Ilustrim/ Avion rus MIG-31 në paradën ushtarake të Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq në Moskë (Foto: EPA-EFE)
Tre avionë luftarakë rusë fluturuan sot në hapësirën ajrore të Estonisë, duke ngritur shqetësime serioze në kufirin lindor të NATO-s, pasi dronët rusë kishin fluturuar më parë në hapësirën ajrore të Polonisë dhe Rumanisë.
MiG-31 janë interceptorë të rëndë të aftë të mbajnë raketën hipersonike Kinzhal të Rusisë dhe po drejtoheshin për në kryeqytetin Talin, sipas burimeve të informuara mbi situatën. Avionët qarkulluan për afërsisht 12 minuta dhe avionët italianë F-35 u aktivizuan për t’i sprapsur.
Inkursioni vjen mes shenjave se Presidenti rus Vladimir Putin po e vë në provë gjithnjë e më shumë aftësinë e NATO-s për t’u mbrojtur. Javën e kaluar, dronët rusë fluturuan mbi Poloni dhe Rumani.
Estonia njoftoi se kishte ftuar të ngarkuarin me punë të Rusisë në Talin.
“Rusia ka shkelur tashmë hapësirën ajrore të Estonisë katër herë këtë vit, gjë që në vetvete është e papranueshme, por shkelja e sotme, gjatë së cilës tre avionë luftarakë hynë në hapësirën tonë ajrore, është brutale e paparë”, tha Ministri i Jashtëm Estonez Margus Tsahkna.
Ai tha se “testimi dhe agresioni gjithnjë në rritje i kufijve të Rusisë duhet të përgjigjet duke intensifikuar me shpejtësi presionin politik dhe ekonomik”, sipas Politico.
Më herët këtë muaj, Polonia raportoi se më shumë se një duzinë dronësh kishin kaluar kufirin e saj gjatë natës, me disa që u drejtuan drejt qendrës strategjike të Rzeszów. Forcat polake, të mbështetura nga aleatët e NATO-s, qëlluan disa dronë dhe më vonë aktivizuan Nenin 4 të NATO-s, duke e quajtur incidentin një provokim të qëllimshëm rus.
