• E mërkurë, 18 Shkurt, 2026

Arben Fetai takohet me Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën

EA
Korrik24/ 2025

Shkup, 24 korrik – Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, së bashku me koordinatorin e Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, dhe një delegacion të Aleancës për Shqiptarët, zhvilluan sot një vizitë zyrtare në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

Delegacioni shqiptar u prit nga Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, si dhe nga nënkryetari i parë i partisë dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në përbërje të delegacionit ishin edhe deputetja Mimoza Musa, si dhe përfaqësuesit Bashkim Bakiu dhe Yllka Nuredini.

Temë kryesore e takimit ishin përgatitjet për zgjedhjet lokale të vjeshtës, të cilat pritet të mbahen në muajin tetor, si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në Kosovë. Palët diskutuan për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ndërpartiak, si dhe për thellimin e koordinimit politik në funksion të interesave të përbashkëta kombëtare dhe zhvillimit demokratik në të dy vendet.

“U pajtuam për të vendosur komunikim të rregullt dhe bashkërendim për të nxitur progresin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërive dhe vendeve tona”, shkroi Arben Fetai në statusin e tij pas takimit.

Vizita shihet si pjesë e afrimit strategjik mes partive shqiptare në rajon dhe ndërtimit të një platforme të përbashkët për sfidat politike dhe zgjedhore që pasojnë në muajt e ardhshëm.

Spread the love