Sonja Biserko, presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, konsideron se vendimi kundër Dodikut përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në forcimin e integritetit të gjyqësorit të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe mbështetën vendimin e Gjykatës dhe kërkuan respektimin e plotë të tij, si dhe zbatimin konsistent nga institucionet dhe aktorët politikë kompetentë, vëren ajo.
“Në të njëjtën kohë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e hedh poshtë këtë vendim, duke demonstruar për të njëtën herë se nuk e njeh Bosnjën dhe Hercegovinën si shtet sovran.”
Rënia politike e Milorad Dodikut paralajmëron fundin e projektit të dështuar ‘Bota Serbe’, i cili për vite me radhë bllokoi jo vetëm funksionimin e Bosnjës dhe Hercegovinës, por edhe stabilizimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor. Krijohet përshtypja se në këtë moment Serbia nuk tregon vullnetin e vërtetë politik për të qëndruar në mbrojtje të fortë të Dodikut, gjë që ilustron më tej ndryshimet brenda vetë vendit”, thotë Biserko, transmeton Radio Sarajeva.
Biserko thekson se në kontekstin e ngjarjeve aktuale në Serbi, deklarata e Vuçiçit mund të interpretohet si një përpjekje për të parandaluar një skenar të ngjashëm, i cili do të kishte pasoja serioze për fatin e tij politik.
“Edhe pse sfondi dhe dinamika brenda zyrës së prokurorit nuk janë ende plotësisht të qarta, është e qartë se stratifikimi po ndodh edhe brenda rrethit më të ngushtë të autoriteteve, mbi të cilat Vuçiç kishte kontroll pothuajse absolut deri më tani”, thotë Biserko.
