Qeveria gjermane tha se po monitoronte nga afër rezultatin e takimit midis presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë, Donald Trump dhe Vladimir Putin, në Anchorage të Alaskës. Kancelari Friedrich Merz u mbajt i informuar për ecurinë e ngjarjeve dhe ekipi i tij mbeti në kontakt me aleatët ndërkombëtarë, raporton agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Edhe pse Trump njoftoi se do t’i informonte partnerët e tij evropianë për rezultatet e bisedimeve, ende nuk ka detaje të qarta. Në paraqitjen e tyre të shkurtër në media, të dy udhëheqësit nuk përmendën një armëpushim të mundshëm në Ukrainë.
Ish-diplomati dhe ish-kryetari i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Wolfgang Ischinger, ishte kritik i ashpër. “Asnjë përparim i vërtetë – qartë 1:0 për Putinin. Asnjë sanksion i ri, asgjë për ukrainasit, për Evropën – një zhgënjim i thellë”, shkroi ai në rrjetin social X.
Ischinger shtoi se Putin mori një “qilim të kuq” nga Trump pa asnjë lëshim në këmbim, duke paralajmëruar se samiti kishte kaluar pa rezultate konkrete në aspektin e përfundimit të luftës.
