Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në përgjigje të pyetjes së një gazetari, theksoi se në këtë fushatë zgjedhore, debati thelbësor dhe përballja e ofertave para qytetarëve janë çelësi.
“Mendoj se në fushatën zgjedhore, debati dhe përballja e ofertave janë më të rëndësishme. Nuk jemi të njëjtë. Kemi dallime për të gjitha çështjet”, tha Osmani, duke theksuar se uniteti duhet të bazohet në mbrojtjen e përbashkët të postulateve kryesore kombëtare.
Ai ia përsëriti mesazhin kundërshtarit, Izet Mexhitit, duke theksuar se ka dallime të qarta në qasje dhe parime.
“Z. Mexhiti e di vetë, e kam thënë, kemi dallime në të gjitha pikat. Mos e prekni gjuhën, mos e prekni Balancuesin, mos e prekni Marrëveshjen e Ohrit. Këto janë çështjet për të cilat duhet të bashkohemi”, tha Osmani.
Ai shtoi se uniteti duhet të burojë nga një shqetësim i përbashkët për të drejtat dhe dinjitetin e shqiptarëve.
“Për sa kohë që nuk ka unitet në çështjet tona strategjike, për sa kohë që shqiptarët po nxirren nga puna çdo ditë, për sa kohë që po shndërrohen në zero në çdo konkurs, nuk mund të jem indiferent ndaj kësaj”, theksoi Osmani.
Ai reagoi ashpër ndaj situatës në të cilën ndodhet Komuna e Çairit, e cila, sipas tij, është rezultat i korrupsionit dhe mungesës së rendit dhe vizionit në 20 vitet e fundit. Osmani tha se përballja e vërtetë do të zhvillohet më 19 tetor, kur qytetarët do të bëjnë vlerësimin e tyre elektoral./GazetaFAKTI
