugat e qimendifferat e shkollat. Kjo asht fort bukur e mire. Kjo asht edhe dishiri jon, pse edhe na dona me ken zhdrivilluem, me pas shkolla, jo sadhde, fmija jone, pore edhe na pleqt kena qef me msu me shkru e me kndu, pse njaj popull qi asht i zhdrivillum njato shkojn per para me pun. Po na vllazen, qi e njofim mire turkun, mundena me zan bese , qi me ycymet Turkijet ne Tirana ? A mundena me besu qi kan me na dhan desturdhek, qi ata ne per para peseqind vjetve na kan majt si robni ? A mundena me ken me at ycym, qi don me na up fenë ton, qi na ndes e naj up katundet tona? A mundena me duruë me ken nen ket ycym e ne ket urdhun, qi sot tpart e Turqnimit agik flasin. “Qi ju keni ken raja e jon tesh pesqint vjet,e keni prep me ken raja e jon”. Jo vlazen ! Na nuk e dona robnin e Turqnimit ! Na dishrojm lirin e bashkimit mu sjedh per smarit, pra kush dishiron mu sjedh per smarit, nuk mundet mu Ishu, qi Turkija mu jerëtis e rrë si ka kenë shqyptar ! Ne dacim me kriju nji derzav nen ycymet te Turkijes n’ Tirana at err na vedvedit i kena vuë prangat ne dorë e ner kamë. At err kthej prap nat vakt, qi ne na kan shkel, kur skena ken tzot me refye fene tone, kur skena mujit me godit kisht tona, kur skena guzuë me vuë kumont ne kompanjela ton e kur na kan myt meshtaret tone. Me dvertet njat vakt asnii shqyptar i dret nuk deshiron. Ne kjoft qi at vakt nuk e dishrojm, pra na duet me gjith fozade tona me pumie qi kjo pun mos me na bae vaki. Per ket pun Mirditsit e kena ap lirin ton republik. Per ket luftojme me pushk n’dorë kundra ycymetit Tirans e kerkojm prej Evropet, qi me na njoft. Delegazioni i jon n’Zenevë ne konferenz Shocnis Popudhit ka mryt, qi ne Shqypnii mu cu komisoni per mu pvet popudhi, se cka lypin. Ne konferenz n’ Zenevë ka ken deri tesh delegazjoni i Tirans, qi ka fol qi asht TAN SHQYPNIA me Tiranane dhe ka ap ma t’reshtet fjalt per kapitan Marka Gjonin ton. Të ardhunit delegazjonit Mirdits n’Zenevë ka met ycmi i Tirans i marrum prej fjalve t’reshme, qi kan fol per Mirdit e per gjith kishtenim te Shqypnis. Kush i ka nimu ycymetit Tirans n’Zenevë ? Taljant, qi jan anmiqt ton, kuja asht ascerija qe ka ba kishen shtadh, edhe na ka mar erzin grave e varzave tona. E kush i ka nimu delegazjonit Mirdits ? Serbia e cila asht ne konferenz ne Paris t’pagjt i ka dalzot liris ton. Serbija asht miku i jon e don me ken komshi i mire i shqyptareve. Per pak dit ka me ardhe komisija e Shoçnis Popudhit. Diftoni sbashkut: Nuk e dona ycymetin e Turkies t’Tirans! Kshtenimi i Shqypnisë don derzaven e lirin e vet, jose dot luftojn deri ma t’mramin pik gjakut shqyptar. Tjemi t’sbashkum e mos u rreni fjalve t’reshme Tirans e Italis.



