Nga ajo që shihet në publik dhe deklaratat e subjekteve politike, një koalicion qeveritar duket pothuajse i pamundur, për shkak se Vetëvendosje ka vetëm 48 deputetë dhe bashkë me pakicat joserbe nuk arrin numrin prej 61 votash të nevojshme, ndërkohë që një bashkëpunim me partitë tjera nuk duket në horizont.
Deri më 26 tetor 2025, Albin Kurti ka afat për të formuar qeverinë e re të vendit dhe rrjedhimisht të dërgojë në Kuvendin e Kosovës propozimin e tij për kabinetin qeveritar, i cili duhet të marrë së paku 61 vota nga 120 deputetët e Kuvendit.
Megjithatë, nga ajo që shihet në publik dhe deklaratat e subjekteve politike, një koalicion qeveritar duket pothuajse i pamundur, për shkak se Vetëvendosje ka vetëm 48 deputetë dhe bashkë me pakicat joserbe nuk arrin numrin prej 61 votash të nevojshme, ndërkohë që një bashkëpunim me partitë tjera nuk duket në horizont.
Në këto rrethana, zgjedhjet e jashtëzakonshme shihen si opsion real. Ato janë përmendur edhe nga vetë Kurti, i cili në Londër, më 21.10.2025 tha se do të provojë të formojë Qeverinë, por ekziston edhe mundësia të shkohet në zgjedhje. Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë përmendur zgjedhjet e jashtëzakonshme pas konstituimit të Kuvendit.
Njohësi i zhvillimeve politike, gazetari Melazim Koci, për KALLXO.com tha se deklarimi i Kurtit në Londër dërgon sinjal se gjasat për formimin e qeverisë janë minimale.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka numrat për formimin e qeverisë dhe as vullnetin për t’i bërë. Duket se z. Kurti nga përfundimi i zgjedhjeve ka synuar të qeverisë i vetëm (bashkë me pakicat jo serbe) dhe se ka përjashtuar gjithë të tjerët. Mendoj se ky do të jetë objektiv i VV edhe në zgjedhjet e ardhshme, pra të sigurojë 50+ bashkë me pakicat joserbe ose të kalojë në opozitë”- tha Koci.
Pavarësisht kësaj, ai deklaron se aktualisht as opozita nuk i ka numrat dhe as vullnetin për të formuar qeveri të saj.
“Zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet, por çështja shtrohet – kur? Nëse ato mbahen para ose pas vitit të ri do të jetë gabim, sepse gjasat janë shumë të mëdha që raporti i forcave ndërmjet partive politike të mbetet pak a shumë i njëjtë dhe të përsëritet skenari i pat pozitës dhe bllokadës”- thekson Koci. Zgjidhja më e mirë, sipas tij, do të ishte një qeveri kalimtare deri në prillin e vitit 2026 e pastaj të ketë zgjedhje të reja.
Kjo qeveri kalimtare do të shërbente, sipas tij, për miratim të buxhetit, votim të marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me fonde të BE-së dhe do të duhej të amandamentonte Kushtetutën.
Si të pamundur për t’u bërë 61 vota për formimin e një qeverie, nuk e sheh politologia Arta Tahiri-Beqa. Sidoqoftë ajo shton se kjo qeveri do të ishte jostabile por do të kalohej kriza në të cilën gjendet vendi.
“Në qoftë se me NISMA-n nuk ka asnjë bisedë, nga ajo që po na tregohet në media, nuk ka asnjë takim, nuk ka asnjë marrëveshje ose të përafërt me marrëveshje, atëherë të gjitha gjasat janë që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme”- tha Tahiri-Beqa.
Po ashtu, sipas saj, zgjedhjet e reja dëshirohen edhe ana e partive. Këtë, Tahiri-Beqa e vëren nga gjuha të cilën po e përdorin subjektet politike në takimet me mërgatën.
“Japin sinjal që po përgatitet terreni për zgjedhje të jashtëzakonshme, për të shikuar se mos po ndërrohen matematikat e votuesve në këto palë zgjedhje, për të cilat unë jam skeptike nëse do të ketë ngritje të votës. Më shumë mund të ketë ulje të votës për çdo subjekt politik”- shtoi ajo.
Përgjegjësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme
Zgjedhjet e jashtëzakonshme po shihen si mundësi reale, edhe pse nuk është konkretizuar rezultati të cilin e kanë marrë partitë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Në këtë rast, dikush duhet të jap përgjegjësi se përse qytetarët do duhet përsëri t’i drejtohen kutive të votimit edhe pse kanë zgjedhur një herë përfaqësuesit e tyre.
Përgjegjësia, sipas Kocit, është tek të gjitha partitë por edhe tek vakumi juridik në Kushtetutën e Kosovës.
“Ishte gabim i opozitës që refuzoj votimin e zonjës Haxhiu kryetare e Kuvendit, sepse kjo i dha rastin dhe arsyetimin VV-së që të zhagitë formimin e qeverisë, të cilën nuk e donte me asnjërën nga partitë. Oferta që VV i bëri LDK-së ishte e destinuar të refuzohej sepse rrezikonte humbje të elektoratit dhe përçarje brenda LDK-së”- ka shpjeguar Koci.
Përgjegjësia më e madhe me domosdo i shkon partisë së parë, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje, sipas Tahiri-Beqës.
Por politologia konsideron se me rezultatin që kanë marrë partitë është kuptuar se pa koalicion nuk mundet të ecet përpara.
E koalicioni, sipas saj, nuk ka ndodhur për shkak se edhe ofertat nga LVV “nuk ishin serioze”. Duke përmendur ftesën që Kurti i dërgoi LDK-së, ajo thotë se nuk ishte serioze, sepse në të kishte pjesë subjektive që nuk lejohen në një marrëveshje politike
“Nëse shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme, përgjegjësia sigurisht që do të jetë e të gjitha subjekteve politike dhe të gjithë deputetëve të Republikës së Kosovës. Do të doja që qytetari të jetë më i vëmendshëm që kur të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme prapë, të jenë të kujdesshëm se kujt po ia delegojnë të drejtën e votës dhe për të përfaqësuar, sepse këta deputetë nuk besoj që e meritojnë një përfaqësim të tillë”- deklaroi ajo.
Koci në anën tjetër, ka thënë se duhet të korrigjohet neni 67 i Kushtetutës, kjo për shkak se ky nen “jep vakum juridik” në vend.
“Një pjesë të madhe e përgjegjësisë për bllokadë është te vakumi juridik në Kushtetutë, përkatësisht neni 67 që partisë së parë i jep të drejtën e propozimit për zgjedhje të kryetares/kryetarit të Kuvendit, por nuk e elaboron si të veprohet nëse partia e parë nuk siguron shumicën”- ka thënë ai.
Sipas tij, amandamentimi i këtij neni duhet të bëhet, që të mundësohet që nëse partia e parë nuk e ka shumicën, t’i mundësohet partisë së dytë.
“Nëse as ajo nuk siguron shumicën të shkohet në zgjedhje dhe të shmanget bllokada”- tha Koci.
Tahiri-Beqa shpjegon se edhe nëse shkohet në zgjedhje, përsëri asnjë parti nuk do i marrë 51% të votave dhe do të ketë nevojë përsëri për bashkëpunim e koalicion.
“E vetmja gjë që mund të jap shpresë mbas zgjedhjeve të jashtëzakonshme është, nëse do të ndodh ndryshimi i gjuhës polarizuese që ka qenë në fushatën e parë, të jetë më e butë e më bashkëpunuese nga të gjitha subjektet politike, për të lënë derën hapur për një koalicion të mundshëm pas këtij procesi të jashtëzakonshëm zgjedhor”- përfundoi ajo.
I mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, ka folur në Londër për ofertën që i ka bërë Fatmir Limajt të Nismës Socialdemokrate për koalicion qeverisës.
Në një video të publikuar e cila thuhet se është realizuar gjatë bashkëbisedimit të Kurtit me mërgimtarë, lideri i VV-së dëgjohet duke deklaruar se kryetarit të Nismës, i ka ofruar një ministri, dy zëvendësministra dhe nënkryetarin e Kuvendit.
