• E mërkurë, 18 Shkurt, 2026

“Të dashur mësues, mos i detyroni fëmijët të shkruajnë se si e kanë kaluar verën”

EA
Gusht18/ 2025

Kjo traditë e të pyeturit të fëmijës se si i kaluan pushimet verore duhet të ndryshojë. Ne e dimë se gjendja social- ekonomike e familjeve sot nuk i lejon të gjithë fëmijët të shijojnë detin, malin apo thjesht të shkojnë me pushime me familjet e tyre.

Mësuesit duhet të ndërgjegjësohen se në klasën e tyre ka fëmijë që do të vijnë po me të njëjtat veshje ditën e parë të shkollës dhe kjo na tregon më së miri vështirësitë e familjeve në ditët e sotme. Një fëmijë i fyer i përbuzur nga shokët do të jetë një fëmijë i cili do të mbyllet në vetvete në vetminë e tij duke fajësuar botën në të cilën ka lindur dhe do t’i humbasë dëshira të jetë pjesë e klasës.

Mirë do të ishte që pyetje e parë nga mësuesit të jetë mbi planet e fëmijëve për vitin e ri akademik si e kane menduar atë dhe çfarë presin nga viti i ri shkollor. A kanë menduar për të zhvilluar projekte në grup ku të gjithë të ndjehen të aktivizuar dhe të entuziazmuar mbi idetë e tyre.

Mendja e fëmijës punon ndryshe nga ajo e një të rrituri pasi fëmijët e kanë të vështirë të perceptojnë pse ata nuk munden të shkojnë me pushime dhe kjo gjë e vendos fëmijën të ndihet inferior mbi mundësitë që ka familja e tij.  Fëmijët formojnë një sens faji pasi mendojnë se janë ata përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet fëmija.

Krahasimi i fëmijëve fillon që nga prindërit pasi janë ata të cilët i mësojnë se me ke të shoqërohen dhe kjo bën që fëmija të refuzojë për shoqëri fëmijën e cili nuk ka të njëjtat kushte jetese më të. Ndjenja e përbuzjes nxit tek këta fëmijë inatin, urrejtjen gjë e cila mund t’i çojë në agresivitet e cila reflektohet në sjelljet e fëmijës. (Arjana Muçaj, psikologe dhe pedagoge e Fakultetit të Shkencave Sociale – voxnews.al)

Spread the love