• E shtunë, 17 Janar, 2026

Bujar Osmani do të angazhojë një arkitekt me famë botërore për të rregulluar Çairin

EA
Gusht19/ 2025

Michel Rojkind, është arkitekt që kombinon arkitekturën me dimensionin social dhe kulturor, duke e parë dizajnin jo vetëm si një formë estetike, por edhe si një instrument për transformimin urban dhe angazhimin e komunitetit.

I konsideruar si “një përfaqësues kryesor i brezit të arkitektëve më me ndikim në botë”, revista prestigjioze Forbes zgjodhi studion Rojkind Arquitectos si një nga 10 firmat e reja më inovative në botë, e fillon njoftimin e tij kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani. Ai paraljmëroi se do të punësojë Rojkind për të rinovuar arkitekturën e Çairit nëse fiton zgjedhjet.

I lindur në Meksikë, Rojkind është dalluar që nga fillimi i karrierës së tij me ide inovative në dizajn dhe lidhjen e arkitekturës me komunitetin. Projekti që e bëri atë të famshëm globalisht ishte Muzeu i Çokollatës Nestlé (2007) pranë Toluca, një strukturë futuriste që fitoi çmime ndërkombëtare dhe u nominua për Çmimin e Muzeut Britanik.

Ndër projektet e tij të tjera të mëdha janë Cineteca Nacional Siglo XXI (Qendra Kombëtare e Filmit e Meksikës), Mercado Roma (një treg modern urban në Mexico City), Fasada Liverpool Interlomas (fasada spektakolare për një qendër tregtare), si dhe projekte banimi si Casa PR34 dhe Casa F2.

‘High Park’, një ndërtesë banimi shumëkatëshe në Monterrey, vepër arkitektonike e Michel Rojkind

Ai ka dhënë leksione në konferenca ndërkombëtare si TEDx dhe Festivali Botëror i Arkitekturës, dhe është profesor vizitor në shkolla prestigjioze të arkitekturës. Sot, Michel Rohkind konsiderohet si një nga zërat më të rëndësishëm në arkitekturën moderne, duke përfaqësuar një brez krijuesish që e kanë vendosur komunitetin dhe inovacionin në hartën globale të dizajnit.
“Sot me Michel Rojkind, një nga arkitektët më të njohur në botë, shëtitëm nëpër lagjet e Çairit. E dëgjova me vëmendje ndërsa analizonte rrugët, hapësirat, njerëzit dhe krijonte vizionin për Çairin.

Gjatë javëve të fundit, së bashku me të, po punojmë për një vizion të rilindjes urbane të Çairit. Çairi më në fund do të ketë një plan afatgjatë për zhvillim dhe urbanizim. Në vizionin e ri, Çairi do të zhvillohet si një komunë moderne, me nevojat e qytetarëve, lirinë e lëvizjes dhe sigurinë e qytetarëve në qendër të strategjisë.

Michel tashmë ka identifikuar pikat kyçe për përmirësim hapësirat publike, qasjen, estetikën dhe funksionalitetin. Çairi nuk duhet më të shihet si simbol i kaosit, mosfunksionimit dhe mosveprimit. Për mua Çairi është shtëpia ime, dhe si kryetar do të jap çdo atom energjie për ta ngritur nga hiri.
Çairi meriton shumë më tepër se vetëm një rindërtim, meriton një vizion që do ta shndërrojë në një vend urban, bashkëkohor dhe modern për të jetuar.

Prandaj, me nder të veçantë e shpall bashkëpunimin me Michel Rojkind, arkitekt i njohur botëror, vizionar dhe krijues, puna e të cilit shihet në Nju Jork, Meksiko Siti dhe në qendra të tjera të mëdha botërore.

Çairi ka histori, ashtu si kjo Çarshi ku ndodhemi sot. Michel dhe ekipi i tij bartin vizionin për të ardhmen. Ndërsa unë, si kryetar i ardhshëm i Komunës, marr përgjegjësinë që ky vizion të bëhet realitet.

Michel dhe ekipi i tij prej kohësh punojnë me ne. Ata e analizuan Çairin, e studiuan kontekstin urbanistik dhe bashkë i identifikuam pikat kyçe që domosdoshmërisht duhet të përmirësohen.

Ne po punojmë për një plan konkret të zhvillimit urban që do ta rikthejë cilësinë e jetesës, do të sjellë më shumë hapësira publike, sipërfaqe të gjelbra, infrastrukturë funksionale, dhe mbi të gjitha një markë të re për Çairin.

Ky është fillimi i një kapitulli të ri për Çairin, i cili pas 19 tetorit më në fund do të nisë përpara.”, vuri në dukje Osmani./GazetaFAKTI

Pamje e jashtme e Foro Boca, vepër arkitektonike e Michel Rojkind



Video:

https://www.facebook.com/bujar.osmani.942/videos/1157475032882388

Spread the love