“Me partinë Guxo e cila i ka gjashtë deputetë, ne jemi marrë vesh me i pasë dy ministra. Me gjashtë deputetë- dy ministra. Unë kam qenë i gatshëm, NISMA-s me tre deputetë me ia dhënë: një ministër dhe nënkryetarin e Kuvendit. Po të ishte bërë Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj do të ishte bërë nënkryetar i Kuvendit. E kish marr një ministri dhe dy zëvendësministra” – shpjegon Kurti në këtë video të xhiruar nga gazetari Ermal Hallaçi.
Ndërsa, në një video tjetër, postuar nga i njëjti person, Kurti dëgjohet duke thënë se ish-opozita kanë inate, duke mos përjashtuar me këtë rast, as mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.
“Do të përpiqemi maksimalisht deri në ditën e diel më së largu, sepse të hënën nuk mundemi me u përgatit. Të hënën ose e kemi bërë Qeverinë ose s’e kemi bërë. Jemi duke komunikuar, jemi duke biseduar, nuk është kollaj se s’di si me ua shpjegu…” – ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, nëse nuk bëhet Qeveria e re do të ketë zgjedhje.
NISMA Socialdemokrate në vazhdimësi ka bërë kërkesë që ta marrë pozitën e Kryetarit të Kuvendit, teksa Fatmir Limaj, kryetar i NISMA-s ka deklaruar se nuk dëshiron bashkëpunim në Qeveri.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, më 26.05.2025 ka deklaruar se në takimet që ka zhvilluar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit doli e para në zgjedhjet e datës 09.02.2025, ka kërkuar “partneritet në nivel të Kuvendit”.
Limaj tha se në takimet me Kurtin i ka shprehur qartë se nuk synonte poste në ekzekutiv, por se i ka thënë se në rast të një partneriteti parlamentar e kërkon postin e kryeparlamentarit.
Kreu i Nismës u shpreh se me LVV-në nuk ka pasur asnjë kontakt që nga viti 2017, deri dy ditë pa u mbajtur mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës, më 13.04.2025.
Limaj ka treguar se Kurti në takime i ka ofruar opsion për bashkëqeverisje, porse kryetari i Nismës tha se e ka refuzuar këtë.
“Kam pasë ftesë nga kryetari i LVV-së, dhe i jam përgjigjur dhe kam shku e kam bisedu. Jemi taku tête-à-tête, por edhe me përfaqësues, i kemi pasë dy ose tri takime. Kemi bisedu me Kurtin lloj-lloj temash. Në takimin e parë kemi pasë bisedë të përgjithshme, kemi trajtu tema me interes të përbashkët. Në takimin e dytë, Kurti ka shprehur interesimin për bashkëpunim, dhe për mos me u kriju ndonjë siklet unë i kam thënë se “çfarë po kërkoni nga ne?”. “A po doni partneritet apo numra?””- tha Limaj në emisionin Pressing.
“Kurti më ka ofru një opsion për qeverisje, pra për bashkëqeverisje. Unë i thash se Nisma nuk është e interesuar të jetë pjesë e Qeverisë, i kemi arsyet tona. Nëse doni partneritet ne mund të bëjmë partneritet në nivel Kuvendi, tani për tani nuk jemi të interesuar për qeverisje”- theksoi ai.
KALLXO.com më 21.10.2025 foli me deputeten e NISMA-s Socialdemokrate, Arbëreshë Krasniqi, e cila konfirmoi se nuk ka takime mes dy partive për një koalicion qeverisës.
“Nuk ka asnjë takim në mes të NISMA-s dhe Vetëvendosjes”– ka thënë Krasniqi duke shtuar se partia e saj ka ende si kusht ndërrimin e Kryetarit të Kuvendit për të pasur bashkëpunim mes dy partive.
Por për këtë kërkesë, NISMA nuk ka marr asnjë përgjigje nga LVV.
“Ne kemi një kërkesë që është tanimë e njohur. E vetmja mundësi që NISMA t’i ofroi bashkëpunim LVV-së është që të lëviz nga pozicioni kryetari i Kuvendit”- tha Krasniqi.
“Jo”- ishte përgjigja e Krasniqit kur u pyet se a kanë marrë përgjigje për këtë kërkesë.
Ajo ka shtuar se për NISMA-n nuk ka opsion tjetër.
Teksa vet Kryekuvendari Dimal Basha, në një intervistë dhënë për RTK më 21.10.2025 ka lënë të hapur mundësinë e ndërrimit të tij në rast se ka marrëveshje politike.
