Shqipëria ka arritur një tjetër moment historik, në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare të BE-së, ka dhënë miratimin për të vijuar negociatat me Shqipërinë për Grupkapitullin 5, që përfshijnë: Burimet, Bujqësinë dhe Politikat e Kohezionit, njoftojnë mediat në Tiranë
Ky lajm madhështor, u kumtua nga kryeministri Edi Rama.
Rama deklaroi se Presidenca Daneze e BE-së është autorizuar tashmë të ftojë zyrtarisht Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues mbi këtë grupkapitull.
“Sot, më 23 korrik 2025, në vijim të progresit të vazhdueshëm e dinamik të Shqipërisë në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të BE-së autorizoi Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat mbi Grupkapitullin 5″, tha Rama.
Grupkapitualli në fjalë përbëhet nga sektorë me rëndësi jetike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, si bujqësia, zhvillimi rural, menaxhimi i burimeve natyrore, si dhe politikat e kohezionit territorial dhe rajonal, të cilat janë themelore për përafrimin me standardet e BE-së dhe për përfitimin e fondeve europiane në mënyrë efikase dhe të drejtë.
Ajo që e bën këtë hap edhe më të rëndësishëm është fakti se Grupkapitulli 5 është kapitulli i fundit i negociatave, duke i hapur rrugë përmbylljes së fazës së hapjes së të gjithë kapitujve teknikë.
Përmbyllja e hapjes së kapitujve:
Ky zhvillim i rëndësishëm i hap rrugën organizimit të Konferencës Ndërqeveritare në muajt në vijim, duke përmbyllur hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave për Shqipërinë. Ky vendim konfirmon vlerësimin e BE-së për përgatitjen teknike, institucionale dhe ekonomike të Shqipërisë, si dhe angazhimin e saj ndaj perspektivës evropiane.
Rëndësia e Grupkapitullit 5 është thelbësor për ekonominë shqiptare, pasi përfshin fusha kyçe për zhvillimin ekonomik dhe social të qëndrueshëm, mbështetjen e fermerëve dhe peshkatarëve, dhe sigurinë ushqimore. Grupkapitulli 5 përbëhet nga 5 kapitujt e mëposhtëm:
– Kapitullin 11 (Bujqësia dhe Zhvillimi Rural),
– Kapitullin 12 (Siguria Ushqimore, Politika Veterinare dhe Fitosanitare),
– Kapitullin 13 (Peshkimi),
– Kapitullin 22 (Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore) dhe
– Kapitullin 33 (Dispozitat financiare dhe buxhetore).
Negociatat e këtij Grupkapitulli do të nxisin reforma për modernizimin e bujqësisë, përmirësimin e standardeve të prodhimit ushqimor dhe forcimin e politikave të kohezionit.
Shqipëria synon të hapë të gjithë kapitujt e negociatave gjatë vitit 2025 dhe të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, me synimin për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030../ GazetaFAKTI