Autoritetet serbe e furnizuan me para dhe armë

Nga Azis Gjergji

Qeveria shqiptare, e dalë nga zgjedhjet e 5 prillit 1921, e kryesuar nga Iljaz Vrioni, kishte dërguar në Beograd një delegacion për të kërkuar tërheqjen e trupave jugosllave nga tokat e pushtuara brenda këtyre kufijve të shtetit shqiptar, të vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913. Me këtë rast, delegacioni shqiptar kërkoi nga pala jugosllave vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, nënshkrimin e një traktati tregtar dhe të një konvente doganore mbi baza reciprociteti. Qeveria e Beogradit refuzoi t’i tërhiqte trupat e saj të pushtimit nga territori i shtetit shqiptar të njohur në Londër më 1913, me arsyetimin se në Paris vazhdonte Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha fituese te Luftës së Parë Botërore dhe delegacioni jugosllav ishte prezent në atë mbledhje për të mbrojtur territoret e fituara me gjakun e derdhur nga trupat e ushtrisë së tyre aleate e Antantës.

Më 21 qershor 1921, Qeveria e Tiranës iu drejtua për ndihmë Lidhjes së Kombeve, duke i kërkuar deklarimin nga ana e saj të njohjes së kufijve të vitit 1913, të sanksionuara nga Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha të kohës në Londër. Njëkohësisht ajo kërkoi largimin nga territori i shtetit shqiptar i ushtrive serbe e greke (këta të fundit nuk i kishin larguar akoma trupat e tyre nga 26 fshatra shqiptare në kufirin jugor të vendit). Pavarësisht nga mbrojtja e argumentuar që i bëri çështjes shqiptare kryetari i delegacionit Fan S. Noli, përfaqësuesit jugosllavë e grekë, arritën në Këshillin e Lidhjes së Kombeve ta transferonin problemin e kufijve të Shqipërisë, tek Konferenca e Ambasadorëve në Paris. Pas kësaj fitoreje diplomatike, të përkrahur edhe nga Qeveria Franceze, autoritetet ushtarake të Beogradit urdhëruan trupat serbe të pushtonin krahinat e Gashit dhe Krasniqes.

Me qëllim që të diskreditonte Qeverinë e Tiranës

Me qëllim që të diskreditonte Qeverinë e Tiranës dhe kërkesat e drejta të saj në lidhje me kufijtë përpara opinionit publik ndërkombëtar dhe, në mënyrë të veçantë, përpara Konferencës së Ambasadorëve në Paris, Qeveria e Beogradit, e përkrahur nga Franca, organizoi turbullira të reja kundër shtetit shqiptar, duke nxjerrë këtë radhë kryebajraktarin e Mirditës, Marka Gjon Markun.  Ky kishte mbetur i pakënaqur që nuk i ishte rezervuar ndonjë post i rëndësishëm në shtetin e ri shqiptar dhe, për qëllimet e tij ambicioze u lidh me agjenturën e fshehtë serbe që vepronte në Shqipëri. I zhveshur nga çdo ndjenjë atdhedashurie, më 25 prill 1921, Marka Gjon Marku me 60 pasues të tij u arratis nga Oroshi dhe shkoi  në Prizren, ku nga autoritetet serbe e furnizuan me para dhe armë, si dhe i premtuan se do t’i jepnin trupa ushtarake për të shpallur: “Republikën e Mirditës”. (Historia e Shqipërisë, vëll. II, Tiranë, 1965, f. 503)

Këshilli i Lidhjes së Kombeve dërgoi në Mirditë një Komision

Për të hetuar dhe ndjekur nga afër situatën e vështirë politike e ushtarake në Shqipëri, Këshilli i Lidhjes së Kombeve dërgoi në Mirditë një Komision Ndërkombëtar të Hetimit (KNH), të përbërë nga koloneli norvegjez Jens Christian Meinich(1872-1947), koloneli gjerman Christin Schaefer dhe profesori finlandez Jakob Johannes Sederholm (1863-1934). Në përfundim të hetimeve, të dërguarit e posaçëm të Këshillit të Lidhjes së Kombeve hartuan një raport ku thuhej:

