Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka rikujtuar kohën kur ishte pjesë e koalicionit VLEN, duke theksuar se pavarësisht pozicionit të tij dhe të Izet Mexhitit brenda koalicionit, kishin qenë të pafuqishëm për të ndikuar edhe në vendime të thjeshta administrative, siç është ndërrimi i një drejtori shkolle.
Duke folur në emisionin “Debat në SHENJA”, Taravari solli në vëmendje rastin e shkollës në fshatin Podgorc të Strugës, ku u emërua një maqedonas si ushtrues detyre për drejtor, diçka që, sipas tij, ishte në kundërshtim me ndjeshmëritë e komunitetit lokal.
“Quhet një fshat Podgorc, në Strugë. Aty çdoherë drejtor ka qenë torbesh ose shqiptarë. 95% e popullatës janë myslimanë. Herën e parë pas 35 viteve u vendos një ushtrues detyre – një maqedonas me tatuazh në të gjithë trupin,” tha Taravari.
Ai theksoi se, ndonëse fshati kishte treguar përkrahje të fuqishme për VLEN në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe presidenciale, vendimi për drejtorin u mor pa konsultim me komunitetin, duke shkaktuar revoltë dhe pakënaqësi.
Më tej Taravari, deklaroi se disa nga figurat aktuale të koalicionit VLEN kishin shprehur gatishmëri për të marrë mbështetjen e BDI-së në zgjedhjet për komunën e Likovës.
Në emisionin “Debat në SHENJA”, Taravari përmendi konkretisht Nexhmedin Sadikun, kandidatin aktual të VLEN-it për Likovën, si dhe Omer Ajdinin.“Nexhmedin Sadiku, kandidati për Likovë, erdhi në zyrën time dhe tha se mund të jetë kandidat i pranueshëm edhe për BDI-në, edhe për Aleancën. E njëjta gjë vlen edhe për Omer Ajdinin. Para disa ditësh, në një restorant në Shkup, në prani të dy shokëve të tij, e pranoi se kishte qenë i gatshëm të dilte si kandidat i përbashkët me BDI-në,” u shpreh Taravari.
Ai gjithashtu përmendi rastin e Rexhail Qerimit, duke theksuar se në atë kohë Izet Mexhiti ishte nënkryetar i BDI-së dhe sipas tij, nuk kishte ndërmarrë asnjë hap për ta kundërshtuar mbështetjen ndaj kandidaturave të tilla.
‘Buka mes meje dhe zotit Sela është thyer‘
Taravari, ka deklaruar se nuk ka asnjë armiqësi personale me ish-kryetarin e partisë, Ziadin Sela, edhe pse ka pranuar se marrëdhëniet mes tyre janë ftohur. Ai sqaroi se ndarja mes tyre ka ndodhur për arsye politike, por ai nuk ka asnjë qëndrim negativ personal ndaj Selës.
“Aspak. Unë nuk kam ndonjë armiqësi, e kam thënë edhe më herët. Në asnjë moment nuk kam thënë një fjalë të keqe për zotin Sela. Ka qenë e kundërta, ai ka thënë gjëra për mua,” deklaroi Taravari.
Ai shtoi se pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve, është i hapur për bashkëpunim në të ardhmen, duke theksuar se në politikë nuk duhet të ketë ndarje të pakapërcyeshme, sidomos mes shqiptarëve.
“Unë kundërshtar politik e kam pasur zotin Ahmeti. Me të kemi bërë beteja politike. Buka mes meje dhe zotit Sela është thyer – kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Por bashkëpunimi politik është i domosdoshëm. Prandaj, nëse mund të bashkëpunojmë me politikanë maqedonas, pse jo edhe me ndonjë shqiptar?” përfundoi ai.
‘Nxirreni nesër në opozitë Arben Fetain , nuk mund t’i mbledhë as 50 njerëz’
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka hedhur kritika të drejtpërdrejta ndaj ish-bashkëpartiakut të tij dhe zëvendëskryeministrit aktual, Arben Fetai, duke vënë në dyshim peshën e tij politike dhe aftësinë për të mobilizuar qytetarët nëse do të kalonte në opozitë, raporton SHENJA.
Duke folur në emisionin “Debat në SHENJA”, Taravari tha se ndikimi i Fetait në terren është i kufizuar dhe se mbështetja që gëzon aktualisht varet nga pozitat në pushtet.“Shihni, Ziadin Sela ka qenë kryetar i partisë për dy mandate, ka pasë ndikim dhe aty ndodhi thyerja. Arben Fetai, nxirreni nesër në opozitë, nuk mund t’i mbledhë as 50 njerëz, ju garantoj,” deklaroi Taravari.
Ai shtoi se Fetai momentalisht mban disa pozita të rëndësishme në qeveri, përfshirë ministri dhe drejtori, por sipas tij kjo nuk përbën garanci për mbështetje reale.“Arben Fetai ka ministri, disa punësime që ua premton njerëzve dhe mbi 15 drejtori që i menaxhon”, theksoi Taravari, duke nënkuptuar se ndikimi real në terren nuk është në duart e Fetait.
‘Disa zëvendësministra të VLEN-it shkojnë në punë vetëm një herë në javë’
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka kritikuar hapur disa zëvendësministra të koalicionit VLEN, duke i akuzuar për mungesë angazhimi dhe papërgjegjësi institucionale. Ai tha se një pjesë e zëvendësministrave nuk kanë as prezencë të rregullt në zyrat e tyre dhe madje disa nuk kanë as infrastrukturën bazë për të ushtruar detyrën.
“Kemi zëvendësministra që nuk shkojnë as në punë. Disa shkojnë vetëm një herë ose dy herë në javë. Nuk është vetëm një ose dy, janë shtatë,” deklaroi Taravari.
Ai shtoi se vetëm tre prej tyre kanë qenë aktivë dhe kanë treguar interes real për detyrën që mbajnë. “Tre zëvendësministra kanë qenë aktivë, të cilët janë interesuar. Disa nuk kishin as zyra, as veturë zyrtare nuk kishin. Ata e dinë vetë se kush janë,” u shpreh Taravari me ironi. / GazetaFAKTI
