• E enjte, 19 Shkurt, 2026

Asani: Elitat shtetërore si pengesë strategjike në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut

EA
Shtator01/ 2025

“Nëse ky mentalitet i ngushtë vazhdon, Maqedonia rrezikon të mbetet në periferi të proceseve evropiane, duke humbur besimin e qytetarëve të saj dhe duke i dhënë hapësirë alternativave që e largojnë vendin nga orientimi perëndimor”, është shprehur Prof.dr. Skender Asani

Shkup, 01 shtator – Lidhur me deklaratën e sotme e të Presidentets së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në Sofje, që kishte të bënte me Maqedoninë e Veriut, kemi një pronocim të historianit, Prof. dr. Skender Asanit.
“Kjo deklaratë nuk duhet lexuar thjesht si një mesazh inkurajues nga Brukseli, por si një kambanë alarmi për elitat shtetërore të Maqedonisë së Veriut” është shprehur Asani. Ai është i mendimit se shumë vite me radhë, procesi i integrimit është keqpërdorur nga politika ditore, duke u shndërruar në premtime boshe dhe në lojëra kalkulative që kanë ngadalësuar reformat e brendshme. Në vend që të krijojnë një konsensus kombëtar rreth rrugës evropiane, elitat politike kanë shpërdoruar energjinë e vendit në konflikte të brendshme dhe kalkulime elektorale, duke e bërë Maqedoninë peng të paaftësisë së saj për të treguar pjekuri institucionale, nënvizon Asani

“Pasojat e kësaj papërgjegjësie shtetërore janë të qarta: BE vazhdimisht përsërit mesazhet e saj, por vendi ngec në të njëjtat dilema të brendshme, duke mos arritur të ndërtojë një shtet funksional mbi bazën e sundimit të ligjit dhe respektimit të diversitetit. Deklarata e Von der Leyen, që kërkon unitet dhe vendime të guximshme, është një pasqyrë që i drejtohet elitave në Shkup, të cilat nuk kanë ditur të kapin momentin historik. Ky dështim nuk është pasojë e qëndrimeve të BE-së, por rezultat i paaftësisë së brendshme për të përfunduar reformat dhe për të ndërtuar konsensus politik e shoqëror.

“Nëse ky mentalitet i ngushtë vazhdon, Maqedonia rrezikon të mbetet në periferi të proceseve evropiane, duke humbur besimin e qytetarëve të saj dhe duke i dhënë hapësirë alternativave që e largojnë vendin nga orientimi perëndimor. Shkak për këtë dështim, shpesh me vetëdije të plotë, janë pengesat që vetë elitat politike i kanë prodhuar duke i hapur derën zgjerimit të “botës serbe” në jetën shoqërore e politike të vendit”, është i qartë Prof.dr. Asani. Ky ndikim, sipas tij, nuk kufizohet vetëm në sferën politike, por shtrihet edhe në ekonominë kombëtare, përmes depërtimit të kapitalit bankar të kontrolluar nga këto rryma, ndërsa marrja e huave me miliarda nga Hungaria krijon korridore të reja për rritjen e ndikimit ruso-kinez.
“Situata bëhet edhe më alarmante nga sinjalet se kryeministri aktual po lëviz drejt zbehjes ose eliminimit të Marrëveshjes së Ohrit, një shtyllë kyçe e stabilitetit dhe multietnicitetit, vetëm për të zhbllokuar proceset negociatore sipas interesave të tij afatshkurtra. Ky është një drejtim i rrezikshëm që jo vetëm saboton rrugën evropiane, por edhe vendos në pikëpyetje vetë stabilitetin e brendshëm të shtetit”, vë në dukje Prof.dr. Skender Asani./ GazetaFAKTI

Spread the love