Nga Brukseli vjen porosi e qartë: pa përfshirë bullgarët në kushtetutë, nuk do të ketë hapje të dyerve. Por kjo nuk duhet të shihet si një poshtërim, por si hapi i fundit që do ta çlirojë Maqedoninë e Veriut nga bllokadat dhe do t’i japë dritën jeshile për negociata të plota.
Shkup, 01 shtator – Maqedonia e Veriut po përballet me një mundësi historike – për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Në deklaratën e saj nga Sofja, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dërgoi një mesazh inkurajues: Bashkimi Evropian dëshiron një Ballkan të qëndrueshëm dhe të sigurt brenda radhëve të tij, dhe Maqedonia është një pjesë kyçe e kësaj historie, transmetojnë mediat bullgare.
Zgjerimi – një garanci për stabilitetin dhe të ardhmen
Von der Leyen ishte e bindur se zgjerimi mbetet përparësi kryesore për Unionin. Një BE më e madhe dhe më e fortë do të thotë më shumë siguri, zhvillim ekonomik dhe një të ardhme evropiane për qytetarët e Maqedonisë. “Zgjerimi është në interes të BE-së. Një BE më e madhe, më konkurruese dhe më e sigurt do të thotë Evropë me një zë më të fortë në botë”, tha ajo. Kjo është provë se Evropa e sheh Maqedoninë si pjesë të së ardhmes së saj të përbashkët, vendi vetëm duhet të përfundojë reformat e tij dhe të tregojë pjekuri.
Ndryshimet kushtetuese si çelësi i së ardhmes
Nga Brukseli vjen porosi e qartë: pa përfshirë bullgarët në kushtetutë, nuk do të ketë hapje të dyerve. Por kjo nuk duhet të shihet si një poshtërim, por si hapi i fundit që do ta çlirojë Maqedoninë e Veriut nga bllokadat dhe do t’i japë dritën jeshile për negociata të plota. Me këtë ndryshim, vendi do të tregojë se është gati të pranojë vlerat evropiane – respektin për diversitetin, tolerancën dhe barazinë e të gjithë qytetarëve, tranmsetojnë mediat bullgare.
Shans për një fillim të ri
Edhe pse rruga drejt BE-së është e gjatë dhe plot sfida, Von der Leyen përsëriti se Maqedonia ka miq dhe partnerë në Evropë që janë të gatshëm të ndihmojnë.
“Ne duhet t’u japim atyre mundësinë të zgjedhin lirisht – nëse duan të jenë pjesë e BE-së apo jo”, tha ajo.
Kjo do të thotë se e ardhmja është në duart tona – nëse e shfrytëzojmë këtë shans, Maqedonia do të bëhet pjesë e familjes evropiane, gjë që do të sjellë stabilitet, investime dhe një jetë më të mirë për çdo qytetar.
Një mesazh për qytetarët: Evropa na pret
Mesazhet e Von der Leyen nuk duhet të perceptohen si kërcënim, por si një inkurajim. Maqedonia është një hap më afër qëllimit të saj më të madh historik – anëtarësimit në BE. Tani është koha që vendi të tregojë unitet, të marrë vendimet e nevojshme dhe më në fund të hapë rrugën drejt një të ardhmeje evropiane. /GazetaFAKTI