“Shkaku kryesor i kryengritjes duket se ka qenë ambicja personale dhe pangopësia e Marka Gjonit, i cili shpresonte të bëhej kryetar i një shteti të pavarur të Mirditës… Kur u kthye në fillim të qershorit, ai shpërndau para me shumicë ndër njerëzit më me influencë të krahinës dhe në këtë mënyrë mblodhi 1300 përkrahës. Nga ana tjetër, u ishte thënë vazhdimisht banorëve se, Qeveria e Tiranës kishte ndërmend të kufizonte lirinë fetare të mirditorëve, që janë të gjithë katolikë të lindur. Kishte qenë kështu mjaft e lehtë të nxitej imagjinata e kësaj popullsie shumë të paditur, të pa arsimuar, që banon në një krahinë krejt të izoluar dhe pa komunikim me jashtë… Veç asaj, nuk duhet harruar se, përveç priftërinjve, në të gjithë popullsinë e Mirditës, që ka rreth 18.000 frymë, vetëm tre veta dinë të lexojnë dhe të shkruajnë; dhe Marka Gjoni nuk është një ndër ta… Megjithatë, suksesi i Marka Gjonit nuk ishte veçse relativ, sepse është e sigurt se shumica e madhe e mirditorëve qëndroi pasive gjatë gjithë kohës së kryengritjes…” (Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare, vëll. III, Tiranë: Albin, 2001, f. 310-311, dok. 41: Raport i Komisionit Ndërkombëtar të Hetimit (KNH), dt.19-20.12.1921)

Për më tej, Komisioni Ndërkombëtar i Hetimit raportoi:     

“Më 25 korrik, qeveria e Tiranës dërgoi një repart trupash në kufirin jugosllav. Marka Gjoni dhe përkrahësit e tij i sulmuan ata befasisht tek kalonin në Mirditë, duke i shpallur kështu luftë qeverisë së Tiranës. Forcat e tij, më të shumta në numër, patën një sukses të çastit. Më 9 gusht nga Tirana mbërritën përforcime dhe mirditorët u zmbrapsën në male. Në këto rrethana, trupat qeveritare, duke ndjekur një zakon të vendit, përdorën masa të rrepta shtypëse dhe u vunë zjarrin nja 60 shtëpive të kryengritësve. Kjo luftë gueriljesh vazhdoi për disa muaj pa ndërprerje; forcat e Marka Gjonit dispononin dy topa, një numër mitralozash dhe municion me bollëk dhe këtë nuk mund t’ua jepnin veçse trupat serbe që ndodheshin në Arras dhe Lurë, disa milje larg Oroshit.”

Dokumentet arkivore dëshmojnë se, për shpalljen e “Republikës” së Mirditës, Marka Gjon Marku kishte marrë nga fondi i fshehtë i MPJ të Jugosllavisë shumën prej 1,5 milionë franga ari; ishte furnizuar nga strukturat e prapavijës së ushtrisë jugosllave me armë e municione të bollshme dhe ishte shoqëruar nga 1200 “vullnetarë”: midis të cilëve 687 bjellogardistë rusë të Vrangelit, 513 ushtarë e oficerë jugosllavë të maskuar si fshatarë shqiptarë, si dhe efektivat e bandave esadiste të komanduar nga Osman Bali, Halit Lleshi dhe Tafë Kaziu. Në mbështetje të “Republikës së Mirditës”, më 10 tetor 1921, repartet e ushtrisë jugosllave pushtuan krahinat e Shqipërisë që gjendeshin në krahun e djathtë të rrjedhës së lumit Drin. (J. Swire, Shqipëria, ngritja e një mbretërie, f. 286; P. Milo, Shqipëria dhe Jugosllavia (1918–1927), f. 64)

Të gjendur përballë rrezikut të pushtimit të plotë të Shqipërisë Veriore nga trupat jugosllave, dy grupet politike në Këshillin Kombëtar (“Partia Popullore” dhe “Partia Përparimtare”) formuan grupimin e përbashkët: “Bashkimi i Shenjtë”, i cili ftoi komandantin e përgjithshëm të operacionit të Mirditës, strategun popullor Bajram Curri, heroin e Parisit Avni Rustemi dhe ish-udhëheqësin e Luftës së Vlorës, Qazim Koculi, që të propozonin kandidatët për formimin e një qeverie të “shpëtimit kombëtar”.

