• E premte, 23 Janar, 2026

Botohet studimi dygjuhësh “Gjenocidi çam”

EA
Dhjetor03/ 2025

Përvojat shoqërore kalojnë nëpër kohë të mira dhe të këqija, përmbajnë begatimin dhe varfërinë, lumturinë dhe vuajtjen. Ka bashkësi apo popuj që kanë përjetuar më tepër një gjendje se një tjetër, e kur ka ndodhur t’u bjerë e keqja, nuk janë ligështuar, janë përpjekur dhe kanë qëndruar në këmbë; kanë mbijetuar!

Çamët janë prej këtyre. Shekulli i kaluar, i njëzeti, nuk ka qenë aspak i lehtë për ta. I munduan, i persekutuan, i vranë, i shkulën nga shtëpitë e tyre, i detyruan të marrin malet e të mos ta shohin më dheun ku lindën. Fqinji ynë jugor ua bëri tokë të ndaluar ç’u përkiste deri dje, u vuri njollë dhe i ndoqi: fajësia e tyre e vërtetë, e pathënë hapur, ishte përkatësia e tyre, shqiptarë dhe muslimanë!

Kujtesa historike e çamëve mbart aq dramë sa është e pamundur të shlyhet. E drejta e çamëve për çfarë hoqën posaçërisht në gjysmën e parë të njëqindvjeçarit më tragjik për ta mbetet ende e pagjetur, e papranuar, herëherë madje e harruar. Çështje kohe se kur ajo do të vihet në vend. Çfarë është në dorë tonë lidhet me përkujtimin, me përmendjen pa ndërprerë e pa u lodhur të tragjedisë çame, të rrëfimit si duhet të saj, për ta patur mësim të shkuarën e për të mos e lënë atë të përsëritet. Është detyrim moral i shoqërisë sonë ta kujtojë e rikujtojë tragjedinë çame, gjenocidin ndaj tyre, ta nderojë gjakun e derdhur e ta respektojë qëndrimin prej martiri të asaj popullate.

Për të mos e shpënë në harresë atë tragjedi ka rrugë e mënyra të shumta.Në një përvjetor jubilar, në të 80-tin, të gjenocidit ndaj çamëve, në vitin 2024,Fondacioni ALSAR organizoi dy aktivitete shkencore, një simpozium në Konispol dhe një konferencë në Tiranë, e njëkohësisht shpalosi përmes një ekspozite fotografike përmasat e kalvarit të vuajtjeve çame.

Botimet ALSAR nxorën nga shtypi për të njëjtin përvjetor studimin, në shqip dhe turqisht, të autores së ndjerë turke, Berna Türkdoğan Uysal, Gjenocidi çam / Çamerya soykırımı”.

Ndër kontributet më herët të Fondacionit ALSAR në këtë suazë ështëdhe botimi i gjithashtu të ndjerit, birit të Çamërisë, Ibrahim Daut Bejdeshati (Hoxha), “Shtegtim nëpër Shqipërinë e Jugut: Çamëria”; një vepër e plotë dhe me shumë të dhëna brenda.

Dy vëllimëshi që po botojmë tani vjen në kuadër të 81-vjetorit të gjenocidit grek ndaj çamëve; kontributi ynë i radhës për këtë çështje kombëtare, për çështjen çame.

“Tragjedia Çame – Çamerya Trajedisi – The Cham Tragedy, 1913- 1945” është përgatitur nga dr. Qerim Lita dhe Shkëlzen Halimi. Dy vëllimet përmbajnë materiale të Arkivit Historik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe të Arkivit Qendror të Shtetit Shqiptar, e të Arkivit të ish-Jugosllavisë në Beograd. Dokumentet e gjetura dhe të sjella në botim i përkasin fondit të kushtuar marrëdhënieve shqiptaro-turke, i disponueshëm për qasje në materialet e cakut kohor deri në vitin 2000. Dokumenteve të publikuara u paraprin përmbledhja e tyre në tre gjuhë, në shqip, turqisht e anglisht. Vëllimi i parë përmban 217 dokumente, të renditura kronologjikisht, të periudhës kohore 23 mars 1920 – 30 janar 1946. Vëllimi i dytë përbëhet nga 207 dokumente; në të gjenden dhe 30 fotografi, si dhe shkrime e citate nga shtypi grek. Çdo dokument përmban dhe vendin ku gjendet në arkiv.

Meritojnë vlerësim, sigurisht, përgatitësit, për energjitë e harxhuara në qëmtimin e dokumenteve dhe në përgatitjen e renditjen e tyre. Lexuesi i vëmendshëm do të ketë çfarë të shohë e të lexojë në këtë botim. Krahas kësaj, duhet përsëritur se Fondacioni ALSAR mirëpret çdo bashkëpunim në fushën e botimit për tema me interes kombëtar.

Spread the love