• E shtunë, 17 Janar, 2026

BE ndihmon ushtrinë e Shqipërisë: ndan 15 milionë euro të tjera për të forcuar kapacitetet mbrojtëse

EA
Korrik25/ 2025

Bashkimi Evropian ndan edhe 15 milionë euro të tjera për të forcuar kapacitetet dhe aftësitë mbrojtëse të forcave të armatosura të Shqipërisë.

Me masën e ndihmës të miratuar sot nga Këshilli i Bashkimit Evropian, shuma totale e mbështetjes për Shqipërinë është rritur në 28 milionë euro.
Siç thuhet në njoftimin e Këshillit të BE-së, kjo masë do të përmirësojë potencialin e Shqipërisë për të kontribuar në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së në koalicione ndërkombëtare.
Masa e parë e ndihmës dypalëshe në kuadër të Fondit Evropian të Paqes për të mbështetur forcat e armatosura shqiptare, me vlerë 13 milionë euro, u miratua në korrik 2024.

“Shqipëria është një partnere e ngushtë dhe e qëndrueshme e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, kontribuon në operacionet e BE-së dhe është një aleate e NATO-s. Forcimi i bashkëpunimit tonë të sigurisë dhe mbrojtjes me Shqipërinë forcon drejtpërdrejt stabilitetin, sigurinë dhe paqen evropiane”, tha Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaya Kalas.

Përmes masës së Fondit Evropian të Paqes, BE do t’u sigurojë forcave të armatosura shqiptare automjete të lehta të blinduara shumëfunksionale, si dhe automjete taktike dhe inxhinierike dhe trajnime operative dhe mirëmbajtjeje.

Fondi Evropian i Paqes u krijua në mars 2021 për të financuar veprime brenda Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë për të parandaluar konfliktet, për të ruajtur paqen dhe për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar./ GazetaFAKTI

Spread the love