Në këto ditë kur bota flet për Izraelin, pak e dinë se edhe shkenca, konkretisht bioteknologjia, pati një rol të rëndësishëm në lindjen e këtij shteti në vitin 1948. Historia nis në vitin 1914, me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, një konflikt që u tregua shumë më i gjatë dhe më i përgjakshëm nga sa pritej.
Një nga problemet më të mëdha të Mbretërisë së Bashkuar ishte mungesa e municioneve. Artileria britanike përdorte një eksploziv të quajtur ‘cordite’, i cili nuk prodhonte tym kur qëllohej, por për përgatitjen e tij kërkohej acetoni. Anglia e importonte këtë substancë nga Gjermania dhe Austro-Hungaria, dy vende me të cilat ishte në luftë, ndaj furnizimi u ndërpre, shkruan La Republica
Në këtë situatë kritike, zgjidhja erdhi nga një kimist me origjinë hebraike, Chaim Weizmann, që jetonte dhe punonte në Britani. Ai arriti të izolojë një bakter të quajtur ‘Clostridium acetobutylicum’, i cili prodhonte aceton përmes fermentimit të amidonit, një proces shumë më efikas se distilimi i drurit.
Falë këtij zbulimi, prodhimi i municioneve britanike u rrit ndjeshëm: nga 500 mijë predha në vitin 1914, në 50 milionë predha në vitin 1917. Roli i Weizmann-it ishte aq vendimtar saqë kryeministri i atëhershëm, Lloyd George, i ofroi atij çdo shpërblim që dëshironte. Por Weizmann, si sionist i bindur, kërkoi vetëm një gjë, një atdhe për popullin e tij.
Kjo kërkesë çoi në shpalljen e Deklaratës së Balfour në vitin 1917, që mbështeti krijimin e një shteti hebraik në Palestinë. Kur më në fund Izraeli u shpall shtet më 1948, Chaim Weizmann u bë presidenti i tij i parë, detyrë që e mbajti deri në vdekjen e tij në vitin 1952.
Në një fjalim para Asamblesë Kushtetuese të Izraelit në vitin 1949, Weizmann tha: Gjithë jetën kam luftuar për ta bërë shkencën dhe kërkimin themelin e projektit tonë kombëtar. Por gjithmonë kam ditur se ekzistojnë vlera më të larta se shkenca: drejtësia, integriteti, paqja dhe vëllazërimi.
Teknika e tij për prodhimin e acetonit është tashmë e vjetëruar, por mesazhi i tij për njerëzimin mbetet i vlefshëm edhe sot.
