Koncerni gjerman Bosch ka njoftuar laergimin e 13,000 punonjësve në Gjermani, pasi më shumë se 10,000 vende pune u shkurtuan vitin e kaluar. Fabrikat që lidhen me industrinë e automobilave janë më të prekurat, por do të ketë edhe pushime nga puna në selinë e kompanisë.
Bosch tha se këto janë “hapa të nevojshëm” për të kursyer 2.5 miliardë euro në vit. Arsyeja kryesore për pushimet nga puna është kriza në industrinë gjermane të automobilave, si dhe nevoja për të investuar në teknologji të reja që lidhen me elektrifikimin dhe drejtimin autonom.
“Teknologjitë e së ardhmes, të tilla si elektromobiliteti ose automjetet autonome, përfaqësojnë një mundësi të shkëlqyer, por zgjerimi i tyre është vonuar në mënyrë drastike”, tha drejtori ekzekutiv i koncernit, Stefan Groß, duke shtuar se kërkesa po zhvendoset gjithnjë e më shumë jashtë Evropës.
Bosch që vitin e kaluar filloi të zvogëlojë fuqinë punëtore në sektorin e furnizimit me automobila, duke pushuar nga puna 10,000 persona.
Njoftimi vjen ndërsa publikohet perspektiva ekonomike e vjeshtës e Gjermanisë, e cila parashikon rritje për dy vitet e ardhshme, falë investimeve të njoftuara qeveritare. Megjithatë, ekonomistët paralajmërojnë se ky është një efekt afatshkurtër dhe se Gjermania, me eksportet në rënie të vazhdueshme, ka nevojë për reforma të thella strukturore.