“Si deputet dhe si Dimal Bashë, kurrë në jetën time nuk dal me pengu çfarëdo marrëveshje apo synime të të tjerëve, që shkon në dobi të Republikës. Asnjëherë, kurrë s’mendoj që një emër i përveçëm duhet me qenë pengesë kudo, por kjo nuk varet prej meje, kjo ndodh mes subjekteve politike”- tha Basha mes tjerash.
Albin Kurti ka marr mandatin e tij për t’u zgjedhur kryeministër më 11.10.2025 nga Presidendtja Vjosa Osmani dhe që nga ai moment ka 15 ditë kohë që të dërgoj në Kuvend të Kosovës propozimin e tij për Qeverinë e re të vendit, e cila duhet të marrë së paku 61 vota.
Presidentja Vjosa Osmani, beson se Kosova ka ende kohë për ta krijuar Qeverinë e re dhe kritikoi Listën Serbe, se po përpiqet të pengojë këtë proces. Duke u bazuar në përvojën e saj politike, ajo tha se konsultimet për koalicione për Qeverinë e re, mund të ekzistojnë prapa dyerve të mbyllura edhe kur mediat e të tjerët nuk e dinë.
“Unë nuk do të ngutesha që të jap supozime se do të dështojë krijimi i Qeverisë- ka edhe pak kohë”- tha Osmani për media pas ngjarjes të organizuar nën Patronatin e Presidencës në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit më 20.10.2025.
Duke u bazuar në përvojën e saj politike, Osmani tha se shumica e diskutimeve me partitë politike ndodhin prapa dyerve të mbyllura. “Shpeshherë, ju e merrni vesh shumë vonë”, tha ajo duke iu referuar mediave.
“Madje edhe ne që ishim në parti e merrnim vesh shumë vonë. Ju kujtohet prej disa koalicioneve të tilla. Pra, unë nuk do të sugjeroja që nuk ka përpjekje, sepse vetëm se ne nuk e dimë, nuk do të thotë se ato nuk janë duke ndodhur”- tha ajo në lidhje me përpjekjet e Vetëvendosjes për të bërë numrat për Qeverinë.
Lista Serbe ka dorëzuar sërish ankesë në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese tha për KALLXO.com që kërkesa e Listës Serbe aktualisht është duke u proceduar nga Gjykata- pa dhënë detaje më shumë.
Kjo parti kanë kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet drejt formimit të Qeverisë. Afati i fundit për thirrjen e seancës për formimin e Qeverisë është 26 tetori, që i bie 15 ditë nga dita prej kur u dekretua mandatari Albin Kurti.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat deri më 22 tetor t’i dërgojnë komentet e tyre në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me ankesën e Listës Serbe.
Kështu ka thënë zëvendës Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi për KALLXO.com.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës e hapur më 15.04.2025 është shpallur e përfunduar nga kryetari i zgjedhur, Dimal Basha, meqë më 10.10.2025 është zgjedhur edhe nënkryetari i pestë i Kuvendit, nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq.
Pos deputetëve të LVV-së, për të votuan edhe deputetët nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ky votim u realizua pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, por u kundërshtua nga Lista Serbe, nëntë deputetët e së cilës nuk i morën votat e duhura për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.
Kushtetuesja kishte konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kushtetuesja kishte urdhëruar të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Presidentja e Republikës së Kosovës, më 11.10.2025 i dha mandatin Albin Kurtit për formimin e Qeverisë së re në vend.
Megjithatë ai më 14.10.2025 tha se koncentrimi gjatë këtyre ditëve ishte tek zgjedhjet lokale. Mirëpo, Kurti ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të nisë një plan konkret për këtë proces.
“Tepër shumë punë këto ditë …, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet ta shohim kontributet që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejtë të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvilloj ato komunikime. Por, po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se 10 ditë”- tha Kurti për media më 14.10.2025.
Zgjedhjet për Kuvend të Kosovës janë mabjtur më 09.02.2025, me ç’rast LVV ka fituar 48 mandate në Kuvend, PDK 24, LDK 20, AAK 5, NISMA 3, pakicat joserbe 10 dhe pakicat serbe 10 mandate të tjera.