Kryetari i Këshillit Kombëtar, Pandeli Evangjeli, u miratua me shumicë votash në krye të qeverisë së re. Sapo filloi nga puna qeveria e dalë nga “Bashkimi i Shenjtë” i shqiptarëve, trupat e ushtrisë jugosllave dhe mercenarët esadistë thyen brezin e mbrojtjes së ushtrisë kombëtare dhe, më 1 nëntor 1921, “Republika e Mirditës” hapi zyrat e saj në Orosh të Mirditës. Duke ndjekur pasojat e këtij intervencioni të ri jugosllav,  të dërguarit specialë të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq raportuan se “ushtria mbretërore jugosllave vari dhe pushkatoi pa gjyq me qindra shqiptarë të pafajshëm, dogji e shkatërroi shtëpi e fshatra të tërë, duke lënë pa strehë me mijëra banorë.” (P. Milo, Shqipëria dhe Jugosllavia (1918–1927), f. 65; O. Pearson, Albania and king Zog, p. 173-174)

Ndërkaq, intervencioni dhe mizoria e ushtrisë jugosllave mbi popullin shqiptar ngriti në alarm kancelaritë e Fuqive të Mëdha të kohës. Më 8 nëntor 1921,  Kryetari i Këshillit të Ministrave dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Pandeli Evangjeli, u njoftua nga Sekretariati i Lidhjes së Kombeve se kryeministri i Britanisë së Madhe, Dejvid Lloid Xhorxh (David Lloyd George), i kishte dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, Erik Drumond (Eric Drummond), notën e fortë të 7 nëntorit 1921, ku e cilësonte “vazhdimin e mëtejshëm të agresionit jugosllav në Shqipëri, si rrezik real për prishjen e paqes ndërkombëtare (Continued advance of Yugoslav forces into Albania being of nature to disturb internacional peace)”. (Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare, vëll. III, f. 301–302: dok. 38; f. 305–306: dok. 39; f. 306-308: dok. 40; O. Pearson, Albania and king Zog, f. 176–177)

Konferenca e Ambasadorëve të Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Japonisë, e mbajtur në Paris më 9 nëntor 1921, ripohoi trasenë e kufijve të Shqipërisë ashtu siç ishin përcaktuar më 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve e Londrës dhe e njohu përfundimisht Shqipërinë, si një “Shtet Sovran dhe i Pavarur”. Vendimi i katër Fuqive të Mëdha iu bë e ditur menjëherë qeverisë së Jugosllavisë. Më 12 nëntor trupat e ushtrisë jugosllave morën urdhër nga Beogradi të fillonin tërheqjen nga Mirdita. Po atë ditë, Marka Gjoni me gjithë familjen e tij u arratis në Jugosllavi, ndërsa bajraktarët e tjerë kërkuan të merreshin vesh me qeverinë për t’u dorëzuar. Si përfundim, Komisioni Ndërkombëtar i Hetimit të Lidhjes së Kombeve deklaroi: 

“Sapo u përhap lajmi, aty nga mesi i nëntorit, se trupat jugosllave ishin duke zbrazur vendin, popullariteti i Marka Gjonit filloi të bjerë. Edhe përkrahësit e tij nuk po merrnin rrogë, veçse në të rrallë dhe po bëheshin çdo ditë më të pakënaqur. Fundi erdhi më 20 nëntor. Marka Gjoni bëri një shpallje, duke i dërguar në shtëpi përkrahësit e tij, kurse vetë iku në Prizren bashkë me nja 50 miq e familjarë. Qeveria e Tiranës dërgoi në Orosh një të deleguar të quajtur Ahmet Bej, i cili ndoqi një politikë pajtimi që dha rezultate. Më 28 Nëntor, ditën e përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, u shpall amnisti e përgjithshme.”

Spread the love