• E enjte, 11 Dhjetor, 2025

BDI: Maqedonia nuk do të bëhet kurrë “republikë e tretë serbe”

EA
Shtator11/ 2025

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë dhe paralajmëron publikun se Maqedonia po përballet me një ofensivë të hapur të projektit famëkeq “Bota serbe”.

Sipas partisë, ky projekt po manifestohet gjithnjë e më shumë në mënyrë zyrtare, me praninë dhe, për fat të keq, siç thonë ata, me bekimin e përfaqësuesve shtetërorë të vendit tonë.

“Pas festimeve në Manastir, ku delegacioni i lartë i Serbisë, së bashku me ministra dhe përfaqësues të Qeverisë sonë nën maskën e “Frontit të Selanikut”, festuan pushtimin serb të territoreve tona, më 7 shtator 2025, në Kajmakchalan, dëgjuam deklaratën skandaloze të Ministrit të Mbrojtjes serb, Bratislav Gašić, i cili foli për “rrugën e lirisë” dhe “kthimin në atdhe” të ushtrisë serbe në territorin e Maqedonisë”, thekson BDI.

Sipas kësaj partie, prania e institucioneve tona në skenarë të tillë përfaqëson jo vetëm një akt të rëndë historik dhe politik provokues, por edhe një përpjekje për të relativizuar sovranitetin e shtetit tonë, duke e paraqitur Maqedoninë si “republikën e tretë serbe”.

“Kjo është e papranueshme. Është një kërcënim i drejtpërdrejtë për identitetin, stabilitetin shtetëror dhe orientimin euroatlantik të vendit. BDI thekson qartë: projekti “Bota Serbe” është armiqësor ndaj Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja Kornizë, kohezioni ndëretnik dhe rruga jonë e pakthyeshme drejt Bashkimit Evropian janë garancia e vetme për një të ardhme të sigurt. Çdo përpjekje për të minuar këto vlera do të përballet me kundërshtimin tonë të vendosur dhe të pakompromis. Maqedonia e Veriut nuk është dhe nuk do të bëhet kurrë “republika e tretë serbe”, thonë nga BDI.

Spread the love