• E shtunë, 8 Nëntor, 2025

Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia njohën shtetin e Palestinës , Izraeli reagon ashpër: “Një shpërblim për vrasësit e Hamasit”

EA
Shtator21/ 2025

Qeveria izraelite ka reaguar ashpër ndaj njohjes së shtetësisë palestineze nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, deklaroi : “Sot, për të rikthyer shpresën për paqe për palestinezët dhe izraelitët, dhe për një zgjidhje me dy shtete, Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht Shtetin e Palestinës.”

Ky vendim pason deklaratat e ngjashme nga kryeministri kanadez, Mark Carney, i cili bëri publike njohjen e Palestinës si shtet sovran më herët.

“Kanadaja njeh Shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore si për Palestinën ashtu edhe për Izraelin,” shkroi ai në rrjetin X.

Po ashtu, Australia shpalli njohjen e Palestinës, duke e bërë të qartë se ky hap është pjesë e një përpjekjeje të koordinuar me Kanadanë dhe Britaninë për të avancuar zgjidhjen me dy shtete. Kryeministri australian, Anthony Albanese, e cilësoi këtë si një angazhim të përbashkët ndërkombëtar për paqe të qëndrueshme.

Këto tre shtete Kanadaja, Australia dhe tashmë edhe Britania janë të parat nga grupi i shtatë vendeve më të industrializuara të botës (G7) që ndërmarrin hapin zyrtar për të njohur Palestinën si shtet. Vendimet janë shpallur gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Vendimi i Britanisë vjen pas paralajmërimit të bërë nga Starmer më 29 korrik, se njohja e Palestinës do të bëhej nëse Izraeli nuk ndërmerrte hapa konkretë për të përmirësuar situatën në Gaza, të përfshinte një armëpushim të qëndrueshëm dhe të lejonte rikthimin e ndihmave humanitare.

Që nga ajo kohë, situata në Gaza është përkeqësuar ndjeshëm, me ofensiva të reja ushtarake nga Izraeli në Gaza, raportime për uri ekstreme nga agjencitë ndërkombëtare dhe akuza për gjenocid të ngritura nga Komisioni i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Ky bashkëpunim midis Britanisë, Kanadasë dhe Australisë pritet të ushtrojë presion të shtuar mbi komunitetin ndërkombëtar për të ndërmarrë hapa konkrete drejt paqes dhe njohjes së të drejtave legjitime të popullit palestinez.

Ministri izraelit i Sigurisë, Itamar Ben Gvir, ka kritikuar këtë hap, duke e cilësuar si një “shpërblim për vrasësit” e Hamasit, dhe ka njoftuar se do të paraqesë një propozim në mbledhjen e ardhshme të kabinetit për të shpallur sovranitetin izraelit mbi Bregun Perëndimor.

Ben Gvir ka theksuar se njohja e shtetësisë palestineze nga këto shtete është një akt që nuk do të mbetet pa përgjigje. Ai ka bërë të ditur se në mbledhjen e ardhshme të kabinetit, ai do të propozojë një plan për “zbatimin e menjëhershëm të sovranitetit izraelit” edhe mbi territoret e Bregut Perëndimor.

Kolegu i tij, ministri i Kulturës dhe Sporteve, Miki Zohar, i ka bërë jehonë të njëjtës linjë qëndrimi, duke thënë se “përgjigjja e vetme ndaj kësaj njohjeje të njëanshme duhet të jetë zbatimi i sovranitetit izraelit në Jude, Samari dhe Luginën e Jordanit”.

Kjo reagim erdhi pas një vendimi të pakontestuar të Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë dhe Australisë për të njohur shtetësinë palestineze, një hap që ka shkaktuar tensione të mëdha në politikën ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet mes Izraelit dhe këtyre shteteve./Top Channel

Spread the love